Pompeo në Berlin diskuton edhe për Serbinë e Kosovën

PompeoMinistri i Jashtëm i SHBA Mike Pompeo do të qëndrojë sot për një vizitë të parë në Berlin. Në qendër të bisedimeve me mikpritësit gjermanë do të jenë konfliktet aktuale në botë.

Ministri i Jashtëm i SHBA Mike Pompeo do të qëndrojë sot për një vizitë të parë në Berlin. Në qendër të bisedimeve me homologun e tij gjerman, Heiko Maas si dhe me Kancelaren gjermane Angela Merkel do të jenë një sërë krizash dhe konfliktesh në botë. Agjencitë e lajmeve veçojnë temën e konfliktit të Serbisë me Kosovën, si temë bashkëbisedimi me mikpritësit gjermanë, përveç konfliktit në Ukrainën Lindore, në Venezuelë dhe në Siri. Raporti me Kinën dhe Rusinë gjithashtu do të jetë në qendër të vëmendjes në bisedimet në Berlin.

Gjermania dhe Franca do të angazhohen në një takim të përbashkët të ri në 1 korrik në Paris për një rrugëdalje nga konflikti mes Kosovës e Serbisë dhe bllokimi i dialogut. Ato e kundërshtojnë së bashku idenë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, si ide që do të destabilizonte të gjithë rajonin.Tre deputetë të njohur të Bundestagut Gjerman, Peter Beyer (CDU), Josip Juratovic (SPD) dhe Manuel Sarrazin (Aleanca 90/Të Gjelbrit) shkruan javën e kaluar në gazetën konservatore gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung se i deziluzionuar për idenë e shkëmbimit të territoreve përgjatë vijave etnike mes Serbisë dhe Kosovës duket se tashmë është edhe këshilltari amerikan i sigurisë John Bolton, i cili ia ka prezantuar si të pranueshme Presidentit Trump idenë e shkëmbimit të territoreve.

Takimi i Pompeos me ministrin e Jashtëm gjerman Maas pritet të zgjasë deri në orën 17, kur është parashikuar një konferencë e përbashkët shtypi. Një deklaratë e përbashkët para medieve e ministrit të Jashtëm të SHBA Pompeo dhe Kancelares gjermane Angela Merkel është parashikuar për në orën 18.

dw

FMN: Të rishikohet projektligji për Korporatën e Investimeve

fmnNë Shqipëri, misioni i Fondit monetary Ndërkombëtar i kërkoi sot qevrisë të rishikojë projektligjin e propozuar prej saj për krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare, e cila synon krijimin e kushteve të favorshme për të rritur investimet në vend. Fondi u shpreh se projekti krijon risqe ndaj buxhetit dhe se Korporata duhet të jetë objekt i ligjit për “Prokurimin publik”. Fondi Monetar deklaroi sot se rritja ekonomike e Shqipërisë në 2019 pritet të ulet në 3.5 përqind, kryesisht për shkak të uljes së prodhimit të energjisë elektrike

Projektligji i miratuar nga Qeveria pak javë më parë për Korporatën e Investimeve u shoqërua shpejt me polemika. Ndonëse e konceptuar si një mundësi për të administruar më mirë investimet e mëdha përmes dhe mobilizimit të kapitalit privat, disa aspekte të funksionimit të Korporatës e cila do të veprojë si shoqëri tregtare me vete, ngjallën debate, që nga fakti se ajo mund të marrë në pronësi asetet publike, te mënyre e administrimit të tyre, apo mundësia që të marrë kredi si dhe të mos i nënshtrohet rregullave të Prokurimit publik.

Misioni i Fondit Monetar që vizitoi së fundmi Shqipërinë, shprehu sot rezerva ndaj këtij projektligji. “I këshillojmë fuqimisht autoritetet të rishikojnë propozimet e fundit për krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare, për të shmangur risqet ndaj buxhetit dhe ndaj integritetit të kuadrit të administrimit të investimeve publike. Ky projektligj do t’i jepte mundësi qeverisë të udhëzonte vendime individuale për investime, të cilat mund ta shndërronin Korporatën në një instrument shpenzues të mbajtur jashtë buxhetit, çka rrezikon ta ulë disiplinën fiskale dhe t’i anashkalojë proceset e administrimit të investimeve publike. Korpotrata duhet gjithashtu të jetë objekt i Ligjit “Për prokurimin publik”, deklaroi kreu i Misionit të FMN-së, Jan Kees Martijn.

Nga ana e saj ministrja e Financave Anila Denaj deklaroi se Qeveria është në një proces të ngushtë konsultimi me partnerët tanë ndërkombëtarë. “Objektivi kryesor mbetet administrimi me efiçiencë dhe rritja e vlerës së aseteve publike të papërdorura aktualisht, nëpërmjet një procesi me kontributorë partnerë serioz dhe investitorë të huaj. Nuk ka asnjë qëllim tjetërsimi pronash publike. Procesit të konsultimit do t’i jepet gjithë koha e nevojshme për të saktësuar çdo aspekt të këtij ligji”, u shpreh ministrja Denaj.

Ndërsa Qeveria ka parashikuar një rritje ekonomike ne 4.3 përqind për 2019, Fondi monetar vlerëson se rritja do të jetë më e ulët, në 3.5 përqind, si pasojë e situatës metereologjike të pafavorshme që ka sjellë nëj reduktim të prodhimit të energjisë elektrike, e cila ishte kontributorja kryesore në rritjen ekonomike vitin e kaluar.

