Vuçiq: Serbisë nuk i duhet konflikt i ngrirë me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 22 qershor, 2021. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën.

Duke paraqitur para Kuvendit të Serbisë raportin për dialogun me Kosovën, Vuçiq tha se serbët në Kosovë duan që negociatat të zhvillohen, në mënyrë që të arrihet ndonjë zgjidhje kompromisi në të ardhmen.

“Kur të më pyesni se çfarë është kompromisi, unë do të them: nuk e di”, tha Vuçiq para ligjvënësve serbë.

Ai vlerësoi se “fuqitë perëndimore nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës” dhe se ato “do të pajtohen për një Kosovë të pavarur me çdo kusht”.

“Ne nuk kemi detyrë të lehtë dhe kohë për humor festiv, as kohë për pritje të tepërta, por kohë për t’u përballur me realitetin që na rrethon”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se dialogu me Kosovën është “transparent” dhe se pretendimet se “dikush po fsheh diçka diku dhe po përpiqet të mashtrojë publikun” janë “gënjeshtra”.

“Dialogu është korniza e vetme e mundshme, derisa të arrihet një kompromis me shqiptarët. Ne i kemi informuar në mënyrë të vazhdueshme përfaqësuesit e Bashkimit Evropian se kemi përmbushur gati gjithçka nga Marrëveshja e Brukselit. Të tjerat janë detaje që jemi gati t’i përmbushim. Shqiptarët nuk janë gati për të përmbushur atë, për të cilën është rënë dakord”, tha Vuçiq.

Për takimin e parë me Kurtin

Vuçiq foli para deputetëve serbë edhe për takimin e tij të parë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që u zhvillua më 15 qershor në Bruksel.

“Për Kurtin, temë e vetme ka qenë: kur do ta njohim pavarësinë e Kosovës?”, tha Vuçiq. Përgjigjja, sipas tij, ka qenë: “Kurrë”.

“Situata është shumë më e vështirë dhe më serioze si për ne, ashtu edhe për ta… Një zgjidhje kompromisi është diçka që duhet të kërkojmë”, u tha Vuçiq deputetëve të Kuvendit të Serbisë.

Çfarë thuhet në raportin për Kosovën?

Raporti i Vuçiqit për deputetët i referohet rrjedhës së dialogut të Serbisë me Kosovën nga maji i vitit 2019 deri më 15 qershor, 2021.

Duke e prezantuar atë, Vuçiq tha se gjatë viteve 2020 dhe 2021, Serbia u ka dhënë serbëve në Kosovë “më shumë se 750 milionë, e madje edhe 800 milionë euro”, ndërsa numëroi edhe investimet e Serbisë në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Vuçiq përmendi ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe banesave, si dhe investimet në kisha dhe manastire të Kishës Ortodokse Serbe.

Ai tha se Serbia nuk ka arritur të ndryshojë trendin e emigrimit të serbëve nga Kosova, të cilët, “në kërkim të një jete më të mirë dhe një sigurie më të madhe”, kalojnë për të jetuar në Serbi.

Raportin e fundit për dialogun me Kosovën, Vuçiq e ka prezantuar në Kuvendin e Serbisë në maj të vitit 2019.

Kjo ka qenë hera e parë që Vuçiq ka paraqitur një raport për Kosovën qëkur Partia e tij Përparimtare Serbe (SNS) ka marrë pushtetin në vitin 2012.

Që nga paraqitja e këtij raporti, në Serbi janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në qershor të vitit 2020 dhe përbërja e Parlamentit ka ndryshuar.

Një pjesë e opozitës i ka bojkotuar këto zgjedhje dhe koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit i ka 243 nga gjithsej 250 ulëset e Parlamentit.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011 dhe qëllim i tij është arritja e një marrëveshjeje të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Dialogu ndërmejtësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

rel

Maas angazhohet për marrëveshje të re me Turqinë

MaasSi do të veprojë Evropa me migrantët dhe refugjatët në të ardhmen? Ministri i Jashtëm gjerman pozicionohet qartë. BE duhet të arrijë marrëveshje me Truqinë.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas po bën fushatë për një marrëveshje të re për refugjatët midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë. “Ne kemi nevojë për një rifreskim të marrëveshjes për bashkëpunim rreth çështjes së migracionit me Turqinë”, tha politikani socialdemokrat për gazetën “Welt”. BE ka një interes të madh që marrëveshja për migrantët me Ankaranë të zhvillohet edhe më tej. “Pavarësisht të gjitha vështirësive që kemi me qeverinë turke, duhet të pranojmë se ky vend ka marrë mbi supet e veta një barrë të konsiderueshme për ne.” Pothuajse katër milion refugjatë nga lufta civile siriane dhe nga vendet e tjera në rajon jetojnë atje.

