Linçimi i Vjosa Osmanit, në funksion të agjendave politike

Vjosa OsmaniKryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është personi i dytë më i votuar në Kosovë.

Në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar, Osmani ka marrë gjithsej 176 mijë vota.

Por, krahas fuqisë së saj politike, javëve të fundit ajo është duke u përballur me një fushatë linçuese.

Në rrjete sociale dhe media online fillimisht u publikua një fotografi e dy personave në uniformë të policisë serbe, njëri prej të cilëve u tha se ishte babai i Vjosa Osmanit.

Vetë Osmani i denoncoi këto publikime, duke i quajtur tendencë për linçim.

Përkrahësit e tregtarëve të kufijve paskan gjetur një fotografi të dy policëve serbë dhe pa fije turpi gënjejnë se njëri nga ta në foto është babai im, Raif Osmani. Natyrisht që në atë foto nuk është babai im, e natyrisht që edhe gënjeshtra se ai ka punuar për serbët është shpifje e radhës e atyre që sot e kthyen Kosovën në varësi të Beogradit”, ka shkruar Osmani më 7 qershor në Facebook.

“Një numër i madh shpifjesh, ashtu edhe siç pritej, po publikohen e shpërndahen këto ditë, por kur ato kalojnë çdo kufi dhe tentojnë të cenojnë integritetin familjar, atëherë duhet edhe të reagohet edhe të denoncohen shpifësit e të ndjeken rrugët ligjore. Përkrahësit e tregtarëve të kufijve paskan gjetë një fotografi të dy policëve serbë dhe pa fije turpi gënjejnë se njëri nga ta në foto është babai im Raif Osmani. Natyrisht që në atë foto nuk është babai im e natyrisht që edhe gënjeshtra se ai ka punuar për serbët është shpifje e rradhës e atyre që sot e kthyen Kosovën në varësi të Beogradit. Për fatin e keq të vendit tonë, shpifjeve të tilla u shërbejnë edhe disa pseudo-portale të shndërruara në mjete propagandistike të tregtarëve të kufijve. E edhe më fatkeqe është kur shoh disa që e quajnë veten aktivistë të LDK-së tek shpërndajnë shpifje të tilla teksa harrojnë që po këta që po i montojnë këto gënjeshtra sot, dje nga hotele të Shqipërisë përgatisnin komunikata e shpallnin tradhtarë veprimtarët më të mirë të LDK-së.

Babai im është larguar nga puna më 15 mars të vitit 1989 duke u bërë kështu ndër shqiptarët e parë që largohen dhunshëm nga puna nga regjimi serb, pikërisht pse ka besuar dhe ka folur publikisht për Kosovën Republikë. Ai në fillim të viteve të 90-ta i është bashkuar përpjekjeve të para të Presidentit Rugova për të ndërtuar shtyllat e mbrojtjes për rajonin e Mitrovicës (në sistemin paralel) dhe për këto përpjekje është burgosur dhe ka përjetuar tortura çnjerëzore në burgjet serbe. Për këtë, dëshmitarë janë qytetarët e Mitrovicës, organizatat e të drejtave të njeriut si dhe aktivistët e LDK-së të asaj kohe. Por, shpifësit e këtyre ditëve po dëshirojnë ta barazojnë sistemin jugosllav me atë të ndërtuar nga Presidenti Rugova. Të bësh një barazim të tillë duke u shërbyer me montime e fotografi të policëve serbë dhe të tentosh të denigrosh dikë që ka punuar për Kosovën shtet të pavarur e sovran që nga viti 1989, është e pafalshme dhe joetike. Prandaj edhe familja ime do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore ndaj portaleve që po i shkruajnë këto shpifje e montime si dhe ndaj individëve shpifës që po i shpërndajnë ato.”

Në këtë reagim, Osmani e drejtoi gishtin kah presidenti Hashim Thaçi, i cili, sipas saj, ishte promovues i idesë për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Më 9 qershor, në emisionin “Rubikon” në Televizionin Klan Kosova, presidenti Thaçi i akuzoi familjarët e Vjosa Osmanit për bashkëpunim me regjimin serb.

Presidenti tha se do të ofrojë fakte në rast se Osmani do të guxonte të fliste edhe një herë për pretendimet e saj se Thaçi ka promovuar idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Projektet e mija kanë qenë gjithmonë për t’u përballur me Serbinë dhe e kemi fituar lirinë dhe pavarësinë. Dhe, nëse ndokush nga Osmani i ka shërbyer në atë kohë Serbisë, unë e kam luftuar Serbinë në atë kohë. E di zonja Osmani shumë mirë”, deklaroi presidenti Thaçi.

Beteja e kundërshtimeve politike mes Hashim Thaçit dhe Vjosa Osmanit daton vite më parë, por është ashpërsuar pas rrëzimit të qeverisë së koalicionit midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe partisë së Osmanit, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Koalicioni u prish më 25 mars, kur Kuvendi i Kosovës votoi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, të iniciuar vetë LDK-ja.

Osmani e vetme kundër linçimeve

Ndonëse ishte kandidate e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e kaluara, Osmani e kundërshtoi prishjen e koalicionit me Vetëvendosjen, si dhe u deklarua kundër formimit të qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti, bashkëpartiak i saj.

Përveç fushatës online dhe akuzave nga presidenti Thaçi, Osmani u përball me akuza dhe kërkesa për largim nga partia edhe nga disa zyrtarë të LDK-së.

Disa prej tyre madje kërkuan edhe përjashtimin e Vjosa Osmanit nga LDK-ja për shkak se, sipas tyre, ajo nuk mund t’i kundërshtonte vendimet e partisë.

Por, përkundër mosmarrëveshjeve brenda LDK-së ku Osmani ushtron postin e nënkryetares, kryetari i këtij subjekti politik, Isa Mustafa, kundërshtoi linçimin e Vjosa Osmanit dhe familjarëve të saj.

Muhaxhiri: Linçimet kanë për qëllim mjegullimin e situatës

Ligjëruesi universitar në Prishtinë, Artan Muhaxhiri, beson se bërja e akuzave të tilla që janë të karakterit personal, kanë për qëllim që të mjegullojnë realitetin politik.

“Këto akuza tentojnë ta zhvendosin vëmendjen e opinionit politik, duke e relativizuar dhe mjegulluar realitetin politik, sepse temat e rëndësishme i bëjnë të parëndësishme, ndërsa të parëndësishmet i bëjnë të rëndësishme. Pra, debatet për ndonjë gjë që është e rëndësishme për shtetin, zhvendosen në debate personale e familjare. Pra, është një tendencë tejet negative, e cila i bën dëm shoqërisë, u bën dëm institucioneve dhe qytetarëve”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Sa i takon përfshirjes së presidentit në akuzat ndaj Vjosa Osmanit, Muhaxhiri thotë se Thaçi po vepron sikur të ishte në opozitë dhe jo president shteti.

“Është në stilin politik të presidentit Thaçi që ai të jetë i ashpër, që ai të përdorë një diskurs, i cili është jashtëzakonisht kritikues ndaj oponentëve të tij politikë dhe duket se kjo nuk ka ndryshuar as tash kur është president i Kosovës”, thotë Muhaxhiri.

Qytetarët shprehen kundër linçimit

Qytetarët besojnë se sulmet ndaj Osmanit vijnë nga një klasë e vjetër politike që me çdo kusht dëshiron mbetjen në pushtet.

Sulejman Fetahu nga Prishtina beson se presidenti Thaçi po bën akuza ndaj kryetares së Kuvendit për shkak se kjo e fundit është kritikuesja më e madhe e politikave të tij.

“Kryetarit i ka hyrë pak frikë se mos po çohet populli dhe po e largon nga pozita e ky pushtetin nuk mund ta lëshojë. Për këtë, ai (presidenti Hashim Thaçi) është duke i akuzuar krejt politikanët tjerë. Vjosa është kundër tij, e kush është kundër tij është i papranueshëm për të”, thotë Fetahu.

Ramadan Ruhani, banor i Prishtinës, thotë se Osmani është deklaruar në mbrojtje të interesave të qytetarëve, duke kundërshtuar së pari partinë e vet, LDK-në, e pastaj presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Përgjegjës për fushatën denigruese ndaj Vjosa Osamnit, Ruhani bën kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, dhe presidentin Thaçi.

“Ia kanë bërë të padrejtë Vjosës, sepse ata janë mësuar që të bëjnë këso dallaveresh që nuk duhen bërë. Vjosa nuk po i lejon ashtu, për këtë po ndodhin sulmet”, thotë Ruhani.

Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon ndaljen e fushatës linçuese

Pas sulmeve që iu bënë ditëve të fundit Vjosa Osmanit reagoi edhe Rrejti i Grave të Kosovës.

Kjo organizatë kërkoi ndaljen e fushatave linçuese ndaj kryetares së Kuvendit të Kosovës.

“Osmani është figurë publike dhe është e angazhuar në politikë tash e një kohë të gjatë, andaj puna dhe performanca e saj duhen vlerësuar mbi kritere të jetës publike dhe institucionale dhe asnjëherë duke u nisur nga një mendësi patriarkale dhe një diskurs që në qendër ka familjen”, u tha në reagimin e Rrjetit të Grave të Kosovës.

Ambasadorët kërkojnë debat pa fyerje e kërcënime

Përmes një reagimi, shtetet e Quint-it kanë kërkuar nga udhëheqësit politikë në Kosovë që të diskutojnë “pa fyerje dhe kërcënime”.

“Çdo formë e gjuhës nxitëse, e në veçanti sulmet personale që synojnë promovimin e objektivave politike, mund të kontribuojnë në një atmosferë që inkurajon akte dhune. Qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë”, thuhet në reagimin e përbashkët të ambasadorit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.

Në reagim po ashtu thuhet se “e ardhmja demokratike e Kosovës varet nga zgjuarsia e udhëheqësve të saj për të vënë një shembull pozitiv të diskursit shoqëror dhe respektimit të lirisë së shprehjes”.

rel

Esch: Për dialogun nevojitet konsensus i gjerë

EschValeska Esch, zëvendësdrejtoreshë e Institutit Aspen në Gjermani, komenton për DW gjendjen aktuale në Kosovë dhe pritshmëritë e saj nga qeveria Hoti.

Deutsche Welle: Kosova ka një qeveri të re, por fillimisht t’i kthehemi shkurt qeverisë vjetër, e cila u lejua të qëndronte në detyrë për katër muaj. A ju vjen keq që Kurti dhe Osmani, tek të cilët votuesit kishin kaq shumë shpresa, nuk arritën ta mbanin pushtetin? 

Valeska Esch: Unë mendoj se do të ishte mirë që vendi të kishte një qeveri të qëndrueshme që do ta çonte deri në fund mandatin e saj. Edhe ato pjesë të popullsisë që janë shpresuar për një koalicion të udhëhequr nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani tani janë zhgënjyer. Në një demokraci të re, është e rëndësishme që njerëzit të shohin se zëri i tyre ka peshë. Të dy, së bashku me partitë e tyre, kishin plane të mëdha dhe ambicioze për të reforma në interes të vendit. Në të njëjtën kohë, natyrisht, duhet të pranohet se qeveria e re tani mbështetet nga shumica parlamentare. Tani është përgjegjësia e saj që të fillojë shumë reforma të nevojshme, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe në fushën e sundimit të së drejtës dhe qeverisjes së mirë.

Situata nuk është ende e qëndrueshme: Vetëvendosja dhe PDK duan zgjedhje të reja. A është e mençur kjo, duke pasur parasysh që tani duhen ruajtur forcat për parandalimin e përhapjes së pandemisë? 

Këto janë dy çështje të ndryshme, njëra çështje është politike, ndërsa tjetra epidemiologjike. Nga pikëpamja politike, ka disa argumente për zgjedhje të reja. E para, Vetëvendosja është fituesja e zgjedhjeve, por në opozitë. Anipse kjo nuk është e pazakontë dhe, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është e ligjshme edhe në Kosovë. E dyta, LDK-ja ia detyron një pjesë të mirë të fitores së saj në zgjedhjet e kaluara kandidates së saj kryesore, Vjosa Osmanit, e cila, së bashku me Vetëvendosjen, u angazhua për kursin e reformave dhe luftoi deri në fund për vijimin e këtij koalicioni. Mbetet gjithashtu të shihet se sa e qëndrueshme është shumica e re, e cila edhe ashtu është me një diferencë shumë të vogël, dhe sidomos kur ke parasysh atë çka thuhet në media se disa deputetë u bindën vetëm në sekondën e fundit. Dhe sigurisht, ka shumë votuese dhe votues që do të kishin dashur të bëheshin  zgjedhje të reja. Nga ana tjetër, qeveria e re është zgjedhur nga parlamenti me shumicë votash dhe tani është në detyrë. Ka shumë sfida në Kosovë që duhen adresuar urgjentisht. Përveç reformave të përmendura dhe dialogut me Serbinë, i cili duhet të rifillojë sa më shpejt, ende duhen gjetur zgjidhje për të zbutur pandeminë dhe, mbi të gjitha, pasojat e saj. Për këtë, vendit i duhet një qeveri efektive. Nëse, kur dhe në çfarë kushtesh mund të zhvillohen zgjedhje që nuk rrezikojnë shëndetin e popullsisë, këtë duhet ta vendosin ekspertët e shëndetësisë. Por tani kjo çështje është zgjidhur, si nga ana juridike ashtu edhe nga ana politike.

BE-ja po përpiqet në mënyrë aktive të marrë në dorë drejtimin në bisedimet me Serbinë. Por nga ana tjetër, kemi edhe ndërhyrje të drejtpërdrejta nga SHBA-të. A nuk i bën dëm kjo Kosovës? 

BE-ja është e mandatuar nga Kombet e Bashkuara për të organizuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas mendimit tim, kjo ka kuptim, nëse kemi parasysh, se që të dy vendet dëshirojnë të bëhen anëtare të BE-së. Sidoqoftë, SHBA-ja është një partner i rëndësishëm i BE-së, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por shumë më gjerë. Prandaj është për të ardhur keq që mosmarrëveshjet në lidhje me dialogun e kanë penguar bashkëpunimin më të ngushtë për këtë çështje. Me emërimin e Miroslav Lajcakut si përfaqësues të BE-së për dialog, BE-ja ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm dhe më në fund ka caktuar një përfaqësues të nivelit të lartë për këtë detyrë sfiduese. Fatkeqësisht, është humbur shumë kohë dhe besim në muajt dhe vitet e kaluara, nga njëra anë, për shkak të zbatimit të dobët të marrëveshjeve që tashmë janë nënshkruar nga të dyja palët, por edhe për shkak të disa qasjeve ndaj çështjes të pranuara nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, por jo nga një numër i madh shtetesh anëtare të BE-së. Miroslav Lajçak tani ndodhet para një sfide të madhe që ta rikthejë këtë besim dhe të ringjallë dialogun. Besoj se qeveria e re kosovare bën mirë që të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në këtë dialog. Për të dy vendet, një afrim i mëtutjeshëm me BE-në do të jetë i mundur vetëm nëse gjendet një zgjidhje për konfliktin. Sipas mendimit tim, nuk ka rëndësi fakti që Mirosllav Lajçak vjen nga një vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai vepron në dialog jo si përfaqësues i vendit të tij, por i BE-së, në të cilën shumica e vendeve e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe si i tillë, ai gëzon edhe besimin e shteteve anëtare, si Gjermania, e cila jo vetëm që është për pavarësinë e Kosovës, por e ka mbështetur integritetin territorial të saj. Në të njëjtën kohë, BE-ja ka një interes të madh për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të zbatueshme të konfliktit, ndërsa Presidenti amerikan Trump në mënyrë të përsëritur ka treguar në të kaluarën se ai interesohet më shumë për avantazhin e tij personal sesa për kompromisin dhe zgjidhjet e mundshme. Situata aktuale në SHBA tregon se kjo vlen edhe më shumë për muajt e fundit para zgjedhjeve presidenciale. Unë do të dëshiroja që BE-ja dhe SHBA-të të punonin më ngushtë së bashku për këtë çështje, por roli udhëheqës në dialog i takon Brukselit për arsyet e përmendura.

Qeveria e re tashmë ka hequr reciprocitetin ndaj Serbisë. A do ta lehtësojë ky hap dialogun? 

