Audiopërgjimi me vëllanë e Xhafajt, dënohet ish deputeti Salianji

SalianjiNë Shqipëri prokuroria ka konsideruar fajtor për veprën penale të kallëzimit të rremë, katër personat e përfshirë në audio-përgjimin e supozuar të vëllait të ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Prokuroria ka kërkuar dënim për Albert Veliun, personin që pranoi se kishte bërë përgjimin, Fredi Alizotin, i cili u zbulua më pas se kishte qenë njeriu që ishte hequr si Geron Xhafaj, vëllai i ish ministrit, në bisedën me Veliun, gazetarin Jetmir Olldashi, i cili e deklaroi publikisht se kishte qenë ai që i kishte dhënë pajisjen përgjuese Veliut, dhe ish deputetin demokrat Ervin Salianji, i cili e bëri publik faktin dhe e mbrojti përmbajtjen e bisedës.

Për Albert Veliun, prokuroria ka kërkuar 3 vite e 6 muaj burg, duke qenë se përveç akuzës së “kallëzimit të rremë”, është gjendur fajtor dhe për “Kalim të paligjshëm të kufirit”. Për Fredi Alizotin, janë kërkuar 3 vite burg. Edhe për gazetarin Olldashi është kërkuar 1 vit burgim, por i konvertuar në 200 orë punë në komunitet, ndërsa për ish deputetin Salianji 1 vit e 6 muaj burgim të konvertuara në 3 muaj shërbim prove.

Në përfundimet e prokurorisë vlerësohet se “të pandehurit Albert Veliu, Fredi Alizoti, Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe nisur nga motive personale, kanë krijuar një provë të rremë në formën e një audio përgjimi me qëllim ngritjen e një dyshimi se nga ana e Geron (Agron) Xhafaj, ishte konsumuar një vepër penale në fushën e narkotikëve”. Prokurorët kanë shpjeguar se Veliu dhe Alizoti kanë vepruar duke patur si motiv marrjen e një shpërblimi material nga ana e të pandehurit Ervin Salianji. Sipas prokurorisë, ish deputeti i ka premtuar Albert Veliut 200 mijë euro si shpërblim nëse do t’i sillte të dhëna që inkriminonin vëllain e ish ministrit Xhafaj, në atë kohë në krye të mnistrisë së Brendshme. Veliu, theksohet në pretencën e Prokurorisë “ka patur si motiv dhe marrjen e statusit të azilantit për vete dhe familjen. Ndërsa ish deputeti demokrat, i cilësuar si “nxitës dhe organizator i këtij procesi dhe Jetmir Olldashi, si ndihmës i drejtëpërdrejtë i tij, kanë patur si motiv, dëmtimin politikisht të shtetasit Fatmir Xhafaj (vëllai i Geron Xhafaj) që në atë kohë ishte me detyrën e ministrit të Brendshëm.

Në fakt, publikimi i audio-përgjimit, pasoi një fushatë të tërë të opozitës kundër zotit Xhafaj, duke kërkuar me ngulm dhe dorëheqjen e tij si dhe duke organizuar protesta përpara ministrisë së Brendshme. Zoti Xhafaj, akuzoi që në atë kohë opozitën si autore të një materiali të sajuar, ndërsa i vëllai i tij hodhi poshtë kategorikisht të kishte patur biseda me Albert Veliun, një personazh i dënuar me burg për trafik droge në Itali dhe më pas edhe në Shqipëri. Vetë Geron Xhafaj, ndaj të cilit kishte një dënim të mbetur pezull në Itali, i përfshirë në një rast trafiku droge në vitin 2003 në Itali, ju vetdorëzua autoriteteve italiane për të shlyer dënimin, pas akuzave të opozitës se ishte marrë në mbrojtje nga vëllai i tij ministër.

Pas përfundimit të seancës së sotme, ish deputeti Salianji foli për një akt politik sipas tij, nga ana e Prokurorisë e cila siç tha ai “nuk solli asnjë provë të re. Duhet thënë se kjo nuk është drejtësia e re, janë prokurorë të drejtësisë së vjetër të përfshirë në llumin dhe batakun e korrupsionit”, u shpreh zoti Salianji i cili në sallën e gjyqit u mbështet nga një numër i konsiderueshëm figurash politike të Partisë Demokratike.

Edhe kryetari demokrat Lulzim Basha, foli sot për një “gjyq politik”, duke sulmuar prokurorët e çështjes. “Edi Rama përdori dy prokurorë të korruptuar, Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, që zbatuan sot skenarin e dështuar për t’i mbyllur gojën opozitës. Pretenca e dy prokurorëve të korruptuar është paracaktuar nga Edi Rama që të nesërmen e publikimit të skandalit”, u shpreh zoti Basha.

voa

Koment: Samit sipas shijes ruse

Merkel Macron PutinPo, dialogu është vlerë në vetvete, por samiti i Ukrainës në Paris i shtyu në kohë problemet. Presidenti ukrainas, Selenskyj gabon, nëse mendon, se pas samitit, rezultati është barazim, mendon Bernd Riegert.

Nuk ka si bëhet më mirë, duhet të ketë menduar presidenti rus, Vladimir Putin në samitin e Ukrainës në Paris. Perëndimi dhe Ukraina janë të gatshëm për lëshime të vogla, për të joshur sunduesin e patundur të Rusisë të negociojnë një dokument për paqësimin e rajonit të Donbasit në Ukrainë. Shumë gjëra të reja nuk përmban ky dokument: Synohet armëpushimi i 21-të, shkëmbim të burgosurish. Për hapat politikë do të flitet në katër muajt e ardhshëm.

