Lufta e parë kibernetike e botës

kibernetikKundër Putinit duhet ta marrësh vetë situatën në dorë. Kështu mendoi ndoshta ushtria amerikane kur kreu sulme kibernetike kundër shërbimit sekret rus. Por Putini do të kundërpërgjigjet, është i sigurtë Konstantin Eggert.

Sipas një raportimi të gazetës amerikane “Washington Post”, komandoja kibernetike e ushtrisë amerikane e krijuar pak më kohë më parë e bllokoi tërësisht në ditën e zgjedhjeve për kongresin amerikan hyrjen në internet të “Agjencisë për Studimet e Internetit” të Shën Peterburgut, e njohur edhe si “ushtria robotike” e Kremlinit. Kjo solli shqetësim dhe irritim tek funksionarët në Rusi. Sipas të dhënave të gazetës, kjo agjenci fshihet pas ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2016 dhe aktiviteteve të tjera në shtetet perëndimore. Me gjasë ajo financohet nga miliarderi Jevgeni Prigoshin, që thuhet se ka lidhje të afërta me Putinin. Ai dyshohet edhe si dora që paguan milicët rusë në Ukrainën Lindore, Siri dhe Afrikë.

Ekspertët e ushtrisë amerikane ia kanë dalë të kapin mailat dhe shkëmbimet e njoftimeve të punonjësve të njësive kibernetike të shërbimit sekret rus. Ushtria amerikane ka lënë lajme, që në sytë e rusëve nuk duhet të lenë asnjë dyshim: ata njihen dhe vëzhgohen.

Luftë josimetrike

Putini e ka parë perëndimin deri më tani si të dobët, por më shumë ka pritur një qëndrim defensiv. Gjithmonë ai ia ka dalë të jetë një hap më përpara, qoftë në luftën në Gjeorgji në vitin 2008, në vitin 2014 në Ukrainë, në vitin 2015 në Siri e atë 2016 në SHBA. Nëse raportimi i “Washington Post” është i saktë, Shtëpia e Bardhë nën Donald Trump ka vendosur të ndërrojë kahun e thikës dhe të kryejë kësaj here vetë një sulm. Kjo gjë sigurisht duhet ta ketë bërë Putinin të mendohet. Por mos prisni që ai të dorëzohet me kaq. Atij i vjen rrallë në mendje ideja e tërheqjes taktike, sepse me këtë do të tregonte dobësi. Putin e merr çdo gjë personalisht. Vëmendja, që do të sillte me vete një sulm i tillë nga Uashingtoni do të ishte poshtërim për të.

Megjithatë kjo nuk do të thotë, që ai do të urdhërojë menjëherë trupat e tij kibernetike të kundërsulmojnë. Kreu i Kremlinit preferon një luftë asimetrike. Ai nuk kundërgodet menjëherë dhe asnjëherë me të njëjtat armë. Por megjithëse Donald Trump ia ka zënë vendin Putinit si kampion bote i pakalkulueshmërisë, vetë Putini e sheh veten si mjeshtër të surprizave gjeopolitike.

Çfarë synon Vladimir Putin?

Një qëllim i Putinit mund të jenë zgjedhjet presidenciale në Ukrainë më 31 mars. Në vendin e aneksuar apo pushtuar pjesërisht nga Rusia, është edhe më e lehtë se në SHBA të shkaktosh kaos. Po ashtu aftësitë e Ukrainës për sigurinë në rrjet janë shumë më pak të zhvilluara se ato të Rusisë. Mund të priten lajme provokuese të rreme që kanë si objekt sektorin bankar apo qendrat e furnizimit.

Qëllim tjetër: Zgjedhjet e ardhshme europiane në maj. Edhe nëse partitë euroskeptike populiste do të bien pak në elektorat, Putin do të vazhdojë t’i mbështesë ato, po ashtu si edhe parti të majta besnike. Objektivi i tij: Një Parlament Europian që ndihmon në thellimin e hendeqeve brenda BE.

