Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të nxjerrin dokumentet personale pa termin

karta e identitetitNë dhjetë ditët e ardhshme do të vendosen të jenë të hapura dhjetë vende pune për të nxjerrjen e dokumentit personal, qytetarët do të mund të paraqiten edhe pa u paraqitur për termin, deklaroi dje Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

 

Vendet e reja do të jenë të vendosura në Shkup. Ai tha, kjo bëhet me qëllim që arrihet afati i caktuar për ndryshimin e të gjithë dokumentet personale në të cilën do të vendoset një emër i ri i emri kushtetues i shtetit Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Deri tani sipas evidentimin tonë rreth 1 milion qytetarë kanë dokumente me emrin e ri të shtetit”, tha Spasovski

Ai theksoi se një nga problemet me të cilat ballafaqohen është se edhe 70 përqind e termineve të parapara nuk respektohen, pra qytetarët nuk vijnë në orarin e caktuar dhe më pas telefonojnë sërish në numrin e telefonit për të marrë termin të ri.
Spasovski theksoi se nuk do të ketë sanksione për ata që nuk i ndërrojnë dokumentet personale me kohë.

Telegrafi

Izraeli intensifikon sulmet ajrore në Gaza

GazaIzraeli intensifikoi sulmet ajrore në Rripin e Gazës dhe e izoloi atë, duke ndërprerë furnizimet me ushqim, karburant dhe gjëra të tjera të hënën në shenjë hakmarrjeje për sulmin e përgjakshëm të militantëve të Hamasit.

 

Numri i të vdekurve nga të dyja palët u rrit në afro 1600. Hamasi gjithashtu përshkallëzoi konfliktin, duke u zotuar të vriste izraelitët e kapur nëse ushtria izraelite sulmon civilët pa paralajmërim.

Në ditën e tretë të luftës, Izraeli vazhdoi të gjente trupa të viktimave të sulmit të befasishëm të Hamasit në fundjavë në qytetet jugore të Izraelit. Ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën 100 trupa në komunitetin e vogël rural të Beerit, rreth 10% e popullsisë së tij, pas një përleshjeje të gjatë të tyre me militantët e Hamasit. Në Gaza, dhjetëra mijëra njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre pasi sulmet ajrore shkatërruan ndërtesat.

Ushtria izraelite tha se riktheu kontrollin në jug të vendit, pasi sulmi i Hamasit e gjeti aparatin e saj të njohur ushtarak dhe të inteligjencës pothuaj plotësisht të papërgatitur dhe çoi në beteja të ashpra në rrugët e qyteteve për herë të parë në dekada. Hamasi dhe militantë të tjerë në Gaza thonë se po mbajnë peng më shumë se 130 ushtarë dhe civilë të rrëmbyer brenda Izraelit.

Tanket dhe dronët izraelitë u dislokuan për të mbrojtur çarjet në gardhin kufitar të Gazës për të parandaluar inkursione të reja. Mijëra izraelitë u evakuuan nga një numër qytetesh afër Gazës dhe ushtria mobilizoi 300 mijë rezervistë.

Këto lëvizje, së bashku me shpalljen zyrtare të gjendjes së luftës nga Izraeli të dielën, tregojnë se Izraeli po kalon në një ofensivë të madhe kundër Hamasit, duke kërcënuar me shkatërrim më të madh në Rripin e Gazës, një rajon me popullsi të dendur dhe të varfër.

“Ne sapo kemi filluar të godasim Hamasin”, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një fjalim televiziv kombëtar. “Ajo që ne do t’u bëjmë armiqve tanë në ditët në vijim do të bëjë jehonë tek ata për breza të tërë.”

Rreth 900 njerëz, përfshirë 73 ushtarë, janë vrarë tashmë në Izrael, sipas mediave. Në Gaza, më shumë se 680 njerëz kanë humbur jetën, sipas autoriteteve atje; Izraeli thotë se qindra luftëtarë të Hamasit janë mes tyre. Mijëra njerëz të tjerë janë plagosur nga të dyja anët.

voa

Ndikimi i konfliktit izraelito-palestinez mbi luftën në Ukrainë

izraeli palestinaPresidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy të hënën tërhoqi paralele midis sulmeve të Hamasit ndaj izraelitëve dhe sulmeve ruse ndaj ukrainasve, duke i quajtur ato “po aq të liga”. “Dhe vetë izraelitët, gazetarët izraelitë që ishin me ne, në Ukrainë, që ishin në Buça, tani thonë se panë të njëjtën të keqe që erdhi nga Rusia. E njëjta e keqe. Ekziston vetëm një ndryshim. Izraelin e goditi një organizatë terroriste, ndërsa Ukraina u godit nga një shtet terrorist”, u tha Presidenti Zelenskyy pjesëmarrësve në një takim të NATO-s, në të cilin ai mori pjesë përmes një video lidhje.
“Qëllimet e deklaruara janë të ndryshme, por thelbi është i njëjtë. Mund shihni gjak në rrugë, makina të dëmtuara të civilëve, trupa të njerëzve të torturuar”, tha udhëheqësi ukrainas.

Fushata e dezinformimit

Shërbimi ukrainas i zbulimit akuzoi të hënën shërbimet ruse të zbulimet për kryerjen e një fushate diskreditimi ndaj Kievit.