Negociimi nuk duhet të ketë qenë i vështirë për Berlinin, sepse bashkëbiseduesi në anën tjetër me zor mund të luajë kartën e unitetit. Presidenti francez, Emmanuel Macron i bën elozhe Putinit dhe flet për një partneritet të ri, ku edhe Rusia duhet të ketë interes. Ngadalë edhe kancelares gjermane, Angela Merkel po i vijnë në majë të hundës veprimet e veçuara të Macron. Në samitin e para një jave, NATO klinikisht e vdekur sipas Macron, e manifestoi para botës përçarjen. Shtetet lindore të NATO-s paralajmërojnë nga Rusia, kurse Franca kërkon ta afrojë sërish atë. Macron dhe Merkel ushtrojnë – duhet theksuar së bashku – presion ndaj komedianit të zgjedhur president, Volodymyr Selenskyj, që të tregohet fleksibël dhe të bëjë lëshime. Po ashtu qëndrimi i BE për gazsjellësin rus Nordstream nuk është i njësuar. Gjermania e sheh si pozitiv ndërtimin e tij, shumë vende lindore e kritikojnë ashpër.

Pa Rusinë nuk bëhet asgjë, me Rusinë është e vështirë

Në këtë situatë, presidenti rus, vetëm mund të rehatohet në kolltuk dhe të presë. Natyrisht që ai ka interes të heqë qafe sanksionet e bezdisshme të BE, por ky interes nuk është aq i madh sa të dorëzojë pretendimin për Ukrainën lindore apo aq më shumë Krimenë. Për aneksimin e Gadishullit të Krimesë nuk flitet në Paris zyrtarisht. Me një konflikt të kontrolluar, ai mund ta mbajë nën tension perëndimin, që për të është palë kundërshtare. Përveç kësaj me këtë bëhet praktikisht e pamundur një afrim i Ukrainës me BE dhe NATO-n, për shkak se përjashtohen pranimet e vendeve me konflikte të pazgjidhura. Të njëjtën recetë Putini e përdor edhe në rastin e Gjeorgjisë, ku ai e shkëputi një pjesë të Osetisë jugore nga Gjeorgjia.

Por Perëndimi dhe Ukraina kanë nevojë kaq shumë për Putinin, saqë Merkel, Macron dhe të tjerë dialogojnë me presidentin rus, megjithëse ata e shohin atë në prapaskenën e goditjes së avionit MH17 mbi Ukrainën, sulmin me helm kundër një ish-agjenti rus, Sergej Skripal dhe vajzës së tij në Britaninë e Madhe, si edhe tani në vrasjen e një gjeorgjiani në Berlin. Nga pikëpamja franceze dhe gjermane është e vështirë t’i marrësh koncesione Putinit, kur edhe marrëdhënia me partnerin e madh të NATO-s, SHBA është e dyzuar. Presidenti amerikan, Donald Trump beson për arsye të paditura, se Putini është një tip “fantastik”, edhe pse ai nuk ka lëshuar asnjë centimer në drejtim të tij.

Nëse Putinit nuk i mjaftojnë këto si prova për fuqinë e tij, mjafton që ai të hedhë një sy në rrugët e Parisit, mundësi që ai e pati të hënën (samiti i Ukrainës, 09.12.). Një grevë pa afat e ka paralizuar kryeqytetin francez. Protesta të zemëruara kundër presidentit Macron. Problemet në politikën e brendshme nuk e kanë bërë ndonjëherë më të fortë politikën e jashtme. Po Angela Merkel? Nga kancelarja që ka luajtur rol kryesor në samitin e parë, raundin e Normandisë në vitin 2014 dhe në marrëveshjen e Minskut për paqen në Ukrainë, u dëgjuan në Paris vetëm tone të lehta. Për presidentin rus është e qartë: Politikisht Merkel i ka ditët e numëruara. Koalicioni në Berlin ka pësuar krisje. Pra, pse të bësh lëshime në këto kushte, duhet të ketë pyetur veten, rusi i rafinuar.

Bernd Riegert / dw

Peter Handke dhe ledhatimi i publikut

Peter HandkeNë fjalimin e tij për çmimin Nobel, Peter Handke shmang me qëllim temat provokuese e vështron gjërat e vogla. Komunitetit të ndjekësve, që ai ka krijuar javët e fundit, kjo do t‘i pëlqejë, mendon Norbert Mappes-Niedeck.

Për Serbinë asnjë fjalë. E përse vallë? Peter Handke në fjalimin me rastin e marrjes së Nobelit foli për atë që është e rëndësishme për të. Ajo që ka qenë temë e rëndësishme për publikun javët e fundit, qendrimi i tij ndaj luftërave në ish-Jugosllavi, nuk hyn këtu. Vështrimi i poetit kalon pa i parë tragjeditë e mëdha, aksionet kryesore e shtetërore. Ai përqëndron vështrimin tek e vogla, gati e padukshmja, e anashkaluara.

Temat e poetiit janë lulet e vogla mënjanë rrugës dhe zogjtë ndër degë. Lufta, tanket në asfalt, çantat kafe me fishekë: E gjitha kjo nuk është realja. Realja është “bluja alpine” e atdheut të tij Karentisë, (Kärnten) në Austri.

