Anulohet takimi i së shtunës Kosovë – Serbi në Shtëpinë e Bardhë

Grenell 1Takimi i paralajmëruar për të shtunën në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të mbahet.

Planeve u dha fund Prokuroria e Posaçme me seli në Hagë me publikimin e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha të enjten në Bruksel se për shkak të këtyre zhvillimeve do të kthehet në shtëpi për t’u përballur me situatën e krijuar.

Unë në konsultim me ambasadorin (Richard) Grenell i kam propozuar që ta shtyjmë këtë takim për një ditë tjetër për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur ditën e djeshme“, tha ai.

Ambasadori Richard Grenell konfirmoi në një gjë të tilla në rrjetin twitter në të cilin shkroi se e kupton vendimin e kryeministrit Hoti dhe “po presim që të ripërcaktojmë takimin së shpejti”.

Të mërkurën presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, që ishte rrugës për në Shtetet e Bashkuara anuloi pjesëmarrjen pas publikimit të njoftimit të prokurorisë.
Nuk ka pasur ndonjë koment të presidentit Thaçi, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, të mërkurën mbrëma e cilësoi veprimin e prokurorisë, si të pashembullt dhe përpjekje për rishkrim të historisë.Institucione e parti politike reaguan gjerësisht ndaj njoftimit ndërsa reagime pati edhe ndër qytetarë të anketuar nga Zëri i Amerikës:

Është mirë që ai të paraqitet në gjyq, e të vërtetojë atë të vërtetën a është fjala për diçka që nuk ka kryer apo diçka që ka kryer. Ai që ka kryer vepra sigurisht duhet të përgjigjet. Unë besoj që është mirë që një herë të dilet dhe të pastrohet kjo punë në mënyrën më të drejtë, le të vërtetohet se njerëzit dëshirojnë ta dinë të vërtetën”, tha Mehmet Neziri.

Për Gafurr Ajvazin “nuk është hiç mirë. Uroj të mos bëhet luftë e të bëhet paqe dhe mirë sepse këtë e ka kurdisur dikush. Jo vetëm kundër Thaçit, por është shumë keq që UÇK-ja po bie viktimë kurse agresori po bëhet paqësor. Të gjykohet vetëm populli shqiptar askund kështu nuk ka”, tha ai.

Mendoj se është një padrejtësi e madhe që po i bëhet Kosovës dhe popullit të saj, pastaj momenti aktual kur pritej që të zgjidhet një problem madhor në mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, ky është një indikacion që na shtyn të mendojmë se vërtetë nuk ka drejtësi, sikur nuk po duan ta stabilizojnë këtë problem ballkanik po them ashtu“, tha Osman Vitia.

Analistët në Kosovë e cilësojnë situatën e krijuar pas publikimit të akuzave si ndër më të vështirat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Për analistin e Grupit të Ballkanit për hartimin e politikave, Naim Rashiti, publikimi lidhet drejtpërdrejtë me takimin e paralajmëruar për të shtunën në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell.

Po absolutisht. Ka kohë që Kosova është bërë peng i një konflikti të vendeve të BE-së ose akterëve të BE-së me SHBA-të dhe dikush e përdori këtë për një moment të caktuar, jo për ta sulmuar Kosovën domosdoshmërisht se lënda apo aktakuza ka qenë në proces, kështu që ajo do të kishte ardhur pas disa muajve, por kryesisht për tu atakuar me SHBA-të, dhe Kosova edhe një herë u përdor si levë për këtë konflikt me njëri – tjetrin“, tha zoti Rashiti.

Analisti i Institutit Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit, Labinot Greiçevci, instituti i të cilit ka nxjerrë disa studime për përmbylljen e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi, thotë se veprimi i prokurorisë duket më shumë ndërhyrje politike sesa çështje e drejtësisë.

Momentumi kur është publikuar kjo kumtesë është një momentum delikat politik dhe këtu më shumë më ngjan në njëfarë lloj beteje ndërmjet akterëve ndërkombëtar sa i përket procesit të dialogut Kosovë – Serbi sesa një procesi të vërtetë juridik, gjyqësor i cili do të mund të fillonte ndaj personave që përmenden në atë kumtesë më shumë politike sesa e aspektit juridik“, tha ai.

Analistët parashohin dëme të mëdha për Kosovën me situatën e krijuar.

Fillimisht dëmi i parë është që kemi një stopim të procesit të dialogut Kosovë Serbi dhe padyshim që ky proces nuk do të mund të rifillojë në një të ardhme të afërt nëse do të kemi edhe aktakuzat e para në këtë proces të konfirmuara nga gjyqtari i procedurës paraprake në dhomat e specializuara në Hagë. Pastaj pasojat do të jenë afatmesme, afatgjata për Kosovën sepse Kosova po bëhet faktikisht një lloj fushëbeteje ndërmjet akterëve të ndryshëm ndërkombëtar dhe Kosova po viktimizohet në tërë këtë proces, në këtë fushëbetejë të madhe ndërkombëtare. Kështu që ky proces me gjasë do ta ngadalësojë edhe ritmin e zgjidhjes përfundimtare të relacioneve Kosovë – Serbi, por do të kontribuojë në vazhdimin e status quo-së brenda Kosovës që me fjalë të tjera, nënkupton stagnim e moszhvillim ekonomik, politik e social në Kosovë, pra është me pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës“, tha Zoti Greiçevci.