BE duhet të paguajë më shumë para

Në marrëveshjen e fundit për refugjatët, evropianët mbështetën qeverinë e presidentit Recep Tayyip Erdogan me rreth gjashtë miliardë euro. Maas vuri në dukje se në një marrëveshje të re, Turqia do të duhej të merrte edhe më shumë shumë para. “Unë nuk dua të flasë për shifra, por është krejtësisht e qartë se gjërat nuk do të funksionojnë pa para”, theksoi ministri i Jashtëm gjerman.

Marrëveshja midis BE dhe Turqisë parashikon, ndër të tjera, që Ankaraja të ndërmarrë veprime kundër kalimit ilegal të refugjatëve në BE dhe se Greqia të ketë të drejtën e kthimit të refugjatëve që kanë hyrë ilegalisht në këtë vend. Nga ana tjetër, BE obligohet që për çdo refugjat të kthyer të marrë një refugjat sirian nga Turqia, si dhe ta mbështesë financiarisht këtë vend dhe të kujdeset për refugjatët.

Maas foli në këtë intervistë me gazetën “Welt” edhe për konferencën e dytë për Libinë, e cila do të zhvillohet të mërkurën në Berlin. Tema kryesore do të jetë stabilizimi i këtij vendi të Afrikës së Veriut, sepse shumë refugjatë nisin rrugën e ikjes, pikërisht nga atje, përmes Mesdheut.

Maas kritikon Turqinë dhe Rusinë

Ministri Maas ka fajësuar fuqitë e tjera të angazhuara në Libi për shkelje të premtimeve, në çështjen e tërheqjes së trupave. “Ata që ranë dakord të tërhiqeshin në konferencën e fundit në Berlin, nuk i kanë realizuar premtimet”, tha ai. “Nëse duam që Libia të kujdeset prapë për ecuritë në vendin e vet, atëherë forcat e huaja duhet të tërhiqen.” Shtetet që kanë dërguar trupa në Libi janë në radhë të parë Turqia, Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në Konferencën e Libisë në Berlin në Janar 2020, ato premtuan tërheqjen e të gjitha forcave të huaja të armatosura.

 

bc/se/ack (dpa, rtr, kna)

Kreu i Bundestagut gjerman ofron ndihmesë në zgjidhjen e dialogut Kosovë-Serbi

Glauk Konjufca dhe Wolfgang SchäubleNë përgatitje të raundit të dytë të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, edhe kryetari i parlamentit të Gjermanisë, Wolfgang Schäuble, po përpiqet të japë ndihmesë në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Bundestagut,  Wolfgang Schäuble priti të hënën, më 21 qershor,  homologun e tij kosovar, Glauk Konjufca. Në qendër të bisedimeve në ndërtesën e Rajhstagut në Berlin ishte anëtarësimi i mundshëm i Republikës së Kosovës në BE dhedialogu me Serbinë, thuhet mes të tjerash në një deklaratë të Bundestagut.

“Nisur nga sfidat globale, duhet të arrijmë që ta mbajmë Evropën të qendrueshme dhe këtu hyjnë edhe marrëdhëniet e qendrueshme ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Schäuble.

Kryetari i Bundestagut u tregua i gatshëm  të japë kontributin e tij për dialogun. “Ne do të jepnin me kënaqësi ndihmesën tonë nëpërmjet  kontakteve midis parlamentarëve, për të mbështetur procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Schäuble, sipas deklaratës së Bundestagut.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur në vend për momentin, për shkak të çështjes së krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili ka qenë pjesë e marrëveshjeve të mëparshme të dialogut të zhvilluar në Bruksel.

Por ngritja e një asociacioni të tillë është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, dhe hidhet poshtë pothuajse nga i gjithë spektri partiak në Kosovë. Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, i tha Deutsche Welle-s, në një intervistë, se krijimi i një Asociacioni të tillë me kompetenca ekzekutive do të shkatërronte funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe është kësisoj i papranueshëm nga ana e Kosovës.