Fjalën e fundit e ka poeti

Handke nuk ka provokuar kësaj rradhe. Por as nuk ka pajtuar me shfaqjen e tij disi të pazakontë, një kundërvënie e mirëvendosur ndaj elokuencës së politikanëve dhe gazetarëve. Pa sharë dhe polemizuar, siç i pëlqen të bëjë në raste të tjera, Handke shfrytëzoi mundësinë për t‘i prezantuar një publiku me influencë programin e tij poetologjik.

Gjithçka mund të na ngrejë lart, ishte mesazhi i tij, kudo gjenden gjërat e vogla, gati të padukshme, të cilat na vënë në kontakt me realen, me hyjnoren. Ajo që ne e konsiderojmë të vetëkuptueshme, nëse ka gjetur rrugën e saj në letërsi, mund të bëhet diçka krejt tjetër. Kjo vlen natyrisht për gjithçka, që duhej të tregohej, edhe për shtatë- deri tetëmijë të vdekurit në Srebrenicë. „E ashtuquajtura botë” mund të diskutojë për të vërtetën dhe gënjeshtrën: Fjalën e fundit e ka gjithmonë poeti. Te luftërat, pikërisht te ky intervenim brutal në realitetin tonë, Handke qe në gjendje të shpjegonte se sa gjerësisht e kupton ai pretendimin e tij.

Pavarësisht debateve

Debatet e javëve të fundit nuk kishin të bënin më me atë se çfarë ka ndodhur me të vërtetë në Bosnjë dhe në Kosovë, sa njerëz kanë humbur jetën, kush kishte të dretë dhe kush ishte fajtor. Tema ishte e drejta e poetit për të vërtetën e tij. Pyetje të tilla diskutohen tani edhe larg Akademisë Suedeze – në facebook dhe twitter për shembull, apo ndërmjet zëdhënësit të shtypit të Donald Trumpit në njërën anë dhe gazetës New York Times në anën tjetër. Në dukje e përjetshmja – çfarë rastësie -përkon në mënyrë perfekte në këtë kohë.

Për përfaqësuesit e “alternative facts” çmimi Nobel ishte një fitore e rëndësishme. Mes tyre Handke ka krijuar tani një numër të madh ndjekësish. “Lexuesit e mi” i quan ai ata. Në të vërtetë komuniteti i ndjekësve është më i madh dhe leximi nuk është një nga pasionet e tyre. Por me fjalimin e tij Handke i shërbeu pikërisht shijes së këtyre mbështetësve shumë konservatorë.

Poezia ledhatuese nuk ndihmon

Citatet e gjata nga litania lauretane, vargje të përsëritura që thuhen në procesione, u kanë pëlqyer katolikëve. E që citatet ishin të gjitha në gjuhën sllovene, duhet t‘i kenë pëlqyer miqve të Handkes në ish-Jugosllavi. Suedezët dëgjuan një poezi të nobelistit të tyre Tomas Tranströmer, në suedisht. Sipas fjalëve të Handkes, kush nuk e do poezinë, duhet ta shohë vetën së paku si “një njeri që është në gjendje të lartësohet” duke u larguar nga zhurma e turmës. Autori i veprës teatrale „Sharja e publikut” është kthyer në ledhatues të publikut.

Kush flet ende për përjetimet e tij për luftën, për Serbinë dhe Bosnjën, bën pjesë tek ata „që prishin gëzimin”. „A nuk e keni lënë luftën pas vetes?”, u thotë poeti në mënyrë inkurajuese dhe u rekomandon viktimave të luftës t‘i lënë të vdekurit në vendin e tyre dhe të tregojnë „qetësinë e të mbijetuarve”.

Kjo këshillë qëllimmirë vështirë të pranohet. Se si mund të ndihmojë me të vërtetë letërsia, nuk është treguar tani në Stockholm, por para njëzet vjetësh në Bllace, një vend në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ku në vitin 1999 mbërriten qindramijëra të dëbuar. Dyndja më e madhe e refugjatëve nuk ishte para vendit ku shpërndahej ushqimi, por para çadrës, ku secili mund të tregonte historinë e tij. Kjo temë ishte e vërteta.

Norbert Mappes-Niediek / dw

DAP: Fillon pagesa e parave nga skanimi i llogarive fiskale

FiskaleDrejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) ka filluar të paguajë para në përputhje me Ligjin për kthimin e TVSH-së për individët. Kthimi i 15 përqind të TVSH-së ka filluar të transferohet në llogaritë e qytetarëve që e kanë përdorur aplikacionin “MojDDV” në tre muajt e parë, gjegjësisht, qershor gusht dhe shtator.

Deri tani janë lëshuar para në llogaritë e 16.600 qytetarëve, ndërsa deri në fund të javës do të bëhet tek të gjithë qytetarët që kanë skanuar llogaritë në tre mujorin e parë përmes aplikacionit “MojDDV”.

Në çerekun e parë nga “MojDDV” janë skanuar 22.670.713 llogari fiskale, ndërsa është realizuar fitim prej 11.423.978.620 denarë. Kthimi i TVSH-së duhet të jetë në vlerë prej 18.214.194 denarë.