Ministrja Denaj u shpreh megjithatë optimiste se ecuria e sektorëve të bujqësisë, ndërtimit dhe turizmit pritet të kompensojnë luhatjet në sektorin e energjisë, tha ajo. Nga ana e tij guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, u shpreh se rritja ekonomike mund të cënohet, përvec faktorëve të jashtëm dhe nga situata e brendshme politike, e karaterizuar me tensione të forta që prej muajit shkurt. “Banka e Shqipërisë po monitoron me vëmendje zhvillimet e huaja, duke synuar të identifikojë reagimin e duhur dhe ta ndërmarrë në kohë atë. Po ashtu, ne gjykojmë se çdo përpjekje në funksion të qetësimit të situatës politike do të kontribuonte në ruajtjen e trendit pozitiv të zhvillimeve ekonomike”, theksoi guvernatori Sejko.

Fondi Monetar këmbënguli në nevojën që autoritetet të ulin detyrimet e prapambetura, të përmirësojnë administrimin e borxhit si dhe të përdorin ndryshimet e fundit në ligjin për Partneritetin Pubik Privat “për t’i kufizuar risqet që lindin nga detyrimet e kushtëzuara të lidhura me to dhe për të siguruar administrim më të qëndrueshëm të investimeve publike”. Sipas Fondit Monetar, “propozimet e pakërkuara duhet të ndalohen për të gjitha llojet e Partneriteteve”, ndërkohë që qeveria parashikon kufizimin vetëm në disa raste.

voa

Letoni, humb jetën ushtarakja shqiptare

Nentetarja HasanajNëntetarja shqiptare Zarife Hasanaj, pjesë e kontingjetin të Forcave të Armatosura shqiptare që merr pjesë në misionin e NATO-s “Enhanced Forward Presence” në Letoni, humbi jetën sot paradite gjatë një stërvite që po zhvillohej në bazën e Aleancës. Nëntetarja Hasanaj, 32 vjeç, u plagos për vdekje nga shpërthimi i disa municioneve, ndërkohë që plagë kanë marrë dhe Majori Klodian Tanushi, komandant i kontingjentit shqiptar, si dhe Rreshteri Julian Kapaj.

Efektivët e ushtrisë shqiptare kishin si detyrë bonifikimin e një zone ku një ditë më parë ishte kryer stërvitje me të shtëna artilerie. Mësohet se ata kanë hasur në disa predha të paplasura, njëra prej të cilave ka shpërthyer. Rrethanat, edhe sipas komandantit të Nato-së në bazë, janë ende të paqarta.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare Bardhyl Kollcaku, shpjegoi se “sipas informacioneve të deritanishme Major Tanushi dhe Rreshter Kapaj janë nën kujdesin maksimal të mjekëve, në bazën Camp Adazi, në Letoni”. Nga dy të plagosurit, njëri mësohet se është në gjendje të rëndë. Zoti Kollçaku shtoi se “për ngjarjen e sotme jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet më të larta letoneze dhe të aleatëve tanë në mision”, ndërsa shprehur “ngushëllimet më të ndjera familjes së Nëntetares Hasanaj që humbi jetën në krye të detyrës”.

Presidenti Ilir Meta deklaroi se kishte mësuar me “hidhërim të thellë” ngjarjen, duke shprehur “ngushëllimet më të thella familjes se Nëntetares Zarife Hasanaj, si dhe pjesëtarëve të kontingjentit të Forcave të Armatosura në Letoni”. Ai theksoi se “po ndjek me shqetësim gjendjen e efektivëve të plagosur dhe u shpreh urimet për shërim sa më të shpejtë Major Klodian Tanushi dhe Rreshterit Julian Kapaj”.

Në një postim në Twitter, kryeministri Edi Rama shkruan: “Dhimbje e respekt i thellë për efektivin e Forcave tē Armatosura, Zafire Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë një misioni të NATO-s në Letoni, ku u plagosën dhe dy efektivë të tjerë! Ngushëllime familjes, të afërmve e miqve të Zafires dhe qoftë i përjetshëm kujtimi i saj”.

Ndërsa ministrja e Mborjtjes Olta Xhaçka shprehet se “në këtë moment të vështirë jemi pranë familjes së vajzës sonëe do të vazhdojmë t’i gjendemi pranë, për të përballuar bashkë humbjen e madhe. Respekt dhe mirënjohje pa fund për Zarifen, për sakrificën, guximin dhe vendosmërinë në përballjen me rrezikun gjatë përmbushjes së detyrave të saj”, shkruan ministrja Xhaçka ndërsa i uron shërim të shpejtë dy efektivëve të plagosur.

voa

Kosovë: Zyrtarët serbë që mohojnë krimet e luftës do të shpallen persona non-grata

parlamenti ksKreu i diplomacisë kosovare ka marrë vendim që t’ia ndalojë hyrjen në Kosovë çdo zyrtari të Serbisë që mohon krimet e luftës në Kosovë. Kurse Kuvendi i Kosovës merr nismën për krijimin e Tribunalit për krimet serbe.

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se ka marrë vendim që të shpallen persona non-grata, të gjithë ata zyrtarë serbë që përmes deklarimeve mohojnë krimet e luftës në Kosovë. Ky vendim i kreut të diplomacisë kosovare, pason edhe një paralajmërim të Institucioneve të Kosovës për nisjen e procedurave për themelimin e një gjykate për gjykimin e krimeve serbe në Kosovë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë Ivica Daçiq, në një intervistë për mediumin rus “Vesti Rusia”, kishte mohuar masakrën e Reçakut, duke thënë se “ngjarjet në Reçak ishin shkaku i drejtpërdrejtë i bombardimeve të NATO-s  kundër forcave serbe në Kosovë” në vitin 1999.

