Xhevat Ademi: S’ka baza për ndryshime të tjera kushtetuese

BDI-ja paralajmëron se amendamentet e opozitës shqiptare nuk do të pranohen nga arkivat e Kuvendit. Deputeti i, Xhevat Ademi në emisionin “Rruga drejtë…” ka deklaruar se asnjë amendament nga 4 amendamentet e Qeverisë nuk do të pranohen dhe se amendamente shtesë mund të propozohen vetëm për 4 amendamentet që kanë të bëjnë me ndryshimin e kushtetutës në përputhje me marrëveshjen e Prespës. Amendamentet e opozitës, Ademi i cilësoi si të panevojshme në këtë situatë.

“Amendamente mund të dorëzohen ekskluzivisht vetëm për 4 draft-amendamentet e propozuara të Qeverisë. Mund të dorëzohet amendament për emrin e Qeverisë dhe tjetër jo. Mund të dorëzohet amendament vetëm për preambulën, mund të dorëzohet amendament për tërësinë dhe pacenueshmërinë territoriale të shtetit dhe mund të dorëzohet amendament për kujdesin e shtetit ndaj diasporës. Amendament tjetër, shërbimet e Kuvendit nuk e pranojnë sepse iniciativa është strikte e shpjeguar- deklaroi Xhevat Ademi. /Alsat-M/

Parashikimi i Mid’hat Frashërit: Shqipëria do të bëhet një kafene e madhe!

Mithat FrasheriU promovua vëllimi “Vepra të zgjedhura” të Mid’hat Frashërit që përfshin 60 proza meditative të panjohura. Studiuesi Aurel Plasari gjatë kumtesës së tij zbulon permanencat historike dhe përkimet e hidhura me Shqipërinë e sotme në shkrimet e Mid’hatit

Ndonëse amaneti i Mid’hat Frashërit, alias Lumo Skëndos, për t’u prehur në cepin e kopshtit të Institutit Albanologjik, që ai ëndërronte dhe për krijimin e të cilit la gjithë pasurinë e tij nuk u jetësua, me siguri shpirti i tij do të lehtësohet. Eshtrat e publicistit, shkrimtarit, përkthyesit, albanologut, diplomatit, veprimtarit të çështjes kombëtare, politikanit dhe nënshkruesit  të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, tanimë të kthyera në atdhe do të vendosen pranë memorialit tw Vëllezërve Frashëri në Parkun e Madh, duke u plotësuar kështu edhe dëshira e pasardhësve të tij. Pas dy vëllimeve të para, u promovua ditën e djeshme “Vepra të zgjedhura” të Mid’hat Frashërit, ku përfshihen tregime, skica, rrëfime poetike dhe 60 proza meditative të bëra publike për herë të parë. Gjatë promovimit të librit ishte i pranishëm edhe Ismail Kadare, pasardhës të tij (mbesa Najada Toptani), përfaqësues të institutit “Lumo Skëndo”, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, studiues, letrarë dhe dashamirës të kësaj figure të rëndësishme kombëtare. Në vëllimin e tretë të botimeve për Mid’hatin, është botuar edhe parathënia “Drama e një lideri”  nga Ismail Kadare, një material i shkruar rreth një dekadë më parë nga shkrimtari për dramën “Foleja kombëtare” të Mid’hatit. Në këto faqe Kadare cek gjithashtu problematika të teatrit, por edhe të dramaturgjisë shqiptare si dhe rrezikun për një otomanizim të ri të vendit tonë. Gjatë ditës së djeshme u zbulua edhe pamja e skulpturës së Mid’hatit e realizuar nga skulptori Agim Rada.