“Shteti agresor i Rusisë po përdor sulmin terrorist të Hamasit ndaj shtetit të Izraelit për një provokim në shkallë të gjerë kundër Ukrainës. Shërbimi i zbulimit i Ministrisë ukrainase të Mbrotjtjes raporton se shërbimi ushtarak rus i zbulimit tashmë ka transferuar armë të prodhuara në SHBA dhe vendet e BE-së, të kapura në Ukrainë, tek terroristët e Hamasit”, thuhet në një deklaratë, të publikuar në faqen e shërbimit ukrainas të zbulimit në Facebook.

Rusia nuk ka sinjalizuar se po mbështet një palë të caktuar në konflikt dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të heqin dorë nga dhuna dhe të negociojnë. Por udhëheqësit e Hamasit thuhet se kanë udhëtuar në Moskë disa herë në vitet e fundit dhe Moska dhe Teherani janë aleatë të tyre strategjikë.

Në një intervistë me shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës, përfaqësuesi i shërbimit ukrainas të zbulimit tha se ata kishin informacion se agjentët rusë kanë marrë pajisje të kapur në Ukrainë dhe kanë filluar t’ua dorëzojnë ato përfaqësuesve të Hamasit, për të krijuar përshtypjen se zyrtarët ukrainas u kanë shitur atyre armët.

“Ne kemi informacione se disa nga armët e kapura në Ukrainë tashmë Rusia i ka transferuar tek terroristët e Hamasit, në kuadër të një operacioni për ta akuzuar më vonë Ukrainën për këtë.”

Zoti Yusov paralajmëroi se do të ketë më shumë akuza të rreme se militantët e Hamasit dyshohet se po luftojnë ushtrinë izraelite me armë nga Ukraina.

Rusia shpreson që sulmet e Hamasit në Izrael do largojnë vëmendjen nga lufta në Ukrainë

Instituti Amerikan për Studimin e Luftës shkroi në një raport më 7 tetor se Kremlini po përdor, dhe ka të ngjarë të vazhdojë të përdorë, sulmet e Hamasit në Izrael për të nxitur fushata informacioni që synojnë dobësimin e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit për Ukrainën.
“Kremlini ka intensifikuar disa operacione informacioni që nga sulmet e Hamasit në Izrael më 7 tetor, shpesh duke akuzuar Perëndimin për neglizhencë ndaj konflikteve në Lindjen e Mesme dhe favorizim të mbështetjes së Ukrainës. Kremlini shpreson se komuniteti ndërkombëtar do të heqë vëmendjen nga Ukraina për t’u përqendruar në Lindjen e Mesme”, thonë analistët e ISW.

Raporti citon një propagandues rus të ketë thënë se Rusia do të përfitonte nga përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve sepse kjo “do ta largonte përkohësisht vëmendjen nga Ukraina, duke e kthyer atë tek konflikti i përjetshëm në Lindjen e Mesme”.

voa

Çfarë shkoi keq? Pikëpyetje mbi aftësitë e shërbimeve të zbulimit të Izraelit pas sulmit të Hamasit

IzraeliPalestinezët në Gaza, nuk janë asnjëherë shumë larg syve të Izraelit.
Dronë mbikqyrës ngrihen vazhdimisht në qiell. Kufiri, i sigurisë së lartë, ështe i mbushur me kamera dhe roje sigurie.

Agjencitë e shërbimeve të zbulimit mbështeten tek burimet dhe aftësitë teknologjike në gjetjen e një sërë informacionesh.

Por duket se Izraeli “i kishte sytë mbyllur” gjatë sulmit të befasishëm të grupit militant Hamas, që rrëzoi barrierat kufitare të Izraelit dhe dërgoi atje qindra militantë për të kryer sulmet që lanë të vrarë qindra njerëz dhe e çuan rajonin drejt konfliktit.

Për dekada me radhë, për shkak të arritjeve të forta, shërbimet inteligjente izraelite kanë fituar lavdinë e të qenit të pamposhtur.

Izraeli ka parandaluar komplote të thurura në Bregun Perëndimor, pretendohet se ka kapur militantë të Hamasit në Dubai dhe është akuzuar për vrasjen e shkencëtarëve bërthamorë iranianë, pikërisht në zemër të Iranit. Edhe kur përpjekjet e tyre kanë qenë të pasuksesshme, agjenci si Mossad, Shin Bet dhe shërbimet zbuluese ushtarake kanë arritur të ruajnë këtë “lavdi mistike”.

Por sulmi i fundjavës, gjatë një festë të madhe hebraike, që e zuri në befasi Izraelin, i vë në dyshim këto aftësi dhe ngre pikëpyetje rreth gatishmërisë së vendit përballë një armiku më të dobët, por të vendosur. Mbi 48 orë më vonë, militantët e Hamasit vazhduan të luftonin forcat izraelite brenda territorit izraelit dhe dhjetëra izraelitë ishin zënë robër nga Hamasi në Gaza.

Është një dështim i madh,” thotë Yaakov Amidror, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare i kryeministrit Benjamin Netanyahu. “Ky operacion vërtet dëshmon se aftësitë e shërbimeve zbuluese në Gaza nuk ishin të mira”.

Zoti Amidror nuk pranoi të ofronte një shpjegim mbi dështimin, tha se mësimet duhet të nxirren pasi situata të qetësohet.

