Të ballafaquar me reagimin e ashpër të shqiptarëve në media dhe rrjete sociale, të revoltuar nga lehtësia mospërfillëse me të cilën, vet partneri qeveritar, presidenti i shtetit, dhe partitë e tjera, votuan rëzimin e qeverisë Kurti, në situatën kur edhe shqiptarët si gjith bota ballafaqoheshin me sfidat tanimë të një pandemie të rezikshme të COVID-19, krerët e këtyre partive, në veçanti Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, ndjenë nevojën urgjente për përkrahje publike nga mikut i tyre, ambasadori i z. Donald Trump, z. Richard Grenell. Dhe ja, pasoi deklarimi publik i Z. Grenell, në formë të një interviste, të cilën ja dha kujt tjetër, pos gazetarit kontraverz z. Berat Buzhala, ish deputetit i PDK, drejtor i përgjithshëm i Gazetës Expres dhe televizionit T7.
Intervistës i parapriu hyrja që i bëri vet z Buzhalla, i cili me sjelljen e tij prej aroganti të “gjithëditur”, të vetëkënaqur, provincial, dhe me sjelljen prej avokati të z. Grenell, shpalosi para opinionit shqiptar te pavërteta lehtësisht të verifikueshme në mediat prestigjioze botërore. Z. Buzhala, pranoi sjelljen konfliktuale të z. Grenell, gjatë misionit të tij si ambasador kontraverz i SHBA në Gjermani, por në vazhdim dezinformoi publlikun duke deklaruar se “me kalimin e kohës, qeveria gjermane është zbutur në raport me z. Grenell, dhe ky i fundit ka filluar të bashkëpunojë me qeverinë e Gjermanisë”, aq sa me kancelaren Merkel kanë arritur të bisedonin për vizat e Kosovës. Githashtu, se “Gjermania ju është bindur kërkesave amerikane dhe bashkëpunon me SHBA sa i përket rrjetit 5G…”! Ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe. Z. Grenell disa herë gjatë vitit 2019 (janar, mars dhe maj 2019, DW), bile herën e fundit pikërisht me kancelaren gjermane, hyri në konflikte te panevojshme, duke nxitur kështu vazhdimisht zemërimin e opinionit gjerman. Ndërkaq, sa i përket rrjetit 5G, Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian qartazi u rekomandoi anëtareve të saj kufizimin, por jo ndalimin e përfshirjes së Huawei në zhvillimin e rrjetit 5G, në kundështim me insistimn e administratës së z. Trump, dhe z. Grenell si përfaqësues i tij në Gjermani. Britania tanimë i ka lejuar kompanisë kineze Huawei një pjesëmarrje maksimale prej 35 përqind në pjesët jo-ndjeshme të infrastrukturës së saj 5G, ndërkohë që sekretari i shtetit Mike Pompeo përjashtoi çdo ndryshim në ndarjen e inteligjencës midis Uashingtonit dhe Londrës.. Ndërsa Franca tanimë autorizoi përdorimin e disa prej pajisjeve të Huawei në rrjetin e saj 5G, ndërkohë që Huawei planifikon fabrikën e parë evropiane 5G në Francë.
Grenell me naivitet të përzier me arrogancë, të padenjë për një diplomat ngatërroi dhe keqpërdori besimin e verbër të shqiptarëve ndaj popullit dhe shtetit amerkan, duke e marrë si të mirëqene atë për t’i dhënë të drejtë vetes që t’u drejtohet atyre me harbutëri dhe të pavërteta. A thua se shqiptarët do të besonin me kaq lehtësi absurdin e deklaruar në intervistë, se taksa 100% nuk e dëmtoka ekonominë serbe, por “më së shumti” ekonomine e Kosovës!?
A thua se shqiptarët do te besonin fjalën e Grenellit në përkrahje të një bande të koruptuarish dhe kriminelësh, në vend se të Albinit, i cili mund të jetë kokëfortë, por kurrë mashtrues. E si ta besonin shqiptarët z. Grenell se nuk ka patur marrëveshje të fshehta mes z. Thaçi dhe z. Vuçic, dhe mes tij dhe këtyre politikanëve tanimë pa mbështetje në popull, kur i njëjti i ka kërkuar z. Kurti një zotim ndryshe nga ai publik që ua kishte dhënë shqiptarëve, dhe për të cilin kishte marrë edhe votat e tyre? Nuk do ishte kjo një marrëveshje e fshehtë mes z. Grenell dhe z. Kurti?
Si të besonin shqiptarët z. Grenell, i cili në intervistën e tij, tentoi t’i bindi shqiptarët se kapja e shtetit nga krimi i organizuar, nga pushtetarët hajdutë, të korruptuar, injorantë dhe të paaftë, me të cilët z. Grenell “nuk ka bërë marrëveshje te fshehta”, nuk dëmtojnë ekonominë e Kosovës, nuk pengojnë hapjen e vendeve të reja të punës, dhe nuk shkaktojnë ikjen masive të të rinjve. Por këto i shkakton, tani më jo taksa 100%, heqjen e të cilës nuk e diskutoi asnje udhëheqës partie, perfshirë edhe atë që e vendosi dhe deri dje ulërinte për të mos e hequr, por reciprociteti në marrëdhëniet me Serbinë, kriter i përdorur gjërësisht në të gjithë botën në marrëdhëniet mes shteteve!?