Pacolli reagon ashpër pas deklaratës së Ivica Daçiq

Deklarata e Ivica Daciqit është e papranueshme për ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behxhet Pacolli. “I pështirë dhe absolutisht i papranueshëm mohimi i Masakrës së Reçakut nga ministri aktual i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili shërbeu si zëdhënës i partisë së Millosheviçit në vitet ’90. Zëdhënësi i Millosheviçit vazhdimisht ofendon viktimat, familjaret e tyre dhe mohon vrasjet masive dhe gjenocidin në Kosovë nga regjimi që ai i shërbente i përkushtuar. Serbia kreu krimet më të këqija kundër civilëve shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë në Evropë që nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve”, thotë në një postim në profilin e tij Behxhet Pacolli.

“Si Ministër i Punëve të Jashtme kam vendosur që të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata që i mohojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë të shpallen persona non-grata në Kosovë dhe i bëjë thirrje Prokurorisë të marrë masa ligjore kundër tyre”, shkruan më tej Pacolli.

Dy zyrtarë serbë në qeverinë e Kosovës, një ministër dhe një zëvendësministër ditë më parë u shkarkuan nga kryeministri Ramush Haradinaj, pasi edhe këta dy zyrtarë në deklarime publike thanë se “shumë krime të kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe në të vërtetë nuk kishin ndodhur kurrë”. Këto deklarime në mohim të krimeve të luftës në Kosovë, nxitën Ministrinë e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës të fillojë përgatitjet për hartimin e një ligji “që të dënohet secili person që mohon krimet dhe masakrat që janë bërë gjatë luftës 1998-99”.

Nisma për Tribunal Ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë

Veprimet e institucioneve të Kosovës, që të ndjekin dhe dënojnë kryesit e krimeve të luftës dhe mohuesit e tyre, pason edhe një nisme tjetër të kryetarit të kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që të themelohet një Gjykatë Ndërkombëtare  për gjykimin e krimeve serbe në Kosovë, ndonëse një kompetentë të tillë e ka vetëm OKB-ja. Kryetari i

kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli thotë se “për 186 masakra të kryera në Kosovë e për mijëra të vrarë nga forca serbe gjatë viteve 1998-99, institucionet e Kosovës do të kërkojnë drejtësi”. Ai thotë se tashmë ka nisur konsultat dhe procedurat, të cilat shumë shpejt do të rezultojnë me hapa konkretë drejt formimit të Gjykatës Ndërkombëtare për krimet që Serbia ka kryer në Kosovë.

“Kjo gjykatë është e mundur, është e domosdoshme, ka për të ndodhur, do të ndodh. Fundi në këtë proces ka vetëm një qëllim, drejtësi dhe të ardhme e pajtim. Ne kemi besuar tek e vërteta. Fatkeqësisht, kanë kaluar dy dekada dhe pak, ose aspak nuk është bërë në këtë drejtim. Tribunali i Hagës, i ka lënë në gjysmë proceset gjyqësore kundër krerëve të regjimit të Millosheviçit. Për atë sa edhe drejtësia ndërkombëtare në Kosovë, nuk e ka bërë punën e saj që është dashur ta bënte”, thotë Kadri Veseli.

Kuvendi i Kosovës përmes një votimi të deputetëve tashmë ka themeluar një  komision të veçantë “i cili do të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm deri në krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar që do t’i gjykojë krimet serbe në Kosovë”. “Ideja nuk është vetëm të bëjmë rezolutë, ideja është që përmes kësaj rezolute të bëhen hapat, duhet të shkojmë në Këshill të Evropës e Parlament Evropian. Duhet të krijohet një Tribunal Ndërkombëtar për krimet serbe dhe kjo duhet gjithsesi, është në nderin dhe dinjitetin e këtij vendi. E keni mohimin e masakrave, e cila po ndodh sot dhe kështu do të ndodhë edhe pas pesë viteve”, thotë Kadri  Veseli. Nisma për të ndërmarrë hapa dhe kërkuar themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë, e ka marrë mbështetjen edhe të partive politike opozitare dhe të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Daçiq: Ideja përpjekje për të gjetur një baraspeshë me punën e Gjykatës Speciale

Beogradi zyrtar nga ana e tij nuk beson se bashkësia ndërkombëtare do ta përkrahë nismën e Kosovës për krijimin e një Gjykate kundër krimeve serbe në Kosovë. Shefi  i diplomacisë serbe, Ivica Daciq, ka thënë se “paralajmërimet e Prishtinës rreth iniciativës së formimit të një Gjykate e cila do të merrej me krimet e serbëve në Kosovë, është përpjekje për të gjetur një baraspeshë me punën e Gjykatës Speciale”.

“E kam të vështirë ta mendoj se bashkësia ndërkombëtare mbështet që në Kosovë të krijohet një Gjykatë e cila do të dirigjohej nga ish anëtarë të UÇK-së, tani politikanë, e që shumë lehtë mund të gjenden para Gjykatës Speciale për krimet e UÇK-së”. Unë mendoj se i vetmi synim është që të qetësohet opinioni kosovar në momentin kur duhet të priten thirrje të tjera për liderët e UÇK-së që të paraqiten para Gjykatës Speciale”, citon  mediumi në Serbi Novosti, ministrin e jashtëm serb Ivica Daciq.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare që angazhohen për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës, thonë se me iniciativa të tilla siç është kjo e institucioneve të Kosovës, nuk mund të krijohet një Tribunal ndërkombëtar, për faktin që sipas tyre, “Tribunalet ndërkombëtare për krime lufte krijohen vetëm nga OKB-ja. Në një intervistë të mëhershme për DW,  Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, pati thënë se nga evidencat e tyre 13,500 persona janë vrarë në luftën e fundit në Kosovë, ndërkaq, 1600 persona akoma konsiderohen të zhdukur, shumica nga ta shqiptarë të Kosovës.

dw

Vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësojnë zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

osbeVëzhguesit ndërkombëtarë e cilësuan si një proces të qetë dhe të menaxhuar mirë atë të balotazhit të së dielës të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, ku Stevo Pendarovski, kandidat i Social-Demokratëve të kryeministrit Zoran Zaev doli fitues. Ndërkohë që rezultatet pritet të bëhen zyrtare, opozita maqedonase, me VMRO-DPMNE-në në krye, është ankuar për parregullsi gjatë zgjedhjeve.