Kundër Admiral Daniel Hagari, zëdhënësi kryesor i ushtrisë, pranoi se ushtria duhet t’i japë popullit një shpjegim. Por ai tha se koha për këtë nuk është tani. “Së pari, luftojmë, pastaj hetojmë”, tha ai.

Disa thonë se është shumë herët që përgjegjësia të bjerë vetëm mbi shërbimet e zbulimit. Ata vënë në dukje se për shkak të një vale dhune në Bregun Perëndimor, disa burime ushtarake u zhvendosën atje, ndërsa përmendin edhe kaosin politik që shoqëron Izraelin, lidhur me hapat e qeverisë së ekstremit të djathtë të kryeministrit Netanyahu për ndryshime në sistemin e drejtësisë.

Plani i diskutueshëm ka kërcënuar forcën bashkuese të ushtrisë së fuqishme të vendit.

Por, mungesa e të dhënave mbi planin e Hamasit pritet të paraqesë vetëm një nga shkaqet që çuan në sulmin më vdekjeprurës ndaj Izraelit, për dekada të tëra.

Izraeli tërhoqi trupa dhe banorë nga vendstrehimet në Gaza në 2005. Por edhe pasi Hamasi pushtoi Gazën në vitin 2007, Izraeli dukej se ruante avantazhin e tij, duke përdorur burimet njerëzore dhe ato teknologjike.

Izraeli pretendonte se dinte vendndodhjet e sakta të udhëheqjes së Hamasit dhe dukej se e vërtetonte këtë nëpërmjet vrasjes së drejtuesve militantë në sulmet ushtarake, ndonjëherë ndërsa ata ishin në gjumë.

Izraeli ka ditur të godasë tunelet nëntokësore të përdorura nga Hamasi për lëvizjen e luftëtarëve dhe kalimin e armëve, duke shkatërruar kilometra të tëra kalimesh të fshehta.

Pavarësisht këtyre aftësive, Hamasi ishte në gjendje ta mbante planin e tij të fshehtë. Sulmi i egër, i cili ka të ngjarë të ketë marrë muaj të tërë planifikimi dhe stërvitjeje të përpiktë dhe që përfshinte edhe bashkërendimin midis grupeve të shumta militante, dukej se nuk u kap nga aparatet e shërbimeve izraelite të zbulimit.

Amir Avivi, një gjeneral izraelit në pension, tha se në mungesë të bazave brenda

Gazës, shërbimet e sigurisë izraelite kanë filluar të mbështeten gjithnjë e më shumë tek mjetet teknologjike për të siguruar informacion. Sipas tij militantët në Gaza kanë gjetur mënyra për t’iu shmangur teknikave teknologjike, duke i dhënë Izraelit një pamje jo të plotë të qëllimeve të tyre.

“Pala tjetër mësoi se si të përballej me aftësitë tona mbizotëruese teknologjike dhe ndaloi përdorimin e teknologjisë që mund ta ekspozonte”, tha zoti Avivi. Ai është president dhe themelues i Forumit të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Izraelit, një grup ish-komandantësh ushtarakë.

“Ata janë kthyer në Epokën e Gurit,” tha ai, duke shpjeguar se militantët nuk po përdornin telefona apo kompjutera dhe po thurnin planin në dhoma veçanërisht të mbrojtura nga mbikëqyrja teknologjike ose duke vepruar nën tokë .

Institucionet izraelite të sigurisë, e kanë parë vitet e fundit Hamasin si një palë shumë të interesuar për qeverisje, që kërkon të zhvillojë ekonominë e Gazës dhe të përmirësojë standardin e jetesës së 2.3 milionë banorëve të Gazës.

Zoti Avivi dhe të tjerët thonë se e vërteta është se Hamasi, i cili bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit, e sheh akoma këtë synim, si përparësi.

Në vitet e fundit, Izraeli ka lejuar afro 18,000 punëtorë palestinezë nga Gaza të punojnë në Izrael, ku mund të fitojnë një pagë rreth 10 herë më të lartë se në rajonin e varfër.

Institucionet e sigurisë e shihnin këtë si një mënyrë për të ruajtur qetësinë relative.

“Praktikisht, qindra, për mos thënë mijëra burra të Hamasit janë përgatitur për muaj të tërë për këtë sulm të befasishëm, pa u zbuluar”, shkroi Amos Harel, një analist mbi çështjet e mbrojtjes, në gazetën e përditshme izraelite “Haaretz”. “Rezultatet janë katastrofike”.

Aleatët që ndajnë të dhëna me Izraelin thanë se agjencitë e sigurisë kishin gabuar në leximin e situatës.

Një zyrtar i shërbimeve egjiptiane të zbulimit tha se Egjipti, vend që shërben shpesh si ndërmjetës mes Izraelit dhe Hamasit, kishte folur vazhdimisht me izraelitët për “diçka të madhe”, por pa dhënë më shumë detaje.

Ai tha se zyrtarët izraelitë u përqëndruan në Bregun Perëndimor dhe nënvlerësuan rrezikun që paraqiste Gaza.

“Ne i patëm paralajmëruar se situata mund të shpërthente së shpejti dhe do të ishte një shpërthim i madh. Por ata i nënvlerësuan paralajmërimet tona”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve “Associated Press” pasi nuk ishte i autorizuar të fliste për mediat mbi përmbajtjen e ndjeshme të të dhënave të shërbimeve inteligjente.