Intervistën e z. Grenell e mbylli pyetja qe i befasoi të gjithë. Nuk e dime se kujt nga “local sheriffs” i shkoi mendja për këtë “ide briliante” për t’ua mbyllur gojën shqiptarëve të revoltuar duke i kërcënuar me temën e homofobisë, por një gjë dihet mirë – Buzhalës jo se nuk i pjell mendja për keq, por është një frikacak që kurrë nuk do të merrte guximin që z. Grenell t’i parashtojë një pyetje të tillë. Aq më tepër, “proamerikanëve” nuk u shkoi mendja që gjatë propozimit të kësaj ideje briliante, ta informonin “captain america” (verzioni gay) se shqiptarët kanë natyrë të ashpër, dhe si të tillë nuk i japin peshë fjalëve të një gruaje. Bile shoqëria shqiptare konsideron si një plagë të shoqërisë trajtimin që shkon deri në dhunë ndaj gruas, fenomen negativ të cilin ne shqiptarët mundohemi ta luftojmë me cdo kusht. Ndoshta kjo është dhe arsyeja që homoseksualizmi akoma konsiderohet si fenomen i huaj për këtë shoqëri, që nuk trajton as gruan ashtu si duhet, e lere më homoseksualët. Por nga ana tjetër, shqiptarët, krahasuar me fqinjët janë treguar goxha tolerantë ndaj këtij fenomeni, së paku krahasuar me Serbinë, ku paradat e homoseksualëve sulmohen regullisht nga qytetarët e tjerë dhe ushtrohet dhunë mbi ta. E po aq tolerant dhe i qytetruar u tregua edhe Kryeministri ynë, i cili nuk ndoqi shembullin e kryeministrit të shtetit fqinj ish IRJM, i cili, i trembur dhe në zemërim e sipër që një homoseksual i afërt me qeverinë, arriti të koruptonte qeveritarë, e deri edhe kryeprokuroren speciale, duke rrezikuar seriozisht qeverinë, publikisht, para kamerave te medias deklaroi: “nuk do të lejoj që ca kriminelë, një gazetar koti, dhe një pederast, ta rëzojnë qeverinë”
Albini s’kishte si ta shpëtonte qeverinë e koalicionit, të vetmen qeveri kombetare të pas luftes, me gjithë hendikepin e ministrave komplotist të LDK-së. S’kishte si ta shpëtonte atë qeveri koalicioni, i rrethuar nga banda e kriminelëve politikë që e kishin rrethuar, ndërkohë që i kishte edhe brenda! Por ama luften per ta mbrojtur atë e beri ashtu si di ai, me parime, burrëri, dinjitet dhe atdhetari! E bëri, duke ua çjerrur maskat gjithë hajdutëve dhe “pro-amerikanëve” të mbledhur atë ditë ne Kuvend, duke pretenduar për kauzë te drejte në mocionin e mosbesimit të qeverisë së koalicionit. Dhe me këtë ai fitoi besimin edhe më shumë shqiptarëve, që deri atë ditë ishin të lëkundur. Është pikërisht kjo që tmeroi Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin, dhe që çoi deri tek vendimi absurd i Gjykatës Kushtetuese për shpalljen të paligjshëm vendimin e qeverisë Kurti për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve si e vetmja mase e këshilluar edhe nga OBSH si të vetmen mbrojtje nga përhapja e COVID-19!
Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim që të shfuqizojë tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe të fillojë me zbatimin e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se vendimi obligon që në marrëdhëniet me Serbinë, emërtimet te certifikatat fitosanitare dhe dokumentet tjera përcjellëse si dhe në certifikatat veterinare dhe dokumentet tjera përcjellëse të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës.
“Vendimet e miratuara janë të obliguara t’i zbatojnë policia kufitare, dogana, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe institucionet e tjera përgjegjëse”, thuhet në një komunikatë nga zyra për media e Qeverisë së Kosovës.
Gjatë një konference, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari, kanë deklaruar se vendimi mbetet në fuqi deri më 15 qershor me ç’rast do të bëhet një vlerësim i gjithëmbarshëm i mbarëvajtjes së vendimit.
“Ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor, me ç’rast ne do ta bëjmë një vlerësim të gjithmbarshëm të asaj se si ka ecur mbarëvajtja e këtij vendimi sa i përket zbatimit, pra sa i përket implementimit. Me këtë rast, nuk do të mjaftohemi vetëm me vlerësimin e gjithmbarshëm më 15 qershor, por pika 3 e këtij propozim-vendimi thotë që zbatimi dhe përshtatshmëria e këtij vendimi do të rishikohen së paku një herë në muaj. Pra në mënyrë periodike, por së paku një herë në muaj, do të rishikohen duke mbledhur të dhënat nga zyrtarët tanë doganorë se si eci puna e reciprocitetit”, tha Kurti.
Kurti ka thënë se ashtu siç është premtuar, së pari është bërë gjesti i vullnetit të mirë për heqjen e tarifës 100 për qind në lëndën e parë, për të vazhduar me zëvendësimin e tarifës 100 për qind me reciprocitetin me Serbinë, duke e bërë këtë zëvendësim të sigurt dhe gradual.
“Në ketë rast ne i referohemi vetëm reciprocitetit me Serbinë që do të thotë me Bosnje e Hercegovinën e heqim tarifën 100% pa asnjë shtesë tjetër”, tha Kurti.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari, tha se ky vendim është i bazuar në shumë argumente.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqje të tarifës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
“Bashkëpunimi rajonal është kyç ashtu si është tregtia e lirë, në një kohë krize si tash me përballjen me COVID-19″, tha ai në Twitter.