Nga DAP thonë se do të dalin me informacione më të detajuara në lidhe me pagesën e masës “TVSH-ja ime”./Telegrafi/

Shqipëria merr Presidencën e OSBE-së, Rama: Hap historik

ramaShqipëria mori sot zyrtarisht Kryesimin e Presidencës së OSBE-së për vitin 2020. Në Bratislavë së bashku me kryeministrin Edi Rama ishte dhe ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj. Rama u shpreh se është një përgjegjësi e madhe drejtimi i kësaj organizate ndërkombëtare të dorës së parë, por edhe mundësi e jashtëzakonshme për ta bërë Shqipërisë të shkëlqejë në krye të punëve të mëdha e të sfidave të posaçme të OSBE.

“Ky është një moment historik dhe inspirim për Shqipërinë. Ne kemi marrë vendim përsa i përket të ardhmes së vendit tonë sesi e shohim të ardhmen në vitet e ardhshme, shpresoj te iniciativa jonë me partnerët për të vijuar bashkëpunimin. Ka shumë vendime kyçe me të cilat ne nuk kemi marrëveshje të qëndrueshme.

Ka në fakt shumë çështje që kanë të bëjnë jo vetëm me termat e politikës, por edhe sigurisë. Shohim edhe në këtë tryezë ka qasje të ndryshme. Do të bëjmë të pamundurën për të parë përpara. Ky është një moment historik dhe inspirim për vendin tonë. Kjo lidhet me marrëdhëniet e mira me anëtarët dhe mikpritje që karakterizon Shqipërinë. Edhe një tjetër element i rëndësishëm i Shqipërisë është harmonia fetare. Marrja e Presidencës, është një hap i jashtëzakonshëm.

Do të fokusohemi duke implementuar së bashku koordinimin e të gjitha politikave tona për të rritur kredibilitetin tonë. Nëse doni paqe në Europë duhet të implementohen edhe elementë të tjerë. Duke monitoruar zgjedhjet dhe mbështetur reformat, puna e OSBE-së ka qenë ngushtësisht e lidhur me njerëzit.

Përsa i përket edhe vijimit të dialogut, kjo është e vetmja mënyrë për të rindërtuar besimin mes nesh. Korrupsioni dëmton prosperitetin e të gjithë rajonit, së bashku me kërcënimet e tjera. Do të luftojmë korrupsionin. Nder dhe përgjegjësi e madhe drejtimi i kësaj organizate ndërkombëtare të dorës së parë, si edhe mundësi e jashtëzakonshme për ta bërë Shqipërisë të shkëlqejë në krye të punëve të mëdha e të sfidave të posaçme të OSBE” tha ai.

Top Channel

Të paktën 62 emigrantë humbasin jetën në det të hapur

emigrantetAgjensia e OKB-së për emigracionin njoftoi se të paktën 62 veta u vranë, ndër ta disa fëmijë, kur një varkë që transportonte mbi 150 emigrantë u përmbys në Oqeanin Atlantik, pranë Mauritanisë.

Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin tha se 83 të mbijetuarit arritën të notojnë drejt bregdetit pasi varka e tyre goditi një shkëmb dhe u përmbys në ujërat e trazuara.

Të paktën 10 nga të mbijetuarit u shtruan në spital dhe të tjerët po marrin ndihmën e autoriteteve.

Ministria e brendshme e Mauritanisë tha në një deklaratë se “ishin shumica emigrantë të paligjshëm nga Gambia që përpiqeshin të arrinin Spanjën”.

Ata kishin dalë në det që më 27 nëntor. Kalimi detar nga Afrika Perëndimore drejt Evropës ishte dikur një nga trajektoret kryesore për emigrantë që kërkonin punë dhe jetë më të mirë.

Ky është incidenti me viktimat më të shumta që kur vendet evropiane shtuan patrullimet detare në Deti Mesdhe.

voa

Shqipëri: Prokurori i ri fillon detyrën

Prokuroria e pergjithshmeProkurori i ri i Shqipërisë, Olsian Çela, ka marrë në dorëzim detyrën nga paraardhësja e tij, Arta Marku. Shqipëria plotëson kështu një nga kushtet e Bundestagut për çeljen e negociatave me BE.

Prokurori i ri i përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela, ka paralajmëruar rikonceptimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë marrjes në dorëzim të detyrës nga paraardhësja, Arta Marku, ai tha se tani po “hyjmë në një fazë të re, ku po ndërtohen institucionet e reja të drejtësisë. Prokuroria ka pësuar ndryshime rrënjësore dhe kjo kërkon një angazhim të ri dhe konceptim të ri si duhet të funksionojë ky organ”.

Olsian Çela u zgjodh të enjten (5.12.2019) nga Parlamenti, Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë. Ai ishte në krye të 3 propozimeve që Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dha Parlamentit për të votuar. Olsian Çela mori 101 vota kur ligji parashikon 84 për të fituar mbi kandidaturat e tjera, duke e bërë të panevojshme përfitimin nga klauzola e ligjit që parashikon që kandidati në krye të listës zgjidhet automatikisht Prokuror i Përgjithshëm.

Dy kandidatet e tjera në garë, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, dhe Prokurorja e Apelit, Fatjona Memçaj, morën shumë pak vota në krahasim me Olsian Çelën: Marku 11 vota dhe Memçaj 8.  Olsian Çela është trajnuar në BE dhe SHBA për të luftuar krimin e organizuar. Mandat i tij do të jetë 8 vjeçar.

BE përshëndet

Zgjedhja e Olsion Çelës Prokuror i Përgjithshëm është përshëndetur nga Delegacioni i Bashkimit Europian (BE)  në Shqipëri. Ambasadori i këtij Delegacionit, Luiggi Soreca, tha përmes një postimi në twitter “E mirëpresim zgjedhjen nga Parlamenti të zotit Olsian Çela si Prokuror i Përgjithshëm”.

Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm shënon një hap të rëndësishëm përpara në vijimin e Reformës së Drejtësisë në Shqipëri. Përparimi i saj dhe arritja e rezultateve të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përbëjnë një nga kushtet kryesore  të Bundestagut Gjerman në Rezolutën për Shqipërinë, në tetorin e kaluar, dhe njëherazi për BE që Shqipëria të bëjë progres drejt hyrjes në BE. Lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore të Drejtësisë me gjithë rezultatet e deritanishme të arritura në Gjyqësor.

Shpresë për çeljen e negociatave

Procesi i vettingut , si procesi kyç i reformës në Drejtësi, i kryer nën monitorimin e BE dhe SHBA,  po vijon me skanimin e 800 gjykatësve dhe prokurorëve lidhur me aftësitë profesionale, përligjjen e pasurisë dhe nëse kanë ose jo rekorde korrupsione gjatë karrierës së tyre apo lidhje me krimin e organizuar. Si rezultat i këtij procesi janë nxjerrë jashtë sistemit shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Vettingu nxori kohët e fundit të pavlefshme dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese (GJK) të dekretuar nga Presidenti Meta.

Me zgjedhjen e Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi (KED)  pritet që procesi të rifillojë me propozime të reja të këtij Këshilli për 3 anëtarët e GJK  që sipas ligjit i zgjedh Presidenti dhe 3 anëtarët që i zgjedh Parlamenti. Burime zyrtare nga Gjykata e Lartë  thanë për DW se kjo gjykatë pritet të plotësohet me anëtarë në fund të këtij viti, gjë që do të bëjë të mundur propozimin prej kësaj gjykate të tre kandidaturave  për t’u votuar në Parlament. Nëse këto procese ecin atëherë ka gjasa të plotësohen 9 anëtarët e GJK, një kusht i rëndësishëm në rezolutën e Bundestagut gjerman dhe BE për mundësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit në Samitin e Zagrebit, në pranverën 2020.

Opozita mosbesuese

Por PD dhe opozita jashtë parlamentare në Shqipëri e akuzon qeverinë se po përpiqet t’i kapë Drejtësinë dhe institucionet e saj si Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Shqetësimi i saj për kapjen nga qeveria të drejtësisë është i pranishëm edhe në zhvillimet pas tërmetit shkatërrimtar të javës së kaluar, më 26 nëntor, kur godinat e shembura prej tërmetit rezultojnë të jenë ato ku janë shtuar kate që nuk janë në projektin e miratuar dhe që janë lejuar të ngrihen si pasojë e korruptimit të autoriteteve bashkiake, të kompanive të ndërtimit apo supervizorëve. Por prokurori i ri, Olsian Çela,  tha se  prokuroria do të gjejë “të gjithë mekanizmat për të arritur atë që populli pret” prej saj.

Qeveria dhe drejtësia janë tani para një prove: nëse hetimet që kanë filluar për të gjetur të korruptuarit, që me veprimet apo mosveprimet e tyre shkaktuan shembjen e godinave të banimit në Durrës dhe 51 viktima, do të shkojnë deri në fund dhe çuar ata para drejtësisë apo atyre nuk do t’|i hyjë ferrë në këmbë si deri më sot.

dw

Ballkani Perëndimor mes Brukselit dhe Parisit

Ursula von der LeyenDitën kur Ursula von der Leyen, Josep Borell e Oliver Varhelyi i dërguan njëzëri mesazh Ballkanit Perëndimor se e ardhmja perëndimore e Ballkanit nuk vihet në diskutim, Emanuel Macron përsëriti ”jo-në” e tij.

A e kishte pritur presidenti francez Emanuel Macron, kur Franca bllokoi në tetor hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, që kundërshtimi, që i bëri vazhdimit të politikës ekzistuese të zgjerimit, do ta ngrinte Ballkanin Perëndimor dhe të ardhmen e tij në krye të agjendës së BE-së?

Pas debatit të liderëve të BE për zgjerimin në tetor, i cili vuri në hije të gjitha temat e tjera të Këshillit të Evropës, mbledhja e Parlamentit të ri Evropian aprovoi rezolutën në mbështetje të zgjerimit me Ballkanin Perëndimor dhe kryetari i ri i Parlamentit David Sasoli vizitën e parë zyrtare jashtë BE-së e bën në Shkup.

Von der Leyen: Ndryshimet mund të bëhen edhe paralelisht me zgjerimin

Edhe ditët e para të punës së Komisioni Evropian i zuri Ballkani Perëndimor. Në konferencën e saj të parë për shtyp pas marrjes së detyrës kryetarja e Komisionit, Ursula von der Leyen iu drejtua rajonit.

”Nga ana strategjike është absolutisht e rëndësishme, që t‘i tregojmë Ballkanit Perëndimor se i duam në anën tonë dhe se jemi shumë të interesuar t‘i afrojmë ato me BE-në”, tha von der Leyen.

Ajo theksoi se është e rëndësishme, që BE ”të qendrojë te ideja e negociatave të pranimit”, por edhe të dëgjojë pozicionet e vendeve anëtare, kur është fjala për ndryshime të këtij procesi

”Kur bëhet fjalë për negociatat e pranimit unë do të thoja që ndryshimet e procesit të ecin paralelisht, ose që vendeve t‘u ofrohet mundësia për të nisur negociatat për pranim”, tha von der Leyen.