Besoj që do të jetë shkundje për pavarësinë sepse do të vendos në pikëpyetje themelin e saj, luftën, lirinë dhe betejën 30 vjeçare për pavarësi. Mirëpo, ky është obligim ndërkombëtar i paevitueshëm dhe këtu duhet një politikë e re. Po të kishte qenë Kosova anëtare e OKB-së dhe në procese integruese, do të ishte menaxhuar shumë më lehtë, por Kosova është gjysmake ndërkombëtarisht, është në një konflikt të hapur e pazgjidhur me Serbinë, një marrëdhënie tepër të rëndë me BE-në dhe brenda saj ende e pazhvilluar. Tani, në këtë situatë nuk do të kemi dialog me Serbinë, nuk do të kemi zgjidhje me Serbinë sepse do të përdoret për ta dobësuar Kosovën, BE-ja do të jetë edhe më refuzuese ndaj Kosovës dhe zhvillimi i brendshëm do të jetë më i ngadalshëm“, tha zoti Rashiti.

Ndër çështjet që mbeten të hapura është edhe ajo se cilat do të jenë zhvillimet e brendshme politike në Kosovë pas publikimit të akuzave që duhet të konfirmohen apo të hidhen poshtë brenda gjashtë muajsh, që nga ngritja e tyre më 24 prill të këtij viti.

voa

DASH: Ngritja e akuzave nga Prokurori i Specializuar, hap përpara për drejtësinë në Kosovë

DASHNjë zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Gjykatën Speciale për Kosovën dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar t’i përmbahen mandatit të tyre ndërkohë që avancon kjo çështje përmes sistemit të drejtësisë.

“Njoftimi është rezultat i një procesi që vazhdon prej 20 vjetësh,” tha zëdhënësi, i cili bëri komente për Zërin e Amerikës, në kushte anonimiteti.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se ngritja e akuzave e njoftuar nga Prokurori i Specializuar është një hap përpara për procesin e realizimit të drejtësisë dhe ripajtimit në Ballkanin Perëndimor. Njoftimi është esencial për avancimin e shtetit ligjor dhe drejtësisë për viktimat në Kosovë, si dhe për vendin, që të kapërcejë këtë periudhë të tmerrshme dhe të bashkohet me komunitetin euro-atlantik,” tha për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, njoftoi të mërkurën se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.

voa

BE: Bisedimet Kosovë – Serbi duhet të vazhdojnë në korrik

BEBashkimi Evropian tha të enjten se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk kanë alternativë dhe ato duhet të vazhdojnë muajin e ardhshëm.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, tha se “kur flasim për normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, flasim për bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian”.

Të enjten u anulua një takim i paralajmëruar për të shtunën në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump.

Planet dështuan pasi që të enjten Prokuroria e Posaçme me seli në Hagë, publikoi akuzat ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Zëdhënësi Stano tha se BE-ja pret që “autoritetet e Kosovës do të vazhdojnë të angazhohen në përkushtimin e tyre ndaj sundimit të ligjit dhe punës e mandatit të Prokurorisë së Posaçme”.

Ai ritheksoi se Bashkimi Evropian pret që bisedimet të rifillojnë në muajin korrik sikundër ishte paralajmëruar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimi Evropian Miroslav Lajçak, i cili këtë javë i dha fund një vizite në rajon.

Për datën 10 korrik është paralajmëruar që në Paris palët të bisedojnë në një takim të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Ambasada franceze në Prishtinë shkroi në rrjetin twitter se “Franca dhe Gjermania presin rifillimin e shpejtë të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Së bashku me kancelaren (Angela) Merkel, presidenti (Emmanuel) Macron mbetet i gatshëm të jetë mikpritës i një takimi të lartë në Paris”, thuhet në postimin e kësaj ambasade.

voa

Analistët: Ecuria e bisedimeve Kosovë-Serbi në pikëpyetje

GrenellAnalistë perëndimorë thonë se cilatdo qofshin arsyet, bërja publike e akuzave ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, vetëm pak ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, nuk ishte rastësore. Analisti amerikan, Daniel Serwer i Universitetit Johns Hopkins dhe profesori i Universitetit të Gracit në Austri, Florian Bieber, thonë se kjo situatë krijon paqartësi për të ardhmen. Kolegia Keida Kostreci bisedoi me analistët.

Zoti Serwer, drejtor i Programit për Menaxhimin e Konflikteve në Fakultetin për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins, thotë se njoftimi i zyrës së Prokurorit të Posaçëm, ishte i papritur.

“Ishte një lëvizje dramatike. Prokurorët nuk shpallin normalisht akuza para se ato të jenë konfirmuar. Kjo është e pazakontë”.

