Ekspertët: urbanizimi rrezikon krizën e strehimit

UrbanizimiBazuar në shifrat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më shumë se gjysma e popullsisë së botës jeton në qytete. Rreth mesit të këtij shekulli, 68 për qind e globit do të urbanizohet, duke e rritur popullsinë e qyteteve me 2 miliardë e gjysëm banorë. Kjo rritje pritet të shoqërohet me probleme përfshirë mungesën e strehimit dhe siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan, disa rajone urbane në rritje, kanë nisur tashmë të përballen me krizën e strehimit.

Nga Los Anxhelosi, ku më të varfërit i kanë nxjerrë me detyrim nga tregu i banesave…në Mumbain e mbushur me rreth 20 milionë banorë, qytetet po përjetojnë vështirësi me strehimin.

Njerëzit po grumbullohen rreth qyteteve, qofshin qendra të vogla urbane, apo qytete të stërmëdha si Lagosi në Nigeri, me më shumë se 20 milionë banorë.

“Jo vetëm sepse aty ndodhen vendet më të paguara të punës, por për mundësitë e bashkëveprimit, përparimit, qasjes ndaj burimeve të ndryshme”, - thotë Kevin Klowden, i institutit “Milken”.

Disa shtete kanë shkuar deri aty sa kanë ndërtuar kryeqytete të reja, si masë për të zbutur mbipopullimin. Egjipti po ndërton një të tillë jashtë Kairos.

“Disa vende po i zhvendosin kryeqytetet. Ata janë përpjekur të ndërtojnë qytete të reja artificiale, kur i kanë paratë për investime, por kjo është një zgjidhje e përkohshme,”- thotë zoti Klowden.

Njerëzit preferojnë të jetojnë në qytete aktive, sikurse Tokio qyteti më i madh në botë, me një popullsi prej 35 milionë banorësh.

Kudo qytetet po përballen me një mjedis që ndryshon dhe sfidat që sjell ky proçes, siç është rritja e nivelit të detit dhe mungesa e ujit të pijshëm.

“Shpesh rritja e popullsisë i paraprin planeve për të siguruar hapësira të mjaftueshme për rritjen dhe në disa raste rregulloret për shfrytëzimin e tokës pasqyrojnë një epokë më të hershme”, - thotë Eric Heikkila, i universitetit të Kalifornisë Jugore.

Njerëzit në vendet në zhvillim përballen me sfida të tjera të mëdha. Ata mund të jenë zhvendosur nga konflikti dhe nuk kanë titull pronësie mbi tokën, apo nuk gjejnë dot huadhënës t’u financojë blerjen e një shtëpie.

“Pra gjëra që ne në Shtetet e Bashkuara nuk i vlerësojmë sa duhet, sikurse pronësia mbi shtëpinë, shpesh është diçka e parelizueshme për disa njerëz, sidomos për gratë dhe shtresat e margjinalizuara në disa vende. Ndaj politikat publike janë të rëndësishme”, thotë Tjada McKena, e grupit “Habitat for humanity international”.

Nismat private po e ndihmojnë çështjen e strehimit. Organizata e bamirësisë “Habitat for Humanity” rekruton vullnetarë për ndërtimin e shtëpive.

“Edhe jashtë Shteteve të Bashkuara ne po ndihmojmë me mikro-kredi, për përmirësimin e kushteve të strehimit. Këto hua i ndihmojnë njerëzit të rinovojnë banjat apo kuzhinat”.

Në trajtimin e problemeve urbane, çdo qytet është i ndryshëm.

“Kjo varet nga disa faktorë, si niveli i zhvillimit, nga pozicioni gjeografik, fuqia ekonomike, institucionet, pra çdo qytet ka historinë e tij.”- thotë Eric Heikkila, i Universitetit të Kalifronisë Jugore

…Ndaj dhe zgjidhja duhet të jenë të veçanta për çdo qytet.

voa

Johanes Hahn nuk e bind Prishtinën për heqjen e taksës

HahnKryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj thotë, se taksa për mallrat e Serbisë hiqet kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë Vuçiq thotë, se nuk dialogon me Prishtinën, pa e hequr taksën ndaj produkteve serbe.