Borell: Evropa është e vetmja zgjidhje

Në të njëjtën ditë, Ministri i ri i Jashtëm i BE-së, Josep Borell, theksoi në Parlamentin Evropian, se pavarësisht çështjeve të hapura dhe debatit për metodologjinë e zgjerimit, ky proces nuk mund të vihet në pikëpyetje.

”Duhet ta ruajmë dinamikën dhe të vazhdojmë të punojmë me të gjitha vendet anëtare, që të gjithë ta kuptojnë se nuk mund ta mbyllim dhe as ta anulojmë perspektivën evropoane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Borell.

Borell, diplomat me përvojë, ish- kryetar i Parlamentit Evropian dhe shefi i diplomacisë së Spanjës, kujtoi pasojat tragjike që ka lënë lufta në ish-Jugosllavi për Ballkanin Perëndimor.

”Trashëgimia e kësaj tragjedie ka krijuar ndarje, varfëri dhe grindje në baza etnike dhe kombëtare, por Evropa është e vetmja që ofron zgjidhje për këtë situatë”, thotë Borell.

Zgjidhje” për Ballkanin Perëndimor

”Zgjidhjen” për Ballkanin Perëndimor komisioneri i ri për Ballkanin Perëndimor Oliver Varhelyi e sheh në rritjen e kredibilitetit dhe dinamizmin e shpejtë të procesit. ”Në fund të mandatit tim pesëvjeçar duhet të kemi së paku një vend të gatshëm për të hyrë në BE”, thotë Varhelyi

.

Ai bëri të ditur se Komisioni Evropian në fillim të janarit do të dalë me propozim konkret për ndryshimin e metodologjisë së pranimit, në bazë të së cilës do të zhvillohen diskutimet ndërmjet vendeve anëtare.

”Flasim për ndryshimin e metodologjisë dhe askush nuk e vë në diskutim perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ajo është e paprekshme, ajo nuk do të diskutohet”, thotë Varhelyi.

Macron: Pranim, e ndoshta edhe partneritet strategjik

Thuajse në të njëjtën kohë, vetëm në anën tjetër të La Manche, duke folur në konferencën përfundimtare të samitit të NATO-s, presidenti i Francës e kthen të gjithë historinë në fillimin e saj, pra në bllokadë. ”Shprehimisht them se dua të reformohen procedurat e negociatave para ndonjë hapjeje të re bisedimesh”, tha Emanuel Macron.

Macron shtoi gjithashtu ”në mënyrë të qartë” se do të jetë kundër çdo zgjerimi të BE, që nuk është shoqëruar nga një reformë e thellë e funksionimit të unionit.”

Për presidentin francez ”zgjidhja” për Ballkanin Perëndimor është që të lidhet fortë me BE. ”Kjo hedhje e spirancës për disa ndoshta do të thotë hyrje në BE – por duhet të jemi të qartë: kjo do të thotë edhe fazë e partneritetit strategjik dhe e fuqizimit të investimeve”, shpjegon Macron.

Ndërsa Komisioneri i ri i Zgjerimit thotë se reforma institucionale e BE-së nuk është parakusht për zgjerim dhe se BE “do të jetë në gjendje të punojë përsëri me 28 anëtarë”, për Macron funksionimi i BE me numrin aktual të anëtarëve është jashtëzakonisht joefikas dhe me anëtarë të rinj – i papërballueshëm.

Samiti në Zagreb ”kyç” për zgjerimin?

Në kundërshtim me presidentin e Francës, i cili po ”betonon” gjithnjë e më fort idenë e tij për frenimin e zgjerimit, për të cilin ai pretendon se ka mbështetjen edhe të „disa vendeve anëtare”, në Bruksel flasin për zhvillime pozitive për vendet në rrugën e integrimit evropian dhe inkurajojnë rajonin që të vazhdojë reformat evropiane.

Kështu Komisioneri i zgjerimit Oliver Vrahelyi njoftoi për javën e ardhshme hapjen e një kapitulli të ri në negociatat e pranimit me Serbinë. Për Malin e Zi Varhelyi thotë, se është më i përparuari në negociatat për pranim dhe i bën thirrje e atij, si dhe Serbisë, për reforma më të shpejta në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së mediave dhe ligjeve zgjedhore. Bosnja dhe Hercegovina u lavdërua në fjalimin e parë të Komisionerit të ri të Zgjerimit për emërimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave. Asaj iu bë thirrje për „formimin e funksionimin e plotë” të të gjitha niveleve të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në vend. ”Vetëm kështu ky vend mund të lëvizë drejt zgjidhjes së problemeve kryesore dhe prioriteteve, që i ka paraqitur Komisioni”, thotë Varhelyi.

Oliver Varhelyi thotë se është e rëndësishme, që në Prishtinë të formohet shpejt një qeveri e re, sepse Kosova ka përpara „punë të rëndësishme”, përfshirë fushat me prioritet, siç janë zhvillimi ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe vazhdimi i dialogut me Beogradin.

”Kur është fjala për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë Komisioni Evropian

do të ndërhyjë për hapjen sa më të shpejtë të negociatave për pranim, që presim të ndodhë para samitit të majit në Zagreb”, njoftoi komisioneri.