Temat e tjera në takimin e parë të Konjufcës në Berlin, në cilësinë e kryeparalamentarit, ishte liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe reformat e planifikuara të sistemit arsimor, në të cilin Kosova dëshiron të orientohet te sistemi i dyfishtë (mësim dhe praktikë) që përdoret në Gjermani. Dy krerët e parlamentit biseduan edhe për pandeminë dhe sfidat e saj.

Nga Bundestagu bëhet e ditur se të premten, më 25 qershor, Wolfgang Schäuble do të presë në selinë e tij në Berlin edhe presidentin e Parlamentit të Serbisë, Ivica Dačić.

dw

Sekretari i Shtetit Blinken drejt Evropës për Konferencën e Libisë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken shkon sot në Gjermani ku do të marrë pjesë në një konferencë mbi situatën në Libi si dhe në diskutime me homologun gjerman mbi mënyrat për të luftuar anti-semitizmin dhe teoritë që mohojnë ekzistencën e Holokaustit.

Gjermania dhe Kombet e Bashkuara janë organizatore të konferencës së Berlinit për të dalë me zgjidhje që do të sillnin fundin e konfliktit në Libi dhe do të stabilizonin vendin.

I dërguari amerikan për Libinë, Richard Norland tha se bisedimet do të ofronin një mundësi për hapa specifikë që do të mundësonin zhvillimin e zgjedhjeve në dhjetor, si dhe krijimin e bazës kushtetuese e ligjore për votime.

Libia është përfshirë nga destabiliteti politik që nga kryengritja e mbështetur nga NATO-ja në 2011, e cila rrëzoi sundimtarin Moamar Gadafi. Vendi ka qenë i ndarë në rajone, që qeveriseshin nga autoritete të ndryshme deri në arritjen e marrëveshjes së tetorit, në bazë të së cilës të gjithë luftëtarët e huaj duhet të largoheshin nga Libia brenda tre muajsh.

Në diskutime do të analizohen masa për të pastruar vendin nga forcat e huaja që nuk janë larguar ende si dhe shqetësimet për praninë e rrjeteve terroriste si Shteti Islamik.

Zyrtarë të Departamentit të Shtetit gjithashtu folën për nevojën për t’iu kundërvënë teorive që mohojnë ekzistencën e Holokaustit. Përfaqësuesja amerikane për Çështjet e Holokaustit, Cherrie Daniels thekson nevojën e një informimi më të mirë mbi këtë periudhë të errët, pasojat dhe origjinën e saj në mënyrë që zyrtarët qeveritarë dhe publiku i gjerë “të dallojnë si shfaqet anti-semitizmi dhe të gjitha format e tjera të urrejtjes në ditët tona” dhe t’u bëjnë qëndresë.

Zoti Blinken do të shkojë më pas në Romë për bisedime me homologun italian Luigi Di Maio lidhur situatën në Siri.

Më pas në Francë, ai do të takohet me Presidentin Emmanuel Macron për të ritheksuar mesazhin e Presidentit Biden për forcimin e marrëdhënieve transatlantike.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të vizitojë edhe Vatikanin për takime me temë luftën kundër ngrohjes globale dhe trafikut me njerëz.

voa

Vetëvendosje ende e pavendosur për zgjedhjet lokale

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duke votuar në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Partitë politike në Kosovë do t’i matin forcat sërish në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.

Gara për kryetarë të komunave do të përballë partitë opozitare dhe Lëvizjen Vetëvendosje që është në pushtetin qendror dhe që aktualisht qeverisë edhe në Prizren dhe Mitrovicë të Jugut, pasi kryetari i kësaj komune Agim Bahtiri aderoi në Vetëvendosje pasi i fitoi zgjedhjet lokale si kandidat i Aleancës Kosova e Re (AKR).

Vetëvendosje para katër vjetëve kishte fituar për herë të dytë edhe në Komunën e Prishtinës me Shpend Ahmetin, por pas ndarjes së partisë, kryetari Ahmeti u bë pjesë e Partisë Socialdemokrate (PSD).

Derisa partitë opozitare tashmë kanë bërë publikë emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave, në Vetëvendosje ende janë larg këtij procesi.

“Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka hyrë në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë komunash. Pra, nuk ka iniciuar ndonjë̈ shpallje të kandidimit para kësaj faze. Sapo të jemi në atë fazë, ne do të njoftojmë anëtarësinë dhe opinionin publik”, thuhet në një përgjigje me shkrim të kësaj partie.

Ky veprim nga organizata INPO, që përcjell punën e komunave, po shihet si joserioz nga partia në pushtet.

Sipas Qëndrim Arifit nga kjo organizatë, ata kandidatë që bëhen publikë në moment të fundit, nuk do të mund të ofrojnë një program meritor qeverisës.

“Nuk është e mirë që t’u servohet qytetarëve në fund të afateve kohore të lejueshme me ligj, ta shohin kandidatin për kryetar. Madje ai të mos ketë kohë as të mobilizohet. Kjo do të ndikojë dhe t’iu kushtojë edhe në mbledhjen e votuesve. Votuesi duhet ta njohë kryetarin e komunës”, thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë.

Gara më interesante pritet të bëhet në Prishtinë, ku deri më tani kandidaturat për të parin e komunës i kanë prezantuar partitë opozitare.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka prezantuar si kandidat për kryetar, arkitektin, Përparim Rama, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) garon me deputetin dhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me ish-deputetin, Daut Haradinaj.

Këto parti kanë zyrtarizuar kandidatët për kryetarë edhe në disa komuna të tjera.

Partitë politike kanë afat për dorëzimin e emrave të kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) deri më 16 gusht.

Ndryshimi që presin qytetarët

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa qytetarë nga komuna të ndryshme të Kosovës.

Marigona Llugaliu nga Podujeva pret që zgjedhjet e tetorit të sjellin ndryshim në komunën e saj.

“Që 20 vjet nuk ka pasur ndonjë përparim të madh te ne (në Podujevë). Një ndryshim jemi duke pritur, shpresoj të ndodh ky ndryshim”, thotë ajo.

Sylejman Zogu nga Drenasi thotë se është momenti i fundit që populli të mbajë përgjegjës qeverisjen aktuale për punën që ka bërë deri tash dhe të kërkojë më shumë nga kryetari i ri që do të zgjidhet.

“Duhet të ketë kontroll më shumë si në punimin e rrugëve, ujësjellësve, lumenjve. Duhet të hapen vende të punës, të ndërtohen fusha sportive për rininë”, thotë Zogu.

Maliq Kasumi nga Prishtina mendon se kandidatët për kryetar të Prishtinës duhet të jenë nga kryeqyteti e jo nga komunat e tjera.

“Asnjëri prej kandidatëve nuk është i Prishtinës. Duhet të jenë të Prishtinës, të vendit. Kush punon më mirë se ai që është i Prishtinës? Nuk mund ta kryejë askush punën si ai kryetar që është i Prishtinës”, thotë Kasumi.

Qëndrim Arifi nga INPO thotë se në Kosovë qytetarët më shumë favorizojnë kandidatin për kryetar sesa partinë.

“Presim që këto zgjedhje të jenë më të bazuara në programe kualitative dhe të mos dilet para qytetarëve pa një program të shkruar dhe të saktësuar qartë, sepse kjo i ndihmon edhe qytetarët që të përzgjedhin kandidaturën serioze”, thotë Arifi.

KQZ: Zgjedhjet do të kushtojnë 8.1 milionë euro

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se janë duke u bërë gati për një proces zgjedhor pa probleme.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë kanë kohë që t’u përmbahen afateve ligjore për dorëzimin e listës së kandidatëve për kryetarë të komunave.

“Të gjitha subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 tetorit, duhet të dorëzojnë aplikimin e tyre në KQZ deri më 16 gusht. Pra, deri në këtë datë, subjektet politike, përveç aplikimit të tyre, duhet të dorëzojnë edhe listën e kandidatëve për kryetarë të komunave apo për kuvende komunale”, thotë Elezi.

Votuesit që jetojnë jashtë Kosovës, sipas Elezit, kanë 40 ditë afat për t’u regjistruar, prej datës 10 korrik deri më 18 gusht, derisa afati i votimit përmes postës është nga 15 shtatori deri më 15 tetor.

Fushata zgjedhore që do të zgjasë një muaj, do të fillojë më 16 shtator dhe do të zgjasë deri më 15 tetor. Buxheti i planifikuar për organizimin e zgjedhjeve lokale është 8.1 milionë euro.

rel

Shtrenjtimi i energjisë elektrike nxit pakënaqësi në Maqedoninë e V.