Pritej që qeveria e re do të bëne këtë hap dhe ky hap është shumë i mirëpritur ndërkombëtarisht. Është pozitiv fakti që dialogu tani mund të vijojë dhe unë shpresoj shumë që Miroslav Lajçaku tani të mund t’i bashkojë të dy palët së shpejti dhe për këtë të marrë mbështetje nga Uashingtoni. Tani do të jetë e rëndësishme për qeverinë e re kosovare të krijojë një ekip të mirë negociues. Kryeministri Hoti tashmë ka njoftuar se në të ardhmen dialogun do ta udhëheqë qeveria dhe jo presidenti. Do të ishte e rëndësishme që brenda vendit të krijohej një konsensus i më i gjerë  për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate. Një ekip negociuan i zgjeruar, ku përfshihet edhe opozita, siç propozoi qeveria e mëparshme, mund të jetë një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Bëhet fjalë për asgjë më pak se të  ardhmen e vendit dhe kjo pyetje është më e madhe se politika partiake.

Ndryshimi i qeverisë së Kosovës, marrëveshjet Serbi-Kosovë, por edhe reforma zgjedhore e miratuar javën e kaluar në Shqipëri dëshmojnë se pa presion të jashtëm nuk arrihen dot marrëveshje në vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo është një qasje nxënës-mësues. A mendoni ju se kjo qasje sjell rezultate të qëndrueshme? 

Unë mendoj se edhe këtu duhet pare më mire konteksti. Procesi i anëtarësimit në BE ka si bazë plotësimin e disa kushteve, të disa standardeve, sidomos në lidhje me qeverisjen e mire dhe shtetin e së drejtës, por jo vetëm kaq. Për ta shoqëruar sa më mirë këtë proces, BE-ja ka ngritur hapa të ndërmjetme me të cilat, këto vende mund të afrohen me BE-në, në mënyrë graduale, duke realizuar së pari etapat e ndërmjetme të reformave. Nga ana tjetër, të gjithë duhet ta kenë të qartë se reformat vetë kanë si synim që të përmirësojnë kushtet e jetesës së njerëzve në vend, kështu që reformat do të duhet të bëhen jo vetëm për BE-në, por në radhë të pare për vetë vendet. Këtu unë do të dëshiroja që qeveritë të ndërgjegjësoheshin më shumë për përgjegjësinë e tyre. Sepse do të ishte e qartë, se dëshira për të reformuar vendet e Ballkanit Perëndimor në BE nuk mund të jetë më e lartë se sa në vetë vendet. Por  kjo qasje funksionon vetëm kur  këtë proces e mbështesin të dyja palët. Në vitet e kaluara, për fat të keq, këtu  është humbur shumë besim. BE-ja i ka zhgënjyer disa here pritmëritë ndaj procesit. Si shembuj këtu vlejnë të përmenden hapja e zvarritur e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe mos-liberalizimi i vizave për shtetasit dhe shtetas nga Kosova. Por ngurrimi nga ana e BE-së ka të bëjë edhe me humbjen e besimit dhe rritjen e skepticizmi në vendet anëtare për vullnetin dhe seriozitetin e reformave, sidomos në fushën shtetit të së drejtës. Sepse, nëse reformat bëhen vetëm nën presion të madh, atëherë, sigurisht, që është për t’u vënë në pyetje qëndrueshmëria e tyre. Veç kësaj, vendet e Ballkanit Perëndimor janë shtete sovrane dhe të pavarura që duhet të marrin përgjegjësi për të ardhmen e tyre. Nëse kjo e ardhme do të jetë në BE, nuk ka alternativë për këto reforma. (A.Shuka)

dw

Hoti: Dialogun me Serbinë do ta udhëheqë kryeministri – territori nuk diskutohet

HotiKryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, e prezantoi një platformë dialogu para Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Marrëveshja përfundimtare me Serbinë kërkon njohje reciproke dhe anëtarësim në OKB.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti e thekson qartë, se dialogun me Serbinë do ta udhëheqë ai në bazë të kompetencave kushtetuese. Nga ana tjetër integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm. Në të njejtën kohë, kryeministri fton opozitën që t’i bashkohen procesit. Këto komente kryeministri Avdullah Hoti i bëri në një prezantim të platformës së dialogut me Serbinë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës të mërkurën, dhe në kohën kur janë shpeshtuar thirrjet për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Marrëveshja Kosovë-Serbi, duhet të përfundojë me njohje reciproke, tha Hoti.

“Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i padiskutueshëm”

“Dialogun e udhëheq kryeministri vendit, nuk do të bëj kurrfarë gare me askënd, sepse kompetencat i kam të qarta dhe janë betonuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kam dërguar ftesë edhe tek opozita që të prezantojmë qasjen e qeverisë karshi dialogut Kosovë-Serbi. Një pjesë e opozitës ka heshtur ndaj ftesës sonë. Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i padiskutueshëm. Marrëveshjet duhet të arrihen me njohje reciproke”, tha kryeministri Avdullah Hoti. Sipas tij, njohja reciproke Kosovë-Serbi dhe anëtarësimi në OKB, është një nga objektivat e Qeverisë që ai e udhëheq.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës një ditë më parë publikoi në faqen e saj zyrtare të gjitha marrëveshjet e arritura deri tash në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, duke kërkuar që dialogu të jetë transparent. “SHAK insiston se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i hapur dhe transparent, të mos zhvillohet larg syve të opinionit, sepse një njohje e plotë e opinionit me procesin e dialogut dhe me vendimet që merren me këtë rast, ndër të tjera, siguron vendimmarrje të përgjegjshme dhe adreson qartas përgjegjësinë individuale dhe institucionale të pjesëmarrësve të përfshirë në këtë proces, në përputhje me rëndësinë që ka ky dialog për të ardhmen e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë të ASHAK.

Kryeministri i ri i Kosovës Avdullah Hoti, në ditët e para në krye të qeverisë, hoqi masat e reciprocitetit me Serbinë, duke thënë se “u hoqën pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë, në përputhje me zotimet e dhëna para partnerëve tanë ndërkombëtar”. “Presim që të njëjtën gjë ta shohim nga pala serbe, që të heqin të gjitha pengesat dhe t’i japin frymë procesin e dialogut. Por, ne ruajmë të gjitha të drejtat tona, si shtet sovran, që të vendosim të gjitha masat e nevojshme, për të ruajtur sovranitetin tonë, në koordinim me partnerët tanë. Shfuqizimi i masave të reciprocitetit është bërë për një kohë të arsyeshme, që t’i jepet shans dialogut”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se për vendimin për shfuqizimin e reciprocitetit e ka mbështetjen e SHBA-së. “Kemi një dakordim me miqtë tanë ndërkombëtarë që presioni i tyre do të jetë edhe karshi Serbisë, që edhe ata të heqin pengesat për dialog dhe pasi të heqin ato pengesa për dialog, ne do të ulemi në tavolinën e bisedimeve”, tha kryeministri Hoti.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nga ana e tij thotë se Kosova tashmë është gati për të rifilluar dialogun me Serbinë, ndërsa, pas heqjes së masave të reciprocitetit nga Kosova ai thotë se “Kosova tashmë ka larguar çdo pretekst që Serbia e ka shfrytëzuar për t’i ikur dialogut”. “Shpreh mirënjohje dhe jam i inkurajuar për heqjen e çdo preteksti që Serbia e ka shfrytëzuar për t’i ikur dialogut me shtetin e Kosovës. Kosova e ka të qartë se çfarë kërkon në dialog, e kërkon njohjen reciproke dhe përshpejtimin e rrugës për anëtarësim në Kombet e Bashkuara. Mbi të gjitha, Kosova në këtë proces është bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë aleatët tjerë. Pra, nuk kemi çfarë të hezitojmë është një rrugëtim i sigurt, ne kemi shpresë dhe besojmë që kjo do të përmbyllet sipas vullnetit qytetarëve të vendit”, thotë presidenti Thaçi, duke shtuar se “përballë Serbisë Kosova gjithmonë kanë qenë e bashkuar”.

Osmani: Jo dialog të tipit Thaçi

Kryetarja e kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila vazhdimisht ka përplasje politike me presdentin Thaçi, thotë se “Kosova gjithmonë ka qenë e gatshme për dialog, por jo dialog të tipit të Thaçit”. “Kosova gjithnjë ka qenë e gatshme për dialog, por jo për një dialog të tipit të Thaçit, i cili në vet vete involvon negociata sekrete me presidentin e Serbisë dhe i cili ka rezultuar me hapjen e temave dhe aventurave që janë të rrezikshme për vendin tonë, ashtu edhe për paqen në rajon”, thotë Vjosa Osmani, duke shtuar se ajo nuk do t’i bashkohet ndonjë ekipi në dialog me Serbinë, por tha se “do të angazhohet vetëm që të ketë mbikëqyrje të plotë nga institucioni që ajo drejton”, Kuvendi i Kosovës.

Sidoqoftë, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke thënë se “ky vendim tregon përkushtimin e Kosovës që të rikthehet në dialog”. “Heqja e shpejtë e pengesave për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, tregon përkushtimin e qartë të Kosovës që të rikthehet në tavolinën e bisedimeve, pa vonesa”, shkroi Mirosllav Lajçak. I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Lajçak, pritet që këtë muaj të vizitojë rajonin, “për t’u takuar me partnerët dhe për të përgatitur Dialogun Prishtinë-Beograd dhe të diskutojë me palët për modalitetet e tij”, ka thënë Peter Stano, zëdhënës në Bashkimin Evropian.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u ndërpre në nëntorin e vitit 2018 kur qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vendosi tarifë 100% ndaj mallrave serbe. Që nga ajo kohë, Beogradi e ka kushtëzuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e tarifës dhe së fundi edhe të reciprocitetit, masë kjo e Kosovës që nuk u mbështet as nga faktori ndërkombëtar.

dw

Serbia duhet t’i kujtojë krimet dhe përgjegjësinë

Batajnica varre masiveNjë organizatë e të rinjve serbë informon për pjesëmarrjen e Serbisë në luftërat e ish-Jugosllavisë. Kjo ka shkaktuar kritika të ashpra nga Ministria e Jashtme serbe.

“Luftë ka pasur edhe në Serbi”, shkruan me shkronja të mëdha në faqen e internetit ratusrbiji.rs. Me këtë parullë organizata joqeveritare “Iniciative e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut” (YIHR) përpiqet të rrënojë mitin e kahershëm në Serbi, se ky vend nuk ka marrë pjesë në luftërat e armatosura në ish-Jugosllavi, në vitet 1990 – në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. Të këtij mendimi nuk kanë qenë vetëm shumica e anëtarëve të kabineteve qeveritare të Serbisë në tri dekadat e fundit, por edhe shumica e qytetarëve serbë, të cilët mohojnë pjesëmarrjen e Serbisë në luftërat e ish-Jugosllavisë.

Gjeneratat e reja në Serbi janë më së paku të informuara për gjërat që kanë ndodhur në Vukovar apo Srebrenicë. Në disa studime thuhet se rreth 30 % e nxënësve në Serbi mendojnë se vendi i tyre nuk është fare përgjegjës për ndonjë luftë në ish-Jugosllavi. Me faqen ratusrbiji.rs, organizata (YIHR) do të ifnormojë opinionin dhe të nxjerrë në sipërfaqe faktet nga e kaluara. Në këtë faqe janë publikuar me 1 qershor 2020, dokumente, hulumtime dhe vendime të gjykatave ku dëshmohet se në lufërat në ish-Jugosllavisë ka qenë e përfshirë edhe Serbia dhe se shteti i Serbisë ka luftuar edhe në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.

Varrezat masive, llogoret dhe paramilitarët

YIHR rikujton se Serbia ka fshehur në vendin e vet një kohë të gjatë varrezat masive të shqiptarëve të vrarë në Kosovë, gjatë luftës së vitit 1998-99; se në periudhën prej vitit 1991-95 ka pasur në Serbi edhe llogore për kroatët dhe boshnjakët e zënë rob; se Ushtria e Serbisë ka bashkëpunuar ngushtë me paramilitarët serbë, të përfshirë në luftërat jashtë Serbisë dhe se këto forca kanë kryer krime lufte.

Kjo organizatë nënvizon edhe punën e bërë nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, i cili ka përpunuar një numër të madh të proceseve për krime lufte dhe gjenocid. OJQ-ja nënvizon, se disa prej personave të denuar në Hagë për krime ende janë aktiv në jetën politike në Serbi, si për shembull lideri i radikalëve, Vojisllav Sheshel, i cili është deputet në Parlamentin e Serbisë.

Instrumentalizimi i krimeve të luftës?

Këto të dhëna të publikuara janë kritikuar nga shumë forca në Serbi. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka qenë një funksionar i lartë në Partinë Socialiste të Serbisë, të ish-diktatorit Slobodan Milosheviq, thotë se pohimet për “Luftën në Serbi” dhe krimet e luftës nga vitet 1990-të po instrumentalizohen nga politika e sotme.

Gazeta “Večernje Novosti”, ka publikuar një tekst ku thuhet se “disa organizata po përpiqen që me paratë e Gjermanisë të krijojnë nazistë të ri serbë – një faqe interneti vlon nga gënjeshtrat”. Daçiqi kritikon mbështetjen e këtij projekti nga Ministria e Jashtme gjermane. Ambasadave të huaja u bën thirrje që të investojnë para në projektet që pasqyrojnë vuajtjet e serbëve në Kroaci dhe Kosovë. YIHR akuzohet si organizatë që me paratë e huaja ka për qëllim të prezantojë Serbinë si fajtore për krime dhe luftëra.

Ka disa të vërteta

Ambasada gjermane ka komentuar këto pohime për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, me fjalët: “Kur merren parasysh krimet e tmerrshme dhe të pashembullta, që kanë bërë gjermanët këtu në Serbi gjatë Luftës së Dytë Botërore, ne si ambasadë gjermane jemi të mendimit se është shumë me rëndësi që të përballemi me të gjitha anët e historisë”.

Me rëndësi është që të kuptohet se çfarë ka ndodhur dhe që të përballemi me të kaluarën e vërtetë. Faqja e internetit ratusrbiji.rs po jep një kontribut të madh në këtë debat për t’u përballur me luftërat në ish-Jugosllavi.

Ministri i Jashtëm Daçiq dhe gazeta “Večernje Novosti” nuk janë të vetmet që e kritikojnë projektin e YIHR. Gazeta “Informer” kritikon publikimin e një harte të Serbisë pa Kosovën dhe pohimet për krimet serbe jashtë Serbisë. Aktivisti Marko Molosavljeviq pohon se në Serbi janë fshehur në varresat masive trupat e rreth 900 civilëve të vrarë në Kosovë.

Respekti dhe dënimi

“Gjenerata e re është rritur me ndjenjën e fajit, por ne nuk flasim për fajin kolektiv apo viktima kolektive të një kombi. Bëhet fjalë për respektin ndaj viktimave, pavarësisht origjinës së tyre.” YIHR kërkon që të përgjigjen të gjithë ata të cilët kanë bërë krime dhe mbajnë përgjegjësi për krime. “Komentet e Daçiqit paraqesin mbrojtje të krimeve të bëra nga regjimi serb në vitet 1990″, thotë Milosavljeviq. “Qeveria e tanishme feston shumë kriminelë lufte si heronj dhe i mbështet politikisht.”

dw

Covid 19: Sot 175 raste të reja, 5 të vdekur dhe 18 persona të shëruar

DiagramamiMinistria e Shëndetësisë informon se gjatë 24 orëve të fundit  janë realizuar 971 teste dhe janë regjistruar 175 raste të reja të covid-19 edhe atë në – Shkup 131 – Kumanovë 24 – Tetovë 5 – Veles 4 – Strugë 2 – Gostivar 2 – Shtip 2 – Prilep 2 – Sveti Nikollë 2 dhe Ohër 1.

Gjatë 24 orëve u regjistruan 5 viktima, 3 nga Shkupi 1 prej Gostivari dhe 1 prej Prilepi. Në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, ndërroi jetë një pacient 72-vjeçar nga Prilepi, ndërsa në Spitalin “8 Shtatori ” në Shkup, ndërruan jetë tre pacient nga Shkupi, një paciente 60-vjeçare e hospitalizuar më 5 qershor, një pacient 64-vjeçar i hospitalizuar më 8 qershor dhe një pacient 59-vjeçar i hospitalizuar 8 qershor si dhe një pacient 72-vjeçar nga Gostivari i hospitalizuar më 30 maj, me çka numri i personave që kanë ndërruar jetë është 169.

Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 18 pacientë të rikuperuar në – Shkup 12 – Tetovë 3 – Veles 2 dhe Shtip 1  .

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara që nga fillimi i epidemisë është 3538, numri i pacientëve të rikuperuar është 1682, numri i të ndjerëve është 169 dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend për momentin është 1687.

Në bazë të dhënave, sot kemi përsëri rritje të numrit 175 që i afrohet  kulmit që  ishte më 5 qershor me 180 raste (shih diagramin lart).