Komisionari i BE-së për zgjerimin Johanes Hahn, u përcolli udhëheqësve politik kosovar mesazhin që Bashkimi Evropian synon që rajoni i Ballkanit të jetë një treg pa tarifa doganore dhe në këtë mënyrë të përgatitet si rajon që një ditë të jetë pjesë e BE-së. Ai tha se në emër të BE-së u ka ofruar Prishtinës dhe Beogradit gatishmërinë e BE-së që ta lehtësojë një dialog për të gjitha çështjet përfshirë edhe atë rreth mospajtimeve për taksën doganore të vendosur nga qeveria e Kosovës për importet e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Komisionari i BE-së, Johanes Hahn, erdhi në Prishtinë pas tensionimit të raporteve Kosovë-Serbi, për shkak që qeveria e Kosovës vendosi taksa për mallrat serbe, pas një fushate të Serbisë kundër Kosovës. Johanes Hahn takoi në Prishtinë (03.12) udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, pas vizitës që bëri në Beograd, ku takoi Presidentin Serbisë.

Komisioneri Hahn, në një konferencë për medie tha se BE-ja është duke punuar për integrimin e rajonit të Ballkanit dhe për këtë arsye tha ai “BE, synon një treg rajonal pa tarifa doganore”.

“Në të gjithë kemi qenë të zhgënjyer në BE kur Kosova vuri taksa për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Kjo është diçka, që nuk duhet të jetë në fuqi. Ne në BE po ashtu jemi në dijeni për vështirësitë aktuale që ka Kosova për tregti të lirë në rajon. Ne duhet të përpiqemi së bashku që t’i zgjidhim këto probleme dhe këtë mund ta bëjmë në një forum të përbashkët. Këtë ide e dhashë në Prishtinë dhe në Beograd dhe shpresoj që kjo të organizohet shpejtë”, tha Johanes Hahn.

Komisioneri Hahn, në Prishtinë foli edhe për dëshpërimin e qytetarëve të Kosovës për mos-liberalizimin e vizave, duke thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, por është këshilli i BE-së ai që e jep vendimin përfundimtar dhe kjo sipas tij merr kohë.

“E kuptoj padurimin e qytetarëve sa i përket liberalizimit të vizave dhe nganjëherë për shumë çështje edhe unë jam i paduruar. Por, një gjë duhet ta dini, një pjesë e vendimmarrjes në BE ka procedura dhe nëse i shihni thinjat e mia në kokë, janë pikërisht për shkak të proceduravve të shumta në BE. Ukrainës dhe Gjeorgjisë i është dashur një vit e gjysmë, derisa Komisioni Evropian të kryej të gjitha procedurat. Pra, procedurat kërkojnë kohë derisa të merret pëlqimi i vendeve anëtare të BE-së”, tha Johanes Hahn, i cili tha se viti 2020 është një kohë shumë realiste për liberalizimin e vizave, por sipas tij kjo mund të ndodhë edhe më shpejtë.

Por këto qëndrime të komisionerit Johanes Hahn, nuk i pëlqyen fare kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai vazhdon të jetë i vendosur që taksa për mallrat serbe do të jetë në fuqi, ndërsa mosliberalizimin e vizave e cilëson padrejtësi nga BE-ja.

“Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të diskriminuar për sa i përket lëvizjes së lirë në vendet e Bashkimit Evropian. Gjatë takimit me Komisionarin Johannes Hahn, argumentuam përmbushjen e të gjitha kritereve të vëna nga BE-ja për liberalizimin e vizave. Po ashtu, zyrtarit të lartë të BE-së iu prezantuan të gjitha faktet relevante që dëshmojnë se Serbia dhe Bosnje e Hercegovinën në vazhdimësi kanë vepruar kundër frymës së bashkëpunimit rajonal, duke mos përmbushur asnjë nga marrëveshjet e arritura me Kosovën. Tarifat prej 100% për mallrat e këtyre dy shteteve janë në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe sigurisë nacionale të vendit dhe në përputhje me CEFTA-n. Kosova nuk do të ndalet në ecjen përpara drejt integrimeve euroatlantike, me gjithë padrejtësitë e shumta dhe nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga vendimet e saj sovrane, përfshi taksën, deri në njohjen nga Serbia”, shkroi në profilin e tij social kryeministri Ramush Haradinaj.

Para se të vijë në Kosovë, komisionari Johanes Hahn, ishte në Beograd, ku takoi Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq. Takimi ishte me dyer të mbyllura, ndërsa, një komunikatë për medie nga zyra e Vuçiq, thuhet se ky i fundit i ka shprehur komisionarit Hahn qëndrimin, se “Serbia është e gatshme të bisedojë me Kosovën në dialogun për normalizim, pasi Prishtina ta heqë taksën për mallrat serbe”.