Ndërkaq, ish- kryemistri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se heqja e taksës 100% për Vuçiqin e Serbisë e Dodikun e Republikës serbe të Bosnjës, është nënshkrim i dhënë për të lejuar ripushtimin ekonomik e tregtar serb në Kosovë.
“Me këtë mashtrim, Kurti ia humbi përfundimisht Kosovës kapitalin politik të krijuar me taksën 100%, i cili ishte dizajnuar të përdoret në këmbim të marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai në Facebook.
Zyrtarë të Doganave të Kosovës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të zbatojnë çdo vendim të Qeverisë së Kosovës.
Adriatik Stavileci, në një prononcim për REL, thekson se Dogana vetëm pret udhëzimet nga Qeveria e Kosovës.
“Normalisht, Dogana zbaton masat që merr Qeveria e Kosovës. Normalisht edhe vendimin për reciprocitet dhe secilin vendim të Qeverisë së Republikës se Kosovës, Dogana do të respektojë në maksimum”, tha ai.
Që nga heqja e taksës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, Stavileci tha se në Kosovë kanë hyrë mallra në vlerë prej rreth 1 milion euro.
Ndryshe, tarifën doganore 100 për qind e kishte vendosur Qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018.
Që nga vendosja e taksës për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, importi nga këto shtete ka rënë për 99 për qind.
Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018 – kur u vendos taksa 100 për qind – gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo rreth 450 milionë euro brenda një viti.
Taksa 100 për qind për importet nga Serbia ka ndikuar që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërpritet.
Kundër kësaj takse, që nga vendosja e saj, ishin deklaruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi që nga ajo kohë, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë.
Një masë reciprociteti ndaj Serbisë, Kosova e kishte aplikuar edhe në korrik të vitit 2011.
Kjo masë e reciprocitetit në atë kohë ishte marrë pasi që Serbia për tre vite pas shpalljes së pavarësisë në Kosovën në vitin 2008, kishte bllokuar mallrat nga Kosova për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.
Albin Kurti e ka quajtur të pabesueshëm nënshtrimin e disa zyrtarëve të LDK-së ndaj, siç tha ai, agjendës së presidentit Hashim Thaçi.
Në intervistën dhënë në emisionin “Desku” në KTV, Kurti foli për atë që ngjau para dhe pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë që drejton ai.
Ai foli për disa zyrtarë të LDK-së që nuk garuan në zgjedhje, por që u fuqizuan brenda partisë pas takimit me ambasadorin amerikan Richard Grenell.
“Për mua nuk ka shpjegim tjetër ky lloj nënshtrimi ndaj agjendës presidenciale, të mos jesh askund kundër presidentit, e të marrësh fjalën në seancën e mocionit të mosbesimit e ta akuzosh kryeministrin për tone bolshevike, është e papranueshme”, tha Kurti duke iu referuar ish-zëvendësit të tij, Avdullah Hoti, që u shkarkua menjëherë pas fjalimit në Kuvend.
Ai përsëriti edhe çështjen që e nxiti gjithë këtë – iniciativën e presidentit Thaçi për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.
Sipas Kurtit, Thaçi dështoi në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.
“Nuk arriti ta bëjë dekret presidencial dhe ta çojë në Kuvend, presidentit të Kosovës i nevojitet një kryeministër tjetër, që nuk ia kundërshton intencën për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme”, tha Kurti.
Ai iu kthye edhe çështjes që ngriti në seancën për mocionin, kur tha se “Janë transkriptet nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë”, duke dashur të vërtetojë atë që po thoshte për presidentin. Por pak minuta më vonë, vetë ai bëri të ditur se “transkriptet nuk ekzistojnë më shkaku i një defekti në hard-disk”, duke shtuar se “kapja e shtetit po vazhdon”.
“Transkriptet nuk dashur as t’i lexoj e as t’i publikoj, por jam i alarmuar pse paska qenë një problem në hard disk. Por kujtimet i kemi aq të freskëta, të gjithë janë të gjallë. Presidenti, pa asnjë të vdekur nga koronavirusi, me vetëm 19 të infektuar, synoi të shpallte gjendje të jashtëzakonshme. Janë dy arsye: Sipas nenit 131 të Kushtetutës, pika 7, praktikisht presidenti merr kontrollin me ushtrinë dhe e shpor ministrin e Mbrojtjes, kurse me nenin 131, pika 8 e merr kryesimin e Këshillit të Sigurisë dhe e nxjerr nga loja kryeministrin. Ai s’po pajtohet me kompetencat ceremoniale që ka, por le t’i kthehet garës në zgjedhje nëse ka dëshirë për pushtet” ka thënë Kurti për presidentin Thaçi.
Sipas tij, Thaçi e humbi debatin në Këshill të Sigurisë, por këtu nuk ishte fundi i absurditetit. Ai tregon se Thaçi në mbledhje lavdëroi punën e Policisë, kurse pak orë më vonë përmes dekretit për gjendje të jashtëzakonshme deshi të marr kompetencat e Policisë, duke nxjerr ushtrinë në rrugë.