Zoti Serwer thotë për Zërin e Amerikës, se kjo ka implikime serioze për Kosovën.

“Është një vend i ri, me institucione ende të brishta dhe që papritur përballet me një sfidë të jashtëzakonshme”.

Prof. Bieber, Drejtori i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit i tha Zërit të Amerikës, se njoftimi para vizitës nuk ishte i rastësishëm.

“Një gjë është e qartë: që Zyra e Prokurorit të Posaçëm ishte e shqetësuar se ajo vizitë, apo aktivitetet e lidhura me vizitën, mund të vinin në rrezik efektivitetin e akuzave ndaj Presidentit Thaçi”.

Prokurori i Specializuar tha se e gjykoi të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të zotit Thaçi dhe Veseli për pengimin dhe sabotimin e punës së Gjykatës së Posaçme.

Zoti Serwer thotë se kjo nuk ishte një gjë e paditur. Zoti Bieber bie dakord. Ai thotë se ishte gjithmonë e pritshme që zyra e Prokurorit të Posaçëm do të merrej me raste serioze dhe me zyrtarë të lartë.

“Nuk është befasi dhe të gjithë e prisnin që Hashim Thaçi do të ishte të paktën një nga kandidatët kryesorë mbi të cilin do të ngriheshin akuzat dhe që ai do të ishte i interesuar të parandalonte ngritjen e këtyre akuzave”.

Prof. Bieber nuk mendon se administrata amerikane ka lidhje me kohën e daljes së njoftimit, duke pasur parasysh se zoti Thaçi ishte partneri kryesor në bisedime dhe i administratës amerikane.

Ndërsa zoti Serwer thotë se e ka të vështirë ta imagjinojë që Shtëpia e Bardhë nuk ishte në dijeni.

Vendimi i Prokurorit të Posaçëm për të bërë publike akuzat ndaj Presidentit Thaçit ende pa u konfirmuar nga gjykatësi është diçka e pazakontë dhe ka vënë në pikëpytje serioze atë që pritej të ishte rifillimi i bisedimeve të ndërprera mes Kosovës dhe Serbisë.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Gjykatën Speciale për Kosovën dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar t’i përmbahen mandatit të tyre ndërkohë që avancon kjo çështje përmes sistemit të drejtësisë.

Zëdhënësi thotë gjithashtu se “Shtetet e Bashkuara besojnë se ngritja e akuzave e njoftuar nga Prokurori i Specializuar është një hap përpara për procesin e realizimit të drejtësisë dhe ripajtimit në Ballkanin Perëndimor”.

I pyetur nëse zoti Thaçi duhet të japë dorëheqjen, zoti Serwer, thotë se nëse akuzat konfirmohe, ai duhet ta bëjë një gjë të tillë.

“Mendoj se nëse gjykatësi që po i shqyrton këto akt-akuza i konfirmon ato dhe thotë se ai duhet të paraqitet në gjykatë, atëherë mendoj se si Veseli, apo Thaçi apo kushdo tjetër mbi të cilin ngrihen akuzat, duhet të japin dorëheqjen dhe të shkojnë në Hagë dhe të mbrojnë veten.”

Prof. Bieber thotë se presioni do të jetë i madh për të të japë dorëhqjen.

“Partnerët perëndimorë do të këmbëngulin që ai të japë dorëheqjen.”

Kryeministri Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, edhe para një zhvillimi të tillë ishte në një pozicion të brishtë politik me një epërsi prej vetëm një vote në parlament. Me njoftimin e akuzave ndaj zoti Thaçi, një figurë qendrore e politikës së Kosovës, pozicioni i tij përsa i takon çdo lloj negociatash në lidhje me të ardhmen e Kosovës, dobësohet edhe më shumë.

Megjithatë zoti Serwer thotë se edhe më parë nuk pritej që nga takimi i kësaj fundjave të kishte ndonjë arritje të madhe. I dërguari i posaçëm Grenell, e kishte bërë të qartë që takimi pritej të përqendrohej tek çështjet ekonomike dhe çështje me interes të përbashkët.

Profesor Bieber, thotë se me një shumicë që ka deficit legjitimiteti, çdo marrëveshje bëhet edhe më e vështirë.

Përveç kësaj…

“Për të pasur një marrëveshje, duhet të kesh një konsensus dhe një strategji të përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian”.

Ndërsa mbeten ende shumë pikëpyetje për njoftimin e akuzave, diçka është e qartë: ecuria e mëtejshme e bisedimeve ndodhet në një udhëkryq të vështirë.

voa

Covid 19: 153 raste të reja, 6 të vdekur dhe 75 persona të shëruar

diagram 25 qershorMinistria e Shëndetësisë informon se gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar 1279 teste dhe janë regjistruar 153 raste të reja të covid-19 edhe atë në – Shkup 66 – Tetovë 20 – Kumanovë 13 – Shtip 13 – Resnjë 12 – Ohër 7 – Strugë 7  – Kërçovë 6 – Sveti Nikollë 3 – Prilep 2 – Manastir 1 – Probishtip 1 – Koçani 1 dhe Kriva Pallankë 1.