Ndërsa sot, në territorin e Tetovës, gjatë 24 orëve të shkuara u regjistruan 5 raste të reja dhe kemi 3 të shëruar, numri i përgjithshëm i rasteve aktive me covid-19 është 147.

Ja edhe renditja e qyteteve me  rastet më të larta aktive :

  • Shkup – 1592, aktiv 960 (territori i Shkupit me 617.646 banorë)
  • Kumanova – 597, aktiv 179 (me 109.228 banorë)
  • Shtip – 312, aktiv 145 (me 43.625 banorë)
  • Tetovë – 317, aktiv 147 (territori i Tetovës me 200.678 banorë: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë)
  • Strugë – 1, aktive 36 (me 65.801 banorë)
  • Gostivar – , aktiv 31 (111.252 banorë)
  • Ohër- 46, aktiv 29 (51.591 banorë)
  • Veles – 149, aktiv 29 (me  54.384 banorë)
  • Prilep – 222, aktiv 27 (me 75.132 banorë)
  • Koçani – 53, aktiv 22 (me 37.758 banorë)
  • Probishtip – 11, aktiv 9 (me 15.085 banorë)
  • Manastir – 30, aktiv 3 (me 91.983 banorë)
  • Kërçovë – 3, aktiv 1 (me 56.937 banorë)
  • Dibër  – 53, aktiv 2 (me 20.863 banorë)

Covid 19: 125 raste të reja, 7 të vdekur dhe 6 persona të shëruar

Diagrami 10.06.20Ministria e Shëndetësisë informon se gjatë 24 orëve të fundit sipas informatave të deritashme janë realizuar 1019 teste dhe janë regjistruar 125 raste të reja të covid-19 edhe atë në – Shkup 89  – Tetovë 11 – Ohër 8 – Kumanovë 4   – Strugë 3 – Shtip 2 – Prilep 2 – Strumicë 2 – Veles 1 – Gostivar 1 – Kërçovë 1 dhe Resen 1.

Gjatë 24 orëve u regjistruan 7 viktima, në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile ndërroi jetë një pacient 79-vjeçar nga Shkupi, në Klinikën “19 Maj” një paciente 66-vjeçare nga Struga e hospitalizuar prej 8 qershorit, paciente 54-vjeçare nga Shkupi e hospitalizuar prej 5 qershorit dhe një paciente 46-vjeçare prej Tetove që ka ndërruar jeta para pranimit në ambulancë. Ndërsa në Spitalin “8 Shtatori ” në Shkup, ndërroi jetë një pacient 77-vjeçar nga Shkupi i hospitalizuar më 8 qershor dhe një paciente 73-vjeçare nga Struga e hospitalizuar 7 qershor dhe në spitalin në Shtipit ndërroi jetë një pacient 87-vjeçar i hospitalizuar më 26 maj, me çka numri i personave që kanë ndërruar jetë është 164.

Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 6 pacientë të rikuperuar në  –  Veles 4 – Prilep 1 dhe Shkup 1 .

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara që nga fillimi i epidemisë është 3364, numri i pacientëve të rikuperuar është 1664, numri i të ndjerëve është 164 dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend për momentin është 1536.

Në bazë të dhënave, duket sikur virusi pëson një zbritje dhe se kulmi ishte më 5 qershor edhe pse sot, përsëri kishim rritje (shih diagramin lart).

Ndërsa sot, në territorin e Tetovës, gjatë 24 orëve të shkuara u regjistruan 11 raste të reja dhe kemi fatkeqësisht një viktimë një paciente 46-vjeçare ndërroi jetë, numri i përgjithshëm i rasteve aktive me covid-19 është 145.

Ja edhe renditja e qyteteve me  rastet më të larta aktive :

  • Shkup – 1461, aktiv 844 (territori i Shkupit me 617.646 banorë)
  • Kumanova – 573, aktiv 155 (me 109.228 banorë)
  • Shtip – 312, aktiv 145 (me 43.625 banorë)
  • Tetovë – 312, aktiv 145 (territori i Tetovës me 200.678 banorë: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë)
  • Struga – 109, aktive 34 (me 65.801 banorë)
  • Gostivar – 52, aktiv 30 (111.252 banorë)
  • Ohër- 45, aktiv 28 (51.591 banorë)
  • Velesi – 145, aktiv 27 (me  54.384 banorë)
  • Prilep – 220, aktiv 26 (me 75.132 banorë)
  • Koçani – 53, aktiv 22 (me 37.758 banorë)
  • Probishtip – 11, aktiv 9 (me 15.085 banorë)
  • Manastir – 30, aktiv 3 (me 91.983 banorë)
  • Kërçova – 4, aktiv 2 (me 56.937 banorë)
  • Dibra  – 53, aktiv 2 (me 20.863 banorë)

142 vjet nga formimi i Lidhjes së Prizrenit

lidhja e prizrenitSot mbushen 142 vjet që kur më 10 qershor 1878 filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtarë shqiptar.

LidhjaPrizrenitLidhja e Prizrenit qe një organizim politik i parisë së katër vilajeteve shqiptare në Perandorinë Osmane, themeluar zyrtarisht më 10 qershor 1878 në xhaminë Bajraklie të Prizrenit, ku deri një vit përpara ishte qendra e Vilajetit të Kosovës.

Traktatet e Shën Stefanit dhe Berlinit u kishin caktuar territore të banuara edhe nga shqiptarë shteteve të tjera pas Luftës Ruso-Turke, shqiptarët u përgatitën për rezistencë kombëtare. Në pamundësi që Perandoria Osmane t’i shmangej traktateve, Sulltan Abdyl-Hamidi II thirri në Stamboll Sheh Mustafa Tetovën dhe Abdyl bej Dume-Frashërin në shenjë përkrahjeje; dhe u shkroi letra kadiut të Gjakovës Ahmet efendi Koronicës, myderrizit të Prizrenit Ymer Efendiut dhe myftiut të Dibrës Jonuz Efendiut, ndërsa iu dha urdhër komandantëve ushtarakë në vilajetet shqiptare që të mos e pengonin zhvillimin e Lidhjes.

Qëndrimet fillestare të Lidhjes, në krye të komitetit qendror të së cilës ishte Iljaz pashë Dibra, u parashtruan në Kararname. Në këtë dokument prijësit shqiptarë theksonin synimin e tyre që të ruanin dhe mbanin integritetin e territoreve të Perandorisë Osmane në Ballkan në mbështetje të Portës. Megjithatë qëndrimet dhe projekti i Lidhjes përvijoi ndryshe duke përshfaqur rrymat e brendshme.

Konteksti

Lufta Ruso-Turke e viteve 1877-78 i dha goditje të rëndë fuqisë osmane në Ballkan, duke i lënë Perandorisë Osmane në zotërim vetëm vilajetet shqiptare dhe Ballkanin Lindor. Nga fundi i 1877 qëndresa u bë e vështirë; më 13 dhjetor 1877 Serbia i shpalli luftë Perandorisë Osmane, edhe Mali i Zi po ashtu. Të dy shtetet mbështeteshin nga Ushtria Ruse dhe i shtrinë sulmet e tyre në Shqipërinë Veriperëndimore dhe Verilindore. Pas pushtimit të këtyre territoreve, ofiqarët osmanë shumica prej tyre të etnisë shqiptare, lironin territoret dhe/ose dëboheshin. Gjatë kësaj lufte, ushtria serbe shpërnguli dhe dëboi shumicën e popullsisë muslimane në sanxhakun e Nishit dhe rrethinat e Toplicës drejt vilajetit të Kosovës duke rritur trazimet që parapërgatitën frymën e Lidhjes si kundërpërgjigje ndaj Krizës së Madhe Lindore. Më 27 shkurt 1878 andartë grekë, të udhëhequr nga dy shqiptarë ortodoksë, Minoas Lappas dhe qepariotit major Gogo Stefani, zbarkuan në Sarandë dhe shtinë në dorë Gjashtën dhe Lëkurësin. Më 4 mars ata u dëbuan dhe u shpërndanë nga njësitë e nisura prej Janinës.

Droja e shqiptarëve se mos territoret e tyre do të ndaheshin mes Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë i mbushi me zell për të bërë qëndresë. Në Traktatin e parë të pasluftës, në Shën Stefan, u nënshkrua dorëzimi i disa territoreve të Perandorisë Osmane, ndër to edhe territore të banuara nga shqiptarë. Perandoria Austro-Hungareze dhe Britania e Madhe e bllokuan marrëveshjen, duke qenë se do t’i jepte Rusisë pozicione kyçe në Ballkan, duke prishur kësodore peshoren e fuqive. Për ta zgjidhur këtë çështje, një konferencë paqeje u mbajt po atë vit në Berlin.

Krejt situata çoi në organizimin e shqiptarëve me këshillimin e Stambollit në këshilla vendorë për të mbrojtur territoret e banuara nga shqiptarët. Të nxitur nga rrethanat, në dhjetor të 1877 Abdyl Frashëri organizoi Komitetin e Stambollit – anëtarët bënë një mbledhje të përgjithshme majin e 1878.

Mbledhjet në Prizren

Lidhja e Prizrenit sotMë 10 qershor 1878 përfaqësues nga paria shqiptare e Vilajetit të Kosovës u mblodhën në xhaminë Bajraklie të Prizrenit për të ngritur një platformë si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të marra në Traktatin e Shën Stefanit. Në mbledhjen e parisë më 18 qershor u radhitën qëndrimet e mbajtura në një shkresë të vendimeve quajtur Kararnamé, që u firmos nga 47 përfaqësues të kazave të vilajetit, ku në krye janë firmat e Iljaz pashë Dibrës dhe Abdullah pashë Drenit. Po atë ditë paria e Shkodrës i telegrafoi shtabit të Lidhjes se do t’i bashkohej lëvizjes dhe se së shpejti do të dërgonte delegatët. Më 23 qershor do të ishin të pranishëm krejt delegatët e qyteteve shqiptare në Prizren. Më 30 qershor u paraqitën edhe delegatët e Shkodrës me Jusuf agë Sokolin me një delegat të Podgorica dhe 7 krenë prej Malësie.

Në Kararnamé u dokumentua vullneti nistor i organizimit, ku flitej për tërësinë territoriale të perandorisë dhe t’u rikthehej status quo-ja e para Luftës Ruso-Turke. Synimi kryesor ishte mbrojtja ndaj rreziqeve të mënjëhershme, lakohej mbrojtja e DinitDevletit dhe Vatanit, mosnjohja e Bullgarisë dhe rikthimi me armë i territoreve të pushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi nëse nuk do t’i dorëzonin me vullnet të lirë.

Delegatët ngritën një organizim, Lidhjen e Prizrenit, që kishte fuqinë të vendoste taksa dhe të mobilizonte një ushtri. Pas një mbledhjeje, Lidhja u organizua në tre komitete, për Punët e Jashtme, për të Brendshmet dhe për Financat.

  • Komisioni i Punëve të Jashtme përbëhej nga Abdyl bej Frashëri me bashkëpunëtorët Shaban bej Pejën, Galip bej Shkupin dhe Asaf efendi Manastirin. Ky komision merrej me dërgesat e lutjeve dhe protestave ndaj Kongresit dhe me korrespondencën me filoshqiptarët e me shqiptarët jashtë atdheut.
  • Komisioni i Punëve të Brendshme përbëhej prej Haxhi Shabanit nga Prizreni, myderrizit të Shkupit Qorr Abdyl Efendiut, Mahmut Qypërliut dhe Esat pashë Tetovës. Merrej me administrimin e territorit, mbajtjen e qetësisë, mbledhjen e ushtrisë vullnetare dhe kishte fuqi zbatuese.
  • Komisioni i Financës përbëhej nga Sulejman agë Vokshi, Zija bej Prishtinës, Shefik bej Gjilanit dhe dy të tjerëve, të cilët nuk dihen. Kujdeseshin për mbledhjen e fondeve për armatimin e ushtrisë dhe furnizimin e saj.

Këta komisione funksiononin vetëm në kohë të mbledhjes së përgjithshme. Detyrat e tyre i mbikëqyrte Dega lokale e Prizrenit që kryesohej prej Ymer efendi Prizrenit.

Lidhja në korrik u nda në komitete, të cilat kishin dy degë madhore: e veriut me qendër në Prizren dhe e jugut. Dega e Prizrenit drejtohej nga Iljaz pashë Çoku me përfaqësues nga Kërçova, Tetova, Prishtina, Mitrovica, Vuçitërna, Shkupi, Gjilani, Manastiri, Dibra dhe Gostivari. Komisioni i Degës së Shkodrës përbëhej kryetarit Daut efendi Boriçit, Selim efendi Çoba, Shaban beu i Bushatllinjve, Haxhi agë Lohja, Selim agë Gjyrezi, Et’hem agë Kazazi, Ibrahim efendi Dragusha, Ibrahim Idriz Hoxha, Osman Bekteshi, Filip Çeka, Ndrekë Shiroka, Gjon Muzhani e Zef Simoni. Për këtë degë, Et’hem agë Kazazi qëndronte gjithnjë në Prizren. Dega e jugut që kishte mbajtur një takim po të tillë në Gjirokastër, drejtohej prej Abdyl Frashërit dhe përbëhej prej përfaqësuesve të Kolonjës, Korçës, Artës, Beratit, Pargës, Gjirokastrës, Përmetit, Paramithisë, Filatit, Margëlliçit, VlorësTepelenës dhe Delvinës. Në këto vise lëvizja mbështetej më shumë tek elementi musliman, për arsye se elementi ortodoks ishte më së shumti nën ndikimin grek. Nga ana tjetër, në veri muslimanët me katolikët ishin bërë palë për synimet e Lidhjes. Të dy komitetet hynin në kontakt me njëri-tjetrin nga njerëz të besuar që piqeshin në Elbasan.

Çështja e viseve shqiptare në Kongresin e Berlinit

Mbasi u hap Kongresi i Berlinit më 13 qershor, dega e Lidhjes me pëlqimin e vilajetit të Shkodrës dhe Sanxhakut të Dibrës, vendosën me i nisë një telegram Kongresit me lutje që TivariShpuzaPodgorica t’i mbeteshin vilajetit të Shkodrës. Telegrami u nënshkrua prej 500 vetëve në Shkodër, nga të cilët më të rëndësishmit ishin: Daut efendi Boriçi në cilësinë e kryetarit të degës, Jusuf agë Sokoli, Selim agë Gjyrezi, Filip Suma, Gjon Muzhani, etj. Memorandumi nuk u përfill nga Kongresi, që ua njohu kërkesat Serbisë dhe Bullgarisë ndaj territoreve të lëshuara nga Perandoria Osmane krahas kërkesave shqiptare. Kancelari prusian, Bismark, e çmoi Ballkanin si pjesë e Çështjes Lindore se “i gjithi nuk ia vlen as sa eshtrat e shëndetshme të një granadieri të vetëm pomeranez”.

Qëndrimet e Lidhjes u përkrahën po ashtu edhe nga kolonia shqiptare e Stambollit, e përbërë prej nëpunësish të mëdhenj dhe të vegjël, të cilët më 20 qershor 1878 i nisën një memorandum ministrit të Punëve të Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze, kontit Andrassy. Në memorandum i luteshin që të kishin parasysh të drejtat shqiptare. Pjesë nga memorandumi ku kërkohej përparimi i synimeve kombëtare:

«[…] Populli shqiptar i frymzuem prej traditave dhe interesave të tij do dhe dëshiron, të jetojë në gjinin e perandorís nën skeptrin e Madhnis së Ti Sulltanit dhe nuk pranon në asnji mënyrë që të jetë i damë prej saj. Mbas vendimeve të Shin Stefanit, mënyra e administrimit të mbrendshëm do të ndryshojë e në kët rasë populli shqiptar pa i cënue të drejtat e përjetshme të sovranitetit të Madhnis së Tij Sulltanit kërkon që të formohet për kët qëllim nji komision i përbâmë prej Shqiptarësh, i cili nën mbrojtje e Ti të naltë dhe me pëlqimin e Portës së Naltë të studiojë formën e përshtatshme dhe të ndalojë institucionet e reja lokale duke u a përshtat karakterit, zakoneve dhe nevojave të vendit. […]»

Më 21 qershor, ish-deputeti i Podgoricës në Mexhlisin Osman, Jusuf Efendiu u drejtoi një telegram fuqive të mëdha dhe një Kongresit që Podgorica t’i mbetej Perandorisë Osmane. Rilindasi Jeronim de Rada i dërgoi një letër kryeministrit britanik, lordit Beaconsfield me të cilën i lutej që të interesohej për të drejtat shqiptare.