Vuçiqi e ka tërhequr vërejtjen për pasojat e mundshme nga rritja e taksës ndaj prodhimeve të Serbisë duke thënë kjo e shkel edhe marrëveshjen e CEFTA-s”, citojnë mediet në Serbi, Presidentin Vuçiq, duke shtuar se “Vuçiq ka thënë se kjo masë shpie drejt destabilizimit të plotë të rajonit dhe mund të shpie te përshkallëzimi i konfliktit”.

Ndërkohë, që nga dita e dielë (02.12) deputetët serbë nga lista Srpska, që janë pjesë e parlamentit të Kosovës, qëndruan të mbyllur në ambientet e kuvendit me kërkesën që ta takojnë komisionarin Hahn dhe t’i shpjegojnë atij shqetësimet lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës që ngriti taksën për 100 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Igor Simiq, njëri nga deputetët serb, tha se ata do ta informojnë komisionarin Hahn për “krizën humanitare, e cila po e kërcënon popullin serb”, për shkak të rritjes së taksës për produktet e Serbisë.

“Kërkesa e vetme e deputetëve të Listës Serbe është që të takohemi me Johannes Hahn që t’ia shpjegojmë atij shqetësimin e qytetarëve serbë në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila ka bllokuar prodhimet e Serbisë si për serbët ashtu edhe për shqiptarët. Kjo ngre tensione mes qytetarëve”, tha Igor Simiq, duke shtuar se në vendet e banuara me shumicë sebe, 95 për qind e mallrave vijnë nga Serbia.

Johanes Hahn takoi me dyer të mbyllura deputetët serb, nga ky takim nuk u dhanë detaje, por që deputetët serb pas takimit me komisionrin e BE-së u larguan nga ambientet e kuvendit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës me datën 21 nëntor e rriti taksën doganore për 100% për të gjitha produktet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës që importohen në Kosovë. Ky vendim po vazhdon të ndiqet me reagime të ashpra nga Serbia, por edhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, të cilat kërkuan nga qeveria e Kosovës që të heqë taksën ndaj importeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

dw

ARC ofron motoçikletën elektrike mbi 100 mijë dollarë

ARC Motorcikleta elektrikeKompania ARC me qendër në Britani bëri të njohur në Milano modelin e parë të një motorçiklete që është përshkruar si e shpejtë, e avancuar dhe e kushtueshme. E quajtur Vector, motoçikleta kushton më shumë se 100 mijë dollarë, ndërsa kompania arsyeton çmimin e lartë.

Prodhuesit e motoçikletës së kushtueshme elektrike thonë se është teknologjikisht më e avancuara në treg. Themeluesi i kompanisë ARC Mark Truman spjegon arsyen.

“Është më e sigurta, më miqësorja me mjedisin, më e qëndrueshmja. Ka ritmin e një super-motoçiklete.”

E ndërtuar me dorë në qytetin Koventry të Anglisë (Conventry) ku gjendet selia e kompanisë, motoçikleta me pamje futuriste ka një strukturë të lehtë të ndërtuar me përbërës karboni.

Jordan Gibbon është redaktor i revistës britanike “Motorcycle News”.

“Është shumë e lehtë, rreth 220 kilogramë. Është mjaft e fuqishme. Po ta ngasësh për qef bën mbi 300 kilometra me një karikim që zgjat 45 minuta. Pra ka thyer rekord për automjetet elektrike.”

Kompania ARC është mbështetur financiarisht nga gjigandi Jaguar Land Rover.

“Kemi patur investime të mira nga kompani si Jaguar Land Rover që do të na sherbejë për një plan disa vjeçar për të çuar përpara ARC gjatë viteve në vazhdim”, thotë themeluesi i kompanisë Mark Truman.

Teknologjia e fundit me sensorë dhe kontrollues është e montuar në xhaketën inteligjente të drejtuesit të motoçikletës e cila e informon atë për kushte të rrezikshme dhe të dhëna të tjera. Sebastian Peck është me Fondin e Investimeve Kapitale Jaguar Land Rover.

“Më pëlqen koncepti me kostumin inteligjent që komunikon me drejtuesin. Shijon një eufori që bën të ngrihen flokët përpjetë kur e nget këtë motoçikletë.”