Ironia therëse e Skëndos për doktorantët që nuk njohin alfabetin deri në fund

Studiuesi Aurel Pasari gjatë kumtesës që mbajti ditën e djeshme në kuadër të promovimit të veprës së Mid’hat Frashërit “Vepra të zgjedhura”, shpjegoi se ky vëllim i tretë përbëhet nga shkrime të tij të përmbledhura nën titullin “Duke kënduar një libër”. Këto shkrime, sqaron studiuesi, kanë qene botuar në revistën “Hylli i Dritës”, por hera-herës edhe në revistën e tij “Dituria”, “Dodona”; “Besa” etj. Plasari shtoi më tej se këto shkrime përfshijnë gati një dhjetëvjeçar (1922-1931). Mandej ai citoi programin e këtyre shkrimeve të përvijuara nga vetë Lumo Skëndo: “ Miqtë e mi të “Hyllit” do të kenë vënë re se në shkrimet që po botoj nën titullin ‘Duke kënduar një libër’ kujdesi im është t’ju jap një njoftim mbi veprën që botojmë për Shqipërinë dhe t’ju mbajmë koherent me  idetë e botës përsa  i takon vendit tonë”. Kombet si dhe njeriu nuk mund të rrinin indiferentë për opinionin që kanë të huajt për ta. Ç’thonë bota ?! Është një pyetje plot brengë që bën i moçmi. Kjo nevojë është edhe më e madhe akoma për ne shqiptarët, një komb i lindur, i ri në jetën politike, një popull i njohur ligsht dhe mbi të cilin është bërë një propagandë e ligë, Të njohurit e opinionit publik të botës për Shqipërinë s’është pra për ne një kuriozitet, një merak letrar, por më tepër një detyrë politike dhe patriotike”. Mandej studiuesi rrëfeu se Mid’hati i kishte alternuar autorët e huaj  në dy çeta shkrimet e tij; në miq ose dashamirës të shqiptarëve dhe në armiq ose rival të tyre. “Të parët, i ka dalluar për objektivitetin, ndershmërinë, paanësinë, sinqeritetin, seriozitetin, por edhe për kurajën për t’i thënë të vërtetat. Ndër këta shkëlqejnë prej vlerësimeve të tij emra si koloneli Aubrey Herbert, deputeti Justin Godart, Edith Durham, etj. Të dytëve u ka vënë në dukje veset e trillimit, të mashtrimit, të ligësisë dhe të pandershmërisë. Stilin fyes e dektratues, deri edhe shitjen e penës”. Megjithatë, Plasari argumenton se Mid’hati tregohej shumë i kujdesshëm dhe elegant duke i trajtuar si “armiq pa dashje”, pasi që nuk dëshironte që Shqipëria dhe shqiptarët të kishin armiq. Sipas Plasarit balanca e zhdrejtë e ndikimit të të parëve dhe të dytëve, përbën shqetësimin madhor në të gjithë ciklin e shkrimeve  “Duke kënduar një libër”. Studiuesi tregon se  qysh në fillim të viteve ’20 Lumo Skëndo përvijoi edhe programin në trajtë detyrash për të përballuar betejën në atë mejdan siç e quajti. “Detyrat kryesore i ka përshkruar pak a shumë kështu;1)Të njohim mirë teknikën dhe armët e përdorura prej kundërshtarëve tanë. 2)Të këndojmë literaturat e tyre politike. 3)T’ia bëjmë atë të njohur popullit tonë. 4) T’i përgjigjemi asaj duke ditur si të ruhemi dhe të mbrohemi”. Plasari citoi gjithashtu një argumendës të Skëndos që ka vlera edhe në ditët e sotme: “Bota e di fuqinë e shtypit, pushtetin e botimeve që bren dhe përmbys fortesa”. Sipas tij, Lumo Skëndo prej më shumë se një dhjetëvjeçari e kryente atë detyrë, ndonëse për këtë nuk rezulton të jetë mburrur ndonjëherë. Aurel Plasari ndër të tjera gjatë kumtesës së tij bëri me dije se pothuajse në çdo faqe të ciklit “Duke shkruar një libër” gjen shumë përkime me realitetin tonë. “Si për çdo popull nuk ka përse të mos funksionojë edhe për shqiptarët parimi i permanencave historike dhe e shumta e përkimeve që ndeshen nuk janë të ëmbla përkundrazi!”. Studiuesi rrëfen se ndër më pikantet është ngacmimi që ai u bën paaftësisë së doktorëve (doktor, në kuptimin e njerëzve të ditur të Shqipërisë) për të zbritur në fushën e betejave të mendimit politik. Mid’hati shprehej se: “ Në një kohë që fletoret e shtypit shtohen si kërpudhat në tokën e plehun, kurse gazetat shndërrohen në industri nacionale, druaj që intelektualët tanë për nga mënyra se si e shkruajnë shqipen nuk e dinë alfabetin e gjuhës shqipe deri në fund. E dinë atë deri tek shkronja v, meqenëse shkronjat, x, z, y, zh, xh përdoren fare pak. Madje ata as që kanë kohë ta nxënë tërë alfabetin e shqipes duke qenë të zënë duke nxjerrë gazeta dhe për të vënë kandidaturën për tu bërë deputet, prefekt ose ministra. Në vijoftë puna kështu, Shqipëria do të bëhet një kafene e madhe!”.

Agim Rada: Skulptura e Mid’hat Frashërit u mbrujt me baltën që e gatoi këtë figurë!

Ai ka jetësuar në bronx personalitete të rëndësishme shqiptare, si Marin Barleti, Gjergj Elez Alia, Onufri, dhe Petro Marko. Skulptori Agim Rada e konsideron mundësinë për të realizuar skulpturën e Mid’hat Frashërit si një fat që i shton kolanës së krijimtarisë së tij edhe një gur të çmuar. Mes entuziazmit artisti gjatë ditës së djeshme u shpreh se: “Kjo është një vepër u mbrujt me baltën që gatoi këtë figurë kaq të ndritur, me baltën e Shqipërisë, ku dhe do të prehet!”. Skulptori rrëfeu se ka qenë një punë jo e lehtë, realizimi i një personaliteti të tillë, shkrirja e tipareve dhe portretit të tij në bronz, mirëpo ai është i kënaqur nga rezultati i arritur. Rada u shpreh se ai qëndron larg ideologjive dhe mundohet vetëm të nxjerr në dritë figurat e ndritura të kombit tonë. Ndër të tjera, ai shprehu dëshirën për t’i dhuruar një kopje të kësaj vepre Kosovës. “ Pas kësaj figure, më presin figura të tjera të ndritura, që janë lënë në heshtje. Këto personalitete janë si ato xhevahiret që ekzistojnë nëpër miniera, por ende presin të zbulohen. Edhe unë kam dëshirë t’i zbuloj, t’i lartësoj dhe kjo për mendimin tim është detyra e çdo atdhetari!”, konludoi Rada.

Agron Tufa: Proza e Mid’hatit e ngjashme me atë të Konicës!

Për shkrimtarin Agron Tufa, Mid’hat Frashëri paraqet një lloj shkrimi memuaristik, që sipas tij rivalizon dorë për dorë me letërsinë artistike, pa ja zbehur aspak forcën dëshmisë autentike. “Është qartësia, thjeshtësia, stili i gjallë e dinamik, toskërishtja letrare e kulluar që e shquan prozën e tij në atë nivel të ngjashëm me Konicën, e në disa raste në po ato nivele koniciane shkëlqen edhe ironia therëse e grotesku!”. Përpos kësaj , Tufa thekson se përgjithësisht prozat memuaristike të Mid’hat Frashërit të shkapërdarë në vite të ndryshme  krijojnë kuadro të veçantë historike dhe ndonjëherë psikologjike, zbulime, qëmtime,  meditime, asosacione idesh etj.