“Nuk ekziston asnjë detyrë që nuk e kanë kryer institucionet tona, gjendja e jashtëzakonshme është një akt gati i dëshpërimit, kur nuk funksionin sistemi. Por te ne nuk ishte situata”, tha Kurti.
Kurti do t’i shkojë në takim nesër Thaçit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, konfirmoi në emisionin DESKU në KTV se do t’i shkojë në takim presidentit Hashim Thaçi.
Por ai tha se s’do të shkojë për konsulta me të, por për t’i paraqitur qëndrimin e tij se s’jemi në situatë paszgjedhore.
“Këshilltarët e mi ligjorë, e kanë pasur për detyrë ta vlerësojnë ftesën e presidentit, dhe sugjerimi i tyre është që të shkoj në takim nesër, dhe unë do të shkoj si kryeministër në detyrë që ta paraqes në hollësi qëndrimin tim, duke mos e konsideruar si konsultim për qeveri meqenëse ai do të ishte një lloj shkeljeje e Kushtetutës, sepse s’jemi në situatë pasgjedhore”, konfirmoi Kurti.
Kurti tha se presidenti po sillet thuajse 25 marsi është 3 shkurti, “thuajse unë s’jam zgjedhur asnjëherë kryeministër”.
Ai tha se Presidenti ka dashur që më 3 shkurt unë të mos zgjidhem, duke i ftuar në drekë pakicat joserbe në mënyrë që ata të mos marrin pjesë në votimin për kryeministër.
“Në paraditen e 3 shkurtit, pakicat joserbe i ka thirrur për takim presidenti dhe ju ka thënë ejani shkojmë për drekë në Brezovicë e mos rrini në Kuvend sepse do të dështojë Kurti, e pastaj në herën e dytë do ta kemi dikë të LDK-së ku ju do të merrni shumë më shumë se që ju ka ofruar Kurti. Këta s’i kanë besuar dhe unë u zgjodha. Më 3 shkurt unë jam zgjedhur kryeministër, më 25 mars kishim mocionin e mosbesimit, dhe meqenëse Kushtetuta s’e parasheh mocionin konstruktiv të mosbesimit, kur ti e rrëzon një qeveri e propozon një qeveri alternative, të gjithë ata që shkojnë në mocion, shkojnë me idenë e zgjedhjeve të reja. Dhe sot presidenti s’ka mjete kushtetuese në dorë që të na thotë neve se nga kjo përbërje e Kuvendit duhet të formojmë një qeveri të re. Për mua kjo është situatë absurde. Është neni 83 pika 2 ku duhet të fokusohet presidentit, e jo në nenin 95. Takimi që kisha herën e fundit me presidentin, ishte më 13 mars, dhe kur e mendoj, përveç të premten i 13 dhe 1 prilli, janë datat e përshtatshme për ta takuar atë”, u shpreh Kurti.
“Unë besoj që më e drejta dhe më e mira është 100% të gjithë ne të përqendrohemi në muajin prill të luftojmë koronavirusin. Presidenti do të duhej ta caktojë në konsultim me partitë, datën e zgjedhjeve, e jo të provojë të formojë qeveri, sepse një president ceremonial, nuk formon vullnet politik as nuk drejton vullnet politik, dhe zgjedhjet të mbahen diku kah mesi i qershorit. Kushtetuta jonë nuk ofron rrugë tjetër. Nevojitet kuvend i ri për qeveri të re. Presidenti e ka shprehur intencën e tij, herë thotë qeveri uniteti e herë teknike, sikurse janë sinonime. Ai dëshiron një qeveri që s’do të jetë qeveri në mënyrë që ky të jetë më shumë se president. Këtë do t’ia bëj të qartë nesër paradite”, theksoi kreu i VV-së.
“Nuk mund ta kuptojmë situatën pa e bërë dallimin mes kryeministrit të dorëhequr dhe qeverisë në detyrë. Karrigia e kryeministrit nuk është e zbrazët, dallon substancialisht nga kryeministri i dorëhequr, siç ishte rasti i Haradinajt. Kemi qeveri në detyrë që do të jetë boshti i luftimit të koronavirusit, deri në zgjedhjet e reja. Unë do t’i respektoj aktgjykimet kushtetuese. Unë s’dua të jem me çdo kusht kryeministër. Shpresoj që s’do të llogarisin në ndonjë gabim teknik të nenit 95 pika 5, ku në vend që të shkruajë partia, siç thuhet partitë politike apo koalicioni që i ka fituar zgjedhjet”, theksoi ai.
Në pyetjen nëse Presidenti ia jep mandatin LDK-së për ta formuar një qeveri tjetër, Kurti tha se do t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese për të cilën tha se do ta rrëzonte atë qeveri.
“Nuk ka mundësi të bëhet qeveri pa të parin. Këtë e thotë aktgjykimi i vitit 2014. Jo që na ka pëlqyer neve ai vendim, por është fakt real që e ka orientuar edhe garën politike e edhe koalicionet pas zgjedhjeve. Pas mocionit të mosbesimit, unë besoj që s’ka zgjidhje përveç se kthimi te sovrani. Populli më 6 tetor ka votuar për partinë fituese për të formuar qeverinë. Ky mocion që e rrëzoi qeverinë, e ka të domosdoshme kthimin tek qytetarët sepse s’mund të sajojmë një Frankenshtajn qeveri. Kuvendi e ka rrëzuar qeverinë, por edhe veten për një qeveri të re. Nëse unë do të jepja dorëheqje, do të ishte ndryshe situata”, u shpreh ai.