Izraeli është përqëndruar tek plani i kryeministrit Nentanyahu për reformim të gjyqësorit, plan që ka shkaktuar përçarje në vend.

Zoti Netanjahu është paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme nga shefat e mbrojtjes dhe një sërë ish drejtuesish të agjencive të shërbimeve të zbulimit, që ky plan, po dëmtonte forcën bashkuese të shërbimeve sekrete të vendit.

Martin Indyk, i cili ka shërbyer si i dërguar i posaçëm në bisedimet mes izraelitëve dhe palestinezëve gjatë administratës së Presidentit Obama, tha se ndarjet e brendshme lidhur me ndryshimet ligjore ishin një faktor që ndikuan në kapjen në befasi të Izraelit.

voa

Shkencëtarët Katalin Kariko dhe Drew Weissman fitojnë çmimin Nobel për mjekësinë

çmimi Nobel për mjekësinëShkencëtarja hungareze Kalin Kariko dhe shkencëtari amerikan Drew Weissman fituan çmimin Nobel në mjekësi të hënën për zbulimet që mundësuan prodhimin e vaksinave mRNA kundër COVID-19. Në vitin 2005, ata arritën të bënin ndryshimet e nevojshme në kodin gjenetik të mRNA-së duke shmangur kundër-reagimin nga sistemi imunitar i njeriut. Kjo i hapi rrugën kompanive Moderna dhe BioNtech për të prodhuar me shpejtësi vaksinat kundër koronavirusit.

 

Katalin Kariko, profesore në Universitetin Sagan në Hungari dhe në Universitetin e Pensilvanisë dhe Drew Weissman, nga Universiteti i Pensilvanisë, u nderuan me çmimin Nobel për studimin tyre të përbashkët mbi teknologjinë mRNA.

“Përmes gjetjeve të tyre të reja, të cilat kanë ndryshuar rrënjësisht njohurinë tonë mbi mënyrën se si ndërvepron teknologjia mRNA me sistemin tonë imunitar, laureatët kontribuan në një nivel të pashembullt në zhvillimit e vaksinave gjatë njërit prej kërcënimeve më të mëdha për shëndetin e njeriut në kohët moderne”, tha Rick Sandberg, anëtar i Komitetit për Çmimet Nobel.

Thomas Perlmann, sekretar i Asamblesë së Nobelit, tha se të dy shkencëtarët ishin “të befasuar dhe shumë të gëzuar” nga njoftimi për çmimin, kur ai i kontaktoi ata pak para shpalljes së fituesit.

Vaksina mRNA funksionoin me një teknologji krejt të re. Ndryshe nga vaksinat klasike, ajo nuk përmban një variant të dobësuar të virusit. Vaksina e re përmban një kopje të kodit gjenetik të proteinës që është në sipërfaqe të koronavirusit. Duke injektuar këtë kod, që quhet mRNA, organizmi prodhon proteinën e vet, që është e padëmshme dhe përgatitet për të prodhuar antitrupa që luftojnë koronavirusin në se virusi hyn në organizëm. Kjo teknologji është zbuluar që në vitin 1961, por përdorimi i saj në vaksina filloi për herë të parë në vitin 2020 nga kompanitë Moderna dhe Pfizer, të cilat prodhuan vaksinat e para kundër koronavirusit.

Katalin Kariko deri në vitin 2022 ka qenë nënpresidente dhe drejtuese e projektit të prodhimit të vaksinave me teknologjinë mRNA në kompaninë BioNtech, e cila në bashkëpunim me kompaninë Pfizer prodhoi vaksinën kundër koronavirusit me këtë teknologji të re.

Drew Weissman është profesor i vaksinave në Universitetin e Pensilvanisë.

Ata kanë punuar së bashku për krjimin e një metode të modifikimit të kodit të teknologjisë mRNA, në mënyrë që të mos lejojë sistemin imunitar ta sulmojë kodin gjenetik të krijuar në laborator. Para këtij zbulimi, kjo shihej si një nga pengesat më të mëdha të përdorimit të teknologjisë mRNA për vaksina, ose trajtime të tjera mjekësore.

Kompania BioNtech tha në qershor të këtij viti se kishte shpërndarë mbi 1,5 miliardë vaksina kundër koronavirusit të prodhuara me teknologjinë mRNA.

Nesër pritet të shpallen fituesit e çmimit Nobel për fizikën, të mërkurën për kiminë, të enjten shpallet fituesi i Nobelit për letërsinë, të premten shpallet Nobeli për paqen dhe më 9 tetor, ai për ekonominë.

Fituesit e çmimeve Nobel këtë vit do të shpërblehen me 1 milion dollarë. Paratë vijnë nga një fond i krijuar nga themeluesi i çmimit Nobel, shpikësi suedez Alfred Nobel, i cili vdiq në 1896.

Laureatët do të ftohen të marrin çmimet e tyre në ceremonitë e 10 dhjetorit, përvjetori i vdekjes së Nobelit. Çmimi prestigjioz i paqes ndahet në Oslo, sipas dëshirës së tij, ndërsa ceremonitë e tjera mbahen në Stokholm.

voa

Sëmundjet e zemrës vazhdojnë të shkaktojnë numrin më të madh të vdekjeve në botë

ZemraSëmundjet e zemrës shkaktojnë numrin më të madh të vdekjeve në çdo rajon të globit, sipas Federatës Botërore të Zemrës. Kjo organizatë thotë se janë rritur aftësitë e mjekëve për të gjetur trajtime të reja dhe pajisje mjekësore që u mundësojnë njerëzve me sëmundje të zemrës të jetojnë më gjatë, por bota duhet të bëjë më shumë për të parandaluar sëmundjet kardiovaskulare.