Marshalli osman Mehmed pashë Maxharri, pjesë e delegacionit osman në Kongresin e Berlinit, u caktua të mbikëqyrte përcaktimin e kufijve të rinj në viset veriore shqiptare, përkatësisht kazanë e Gucisë. Me të vajtur për të përcjellur lajmin e ardhur nga Stambolli, ana më e bindur e Lidhjes i kërkuan që të largohej, mirëpo ra mik tek kryetari i degës së Lidhjes në Gjakovë, mikut të tij Abdullah pashë Drenit. Ndodhia u përshkallëzua ngaqë Abdullah Pasha nuk e dorëzonte dot mysafirin, si pasojë u rrethua dhe u vranë të dy pashallarët në atë që njihet si Aksioni i Gjakovës. Kjo gjakderdhje mbahet si veprimi i parë ushtarak i Lidhjes kundër nismës së dorëzimit të një territori të banuar nga shqiptarë.

Ali Pasha Lidhja e PrizrenitFuqitë e Lidhjes u përplasën me njësitë malazeze nga tetori i 1879 deri në janar të 1880 në Plavë e Guci, me në krye Ali pashë Gucinë. Pas qëndresës për lëshimin e atyre viseve, u mendua t’i jepej Malit të Zi një rrip toke buzë lumit Cem sipas kompromisit i Kortit, delegat i Italisë në Kongres. Porsa u mor vesh ndërrimi i Plavës dhe Gucisë me Hotin, 2/3 e Grudës dhe stane e kullota të Kelmendit, bajraktarët e viseve i dërguan lutje konsullit austro-hungarez në Shkodër. Me datën 11 prill 1880 në një mbledhje Dega e Lidhjes në Bibliotekën e Pazarit u vendos mbyllja e Pazarit dhe u lajmërua populli të ishte gati për luftë. Më 22 prill komandanti i ushtrisë së Tuzit, Haxhi Osman Pasha, ndoqi urdhërin e dorëzimit të territoreve ndaj malazezëve, por u shpërndau fishekë e armë vullnetarëve shqiptarë. Nga Shkodra u mobilizuan 1500 burra të armatosun, të drejtuar nga Hodo Begu dhe më pas iu shtua kapidani Preng Bibë Doda. Beteja e parë mes forcave u zhvillua te Ura e Rrzhanicës. Pas qëndresës së radhës, Fuqitë e Mëdha ripërcaktuan lëshimin e territoreve duke i dhënë Malit të Zi, Ulqinin me rrethet e tij deri në Bunë.

Qëndrimi autonomist

Më 27 shtator 1878 në gazetën “Tercüman-i sark”, botuar në Stamboll, kryeredaktor i së cilës ishte Sami Frashëri, u botua një program autonomie për vilajetet e banuara nga shqiptarët. Sipas tij, duhej që këto vilajete 1. të bashkoheshin në një vilajet shqiptar; 2. nëpunësit që do të punonin atje të dinin gjuhën shqipe; 3. dy herë në vit të mblidhej një Kuvend i Përgjithshëm i vilajetit; 4. gjuha e shkollës dhe e administratës të jetë shqipja, turqishtja të përdorej vetëm në komunikim me pushtetin qendror; 5. të krijohej një milici shqiptare për gjithë vilajetin. Qëndrimi fillestar centralist i dokumentuar te Kararnameja mori kahje autonomiste nga fundi i 1880, me sa duket nga ndikimi i Abdyl Frashërit.

Fan Noli, vokacioni atdhetar i politikanit, poetit, diplomatit, publicistit dhe shqipëruesit

Theofan-Stilian-NoliAi ishte shumëdimensional. E pozicionoi veten dhe aktivitetin e tij çmues si veprimtar dijeshumë në një spektër të gjerë, duke u behur dhe mbetur një kontributor i paçmim, si në fushën e veprimtarit politik, diplomatik, klerik, poetik, publicistik dhe shqipëronjës. Ai u përkushtua dhe dha kaq shumë, erdhi dhe mbeti një dishepull i vlerave të njimendta. Në terrenin e thyer të udhëpërshkrimit ngulmoi dhe ofroi si pakkush. Dija, kultura dhe arsimimi, atdhetaria dhe gjakimi shqiptar e yshtën këtë vërshim vlerash përnga rrugë të pashkelura, përnga shtigje të pamundura dhe sfida jo fort të lehta.

Fan Noli (6 janar 1882 – 13 mars 1965, ShBA)

Ai ishte dhe mbeti burrështetasi dhe intelektuali i shquar, poeti dhe përkthyesi i pashoq, poligloti dhe dijeshumi i përmasave botërore, zëri i zëshëm i interesave shqiptare, kleriku i apasionuar dhe figura më e debatuar politike dhe historike.

Historia dhe biografia e jetës së Fan Nolit tashmë është e përshkruar në dhjetëra e dhjetëra shkrime e broshura të botuara kudo në botë. Për të është folur jo vetëm në vitin 1924, kur në Shqipëri udhëhoqi një nga revolucionet më të veçanta në Evropë, por edhe më shpejt. Atdhetar, demokrat, burrë shteti, poet dhe përkthyes. Theofan Stilian Noli, u lind Tek punonte atje, iu ngjall dëshira të merrej me dramaturgji. Më 1903 kaloi në Egjipt, ku nisi të punonte si mësues i greqishtes. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare. Shkruan artikuj publicistikë, përkthen greqisht “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” të Sami Frashrit.

Më 1906, i nxitur dhe i përkrahur nga patriotët, Noli u nis për në SHBA, me qëllim që të ndihmonte në organizimin dhe në bashkimin e shqiptarëve të mërguar, të cilit kërcënoheshin nga rreziku i përçarjes, për shkak të veprimeve të shovinistëve grekë. Bëri punë krahu si punëtor në një fabrikë sharre, si pjatalarës etj.

Megjithëse nuk kishte bindje të forta fetare, u shugurua prift më 1908 dhe filloi luftën për shkëputjen e Kishës Ortodokse Shqiptare nga kisha greke, duke bërë shërbesa shqip, duke shqipëruar libra fetarë etj. Ndërkohë, bashkëpunonte në gazeta, mbante ligjërata, organizonte shoqëri patriotike, të cilat më 1912 u bashkuan në federatën mbarëshqiptare “Vatra” dhe po atë vit kreu studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit (Bachelor of Arts cum laude). Në vitin 1935 u kthye në një nga pasionet e tij të vjetra, muzikën dhe në moshën 53-vjeçare u regjistrua në Konservatorin “New England” në Boston, ku u diplomua tre vjet më pas. Ishte 63 vjeç kur mori titullin “Doktor” në Filozofi nga Universiteti i Bostonit për disertacionin “Gjergj Kastrioti – Skanderbeu, 1405-1468” (George Castrioti Scanderbeg), që botohet më 1947, vdiq në Florida më 13 mars të vitit 1965.

Ai u lind më 6 janar 1882 në İbriktepe (turqisht për Qytezë), një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja. Si disa fshatra të tjerë të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe traditat e të parëve. Noli e konsideronte fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës.

I ati i tij, Stiliani, ndonëse trashëgoi tokë si pronë, nuk u mor me bujqësi, por shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur, Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Gjithsesi, tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip kundrejt ndikimit të mbrapshtë politik që donte të kishte Patriarkana Ortodokse tek ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët.

Në vitin 1900 shkoi në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. Por nuk i eci mbarë, dhe as studimet nuk i kreu. Atëherë u hodh në punë të tjera si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatrale shëtitëse që shfaqej dhe në skelën e Galatës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira për t’u marrë me dramaturgji duke shkruar dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri). Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes për dy vjet (mars 1903-mars 1905), kohë kur përkthen në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” që u botua në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në korrik-gusht të 1903-shit, ai nisi të botojë të parat skica letrare në revistën “Numas”.

Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, paguar nga bashkatdhetari që kishte njohur në Egjipt Spiro Dine, Fan Noli u nis për në Botën e Re, duke kaluar nga Napoli, dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Për njohuritë e tij gjuhësore do dërgohej në një mision rus në Amerikë. Pasi ndenji tre muaj në Buffalo, ku punoi në një kombinat lënde drusore, Noli shkoi në Boston. Atje, botuesi Sotir Peci i dha një punë si zëvendës-redaktor i gazetës së Bostonit “Kombi”, ku punoi deri në maj 1907 dhe ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza. Tensioni që ndjenin shqiptarët ortodoksë nga ndikimi i Kishës Greke mbërriti kulmin gjatë varrimit të një patrioti shqiptar, të cilit prifti grek nuk pranonte t’i kryente shërbesat e fundme. Me nismën e vet Noli thirri një mbledhje të shqiptarëve ortodoksë nga mbarë Nju Englandi, ku delegatët vendosën të themelojnë Kishën Ortodokse Autoqefale (autonome) Shqiptare, me Nolin si klerikun e saj të parë.

Më 9 shkurt 1908, në moshën njëzetegjashtëvjeçare, Fan Noli u bë diakon (dhjak) në Bruklin, kurse më 8 mars 1908 Platoni, kryepeshkopi ortodoks rus i Nju Jorkut, e shuguroi si prift ortodoks. Vetëm dy javë më vonë, më 22 mars 1908, Noli i ri krenar mbajti për herë të parë liturgji në gjuhën shqipe, në ‘Knights of Honor Hall’ në Boston. Ky ishte hapi i parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën “Dielli”, zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 ai u nis për në Evropë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje.

Më 28 prill 1912, bashkë me Faik bej Konicën është ndër themeluesit kryesor të shoqatës pan-shqiptare Vatra (në fillim më 6 janar 1907 shoqatën “Besa-Besë” me sekretar Kol Tromarën, që u shkri me Vatrën) bashkë me organin e saj të shtypit “Dielli” i Bostonit, gjithashtu dhe “Shkopi” i Kairos që lëvizën kundër një artikulli të Mit’hat Frashërit në shtypin e Selanikut. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Në marsin e vitit 1913 ai mori pjesë, në Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik bej Konica.

Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend, më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm zu Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. Në gusht 1914 Noli qëndroi për një farë kohe në Vjenë, por me afrimin e reve të zeza të luftës, u kthye në Shtetet e Bashkuara në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. Në shtator të vitit 1918 Noli themeloi të përmuajshmen në anglishte The Adriatic Review (Revista e Adriatikut), që financohej nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për kauzën e saj. Gjashtë muajt e parë revista u botua nga Noli, ndërsa më 1919, këtë detyrë e mori në dorë Kostandin Çekrezi.

Me fondet e Vatrës, të mbledhura nën drejtimin e Nolit, u dërguan në Paris, Londër dhe Uashington delegatë shqiptaro-amerikanë për të promovuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë. Më 24 mars 1918, Noli u caktua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në fillim të korrikut të atij viti mori pjesë në një konferencë për popujt e shtypur në Mount Vernon, Virxhinia, ku u takua me presidentin Udrou Uillson, përkrahës i të drejtave të pakicave në Evropë. Më 27 korrik 1919 Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, që tashmë ishte dioqezë e pavarur. Një vit më pas, duke pasur parasysh rritjen e figurës së Nolit si udhëheqës politik e fetar i bashkësisë shqiptare dhe si shkrimtar, orator dhe komentator politik i talentuar, ishte e logjikshme që ai të zgjidhej kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë më 17 dhjetor 1920. Gazeta The Manchester Guardian, në një koment më 23 korrik 1924, e përshkruante Nolin si një burrë që do të kishte qenë i shquar në çdo vend. Diplomat i përkryer, ekspert i politikës ndërkombëtare, mjeshtër i debatit, që prej fillimit ai la mbresa të thella në Gjenevë. Me shumë mjeshtëri, por gjithmonë me buzë në gaz, ai i vuri me shpatulla pas murit të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas. Ai është një njeri me kulturë të pamasë, që ka lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglishte dhe frëngjishte.

Jeta Parlamentare

Me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 – 30 shtator 1923). Ai shërbeu si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit, vetëm për pak kohë përpara se të dorëhiqej. Noli ishte kryetar i Partisë Popullore, e majta e asaj kohe, kundrejt Partisë Përparimtare. Përkrah Luigj Gurakuqit dhe Stavro Vinjaut është ndër oratorët më shpotitës të foltores parlamentare. Më 21 nëntor 1923, u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit në Durrës, ndërsa më 27 dhjetor 1923 zgjidhet deputet i Korçës.

Lëvizja e Qershorit

Gjatë Lëvizjes së Qershorit 1924 nuk ishte për përmbysjen me forcë që ndodhi; u vendos në krye të saj vetëm si kërkesë e krahut të të rinjve, që shihnin tek ai një njeri me formim perëndimoro-amerikan. Regjimi zogist i rikthyer me të ashtuquajturën Fitoren e Legalitetit më 24 dhjetor, e dënoi atë me vdekje në mungesë. Programi i tij me njëzet pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, ndër të cilat edhe reforma agrare, ishte tejet i nxituar e idealist për një vend të prapambetur dhe pa tradita parlamentare. Më vonë Noli i shkroi arsyet e dështimit të tij në një letër që ia drejtonte një mikut të tij anglez “Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”. Ardhja e një delegacioni rus me në krye Arkady Krakovetsky shqetësoi kancelaritë perëndimore deri në atë pikë, sa të mbështesnin ardhjen e Zogut me anë të 106-112 oficerëve të ish-Ushtrisë Perandorake Ruse. Sipas mendimit të A. Këlcyrës në “Shkrime për historinë e Shqipërisë” vërehet se lidhjet me Bashkimin Sovjetik ishin munduar ngaherë t’i sendërtonin, por ishte pikërisht kjo lëvizje që duhej të soste.

Mërgimi i pakthim

Pasi zbarkuan në Bari me ftesë të Duçes u zhvendos në Vjenë pasi Italia lidhi marrëveshjet me Shqipërinë. Pas vrasjes së kolegut Luigj Gurakuqi në Bari, i kushton elegjinë “Syrgjyn vdekur” në shkurt të 1926-s, Berlin. Ndërsa vrasjes së mikut Bajram Currit elegjinë “Shpell’e Dragobisë”. Selia e Kominternit në Vjenë e ndihmon për të organizuar KONARE-n. Në nëntor 1927 vizitoi Rusinë si delegat i Ballkanit në Kongresin ‘Miqtë e Bashkimit Sovjetik’ me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit të Tetorit, dhe më 1930, pasi mori një vizë gjashtëmujore, u kthye në Shtetet e Bashkuara. Me kthimin e tij në Boston, Noli themeloi të përjavshmen “Republika”, vetë emri i së cilës i bënte sfidë të hapur Ahmet Zogut, i cili më 1 shtator 1928 u vetëshpall Zogu I, Mbreti i Shqiptarëve. “Republika” u botua edhe si opozitë ndaj “Diellit”, tashmë nën drejtimin e Faik Konicës, i cili ishte pajtuar me mbretin Zog dhe ishte bërë ministër i plotfuqishëm i Shqipërisë në Uashington. Me mbarimin e afatit të vizës, gjashtë muaj më vonë, Noli u detyrua të kthehet në Evropë dhe “Republika” mbeti nën drejtimin e Anastas Tashkos, deri sa u mbyll më 1932. Më 1932, me ndihmën e pasuesve të tij, mundi të kthehej nga Gjermania në Shtetet e Bashkuara, ku fitoi edhe lejen për qëndrim të përhershëm. Noli u tërhoq nga jeta politike dhe nga ky moment iu kushtua përsëri detyrave si drejtues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në dhjetor 1933 u sëmur rëndë dhe nuk ishte në gjendje t’i përballonte shpenzimet e trajtimit mjekësor për të cilin kishte aq shumë nevojë, deri sa mori si dhuratë 3000 franga ari nga Shqipëria, me ndërhyrjen e Faik Konicës tek Ahmet Zogu. Ky gjest arriti pikërisht qëllimin për të cilin ishte nisur: një farë pajtimi midis Nolit dhe Zogut, si dhe një përmirësim të marrëdhënieve shpesh të acaruara të Nolit me Faik Konicën. Në vitin 1935 Noli iu kthye njërit prej pasioneve të tij të hershme – muzikës – dhe në moshën pesëdhjetetrevjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Nju England, në Boston, nga i cili u diplomua më 1938.[3]

Në botimet zyrtare të Qeverisë së Mbretit Zog, “Shqipënija më 1937”, me rastin e kremtimeve të 25 Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në kreun për historinë e kultures, shkruhet: “me të janë lidhur emnat më të bukur e më të mallëngjyer të shkrimtarëve t’onë të kaluar. Çdo alfabet pati një serë të gjatë asi shkrimtarësh, po mbi të gjithë vetëm katër shkëlqejnë si yje të pa shoqë, Naimi, Fishta, Konica e Noli” Në albume të përkryer me fotografi pa retush, krahas figurave të shquara të kombit, ndrinte dhe portreti i hijshëm i Fan S. Nolit. Po atë vit Faik Konica do të thoshte: ”At Noli do të mbetet në historinë e Shqipërisë si burri që arriu i pari me hir të vullnetit dhe hollësisë së tij, të flasi gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”

Dielli 27 mars 1943. F. S. Noli shkruan kryeartikullin: “Origjina, shvillimi, dhe e pritmja e Bashkimit të Shenjtë“:…Atëhere puna mbeti t’i flisja Faik Konitzës dhe t’a fitonja për idenë e Bashkimit të Shenjtë. Konitza kundërshtoj me rreptësi Bashkimin e Shenjtë me Zogun në krye… Luftova disa dit’ e net me radhë që t’i mbushnja mendjen që s’kish tjatër më e mirë se kjo. Më në funt Konitza u bint. U bint dhe qendroj në fjalën e tij gjer në orën e vdekjes.”