Agron Shehaj: Mid’hat Frashërit brezat e sotëm i detyrohen dyfish!

Si promovues i vlerave të veprës së Mid’hatit Agron Shehaj u shpreh ditën e djeshme entuziast që më në fund për veprimtari do të mund të prehej në vendin e tij dhe vepra e tij po del në dritë. “ Shqipëria e pavarur, shqipja e bukur dhe shpirti ynë perëndimor janë arritja e patriotëve etër të kombit tonë, mes të cilëve pa asnjë mëdyshje është Mid’hat Frashëri, pjesëtar i denjë i një prej familjeve më të rëndësishme të Shqipërisë. Shqiptarëve të tillë kombi ynë do t’u jetë mirënjohës në përjetësi, por Mid’hat Frashërit brezat e sotëm i detyrohen dyfish. I detyrohen mirënjohje për jetën dhe veprën në shërbim të Shqipërisë perëndimore, por edhe pendimin për përpjekjen për ta dënuar dhe harruar këtë jetë edhe vepër!”, u shpreh Shehaj. Sipas tij, prehja e eshtrave të tij në Shqipëri është jo vetëm mirënjohja që ne i bëjmë jetës së tij dhe shprehje e ndjesës së thellë të vendit të tij për vuajtjet që i solli birit, që e deshi më shumë se të tjerët, por edhe një monument që na bën të ndihemi një komb i lirë perëndimor.

Tiranë: Parlamenti miratoi rrëzimin e Teatrit Kombëtar

teatriEdhe pas 9 muaj protesta të përnatshme të qytetarëve dhe artistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, edhe pasi Presidenti i Republikës e ktheu dy herë projek-ligjin në parlament për shumë shkelje të Kushtetutës, deputetët socialistë, në mungesë të opozitës, e rivotuan idenë për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe zhvillimin e zonës me disa kulla dhe një teatër të ri. Opozita as sot nuk ishte e pranishme në sallën e parlamentit kur shumica socialiste rivotoi projekt-ligjin për zhvillimin e zonës sipas një varianti të përmirësuar për një garë formale ndërtimesh në zonën e Teatrit Kombëtar.

Partia demokratike e opozitës ka disa javë që nuk merr pjesë në punimet e parlamentit, dhe nuk ka marrë pjesë në votimet e fundit për fatin e Teatrit Kombëtar.

Me të njëjtën vendosmëri si për rrëzimin e Teatrit Kombëtar, shumica socialiste ishte sot po aq e vendosur sot për mbylljen e bizneseve të basteve sportive të të gjithë formave, si një mënyrë për të mbrojtur ekonomitë familjare dhe rininë nga shpenzimet për të ashtuquajturat lojëra fati.

Qytetarë dhe artistë zhvilluan protesta të pandërprera në mbrojtje të Teatrit Kombëtar nga planet për të rrëzuar ndërtesën historike.

Ata u mblodhën në oborrin e Teatrit Kombëtar, morën nënshkrimet për një peticion nga qytetarët, dhe dëgjuan argumentat e veprimtarëve pse Teatri nuk duhet shembur, përkundërplaneve për ta rrëzuar atënë këmbim të disa kullave biznesi.

Presidenti i Republikës e ktheu dy herë pas projekt-ligjin, por as kundërshtimet e tij dhe as argumentat e artistëve nuk mjaftuan për të mbrojtur ndërtesën historike të Teatrit Kombëtar dhe as për të frenuar ndërtimet në hapësirën pas shpinës së tij. (voa)

Bota NATO nis manovrën e madhe “Trident Juncture”

tanqeNATO ka nisur manovrën e saj më të madhe që nga fundi i Luftës së Ftohtë. 50.000 ushtarë do të stërviten bashkarisht për dy javë në Norvegji si dhe në zonat ajrore dhe detare përreth.

Sipas të dhënave të zëdhënëses së aleancës ushtarake admirali përgjegjës nga SHBA-ja James G. Foggo në orën 0.01 (sipas orës së verës në Europën Qendrore) mori përsipër komandën. Krahas 50.000 ushtarëve janë edhe rreth 10.000 automjete, mbi 300 avionë e helikopterë ushtarakë si dhe anije të vëna në veprim në kuadër të manovrës së madhe  “Trident Juncture”. Qëllimi i manovrës është stërvitja për të vepruar për të ashtuquajturin rasti i solidarizimit në aleancë. Ky rast mund të shfaqet nëse një ose disa nga 29 vendet anëtare sulmohen nga një kundërshtar. Si rrjedhojë aleatët e tjerë duhet të solidarizohen.

Me traget e me pajisje të rënda rrugës drejt Norvegjisë

Zyrtarisht kjo manovër nuk drejtohet kundër asnjë sulmuesi të mundshëm. Por në sfondin e tensioneve në rritje prej vitesh me Rusinë kjo ka të bëjë me një demonstrim force dhe një sinjal frikësues drejt Rusisë. Në radhë të parë Polonia si dhe aleatët baltikë Lituania, Letonia dhe Estonia ndihen të kërcënuar nga politika e fqinjit të tyre të madh. Ato kërkojnë armatime dhe më shumë demonstrim force. Ndaj nuk është rastësi, që manovra zhvillohet në një vend, i cili ka kufi të përbashkët me Rusinë.   Manovra zhvillohet në qendër dhe në lindje të Norvegjisë, në Atlantik dhe në detin Baltik si dhe në hapësirën ajrore mbi Finlandën dhe Suedinë.