 

Ish-portieri i ekipit futbollistik të Arsenalit në Angli, David Seaman, tani është ambasador i Fondacionit Britanik të Zemrës.

Ai përballet me një rrahje të çrregullt të zemrës, të njohur si fibrilacion atrial. Më 29 shtator, në Ditën Botërore të Zemrës, ai paralajmëroi njerëzit për sëmundjen që shkakton vdekjen e më shumë njerëzve në mbarë botën se çdo gjë tjetër.

“Çdo ditë rreth 180 njerëz vdesin nga sëmundjet e zemrës në Britani”, tha ai.

Një sondazh i organizuar nga Fondacioni Britanik i Zemrës tregon se mbi një e treta e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve në Britani.

Ata madje nuk janë të vetëdijshëm se mund të kenë sëmundje të zemrës pa përjetuar simptoma.

Mjekët në vendet perëndimore thonë se rënia e pirjes së duhanit dhe zhvillimi i teknikave dhe mjekimeve të reja kirurgjikale ka sjellë përmirësime.

Megjithatë, vdekjet nga sëmundjet e zemrës po rriten në të gjithë botën.

“Në vitin 2021, 20.1 milionë njerëz në botë vdiqën nga sëmundjet kardiovaskulare, ndërsa në vitin 2019 18.6 milionë. Pra, për fat të keq, ka një rritje të numrit të vdekjeve nga sëmundjet e zemrës. Ne e dimë se çfarë mund të shkaktojë sëmundjet kardiovaskulare. Rreth 80% e këtyre sëmundjeve janë potencialisht të parandalueshme. Disa nga faktorët e rrezikut janë të njohur, si pirja e duhanit, tensioni i lartë, kolesteroli i lartë dhe diabeti. Pra, ne i dimë shumë shkaktarë të sëmundjeve kardiovaskulare”, thotë Profesor Fausto Pinto, ish-president i Federatës Botërore të Zemrës.

Pirja e duhanit, ushqimet e shpejta, niveli i ulët i stërvitjes dhe dieta e varfër kontribuojnë gjithashtu në një rritje të sëmundjeve të zemrës në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Këto rajone kanë probleme shtesë për shkak të sistemit të dobët të kujdesit shëndetësor, duke bërë që në shumë raste, sëmundjet kardiovaskulare të përfundojnë me vdekje.

Profesori i Kardiologjisë në Universitetin e Londrës, Riyaz Patel thekson se çdo vend është në garë me sëmundjet e zemrës. Sipas tij, megjithëse është bërë përparim i madh në trajtimin e sëmundjeve të zemrës në të gjithë botën, kjo nuk ka ngadalësuar përhapjen e tyre dhe numrin e vdekjeve nga këto sëmundje.

Një kontribues kryesor ka qenë pirja e duhanit, e cila ka rënë në disa vende perëndimore për shkak të programeve të ndërgjegjësimit të publikut dhe masave ligjore për të kufizuar këtë zakon, si ndalimi i pirjes së duhanit në vende publike.

Por këto përfitime janë kundërpeshuar nga prirja globale drejt obezitetit, e nxitur nga ushqimet e shpejta.

“Në kohët historike, ajo u nxit kryesisht nga duhani dhe sfidat e tjera të shëndetit publik. Me kalimin e kohës, kjo ndryshoi dhe pirja e duhanit filloi të reduktohej në disa vende perëndimore. Fatkeqësisht, faktorë të tjerë rreziku janë rritur, si obeziteti dhe diabeti”, thotë profesor Patel.

Ajo që e rëndon më tej situatën është fakti se sëmundjet e zemrës janë të parandalueshme, dhe në fund të fundit mjekët besojnë se ky duhet të jetë synimi kryesor i vendeve të botës.

Ekspertët Patel dhe Pinto mendojnë se politika të reja të shëndetit publik janë të nevojshme për të inkurajuar një mënyrë jetese më të shëndetshme.

Kjo mund të bëhet përmes fushatave të shëndetit publik si ato që organizohen në Ditën Botërore të Zemrës dhe ligjeve për të inkurajuar njerëzit të ndjekin praktika më të mira shëndetësore.

voa

Kompania Amazon lëshon në hapësirë satelitët e parë për shërbime interneti

Amazon SatelitKompania Amazon lëshoi të premten satelitët e parë testues në orbitë për shërbimin e saj të planifikuar të internetit, duke i bërë konkurrencë kompanisë SpaceX.
Raketa Atlas V dërgoi në orbitë dy satelitët, duke nisur një program që synon të përmirësojë shërbimet globale të internetit me 3236 satelitë të tjerë që do të fluturojnë rreth Tokës në të ardhmen.

Kompania Amazon planifikon të fillojë të ofrojë shërbime interneti në fund të vitit të ardhshëm.