Gjatë 24 orëve u regjistruan 6 viktima edhe atë 2 nga Shtipi, 1 nga Shkupi, 1 nga Ohri, 1 nga Tetova dhe 1 nga Resnja:

Në Spitalin “8 Shtatori ” në Shkup, pas pranimit vdiq një pacient 53-vjeçar, nga Resnja  dhe një pacient 61-vjeçar, nga Shkupi, i trajtuar prej 23 qershorit.  – Në spitalin e Shtipit, vdiqën 2 pacient: një pacient 80-vjeçar, i hospitalizuar më 5 qershor dhe një pacient 75-vjeçar, i hospitalizuar më 24 qershor. Në spitalin e Ohrit, vdiq një pacient 68-vjeçar, i hospitalizuar më 5 qershor dhe një pacient 75-vjeçar, i hospitalizuar më 23 qershor. –  Sot gjithashtu u evidentua edhe 1pacient 79-vjeçar, nga Tetova që vdiq më herët, me këta raste të vdekjeve, numri i personave që kanë ndërruar jetë u rrit në 265.

Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 75 pacient të shëruar në – Shkup 47 – Shtip 13 – Tetovë 3 – Ohri 3 – Strugë 2 – Gjevgjeli 2 – Veles 1 – Prilep 1 – Kavadarci 1 – Koçani 1 dhe Probishtip 1.

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara që nga fillimi i epidemisë është 5595, numri i pacientëve të rikuperuar është 2166, numri i të ndjerëve është 265 dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend për momentin është 3164.

Ndërsa në territorin e Tetovës, gjatë 24 orëve të shkuara u regjistruan 20 raste të reja, 1 të vdekur dhe 3 të shëruar, numri i përgjithshëm i rasteve aktive me Covid-19 është 355.

Ja edhe renditja e qyteteve me  rastet më të larta aktive:

  • Shkup – 2730, aktiv 1800 (territori i Shkupit me 617.646 banorë).
  • Tetovë – 603, aktiv 355 (territori i Tetovës me 200.678 banorë: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë) .
  • Kumanovë – 723aktiv 268 (me 109.228 banorë) .
  • Shtip – 290, aktiv 184 (me 43.625 banorë) .
  • Strugë – 389, aktive 107 (me 65.801 banorë) .
  • Ohër- 131, aktiv 107 (51.591 banorë).
  • Resnjë – 85aktiv 83 (me 16.313 banorë)
  • Gostivar – 91, aktiv 52 (111.252 banorë) .
  • Veles – 172, aktiv 32 (me  54.384 banorë)
  • Dibër  – 83, aktiv 31 (me 20.863 banorë)
  • Koçani – 63, aktiv 27 (me 37.758 banorë)
  • Prilep – 240, aktiv 20 (me 75.132 banorë)
  • Probishtip – 14, aktiv 9 (me 15.085 banorë)
  • Manastir – 44aktiv 15 (me 91.983 banorë)
  • Kërçovë – 16, aktiv 12 (me 56.937 banorë)

“Një e drejtë e vonuar është një e drejtë e mohuar”

martin-luther-king-jrThëniet më të mira të Martin Luther King.

Askush nuk të hyp dot në kurriznëse ti nuk përkulesh.”

“Një komb ose qytetërim që vazhdon të prodhojë njerëz truboshë e blen bjerrjen e tij shpirtërore me këste.”

“Një e drejtë e vonuar është një e drejtë e mohuar.”

“Puna që e lartëson njerëzimin ka dinjitet e rëndësi dhe duhet të ndërmerret me zell të hatashëm.”

“Progresi është i pasigurtë, dhe zgjidhja e një problemi na çon në të përballemi me një tjetër problem sy për sy.”

“Një individ nuk ka filluar të jetojë derisa ai të mund të ngjitet mbi kufijtë e ngushtë të shqetësimeve të tij individuale tek shqetësimet e gjera të të gjithë njerëzimit.”

“Një individ që shkel një ligj të cilin ndërgjegjja ia thotë se është i padrejtë, dhe ai që me dëshirë pret dënimin me burg në mënyrë që të rritë ndërgjegjen e popullit për padrejtësinë e atij ligji, në të vërtetë është duke shprehur respektin më të lartë për ligjin.”

“Ndryshimi nuk rend me rrotat e pashmangshmërisë, por vjen nëpërmjet një lufte të vazhdueshme. Kështu që ne duhet t’i shtrëngojmë radhët tona dhe të punojmë për lirinë tonë.”

“Errësira nuk mund ta davaritë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë këtë. Urrejtja nuk mund ta davaritë urrejtjen; vetëm dashuria mund ta bëjë këtë.”

“Çdo njeri duhet të vendosë nëse ai do të ecë në dritën e altruizmit krijues apo në errësirën e egoizmit rrënues.”

“Çdo gjë që shohim është një hije e asaj që ne nuk e shohim.”