Bundeswehri merr pejsë me 10.000 ushatrë

Bundeswehri (ushtria gjermane) merr pjesë me rreth 10.000 ushtarë e kësisoj ka kontigjentin më të madh pas SHBA-së. Angazhimi i fuqishëm argumentohet në radhë të parë me faktin, se Gjermania duke nisur që nga viti 2019 do të marrë përsipër drejtimin e trupës së ndërhyrjes së shpejtë të NATO-s. E ashtuquajtrua VJTF (Very High Readiness Joint Task Force) është krijuar në valën e krizës në Ukrainë dhe është po ashtu element i strategjisë së demonstrimit të forcës ndaj Rusisë, gjë së cilës që nga viti 2014 sërish po i kushtohet më shumë vëmendje. Asokohe Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë në Ukrainë.

Kontrolli i karburanteve në bazën gjermane të fushimit “Camp Gardermoen”

Në raundin e parë të manovrës së NATO-s, sipas të dhënave të aleancës, “forcat jugore” të përbëra nga vendet si Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe do të mbrojnë një sulm nga “forcat veriore”. Forcat veriore do të përbëhen ndër të tjera nga trupat e SHBA-së, Kanadasë dhe Norvegjisë. Në raundin e dytë skenari parashikon një kundërsulm të “forcave jugore” ndaj “forcave veriore”. Krahas të gjitha 29 vendeve të NATO-s marrin pjesë në manovër edhe vendet partnere të aleancës si Suedia dhe Finlanda.

qu/stu (dpa, afp, ape)

PE voton kundër përdorimit të produkteve plastike

mbetje plastikeParlamenti Evropian votoi me shumicë dërrmuese për të ndaluar në të gjithë vendet e Bashkimit Evropian produktet plastike me një përdorim, të tilla si pipat, lugët, pirunjtë e thikat plastike, shkopinjtë plastikë për të përzier kafenë.

Vendimi u miratua të mërkurën me 571 vota pro, 53 kundër dhe 34 abstenime.

Mbështetësit e kësaj politike thonë se plastika është një burim i madh i ndotjes që po asfikson oqeanet, po ndot qytetet dhe që kërkon dekada për t’u shpërbërë.

Nëse vendimi miratohet nga Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së dhe prej secili shtet veç e veç, ndalimi do të bëhet ligj në vitin 2021.

Projektligji për ndalimin e përdorimit të plastikës në vendet e BE-së përfshin gjithashtu afate për riciklimin e produkteve të tjera plastike si shishet, filispanja për peshkim, ambalazhet plastike të ushqimit dhe filtrat e cigareve.

Disa qytete amerikane kanë marrë vendim për të ndaluar pipat plastike në restorante, pas publikimit më herët gjatë këtij viti të një videoje rrëqethëse, ndërsa një person mundohej t’i hiqte një pipë plastike nga hunda e përgjakur një breshke. (voa)

Gjermania do të ashpërsojë kushtet për ndihmën për zhvillimin

partneritet per reformaGjermania është përgatitur që të ashpërsojë kushtet e ndihmës për vendet në zhvillim, në përpjekje për të luftuar korrupsionin, për të garantuar të drejtat e njeriut dhe për të nxitur krijimin e strukturave demokratike.

Në një dokument të ri strategjik të publikuar në prag të takimit të G20-ës me Afrikën javën që vjen në Berlin, Ministria gjermane e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit përvijoi plane për të reduktuar numrin e shteteve partnere dhe për të kontrolluar më mirë se si shpenzohen paratë e ndihmave.

Të ashtuquajturat “partneritete për reforma”, që Gjermania ka tashmë me me Ganën dhe Tunizinë do të kërkojnë që vendet e synuara të rritin gjithashtu kontributet vetjake për zhvillimin.

Sipas dokumentit strategjik të quajtur “Entwicklungspolitik 2030″ (“ndihma për zhvillimin 2030″), “një element i rëndësishëm i së gjithës është krijimi i financave kombëtare dhe i administratave të taksave, i zyrave të llogarive dhe i institucioneve për të luftuar korrupsionin”.

Në prezantimin e dokumentit këtë javë, ministri gjerman i Zhvillimit, Dirk Müller tha se qeveria gjermane do të nisë gjithashtu një program të ri monitorimi, duke kontrolluar marrëveshjet e bashkëpunimit të Gjermanisë me 85 shtete, të cilave aktualisht u jep para.

Bizneset duhet të japin kontributin e tyre

Gjermania dërgon rreth 4,4 miliardë euro ndihmë për vendet në zhvillim në botë çdo vit, shumica e së cilës shpenzohet në Afrikë. Administrata e Angela Merkelit e ka bërë moto të saj “luftimin e shkaqeve të migrimit” duke ndihmuar ekonomitë e Afrikës. Kjo do të jetë njëra nga temat edhe javën e ardhshme në konferencën për Afrikën në Berlin.

Kancelarja ka thënë se është e vendosur që ta bëjë pikërëndesë në presidencën aktuale të Gjermanisë të G20-ës inkurajimin e investimeve private në Afrikë.

Këtë javë, ministri Müller e përsëriti këtë mesazh, duke kërkuar që bizneset gjermane të bëjnë më shumë për t’u angazhuar. “Afrika është kontinent i rritjes i së ardhmes”, tha ai në një intervistë me të përjavshmen gjermane Die Zeit. “Në dhjetë vitet e ardhshme në Afrikë dhe në Evropë do të ndërtohet aq sa në njëqind vitet e fundit. Për inxhinjerët gjermanë, ndërtimin dhe kompanitë e energjisë kjo do të krijojë shanse të mëdha”.

Politikanë të opozitës nuk u bindën nga deklarata për ndryshimin e paradigmës në ndihmën gjermane për zhvillimin. Zëdhënësi për zhvillimin i partisë së të Gjelbërve i vlerësoi të gjitha synimet që shprehu ministri Müller, por i quajti fjalë të bukura dhe nuk beson që do të zbatohen. Një nga instrumentat më efektivë për të forcuar qeverisjen e mirë, tha ai, nuk do të ishte reduktimi i ndihmës, por financimi direkt i buxheteve shtetërore. (dw)

Studiuesit zbulojnë mikroplastikë në 100 për qind të njerëzve të marrë në studim

plastikaPlastic bottles and other plastics, including a mop, lie washed up on the bank of the River Thames in London, Britian, Feb. 5, 2018.