Një termocentral në Manastir të Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi. Paralajmërimet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, kanë nxitur reagimin e qytetarëve, të cilët ankohen për përkeqësimin e gjendjes ekonomike nga rritja e çmimeve të produkteve elementare ushqimore. Ata druajnë se rritja e çmimit të energjisë, por edhe e karburanteve do të rëndojnë edhe më shumë mbi standardin e tyre jetësor.

“Çmimi është shumë i lartë. Kur t’i krahasosh me rrogat që marrim këtu, çmimi është katastrofal, jo i lartë, por shumë i lartë. Njerëzit nuk mund të përballojmë me rrogën që marrin prej 15 mijë denarë (250 euro), kurse fatura e rrymës vjen 3 mijë denarë (50 euro)”, thotë Samet Bejtullahu, pensionist.

“Përveç se te ne, askund tjetër në Evropë nuk ka rritje kaq të madhe të çmimit të energjisë elektrike. Këtu asgjë nuk është në rregull, asgjë nuk funksionon. Kjo çfarë bëhet me popullin është jonjerëzore dhe askush nuk mban përgjegjësi. E detyrojnë të dalë në rrugë dhe pastaj bëjnë presion mbi të pse proteston”, thotë Bekim Selmani, i punësuar në sektorin e gastronomisë.

Vendimin se sa do të rritet çmimi i energjisë elektronike duhet ta marrë Komisioni Rregullator për Energjetikë, një trup që sipas ligjit, duhet të jetë i pavarur në punën e tij, por anëtarët e tij janë të emëruar nga partitë në pushtet.

Kryetari i këtij trupi, Marko Bislimovski, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kompanitë energjetike, si MEPSO-operatori maqedonas i sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike ka kërkuar rritje prej 104 per qind, ndërmarrja tjetër e shpërndarjes elektrike kanë kërkuar që çmimi për energji të rritet për 1 për qind. Ndërkaq, kompania e shitjes apo e furnizimit të familjeve me energji EVN, ka kërkuar që energjia të shtrenjtohet për 45 për qind.

“Këto janë kërkesat e tyre dhe ne për momentin jemi duke i analizuar ato, por që tani mund të them se rritjen që ato kërkojnë nuk mund të bëhet. Ne do analizojmë gjithçka që ata kanë kërkuar, në çka bazohen, e çështje tjera dhe brenda dhjetë ditëve do të dalin me përgjigjen tonë se deri në sa mund të shkojë rritja e çmimit të energjisë elektrike”, thotë Bislimovski.

Një kilovatë energji elektrike në Maqedoninë e Veriut kushton gjashtë denarë (dhjetë centë) në tarifën e shtrenjtë dhe tre denarë (pesë centë) në atë të lirën. Sipas qeverisë, edhe me rritjen e mundshme vendi vazhdon të ketë çmimin më të ulët të energjisë elektrike në rajon.

Një familje për energji elektrike mesatarisht shpenzon në muaj deri 50 euro në sezonin e verës dhe dyfish apo më shumë në sezonin dimrit, nëse ngrohet me energji elektrike.

Por, vendimi i Komisionit Rregullator për Energjetikë nuk do të kalojë pa protesta, ashtu siç ndodhi me rritjen e fundit, kur disa shoqata protestuan për muaj të tërë, madje duke ndërmarrë edhe aksione të ndryshme kundër kompanisë energjetike EVN.

Krenar Osmani nga nisma qytetare “Boll Më”, thotë se rritja e radhës e energjisë nuk është gjë tjetër pos zhvatje e qytetarëve.

“Ky hap i radhës i kësaj qeverie kleptomane është vetëm se vazhdimësi e zhvatjes, vjedhjes dhe nëpërkëmbjes së mundit të kësaj popullate. Pra, është hallka e radhës e zinxhirit të vjedhjes dhe zhvatjes së kësaj popullate. Ne do të vazhdojmë me protestat, nuk do të ndalemi deri sa të realizohen të gjitha kërkesat tona”, thotë Osmani.