Kampi i zotit Stevo Pendarovski festoi mbrëmë para selisë së Lidhjes Social Demokrate në pushtet, ndërsa VMRO-DPMNE-ja e opozitës ankohet për një mori parregullsishë në zgjedhje.

Nga ana tjetër, vëzhguesit ndërkombëtarë e cilësuan edhe raundin e dytë si të administruar mirë dhe të qetë.

“Dita e zgjedhjeve kaloi mirë dhe procedurat kyçe u ndoqën në përgjithësi në mënyrë transparente”, tha shefja e vëszhguesve të OSBE-së, Sereine Mauborgne.

Vëzhguesit e ODIHR-it, të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës kanë vënë re respektimin e të drejtave themelore të votuesve në proces, megjithëse vihen në dukje disa hendeqe, sipas misionit vëzhgues, në aspketin e ligjeve që nuk u adresuan që prej raundit të parë.

“Administrata zgjedhore zbatoi përgatitjet në mënyrë profesionale dhe të paanshme dhe gëzoi besimin e publikut”, thuhet në raportin paraprak.

Më tej nënvizohen përpjekjet e partive dhe kandidatëve për të arritur tek votues shqiptarë dhe romë, tek të cilëtpati një shkallë më të ulët të daljes në votime si në raundin e parë edhe në balotazhin e së dielës.

Një nga garuesit nuk ka dorëzuar raportin e parakohshëm për shpenzimin e fondeve në fushatë. Ndërkaq, sa i përket medias, – thuhet se – “televizioni publik dhe media e vëzhguar siguruan një mbulim të paanshëm që u mundësoi votuesve të jenë të informuar për zgjedhjen e tyre”.

Nga vërejtjet e misionit vëzhgues mbetet çështja e mosfigurimit të një numri votuesish në regjistrin zgjedhor, ndërsa në pak raste janë vërejtur përpjekje për blerjen e votës.

“Mund të konfirmoj se pati votime familjare, që e kemi theksuar edhe në raport, por tani nuk mund të them se në cilat zona dhe në ç’shkallë ndodhi kjo”, – tha shefja e misionit të ODIHR-it, Corien Jonker.

Zoti Stevo Pendarovki ka fituar 51.66 për qind të votave, ndërsa kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, mori 44.73 për qind.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në votime morën pjesë 46.70 për qind e pak mbi 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote.

Zoti Stevo Pendarovski, i vlerësuar si i moderuar dhe properëndimor, tha se do të jetë president i të gjithëve, ndërsa falënderoi votuesit e të gjitha komuniteteve për mbështetjen e dhënë.

“Do të jem president i shtetit prej të cilit nuk do të turpëroheni as brenda dhe as jashtë vendit! Kjo fitore para së gjithash është fitore e shumicës së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që pavarësisht nga përkatësia etnike apo politike u bashkuan dhe thanë: vazhdojmë përpara”,u shpreh zoti Pendarovski

Ai e quajti rezultatin një sukses të madh sepse këto zgjedhje, siç tha ai, paraqesin fitore për unitetin dhe bashkimin.

“Fitorja e konceptit ‘Së bashku përpara’sjell ardhmëri për Republikën e Maqedonisë së Veriut, por në të njejtën kohë edhe biletë për në Evropë”, tha presidenti i zgjedhur.

Kryeministri dhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev i cilëson këto si zgjedhjet më të pasra, të drejta dhe demokratike në vend, ndërsa shtoi se Maqedonia e Veriut zgjodhi një president evropian.

“Vendi ynë është në NATO, është në BE. Pikë! Fund për regjimin dhe të kaluarën e errët! Mickovski u mund; u mundën politikat destruktive të udhëheqjes së VMRO-DPMNE-së. U mundën politikat e ndarjeve, të mungesës së qëndrimit, të konfliktit, pasigurisë dhe mbjelljes së frikës”, tha zoti Zaev para gazetarëve dhe disa qindra përkrahësve.

VMRO – DPMNE është ankuar për parregullsi gjatë procesit zgjedhor, ndërsa kandidatja e saj, Gordana Siljanovska Davkova, tha se “rezultati është i qartë”.

“Por çështja është se sa ky rezultat do të çojë drejt pajtimit apo bashkimit apo nëse shënon një ndarje brenda në shtet, ndarje të karakterit ndëretnik”, – tha ajo.

Të dy kandidatët dhe partitë e tyre e kishin të qartë se pa votat e shqptarëve nuk i fitonin dot zgjedhjet. Votat e shqiptarëve padyshim kanë qenë vendimtare në zgjedhjet e së dielës. Zgjedhjet u konsideruan si një sprovë e politikave pro-perëndimore të qeverisë por dhe mundësisë së shkarjes nga kjo rrugë.

Zoti Stevo Pendarovski ka mbështetur fuqishëm marrëveshjen e Prespës me Greqinë fqinje për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë në shkëmbim të anëtarësimit në NATO dhe afrimit me Bashkimin Evropian, ndërsa zonja Gordana Siljankovska Davkova dhe partia e saj e kritikuan dhe kundërshtuan atë. Zgjedhjet u vëzhguan nga 3 mijë 300 përfaqësues vendas dhe 520 vëzhgues të organizatave të huaja me organizatën ODIHR në krye.