Në studimin e parë të këtij lloji, studiuesit austriakë kanë ndjekur lëvizjen e mikroplastikës në sistemin e qenieve njerëzore. Rezultatet tregojnë se plastika që është një element i gjithëpranishëm në jetën tonë, është tani gjithashtu një element konstant në trupin e njeriut.

Hulumtimi u prezantua në këtë javë në Vjenë të Austrisë, në takimin më të madh gastroenterologjik në Evropë, UEG Week.

Në gjurmët e plastikës

Dy studiues austriakë, Dr. Philipp Schwabl me Universitetin Mjekësor të Vjenës dhe Dr. Bettina Liebmann me Agjencinë e Mjedisit në Austri studiuan pjesëmarrës nga vende të ndryshme, përfshirë Finlandën, Italinë, Japoninë, Holandën, Poloninë, Rusinë, Britaninë dhe Austrinë.

Mikroplastikat janë grimca plastike me një madhësi më pak se 5 mm. Ato janë shpesh rruaza të vogla plastike që gjenden në shumë prodhime kozmetike. Disa vende, përfshi Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Korenë e Jugut, kanë ndaluar produktet me këta përbërës. Por mikroplastika krijohet gjithashtu kur copa të mëdha të plastikës shpërbëhen me kalimin e kohës. Plastika në përgjithësi është kudo. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 8 milion metra tonë plastike përfundon çdo vit në oqeanet e botës. Forumi Ekonomik Botëror vlerësoi se amerikanët hodhën mbi 33 milionë metra tonë plastikë në vitin 2014.

microplastik

Por ky studim i vogël, sugjeron se plastika, qoftë e keqe apo jo për shëndetin tonë, është tashmë e pranishme tek të gjithë ne.

Pjesëmarrësve në studim iu kërkua të mbanin një ditar ushqimor për shtatë ditë para se të merrnin pjesë në studim. Më pas ata dorëzuan mostra të jashtëqitjes tek studiuesit të cilët i analizuan për përmbajtjen e mikroplastikës.

Çdo mostër testoi positive duke provuar prezencën e mikroplastikës. Hulumtuesit identifikuan deri në nëntë lloje të ndryshme plastike.

ResultsSi hyn plastika në sistemin tonë? Në rastet e këtij studimi, plastika që u gjet tek njerëzit është e lidhur me ngrënien e ushqimeve të mbështjella me plastikë apo pirja e lëngjeve nga shishet plastike. Por shumica e pjesëmarrësve gjithashtu kishin ngrënë peshk në dietën e tyre, kështu që Dr.Schwabl thotë se tani, “nuk mund të arrihet në një përfundim të saktë mbi origjinën e plastikës” në sistemin tonë. Nevojiten më shumë studime në të ardhshmen për ta përcaktuar saktësisht sesi hyn plastika në systemin tonë.

Si ndikon plastika në sistemin tonë?

A na bën keq prania e gjithë kësaj plastike në trup? Dr. Schwabl thotë se, tani për tani, nuk ka studime përfundimtare që sugjerojnë se plastika përbën rrezik për njerëzit. Por, ai thotë se “studimet e kafshëve kanë treguar se mikroplastika mund të shkaktojë dëmtim të zorrëve, pakësimin e aftësisë së absorbimit të hekurit dhe stresit hepatik”.

Shqetësimi është se”çfarë do të thotë kjo për ne, dhe sidomos për pacientët me sëmundje gastrointestinale”, thotë Dr. Schwabl. “Ndërsa përqendrimet më të larta të plastikës në studimet me kafshët janë gjetur në zorrë, grimcat më të vogla mikroplastike janë të afta të hyjnë në qarkullimin e gjakut, sistemin limfatik dhe madje mund të arrijnë deri në mëlçi”. Dr. Schwabl thotë se është i befasuar, që plastika duket të jetë e pranishme tek të gjithë ne dhe pret që sasia e mbledhur në trupin tonë të vazhdojë të rritet, nëse bota nuk ndryshon në mënyrë drastike përdorimin e plastikës. (voa)

Facebook-u me program të ri kundër imazheve lakuriq të fëmijëve

kunder imazheve lakuriq te femijeveFacebook njoftoi të mërkurën se ka vënë në përdorim një program të ri, që sinjalizon për imazhe lakuriq të fëmijëve. Programi e kishin ndihmuar kompaninë të hiqte 8.7 milionë fotografi të tilla, gjatë tre muajve të fundit.

Facebook-u tha se programi është vënë në përdorim gjatë vitit të kaluar dhe përmirëson identifikimin e përmbajtjeve të papërshtatshme, ndërsa analizon një numër masiv fotosh në rrjetet sociale.

Kompania njoftoi se po i forcon masat e kontrollit për të mbështetur politikën e saj të ndalimin të fotografive të të miturve me përmbatje seksuale. Programi po ndihmon në efikasitetin e ekipit të trajnuar për përmbajtjet problematike kundrejt miliarda postimeve që bëjnë përdoruesit e Facebook-ut çdo ditë.

Facebook-u njoftoi gjithashtu se ka nisur të përdorë dhe një program që identifikon përdorimin e rrjetit social për të krijuar shoqëri me të mitur me qëllim shfrytëzim seksual të tyre.