Helmeta ka tre aranzhime, mes tyre edhe “Butonin Euforik” me të cilën drejtuesi mund të luajë muzikë përmes xhaketës inteligjente e cila mundëson edhe pamjen pas falë kameras. Kompania ka në plan të prodhojë 400 motoçikleta në vitin e parë të daljes në treg.

voa

Tonifikim muskujsh pa ushtrime fizike

tonifikimiTonifikim muskujsh pa ushtrime fizike

Mjekët në Kaliforni po reklamojnë një procedurë të re që thonë se rrit masën muskulore dhe ul përqindjen e dhjamit në trup pa nevojën e ushtrimeve fizike. Procedura mbështetet në teknologji që stimulojnë nervat thellë në muskuj, përmes impulseve eletronike. Por dietologët paralajmërojnë se procedura nuk u shërben pacientëve me obesitet, apo probleme të mbipeshës së theksuar:

Për ata që duan një trup më të tonifikuar, qoftë muskuloz, apo eliminimin e dhjamit tek pjesa e barkut, kompania “BTL Aesthetics” ka prezantuar Emsculpt, një procedure të re, novatore.

Pajisja, që operon programe 30-minutëshe për të tonifikuar trupin duke vënë në shënjestër muskujt e këmbëve, barkut, apo vitheve, është miratuar për përdorim nga Administrata për Ushqimin dhe Ilaçet.

Dr. Michael J. Persky e përdor këtë pajisje në klinikën e tij në qytetin Encino:

“Ja si funksionon: një helikë emeton valë elektromanjetike me frekuencë të lartë që stimulojnë nervat thellë në muskul. Kjo është teknologjia e parë e miratuar nga qeveria federale që e realizon këtë, pra që stimulon muskujt që nuk stimulohen gjatë ushtrimeve të rregullta fizike,” thotë Dr. Michael Persky.

Pajisjet për stimulimin elektrik të muskujve ka vite që janë në qarkullim, por kompania thotë se ka bërë shtatë studime në klinika të ndryshme në SHBA dhe se rezultatet që jep kjo procedurë janë të papara deri tani:

“Kur e filluan studimin, po përpiqeshin thjesht të arrinin formimin e muskujve, por kur bënë kontrollin me skaner dhe MRI zbuluan se jo vetëm ishte shtuar masa muskulore me 16% brenda 1-3 muajsh, por ishte reduktuar 19% masa e dhjamit. Pra kishte një përfitim shtesë,” thotë Dr. Persky.

Kompania thotë se fusha elektromanjetike i detyron muskujt të kontraktohen dhe rezulton në reduktim të masës së dhjamit, njësoj sikur personi të ketë bërë ushtrime fizike. Klientja e Dr Perskyt, Marci Freed shprehet e kënaqur:

“Nuk shkakton dhimbje, nuk ka intensitet. Ngjan me masazhin e muskujve; ka vibracione. Kur fillon duhet të mësohesh pak, por nga fundi është një ndjesi e këndshme,” thotë klientja Marci Freed.

Klientët që kanë përdorur pajisjen në klinikën e Dr. Perskyt nuk janë individë pasivë. Shumë prej tyre frekuentojnë rregullisht palestrat. Një përfaqësues i kompanisë thotë se shpikja e tyre u shërben si personave që nuk bëjnë ushtrime fizike, ashtu edhe atyre që janë aktivë:

“Pacientët na thonë se po përjetojnë diçka që nuk e kanë hasur kurrë më parë. Rezulatet janë dramatike, sidomos pas katër orë trajtimi; ata ndejnë tonifikim të muskujve; në pjesën e barkut kanë vërejtur ulje të masës dhjamore. Kjo procedurë është ideale edhe për pacientët që shkojnë çdo ditë në palestër dhe punojnë fort për shëndetin fizik. Me këtë procedurë ata arrijnë edhe më shumë,” thotë nënpresidenti për shitjet në kompaninë “BLT Aesthetics”.

Kompania “BTL Aesthetics” paralajmëron se Emsculpt nuk është për këdo. Personat që kanë implante metalike në kokë, apo valvola metalike në trup, si dhe pacemakers ose stimulantë elektronikë nuk mund ta përdorin Emsculptin pasi rryma elektrike e procedurës për tonifikim muskujsh do të ndërhynte me funksionimin normal të pajisjeve që ata kanë në trup.

Dr. Adrienne Youdim, drejtoreshë e Qendrës për Humbjen në Peshë dhe Dietën në Beverly Hills thotë se megjithëse procedura rezulton në humbje peshe, ajo nuk i ndihmon personat me probleme të theksuara të mbipeshës. Ajo shton se rënia në peshë nuk duhet të varet vetëm tek pajisja, por duhet të shoqërohet me një stil jetese të shëndetshëm, që mbështetet tek një dietë e rregullt dhe ushtrimet fizike.

voa