Stevo Pendarovski – president i Maqedonisë së Veriut

StevoStevo Pendarovski, kandidat i Social-Demokratëve të kryeministrit, Zoran Zaev, është fitues i zgjedhjeve presidencialë në Maqedoninë e Veriut.

Sipas rezultateve të shpallura rreth mesnatës, ai fitoi 51.71 për qind të votave, ndërsa kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, mori 44.68 për qind.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në votime morën pjesë 46.63 për qind e rreth 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote.

Nga numri i përgjithshëm i votuesve në listën e votuesve 1.808.131

Numri i përgjithshëm i votuesve që kanë votuar 844.360 (46,70%) ne rundin e pare votuan 755.816 (41,82%)

Numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të pavlefshme 30.437  (3,60%)    32.828 (4.34 %)

 

Gordana Siljanovska Davkova 377.713 (44,73%) ndersa ne rundin e pare kishte 319.240 (42,24%)

Stevo Pendarovski 436.212 (51,66%) ndersa ne rundin e pare kishte 323.846 (42,85%)

Të pavlefshme 30.437  (3,60%) ndersa ne rundin e pare kishte  32.828 (4.34 %)

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa me Blerim Reken ne rundin e pare kishin 79.915 (10,57%)

Amoraliteti i përsëritur politik i partive shqiptare dhe zgjedhjet presidenciale në ish IRJM

“Ftojmë qytetarët shqiptarë që të dalin më 5 Maj dhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës, duke respektuar bindjet e tyre individuale”; “është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të zgjedhë një president dhe mos të krijohet krizë e re institucionale gjë që do ngadalsonte proceset integruese të shtetit drejt NATO dhe BE”,  deklaruan pothuajse njëzëri  Aleanca per Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe kandidati i pavarur z. Blerim Reka, dy ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, pas një ngurimi të gjatë në mungesë guximi, parimi dhe vizioni për t’ju drejtuar votuesve të nxitur në raundin e pare nga ata vet për të votuar “shqiptari shqiptarin”,  dhe pazarllëqesh që lihen për t’u nënkuptuar, duke aluduar tani hapur që të votohet për kandidatin e LSDM, z. Stevo Pendarovski.

Por,  ishin “arnautë”, “shqiptarë me gjak sllavi”,  sipas exponentëve të ASH dhe Lëvizjes Besa, ata shqiptarë që dolën në zgjedhjet për president të ish IRJM, dhe në raundin e parë votuan kandidatin e LSDM Stevo Pendarovski, të përkrahur nga BDI dhe disa parti të vogla ne bashkeqeverisje me LSDM!? Dhe, a qenë shqiptarë “patriotë”, “me gjak shqiptari” ata që dolën në këto zgjedhje dhe votuan kandidatin shqiptar të pavarur z. Blerim Reka, të përkrahur nga dy partitë “opozitare” Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, të cilat tani, tërthorazi ftojnë këta votues që në raundin e dytë të votojnë kandidatin e LSDM!?

Pergjigja më e saktë dhe më e drjetë do të ishte Jo! As të parët e as të dytët nuk janë as heronj e as tradhtarë, por thjesht viktima të një pushteti antishqiptar dhe partive shqiptare amorale në shërbim të këtij pushteti.  Ashtu siç nuk jane heronj ata që votuan kandidatin e “pavarur” shqiptar, por shqiptarë fatkeq në pritje të një punësimi nga ndërimi i pushteteve, ose shqiptarë të ndershëm por naivë,  nuk janë tradhtarë as shqiptarët që votuan kandidatin e LSDM, por thjesht skllevër fatkeq të pushtetit dhe partive shqiptare amorale, të cilët per bukën e gojës, në çdo zgjedhje votojnë sipas urdhërit të partive shqiptare në pushtet, për t’i mos hequr nga puna ose  në këmbim të një punësimi në administatë.

Pergjigjen e vërtetë dhe të merituar këtij pushteti antishqiptar pseudo-demokratik dhe partive amorale shqiptare, e dha shumica shqiptare që përbuzi ftesën e partive shqiptare mercenare në pushtet për të marrë pjesë në këtë maskaradë prej zgjedhjesh. Por njëkohsisht, nuk lejoi të manipulohet as nga partitë shqiptare “opozitare”  të cilat në vend se te luftojne per te dryshuar sistemin që gjeneron këtë skllavëri për shqiptarët, në mënyrë që të sigurojnë instrumentet që do të garantonin të drejtat kolektive të shqiptarëve, ata nxorën përpara shqiptarëve individin qe ua ofronte po te njëjtin sistem,  po të njëjtën “Republikë” që ua ofron edhe kandidati i LSDM, po aq unitare dhe sllave, dhe të udhëhequr nga po e njejta qeveri, ajo e LSDM e Pendarovskit!

Dalja në përqindje kaq të ulët e shqiptarëve në qytetet e tyre (nën 20 %), pra, nën pjesëmarrjen edhe ashtu të ulët në nivel të shtetit (42%), tregoi se shumica e shqiptarëve, ashtu siç bënë edhe në referendumin e fundit, refuzuan që t’i nënshtrohen diferencimit ideo-politik fallco për të zgjedhur mes LSDM-së “proeuropiane” apo VMRO-së “pro ruse” të imponuar nga partitë amorale shqiptare në shërbim herë të njërës, e herë të partisë tjetër sllave.  Treguan se nuk besojne në drejtësinë dhe ligjshmërinë, e as në intergrimet (që, siç e shohim varen kryekëput nga ndërkombëtarët) dhe “të ardhmen e përbashkët” që do t’ua sillnin ata të cilët zbatuan për gjysem shekulli terrorin komunist mbi shqiptaret, e sot, në mënyrë absurde kërkojnë nga ata që të heqin dorë pikërisht nga standardet evropiane për qeverisjen e këtij shteteti si bashkësi popujsh, në emër të kinse integrimit në BE.