Për gjuhën e zyrtarëve të VV-së, gjegjësisht për Agim Bahtirin, që bëri thirrje për vëllavrasje, Kurti tha se “së pari, ta themi qysh në fillim që unë s’jam fare dakord me atë deklaratë”.
“Ajo s’na ndihmon, përkundrazi. Së dyti, është interesant se si prokurorët menjëherë i shkuan në derë Bahtirit, por nuk i trokiti askush Presidentit. Kjo tregon se shteti vazhdon të jetë i kapur. Së treti, unë besoj që njerëzit duhet t’i ruajnë nervat dhe ta gjejnë madhështinë për të tejkaluar frustrimin që ka shkaqe të shumta. Jo të gjithë që shpërthejnë, shpërthejnë jo vetëm për atë që e shprehin. Është njëfarë indinjate në popull, dhe kjo po shpërthen në një pikë që po e zbraz kupën në aktualitetin tonë politik. I ftoj ta ruajnë qetësinë, t’i ndalin sulmet, e të jemi bashkë – armiku kryesor është koronavirusi”, potencoi kreu i VV-së, Albin Kurti.
Kurti: Le t’i publikojë Grenelli mesazhet ku i kam thënë se e heq taksën pa reciprocitet
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se në takimet me ambasadorin Richard Grenell, asnjëherë nuk ka thënë se do ta heqë tarifën, pa reciprocitet.
“Kanë qenë dy takime me Grenellin, një në tetor dhe një në janar, në të dyja ka qenë temë tarifa. Në të dy takimet e kam mbajtur qëndrimin e njëjtë, por ambasadori Grenell ka mundur t’i paraqesë mesazhet ku unë thënë se e heq tarifën pa reciprocitet. Natyrisht se s’ka mesazh të tillë. Unë vazhdimisht kam thënë se tarifën duhet ta zëvendësojmë me reciprocitet, asnjëherë s’kam vënë pikë në fjali duke thënë se duhet ta heqim tarifën. Ambasadori Grenell ka mundur ta shohë ndonjë pikë timen si presje. Nëse ka ndonjë politikan që dihet si mendon, jam unë. E dini, presidenti serb Vuçiqi që tha s’kemi trysni nga amerikanët. Nuk e di si erdhëm në këtë situatë ku Kosova, që ka për kryeministër dikë që ishte në burgjet e Millosheviqit ka pakrahasueshëm më shumë trysni sesa Serbia që duket se s’ka trysni fare e e ka për president një që ishte ministër i Millosheviqit. Si erdhëm në këtë situatë?”, tha Kurti në emisionin DESKU të KTV-së.
Ai tha se trajtimi ndaj Kosovës ka qenë jofer nga bashkësia ndërkombëtare.
“Nga gushti i vitit të kaluar, shtetet e Quintit kanë nxjerrë një deklaratë të përbashkët me këto dy fjali: Kosova të pezullojë taksën, e Serbia të pezullojë fushatën për çnjohje. Kjo e dyta ra, ambasadori Grenell erdhi në Prishtinë e shkoi në Beograd, dhe nuk e di bash në cilën ditë ra kjo fjalia e dytë, por unë besoj që pasi ne po e heqim nesër tarifën e ta vendosim reciprocitetin, shpresoj që faktori ndërkombëtar t’i thonë Serbisë e të thonë publikisht se edhe ajo e po e heq fushatën kundër Kosovës”, u shpreh kryeministri në detyrë.
Kurti tha se takimet me ambasadorin amerikan i ka pasur të rregullta, madje tha se një të tillë e ka pasur edhe sot.
“Sot jam takuar me Kosnettin dhe kemi biseduar për fushatën tonë kundër koronavirusit, dhe i kam treguar se do ta propozoj në Qeveri propozim-vendimin për masat e reciprocitetit për zëvendësim të tarifës. Kemi diskutuar edhe për pakon fiskale dhe për nevojën për likuididet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Unë pajtohem aq shumë me secilin zyrtar amerikan, por s’do të thotë që pajtohem me gjithçka. Nuk është faji im që ajo për të cilën s’po pajtohemi, ajo po bëhet aq e madhe. Kjo fushata për të thënë antiamerikanizmin tim, është banale. Keni vërejtur se më quajnë marksist e bolshevist. Por këta janë duke i fyer amerikanët, sepse dëshirojnë të tingëllojnë në veshin e tyre me fjali shumë të thjeshta duke i konsideruar amerikanët aspak të sofistikuar”, theksoi Kurti.
Ai tha se Kosovës i nevojiten edhe SHBA-ja edhe BE-ja dhe shtoi se s’ka zëvendësim për to. “Pa SHBA-në s’mund të kemi mbrojtje nga Rusia”.
Tutje, Kurti tha se Gjermania dhe Franca e kanë mbështetur qeverinë e tij.