“Besim është të ngjitësh shkallën e parë edhe kur ti nuk e sheh kreun e shkallëve.”

“Liria nuk është dhënë kurrë vullnetarisht prej shtypësve; ajo duhet të kërkohet nga të shtypurit.”

“Ai që pasivisht e pranon të keqen është po aq i përfshirë në të sa ai që ndihmon realizimin e saj. Ai që pranon të keqen pa protestuar kundër saj në të vërtetë është duke bashkëpunuar me të.”

“Historia do të shënojë se tragjedia më e madhe e kësaj periudhe tranzitore shoqërore nuk është britma çjerrëse e njerëzve të këqinj, por heshtja lemeritëse e njerëzve të mirë.”

“Shpëtimi njerëzor është në duart e atyre që nuk kanë shpirt krijues.”

“Unë nuk jam i interesuar në pushtetin për hir të pushtetit, por jam i interesuar në pushtetin që është moral, është i drejtë dhe është i mirë.”

“Unë kam një ëndërr që katër fëmijët e mi të vegjël do të jetojnë një ditë në një vend ku ata nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga thelbi i karakterit të tyre.”

“Unë kam një ëndërr që një ditë çdo ultësirë do të lartësohet, çdo kodër dhe mal do të ulet, relievet do të rrafshohen dhe lavdia e Zotit do të shpaloset dhe të gjithë njerëzit do ta shohin atë së bashku.”

“Unë kam një ëndërr që një ditë kodrat e kuqe të Xhorxhias, bijtë e ish skllevërve dhe ish pronarët e skllevërve do të arrijnë të ulen së bashku në tryezën e vëllazërisë.”

“Unë kam vendosur të qëndroj me dashurinë. Urrejtja është tepër e rëndë për ta mbartur.”

“Unë vetëm desha të bëhet vullneti i Zotit. Dhe ai më lejoi mua të ngjitem në mal. Dhe unë hodha vështrimin tej, dhe pashë tokën e premtuar! Unë mund të mos arrij atje me ju, por dua që ju ta dini sonte se ne populli do ta arrijmë tokën e premtuar.”

“Unë dua të jem vëllai i njeriut të bardhë, por jo kunati i tij.”

“Nëse vdekja fizike është çmimi që unë duhet të paguaj për t’i çliruar vëllezërit dhe motrat e mia të bardha nga një vdekje e përhershme e shpirtit, atëherë asgjë nuk do të ishte më shpërblyese.”

“Në Fund ne nuk do t’i kujtojmë fjalët e armiqve tanë, por heshtjen e miqve tanë.”

“Padrejtësia diku është kërcënim kundër drejtësisë kudo.”

“Është e pakundërshtueshme dhe për të ardhur keq që negrit kanë kryer krime; por ata janë pjellë e krimit. Ata kanë lindur nga krimi i madh i shoqërisë së bardhë.”

“Mund të jetë e vërtetë se ligji nuk e bën një njeri të më dojë mua, por ai mund ta ndalojë atë të më poshtërojë, dhe unë mendoj se kjo është shumë e rëndësishme.”

“Ligji dhe rendi ekzistojnë me qëllim që të vendosin drejtësi dhe kur ata nuk ia arrijnë këtij qëllimi atëherë bëhen diga të rrezikshme që bllokojnë rrjedhën e progresit shoqëror.”

“Pyetja më ngulmuese dhe më urgjente është: “Ç’ka je duke bërë ti për të tjerët?””

“Dashuria është e vetmja forcë e aftë për ta shndërruar një armik në mik.”

“Mjetet që ne përdorim duhet të jenë po aq të pastra sa synimet që ne kërkojmë të arrijmë.”

“Asgjë në botë nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe marrëzia e ndërgjegjshme.”

“Jetët tona fillojnë të mbarojnë ditën kur ne bëhemi të heshtur për gjërat që kanë rëndësi.”

“Fuqia jonë shkencore ia ka kaluar fuqisë sonë shpirtërore. Ne i kemi drejtuar mirë raketat dhe i kemi keqdrejtuar njerëzit.”

“Prona është bërë që t’i shërbejë jetës, dhe pavarësisht me sa respekt dhe pekule sillemi ndaj saj, ajo nuk është qenie njerëzore. Është një pjesë e tokës mbi të cilën njeriu shkel. Nuk është njeri.”

“Rrallë ndeshim njerëz që mendojnë thellë dhe fort. Ka një dëshirë universale për përgjigje të lehta dhe zgjidhje të kollajshme. Asgjë nuk i dhemb njeriut më shumë se të bjerë në mendime.”

“Të shohësh nuk është gjithmonë të besosh.”

“Arti i pëlqimit është arti i të bërit të dikujt që ka kryer një favor të vogël ndaj jush, të dëshirojë që të kryejë një favor tjetër më të madh.”

“Thelbi i shkollimit është të mësojë njeriun të mendojë thellë dhe të mendojë në mënyrë kritike. Inteligjencë plus karakter – ky është qëllimi i madh i shkollimit.”