E shqiptarët nuk do të dalin as tani kur kryeministrit Zaev i duhen shqiptarët për të shpëtuar vlefshmërinë e ketyre zgjedhjeve presidenciale në shtetin e tij unitar, duke plotësuar pragun zgjedhor të rezikuar, prej 40% dalje në vendvotime.

Kryeminstrit Zaev i mbetet që t’u përgjiget shqiptarëve në pyetjen:  Nëse mos plotësimi i pragut zgjedhor prej 40% i ben këto zgjedhje presidenciale të pavlefshme per ish IRJM, sa i bën të vlefshme këto zgjedhje për shqiptarët, dalja e tyre nën 20%!?

Afrim Fanda

Samiti i Berlinit dhe polemika në distancë Rama- Haradinaj

Rama ramushiPas samitit të Berlinit, përfaqësuesit e Kosovës po përgatiten për takimin e Parisit. Por ndërmjet kryeministrave të Kosovës e të Shqipërisë ka vazhduar një polemikë mbi diskutimet brenda samitit për taksën ndaj Serbisë.

Udhëheqësit më të lartë të Kosovës, përfshirë edhe Grupin negociator të Kosovës u mblodhën në Prishtinë ku diskutuan për Samitin e Berlinit dhe për të shprehur një qëndrim të Kosovës lidhur me dialogun Kosovë-Serbi në takimet e radhës. Takimi i sotëm i përbashkët në Prishtinë, u zhvillua me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se Samiti i Berlinit nga të gjithë u vlerësua i dobishëm.

“Ne kemi vetëm një mandat para qytetarëve tanë, shtetin tonë, integritetin dhe sovranitetin dhe Kushtetutën e Kosovës. Ky është qëndrimi ynë. E falënderojmë BE-në për fillimin e involvimit serioz në këtë proces. Por në mënyrë të veçantë e falënderojmë dhe e inkurajojmë angazhimin e vazhdueshëm dhe të domosdoshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Besojmë se do të ketë në të ardhmen edhe një involvim më direkt të SHBA-ve. Falënderojmë kancelaren Merkel dhe presidentin Macron për angazhimin e tyre për Kosovën”, tha pas takimit në Prishtinë Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

Lidhur më kërkesën e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar që taksa ndaj produkteve serbe të pezullohet dhe t’i hapet rruga dialogut Kosovë-Serbi, Kryetari i Kuvendit tha se “taksa ka qenë vendim dinjitoz dhe tash nuk duhet të kthehet kundër Kosovës dhe të nënshtrohemi ndaj Serbisë. Taksa nuk duhet të shërbejë kundër SHBA-së dhe Gjermanisë e Francës dhe e ardhmja duhet të sjellë vendime të mençura”.

Debat në distancë mes kryeministrave të Kosovës dhe Shqipërisë

Por është pikërisht kërkesa për pezullimin e taksës ndaj Serbisë, që thuhet se u diskutua në Berlin dhe refuzimi i kryeministrit Haradinaj për ta hequr atë, që ka përplasur Kryeministrin e Kosovës dhe Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Një polemikë në distancë u zhvillua nga dy kryeministrat për atë se çfarë u tha në Samitin e Berlinit dhe kush i bëri kujt presion që të pezullohet taksa.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në Berlin është përballur me presion të madh nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për pezullimin e taksës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës e Hercegovinës. Këto deklarime të Haradinajt nuk i pëlqyen kryeministrit të Shqipërisë. Ai i hodhi ato poshtë me një reagim të gjatë në profilin e tij social. Në të ai kritikon Haradinajn dhe e quan deklarimin e tij të pavërtetë.

“Si rregull, udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq më tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lëre pastaj t’i shtrembërojnë, duke gënjyer për të dalë “burra të mirë” para popullit të tyre, si të ishin duke shitur mish në pazar”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë shpjegon detaje të tjera nga takimi. “Kancelarja Merkel dhe presidenti Macron kanë nxitur një diskutim informal mbi rifillimin e dialogut dhe i kanë kërkuar me shumë durim kryeministrit Haradinaj, jo ta heqë taksën, po thjesht të japë pëlqimin që taksa të pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj, duke u zotuar që të hyjnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ata vetë”, tha Rama duke pohuar se “i ka sugjeruar kryeministrit të Kosovës në dy momente që ta pranojë këtë kërkesë”.

Pas kësaj, kryeministri Haradinaj reagoi sërish. Pas një mbledhje të qeverisë së Kosovës ai tha se”gjithmonë do ta tregojë të vërtetën për proceset e bisedimeve me Serbinë”, sepse, sipas Haradinajt, kjo është edhe në interes kombëtar.

“Kërkesat që të pezullohen tarifat nuk janë të reja edhe pozicionet nuk janë të reja për disa prej atyre që i kanë, njëkohësisht qëndrimi im nuk është i ri pra është i qëndrueshëm, nuk ka ndonjë ndryshim dhe nuk do të ketë, pra nuk ka pse të diskutohet më. Pastaj kjo e kryeministrit Edi Rama: për mua shqiptarët, edhe të majtë edhe të djathtë janë vëllezërit e motrat e mia dhe ua kam borxh të vërtetën, atë që ka thënë At Zef Pllumi “rrno për me tregu” do t’ua tregoj të vërtetën edhe kur i pëlqen edhe kur nuk i pëlqen dikujt, për shkak se jemi në obligim ndaj qytetarëve tanë”, tha Kryeministri Haradinaj.