Ai thotë se nisma qytetare “Boll Më” është duke përgatitur dy propozim-ligje të cilët do t’i paraqes në kuvend përmes deputetëve shqiptarë. Njëri ka të bëjë me faljen e borxhit që duhet t’i bëjnë kompanitë energjetike të gjitha familjeve që nuk kanë mundur të shlyejnë detyrimet dhe tjetri për subvencione në energji elektrike, për të gjitha familjet në nevojë apo që kanë një rrogë apo pension.

rel

Prodhimi i produkteve prej betoni dhe ndikimi i tij mbi klimën

Ndertime betoniPresidenti Joe Biden ka njoftuar një propozim për përmirësimin e infrastrukturës me vlerë 2.3 trilionë dollarë si një mënyrë për të rritur ekonominë, për të krijuar vende pune dhe për të luftuar ndryshimin e klimës. Por betoni i përdorur për ndërtimin e rrugëve, urave dhe objekteve të tjera të infrastrukturë është një nga burimet më të mëdha të emetimit të gazeve serrë në të gjithë botën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Baragona i hedh një vështrim përpjekjeve për të lehtësuar ndikimin e rëndë të materialeve prej betoni mbi klimën.

Këto nuk janë blloqe betoni të zakonshme. Ato prodhohen nga kompania CarbonBuilt me një përbërje të veçantë dhe thahen në një furrë të veçantë. Gaurav Sant është themelues i kompanisë CarbonBuilt.

“Ajo që i bën ato të ndryshme nga furrat shtëpiake është se ne i mbushim ato me dioksid karboni në formën e gazit. Mendoni për emetimet nga tymi i një termocentrali. Atë fusim në furrë. Dhe ato (blloqet) dalin në fund nga furra të mbushur me dioksid karboni”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Ky dioksid karboni është i izoluar përgjithmonë brenda blloqeve. Kjo është e rëndësishme, sepse prodhimi i betonit gjeneron sasi të madhe të dioksidit të karbonit.

Betoni është një përzierje e gurit dhe rërës, e ngjitur së bashku me çimento. Prodhimi i çimentos përfshin djegien e gurit gëlqeror në temperaturë prej 1500 gradë Celsius. Flaka krijon dioksid karboni, por edhe vetë guri gëlqeror i nxehtë çliron sasi më të mëdha të dioksidit të karbonit.

Prodhimi i një ton betoni gjeneron një ton dioksid karboni.

Kërkesat për produkte betoni po rriten nga shtimi i popullsisë, thotë Drejtori i Iniciativës Globale të Dioksidit të Karbonit në Universitetin e Miçiganit, Volker Sick.

“Do të jetë problem për ne, nëse nuk gjejmë mënyra më miqësore ndaj mjedisit për të prodhuar beton”, thotë ai.

Një mënyrë që ka më pak ndikim negativ mbi klimën është ajo e përdorur nga CarbonBuilt dhe disa kompani të tjera që kanë modifikuar proceset e prodhimit të çimentos duke përdorur dioksid karboni. Kjo luan një rol më të madh sesa thjesht mbajtja e dioksidit të karbonit jashtë atmosferës, thotë Presidentja e kompanisë CarbonCure, Jennifer Wagner.

“Dioksidi i karbonit gjithashtu vepron si një përforcues i betonit. Pra, duke i shtuar dioksidin e karbonit, ata mund të arrijnë rezistencën e dëshiruar me më pak çimento dhe çimentoja është përbërësi me sasi më të madhe karboni i produkteve prej betoni”, thotë ajo.

Më pak çimento nënkupton më pak dioksid karboni, por edhe më shumë kursim parash. Kjo mund të ndihmojë në fitimin e klientëve, thotë zonja Wagner.

“Të gjithë duan të ndërtojnë gjëra më miqësore ndaj mjedisit. Por ata nuk duan të paguajnë më shumë”, thotë ajo.

Procesi mund të ulë emetimet e karbonit dhe në disa raste e përgjysmon atë.

Kompanitë CarbonBuilt dhe CarbonCure kohët e fundit fituan çmimin Carbon XPRIZE për përdorimin e dioksidit të karbonit në produkte të gatshme për tregun. Ky është një fillim i mirë, thotë profesor Volker Sick.

“Unë mendoj se kjo ka treguar potencialin që ekziston. Nuk është ende gati të zbatohet kudo tani. Ka nevojë për më shumë përmirësime”, thotë ai.