Varhelyi, Macron dhe Borell janë dakord për një gjë, e kjo është që samiti i BE-Ballkani Perëndimor, i planifikuar për muajin maj 2020 në Zagreb, pritet që të bëhet pikëkthese për politikën e zgjerimit. Deri atëherë do të duhej të përcaktoheshinn dhe të dakordësoheshin pozicionet e vendeve anëtare dhe të institucioneve të BE lidhur me të ardhmen e zgjerimit, dhe në këtë kuadër të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Kroacia, e cila merr presidencën e Këshillit të BE-së nga 1 janari 2020, thotë se dëshiron që samiti i Zagrebit të jetë një pikë referimi që do të japë drejtim ose një “hartë rrugore për 10 vitet e ardhshme të politikës së zgjerimit”.

Duke patur parasysh vazhdimin e debatit për zgjerimin në Bruksel theksohet se politika e zgjerimit të BE-së nuk mund të varet nga shtetet e veçanta anëtare ose politikat e tyre të brendshme dhe se funksionaliteti i brendshëm i Unionit, si dhe roli i tij gjeopolitik global do të vihej në provë në zemër të kontinentit evropian, në Ballkanin Perëndimor.

Macroni sfidon presionin e BE ndaj Francës për negociatat

MacronPresidenti francez Macron përsëriti në Londër qëndrimin se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk janë gati për nisjen e negociatave me BE. Ai sfidon strategjinë e presionit publik evropian ndaj tij, shkruan Auron Dodi.

Presidenti i Francës Emanuel Macron dërgoi javën që po përfundon disa mesazhe në drejtim të Shqipërisë. Fillimisht, me një mesazh në shqip në rrjetin e twitterit ai njoftoi dërgimin e ekipit francez për rastet e katastrofave natyrore në Shqipëri. Pas kësaj, ai ofroi në një konferencë shtypi edhe që të organizojë një konferencë donatorësh për të ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit.  Në Watford pranë Londrës, Macroni përsëriti njëkohësisht se nuk pranon që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut për nisjen e negociatave. Kjo në thelb është në favor të Shqipërisë, pasi dihet që Shqipëria ka më shumë kritikë në BE se Maqedonia e Veriut. Mosndarja e dy shteteve për nisjen e negociatave me BE është edhe qëndrimi i Gjermanisë. Me këto qëndrime Macroni sinjalizoi se nuk ka ndonjë antipati personale ndaj Shqipërisë.

Por të tërheq vëmendjen rrethana se në Londër ai e përsëriti jo-në e tij për hapjen e negociatave të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas burimeve të DW në Londër, Macroni tha fjalë për fjalë: “Unë e them shprehimisht se procedurat e anëtarësimit dua t’i reformoj përpara çdo negociate të ardhshme.” Në Londër Macroni tha se do të jetë edhe kundër çdo zgjerimi “që nuk shoqërohet me një reformë të thellë të mënyrës si funksionon BE”.

Pra, të paktën për momentin, po të nisemi nga fjalët e tij, Macroni jo vetëm nuk është larguar nga bllokimi i nisjes së negociatave. Por shkon edhe më tej, paralajmëron se nuk do të pranojë as zgjerim pa reformim më parë të BE. Nga kjo do të prekeshin aktualisht shtete kandidate që kanë avancuar më shumë në negociatat me BE: Serbia dhe Mali i Zi. Një sinjal i Macronit se për të reforma e BE ka vërtet rëndësi dhe se këtu ai nuk bën dallim midis shteteve?

Njëkohësisht, Macroni nuk lë dyshim se i dëshiron shtetet e Ballkanit të lidhura ngushtë me BE. Por siç tha në Londër me këtë ai kupton “edhe një fazë partneriteti strategjik dhe investimesh më të mëdha.”  Pra Presidenti francez përsëriti atë që thotë dokumenti i punës i shpërndarë nga francezët në BE: ai kërkon një fazë më të ngadaltë afrimi të shteteve kandidate me BE, para anëtarësimit.

Në thelb do t’i ngjante një mrekullie që Macroni ta tërhiqte kaq shpejt bllokimin për nisjen e negociatave me shtetet ballkanike.  Ai nuk është tërhequr as nga deklarata se NATO-ja është në gjendje vdekjeje klinike. Përkundrazi, në Londër Presidenti francez tha se është i kënaqur që fjalët e tij kanë nxitur një debat.

Presion publik krahas negociatave

Nevoja e Macronit për ta përsëritur publikisht bllokadën franceze për nisjen e negociatave me dy shtete të vogla ballkanike është një sfidim i ri i vullnetit mbizotërues në BE, pro hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo megjithëse shtetet që duan nisjen e negociatave të BE me Shqipërinë duket se po ndjekin një strategji të presionit publik mbi Francën. Franca përmendet vazhdimisht si bllokuese.

Fillimisht, menjëherë pas jo-së së parë të Macronit pasoi rezoluta e Parlamentit Evropian, e cila kërkon nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.  Pastaj kryetarja gjermane e Komisionit të ri Evropian, Ursula von der Leyen u shpreh në krye të mandatit se do të këmbëngulë, që “ndryshimet proceduriale (të kërkuara nga Franca) të bëhen gradualisht, dhe që shteteve t’u jepet mundësia të nisin negociatat e anëtarësimit”. Argumenti gjeopolitik u përsërit këtë javë nga ministrja gjermane e Mbrojtjes dhe kryetarja e CDU-së në pushtet në Gjermani, Annegret Kramp-Karrenbauer. Të dielën ajo tha në Kosovë se ka sfida të reja që i vijnë këtij rajoni. “Ne ndiejmë një ndikim në rritje të Rusisë dhe Kinës”, u shpreh Kramp-Karrenbauer.