Më 12 prill 1937, Nolit iu plotësua ëndrra e madhe për një kishë kombëtare shqiptare kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Dielli 11 gusht 1943: “Lufta në Shqipëri nukë pushoj kur shkelnë italianët Shqipërinë të Premten e Zezë. Populli shqiptar nukë dha armët atë ditë të zezë; i fsheu a i hodhi mi sup dhe mori malet.“ Po në këtë datë njoftohen emrat e komandantëve antifashistë: “Kapiten Hysni Lepenica, Myslim Peza, Dr. Safet Butka, Kolonel Bajraktari, Baba Mustafa, Kristo Peshtani dhe Karagjozi etj.”

Noli nuk u mjaftua vetëm me detyrat kishtare dhe filloi studimet pasuniversitare në Universitetin e Bostonit, ku mori doktoratën më 1945 me një disertacion për Skënderbeun. Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, Noli pati marrëdhënie pak a shumë të mira me regjimin e ri komunist në Tiranë dhe ushtroi ndikimin e vet për ta bindur qeverinë amerikane që ta njihte atë.

Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua shuma prej 20 000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi, në Fort Lauderdale Florida, ku vdiq më 13 mars 1965. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit.[3] Kisha Autoqefale që kishte krijuar u bë më vonë Kryedioqeza ortodokse shqiptare në Amerikë e Kishës ortodokse në Amerikë.

Veprimtaria letrare

Vepra e parë e Nolit qe drama me tre-akte Israilitë dhe Filistinë, e botuar në Boston 1907. Kjo dramë qe shkruar qysh më 1902, bazuar në historinë e Samsonit dhe Dalilës në Dhjatën e Vjetër. Duke ndjerë nevojën e besimtarëve për të mbajtur meshë në shqip, përkthen ritualet dhe liturgjinë ortodokse në dy vëllime Librë e shërbesave të shënta të kishës orthodoxe, Boston 1909, dhe Libre é te krémtevé te medha te kishes ortodokse, Boston 1911. Përkthime që ai i çmonte si arritjet më të mëdha të tij. Më 1921 doli vepra e tij madhështore në prozë “Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468”, Boston. Në Shqipëri erdhi sërish në fillim të viteve ’20. Më 1947 botoi përpunimin që i bëri George Castrioti Scanderbeg (1405-1468), New York 1947; që do i shërbente si temë diplome në Universitetin e Bostonit. Tjetër vepër e tij në anglisht “Bethoveni dhe Revolucioni francez” (Beethoven and the French revolution) në 117 faqe, e botuar në New York 1947, pasqyronte figurat e mëdha të historisë (Jul Çezari, Jezusi, Skënderbeu dhe Napoleon Bonaparte). Vëllimi me vjersha Albumi u botua më 1948. Brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjershat e fundit origjinale dhe disa shqipërime vjershash të poetëve të njohur.

Kontributi më i gjerë i Nolit qe në fakt ai i stilistit, siç shihet ndë përkthimet e tij. Bashkë me Faik Konicën mund të vlerësohet si ndër stilistët më të mëdhenj të dialektit Toskë. Afria që kishte me gjuhët e huaja, greqishten, anglishten dhe frëngjishten e aftësoi ta bënte shqipen në një gjuhë të stërholluar dhe elegante,[3] ndonëse pak folklorike.[4] Noli përktheu mjaft autor amerikanë dhe europianë të shek. XIX, duke vënë në punë veshin muzikor, mundi të pasqyronte stilin dhe ngjyrat e ritmit të origjinalit.

Ndonëse vetë nuk shkroi shumë në lëmë të letërsisë, ngelet një letrar i madh.

Anton Çefa: Vokacioni atdhetar dhe kontradiktat e Nolit

Pjesa I

Eshtë folur shumë për kontradiktat e Nolit, aq sa është thënë që “ekzistojnë shumë Nolër, në kundërshtim me njëri-tjetrin”1). Janë quajtur ato kundërthënie, inkoerenca, kontradikta dhe paradokse.

Eshtë më se e vërtetë që Noli të jep mundësi e argumente që ta trajtosh atë kontradiktor në disa hulli. Në vorbullën e kontradiktave noliane, ato më ngacmueset janë dy: a ka qenë Peshkopi ynë i shquar besimtar a jobesimtar, për të mos thënë kundërshtar i besimit dhe, në zgjidhjen e problemeve të mëdha shoqërore e politike, a ka qenë për përdorimin e dhunës a kundra saj, a ka qene revolucionar a kundërrevolucionar.

Po jap mendimin tim, duke i peshuar kontradiktat në vokacionet e tij, të cilat gjithashtu kanë qenë të shumta, por duke u përpjekur të nxjerr në dukje ato më rëndësorët prej tyre.

Para së gjithash, duhet thënë se në pikëpamje psikologjike dhe filozofike, duhet pranuar që kontradikta subjektive është në shpirtin e njeriut, në mendjen, në zemrën, në jetën dhe në veprimtarinë e tij. Të lindura fillimisht nga dyshimi, me zgjerimin e përvojës jetësore dhe të kulturës, tek mendimtari a veprimtari, në përpjekjet e tij për t’ju afruar sa më shumë së vërtetës, në çdo plan teorik a praktik që kërkohet ajo, shfaqen kontradiktat. Qenësia e kësaj dukurie është në përputhje me personalitetin e njeriut. Eshtë i njohur fenomeni që kontradiktat e personaliteteve të shquara marrin ngjyra paradoksale, siç është bërë zakon të thuhet, por edhe siç është shpesh e vërtetë.

Personalitetet e larta që tejkalojnë kufijt kombëtarë, siç qe Noli ynë, mishërojnë jo vetëm kontradiktat individuale apo ato të një bashkësie, qoftë kjo edhe një komb, por edhe kontradiktat e njerëzimit, sepse të tilla personalitete janë shprehje e ndërgjegjes së njerëzimit, pra edhe e kontradiktave që e ngërthejnë atë, ndërgjegje që përpiqet e lufton për t’i hedhë dritë së ardhmes.

Njeriu gjatë gjithë jetës së tij, me rritjen e përvojës praktike jetësore dhe me zgjerimin e dimensioneve të kulturës, e përsos dhe e ndryshon mendimin e tij për probleme të rëndësishme, duke shkuar edhe tek kundërshtimi i mendimit të tij të mëparshëm. Gjë krejt normale. Në këtë rast nuk mund të bëjmë fjalë për kontradikta në kuptimin e vërtetë të fjalës, pa rënë në mohimin e zhvillimit të pandërprerë mendor e shpirtëror të njeriut. A nuk kemi sa e sa personalitete evropiane e botërore që në dekadat e para të shekullit të kaluar u lajthitën nga marksizmi e leninizmi dhe, më vonë, u bënë kundërshtarë të tij? Vetë Noli e ka shprehur një dukuri të tillë në introduktën e tij për Khajamin: “Eshtë e pabesueshme që Omar Khajami, armik i të gjitha despotizmave, të mos ketë ndryshuar aspak pikëpamjet e tij filosofike brenda në 55 vjet” 2).

Si qëndron Noli mes fesë e ateizmit, a beson apo nuk beson, a është përkrahës i fesë apo kundërshtar i saj – kjo është kontradikta më tunduese për ato që përpiqen ta trajtojnë atë si ateist dhe kundërshtar të fesë.

Megjithësë nuk është për t’u marrë në konsideratë trajtimi i njëanshëm, në një farë mënyrë tendencioz, që iu bë këtij problemi në periudhën e diktaturës, sepse aty mund të ketë indoktrinim e mungesë çiltërsie, më tepër se objektivitet e bindje shkencore; gjithsesi duhet thënë diçka. Namik Resuli në studimin e tij “Fan Noli sot” 3) ka polemizuar për këtë çështje me Koço Bihikun dhe Dhimitër Shuteriqin, lidhur me “antifetarizmin” e Nolit (në ndonjë poezi e shprehje të tijen), duke pranuar këtë dukuri–sado lëkundshëm – si inkoerencë të Nolit (mbështetur në një shprehje të nxjerrë nga një letër që Noli i ka dërguar Tashkos, më 1906: “Perëndisë që nuk i besoj, i ardhtë keq!” dhe e ka mbyllur këtë çështje, duke e lënë në kapërcyell, me citimin e Qerim Panaritit, biografit të parë të Nolit: “Si person, Noli gëzonte të gjitha të metat e njeriut plus të metat e tij si individual”, (d. m. th. si individ, shënimi im, A. Ç.). Mendoj se kjo shprehje dhe ndonjë tjetër që bie Qerim Panariti në librin e tij 4) mund të jenë rezultat i një momenti shpirtëror a rrethanash të veçanta dhe nuk duhen marrë për bazë për të nxjerrë përfundime rëndësore kategorike, që bien në kundërshtim me krejt jetën dhe veprimtarinë e Nolit.

Aleks Buda ka shkruar: “Me vullnet të lirë e me ndërgjegje, Noli zgjodhi rrugën e priftërisë. Nuk ishte as një thirrje e brendshme, as nevoja për të siguruar jetesën që e çoi në këtë rrugë. Ajo që në kushte normale do të ishte një maskeradë – veshja prift – për një njeri që në thelb…ishte një skeptik në pikëpamje fetare, qe në të vërtetë një akt vetëflijimi i një njeriu që pranoi të flijojë një jetë normale njerëzore dhe lirinë e vet personale e mendore për nevojat politike kombëtare, të luftës kundër veprimtarisë kombëtare të feve e kishave; qe ky një akt vetëmohimi tragjik sepse e detyroi të rrojë një jetë në dy rrafshe” 5). (Eshtë fjala, për rrafshin politik dhe atë fetar).

Me pak fjalë kështu është trajtuar vendimi i Nolit për t’u bërë prift dhe misioni i tij fetar nga mendimi i shkencës shqiptare nën trysninë e diktaturës. Pra, Noli u bë prift pa pasë një thirrje të brendshme, sepse përkundrazi ai ishte “skeptik” në qëndrimin ndaj fesë; por u vetëflijua tragjikisht për “nevojat e politikës kombëtare”.

Së pari, na duket një gjykim tepër i sipërfaqshëm mohimi i thirrjes së mbrendshme, vokacionit fetar, që e drejtoi Nolin në rrugën e priftërisë.

Nga të gjitha vokacionet e Nolit, dy janë më të fuqishmet dhe më ndikueset në veprimtaritë e tij: ai fetar dhe ai atdhetar, vokacioni qiellor dhe një nga “tokësorët”.

Shfaqja dhe jetëgjatësia e vokacioneve kanë kronologjinë e tyre në jetën e njeriut, gjë që del më në pah tek njerëzit e mëdhenj. Pa u zgjatur në këtë çështje duhet të pranojmë se është vokacioni fetar, ndoshta për vetë natyrën e tij ekskluzivisht shpirtërore, që u shfaq tek Noli shumë heret, që në moshë të njomë, dhe që e shoqëroi atë, siç do ta themi më poshtë, tërë jetën. (Eshtë për t’u shënuar se në hullinë e religjionit, vokacioni është një thirrje e brendshme që Hyu i bën një shpirti për t’ju kushtuar i tëri Atij; ndërsa në vokacionet e tjera, “tokësoret”, motivacioni është krejtësisht në hullitë njerëzore dhe shfaqet tek aftësitë dhe talenti i njeriut.).

Vetë Noli na tregon në “Autobiografinë” e tij se ai ishte i vetmi prej pjesëtarëve të familjes që e shoqëronte gjyshe Sumbën në agjërimet e saj; bile edhe ndër ato më të vështirat, siç ishte të qëndruarit, dy herë në vit, tri ditë rresht, pa ngrënë e pa pirë; megjithëse gjyshja, “përherë rropatej ta bindte që të mos agjëronte, sepse ishte shëndetlig” 6). Si mund të spjegohet ndryshe ky veprim fëminor, përveçse me një impuls të brendshëm shpirtëror? Ky predispozicion shpirtëror i fuqishëm e shoqëroi Nolin tërë jetën. Dhe më vonë në një moshë të pjekur, duke iu nënshtruar këtij vokacioni hyjnor dhe duke synuar në sendërtimin e idealeve të tij të larta qiellore e tokësore, fetare e atdhetare, Noli nuk flijoi kurrëfarë lirie të vetëvetes; nuk bëri ndonjë vetëflijim, përkundrazi ai krijoi mundësinë që të pajtonte dy vokacionet e tij më të fuqishme, duke u vënë plotësisht në shërbim të tyre dhe për hir të këtyre vokacioneve ai solidarësoi bashkësinë shqiptare ortodokse të Amerikës, duke e shkëputur atë nga ndikimi, intrigat dhe politika antishqiptare e Patrikanës dhe themeloi Kishën Shqiptare, u mor me politikë, duke u bërë një luftëtar i fkaktë për ndërtimin e një shoqërie shqiptare sa më të çliruar shpirtërisht dhe lavëroi në tërë ato fusha të kulturës, artit, shkencës, aftësitë e tij të rralla.

Eshtë tepër e çuditshme, flagrante të pranojmë se personaliteti i Nolit në tërë madhështinë e gjenialitetit të tij t’ia kishte nevojën maskave dhe maskaradave.

Jeta dhe veprimtaria e Nolit nuk lënë në dyshim vokacionin dhe bindjen fetare të tijen. Noli e hapi dhe e mbylli jetën si besimtar i zellshëm. Në frymëzimin e tij shpirtëror, në prirjen dhe misionin jetësor dhe, jo e parëndësishme, në trashëgiminë instinktive dhe edukatën që mori që heret në familje, ai na dëshmohet katërcipërisht fetar. Fetar në ideal, fetar në bindje, fetar në veprim. Fetar në fëmijëri, fetar në rini, fetar në moshë të pjekur dhe në pleqëri; fetar në jetë, fetar në vdekje.

Më shumë se çdo gjë dëshmon vepritaria e tij jetësore. Nën ndikimin e edukatës familjare, që në fëmijëri, ai mendonte të bëhej “kalorës i Skendërbeut” dhe “misionar i Krishtit”, dhe përpara marrjes së çdo vendimi ai pyeste veten: “Si do të kishte vepruar Krishti, në një rast të tillë?” Dhe përgjigjej: “Krishti do t’i besonte Zotit dhe do të shkonte përpara”. 7)

Gjatë gjithë jetës, ai jo vetëm ushtroi detyrën si prift, por kohën më të madhe ia kushtoi propagandës fetare. Që më 22 mars 1908, në moshën 26-vjeçare, vetëm 14 ditë mbasi u dorëzua prift, celebroi Liturgjinë e Parë Hyjnore në gjuhën shqipe dhe po këtë vit botoi “Shërbesat e Javës së Madhe”, duke filluar me botimet e materialeve fetare, që vazhduan gjatë gjithë jetës. Me që lista e tyre është shumë e gjatë, po shënojmë këtu vetëm vitet e botimeve: 1908, 1909, 1913, 1914, 1916, 1936, 1941, 1948, 1949, 1950, 1952, 1954, 1955, 1956, 1957, 1961, 1962 dhe vetëm një vit para se të vdiste botoi Psalmet e përkthyera nga hebraishtja. Sqarojmë që në disa prej viteve të përmendura më lart, ai realizoi dy e më tepër botime. A mund të bëhëj e gjithë kjo punë e vëllimshme dhe e shtrirë në krejt hapësirën jetësore pa një predispozicion të fuqishëm shpirtëror dhe vetëm e diktuar nga nevojat e politikës kombëtare?

Noli ka shkruar: “Nga të gjitha veprimtaritë e mia, dashuria ime e parë është kisha” 8); ndërsa përkthimin dhe kompilimin e Kremtores (Menoion) – një libër shërbese që përmban psalmet, odet dhe troparia të vitit liturgjik ortodoks – e ka quajtur “sodisfaksionin e tij më të madh” 9) dhe “veprën, në të cilën janë përqëndruar përpjekjet e tij më të mëdha shpirtërore, letrare, muzikore dhe intelektuale” 10).