Gjigandi i medias sociale tha se do të zbatojë të njëjtën teknologji dhe në Instagram. (voa)

Sot ne diten e bekueme kur ka le AT GJERGJ FISHTA.

gjergj-fishtaU nderofte perjete, sa te jete toka, jeta, kombi shqiptar e gjuha shqipe.

GJUHA SHQYPE

Porsi kanga e zogut t´veres,
Qi vallzon n´blerim të Prillit;
Porsi i ambli flladi i erës,
Qi lmon gjit e drandofillit:
Porsi vala e bregut t´detit,
Porsi gjama e rrfesë zhgjetare,
Porsi ushtima e njij termetit,
Njashtu a´ gjuha e jonë shqyptare,
Ah! Po; a´e ambel fjala e saj,
Porsi gjumi m´nji kerthi,
Porsi drita plot uzdajë,
Porsi gazi i pamashtri;
Edhe ndihet tue kumbue,
Porsi fleta e Kerubimit,
Ka, i bjen qiellvet tue flutrue
N´t´zjarta valle t´ameshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqiptari,
Qi ketë gjuhë të Perendisë,
Trashigim, s´ia len ai fmis ;
Edhe atij i u thaftë, po , goja,
Qi e përbuzë ketë gjuhë hyjnore ;
Qi n´gjuhë t´huej, kur s´ashtë nevoja,
Flet e t´veten len mbas dore.
Në gjuhë shqype nana t´ona
Shi prej djepit na kanë thanun,
Se asht nji Zot, qi do t´a dona ;
Njatë, qi jeten na ka dhanun ;
Edhe shqyp na thanë se Zoti
Për Shqyptarë Shqypninë e fali,
Se sa t´enden stina e motit,
Do t´a gzojnë k’ta djalë mbas djali.
Shqyp na vetë, po pik´ma para,
N´agim t´jetës kur kemi shkue
Tue ndjekë flutra nëpër ara,
Shqyp ma s´pari kemi k’ndue:
Kemi k’ndue, po armët besnike,
Qi flakue kanë n´dorë t´Shqyptarvet,
Kah kanë dekë për besë jetike,
Kah kanë dekë k’ta për dhe t´t´Parvet.
Në ketë gjuhë edhe njai Leka,
Qi ´i rruzullin mbretninë s´i a xuni,
Në këtë gjuhë edhe Kastriota
U pat folë njatyne ushtrive,
Qi sa t´ndrisë e diellit rrota,
Kanë me kenë ndera e trimave.
Pra, Shqyptarë, çdo fis qi t’jini,
Gegë e Toskë, malci e qyteta,
Gjuhën t´uej kurr mos ta lini,
Mos t´a lini sa t´jetë jeta,
Por për të gjithmonë punoni,
Pse, sa t´mbani gjuhën t´uej,
Fisi i juej, vendi e zakoni
Kanë me u mbajtë larg kambet s´huej.
N’për gjuhë shqype bota mbarë.
Ka me u njohtë se ç´fis ju kini,
Ka me u njohtë ju për Shqyptarë:
Trima n´za sikurse jini.
Prandej, pra, n’ e doni fisin,
Mali, bregu edhe Malcija
Prej njaj goje sod t´brohrisin :
Me gjuhë t´veten rrnoftë Shqypnija !
-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-

METAMORPHOZIS

Qe besa, or burra,
Nuk dij kah t’çajë,
Mbasi do t’thirret
Sod derri dajë…

Me anmiq t’Shqypnís
Un pa u frigue
Mjaft jam, i mjeri,
Kacagjelue.

Pse kam pasë thânun
Deri sivjet:
Lum aj q* shkrihet
Per atdhe t’vet;

Edhe kam pritun,
Mbas ktij mendimi,
Trimnisht per atme
Çfarë do ndeshkimi.

Por tash, t’a dini
T’tânë rreth e çark,
Se mue m’ka hi
Sod lepri n’bark.

M’âsht bâ shtupë zêmra,
E m’la trimnija,
Si jam tue njoftun
Se ç’m’qet Shqypnija…

Po, po; kujdesi
Për Gegë e Toskë
Mue sod m’ka hjedhun
Si hút n’ketë prroskë,

Kû, ndêjë harû
Si dac n’govigj,
M’janë bâ, qe besa,
Kërçikët si vigj,

E shtati tjeter
Porsi degë pishe,
Thue se kam hanger
Haram gjâ kishe.

Si me pasë lé
M’ndo’i knetë n’Zejmên,
A me pasë ndêjun
Tue tredhun qen.

Ehu! t’kishe shkue
Pak mâ kadalë,
S’kisht’ kênë nevoja
Me tjerrë ktû fjalë;

Përsè ishe màjun,
Si mâjet njala,
E punue m’kishte
Kuleta e fjala;

Porsi njatyne,
që ndêjë n’Shqypní,
Kujtojn se gjinden
Shi n’Australi;

E per dhé t’t’Parvet
S’u bjen nder mend
Me sa per kpurdha
që bijn n’dervend.

Ata, eh t’paça!
Kanë spaten n’mjaltë,
E si balona,
Per ditë mâ t’naltë:

Per ditë t’u mâjun,
Si mâjet njala,
U punon m’shekull
Kuleta e fjala.

As per punë t’ême
S’kanë t’lodhët, hae i keq,
Me sá druen halen
Se i therë n’perpeq.

E pse, pra, t’rrekem
Pa i bâ gjâ kujë?
Persè t’a mbajë
Un shatin n’ujë?

A thue dishroni
Prej ktyne s’ligash
Gjithmonë me m’pamun
Si t’pimun shtrigash?

Ehu jo, bre burra,
S’kam lé per s’teprit!…
Mâ mirë u rrnueka
Me zêmer t’leprit…

Kam dá, t’a dini,
Me vjetë t’sivjetit
Me u shporrë Shqypnijet,
Me kênë i vetit.