“Gjermania dhe Franca e kanë mbështetur qeverinë tonë. Këto si dy vende kryesore të BE-së, pas Brexitit, duhet të përshëndesim edhe mbështetjen e MPJ-së së Spanjës, e cila, në vend që të shihet si pozitive në Kosovë, filluan të thonë se Borrelli e Lajçaku janë me Albinin, e ne jemi me Grenellin. Këto janë lojëra fëmijësh, më shumë janë sulme që e sulmojnë dëgjimin e njeriut e të të menduarit, sesa që na shërbejnë për të ecur përpara. BE-ja e ka krizën e vet, por do të kalojë pandemia, e neve na nevojitet të ecim sa më shpejt në drejtim të Brukselit, por duhet ta rregullojmë vendin tonë. Duke qenë se BE i merr vendimet me konsensus, me siguri se kjo e bën shumë frustruese situatën. Të gjithë ne jemi shumë të zhgënjyer për vonesën e liberalizimit. S’e di a do të mbahet samiti i Zagrebit. Sido që të jetë, nga BE kemi çfarë të përfitojmë. Ndihma e fundit 5 milionëshe i parapriu ndihmës prej 75 milionë eurove për filtër të Kosovës B, që është keq që u përmend pak. BE-ja është ndihmës i madh i shtetit tonë, ani pse pesë shtete s’na e njohin pavarësinë. BE-ja ka nevojë për reformë të dyfishtë, edhe brenda vetes, e edhe duke u zgjeruar. Kemi Holandën dhe Danimarkën, dy vende shumë skeptike, dhe nuk besoj që do të mund të bëjmë punë të madhe me ta, sa do të mundej Gjermania”, potencoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Dy mosnjohjet e LDK-së sipas Kurtit: fitorja e VV-së dhe kontributi i Vjosa Osmanit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vlerëson se partneri i koalicionit, LDK-ja, nuk ishte e sinqertë në bashkëpunim.
Në intervistën dhënë në “Desku” të KTV-së, ai ka thënë se te LDK-ja kishte zyrtarë që nuk kishin as vullnet e as dëshirë, e që fatkeqësisht sipas tij, kishin shumë fuqi si në parti ashtu edhe në Qeveri.
“Unë besoj që te një pjesë e partnerit tonë të koalicionit, nuk ka ekzistuar as vullneti as dëshira për koalicion dhe ata fatkeqësisht patën shumë fuqi, edhe në parti edhe në Qeveri. Në programin qeverisës ishte e qartë se si duhej të ecej para”, tha Kurti.
Sipas tij, tarifa e përdorur nga LDK-ja si arsye për rrëzim të Qeverisë nuk ekziston.
“Tarifa mund të ketë qenë flamuri i kundërshtarëve, jo shkaku i kundërshtimit”, ka shtuar ai.
Kurti ka treguar edhe për tarifën e shumëpërfolur. Ai beson që tarifa do të hiqet sonte në mesnatë.
Ministrat kanë afat të votojnë për heqje ose jo deri pak pas orës 22:00. Mbledhja po mbahet me korrespodencë.
“Në 22.06 përfundon votimi në mbledhjen me korrespodencë, sonte besoj do të hiqet tarifa në mesnatë. Duhet t’i kemi 9 vota për, jemi 17 anëtarë tash”, tha i pari i Ekzekutivit.
Ai u ndal disa herë rreth çështjes LDK. Sipas tij, edhe sot po të kthehej puna nga fillimi nuk do të kishte mundësi të arrihej dakordimi.
“Nuk ka qenë e mundur të ketë dakordim, edhe sot të kthehemi nuk besoj. Ata përfunduan te qëndrimi se duhet të hiqet tarifa pa reciprocitet. Në Qeverinë tonë nuk e kishim Vjosa Osmanin, e cila po ashtu kishte garuar me tezen për zëvendësimin e tarifës me reciprocitet. Nuk thuhej se duhej të ndryshohej programi qeverisës, por thuhej ndryshoje ti”, ka thënë Kurti.
Ai foli edhe për mënyrën se si bëri sipas tij, LDK-ja presion, duke përdorur kartën me SHBA-në.
“LDK-ja vazhdimisht e ka bërë konkrete këtë gjë, se SHBA do të tërheqë trupat, do të izolohemi, etj. E pyeta gjeneralin Risi, një njeri që e do edhe Kosovën edhe punën e vet, dhe tha se kurrfarë kërkese për tërheqje trupash amerikane nuk ka, është përdorur si mjet për shpërndarje paniku”, shtoi ai.
Kurti foli edhe për zërat nga SHBA-ja për tërheqje trupash, por sipas tij ishin pak.
“Ishte një senator që e tha në mënyrë eksplicite. Por në SHBA janë 104 senatorë e 404 kongresistë. Unë besoj që ata (LDK-ja v.j.) kanë qenë të interesuar të tërhiqen nga ky koalicion”.
Kurti tha se qysh para lidhjes së marrëveshjes për koalicion ndjente njëlloj mosbesimi e dëshirë nga ana e LDK-së. Porse ishte siguruar se ka besimin.
“E kam ndier njëfarë sikleti të madh që VV-ja doli e para. Ata kanë qenë shumë të bindur se do të dalin të parët. Janë dy mosnjohje të thella këtu: VV-ja i fitoi zgjedhjet dhe vazhdimisht thoshin të balancohemi, e keni vetëm një deputet më shumë. Por e kemi ditur se ne nuk do të fitojmë për 20 për qind, diferenca do të jetë e vogël. Aktgjykimi i Gjykatës na diktonte se kush del i pari merr shumë. Mosnjohja tjetër është se zonja Osmani është ajo që e ka shpëtuar nga pozicioni i tretë, ata nuk do të dilnin as të dytët”, tha Kurti.