“Tani për tani rreth 300 impiante betoni në të gjithë botën po përdorin këtë teknologji çdo ditë. Por ekzistojnë rreth 100,000 impiante betoni, kështu që ky është ende një hap i vogël”, thotë presidentja e kompanisë CarbonCure, Jennifer Wagner.

Teknologjia ka filluar të përhapet. Një kompani tjetër, Solidia, po shet pllaka betoni të prodhuara përmes një procesi të ngjashëm.

Por betoni është materiali më i bollshëm i prodhuar nga njeriu në tokë, kështu që duhet një rrugë e gjatë për të lehtësuar ndikimin e tij të rëndë mbi klimën.

Ekspertët: Së shpejti varianti Delta i COVID-it dominues në SHBA

Numri i vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi në të gjithë botën kaloi shifrën e zymtë të 4 milionëve, sipas përllogaritjeve të bëra nga agjencia e lajmeve Reuters, ndërsa shumë vende ende përpiqen të sigurojnë vaksina të mjaftueshme për popullsitë e tyre. Ndërkohë Presidenti Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve që nuk janë vaksinuar, që të mos ngurojnë, duke paralajmëruar se varianti Delta, i shfaqur fillimisht në Indi, është më ngjitës dhe përbën rrezik më të madh për personat e pavaksinuar.

Ekspertët: Së shpejti varianti Delta dominues në SHBAVarianti Delta, i shfaqur fillimisht në Indi, është zbuluar në të paktën 46 shtete amerikane dhe pritet që të përhapet edhe më shumë, thonë zyrtarët e shëndetësisë.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC, paralajmërojnë se varianti delta është shumë më infektues ndërsa parashikon që të bëhet varianti dominues gjatë muajve në vazhdim.

Shefja e CDC-së, Rochelle Walensky, tha për kanalin televiziv CNN se varianti Delta po përhapet në pjesën juqperëndimore të Mizurit ndërsa zyrtarët e shëndetit njoftojnë se ky variant përbën 90% të rasteve.

Zyrtarët e shëndetit thonë se pacientët e infektuar janë më të rinjë në moshë dhe kanë simptoma më të rënda.

Shtetet e Bashkuara nuk janë pranë arritjes së synimit të Presidentit Biden për vaksinimin e 70% të të rriturve amerikanë me të paktën një dozë deri me katër korrik.

Ndërsa kanë rënë ritmet e vaksinimit, zyrtarët e shëndetësisë po kalojnë nga klinikat gjigande të vaksinimit në përpjekje për të shkuar tek njerëzit, nëpër komunitetet e tyre.

Një klinikë e lëvizshme në stacionin e transportit në Akron të Ohajos po përpiqet t’u ofrojë njerëzve mundësinë për t’u vaksinuar.

“Erdha për të marrë autobusin për në anën tjetër të qytetit. Nuk e dija që mund të vaksinohesha”, thotë James Crumbley.

Pesë shtete amerikane, me një numër më të vogël vaksinimi se mesatarja, kanë vënë re një rritje të konsiderueshme infektimesh gjatë dy javëve të fundit. Rastet në Arkansa janë rritur 74%.

Shumë shtete amerikane po ofrojnë shpërblime të ndryshme për njerëzit që vaksinohen. Varianti Delta, thonë zyrtarët, është përhapur në më shumë se 80 shtete në mbarë botën.

voa

Fillojnë provat e vaksinës kundër koronavirusit me spërkatje në hundë

Hulumtuesit në Australi po fillojnë provat klinike të një lloji të ri vaksine kundër COVID-19 – një spërkatës në hundë. Shkencëtarët në Brisbane besojnë se trajtimi mund të jetë më i efektshëm kundër virusit sesa vaksinat e AstraZeneca-s dhe Pfizer-it dhe se do të mundësonte vaksinimin e pacientëve që kanë frikë nga gjilpërat.

Pavarësisht fushatave të bashkërenduara të shëndetit publik, programi i vaksinimit në Australi ka qenë i ngadaltë krahasuar me vendet e tjera. Australia është përballur me probleme të furnizimit, ankesa për planifikim të dobët nga ana e qeverisë ndërsa niveli relativisht i ulët i rasteve të koronavirusit ka rezultuar në vetëkënaqësi dhe hezitim në komunitet.