Në tryezën e punës, ditën që vdiq, iu gjetën: një vëllim i vogël poezish franceze, disa fletë me përkthime nga ky vëllim, (dëshmi e gjallë e hapësirës kohore dhe fuqisë së vokacionit për artin poetik), si dhe një dorëshkrim, në të cilin qe shkruar kjo lutje drejtuar Zotit: “Kur ju të vini në tokë, Mbret i Qiejve, me pushtet dhe shkëlqim, e gjithë bota do të dridhet nga frika, lumenjtë e zjarrit do të rrjedhin para fronit të gjyqit tënd të tmerrshëm, librat do të hapen dy kapakësh, do të zbulohem mëkatet më të fshehta. Më kurse mua prej zjarrit të pashuar e të amshuar dhe më vendos në krahun e djathtë në Parajsë, Gjykatës i drejtë dhe mëshirëplotë!” 11). Sa larg skepticizmit fetar dhe sa kuptimplote për vokacionin fetar të Nolit është kjo lutje !

I qenësishëm për t’u theksuar, lidhur me çështjen që po trajtojmë, është fakti që vokacioni fetar dhe ai atdhetar tek Noli ishin shumë të fuqishëm dhe kjo përmasë dyfishohej, kur ato viheshin në shërbim të njëri-tjetrit. Dhe ai i vuri mjeshtërisht jo vetëm në pajtim, por edhe në funksion të njëri-tjetrit. Dukuri e padiskutueshme e veprimtarisë së tij.

Vokacioni i brendshëm fetar dhe ai atdhetar janë dy binarët kryesorë nga kalon lokomotiva që tërheq trenin me vagona të shumtë të veprimtarisë së tij: vagonin e përkthimeve letrare, poezisë, publicistikës, oratorisë, studimeve në fushën e historisë e të muzikës, krijimeve origjinale në fushën e muzikës, diplomacisë, politikës. Vokacioni fetar, fillimisht, dhe ai atdhetar janë më të hershmit në jetën dhe veprimtarinë e Nolit dhe e kanë shoqëruar atë tërë jetën; prandaj mund të na shërbejnë si çelës për të shpjeguar kontradiktat e tij. 12)

Cili është më i fuqishmi nga këto dy impulse të shpirtit nolian? Duket se gjaku iliro-shqiptar i trashëguar prej të parëve është ai që përcakton çdo gjë më së miri në personalitetin e këtij shqiptari të madh me përmasa evropiane e botërore. Vokacioni atdhetar është pa dyshim në tharmin e psikologjisë së popullit tonë. Deri vonë i zhytur në elemente paganizmi – pavarësisht përqafimit të dy besimeve monoteiste – shqiptari e ka pasë më se të theksuar vetëdijen e përkatësisë së tij etnike, këtë vlagë të ngrohtë atdhetarizmi, si dhe ndjenjën dhe gjithë botën shpirtërore që lidhet me të. Nuk është i rastit, përkundrazi është shumë kuptimplotë konstatimi i Hobhaus-it, shokut e shoqëruesit të Byron-it në udhëtimet nëpër trevat evropiane të Perandorisë Turke, në dekadat e para të shek. XIX: “Kur banorët e provincave të tjera të Turqisë pyetën se çfarë janë, ata përgjigjen: ‘jemi muhamedanë’ ose ‘jemi të krishtërë’; ndërsa banori i këtij vendi (është fjala për trojet shqiptare, shënimi im, A. Ç.), përgjigjet: ‘unë jam shqiptar.”13). Dhe kjo ndodh në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit të XIX, kur vetëdija kombëtare e popullit tonë ishte errësuar mjaft nga shkaku i zgjatjes së pushtimit osman dhe politikës së tij antishqiptare dhe kur vetëdija kombëtare e popujve fqinjë kishte kristalizuar platformën e tyre kombëtare. 14)

Kështu, në vokacionet e tij më rëndësorë, Noli dëshmohet gjithsesi një shqiptar i vërtetë, me gjak, me mish, me kockë; ashtu siç e ka cilësuar Hasan Dosti: “Ky burrë simbolizon sinthezën e virtyteve të racës arbërore.” 15)

Historia, kultura, etnopsikologjia dëshmojnë dashurinë e popullit tonë për atdheun. Që në fillimet e saj-duke mos lënë jashtë humanistët e mëdhenj, që shkruan në gjuhën latine, kultura shqiptare u frymëzua nga ndjenja e atdhetarizmit. Më së miri këtë e dëshmojnë më të vjetrit: Barleti, Beçikemi, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani; dhe mbas tyre rreshtohen të gjithë, pa dallime besimi a krahine. Dhe asnjërin prej tyre nuk e ka penguar rroba fetare të merret me politikë, shkencë, art, bile edhe të marrë pushkën për të luftuar për atdheun.

Kleri katolik i Veriut krijoi si moto të veprimtarisë së tij binomin “Fe e Atdhe”. (Duhet theksuar këtu se nëse vokacioni dhe veprimtaria fetare e tij lidhej vetëm më një pjesë të vogël të popullit, siç është elementi katolik, veprimtaria atdhetare e tij kishte karakter mbarëkombëtar.)

Një nga argumentet për ta paditur Nolin si antifetar ka shërbyer përkthimi prej tij i “Rubairave” të Omar Khajamit. Nëse kontradikta është më se e mprehtë, flagrante, në predikimin e fjalës së Krishtit, nga njëra anë, dhe të bolshevizmit, anti-Krishtit, nga ana tjetër, siç mund të thuhet për disa poezi dhe introdukta të tij; ndryshon puna në përkthimin e Rubairave, një fenomen në dukje kontradiktor dhe, më përtej, paradoksal.

Në përkthimin e “Rubairave”, duhet të kemi parasysh disa fakte:

Së pari, vetë Khajami është thellësisht kontradiktor. Aq sa mund të trajtohet si afetar, po aq mund të trajtohet si fetar dhe si kundërshtar i fesë.

Së dyti, nëse për hir të lirisë së mendimit, kritikon dogmatizmin fetar, Khajami nuk është ateist. Ai beson në një Zot, pavarësisht se herë-herë kritikon edhe perenditë e feve semitike.

Së treti, mungesa e konsekuencës në idetë e Rubairave, nuk na lejon të përcaktojmë një vijë demarkacioni për një sistem të prerë filozofik të Khajamit. Vetë Noli e pohon këtë në introduktën e tij: “Çdo sistematizatë strikte e iderave që na çfaq Khajami është e kotë sa edhe e lajthitur”. Dhe më poshtë: “Khajami nuk është dishepull i një shkollë, po i të gjitha Shkollave gjer në një pikë” 16).

Së katërit, për hir të realizimit të një perle letrare, Khajami i ka lejuar vetes të predikojë edhe ide krejt kontradiktore. Ja si është shprehur Noli për këtë: “Të gjitha pikëpamjet makar kontradiktore janë të mira për Omar Khajamin në qoftë se i japin lëndën e nevojshme për një rubai artistike” 17). Kjo na dëshmon se vokacioni letrar tek Khajami ka qenë më i fuqishëm se ai filozofik; gjë që shihet, në ndonjë rast, edhe tek disa përkthime të Nolit, në kundërpeshimin mes vokacionit letrar dhe atij filozofik. Me të drejtë, studiuesi Vehbi Bala ka vërejtur një “afinitet shpirtëror të Nolit me krijimtarinë e Khajamit” 18).

Kështu, mund të rreshtohen edhe argumente të tjera për ta kundërshtuar – si bindje – antifetarizmin e Khajamit. Noli e përktheu Khajamin në vitin 1926, si një nga militantët më të mëdhenj botërorë të “Lirisë së Mejtimit”. Mendoj se përkthimet madhore të Nolit janë nisur jo vetëm nga vlerësimi letrar-artistik, por më tepër e më nga vokacioni i tij atdhetar. Ndryshon puna me përkthimin e disa poezive.

Si mendimtar i madh, Noli kishte nevojë për hapësirë të gjerë e horizont të kthjelltë mendimi. Këtë e ndjente, e quente të nevojshme dhe e dëshironte edhe për popullin e tij, për atdheun e tij; prandaj ai përkthen krahas Ungjijve edhe Rubairat. E gjithë veprimtaria e Nolit buron nga militantizmi për lirinë e mendimit, ushqehet nga kultura e tij shumë e gjerë dhe ndizet e merr flakë nga pathosi qytetar, për t’i dhënë forcë e energji veprimi idealit të tij atdhetar. Noli kërkon t’i japë dritë një populli që porsa ka dalë nga errësira e thellë otomane e që sorollatet në një qorrsokak vështirësish për të krijuar shtetin e vet dhe çdo gjë tjetër, duke filluar qoftë edhe nga ripërtitja e identitetit. Dhe këtë dritë ai e sheh në vazhdën e rilindasve, tek përqafimi i kulturës, nëpërmjet lirisë së mendimit – një çlirim shpirtëror deri në skajet më periferikë të ndërgjegjes kombëtare.

Të lexosh Khajamin është sikur të përballesh me një enciklopedi të tërë filozofike humaniste, të realizuar në një nga veprat më kulmore artistike të letërsisë botërore, sendërtuar gjithsesi me një thjeshtësi të skajshme. Thënë në mënyrë më se të thjeshtësuar, në morinë e motiveve, dy janë kolonat vertebrale, kryemotivet e Rubairave: gëzimi epikurean, hedonist i jetës – “carpe diem” e romakëve – dhe qëndrimi stoik përballë vështirësive të saj. Polemika me fetë, kryesisht me dogmat e saj sillet rreth këtyre dy poleve, dy filozofive. Nuk ka këtu ndonjë kontradiktë, aq më pak alarmante, siç është interpretuar aty-këtu. As për Khajamin që i krijon rubaitë e as për Nolin që i përkthen. Sepse jeta i ka brenda saj të gjitha: edhe gëzimet edhe vështirësitë. Të parat duhen jetuar, të dytat duhen përballuar. Eshtë vetë jeta që i jep përparësi njerës ose tjetrës doktrinë filozofike, në rastet emergjente të saj, pa krijuar ndonjë kontradiktë, në kuptimin e plotë të fjalës. Në këtë hulli duhet interpretuar edhe militantizmi Khajam dhe Nolian për lirinë e mendimit.

I rreshtuar me Khajamin, si një shqiptar i vërtetë që has shumë vështirësi në jetë dhe fare pak, gëzime dhe i ushqyer nga vokacionet e tij atdhetare e fetare, Noli i jep përparësi qëndrimit stoik në jetë. Kjo shihet në gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij. Del qartë tek përkthimi i Rubairave dhe sidomos në komentin që i bën atyre. Noli bashkë me Khajamin, së bashku me stoikët, mendojnë që njeriu duhet të jetojë i mbështetur tek arsyeja, në harmoni të plotë me natyrën, me ligjët universale të saj. Dhe në këtë rrugë, virtyti është e vetmja gjë e mirë, e vetmja vlerë, vlera më pozitive e njerëzimit. Për të realizuar detyrën e tij, njeriu duhet ta gëzojë jetën, kënaqësitë që jep ajo, t’i përballojë vështirësitë, vuajtjet, duke u ngritur mbi pasojat e fatit dhe duke arritur lirinë shpirtërore në pajtim me logjikën hyjnore, që drejton gjithësinë, natyrën dhe njerëzimin gjithnjë nga e mira.

II

Kontradikta më e thellë dhe më flagrante në dukje lidhet me qëndrimin e Nolit lidhur me përdorimin e dhunës në zgjidhjen e problemeve të mprehta shoqërore e politike. Ky ka qenë tundimi demoniak i shpirtit të tij gjithmonë të shqetësuar, ankthi që e ka ndjekur dhe e ka munduar e stërmunduar tërë jetën dhe që ai nuk ka mundur ta mposhtë plotësisht, por nuk i është nënshtruar.

Sa ka qenë i fuqishëm e i kthjellët vokacioni i tij atdhetar, sa ka qenë e gjerë, energjike dhe e vrullshme veprimtaria e tij në shërbim të këtij vokacioni, po aq ka qenë shqetësuese çështja e qëndrimit ndaj dhunës në llogoret e luftës për zhdukjen e mbeturinave të sundimit turk në strukturën shpirtërore, shoqërore, ekonomike e politike të popullit tonë, në vijën e frontit luftarak për ndërtimin e një shteti shqiptar sipas modelit perëndimor.

Ky problem e ka munduar Nolin që heret. Duket se në nënvetëdijen e tij, ai e parandjeu këtë ankth dhe prandej u përpoq të çlirohet prej tij, duke e derdhur në tragjedinë “Izraelitë e filistinë”-vepra e tij e parë, botuar në vitin 1907.

Në periudhën e rinisë, kur bëhej fjalë për çlirimin kombëtar nga sundimi turk, si gjithë rilindasit, Noli, pa asnjë mëdyshje, bënte thirrje për luftë të armatosur. Më vonë, kur shtrohej çështja e shkëputjes së Shqipërisë nga sfera lindore-aziatike dhe kur luftohej kundër tendencave diktatoriale që u vërejtën në jetën politike, në përpjekje për ndërtimin e një shteti demokratik, Noli është treguar i lëkundshëm ndaj përdorimit të dhunës-problem që më përtej, lidhet me qëndrimin ndaj marksizmit dhe bolshevizmit. Afrinë mes dhunës dhe bolshevizmit u përpoqën ta shfrytëzonin armiqtë e tij politikë për ta akuzuar si bolshevik.

Në periudhën e viteve të stuhishme e të lavdishme 1920-1924 dhe në të gjithë veprimtarinë e tij politike të këtyre viteve, Noli luftoi për një Shqipëri moderne, të qytetëruar e demokratike. Sigurisht që ai kishte parasysh modelet e demokracive amerikane e evropiane.

Në parlament Noli e paraqiste veten si përfaqësues i katundarëve e punëtorëve. Në një nga seancat e parlamentit, me iluzionin e demokracisë amerikane në imagjinatë, ai pati shpallur: “Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin”, duke bërë të vetat fjalët e Linkolnit. Besoj se asnjë mendje sado naive dhe e çoroditur qoftë nuk mund ta padisë Linkolnin për bolshevik.

Në synimet e tij për ndërtimin e një shoqërie dhe të një shteti demokratik sipas modelit perëndimor, Noli u ndesh me elementin konservator, që përpiqej ta mbante Shqipërinë të lidhur me format e vjetra të sundimit, të shpirtësuara nga fryma e mykut oriental. Luftën kundër tij, ai shumë shpesh e veshi me terma tejet radikale revolucionare, gjë që i shërbei kundërshtarëve politikë për ta akuzuar si bolshevik. Nuk është se ai e pati harruar se “të mirat dhe të këqiat në atdheun tonë nuk ishin kurrë të ndara në klasa; sepse shqiptarët më të mirë kanë qenë kurdoherë aq nga klasa e pasur, nga klasa e ashtuquajtur bejlerë e agallarë, sa edhe nga klasa e t’ashtuquajturëve harbutë” 19), terma aq të pëlqyeshme në fjalorin nolian.

Në fjalimin e tij të famshëm për “Pesë anarkitë”, mbajtur në parlament, në vitin 1924, qe shprehur: “Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive… Këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë borgjezie. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu është më bujk se bujku. Kini një shëmbull të bukur në partinë popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhaqet më të vjetër, kurse anëtarët e saj lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve.”.

Kuptimplotë është fakti që në veprimtarinë e tij politike, Noli nuk u tregua armik i bejlerëve si “klasë”, por vetëm i bejlerëve konservatorë, ashtu siç luftoi edhe kundër intelektualëve konservatorë; ndërsa ai pati miq e bashkëpunëtorë bejlerë liberalë. Sa për ilustrim, po përmendim këtu se ai qe mik dhe bashkëpunoi me Ali Bej Klisurën, Mehmet Bej Konicën, Hasan Beg Prishtinën, Bajram Beg Currin, etj. Po miqësia e tij me Faik Beun? Sa qe Faiku kundërshtar i Zogut, patën një miqësi të ngushtë me njëri-tjetrin, por kur Faiku i doli në krah Zogut, filluan polemikat e ashpra, akuzat, fyerjet, siç i kanë pasur zakon të dy, dhe megjithatë, miqësinë e mbajtën tërë jetën. Kur shkoi në Shqipëri si deputet i “Vatrës”, në vitin 1920, Noli lidhi miqësi edhe me Ahmet Beg Zogollin, por kjo miqësi u prish shpejt, për shkak të vizionit dhe programit politik të tyre të ndryshëm.