Komisari i ri për zgjerimin e BE, hungarezi Oliver Varhelyi ka deklaruar se në fillim të janarit 2020 Komisioni Evropian do të paraqesë një propozim konkret, për të ndryshuar metodologjinë e zgjerimit të BE. Por sipas burimeve të DW, Varhelyi shtoi se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk është në pikëpyetje, ajo “nuk do të diskutohet.” Për ta konfirmuar këtë ai tha se do të hapet një kapitull i ri i negociatave të BE me Serbinë. Këto janë deklarata të rëndësishme tëpolitikanëve gjermanë dhe evropianë që kërkojnë që reformimi i BE të bëhet paralelisht me zhvillimin e negociatave.

A pritej në Gjermani përsëritja e deklaratës së bllokimit të nisjes së negociatave nga Macroni?

Berlini ka deklaruar se e mbështet Macronin në kërkesën për reformimin e procesit të zgjerimit të BE, por kërkon që premtimet e dhëna vendeve kandidate për nisjen e negociatave të mbahen. Njëkohësisht një zyrtar gjerman citohet në mediet evropiane me fjalët se Macroni po ushtrohet në “Trampizëm intelektual”, se ai ka zbuluar një preferencë për iniciativa destabilizuese, që habisin edhe nëpunësit e tij. Kjo flet për faktin se deklaratat e Presidentit francez në Gjermani i irritojnë zyrtarët, por i habisin pak.

Dritë në fund të tunelit?

Gjasat që Franca t’i përmbahet në vazhdimësi bllokimit të nisjes së negociatave me kandidatët nga Ballkani janë padyshim reale. Por më reale duket këmbëngulja e Macronit për ta ngadalësuar të gjithë procesin e afrimit të kandidatëve me BE deri në një pikë të caktuar: deri atëherë sa Francës, e cila mendon se nga zgjerimi i BE përfiton në radhë të parë Gjermania, t’i ofrohen lëshime në fronte të tjera të politikës evropiane, ku deri tani mbështetja gjermane për idetë franceze ka qenë e vakët. P.sh. për bashkimin bankar në Eurozonë, ku Gjermania ka sinjalizuar së fundi zbutjen e qëndrimit të saj me një propozim që paraqiti. Ose për një buxhet më të madh për eurozonën. Bllokimi francez i disa proceseve në BE erdhi pikërisht kur Presidenti francez u ndje i pambështetur në vrullin e tij për të reformuar Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, duke qenë se samiti i ardhshëm i BE në Zagreb do të mbahet në maj të 2020-ës, pra pas zgjedhjeve komunale të marsit në Francë, qëndrimi i Macronit mund të ndryshojë. Dihet se Macroni nuk do të rrezikojë asgjë. Aq më tepër kur për zgjedhjet, në fshatrat e Francës lëvizja e tij En Marche ka bazë të dobët. Kjo nënkupton që Macroni të mos dëmtohet më parë nga protestat e këtyre ditëve në rrugët e Francës. Deri atëherë, Komisioni Evropian dhe Gjermania do të vazhdojnë negociatat me Presidentin francez.

dw

AKE Maqedoni: 5G nuk është i dëmshëm për shëndetin

AKE-MKQytetarët të mos kenë frikë nga teknologjia 5G. Nuk ka asnjë bazë për pasoja mbi shëndetin e njeriut, sigurojnë nga Agjencia për komunikime elektronike. Pas paralajmërimeve për aplikimin e kësaj teknologjie në nivel global, shoqatat e qytetarëve ngritën shqetësime dhe kërkuan fillimisht të kontrollohet ndikimi i kësaj teknologjie, e më pas të aplikohet. Edhe tek ne qytetarët me ankesa të shumta deri tek AKE për teknologjinë 5G.

“Në mediume mundeni të lexoni informacione të ndryshme rreth teknologjisë 5G se ajo është e ndaluar për shkak të dëmeve etj, por e gjithë kjo është spekulim. Absolutisht nuk ka bazë që qytetarët të kenë frikë nga këto teknologji të reja. Dhe në fakt këtë duam edhe ta dëshmojmë. Çdo ditë marrim porosi nga qytetarët të bëjmë matjen dhe gjithë këto spekulime në mediume ndikojnë te qytetarët të krijohet pasiguri, madje edhe për stacionet bazë që tashmë ekzistojnë”, tha Sasho Dimitrijovski, drejtor i AKE-së.

Që kjo teknologji të bëhet realitet në vend, në periudhën e ardhshme duhet të bëjë ndryshimin e ligjet dhe të bëhet hartë për rrjetet ekzistuese, thonë nga AKE.

“Për aplikimin e saj do duhet të pritet edhe një kohë. Deri në fund të vitit të ardhshëm Agjencia do i shpallë tenderët për 5G dhe shpresojmë se deri në fund të vitit ky proces do mbarojë, pastaj do mbetet puna e operatorëve kur ato do jenë të gatshëm ta zbatojnë”, pohoi Sasho Dimitrijovski.

Teknologjia 5G është gjenerata e pestë e komunikimeve celulare. Me te dukshëm do të rritet shpejtësia e transmetimit të të dhënave. Gjithashtu, me aplikimin e saj do duhet të zvogëlohen vonesat, shpenzimi i energjisë dhe çmimet.