“Shpresa e një bote të sigurtë dhe të jetueshme varet nga jokonformistë të displinuar të cilët i kushtohen drejtësisë, paqes dhe vëllezërisë.”

“Harku moral i universit përkulet në bërrylin e drejtësisë.”

“Është gjithmonë koha e duhur për të bërë gjënë e duhur.”

“Nuk ka pakënaqësi të thellë atje ku nuk ka dashuri të thellë.”

“Ne kemi ardhur të gjithë nga anije të ndryshme, por tani jemi në të njëjtën anije.”

KultPlus

67 raste të reja dhe 1 humbje jete në 24 orët e fundit

Dr. Marjeta DervishiNjë humbje jete ka ndodhur mëngjesin e sotëm. Një 34 vjeçare nga Librazhdi e cila vuante nga insuficenca renale kronike, diabeti, hipertensioni, e konfirmuar me Covid19, e shtruar në shërbimin infektiv prej disa ditësh, në gjendje të rëndë dhe e intubuar, pavarësisht përkujdesjes së mjekëve nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerës.
Vijon të ketë sërish shtrime të reja në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 82 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive.
Por lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 22 qytetarë, mes tyre 7 mjekë dhe infermierë, duke e çuar në 1217 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 347 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 67 raste pozitive.
Numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Kruja me 18 raste, kemi 16 të prekur në Tiranë, 10 në Shkodër, 6 në Vlorë, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kurbin, Lushnje, dhe nga 1 rast përkatësisht në Durrës, Fier, Korçë, Kavajë, Rrogozhinë, Tropojë, Berat, Vau i Dejës dhe Divjakë. Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhen me ndërmarrje me shumë punëtorë, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja.
Në vendin tonë janë aktualisht 850 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë subjekteve të respektojnë protokollin e sigurisë. Ndërmarrjeve, institucioneve, subjekteve me shumë punonjës:
Kryeni çdo ditë vlerësimin temperaturës si dhe vlerësoni prezencën e simptomave të COVID-19 në personat e punësuar dhe të kujtdo që hyn apo del në ambientet e punës. Personat me temperaturë apo me simptoma duhet të rikthehen në shtëpi dhe të kryhet komunikimi me strukturat shëndetësore. Siguroni vazhdimisht elementet higjenizues e pastrues si sapun, letër për pastrimin e duarve, dezinfektantë. Mbani maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën. Siguroni ajrosjen e mirë dhe dezinfektimin e ambjenteve si dhe larje para hapjes dhe pas mbylljes së tij.
Mininistria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve të shmangin vendet me grumbullime, të respektoni distancën, dhe kurdo kur kjo nuk është e mundur, përdorni maskë.
Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes, nëse nuk është e domosdoshme evitoni kontaktin me institucionet shëndetësore.
Nëse dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.

COVID-19 – Statistika (24 Qershor 2020)
Testime totale 24367
Raste pozitive 2114
Raste të shëruara 1217
Raste Aktive 850
Humbje jete 47 (Qarku Tiranë 26, Durrës 9, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1, Elbasan 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 377
Durrës 165
Shkodër 135
Vlorë 69
Fier 39
Lezhë 24
Korçë 18
Kukës 10
Elbasan 9
Gjirokastër 2
Berat 2

Aktakuzë kundër Thaçit dhe Veselit për krime lufte

Kadri dhe Hashim arkiviZyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit ka bërë të ditur se:

“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Aty është thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe se një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale është duke analizuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.

“Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim.

Reagimet pas ngritjes së aktakuzave

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian (BE), u ka thënë gazetarëve se blloku evropian është “mbështetës i fortë i punës” së Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale, sepse ato janë “dëshmi e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës ndaj sundimit të ligjit”, i cili njëherësh është element kryesor i rrugës së Kosovës në BE.

Autoritetet e Kosovës nuk kanë reaguar ende pas lajmit për ngritje të aktakuzave.

Mirëpo, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendimin për aktakuza, e ka konsideruar krejtësisht politik.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se kjo aktakuzë është ngritur në një kohë të ndjeshme kur pritet të nisin bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Deri më sot asnjë aktakuzë nuk është vërtetuar mbi pjesëtarët e UÇK-së, kështu që nuk do të ketë fakte dhe argumente që do të mund të dokumentojnë se ka pasur krime në Kosovë nga pjesëtarët e UÇK-së apo nga vetë presidenti, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Gucati ka thënë se ngritja e aktakuzës në këtë kohë është bërë për të kënaqur disa persona shqipfolës, Serbinë dhe siç është shprehur ai, për gjunjëzimin e Thaçit dhe Veselit.

Lajmi për ngritjen e aktakuzave nga Gjykata Speciale vjen pak kohë para nisjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi drejt Uashingtonit, për t’u takuar me zyrtarët serbë, me ndërmjetësim të të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Toby Vogel, ekspert në Këshillin për Politikën e Demokratizimit, në një përgjigjje për Radion Evropa e Lirë, ka bërë lidhje në mes të deklaratës së Prokurorisë në Hagë, dhe takimit të​ planifikuar në Uashington, më 27 qershor.