Kompania SpaceX e sipërmarrësit Elon Musk ka tashmë një epërsi ndaj kompanisë Amazon dhe themeluesit të tij Jeff Bezos, i cili është pronar edhe i kompanisë hapësinore, Blue Origin.

SpaceX nisi satelitët e saj të parë testues Starlink në orbitën e Tokës në 2018 dhe satelitët e parë operacionalë në 2019. Që atëherë SpaceX ka dërguar në orbitë më shumë se 5000 satelitë Starlinks nga Florida dhe Kalifornia, duke përdorur raketat e veta Falcon.

Edhe kompania evropiane Eutelsat OneWeb gjithashtu ka dërguar rreth 600 satelitë interneti në orbitë.

voa

Pse po ndalon Franca shitjen e iPhone12?

IphoneAutoriteti francez për kontrollin e niveleve të rrezatimit, ka ndaluar shitjet e telefonit iPhone 12 të kompanisë Apple, pas testeve që sipas saj tregojnë se i kishte shkelur kufijtë e lejuar në Evropë të ekspozimit ndaj rrezatimit.
Agjencia Kombëtare e Frekuencave (ANFR) tha të martën se shkalla e rrezatimit nga ky model, ishte më e lartë nga sa përcakton ligji.

Jean-Noel Barrot, ministri francez për ekonominë dixhitale, i tha gazetës Le Parisien se një përmirësim i softuerit mund ta zgjidhë problemin. Nëse Apple nuk e zgjidh problemin, ANFR tha se do të urdhëronte një tërheqje të të gjithë telefonave të këtij modeli nga e gjithë Franca.

Firma Apple i kundërshton përfundimet e ANFR-së, duke thënë se shumë organe ndërkombëtare kanë përcaktuar se iPhone 12 është në përputhje me standardet globale të rrezatimit.

ÇFARË DO TË THOTË TEJKALIMI I KUFIJVE TË RREZATIMIT

Niveli standard i thithjes së rrezatimit shprehet në vat për kilogram të peshës trupore. Rrezatimi nga telefonat celularë shkaktohet nga fusha elektromagnetike pranë aparatit që krijohet nga radiofrekuencat përmes të cilave transmetohet sinjalin.

Ndryshe nga ekspozimi ndaj rrezeve X, ose gama – që shkaktojnë mbetjet radioaktive – rrezatimi i lëshuar nga telefonat celularë nuk arrin të shpërbëjë lidhjet kimike ose të ndryshojë qelizat e trupit të njeriut.

ÇFARË KA IDENTIFIKUAR ANFR?

ANFR tha se kohët e fundit ka kryer testimet e 141 telefonave, përfshirë disa të modelit iPhone 12, të blerë në dyqane. Në provat e pavarura laboratorike, dy pajisje iPhone 12 nuk ishin në përputhje me standardet e BE-së, tha zyra e Ministrit Dixhital për agjencinë Reuters.

Si rezultat i kontrollit të nivelit të rrezatimit të telefonave inteligjentë, janë bërë deri tani 42 ndalime të shitjeve në vend, tha ministri.

SA E LARTË ËSHTË RREZIKSHMËRIA?

Problemi kryesor i shkaktuar nga rrezatimi pa jonizim nga telefoni, është ngrohja e indeve të trupit. Kur rrezatimi e tejkalon nivelin e përcaktuar dhe në varësi të kohëzgjatjes së ekspozimit, kjo mund të shkaktojë efekte si djegie, ose trullosje nga nxehtësia, sipas Komisionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen nga Rrezatimi Jo-jonizues (ICNIRP), një organ që përcakton nivelet në shkallë globale.

ANFR tha se laboratorët kishin gjetur një nivel rrezatimi prej 5.74 vat për kilogram gjatë testeve të iPhone 12-ës në duart ose xhepat e përdoruesve.

Standardi i BE-së është 4.0 vat për kilogram. Megjithatë, kjo nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin e njeriut, tha kryetari i ICNIRP-it, Profesor Rodney Croft.

OBSH-ja dhe organe të tjera ndërkombëtare të shëndetësisë thonë se nuk ka prova përfundimtare sipas së cilave rrezatimi nga telefonat celularë shkakton efekte të tjera negative shëndetësore. Megjithatë, ajo ka bërë thirrje për kërkime të mëtejshme.

Në vitin 2011, Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) e klasifikoi rrezatimin nga telefonat celularë si “ndoshta kancerogjen”, ose të kategorisë 2B. Ky emërtim përdoret kur agjencia nuk mund të përjashtojë një lidhje të mundshme.

Agjencia tha se kishte prova “të kufizuara” të një rreziku në rritje për tumore në tru tek disa, por jo të gjithë përdoruesit, veçanërisht tek ata që e përdorin shumë telefonin, por shtoi se nuk mund të përjashtonte gabime tek të dhënat, çka do të thotë nuk mund të jepet një përgjigje përfundimtare.

SI KA REAGUAR APPLE?

ANFR ka thënë se një përmirësim i softuerit duhet të jetë i mjaftueshëm për të zgjidhur problemin. Me fjalë të thjeshta, kjo ndodh sepse softueri – aplikacionet, programet dhe informacione të tjera operative në një pajisje – ndikojnë tek mënyra se si funksionon telefoni.

Pra, një përditësim i softuerit duhet të jetë i mjaftueshëm për të reduktuar ekspozimin e përdoruesve të iPhone 12.