E të mos harrojmë Britaninë e Madhe: Në axhendën e Putinit me siguri mund të jetë edhe mbështetja e partisë laburiste të Jeremy Corbyn. Qëndrimet kritike të Corbyn kundrejt NATO-s apo gatishmëria për të dëgjuar argumentat e Moskës e bën atë një pasues të dëshiruar pas Theresa Mayt, pavarësisht si shkojnë punët me Brexit.

Putin mund edhe të testojë rezistencën e infrastrukturës së NATO-s në kahun lindor të saj në vendet balltike. Kushedi se për çfarë arsye, Moska beson, se aty është pika e dobët e NATO-s. Aty Putini e ka më të lehtë të tregojë muskujt.

Para, vrasje dhe lufta e ardhshme kibernetike

Qëllimi final do të jetë vetë SHBA. Kongresi me shumë gjasa do të vendosë për sanksione të reja kundër Rusisë. Në listë mund të jenë dy masa që duhet ta prekin Vladimir Putinin drejtpërdrejt. Fillimisht kongresi dëshiron që të gjitha ministritë e SHBA të bëjnë publike informacionet që kanë mbi shëndetin e Putinit. Përveç kësaj, kongresi pritet të kërkojë një hetim për vrasjen e kritikut të Kremlinit, Boris Nemcov nën drejtimin e SHBA. Nemcov u vra në shkurt 2015 shumë pranë Kremlinit. Autorët e dyshuar janë kapur dhe dënuar. Por se kush qëndron pas vrasjes dhe kush e dha porosinë për të mbetet e paqartë. Policia e kontrolluar nga Kremlini dhe drejtësia i kanë penguar hetimet deri më tani. Shanset që këtë ta zbulojë FBI-ja dhe CIA janë të vogla. Por thjesht përmendja e vrasjes gati barazohet me fajësimin e Putinit- Në të dyja rastet, Putini nuk ka rrugë tjetër, veçse të reagojë.

Një objektiv tjetër mund të jenë edhe zgjedhjet paraprake presidenciale në SHBA. Pritet që Rusia të ndërhyjë edhe në këto zgjedhje paraprake vitin e ardhshëm. Lufta e parë kibernetike e botës sapo ka filluar.

dw

Tërmet për Trumpin? Raporti i hetuesit të posaçëm është gati

trumpSipas njoftimeve në media, hetuesi i posaçëm, Robert Mueller e ka gati raportin për përzierjen ruse në zgjedhjet presidenciale 2016. Cilat mund të jenë pasojat për Donald Trump?

Që në fillim duhet thënë se prej muajsh qarkullojnë spekulimet, se hetuesi i posaçëm amerikan, Robert Mueller është gati duket e përfunduar raportin e tij hetimor për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Por kësaj radhe politika e Uashingtonit është në tërësi e mendimit, se raporti është gati dhe do t’i paraqitet në mars Ministrisë së Drejtësisë. Me këtë lidhet shpresa, se më në fund do të merren përgjigjet e pritura për çështjen kryesore të debatuar në vend – a ka luajtur apo jo një rol aktiv kandidati i atëhershëm për president, Donald Trump dhe shtabi i tij zgjedhor në përzierjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016?

Së pari duhet theksuar, se Robert Mueller nuk do ta bëjë publik raportin e tij. Marrësi i raportit është ministri i Drejtësisë, William Barr. Ai do të vendosë, se çfarë do të bëhet me këtë raport. Sigurisht ai do të këshillohet për këtë me Shtëpinë e Bardhë dhe këshilltarët juridikë të presidentit. William Barr duhet të informojë kongresin për rezultatet e raportit, dhe do të vendosë, se çfarë do të bëhet publike.

Demokratët të shqetësuar

Thënë ndryshe: Barr vendos, se çfarë do të bëhet me këtë raport. Kjo është një nga arsyet, se pse emërimi i tij ishte kaq i kontestuar në kongresin amerikan. Shumë demokratë janë të shqetësuar, se Barr ishte shprehur më parë kritik ndaj hetimeve të Muellerit. Tani ata i tremben pasojës tjetër, që Barr do të përpiqet të çaktivizojë nga ana ligjore raportin sa të jetë e mundur. Prandaj ata kërkojnë që raporti të publikohet mundësisht plotësisht, vetëm ato që konsiderohen informacione sekrete mund të lihen pa u publikuar. Ata kanë marrë masa, që të ftojnë funksionarë, apo të kërkojnë nxjerrjen e dokumenteve, nëse besojnë, se Barr fsheh informacione.