“Ka qenë e ditur që Prokuroria po punonte në aktakuzë, kështu që thelbi i saj nuk është befasi. Sidoqoftë, koha dhe formulimi i ashpër i njoftimit për shtyp, tregojnë se Prokuroria ka frikë nga një lloj marrëveshjeje e presidentit Thaçi, i cili mund të dëmtojë punën e Gjykatës. Ka mundësi që ky njoftim publik, të jetë i provokuar nga takimi në Shtëpinë e Bardhë, të shtunën”, ka thënë Vogël për REL-in.

Si funksionon Gjykata Speciale?

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata Speciale për krime të luftës është gjykatë e përkohshme me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë. Kjo gjykatë vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale derisa gjyqtari t’i konfirmojë ato. Gjykatësi ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

rel

 

Covid 19: 136 raste të reja, 8 të vdekur dhe 43 persona të shëruar

Diagrami 24 qershorMinistria e Shëndetësisë informon se gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar 1208 teste dhe janë regjistruar 136 raste të reja të covid-19 edhe atë në – Shkup 80 – Tetovë 24  – Kumanovë 6 – Ohër 5 – Resnjë 4 – Gostivar 4 – Prilep 3 – Veles 3 – Strugë 1 – Strumicë 1   – Shtip 1   – Koçani 1  – Kriva Pallamkë 1  – Kërçovë 1  dhe  Negotinë 1.

Gjatë 24 orëve u regjistruan 8 viktimaedhe atë 2 nga Shkupi, 2 nga Kumanova, 2 nga Tetova, 1 nga Velesi dhe 1 nga Kërçova :

– Në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, një pacient 57-vjeçar nga Velesi, dje sapo u pranua ndërroi jetë. – Në Spitalin “8 Shtatori ” në Shkup, vdiqën 2 pacientë nga Shkupi: një pacient 56-vjeçar, nga Shkupi, i hospitalizuar më 11 qershor dhe një paciente 68-vjeçare, nga Shkupi, e hospitalizuar më 13 qershor, 2 pacientë nga Kumanova: një paciente 47-vjeçare, e hospitalizuar më 12 qershor dhe një paciente 59-vjeçare, e hospitalizuar më 14 qershor,  2 pacientë nga Tetova: një pacient 78-vjeçar, i hospitalizuar dje dhe një paciente 47-vjeçare, e hospitalizuar më 22 qershor. – Në spitalin e Manastirit, një pacient 61-vjeçar, nga Kërçova, i hospitalizuar më 21 qershor, me këta raste të vdekjeve, numri i personave që kanë ndërruar jetë u rrit në 259.

Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 43 pacient të shëruar në – Shkup 26– Tetovë 6 – Veles 4  – Gostivar 2 – Shtip 1  – Koçani 1 – Probishtip 1 – Kratovë 1   dhe  Prilep 1.

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara që nga fillimi i epidemisë është 5445, numri i pacientëve të rikuperuar është 2091, numri i të ndjerëve është 259 dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend për momentin është 3095.

Ndërsa në territorin e Tetovës, gjatë 24 orëve të shkuara u regjistruan 24 raste të reja, 2 të vdekur dhe 6 të shëruar, numri i përgjithshëm i rasteve aktive me Covid-19 është 338.

Ja edhe renditja e qyteteve me  rastet më të larta aktive:

  • Shkup – 2667, aktiv 1785 (territori i Shkupit me 617.646 banorë).
  • Tetovë – 582, aktiv 338 (territori i Tetovës me 200.678 banorë: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë) .
  • Kumanovë – 709aktiv 254 (me 109.228 banorë) .
  • Shtip – 277, aktiv 186 (me 43.625 banorë) .
  • Strugë – 182, aktive 102 (me 65.801 banorë) .
  • Ohër- 124, aktiv 104 (51.591 banorë).
  • Resnjë – 73aktiv 72 (me 16.313 banorë)
  • Gostivar – 92, aktiv 53 (111.252 banorë) .
  • Veles – 172, aktiv 32 (me  54.384 banorë)
  • Dibër  – 83, aktiv 31 (me 20.863 banorë)
  • Koçani – 82, aktiv 27 (me 37.758 banorë)
  • Prilep – 238, aktiv 19 (me 75.132 banorë)
  • Probishtip – 13, aktiv 9 (me 15.085 banorë)
  • Manastir – 43aktiv 14 (me 91.983 banorë)
  • Kërçovë – 10, aktiv 6 (me 56.937 banorë)

Analistët amerikanë mbi takimin Kosovë-Serbi

white houseShtëpia e Bardhë ka ftuar të shtunën Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vucic për një takim të ndërmjetësuar prej saj, në të cilin SHBA do të përpiqen të rigjallërojnë bisedimet e ngecura për normalizimin mes dy vendeve. Dy analistë amerikanë, Damon Wilson dhe Daniel Serwer folën me Zërin e Amerikës mbi pritshmëritë e takimit. Ata u intervistuan nga kolegu Ilir Ikonomi.