Megjithatë, Apple i ka hedhur poshtë përfundimet e agjencisë. Kompania tha se i kishte ofruar ANFR-së rezultate të shumta të laboratorit të saj dhe të palëve të treta të pavarura, që vërtetojnë se niveli i rrezatimit është në përputhje me të gjitha rregulloret dhe standardet botërore. Apple tha se do t’i kundërshtojë rezultatet e ANFR-së dhe do të vazhdojë të angazhohet me agjencinë për të treguar se është në përputhje me normat.

A DO TË KETË NDALIME TË TJERA?

ANFR tha se iPhone 12 nuk i përmbush standardet e Bashkimit Evropian, duke ngritur pikëpyetje nëse do të ndërmerren edhe ndalime të tjera të shitjeve të këtij modeli. ANFR do t’ua përcjellë gjetjet e saj rregullatorëve në shtetet e tjera anëtare të BE-së.

Ndërsa mbetet e paqartë nëse po bëhen hetime nga autoritete të tjera, Zyra Federale e Gjermanisë për Mbrojtjen nga Rrezatimi tha të mërkurën se “çështja e nevojës për ndryshim është aktualisht objekt diskutimi”.

Dhe një e përditshme holandeze njofton se autoriteti përkatës i këtij vendi për nivelet e rrezatimit po analizon raportin e ANFR-së dhe do t’i kërkojë shpjegime kompanisë Apple.

voa

Suedi, debati mbi kufizimin e teknologjisë në shkollat fillore

Disa shkolla në Suedi po kufizojnë përdorimin e kompjuterave dhe pajisjeve të tjera elektronike nëpër klasa, pasi mësuesit druhen se këto pajisje po dëmtojnë aftësitë e nxënësve për të shkruar dhe lexuar. Megjithëse Suedia ka një shkallë më të lartë suksesi në arsim në krahasim me fqinjët e saj evropianë, statistikat e qeverisë sugjerojnë një rënie të lehtë.

 

Me fillimin e vitit të ri shkollor në mbarë botën, për një shkollë suedeze në qendër të Stokholmit kjo nënkupton shumë orë shkrimi me dorë dhe orë të qeta leximi, diçka e pazakontë për Suedinë.

Në vitin 2017 Suedia miratoi një strategji për përdorimin e kompjuterave dhe tabletëve nëpër klasa, madje edhe nëpër kopështe. Nëntë vjeçari Henrik Trolle Adams në klasën e tretë të shkollës Djurgardsskolan beson në rëndësinë e shkrimit me dorë.

“Shkrimi në kompjuter dëmton aftësinë për të shkruar mirë me dorë”.

Edhe shoqja e tij e klasës Liveon Palmer preferon që të shkruaj në letër.

“Më pëlqen të shkruaj më shumë në fletore, sepse thjesht ndihem më mirë”.

Suedia ka një buxhet të caktuar për integrimin e teknologjisë nëpër klasa. Nxënësit e klasës së tretë kanë qasje tek tabletët që monitorohen me kujdes.

“Tabletët i përdorim në orën e matematikës, por jo për të shkruar. Mendoj se nxënësit nën moshën 10 vjeçare nuk duhet t’i përdorin tabletët për të shkruar. Nxënësit kanë nevojë për kohën e duhur që ta mësojnë dhe përmirësojnë shkrimin e dorës. Bukurshkrimi duhet të praktikohet shpesh. Lidhja e trurit me dorën ndihmon në zhvillimin e shkrimit me dorë, madje përmirëson edhe leximin”, thotë mësuesja e klasës së tretë Catarina Branelius.

Gjatë një konference shtypi në mars, ministrja suedeze për shkollat, Lotta Edholm, shprehu shqetësimin për një rënie në aftësitë e leximit dhe të të kuptuarit tek nxënësit suedez.

Megjithëse arsimi në Suedi është mbi mesataren evropiane, studimi ndërkombëtar PIRLS theksoi një rënie midis viteve 2016 dhe 2021. Sipas ministres Edholm, ndërkohë që faktorë të tjerë si pandemia mund ta shpjegojnë këtë fenomen, rol luajnë edhe kompjuterat.

Si kundërpërgjigje, qeveria suedeze njoftoi një investim prej 60 milionë eurosh për blerje librash këtë vit. Gjatë dy viteve të ardhshme do të shpenzohen 80 milionë euro për këtë qëllim.

Neil Selwyn, profesor në Fakultetin e Arsimit në Universitetin Monash, i cili ka zhvilluar hulumtime 25 vitet e fundit lidhur me integrimin e teknologjisë dixhitale në shkolla, thotë vendimi është thjesht politik.

“Është një lëvizje simbolike në emër të politikanëve dhe një shans që qeveria të tregojë se po bën diçka ndryshe nga paraardhësit. Ka shumë gjëra në lidhje me shkollat që qeveritë nuk mund t’i ndryshojnë ose nuk mund t’i prekin, kështu që futja e teknologjisë në shkolla është një lëvizje politike dhe po ashtu, heqja është një veprim politik”, thotë ai.

Megjithatë, përdorimi i teknologjisë në klasa po vihet në pikëpyetje gjithnjë e më shumë në mbarë botën. Në një raport të botuar këtë verë, UNESCO paralajmëron kundër përdorimit të gjerë të teknologjisë në arsim.

