Pajisjet elektronike të komunikimit me mesazhe ‘pager’ të përdorura nga qindra anëtarë të grupit militant Hezbollah shpërthyen pothuajse njëkohësisht në Liban dhe Siri të martën, duke shkaktuar të paktën 12 të vrarë, mes tyre dy fëmijë, dhe plagosur mijëra të tjerë, në atë që duket të jetë një sulm i sofistikuar dhe nga distanca.
Një zyrtar amerikan tha se Izraeli e informoi Uashingtonin të martën, pas përfundimit të operacionit gjatë të cilit u përdoren sasi të vogla eksplozivi të fshehura në pajisjet e komunikimit. Individi foli në kushte anonime pasi nuk ishte autorizuar të fliste publikisht.
Qeveria libaneze dhe Hezbollahu, që mbështetet nga Irani, fajësuan Izraelin për shpërthimet vdekjeprurëse, që kishin për objektiv një numër të madh njerëzish dhe që duket si një operacion i planifikuar prej kohësh. Nuk ka detaje lidhur me ekzekutimin e shpërthimeve. Ushtria izraelite nuk ka pranuar të komentojë.
Përdorimi i mjeteve komunikuese ‘pager’ në operacion
Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah i kishte paralajmëruar më parë anëtarët e grupit që të mos mbanin telefona celularë, duke thënë se mund të përdoren nga Izraeli për të gjurmuar lëvizjet e grupit. Si rezultat, Hezbollahu përdor mjetet ‘pager’ për të komunikuar.
Ndryshe nga telefonat celularë, këto pajisje shfrytëzojnë të tjera valë komunikimi dhe janë më të përdorshme për raste urgjente. Pajisjet ‘pager’ e ndihmuan Hezbollahun për të anashkaluar survejimin e mundshëm nga Izraeli të telefonisë celulare të Libanit.
Telefonat inteligjentë mund të përgjohen më lehtë në kontrast me teknologjinë e thjeshtë që përdorin pajisjet ‘pager’, thotë Nicholas Reese me Qendrën për Çështjet Globale të Fakultetit për Studime Profesionale në Universitetin e Nju Jorkut.
Ky lloj sulmi do ta detyrojë Hezbollahun që të ndryshojë strategjitë e komunikimit, thotë zoti Reese, i cili më parë ka shërbyer me organet e zbulimit. Ai thotë se të mbijetuarit e shpërthimeve të së martës tani ka të ngjarë që të flakin tej “jo vetëm ‘pager’-at e tyre, por edhe telefonat dhe të heqin dorë nga pajisjet portative elektronike”.
Origjina e pajisjeve ‘pager’
Kompania tajvaneze “Gold Apollo” tha të mërkurën se kishte autorizuar firmën “BAC Consulting KFT,” me bazë në Budapest të Hungarisë, që të përdorte markën së saj për prodhimin dhe shitjen e modelit AR-924 të pager-it në fjalë. Firma BAC duket të jetë një kompani guaskë.
Hsu Ching-kuang, drejtues i firmës tajvaneze “Gold Apollo”, u tha gazetarëve të mërkurën se ka rreth tre vjet që ka një marrëveshje licencimi me firmën “BAC”.
Që nga viti 2022 deri në gusht 2024, firma “Gold Apollo” ka eksportuar 260,000 pajisje ‘pager’ dhe rreth 40,000 midis janarit dhe gushtit të këtij viti, sipas Ministrisë së Çështjeve Ekonomike të Tajvanit. Ministria tha se nuk kishte të dhëna për eksportim të drejtpërdrejt në Liban të pajisjeve ‘pager’.
Analisti veteran Elijah J. Magnier, me bazë në Bruksel, thotë se ka biseduar me anëtarë të Hezbollahut dhe të mbijetuar nga sulmi i së martës. Ai vë në dukje se Hezbollahu i ka përdorur pajisjet ‘pager’ që nga lufta e vitit 2006 me Izraelin. Por pajisjet e reja të komunikimit me mesazhe ‘pager’ që shpërthyen të martën, thotë ai, u blenë para gjashtë muajsh dhe nuk dihet se si arritën në Liban.