Njohësit e zhvillimeve politike këtë polemikë në distancë të kryeministrave Edia Rama dhe Ramush Haradinaj e shohin në mënyrë kritike. Vigan Qorroli, profesor në Universitetin e Prishtinës thotë se “përçarja mes liderëve politikë shqiptarë nuk është mëkat. Ajo është një traumë e mosnjohjes në radhë të parë të parimeve bazë të demokracisë, dhe së dyti, të moskuptimit të thellë të politikës perëndimore”. Sipas tij, kasta e lartë udhëheqëse në Shqipëri dhe Kosovë nuk kanë “ide për zhvillimin e shtetit dhe përparimin e shoqërisë”, prandaj të vetmen levë, që e përdorin më së miri është “dhuna verbale dhe konfliktualiteti politik”.

Samiti i Berlinit vazhdon të komentohet në Kosovë

Sidoqoftë, megjithë këtë polemikë në distancë të dy kryeministrave, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, Samiti i Berlinit vazhdon të komentohet në Prishtinë. Udhëheqësit politikë të Kosovës nuk duken shumë të kënaqur nga ky takim për faktin që sipas Presidentit Hashim Thaçi, “akoma nuk ka një unitet evropian dhe veprime konkrete për Ballkanin Perëndimor”.

Megjithatë nga takimi i Berlinit doli konkluzioni që palët janë pajtuar që të mbahet një takim i ri më 1 korrik në Paris, ku shpresohet për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Kryeministri Ramush Haradinaj, beson që takimi i ardhshëm i Parisit mund të jetë më serioz, pasi do të jetë takim dypalësh ndërmjet Kosovës e Serbisë, me temë qendrore dialogun.

Beogradi zyrtar vazhdon të kërkojë nga Prishtina heqjen e taksës ndaj mallrave serbe si kusht për rifillimin e dialogut, ndërsa Prishtina zyrtare nuk pranon që taksa te jetë kusht për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, një proces ky i ngrirë tashmë që disa muaj.

dw

Rama: Ashpërsim i ligjit për bllokuesit e rrugëve

bllokuesit e rrugesVazhdon gjendja e acaruar politike në Shqipëri. Opozita bllokoi të enjten akset rrugore kombëtare në Shqipëri si përshkallëzim të mosbindjes qytetare. Kryeministri Rama paralajmëroi ashpërsimin e ligjit për bllokuesit.

Opozita dhe mbështetësit e saj bllokuan në mbrëmjen e të enjtes, (2.05.2019), akset kombëtare rrugore në të gjithë vendin. Për rreth dy orë, nga 18.00-20-00, u ndalua qarkullimi i automjeteve dhe u paralizua lëvizja e qytetarëve. Bllokimi mbrëmë i të gjitha akseve akseve rrugore kombëtare, i nisur  të enjten e kaluar vetëm në 5 qarqe të vendit, përbën përshkallëzimin e mosbindjes qytetare, si strategji e opozitës për të larguar kryeministrin Rama dhe rrrëzuar qeverinë e tij.

Protestuesit ndezën flakadanë, hodhën shashka, dogjën goma automjetesh, shkaktuan flakë dhe tym, veprime këto të shoqëruara me thirrjen, „ Rama ik”. Mosbindja qytetare përmes bllokimit për 2 orë të qarkullimit të automjeteve vjen pas serisë së protestave antiqeveritare të Partisë Demokratike, (PD) dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, (LSI) të nisura në mes të shkurtit të kaluar, kur të dyja këto forca politike braktisën parlamentin dhe dolën jashtë sistemit politik duke hequr dorë në bllok nga mandatet e tyre parlamentare.

Opozita: Qeveri kalimtare për të garantuar zgjedhje të parakohshme parlamentare

Opozita akuzon Partinë Socialiste, (PS) dhe liderin e saj, kryeministrin Rama se fituan mandatin e dytë qeverisës në zgjedhjet parlamentare 2017 përmes blerjes së votave dhe lidhjeve me krimin. Kryeministri Rama i hedh poshtë akuzat dhe deklaron se nuk do të negociojë me opozitën mandatin që i kanë dhënë zgjedhësit të qeverisë Shqipërinë deri në vitin 2021. Opozita kërkon krijimin e një qeverie kalimtare për të garantuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ajo ka paralajmëruar se do të „bëjë të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve lokale” të dekretuara nga Presidenti Meta për t’u zhvilluar më 30 qershor.

Basha: Bllokimi i akseve rrugore për të zhbllokuar Shqipërinë

Në këtë kontekst, lideri i PD, Basha deklaroi se protestat do të jenë të vazhdueshme derisa të krijohet mundësia për zgjedhje të lira. „Beteja vijon më 30 qershor. Ne nuk do lejojmë farsë, zgjedhje pa opozitën nuk do ketë. Proces fals për të kapur bashkitë nuk do ketë. Kjo ditë nuk do të gdhijë! 30 qershori do jetë dita e bashkimit të gjithë shqiptarëve, ku do të përcaktohet një datë zgjedhjesh për lokalet dhe për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, pa Edi Ramën kryeministër”, tha Basha në fjalën e tij, të enjten në mbrëmje.

Basha e quajti bllokimin e akseve rrugore „jo vetëm një sakrificë, por investim për të zhbllokuar rrugën e Shqipërisë, rrugën e ҫlirimit të saj nga krimi dhe korrupsioni. Beteja jonë e drejtë do të ketë vetëm një përfundim; largimin e Edi Ramës, zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi ai.