E dij se kini
Ju t’gjith me m’shá,
E se me m’thirrun
Mâ s’kini vllá;

Por n’dashtë; le t’thohet
Se dredhoi Leka,
Veç kurr mos t’thohet
Se ka mbetë Leka.

T’a dijë Shqypnija
Prá, e sheklli mbarë,
Se mâ mbas sodit
Un s’jam Shqyptár,

A ndiet, Zotni,
që rrini m’shkam?
Un mâ me sodjet
Shqyptár nuk jam.

M’thirrni si t’doni
U tham: Urdhno!
Zulù m’a njitni…
Shqyptár, por, jo.

Per mue Shqypnija
Kufij mâ s’ká,
Nuk kam kund atme
As fis, as vllá,

Fis kam mâ t’fortin
E vllá bujarin,
Per atme barkun,
Per erz kam arin.

Prandej, mbas sodit,
Kur t’m’leverdisin
Un kam me shndrrue
Sá herë t’due fisin.

Kshtû, kam me rá
Un n’mbramet Grek,
Kam me ndjehë n’nesret
Shkjá ja Zejbek.

Dér sod kjeç dhanun
Per gjuhë shqyptare:
Por shka, me sodjet,
Per mue dalët fare.

Per mue janë baras
Si bukë si pane,
Por due q* gjindja
Pa tê t’mos m’lâne.

Persè veç shqypja
Do folë n’Shqypní,
(Si duen me thânun
Nji palë zotní),

Kur me ‘i gut’n Morgen!
A kali imera!
Me ‘i dobra vecer!
A buona sera!

Mue punët të tana
M’hecin për fille,
E dér morrizi
M’qet drandofille?…

Luftët e Kastriotit
E t’Dukagjinit
Un kam me i mbajtun
Per dokrra hînit.

Sot per mue Leka
E Skanderbegu
Janë Palok Cuca
E Jaho Begu.

Mâ s’kam me i qitun
Zavall un krés
Per krena t’vendit
As per t’parë t’fés;

Kushdo per mue
Le t’jét i pár:
T’jetë dreq me bryna,
Por jo Shqyptár.

Pse krejt sod jeten
Un ndrrue e kam,
Kam lé per s’dytit:
Shqyptár mâ s’jam.

E prej se s’dytit
Kam lé sivjèt:
Kurdo t’pagzohem
A t’m’bâjn synèt,

Un due t’m’a njesin
Pantaleone
Pse mbarë bjen fjala
Me napolione.

Pantaleone,
O ‘i tjeter êmen
që t’dáj se mashkull
Nuk jam, as fêmen:

Taman si duhet
Shqyptari t’jét,
që don me pasun
Kuleten xét.

Tash bjer kavallit,
O barku i êm,
Porsi bylbyli
që kndon mbi gêm!

Persè me sodjet
Nji jetë e ré
Do t’xâje filli
N’Shqypní per né.

Per né xén filli,
Po, koha arit,
Sod që i rám mohit
Rodit t’Shqyptarit.

O i lum ti i lumi,
Si padishà
Tash ké m’u lkundun
Mbi ndo’i sofá.

Per né mbas sodit
Per çdo punë t’liga
Nuk do t’na marre
Mbi shekull friga.

Kemi per t’kênun
Si hy mbi tokë,
Kem’ per t’zotnue
Pa dhimbë mbi shokë,

Kemi me shkelun
Mbi rrashtë t’Shqyptarvet,
Tue lànë mbas krahit
Burrnín e t’Parvet.

Tjerët kanë m’u ushqye
Me lakna t’veja.
Me shllinë (n’i paçin,
Medjè, dhênt plleja),

Ti ké me rrue
Bibâj e pata,
E makerona
Edhe sallata.

Tjerët kanë me shkimun
Edjen me hirrë;
Ti, veç a mundesh
Shampanjë e birrë.

Pa lodhë na menden
Per dhé e gjuhë t’t’Parit,
Kem per t’kênë çmue
Prej zogjsh s’Shqyptarit.

S’ka per t’ngranë palla
Pse t’digjet ara
Ase mos t’gjindet
Kund rrushit fara.

Kúr per tý greza
Bâjn malit bungat
E mjaltë per tý
Kullojnë dér cungat.

Ehu! dy germaza
Sod kjeçë tue dashtë
E ‘i plandc lastiket
Krejt mbrendë e jashtë:

Kjé at-herë tu’ u zgjâ
Ti sá koteci,
E tu’ u kuqë hunda
Mue m’kje si speci.

Oh! Kúr t’xâsh filli
Me vû ti strehë,
Sa t’u ngjatjetat
Ké per t’i njehë!

E ka me u gjetun
Ndo’i farë Orfeut
që lavdet t’ua
T’i a kndojë dheut.

E ti, tue qeshun
Kangë e kangtár,
Tash mban perkthesen:
Nuk jam Shqyptár

Mandej, kúr plakun
E lodhë prej vjamit,
Ké m’u dá shekllit,
(Per sherr t’Adamit),

Njata që zhaben
N’ketë jetë t’a rrasen
Kshtû kanë me t’shkrue
Mbi vorr ty rrasen:

“Ktû njaj fatbardhi
Âsht tue pushue
Per Fé e per Atme
që pat jetue.”

A thue se âsht vorri
Bash i Spartanvet
që n’Thermopila
Bânë báll Persjanvet…

Prá, bjer kavallit,
O barku i êm,
Porsi bylbyli
që kndon mbi gêm!