Ish-avokatja, Barbara McQuade shpreson, që të mos vijë puna deri tek përplasja mes Ministrisë së Drejtësisë dhe kongresit. „Do të thoja, se raporti do të publikohet në një formë, që i jep përgjigje pyetjeve kryesore: Si erdhi deri aty që Rusia të përzihej në zgjedhjet tona, dhe çfarë roli ka luajtur shtabi zgjedhor i Trumpit këtu?” Opinioni duhet të dijë përgjigje të tilla, si Rober Mueller edhe Ëilliam Barr e dinë këtë, thotë McQuade.

Ndjesia për ligjin

Parashikimi i proferoreshës së drejtësisë bazohet në qëndrimin se si Barr dhe Mueller ndjekin të njëjtat qëllime, mbrojtjen e ligjshmërisë dhe mbrojtjen e Ministrisë së Drejtësisë. Të dy republikanët e njohin njëri-tjetrin prej kohësh. „Mendoj, se nëse ata gjejnë shkelje të ligjit, të dy do të duan që të nxjerrin secilin para drejtësisë”, thotë McQuade. Por Andy Wright, ish-këshilltar i Barack Obamës dhe Al Gore është skeptik. „Nga njëra anë përfaqëson ai (William Barr, shën red.) Ministrinë e Drejtësisë si institucion, dhe detyra e tij është të mbrojë ministrinë nga një president, që me gjasë përpiqet me çdo çmim ta shndërrojë në policinë e tij”, thotë themeluesi i blogut „Just Security”.„Nga ana tjetër, ai ka thënë vërtet gjëra shqetësuese për hetimin e Muellerit, kur nuk i njihte të gjitha faktet. Sipas ish-këshilltarit të presidentit Obama, nuk mund të thuhet me saktësi se çfarë roli do të luajë Barr.

I zgjeruar apo i kufizuar tek më e domosdoshmja?

Po ashtu nuk dihet, se sa i detajuar do të jetë raporti i Muellerit. Ai mund të jetë i zgjeruar, por edhe i reduktuar në minimum. Nëse do të merrej parasysh qëndrimi i zëvendësministrit të Drejtësisë, Rod Rosenstein, ku detyra e ministrisë është të përqëndrohet, tek personat që vërtet do të akuzohen, atëherë raporti i Muellers do të përqëndrohet fort tek veprimet penalizuese. Një qëndrim i tillë i përgjigjet edhe rrjedhës së deritanishme të hetimit, të kufizuar tek ndërhyrja ruse. Pavarësisht, se çfarë shkeljesh do ta paraqiten, raporti mund të jetë zhgënjyes për ata që kanë pritur zbulime që shkojnë thellë.

Akuza përmes rrugëve anësore

Edhe sikur vetë Mueller të arrijë në konkulzionin, që Trump mund të akuzohet për një vepër penale, kjo nuk ka për të ndodhur. Ministria e Drejtësisë ka qëndrimin, se një president i mandatuar nuk mund të akuzohet. Nëse Mueller, e akuzon Trump për një vepër penale, për të cilin ai nuk nxirret para drejtësisë, sa kohë është në post, atëherë kongresi mund të thërrasë një plan tjetër për veprim, procedurën e largimit nga posti, kjo do të ishte pastaj një ndërmarrje politike, jo juridike.

Por ka edhe një arsye tjetër pse Trump nuk mund ta shohë si të përfunduar historinë. Edhe nëse raporti i Muellerit nuk e nxjerr atë fajtor, Mueller i kishte dorëzuar pjesë të hetimit tek institucione të tjera të drejtësisë si në Nju Jork, dhe ka një sërë hetimesh që zhvillohen paralelisht për aktivitetet e Donald Trump si president dhe njeri i biznesit. Edhe nëse do të kërkojë kohë, parashikon ish-këshilltari i presidentit Obama, Andy Wright, opinioni do të informohet për faktet e duhura. „Mendoj, se në fund të fundit do të dalë në dritë. Nuk e di vetëm se sa shpejt dhe me sa kontestime do të bëhet kjo.”