Kurti: Presidenti s’është i kënaqur me kompetencat kushtetuese, dëshiron të jetë politikan ditor
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është i kënaqur me kompetencat kushtetuese që i ka.
“Raporti me Zyrën e Presidentit është i vështirë sepse presidenti nuk është i kënaqur me kompetencat kushtetuese që i ka, ai do të duhej të bëhej fer dhe të hyjë në politikë. Presidenti ka rol ceremonial, e ka rolin e një noteri shtetëror. Dhe në këtë kuptim, zelli i presidentit për politikë ditore, gjen vend në parti politike, e jo në kolltukun presidencial. S’duhet të kesh tendenca për të drejtuar a formuar vullnete politike. Nuk i takon atij të na tregojë se çfarë qeverie na nevojitet neve. Ai dëshiron të jetë më shumë se president që e parasheh Kushtetuta. Ose ta ndryshojmë Kushtetutën, gjë që s’bëhet, ose të hyjë në politikën ditore e të bëjmë garë”, u shpreh Kurti.
Sipas tij, as raportet me bashkësinë ndërkombëtare nuk kanë ndryshuar, duke thënë se takimet e rregullta me ambasadorët e jashtëm vazhdojnë dhe temë kryesore është luftimi i shpërndarjes së koronavirusit, por edhe çështje tjera.
Albin Kurti tha se me miratimin e Pakos emergjente fiskale po synohet të parandalohet rënia e madhe ekonomike e Kosovës.
“Pakoja emergjente fiskale, shpresojmë që do ta parandalojë rënien e madhe ekonomike të vendit, por besoj që puna që ka bërë ministri Besnik Bislimi, është më e mira, jo vetëm në rajon. Sa i përket pakos, ka një ngjyrë të fuqishme sociale që thotë se ne kujdesemi për të gjitha shtresat e popullsisë. Nuk i lëmë anash as punëtorët e as ndërmarrësit, dhe ky balancim mendoj se është bërë më mirë se kudo tjetër. Me këto masa, besoj që jemi para të tjerëve. Për pakon fiskale nevojitej më shumë analizë, e bëmë më vonë se të tjerët, por ka dalë më mirë. Në momentin që IKSHPK na solli raportin se duhet t’i mbyllim shkollat, ne të njëjtën ditë kemi vepruar dhe s’kemi bërë gabimin e shteteve tjera. Për shëndetësi i kemi marr vendimet menjëherë, ndërsa për ekonominë kemi pritur ca, por të dyja kanë dalë shumë mirë”, u shpreh kreu në detyrë i ekzekutivit të Kosovës, Albin Kurti.
Megjithatë, ai tha se është i vetëdijshëm se nuk do të kënaqen të gjitha palët me këtë pako.
Kurti: Me LDK-në po funksionojmë si qeveri, por s’mund të them se jemi në koalicion
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në emisionin DESKU të KTV-së, foli për marrëdhëniet brenda qeverisë pas mocionit të mosbesimit.
Kurti tha se qeveria në detyrë po funksionon shumë mirë duke i zbatuar detyrat sipas programit qeverisës.
“Sot isha bashkë me dy ministra të LDK-së dhe një të VV-së, në Qendrën e Studentëve e shndërruar në karantinë. Aty takuam të gjithë ata që po i ndihmojnë ata që dyshohet se janë të infektuar me koronavirus. Nuk ka kurrfarë tensioni midis neve, dhe besoj që jemi me fat që i kemi këta ministra në këtë kohë që ndodhemi me një sfidë të paparë, edhe globale”, tha Kurti.
“Besoj që si qeveri, po funksionojmë sikurse të ishim në koalicion, por pas mocionit, nuk mund të them se jemi në koalicion. Por, megjithatë, vlen i njëjti program qeverisës dhe nuk e kemi problemin e vendimeve të atypëratyshme”, tha ai.
Kryeministri në detyrë tha se nuk ka pasur ndryshim në raportet me institucionet e tjera pas votimit të mocionit të mosbesimit.
“Nuk ka pasur ndryshim të raporteve, përkundrazi institucionet, Policia, FSK-ja, Dogana, ATK, e edhe drejtoritë e ndryshme, nuk vërej që ka ndonjë problem. Dhe për mua ishte vetëm një dilemë kur u bë thirrja nga Thaçi që policët të shfaqin padëgjueshmëri, por të nesërmen s’pamë asnjë problem. Të gjithë policët e zbatuan me përpikëri vendimin e qeverisë”, u shpreh Kurti.
Kurti: Do ta respektojmë vendimin e Kushtetueses
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ai dhe Qeveria në detyrë do të respektojnë vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me masën e ndalimit të lëvizjes.
Kurti në emisionin “Desku” në KTV, tha se është i befasuar me vendimin e Kushtetueses, por vlerësoi edhe mirëkuptimin e saj, siç e quajti ai shtyrjen e afatit deri më 13 prill për shfuqizim të kësaj mase të marrë nga Qeveria për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Ai në intervistën e parë që pas kalimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, tha se muaji prill do të jetë vendimtar në luftën ndaj Covid-19.