Ndër shumë kërkesa të Nolit, të shtruara në parlament, po veçoj dy nga më rëndësoret: zbatimin e reformës agrare dhe dhënien e të drejtës së votës grave, dy kërkesa më se të nevojshme në funksion të çlirimit shoqëror dhe ekonomik të popullit tonë. Ky qe në vijat më të përgjithshme “yryshi” i tij “bolshevik” kundër “feudalizmit”!

Megjithëse në fjalimin e tij mbi varrin e Avni Rustemit, ai dha “kushtrimin luftarak” për të marshuar drejt Tiranës për realizimin e idealit të tij atdhetar e politik të krijimit të një republike demokratike-duke shkuar edhe në kundërshtim me këshillën e Gurakuqit për mospërdorimin e dhunës-qeverisja e tij në periudhën qershor-dhjetor 1924 dëshmoi se Noli nuk paskësh qenë për dhunën. Siç ka thënë Tajar Zavalani “ai që kishte hudhë parrullën e revolucionit mbi varrin e Avni Rustemit, u tregua më pak revolucionar se të gjithë. 20). Dhe, siç dihet prej të gjithëve, kur forcat e Zogut rrethuan Tiranën, në dhjetor të vitit 1924, dhe ministri i luftës, Kasem Qafëzezi, shkoi ta pyeste Nolin se si duhej të vepronte, këtij iu desh të priste tek dera e zyrës afër dy orë, sepse kryeministri po i binte fyellit!

Edhe po t’i mbledhim së bashku të gjitha gabimet e Nolit lidhur me problemin që po trajtojmë, qoftë fjalimin në Gjenevë, ku demokracinë e quajti një mashtrim hipokrit të popujve, parlamentin një murtajë, zgjedhjet e lira një komedi, etj., qoftë marrëdhëniet me sovjetikët (ardhjen e misionit diplomatik dhe njohjen e B. S.), qoftë disa mendime të tijat të shprehura në ndonjë introduktë lerare a në poezi, nuk na japin argumente për ta paditur atë si bolshevik

Në fushën e organizimit politik, mbas dështimit të të ashtuquajturit Revolucion Demokratiko-Borgjez të Qërshorit 21), Noli vepron në krahun e revolucionarëve. Në vitin 1925, ai është në krye të KONARE-s, organizëm politik i mërgimtarëve demokratë revolucionarë shqiptarë dhe më vonë, më 1927, ai është kryetar i Komitetit të Çlirimit Nacional, ku bënin pjesë edhe komunistët shqiptarë, të cilët nëpërmjet Federatës Komuniste Ballkanike lidheshin me Kominternin.

Më 1927, Noli viziton Moskën, si anëtar i delegacionit të popujve të Ballkanit për të marrë pjesë në Kongresin e Miqve të Bashkimit Sovjetik, me rastin e 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit. Në dy shkrime të botuara në Pravda ai shfaqi “simpatinë e tij për shtetin socialist”, “për sukseset e tij të mëdha”, “për politikën paqedashëse” dhe “besimin për një të ardhme më të mirë” të popujve sovjetikë. 22). Simpatia dhe besimi për një të ardhme më të mirë nuk mund të etiketohen me bolshevizëm.

Kultivimi në ndërgjegjën noliane i simpatisë për B. S., lindur dhe ushqyer nga shpresa se shteti i parë socialist në botë, “shteti i punëtorëve e i fshatarëve” do të ndihmonte për çlirimin politik e shoqëror, begatinë e paqen e popujve të vegjël, argumentohej edhe me faktin se Rusia Sovjetike pati publikuar Traktatin e Fshehtë të Londrës për copëtimin e atdheut tonë.

Duke folur për afrimin me sovjetikët, në kohën kur Lidhja e Kombeve dhe Shtetet Perëndimore nuk i dhanë ndihmën financiare aq të nevojshme për Shqipërinë, Robert C. Austin thekson: “Ky hap, të cilin Noli e ndërmori në mënyrë të njëanshme, ishte projektuar më shumë si një përpjekje e fundit për të tërhequr vëmendjen e Perëndimit sesa për të lejuar depërtimin e lirë të sovjetikëve në vend.” 23).

Si njeri i dimensioneve evropiane e botërore, Noli u përfshi në lajthitjen e shumë personaliteteve të mëdha të kohës, që e menduan shpëtimin, d. m. th. çlirimin politik e shoqëror të njerëzimit, në rrugën e sovjetëve.

Gjatë gjithë shekullit XX, duke lënë mbanesh gjysën e dytë të shek. XIX, (kujto, p. sh., Federatën Social Demokrate që pati krijuar më 1881 poeti anglez William Morris, simpatizues i zellshëm i marksizmit dhe, më 1884, Shoqërinë Fabiane, ku bënte pjesë ndër personalitete të njohura intelektuale edhe miku e vlerësuesi i Nolit, George Bernard Shaw), në Evropën Perëndimore ekzistonin grupe intelektualësh që jo vetëm simpatizonin komunizmin, por qenë futur në radhët e partive komuniste, parti të cilat, mbas triumfit të Revolucionit të Tetorit, vepronin nën diktatin e Internacionales Komuniste. 24).

I gjithë krahu i majtë i intelektualëve evroperëndimorë, në vitet 20-30 të shekullit të kaluar, u nda mes atyre që përkrahnin socializmin dhe atyre që përkrahnin komunizmin dhe, kuptohet, debatet mes këtyre dy grupeve ndikuan mbi jetën politike të Evropës deri në vitet ’80, vitet që sollën përmbysjen e komunizmit.

Sidomos gjatë viteve ’30, për shumë intelektualë jo vetëm të përmasave kombëtare, por edhe të atyre evropiane e botërore, në radhët e të cilëve futej Noli, komunizmi shihej si rrugë e domosdoshme për mbrojtjen e vlerave njerëzore.

Shumë intelektualë vizituan gjatë kësaj periudhe Bashkimin Sovjetik dhe vlerësuan arritjet e tij. Një pjesë e tyre nuk dinin gjë për terrorin stalinist; disa-edhe kjo duhet thënë-mbyllën sytë para tragjedisë sovjetike, duke besuar se qëllimet humane, çlirimi i popujve, e ardhmja e njerëzimit mund të arrihen përmes metodave johumane; pa lënë jashtë edhe ata që mbrojtën haptas terrorin stalinist. 25).

A nuk qenë komunistë nobelistët e lëtërsisë Romeo Roland, Pablo Neruda, Gabriel Garcia Marques (babai i realizmit magjik dhe i dashuruari pas Fidel Kastros), a nuk qenë komunistë personalitetet e shquara të letrave: Frederico Garcia Lorca, Henry Barbys, Louis Aragon, Paul Ives Nizan, Andre Malraux, Paul Eduard, Martin Andersen Nekse, e sa e sa të tjerë? Sa mashtruese aq edhe mikluese qe ëndrra e komunizmit për një shoqëri të lirë, ku të mbretëronte barazia e të mos njihej shtypja e shfrytëzimi.

Gjatë viteve 20-30, komunizmi qe bërë për shumë personalitete evropiane si një besim i dytë. Natyrisht, nuk vonoi që ky besim të digjej në flakët e ferrit të kuq. Mbas proceseve gjyqësore të mesit të viteve 30, që nuk patën të mbaruar, mbas Luftës Civile në Spanjë (1936-39), mbas Paktit Sovjeto-Gjerman (1939), mbas invadimit të Hungarisë dhe atij të Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, zhgënjimi qe i plotë.

Jashtëzakonisht qartë është paraqitur ky zhgënjim nga një grup intelektualësh ish-komunistë mbas Luftës së Dytë Botërore, në librin “Zoti që dështoi” (1949), një përmbledhje esesh botuar nga Ed. R. Crossman. Shumë e shumë vepra u bënë pasqyrë e këtij zhgënjimi. Romancieri dhe eseisti hungarez Arthur Koestler e ka pasqyruar atë në disa vepra të tijat, por sidomos në romanin “Errësirë në mesditë” (1941), subjekti i të cilit janë proceset gjyqësore të viteve ’30 të shek. XX në B. S.

Ndoshta më i njohuri nga ata që e diskredituan qe George Orwell, i cili pati qenë simpatizant i flaktë i komunizmit dhe diskreditoi sidomos tendencat totalitariste si kërcënim të vlerave humane, në romanet “Ferma e kafshëve” (1945) dhe“1984”(botuar më 1949).

Edhe filozofit të madh francez Jean-Paul Sartre, babai i ekzistencializmit, i cili për një kohë të gjatë pati besuar tek Bashkimi Sovjetik, “Revolucioni Hungarez” ia pati ftohur zjarrin e besimit e të dashurisë për sovjetët.

Megjithëkëtë, zhgënjimi i madh i intelektualëve evropianë ndaj B. S.dhe Stalinit nuk duhet interpretuar edhe si zhgënjim ndaj marksizmit, sepse personalitete të mëdha të politikës, po edhe të filozofisë dhe të artit, vazhduan të mendojnë për një komunizëm të ndryshëm nga modeli sovjetik. Sa për ilustrim, po përmendim këtu vetëm filozofin amerikan Herbert Marcuse, (1898-1979), i cili nëpërmjet të një gërshetimi të frojdizmit me marksizmin predikoi revolucionin e dhunshëm, si shkallën e parë për të shkuar drejt një shoqërie më të pasur dhe më humane. Në vitet 60 të shek. që kaloi, ai qe bërë figura kryesore e së “Majtës së Re” në SHBA. 26).

Të kthehemi tek Noli. Mbas dështimit të tij politik, humanizmi dhe vokacioni i fortë atdhetar iu bënë më të thekshëm dhe dhimbja për atdheun iu bë edhe më e madhe-duke e menduar veten shkaktar të asaj që pësoi jo vetëm ai por edhe atdheu. Duket sikur iu konsumuan lëkundjet dhe u bind se “dhuna revolucionare e masave është alternativa e vetme e luftës ndaj dhunës kundërrevolucionare”.

Në poezinë autobiografike “Krishti me kamçikun” që mendohet të jetë botuar më 1930, por që mund të jetë shkruar më parë, Noli qan hallin e atdheut që kishte rënë në dorë të batakçinjëve:

“Në kështjellë t’atdheut, në tempull të fesë

janë shtruar sarafët pa shpirt e pa besë,

tregëtojn’ e gënjejnë, rrëmbejn’ e sfrutojnë”

Krishti, që nuk e duron dot këtë gjendje, merr kamxhikun: “Me kamçik e me fshikull sarafet i dboj,/ dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoj.”; por shpejt pendohet dhe e hedh kamxhikun, (në kundërshtim me këshillën e Shen Pjetrit), sepse “lirin’ e sjell drita e mendjes, jo druri”. Dhe çfarë ndodhi atëherë? “Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë/ dhe e shempnë çlironjësin, fen’ e atdhenë”. Krishti pendohet që përdori dhunën, ndërgjegjja dhe besimi që predikon nuk ia lejojnë dhunën; megjithëse logjika e ngjarjeve është në favor të saj. I tillë mund të përvijohet qëndrimi i Nolit. Ai rropatej në vorbullën e tallazitur të kësaj kontradikte, por pa iu nënshtruar asaj. Sentenca latine “Thehem, por s’përkulem” është mishërimi i qëndrimit nolian në gjirin e kësaj kontradikte.

Në këtë frymë, në shtratin e kësaj lëkundjeje, Noli, mbas dështimit politik, analizoi qëndrimin e tij ndaj dhunës, çka na bën të arrijmë në përfundimin që teorikisht ai e pranon dhunën, por praktikisht nuk mund ta vërë në jetë.

Në këtë hulli mendore e shpirtërore, megjithëse lëkundjet vazhdojnë, ai arrin ta predikojë përdorimin e dhunës. Kjo është shkalla më e lartë e “bolshevizmit” të Nolit. E kësaj kohe është poezia “Anës së lumenjve”, ku shqiptohet thirrja për kryengritje. Po çfarë është konkretisht qenësia e kësaj thirrjeje kryengritëse në poezinë e mësipërme? Ajo është thjesht një thirrje drejtuar masave popullore për të luftuar kundër gjendjes së krijuar në Shqipëri, kundër republikës autoritare që u vendos menjëherë mbas dështimit të ngjarjeve të qërshorit dhe që në krye të tri viteve, nga një “kuvend” që votoi një zëri, u kthye në mbretëri të trashëguar, e cila solli me vete njëfarë stabilizimi shtetëror të një dore të fortë, por jo çlirimin shpirtëror e shoqëror, për të cilin kishte nevojë Shqipëria. Është pikërisht ajo kohë, kur si shpërblim për shërbimet e larta që i kanë bërë Atdheut, u përshëndetën me plumb tribunët e lavdishën popullorë si Gurakuqi, Bajram Curri, e të tjerë.

Thirrja e poezisë “Anës së lumenjve”, e cila më së shumti e etiketoi Nolin si bolshevik, nuk ka asgjë të përbashkët me revolucionin bolshevik, që synon vendosjen e diktaturës se proletariatit, ndërtimin e pushtetit të sovjetëve dhe të gjitha shndërrimet e tjera të dhunshme që pasojnë këtë diktaturë. Logjika e shëndoshë asesi nuk mund të argumentojë te kjo thirrje bolshevizmin. Noli kategorikisht qe armik i betuar i çdo diktature. Ideali i tij politik ka qenë një regjim republikan, në kuptimin më të saktë të kësaj fjale. Si militant i lirisë së mendimit,-premisa kryesore e çlirimit shpirtëror të një shoqërie,- atij i përshtatet më së forti thënia e Thomas Jefferson-it, presidentit III të Shteteve të Bashkuara, autorit kryesor të Deklaratës së Indipendencës: “Unë jam betuar në altarin e Zotit për armiqësi të përjetshme kundër çdo forme tiranie mbi mendjen e njeriut.”

Armiqtë politikë dhe intelektualët puthadorë të tyre e shfrytëzuan këtë thirrje për qëllimet e tyre. Peshkopit tonë të nderuar iu shtua nofka “I kuq”. Ai u akuzua si bolshevik. (Duhet ditur se të parët që e akuzuan Nolin për bolshevizëm kanë qenë grekët). Kjo kontradiktë ideologjike e Nolit, kontradikta mes vokacionit e misionit të tij fetar kristian dhe thirrjes “bolshevike” për dhunë mori ngjyra paradoksale. I krijuar nga propaganda me synime të caktuara, paradoksi nolian bëri një përshtypje të thellë, sepse së paku atyre kulmeve të ndërgjegjes humane botërore që përmendëm më lart nuk i peshonte kryqi mbi gjoks. Të vjen çudi, kur edhe sot e kësaj dite ndonjë intelektual e ndjen ende shijën e këtij “bolshevizmi” nolian.

Nga më të avancuarat dhe të diskutuarat ndër introduktat e Nolit, për problemin që po trajtojmë, është ajo e “Armikut të popullit” e Ibsenit. Pipa ka shkruar që pasazhe të kësaj introdukte “hedhin dritë edhe në ideologjinë revolucionare të Nolit, që pa frikë mund ta quash bolshevike” 27).

Në këtë introduktë, Noli ngrihet kundër institucioneve të shoqërisë borgjeze: ideologjisë (të cilën ai e quan “faqe me nder demokratike”), lirisë së fjalës, zgjedhjeve, parlamentit, fesë, shkollës, opinionit publik, shtypit.

Edhe sot e kësaj dite, kur demokracia ka ecur mjaft përpara, nuk mund të pranohet që institucionet demokratike janë të përkryera. Aq më tëpër në vitet 20-30 të shekullit që porsa e lëmë, të cilat sollën në sofrën botërore të ideologjisë e të politikës rrymat e fuqishme, të përgjakshme e të stërpërgjakshme të fashizmit, nazizmit e komunizmit.

Panariti lidhur me konceptin që kishte Noli për për lirinë e mendimit ka shkruar: “Pas theorisë Noliane, liria s’është e lirë asgjëkundi. Kudo kufizohet me mënyra të ndryshme. Diktatoritë t’a kufizojnë lirin’ e mejtimit me anë të burgut dhe të litarit, kurse shtetet Perëndimore t’a kufizojnë me anë të propagandës dhe të policisë sekrete, pregaditin dosje fiktive dhe në bazë të tyre, të vënë vulën e kuqe (nënvizimi im, A. Ç.), ose nonjë tjetër vulë që të të çkreditojnë përpara turmës ignorante. Po natyrisht në botën Perëndimore liri e mejtimit është tolerabile, kurse në botën diktatoriale të presin gjuhën” 28).

Të ngrihesh kundër institucioneve borgjeze është një çështje; çështja tjetër-më rëndësorja- është, në emër të kuj e bën këtë “kryengritje”, në emër të ndonjë teorie socialistësh evroperëndimorë, apo në emër të një revolucioni bolshevik, për t’i zëvendësuar ato institucione me diktaturën e proletariatit, d. m. th. për t’i mohuar?