Opozita publikon platformën e qeverisë kalimtare

Opozita publikoi të enjten edhe platformën e qeverisë kalimtare, që ajo pretendon të formohet, si pasojë e protestave të saj antiqeveritare dhe mosbindjes civile. Në qendër të saj janë 10 detyra që do të garantojë, sipas saj, zgjedhje të lira e të ndershme; që nga goditja me tolerancë zero e strukturave politike dhe kriminale të përfshira në shitblerjen e votës, tek ndalimi i presionit qeveritar mbi drejtësinë dhe deri tek shkëputja e lidhjes së policisë me krimin.

Aksioni politik i opozitës nuk ka ndryshuar qëndrimin e qeverisë Rama dhe maxhorancës socialiste. Ndërkohë që opozita publikoi të enjten platformën e qeverisë së pretenduar kalimtare, kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij, në grupin parlamentar socialist, i kujtoi opozites ligjin dhe paralajmëroi ndryshime në Kodin Penal që ashpërsojnë dënimet.

„Nuk mund të pranojmë si normalitet bllokimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe për më tepër organizimin e bllokimit të qarkullimit në mënyrë të qëllimtë”, theksoi ai.

Rama i solli në vëmendje opozitës se „e gënjen mendja se do të ndalojë Shqipërinë të bëjë zgjedhjet vendore në datën e përcaktuar nga Kushtetuta e kësaj Republike. Për parti apo individë që i japin vetes të drejta që s’jua njeh as Kushtetuta, as ligji, për t’i rënë ndesh Kushtetutës dhe ligjit, duke u kthyer në zjarrvënës të zgjedhjeve, ka një kapitull të veçantë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”, theksoi Rama.

Opozita ka paralajmëruar zhvillimin e protestës kombëtare të radhës, javën e ardhshme, më 11 Maj.

dw

Haradinaj për “Die Welt”: Nuk vijnë kriminelë nga Kosova

RamushPas samitit për Ballkanin në Berlin vazhdon jehona në mediat gjermane, jo vetëm për heqjen nga axhenda të një teme – ndryshimin e kufijve në Ballkan, që konsiderohet mjaft i rrezikshëm, por edhe për zhvillimet në Kosovë.

Gazeta gjermane “Die Welt” i ka kushtuar këtë javë disa artikuj problematikës së marrëdhënieve Kosovë-Serbi në kuadër të samitit të Berlinit. Në një intervistë të zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj të publikuar të premten në “Die Welt” (03.05) vihet theksi tek tema e këmbimit të territoreve, që për kryeministrin Haradinaj tanimë “është fshirë nga tryeza e bisedimeve”. Sipas Haradinajt “dialogu me ndërmjetësimin e të Ngarkuarës së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini që duhej të përfundonte me njohjen e Kosovës, për fat të keq ngriti çështje të reja, si ajo e këmbimit të territoreve apo e zhvendosjes së kufijve. Kjo ka bërë që situata në rajon të përkeqësohet. Kemi humbur gati një vit. Tani jemi kthyer në tryezën e bisedimeve, në atë pa temat e këmbimit të territoreve dhe zhvendosjes së kufijve.” “Kush do të ripërcaktojë kufijtë në rajonin tonë thërret tragjeditë e së shkuarës. Kjo është e rrezikshme”, ka thënë Haradinaj.

“Jemi një vend “start up”,  ne nuk dorëzohemi”

Një çështje tjetër që prek “Die Welt” me kryeministrin e Kosovës është liberalizimi i vizave, si edhe largimi i njerëzve të kualifikuar nga Kosova. Haradinaj: “Liberalizimi i vizave do të ishte për të gjitha vendet një përfitim -për klientë, studentë, sportisë, afaristë dhe më shumë. Ne mund të garantojmë, që nuk vijnë kriminelë.” Lidhur me fenomenin e largimit të trurit nga Kosova, kryeministri Haradinaj thekson, se “kemi shumë probleme, nuk është e thjeshtë kur fillon nga zeroja […] fuqia jonë e re punëtore është interesante për tregjet e punës në Europë e përtej, me ta na duhet të matemi. Prandaj kemi përmirësuar ofertat tona për investitorët. Jemi një vend “start up”,  ne nuk dorëzohemi.”

Në një koment pas samitit të Berlinit të publikuar të enjten (02.05) po në “Die Welt” me titull “Oborri i pasmë i BE” theksohet se “mes Serbisë dhe ish-provincës së saj të shkëputur, Kosovës sundon lufta e ftohtë. Kjo duhet të marrë fund, nëse Serbia dhe Kosova duhet të bëhen një ditë anëtare të BE. Lidhur me rëndësinë e samitit të Berlinit për Ballkanin dhe angazhimin e kancelares Merkel dhe presidentit Macron theksohet se “që me Merkel dhe Macron, dy liderë europianë në emër të BE ftuan në një samit në Berlin, tregon edhe njëherë, se qendra politike e BE-së prej kohësh nuk është më Brukseli, por Këshilli i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE, që kanë legjitimitetin dhe mjetet për të bërë politikë të fortë.”

Ndërsa gazeta “Frankenpost” pyet në artikullin komentues për zhvillimin e samitit të Ballkanit në Berlin: “Pse e refuzon kategorikisht kancelarja gjermane një zhvendosje të kufijve? Shumë thjesht: Kush fillon e prek kufijtë në Ballkan, nxit një luftë të re. Sepse kush do t’i pengojë shqiptarët që të bashkohen me ata në Maqedoninë e Veriut – atje jetojnë shumë shqiptarë. Do të ishte shumë e rrezikshme të hapje këtë kuti.”

la/die Welt/Frankenpost/