LDSHM – LETËR E HAPUR ZV. SEKRETARIT TË SHTETIT Z. WESS MITCHELL

LDSHM WessI nderuari ndihmës sekretar i shtetit z. Wess Mitchell

Përmes kësaj letre, ne diaspora shqiptare në SHBA dhe Evropa, duam t’ju përcjellim Ju dhe administratës tuaj shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë për pozitën kushtetuese të shqiptarëve në IRJM në përgjithësi, dhe në veçanti lidhur me zhvillimet e fundit me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për emrin e IRJM në mes të dy qeverive, asaj Greke dhe te IRJM.
Të zhgënjyer, konstatojmë se në veprimet e justifikuara që po ndërmerr bashkësia ndërkombëtare, përfshirë këtu dhe administratën e SHBA, për të ruajtur stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur IRJM nga ndikimi rus, në mënyrë të pajustifikuar po anashkalohen dhe po flijohen interesat e shqiptarëve, miqve dhe aleatëve të padiskutueshëm dhe tradicional të SHBA në Gadishullin Ilirik.

I nderuari z. Mitchell, ne shqiptarët nuk përkrahim marrëveshjen për emrin në mes të Greqisë dhe IRJM, sepse kjo marrëveshje duke njohur identitetin e përvetësuar maqedonas nga sllavët, i imponon ata si të vetmit shtetformues dhe bartës të sovranitetit duke përjashtuar shqiptarët autokton që përfaqësojnë së paku 30% të popullsisë.

Si njëra palë e bashkëqytetarëve tanë sllavë që nuk duan të heqin dorë nga identiteti i përvetësuar mbi 70 vite, ashtu edhe pala tjetër që pranojnë modifikimin duke shtuar atributet sllave, thiren në themelet e shtetit të ndërtuar në kurriz të shqiptarëve, me vendimet e partisë komuniste të Jugosllavisë, dhe ASNOM-it (Këshillit Antifashist Çlirimit Kombëtar të Maqedonisë). Ky shtet, i ndërtuar në mënyrë të tillë, shqiptarëve u solli dhe vazhdon t’ju sjelli vetëm vuajtje, dhunë, terror dhe eksod, të cilës tani më duhet t‘i jepet fund. Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të vazhdojë të zhgënjejë shqiptarët duke vazhduar me padrejtësitë ndaj tyre, që kanë rrënjët që në traktatin e Shën Stefanit më 1878 me, dhe vazhdojnë me vendimet e Kongresit të Berlinit, Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Konferencës së Paqes në Paris, vendimet e Jaltës më 1945, dhe tani më me përkrahjen e Marrëveshjes së Prespës, që trajton shqiptarët dhe territoret e tyre përsëri si plaçkë lufte që duhet ndarë midis grekëve dhe sllavëve, duke shpërfillur pakënaqësinë dhe vërejtjet e shqiptarëve për këtë marrëveshje.

Është brengosës fakti që, vazhdohen të merren vendime mbi të ardhmen e shtetit duke injoruar vullnetin e mirëfilltë të shqiptarëve, dhe duke abuzuar dhe manipuluar me votat e klasës politike shqiptare të kapur, të cilët votojnë nën kushte të padive të bëra publike nga ana e prokurorisë speciale publike e IRJM, siç janë rastet e fundit me funksionarë të lartë partiakë të BDI, parti në koalicion qeverisës me LSDM. Dhe akoma më shumë, e gjitha kjo ndodh në kushtet e një legjitimitetit të diskutueshëm të shtetit për shqiptarët, kur marrim parasysh faktin që shqiptarët bojkotuan referendumin për pavarësinë e IRJM, nuk votuan miratimin e kushtetutës së re më 1991 por në vend të kësaj votuan referendumin për “Autonomi politike dhe territoriale të shqiptarëve në Iliridë IRJM” më 1992, dhe nuk dolën në referendumin e fundit të organizuar nga qeveria e IRJM për të votuar marrëveshjen për emrin.

Bashkësia ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me përfaqësuesit shqiptarë në pushtet, të cilët shkelën ligjin bashkë me kolegët e tyre të VMRO që tanimë ballafaqohen me drejtësinë për t’u përgjigjur për shkeljet që kanë bërë, për shqiptarët jepen mesazhe te gabuara se rruga e tyre për integrime euroatlantike shkon nëpërmjet politikës dhe politikanëve të pandëshkuar të krimit që punojnë kundër interesave të shqiptarëve.

Bashkëjetesa nuk mund te ndërtohet mbi themelet e mashtrimit, imponimit dhe dhunës. Shpërbërja e Jugosllavisë është dëshmia më e qartë për këtë.

Ne konsiderojmë se mohimi i të drejtës së shqiptarëve për tu bashkuar në një shtet, si popull autokton që popullon në mënyrë homogjene territore të ndara me kufij absurdë shqiptaro-shqiptarë, është në kundërshtim me vlerat qytetëruese të SHBA dhe BE. Por, ne shqiptarët që jetojmë në IRJM jemi të gatshëm të bëjmë kompromisin duke pranuar të bashkëjetojmë me sllavët, por me kushtin e një shteti të ndërtuar sipas standardeve evropiane, dhe vetëm si të barabartë.

Deputetët shqiptarë nuk kanë legjitimitetin e popullit shqiptar për të votuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga qeveria aktuale, të pa kushtëzuara me ndryshime kushtetuese që do të pasqyronin të drejtën e shqiptarëve për statusin e shtet formuesit, si dhe rregullimin shtetëror në përputhje me këtë realitet dhe me standardet Evropiane për shtete bashkësi popujsh. Nisur nga kjo, kërkojmë nga ju mbështetjen tuaj për ato subjekte politike që votën e tyre në parlament pro ndryshimeve kushtetuese, do ta kushtëzojnë me avancimin e pozitës kushtetuese të shqiptarëve.

Me respekt

Lidhja e diasporës Shqiptare për Maqedoni
SHBA / Evropë
Çikago, 24.10.2018