Amerikanët fillojnë të mësohen me idenë e ngrënies së insekteve

Princeton UniversityDisave mund t’u duket e neveritshme, por insektet e ngrënshme janë një burim i ushqyeshëm proteinash të cilësisë së lartë dhe mineralesh jetike si calciumi dhe hekuri. Të tilla janë vemiet e ngrënshme – larva insektesh – që ofrojnë dhe yndyrna të cilësisë së lartë, që janë të mira për zhvillimin e trurit. Insektet janë pjesë e dietës në shumë anë të botës, por jo në Shtetet e Bashkuara ku fobia për to bën një gatimet me insekte të jenë shumë të rralla. Megjithatë kjo ka filluar të ndryshojë. Shelley Schlender njofton për Zërin e Amerikës nga Kolorado.

Në një kontenier në një rrethinë në Denver të Kolorados, strehon mikro-fermën e maleve Rocky. Wendy McGill, sheh brenda enëve për gjetur gjallesat e fermës.

“Kjo mikrofermë është e para dhe e vetmja me inskete të ngrënshme . Ne rrisim bulkthe dhe krimba për t’ua shitur restoranteve dhe prodhuesve të artikujve ushqimorë”, thotë Wendy Lu McGill, Themeluese e Mikrofermës.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë thotë se nevojat e botës për proteinë nuk mund të plotësohen vetëm me mish viçi ose pule. Proteinat nga insektet janë një alternativë. McGill rrit afro 275 kilogramë insekte çdo muaj, duke i ushqyer dhe me pure birre dhe farëra dhe një karrotë për nevojat për lëngje.

“Dua të jap kontributin tim për të gjetur burime ushqimesh, ndërsa kemi gjithnjë e më pak tokë dhe ujë dhe një planet më të nxehtë dhe më shumë njerëz për të ushqyer”, thotë ajo.

Shumë vizitorë të Mikrofermës nuk kanë ngrënë kurrë insekte më parë dhe nuk u pëlqen t’i hanë.

“Nuk mendoj se është diçka tërheqëse për të ngrënë dhe nuk më tundon të ha një gjë të tillë të egër”, thotë Terry Koelling.

Por një tjetër vizitore i pëlqen.

“Unë jam Amy Franklin dhe kam krijuar një fermë jo-fitimprurëse që quhet Ferma për Jetimët. Ne rrisim insekte për ushqim sepse në vende të tjera ku punojmë, janë ushqim shumë i pëlqyeshëm”.

“Shumë nga jetimoret nuk kanë toka në pronësi. Nuk rrisin dot bimë dhe apo pula. Insektet janë burim proteine që ata mund t’i rrisin në një hapësirë shumë të vogël”, thotë ajo.

“Mund të hash insekte?”, pyet Amy Franklin dy fëmijë.

“Jo. Se nuk jemi mësuar, apo jo?”

“Mund të provoj një?”, pyet Andrew.

“Po, patjetër”, thotë Wendy.

“Është kërce dhe e shijshme”, thotë Andrew.

Linger, është një restorant në Denver ku insektet gatuhen në mënyrë të shijshme.

“Ne gatuajmë milingona të zeza me fara susami me bulkthe të përzierë me makarona”.

“Erëzat janë shumë të mira!”, thotë Terry Koelling.

“Bulkth. Ju bëftë mirë”.

“Sado të na pëlqejë mishi i viçit, asnjë shkencëtar nuk mund të thotë që rritja e bagëtive mund të vazhdojë përgjithmonë. Duhet të hamë më shumë insekte”, thotë Jeremy Kittelson, drejtor i kuzhinës në restorantin Linger.

Një skeptik ka ndryshuar mendje.

“Gatimet në Linger ishin shumë të mira. Madje sikur nuk ka mjaft bulkthe”.

Mbi dy miliardë njerëz në botë hanë insekte. Gradualisht, amerikanët po i shtohen atij numri.

voa