Ja zgjidhja që i bën Noli, duke komentuar figurën e Doktor Stokmanit: “Kjo shoqëri duhet përmbysur me gjithsej se është e pamundur të ndreqet me ato baza që ka. Qysh? Nga njëra anë me luftë (dhe këtu nuk është fjala për luftë të armatosur revolucionare, por kryesisht për përpjekje reformative, qoftë edhe me force; shënimi im, A. Ç), nga ana tjetër me edukatë, duke rritur një brez të ri ploretarësh…”. Dhe këtu të shkon mendja menjëherë tek “Republika e Platonit” dhe jo tek marksizëm-leninizmi.

Nuk mund të mospërfillet ndonjë interpretim i Nolit në këtë introduktë, në të cilën ai “e kapërcen vetë domethënien e kësaj vepre, përtej kritikës që i bën dhe që mund t’i bënte Ibseni shoqërisë borgjeze” 29). Këtu, më shumë se kudo ndihet lajthitja e përbotshme ndaj komunizmit, (Noli e botoi “Armikun e popullit” në vitin 1926, ndërsa Ibseni në vitin 1890), por gjithsesi, edhe në këtë introduktë, “bolshevizmi” i Nolit mbetet ndër thonjëza.

Kritika e realizmit socialist, duke i peshuar dukuritë letrare në kandarin politik të partishmërisë, që ka qenë parim i parë më i rëndësishmi i kësaj metode, ka vënë në dukje “kufizimet” e Nolit në formimin e tij ideologjik, “stepjet ideologjike”, “shkarjet politike”(!), d. m. th. trajtimin e gabuar prej tij të bolshevizmit.

Vërëhen herë-herë në shtypin shqiptar dhe në median elektronike, shkrime të papërgjegjshme, plotësisht të papërgjegjshme, të ndonjë pene të çoroditur, ku figura e Nolit cilësohet në mënyrat më të çuditshme, shpesh poshtëruese. P. sh., në revistën “Klan” (v. 1999, nr. 4.), shkruhet për Nolin që ka qenë “spiun i austriakëve”, “ka vjedhur gjithë florinjtë e arkës së shtetit”, “ka vjedhur librat ‘Historia e Skendërbeut’ dhe ‘Bethoveni dhe Revolucioni Francez’ nga Konica, kur është pushtuar Shqipëria nga Italia, më 1939, ka thënë: “Sikur t’i bjerë zjarri Shqipërisë, unë do të bëj sehir dhe do të fërkoj duart si Neroni kur u dogj Roma” dhe shprehje të tjera që bëjnë me qeshë edhe gomarin. Në internet, gjatë këtij viti është shkruar:“Revolucioni i 1924-ës ka qenë revolucion terroristo-ortodokso-bolshevik” dhe Noli është cilësuar: “diktatori i parë ortodokso-komunist i historisë së Shqipërisë”!

Po ndalem paksa, sado që nuk ia vlen, tek dy cilësimet e fundit, që kanë lidhje më këtë shkrim. Duke lënë mbanesh faktin që këtyre penave u mungon predispozicioni qytetar për të vlerësuar me objektivitet atdhetarët idealistë dhe njerëzit e shquar të kulturës sonë; këto lloj përcaktimesh e të tjera si këto, në kandarin shkencor–duke huajtur një shprehje noliane–janë “flluska e supërflluska sapuni”, ku në vend të vezullimeve logjike e historike, shkëlqejnë padituria, mllefi dhe helmi i qëllimeve të autorëve.

(Ndër kllapa: janë po ato pena që përpiqen të përmbysin atë çka më të shenjtë e më të vyer ka krijuar populli ynë dhe të nxjerrin në pah atë çka ai ka pasur më të ndyrë e më të neveritshme, ato pena që hedhin baltë mbi Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotin-Skenderbeun, për të na ngritur në vend të tij shëmtira pashallarësh, që i shërbyen me devotshmëri fanatike pushtuesit turk dhe iu kundërvunë egërsisht, me zjarr e me hekur, luftës çlirimtare të popullit tonë; janë po ato pena që ngrejnë piedestale për Haxhi Qamilat e Esat Toptanat. Cilido që të jetë qëllimi i tyre, ai është para së gjithash e mbi të gjitha antishqiptar.)

Pa pasur ndërmend t’u shpjegoj këtyre zotërinjve konceptet e revolucionit, terrorizmit, ortodoksizmit, diktaturës, etj., u kujtoj vetëm që hapësira e konceptit “bolshevizëm” është një hapësirë e përgjakshme dhune e krimi shumëdimensional. Ajo përfshin revolucionin e dhunshëm, vrasjen pas shpine dhe çdo mjet tjetër makiavelik, grabitjen e pasurive private, shtetizimin e ekonomisë, mohimin më të skajshëm të identitetit të njeriut, nëpërkëmbjen dhe poshtërimin deri në fund të dinjitetit të tij, mungesën e të gjitha lirive e të drejtave njerëzore, duke përdorur kontrollin më të egër dhe censurën më të reptë të mendimit të lirë, që ushtrohen nga e vetmja parti në pushtet dhe nga organizmat më brutale e më represive të policive sekrete dhe sa e sa përbërës të tjerë, nga më antinjerëzorët, që ka sajuar ndonjëherë mëndja satanike e njeriut.

Noli ka pasur gabimet e tij në politikë, gabime që dëmtuan vokacionin e fuqishëm atdhetar e qëllimet e tij të fisme dhe i bënë dëm ndonjëherë atdheut dhe çështjes shqiptare në përgjithësi. Ashtu siç simbolizoi “sinthezin e virtyteve të racës arbërore”, ashtu mishëroi edhe disa nga të metat e tharmit etnik iliro-shqiptar. Ai nuk doli dot nga ajo hise e shpirtit shqiptar, që përvijohet nga hakmarrja, urrejtja, inati, fyerja ndaj kundërshtarit, vështirësia në pranimin e gabimeve; por kjo hise shpirti është fare e zbehtë përballë shkëlqimit të madhështisë së personalitetit të tij.

Njohës i thellë dhe vlerësues i paanshëm i kulturave e qytetërimmeve botërore, të lashta e bashkëkohore, perëndimore e lindore, të cilat ai ia shtroi popullit tonë aq mjeshtërisht në sofrën e dijes; i ushqyer nga një dhimbje e thekshme atdhetari idealist, ithtar i flaktë i “mejtimit të lirë”, i pashëmbullt në energjinë e tij; ai u bë një gjenerator i fuqishëm i lëvizjes mendore të kohës së tij, që vazhdon e do të vazhdojë të ndikojë gjithnjë mbi inteligjencien shqiptare, një kultivator i mendimit demokratik, duke e futur popullin tonë në rrugën e gjerë e të vështirë të çlirimit shpirtëror e shoqëror, rrugë në të cilën, ai qe njëri nga prijësit më të shkëlqyeshëm.

Noli qe një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të kulturës sonë në kulturën evropiane e botërore. Në fushën e kulturës, ai qe i madh si shqiptar dhe po aq i madh si evropian.

Fan Noli, vokacioni atdhetar i politikanit, poetit, diplomatit, publicistit dhe shqipëruesitNoli qe një Mojsi që u përpoq me të gjitha forcat për ta çuar popullin tonë në tokën e premtuar të demokracisë, por nuk ia arriti. Ai ia arriti ta drejtojë atë në tokën e dëshiruar të kulturës e të qytetërimit. /Albert Vataj /KultPlus

Çabej: Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision

ÇabejNë vitet 1962-1966 isha student në Fakultetin Histori dhe Filologji të Universitetit të Tiranës. Fakulteti përdorte dy katet e para të asaj godine, kurse në katin e tretë kishin zyrat e tyre Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë dhe Instituti i Folklorit. Gjatë pushimeve midis orëve mësimore, në oborrin e fakultetit rastiste të shikonim duke ecur ngadalë për të vajtur tek kafja aty pranë Prof. Eqrem Çabejn, të shoqëruar prej treshes shkodrane: Pashko Geci, Anton Krajni dhe Filip Fishta, intelektualë të shkolluar në Austri, Gjermani ose Itali.

Ashtu si Profesor Çabej, edhe ata shquheshin për njohjen e thellë të disa gjuhëve të huaja, por në Institutin e Gjuhësisë dhe të Historisë punonin si forca teknike për vjeljen e fjalëve të gjuhës shqipe në gazeta dhe libra të ndryshëm. Profesor Eqrem Çabej jepte në degën Gjuhë Letërsi Shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë kursin e plotë të leksioneve Historia e Gjuhës Shqipe, vepër origjinale e tij. Këtë lëndë ai e zhvillonte në dy semestra, gjatë semestrit të dytë të kursit të tretë dhe gjatë semestrit të parë të kursit të katërt.

Ai ishte pedagogu më mbresëlënës i fakultetit, ndoshta dhe i gjithë Universitetit të Tiranës. Ai ishte nga ato rastet kur përputhen te një person i vetëm gjithë të mirat: pamja e bukur fizike, bukuria shpirtërore, aftësitë profesionale, sjellja fisnike dhe talenti. Mbas shkërmoqjes së diktaturës, kur shpërtheu shfaqja e pakënaqësive të ndrydhura, ky profesor ishte një nga personalitetet e pakta të kulturës sonë që nuk u kritikua për asgjë prej askujt, dëshmi e vlerave të tij. Ishte burrë i gjatë e i pashëm, elegant, me një shikim të ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë pozant ose kërcënues.

Mbante kapelë republikë, kur ecte i vetëm, ecte shpejt me hapa të gjatë, si atlet. Përshëndetja e tij na bënte përshtypje: të shikonte në sy dhe, pasi përulte kokën, e çonte pak kapelën me dorën e djathtë. Në sallën e leksionit, ose në korridoret e fakultetit, si dhe gjatë viteve që punova në institut, nuk e pashë kurrë të parruar dhe asnjëherë nervoz. Gjithnjë i matur në të folur, madje pak i ngadalshëm. Na sillej sikur ishim të barabartë me të. Leksionet i mbante gjithnjë duke folur në këmbë te katedra, kurse fragmentet që sillte për ilustrim mendimesh prej studiuesve të tjerë i lexonte. Kur lexonte vinte syzet. Vënia dhe heqja e syzeve i kishte shumë lezet. Disa fjalë kyçe të leksionit i shkruante në dërrasën e zezë. Fliste me zë jo të lartë, gjë që e shtonte qetësinë në sallë. Ato që shqiptonte ai, ne përpiqeshim t’i përpinim.

Në pamjen dhe sjelljen e tij kishte diçka madhështore që të tërhiqte e të bënte për vete. Leksionet e tij, ndonëse trajtonin probleme të vështira, ishin plotësisht të kuptueshme. Në to sundonte analiza logjike dhe argumentimi, rrallë përdorte fjalë të huaja, gjithçka ishte e qartë. Profesori përdorte disa shprehje të vetat, midis të cilave më kanë mbetur në mendje dy. Shprehjen: Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, e përdorte për të miratuar një mendim të kundërshtuar më parë, kurse shprehjen: Këtë, një Zot e di, e përdorte për të treguar dyshim ndaj një mendimi ose hipoteze të pazgjidhur. Këtë shprehjen e dytë, e cila ishte një shprehje popullore shumë e vjetër, e shqiptonte duke ngritur deri te fytyra e tij gishtin tregues të dorës së djathtë. Shprehjen e parë filluan ta përdornin me gojë e me shkrim dhe disa pedagogë, studiues e studentë, por shprehjen e dytë nuk guxonte ta thoshte askush tjetër veç tij. Për bindjet e tij fetare ishte e vështirë të krijoje një mendim të qartë.

Ai asnjëherë nuk hapi ndonjë bisedë me temë fetare. Botëkuptimi dhe sjellja e tij ishin brumosur që në rini gjatë jetës në Austrinë e qytetëruar, prandaj ishte i çliruar prej shumë dobësive që manifestonin shqiptarët e lindur dhe plakur brenda atdheut. Në sjelljen dhe pamjen e tij binin në sy tipare prej një evropiani të vërtetë, tipare që nuk i gjeje as në të krishterët e muhamedanët e përkorë. Ora e fundit e mësimit me të, aty nga fundi i dhjetorit 1965, më ka mbetur në mend. Atë orë, profesori nuk shpjegoi lëndë nga teksti, por duke na konsideruar kolegë, na dha disa këshilla për jetën tonë të ardhshme. Për të krijuar afirmitet me ne, atë orë ai foli ulur. Këshillat e asaj ore më kanë lënë mbresë, ndoshta sepse kujtimi i mjaft prej tyre më bën të ndihem fajtor.

Ndihem fajtor, sepse në rininë time dhe më vonë nuk i vlerësova sa duhej dhe nuk i zbatova si duhej… Mbasi u vendos qetësia, profesori filloi:

“Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shembullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun. Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. Mos u merrni me biseda gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. Mos e përzieni kohën e punës me kohën e pushimit dhe as kohën e pushimit me atë të punës.

Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura. Mos jini kategorikë kur shprehni mendimet tuaja. Gjithçka shikojeni me sy kritik. Kur mendoni ndryshe, mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime. Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta. Gjërat e paqarta nuk mbahen mend. Mos bëni asnjë punë shkel e shko. Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj. Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet. Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë. Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja kryesore…”

Thanas L. Gjika

Fromm, Sartre, Nietzsche dhe Yalom për veprimet, Ferrin, besimin dhe famën

WisdomNëse njerëzit nuk e kuptojnë sjelljen tonë – çka pastaj? Kërkesa e tyre se duhet të bëjmë vetëm atë që e kuptojnë ata është një tentim për të na diktuar. Nëse kjo do të thotë të bëhesh “asocial” ose “irracional”, bëhu. Në përgjithësi ata nuk e durojnë lirinë dhe guximin tonë për të qenë vetja.

– Ne nuk i detyrohemi askujt për shpjegime ose llogari, për aq kohë sa veprimet tona nuk i lëndojnë ose i nëpërkëmbin ata. Sa shumë jetë janë shkatërruar nga kjo nevojë për “shpjegim”, e cila zakonisht e përfshin edhe atë se shpjegimi është “kuptuar” – që do të thotë është miratuar.

– Lëri veprimet tuaja të gjykohen dhe nga veprimet të gjykohen edhe qëllimet tuaja, por dije se një person i lirë i ka borxh një shpjegim vetëm vetes – arsyes dhe ndërgjegjes së vet – dhe tek disa të cilët mund të kenë një kërkesë të justifikueshme për shpjegim.

Erich Fromm

– Pra ky është Ferri. Kurrë nuk do ta besoja. Ju kujtohet se të gjithëve na është treguar për dhomat e torturës, për zjarrin dhe squfurin, për tokën e ndezur. Tregimet për shtrigat! Nuk ka nevojë për djaj të kuq dhe të zjarrtë. Ferri janë njerëzit e tjerë.

Jean-Paul Sartre

– Zoti ka vdekur. Zoti mbetet i vdekur. Ne e kemi mbytur atë. Si duhet ta ngushëllojmë veten, ne, vrasësit e të gjithë vrasësve? Çka ishte ajo më e madhja dhe më e shenjta e të gjithave që bota ende e posedon, e cila gjakoset për vdekje nën thikat tona: kush do ta fshij këtë gjakun tonë? Çfarë uji ekziston për të na pastruar neve nga vetja e jonë? Çfarë festivale të shlyerjes, çfarë lojë të shenjta duhet të shpikim ne? A nuk është madhështia e këtij veprimi shumë e madhe për ne?”

Friedrich Nietzsche

– Djalosh, nevojat e tua janë të pakta dhe ato lehtë mund të arrihen dhe secila vuajtje e domosdoshme mund lehtësisht të tolerohet. Mos e kompliko jetën tënde me këso qëllime të ulëta si pasuria dhe fama: ato janë armiqtë e lumturisë.

– Fama, për shembull, ka të bëjë me opinionin e të tjerëve për ty dhe ajo kërkon që ne ta jetojmë jetën ashtu siç të tjerët duan. Për ta arritur dhe për ta mbajtur famën duhet të pëlqejmë atë që të tjerët e pëlqejnë. Prandaj, një jetë me famë ose një jetë me politikë? Ikni nga ato. Ndërsa pasuria? Shmanguni prej saj! Është një kurth, sepse sa më shumë që bëjmë aq më shumë e dëshirojmë dhe po aq i thellë do të jetë edhe pikëllimi atëherë kur dëshira jonë për të nuk do të përmbushet.

– Djalosh, më dëgjo mua: nëse e dëshironi lumturinë, mos e humbisni jetën tuaj duke luftuar për atë të cilën ju në të vërtetë nuk keni nevojë.

Irvin D. Yalom