Shpërthimi i pajisjeve
Deri tani kanë qarkulluar teori të ndryshme rreth mënyrës së realizimit të shpërthimeve. Disa ekspertë i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press se ka shumë gjasa për infiltrim në zinxhirin e furnizimit.
Ekspertët thonë se në pajisjet e komunikimit ‘pager’ mund jenë vënë mjete shpërthyese shumë të vogla përpara se ato të mbërrinin tek Hezbollahu. Ata thanë se ato mund të ishin aktivizuar njëkohësisht nga distanca, ndoshta përmes një sinjali valor. Kjo konfirmon të dhënat e ndara nga zyrtari amerikan për lëndë shpërthyese të fshehura nëpër pajisje si pjesë e një operacioni izraelit.
Në kohën e shpërthimit, “ndoshta gjysma e baterisë ishte eksploziv” thotë Carlos Perez, me firmën e sigurisë “TrustedSec”.
Një ish specialist i ushtrisë britanike për asgjësimin e bombave thotë se një mjet shpërthyes ka pesë përbërës kryesorë: hapësirën ku vendoset, baterinë, pajisjen ndezëse, kapsollën dhe lëndën shpërthyese.
“Një ‘pager’ i ka tre prej përbërësve”, tha specialisti, i cili foli në kushte anonime, pasi aktualisht punon si konsulent me klientë në Lindjen e Mesme. “Duhet t’i shtosh kapsollën dhe lëndën shpërthyese”.
Ekspertë të lëndëve shpërthyese ofruan opinionet e tyre bazuar në pamjet filmike nga shpërthimet në një treg libanez.
“Forca e shpërthimit duket e njëjtë me atë të shkaktuar nga një kapsollë e vetme elektrike, ose nga përfshirja e një sasie shumë të vogël lënde shpërthyese me fuqi të madhe”, thotë Sean Moorhouse, ish-oficer i ushtrisë britanike dhe ekspert për asgjësimin e mjeteve shpërthyese.
Zoti Moorhouse thotë se kjo tregon se ka dorë një aktor shtetëror. Ai thotë se zbulimi i huaj izraelit, Mossad, dyshohet më së shumti dhe ka burime të mjaftueshme për ta kryer një aksion të tillë. Izraeli ka një histori të gjatë të operacioneve të ngjashme në të kaluarën.
Organizimi i operacionit
Për planifikimin e një sulmi të kësaj shkalle kërkohet shumë kohë. Detajet specifike janë ende të panjohura, ndërsa ekspertët thonë se përafërsisht duhen disa muaj deri në dy vjet për organizimin e një aksioni të tillë.
Zoti Reese thotë se sulmi i ndërlikuar lë të kuptosh se organizatorët kanë mbledhur të dhëna për një kohë të gjatë. Një sulm i këtij kalibri kërkon ndërtimin e marrëdhënieve të nevojshme për të patur qasje fizike tek pajisjet përpara shitjes së tyre. Zhvillimin e teknologjisë që do të futej në ‘pager’ dhe burimet që do të konfirmonin se objektivat e sulmit ishin të pajisur me këto mjete komunikimi.
Analisti veteran Elijah J. Magnier thotë se në bisedat me kontaktet në organizatën Hezbollah, kishte mësuar se para shpërthimit, pajisjet kishin filluar të vibronin pa pushim pas një mesazhi të gabuar, duke i detyruar përdoruesit që të përdornin të dy duart për të shtypur butonat për të ndaluar dridhjet e aparatit.
Dërgimi i mesazhit të gabuar, thotë zoti Magnier, jo vetëm që rriti efektin e shpërthimit, por gjithashtu siguroi që përdoruesi të ishte “plotësisht i angazhuar me pajisjen” ndërsa përpiqej ta fikte atë.
Zoti Magnier tha se Hezbollahu po heton për llojin e lëndës shpërthyese dhe nëse pajisja ishte pajisur edhe me sistem GPS, për ta lejuar Izraelin që të gjurmonte lëvizjet e anëtarëve të grupit.
voa