Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së takohen nesër në Bruksel për samitin dyditor. Ndihma ushtarake për Ukrainën, strategjia e mbrojtjes, lufta në Gaza e zgjerimi i BE në Ballkanin Perëndimor janë ndër temat.
Përpara samitit të BE të kësaj jave, kancelari gjerman Olaf Scholz është shprehur në favor të një bashkëpunimi më të madh evropian. Në deklaratën e tij qeveritare ai përmendi ndër të tjera industrinë e mbrojtjes dhe të armatimit.
Scholz tha më tej se do të angazhohet në samitin e BE që fitimet nga asetet e ngrira ruse në Evropë të investohen në blerjet e armëve për Ukrainën: “Po flasim për disa miliarda, ndoshta deri në pesë miliardë këtë vit.” Për blerjen e armatimeve, ai u shpreh në mbështetje të një bashkëpunimi më të ngushtë brenda BE. Ka pasur tashmë përparim të madh, por duhet bërë më shumë.
Scholz përmendi gjithashtu vendosjen e teknologjive të tilla si prodhimi i gjysmëpërçuesve dhe energjia e rinovueshme, si fusha në të cilat Evropa duhet të jetë më pak e varur nga rajonet e tjera të botës.
Scholz rikonfirmon mbështetjen për Ukrainën
Scholz ripohoi mbështetjen e Gjermanisë dhe Evropës për Ukrainën në luftën kundër sulmit rus. Në të njëjtën kohë, ai e përjashtoi edhe një herë mundësinë që NATO të bëhej pjesë e luftës. Rsia po tregon dobësi, Evropa duhet të vazhdojë të mbështesë sistematikisht Ukrainën: ky ishte mesazhi kryesor i kancelarit përpara samitit të BE. Scholz-ihpreson për një angazhim të BE në Lindjen e Mesme.
Olaf Scholz ka riafirmuar vullnetin e Gjermanisë dhe Evropës për të ndihmuar Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme. “Rusia nuk është aq e fortë sa mendohet tani”, tha politikani socialdemokrat në deklaratën e tij qeveritare përpara samitit të BE. “Nëse presidenti rus beson se ai thjesht duhet të pezullojë këtë luftë dhe se ne do të dobësojmë mbështetjen tonë, atëherë ai i ka bërë llogaritë gabim,” tha ai. Kancelari tha se është e rëndësishme që të ketë më shumë dërgesa armësh në Ukrainë. Një “paqe e diktuar në kurriz të Ukrainës” nuk do të pranohet, shtoi ai
Manipulimi i zgjedhjeve në Rusi dhe presioni mbi opozitën janë shenja të dobësisë së Kremlinit, vazhdoi Scholz. Ai shprehu admirimin e tij për opozitën ruse. Është vërtet e vështirë të këmbëngulësh për liri në një vend të tillë. Ai tha se mbështetja për këta njerëz nuk duhet të ndërpritet
“Të thuash atë që është e nevojshme”
Kancelari u zotua gjithashtu për solidaritet të Gjermanisë me Izraelin. Në të njëjtën kohë, megjithatë, është gjithashtu e rëndësishme që të lehtësohen vuajtjet e njerëzve të Rripit të Gazës. Sulmi ndaj Izraelit nga organizata terroriste Hamas ishte “i paharrueshëm, i tmerrshëm”. Ashtu si ndoshta vetëm SHBA, Gjermania është “qartësisht një mikeshë e Izraelit”. Megjithatë, është e rëndësishme të “thuhen gjërat e nevojshme”. Duhet të ketë një armëpushim, ndër të tjera për të liruar pengjet e Hamasit dhe për të qenë në gjendje të ofrohet më shumë ndihmë humanitare për Rripin e Gazës.” Scholz u tregua optimist i matur: “Kam pak përshtypjen, se gjërat janë pak më realiste.”
Scholz iu referua gjithashtu pjesëmarrjes së Gjermanisë në transportin ajror të furnizimeve për banorët e Rripit të Gazës: “Ne japim një kontribut, por nuk mund të jetë ndihmë e plotë.” Do të duhet të hapen më shumë pika kufitare, në mënyrë që të hyjnë më shumë se 500 kamionë në ditë me mallra në këtë zonë. Scholz theksoi se shumë njerëz në Izrael e mbështesin këtë, siç e pa gjatë vizitës së tij të fundit në vend.
Në fund të fundit, vetëm një zgjidhje me dy shtete mund të sjellë paqe në Lindje e Mesme, tha kancelari gjerman. “Tani duhet të bëhet e dukshme, si mund të jetë e ardhmja për bashkëjetesën paqësore të Izraelit dhe një shteti palestinez.” Kjo do të nënkuptonte një shtet të veçantë palestinez “pa ushtrinë e tij”, por që të administrohej vetë.
Një kompromis i BE këtë herë?
Scholz pranoi se në BE ka mendime të ndryshme për Lindjen e Mesme: “Pikërisht për këtë debati është i rëndësishëm”. Ai shpresonte se krerët e shteteve dhe qeverive do të bien dakord për një qëndrim të përbashkët.
Një deklaratë e përbashkët mbi luftën e Gazës dështoi në samitin e BE-së në dhjetor. Duke pasur parasysh numrin e madh të viktimave në Rripin e Gazës, Spanja dhe Irlanda, për shembull, kërkojnë një gjuhë shumë më të ashpër ndaj Izraelit dhe duan t’i japin fund marrëveshjes së asociimit të BE me këtë vend.
Kancelari i bëri komentet e tij përpara samitit dyditor të Krerët e shteteve dhe qeverive të BE në Bruksel. Tema të tjera që do të diskutohen të enjten dhe të premten janë zgjerimi i BE në Ballkanin Perëndimor dhe migrimi e bujqësia.
aud (dlf, dpa)