Australia po përshpejton fushatën e saj të imunizimit. Në të ardhmen, vaksinat mund të administrohen më lehtë – si një spërkatës në hundë i krijuar për të “sulmuar virusin” ndërsa ilaçi hyn në trup.

Dr. Paul Griffin, drejtor mjekësor në Rrjetin Nucleus, një organizatë kërkimore që po fillon provat e terapisë me spërkatësin në hundë, tha se ndërsa ilaçet e tjera kryesisht mbrojnë kundër shfaqjes së simptomave të rënda të COVID-19, kjo vaksinë synon të zvogëlojë rrezikun e infeksionit.

Një komision i pavarur i etikës në Australi ka miratuar provat klinike. Studiuesit thonë se spërkatësi në hundë mund të jetë i disponueshëm brenda një ose dy vitesh.

voa

Shqetësimi i ndikimit të vaksinave tek qumështi i gjirit

Ka shqetësime të shumta për sigurinë e vaksinave kundër koronavirusit, sidomos kur flitet për imunizimin e fëmijëve. Një studim i ri tregon se disa nëna kanë arritur t’i përcjellin foshnjes antitrupat kundër sëmundjes. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Dilge Timocin njofton:

Dora është gjashtë muajsh. Nëna e tij, Nagihan Dede, ishte në Turqi për të parë të afërmit kur mësoi se ishte shtatzënë me të. Në atë kohë shpërthimi i pandemisë e detyroi të qëndronte për muaj në Stamboll.

“Nuk dilnim nga shtëpia, vetëm shkoja për vizitë te mjeku sepse nuk e njihnim ende këtë sëmundje,” thotë Nagihan.

Ajo u kthye në Shtetet e Bashkuara dhe në tetor lindi djalin. Pak muaj më pas filloi fushata e vaksinimit. Zonja Dede, e cila e kishte foshnjen në gji, ishte e shqetësuar mbi ndikimin e vaksinës tek i biri.

“Pyeta mjekun dhe më tha se disa nga përfitimet nga vaksina do t’i kalonin edhe djalit përmes qumështit të gjirit. Pra vaksinimi im do ta mbronte edhe atë,” tregon nëna e djalit.

Një studim i përbashkët nga Universiteti Harvard dhe Spitali i Përgjithshëm i Masaçusetsit del me konkluzionin se nënat po ua përcjellin foshnjave antitrupat.

Studimi përfshiu 131 gra, 84 prej tyre shtatzëna dhe 31 me fëmijë në gji, ndërsa 16 të tjera, në asnjë nga këto kategori.

Studimi zbuloi se antitrupat kalojnë nga nëna tek foshnja gjatë lindjes përmes kordonit të kërthizës apo qumështit të gjirit.

“Gratë e vaksinuara që ushqejnë fëmijën me gji i japin foshnjes një mbrojtje më të fortë imunitare se sa imuniteti i krijur nga infektimi me koronavirusin,” thotë epidemiologia Syra Madad.

Dr. Syra Madad është mjeke e sëmundjeve infektive e përfshirë si eksperte në dokumentarin me titull “Pandemia”. Ajo gjithashtu ka një fëmijë në gji.

“Kur ushqeja me gji beben një vjeçe, vendosa që të ruaj qumështin dhe t’ua jap edhe fëmijëve të tjerë: njëri pesë dhe tjetri shtatë vjeç që edhe ata të përfitojnë nga antitrupat,” tregon ekspertja.

Disa prindër kanë pasur pikëpyetje për rrezikun që mund të paraqesë për foshnjen qumështi i gjirit nga nëna e vaksinuar.

Por sipas autoriteteve shëndetësore amerikane, vaksinat nuk paraqesin rrezik për nënën apo foshnjen që ushqehet me gji. Përkundrazi, sipas studimeve, antitrupat mund të ndihmojnë për mbrojtjen e foshnjes nga infektimi, megjithëse ende nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të përcaktuar saktë sa mbrojtje ofron qumështi i gjirit.

“Qumështi i gjirit nuk përmban koronavirus, por antitrupa mbrojtëse. Prandaj ka rëndësi të kuptojmë mekanizmin biologjik kur ngrihen pyetje për rrezikun. Në këtë rast nuk ka rrezik,” thotë Dr. Madad.

Mjekët shpresojnë se njoftimi do të mirëpritet nga nëna si Nagihan Dede, të cilat duan të mbrojnë veten dhe fëmijët nga virusi.

voa