Drejtoresha e shkollës “Djurgardsskolan” Caroline Köling, thotë se është e papranueshme që të bëhen eksperimente me fëmijët dhe të zëvendësohen tërësisht metodat tradicionale me teknologjinë e re.

“Nuk duhen bërë eksperimente, shkolla nuk duhet të eksperimentojë me fëmijët. Është e shkruar qartë, kështu që ne mund të bëjmë disa gjëra, por nuk mund t’i heqim gjërat që e dimë se funksionojnë për të bërë diçka që nuk e dimë se cili do të jetë rezultati”.

Drejtoresha Köling dhe stafi i saj mësimdhënës kanë hartuar një program shkollor që i jep përparësi jo vetëm arsimit, por gjithashtu u ofron nxënësve përvoja unike që mund të mos i hasin lehtësisht në shtëpi. Shkolla nuk i lejon nxënësit që të përdorin teknologjinë pas mësimit, ndërsa presin prindërit që t’i marrin ata.

voa

Gara për energjinë nga fuzioni bërthamor

FuzioniFuzioni bërthamor ka frymëzuar shkencëtarët prej dekadash me potencialin që ka për të prodhuar energji të bollshme pa mbetje karbonike. Siç njofton nga Siatëlli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Phil Dierking, një kompani e re shpreson të fitojë garën për të prodhuar teknologjinë që do të vinte në dispozicion të konsumatorëve këtë lloj energjie.

 

Energjia bërthamore e tanishme vjen nga fizioni, procesi që mbledh energjinë që krijohet nga ndarja e atomeve. Por ky proces ndarjeje krijon edhe nënprodukte radioaktive që mund të jenë të dëmshme.

Por shkrirja e këtyre atomeve për t’u shndërruar në helium, procesi që ndodh brenda Diellit, nuk prodhon nënprodukte të dëmshme dhe mund të prodhojë energji të bollshme dhe të pastër.

Ben Levitt drejton punën kërkimore dhe prodhimin në kompaninë e re amerikane Zap Energy.

“Fuzioni është vërtet hapi i ardhshëm në zhvillimin njerëzor. Ky burim energjie është i bollshëm, i sigurtë, nuk lë mbetje karbonike dhe mund të na çlirojë nga kufizimet e burimeve energjitike tokësore”, thotë ai.

Energjia nga fuzioni nuk është në qarkullim në treg pasi është më i vështirë bashkimi me shkrirje i atomeve, se sa veçimi i tyre. Një prej pengesave është energjia dhe nxehtësia ekstreme që nevojiten për të prodhuar këtë lloj reaksioni në një mjedis të kontrolluar. Zoti Levitt shpjegon se kompania “Zap Energy” përdor një rrymë të lartë që kalon përmes plazmës së gazit me atome të jonizuar, pa elektrone me ngarkesë negative apo jone me ngarkesë pozitive.

“Mund ta konsideroni si një vetëtimë, që krijon fushën e saj manjetike, mban kështu veten të kufizuar dhe nxehet në nivelin e duhur për fuzionin”, thotë zoti Levitt.

Për shkak të përparimit të arritur, Departamenti amerikan i Energjisë i dha kompanisë Zap një nga tetë fondet e këtij viti të destinuara për novacionin. Një pjesë e këtyre fondeve do të përdoren për të ndërtuar një central ku do të testohen teknologjitë e bazuara tek fuzioni, thotë koordinatori për fuzionin në Departamentin e Energjisë, Scott Hsu.

“Duam të gjejmë mënyrat për ta inkurajuar këtë interes të madh të sektorit privat për zhvillimin e teknologjisë së fuzionit dhe t’i përshpejtojmë gjërat. Jemi në një pikë kthese, kur nëse përqëndrohemi vërtet tek teknologjia, nevojat inxhinierike dhe materialet që nevojiten, mendoj se është e mundshme që ta përshpejtojmë zhvillimin e saj. Në këtë pikë mund të jetë më shumë çështje vullneti dhe investimi, se sa çështje kohe”, thotë zoti Hsu.

Dekada të tëra teorish premtuese për futjen në treg të fuzionit, ende nuk kanë prodhuar teknologjira të reja të rëndësishme. As kompania Zap dhe as Departamenti amerikan i Energjisë nuk kanë një afat se kur mendojnë që konsumatorët mund të furnizojnë me këtë lloj energjie shtëpitë e tyre.

Por, kur të vijë ajo ditë, do t’ja ketë vlejtur pritja dhe përpjekjet, thotë Ahmed Diallo, drejtues në Agjencinë e Projekteve të Avancuara Kërkimore në Departamentin e Energjisë.

“Ditën kur të kemi energji nga fuzioni, nuk do të shqetësohemi më për energjinë. Kështu duhet ta mendojnë njerëzit. Do të kemi energji të bollshme. Nuk do të kufizohemi me disa centrale energjie dhe mund të punojmë për të zgjidhur probleme të tjera. Pra durimi është çelësi dhe dua që njerëzit ta kuptojnë se kjo do të jetë zgjidhja e madhe”, thotë zoti Diallo.

Të ndihmuar edhe nga fondet e qeverisë, Shoqata e Industrisë së Fuzionit thotë se janë tashmë mbi 6 miliardë dollarë financime në sektorin privat për kompanitë e reja në fushën e energjisë nga fuzioni.

 

voa