“Unë jam befasuar me vendimin, por do ta respektojmë. Po të thuhej që aktgjykimi do të zbatohej menjëherë, atëherë do të na bënte shumë dëm. Duket se ka qenë një vendim në siklet e sipër i Gjykatës Kushtetuese. Ajo na ka dhënë të drejtë se nuk ka nevojë për gjendje të jashtëzakonshme. Sidoqoftë ne do ta respektojmë dhe jemi me fat që ka dhënë afat deri më 13 prill. Ishte njëlloj pragmatizimi jodogmatik i Gjykatës Kushtetuese”, tha Kurti në “Desku”
Ai shtoi se deri më 13 prill, Qeveria do të nxjerr një vendim të ri, me procedurë tjetërfare.
“Gjykata Kushtetuese nuk na ka kontestuar legjitimitetin e qëllimit”, shtoi Kurti.
Sipas tij, do të shikohet mundësia të bëhet një ligj, por shtoi se tash është e vështirë të mblidhet Kuvendi.
“Kjo mund të bëhet me një ligj në Kuvend, por tash nuk e mbledhim kollaj Kuvendin, por duhet të shohim”.
Kurti vlerësoi shumë edhe ndihmat që ka marrë shteti në luftë kundër koronavirusit.
“BE-ja na ka dhënë dje 5 milionë euro pajisje medicinale, SHBA-ja 1.1. Ne jemi shumë falënderues për një ndihmë kaq të vlefshme në kohë të vështirë. Ne kemi nevojë për çfarëdo lloj ndihmash”, tha kryeministri në detyrë, Kurti.
Gazeta konservatore dhe më proamerikane e Gjermanisë, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), thekson në një analizë se rrëzimi i qeverisë së Kosovës e destabilizon rajonin.
BE-ja përkrahu qeverinë e Albin Kurtit, pasi ai premtoi se do të jetë kryeministri i parë kosovar, i cili seriozisht do të luftonte korrupsionin dhe nepotizmin. Shqetësuese, sipas FAZ, është se Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, prej aleatëve janë bërë kundërshtarë.
Korrespondenti për Ballkan i gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), Michael Martens, shkruan në një analizë se javën që shkoi Kosova ishte një skenë ku u përplasën Shtëpia e Bardhë dhe Bashkimi Europian. Raundin e parë BE-ja e humbi. Përkundër paralajmërimeve të Komisionit Europian dhe të shteteve anëtare të BE-së, Shtëpia e Bardhë ia doli që në Kosovë të rrëzojë një qeveri, të cilës nuk i bëri punë përkrahja unike europiane. Është shqetësues fakti se një qeveri europiane rrëzohet me mocion mosbesimi m’u në vlugun e epidemisë së koronës, thua se është koha për kacafytje për pushtet sipas tabiateve të vjetra.
“Frankfurter Allgemeine Zeitung” parashikon se Kosovën si shtetin më të ri dhe më të varfër të Europës e presin kohëra të vështira në një situatë krize globale me përmasa të paparashikueshme. Shtetet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Serbia i kanë shtyrë zgjedhjet parlamentare të parapara për në prill. Vështirë të merret me mend se në këto rrethana në Kosovë mund të mbahen zgjedhje të reja parlamentare. Kësisoj kryeministri i shkarkuar Albin Kurti mund të vazhdojë të qeverisë, nëse nuk zëvendësohet me një koalicion prej disa partive.
Sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung” përplasjet e brendshme politike në Kosovë janë vetëm maja e Ajsbergut. Shqetësuese, sipas FAZ, është se Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja prej aleatëve janë bërë kundërshtarë. Forca shtytëse që rrëzoi Kurtin ishte Richard Grenell, ambasadori amerikan në Gjermani, njëkohësisht i ngarkuar i Donald Trumpit për “bisedimet paqësore” mes Serbisë dhe Kosovës. Së paku në kohërat para koronës Grenell dëshironte që shefit të tij aspak të suksesshëm në arenat e politikës së jashtme t’ia prezantojë një “pazar” për pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë edhe për të treguar se Trump ia del aty ku BE-ja ka dështuar.
Gazeta gjermane thekson se ndoshta nuk është e vërtetë që vetë Grenell synon ndryshimin e kufijve të Kosovës. Por ai shpejt e shpejt deshi rivendosjen e fluturimeve direkte dhe lidhjes hekurudhore mes Beogradit dhe Prishtinës. Këtu si pengesë ishte Kurti, i cili afrimin me Serbinë e përkrahu me parakushte dhe për këtë ofroi argumente të bindshme. BE-ja, ndërkaq, gjithnjë e më qartë përkrahu Kurtin, pasi që ai premtoi se do të jetë kryeministri i parë kosovar, i cili seriozisht do të luftonte korrupsionin dhe nepotizmin, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
BE-ja dhe kryeqytetet kryesore europiane, shkruan gazeta gjermane, i kanë vetë fajet që ishin të shtyra vetëm të shikojnë rrëzimin e qeverisë Kurti. Ndonëse Komisioni i BE-së ka konstatuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e vizave, kjo i është mohuar Kosovës, ndërsa i është lejuar Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Heqjen e vizave për kosovarët e ka kundërshtuar edhe zyra e kancelares gjermane, shkruan FAZ. Edhe për këtë arsye në Kosovë shumë njerëz mendojnë: Europa premton shumë dhe mban pak premtime. Heqja e vizave do t’ia rriste besueshmërinë BE-së në Kosovë dhe do ta bënte politikën kosovare më pak të lëndueshme ndaj diplomacisë së shantazhit të stilit të Grenellit. Për fat të keq nuk është e parashikueshme se kur do t’i zënë besë njëri-tjetrit europianët dhe amerikanët në Ballkan.