Ndërsa takimi i 27 qershorit afron, disa hollësi të rëndësishme janë bërë të ditura. Richard Grenell, i ngarkuari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për bisedimet Kosovë-Serbi, thotë se takimi do të përqendrohet te çështjet ekonomike, ndërsa çështjet politike do të lihen për t’u zgjidhur nga Bashkimi Evropian.

Disa kanë shprehur dyshimin se takimi në Shtëpinë e Bardhë mund të jetë më tepër një spektaktakël që administrata të mund ta paraqesë si sukses të saj.

Por Damon Wilson, nënpresident ekzekutiv i organizatës “Këshilli Atlantik” në Uashington, thotë se takimi është një lëvizje e mirëseardhur.

Bota ka ndryshuar. Kemi patur një pandemi, kemi patur një recesion botëror dhe protesta në SHBA. Por edhe në vetë rajonin ka patur mjaft drama politike. Bashkimi Evropian ndryshoi udhëheqje. E gjithë kjo krijoi përshtypjen se po humbnim momentin, se ndoshta Ballkani po dilte në fund të agjendës… Tani ne shikojmë që kjo diplomaci po intensifikohet dhe kjo është gjë e mirë.”

Daniel Serwer, i cili ka punuar prej një kohe të gjatë me çështjet e Ballkanit, nuk beson se ndarja e roleve mes SHBA dhe Bashkimit Evropian përsa i takon bisedimeve Kosovë-Serbi është një ide e mirë.

Kjo ndarje e punës nuk ka kuptim në vështrimin afatgjatë. Evropa është në fund të fundit një bashkim ekonomik dhe Serbia e Kosova kanë ambicie për t’u bërë pjesë e këtij bashkimi ekonomik. Prandaj, që amerikanët në vështrimin afatgjatë të merren me çështjet ekonomike nuk ka kuptim, po ashtu nuk ka kuptim që evropianët të merren me çështjet politike. Sepse ndikimi dhe prestigji amerikan, sidomos aftësia e tyre për të folur me rusët do të jenë të nevojshme për të zgjidhur çështjet politike.”

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha të hënën se ai nuk do të bëhet pengesë për Shtetet e Bashkuara, nëse ata arrijnë t’i ulin Kosovën dhe Serbinë në bisedime për paqe. “Ne nuk jemi në konkurrencë me SHBA se kush do ta zgjidhë i pari çështjen e Kosovës,” tha ai.

Nëse SHBA janë në gjendje t’i ulin të dyja palët së bashku, madje edhe në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë apo kudoqoftë, unë do të isha mëse i lumtur, por sot ekziston vetëm një dialog i strukturuar midis Prishtinës dhe Beogradit dhe ky është dialogu nën angazhimin e Bashkimit Evropian dhe Bashkimi Evropian është i gatshëm ta shtyjë atë përpara.”

Analisti Damon Wilson ka punuar në të kaluarën në këshillin e sigurimit kombëtar të Shtëpisë së Bardhë.

Nëse ne kemi mësuar ndonjë gjë për dekadat e kaluara… është se kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian punojnë së bashku për një qëllim të përbashkët, shanset tona për sukses janë shumë e shumë më të mëdha. Kur nuk ecim bashkë, kjo lejon palët në rajon që të krijojnë probleme, nëse shprehemi kështu dhe të na vënë kundër njëri-tjetrit. Ne kemi çështje të mëdha për të zgjidhur, duhet të jemi në një linjë dhe të kemi një qëllim të përbashkët, edhe pse kemi role të ndryshme për të luajtur.”

Nga ana e tij, zoti Serwer thotë se edhe pse nuk është i kënaqur me gjendjen e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për Ballkanin dhe sidomos për çështjet mes Kosovës dhe Serbisë, kjo nuk do të thotë se amerikanët nuk do të dalin me diçka të rëndësishme në aspektin ekonomik:

Dy gjëra do të kishin shumë kuptim nëse arrihen: Njëra është eliminimi i pengesave tregtare jo-tarifore dhe tjetra është zbatimi i marrëveshjeve teknike ekzistuese që janë çështje pothuajse tërësisht ekonomike mes dy vendeve. Do të dëshiroja që këto të bëheshin.”

I dërguari i posaçëm Richard Grenell ka përsëritur disa herë ditët e fundit se nuk ekziston ndonjë plan i fshehtë për shkëmbime territoresh si zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë.

Analisti Daniel Server, thotë se kjo është diçka pozitive.

Nëse zoti Grenell thotë se nuk ekziston dhe është i gatshëm të sigurojë se nuk do të ndodhë, kjo do të më gëzonte, sepse mendoj se (ndarja territoriale) do të ishte një ide e tmerrshme. Por është gjithashtu një ide e keqe që nuk vdes kurrë. Është si një zombi që vjen përqark botës, duke pritur që dikush ta ringjallë. Dhe gjithmonë gjendet dikush që nuk e njeh Ballkanin mirë, i gatshëm për ta ringjallur.”

voa