Stërvitjet e NATO-s në Rumani testojnë gatishmërinë mbrojtëse të Evropës

natoForca më e re e reagimit të shpejtë të NATO-s po teston fuqinë e saj në Rumani, vetëm pak kilometra larg kufirit ukrainas. Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze ndoqi nga afër stërvitjet ku mijëra trupa po vënë në provë aftësinë e Evropës për të mbrojtur veten, pa praninë e forcave amerikane.

 

Në rajonin Smardan në Rumani, rreth 50 kilometra larg kufirit me Moldavinë dhe Ukrainën, forcat evropiane të NATO-s po kryejnë stërvitjen më të madhe ushtarake të vitit (Steadfast Dart 2025).

Dhjetë mijë ushtarë nga nëntë vende anëtare të aleancës po marrin pjesë në stërvitje.

Në këto stërvitje ushtarët testojnë forcën dhe shpejtësinë e tyre, ndërsa tregojnë aftësinë për të reaguar në krahun lindor të NATO-s, pa praninë e ushtrisë amerikane.

Ushtria britanike po drejton stërvitjet, ndërsa ato do të zhvillohen edhe në Bullgari e Greqi.

“Këto stërvitje janë shumë të rëndësishme sepse ne praktikojmë dislokimin e shpejtë të forcave aleate. Jam krenar që po zhvillohen në Rumani. Është gjithashtu e rëndësishme për t’u kujdesur për ndërveprimin midis ushtarëve tanë dhe njësive tona”, thotë Gjeneral Gheorghita Vlad, Shef i stafit të mbrojtjes së Rumanisë

Për ushtarët në terren, stërvitja është provë e unitetit dhe aftësive të NATO-s për të reaguar pranë kufirit, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë. Në këtë rajon kanë rënë dronët rusë dhe mbeturinat e raketave që kishin si objektiv Ukrainën.

Mijëra trupa stërviten në skenarë betejash komplekse duke koordinuar manovrat në krahun lindor të NATO-s. Si pjesë e stërvitjes, më shumë se 700 automjete ushtarake u transportuan nga toka, ajri dhe deti për të testuar aftësinë e NATO-s duke simuluar dislokimin e shpejtë të forcave në kushtet e një sulmi real.

Stërvitja përkon me përvjetorin e tretë të agresionit rus në Ukrainë, ku luftimet kanë nxitur zhvillimin e shpejtësi të taktikave dhe aftësive ushtarake.

“Luftërat gjithmonë ndryshojnë dhe përshtaten. Përfshirja e dronëve është një shtesë e re e rëndësishme. NATO-ja po studion dhe stërvitet për këtë dhe po përshtatet me aftësi të reja”, thotë Admiral Stuart Munsch, komandanti i marinës amerikane për Evropën dhe Afrikën.

Komandanti amerikan thotë se vendet aleate sjellin gjithashtu ekspertizën e tyre.

“Ne shkëmbejmë ekspertizën në NATO dhe gjithashtu disa nga pajisjet e reja që kemi sjellë. Të gjitha vendet janë shumë aktive në zhvillimin e këtyre aftësive të reja”, thotë ai.

Aleatët evropianë thonë se stërvitjet i ndihmojnë ushtarët të mësojnë të veprojnë pa përfshirjen amerikane, megjithëse Shtetet e Bashkuara thonë se mbeten të përkushtuara ndaj aleancës së NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara janë ndër vendet themeluese dhe udhëheqëse të NATO-s. Sekretari Hegseth tha se megjithëse mund të nevojiten disa ndryshime, ne jemi ende plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s”, thotë Admiral Stuart Munsch, komandanti i marinës amerikane për Evropën dhe Afrikën.

Ndërkohë, stërvitjet tregojnë se NATO-ja po forcon mbrojtjen e saj lindore, e gatshme për çdo sfidë.

voa

Mijëra vetë në protestat antiqeveritare në Serbi

serbiDhjetëra mijëra njerëz u bashkuan me studentët protestues të shtunën në Serbi në një tubim kundër padrejtësisë dhe korrupsionit.

 

Studentët e universiteteve në vendin ballkanik, i cili drejtohet nga një qeveri populiste për më shumë se një dekadë, po mbajnë protesta mbarëkombëtare që nga shembja fatale e çatisë së një stacioni të trenit në muajin nëntor që vrau 15 njerëz dhe për të cilën kritikët fajësojnë korrupsionin qeveritar.

Në protestat pothuajse të përditshme marrin pjesë dhjetëra mijëra njerëz dhe kanë tronditur kontrollin e fortë të pushtetit nga Presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili i ka përshkruar protestat si një përpjekje të organizuar nga perëndimi për ta rrëzuar atë nga pushteti.

 

Studentët thanë në një deklaratë se “duan institucione që punojnë në interes të të gjithë neve dhe jo në dëmin tonë dhe një sistem që vlerëson dijen dhe punën dhe jo bindjen dhe heshtjen”

Protestuesit nga i gjithë vendi u mblodhën në Nish, rreth 200 kilometra në jug të Beogradit, për të marrë pjesë në tubimin e së shtunës në stilin e një festivali, që pritet të zgjas për 18 orë.

Studentët thanë se ngjarja, gjatë së cilës do të miratohet simbolikisht një dekret, është “një thirrje zgjimi për të kaluar nga apatia në veprim, nga heshtja në një luftë të zhurmshme për një të ardhme më të mirë dhe zotim për të mos hequr dorë kurrë”!

Serbia është zyrtarisht në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por Presidenti Vuçiç dhe Partia e tij Përparimtare Serbe e krahut të djathtë janë akuzuar për frenim të lirive demokratike dhe nxitje të korrupsionit të shfrenuar që nga ardhja në pushtet.

Tubimi i Nishit shënon katër muaj që kur çatia prej betoni në stacionin qendror të trenit në qytetin verior të Novi Sadit, u shemb më 1 nëntor.

Ndërtesa e stacionit ishte rinovuar dy herë në vitet e fundit si pjesë e një pune më të gjerë të infrastrukturës me kompanitë shtetërore kineze. Shumë në Serbi besojnë se puna në ndërtesë ishte e ngadaltë dhe nuk respektoi rregullat e sigurisë së ndërtimit për shkak të korrupsionit të përhapur.

Kryeministri Milosh Vuçeviç dha dorëheqje për shkak të protestave dhe ka mohuar përfshirjen në korrupsion, ndërsa prokurorët kanë akuzuar 13 persona në lidhje me shembjen e çatisë së stacionit të trenit.

Por këto veprime nuk u dhanë fund protestave.

*Mbështetur në agjencitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters

Analiza e re e gjakut mund të ndihmojë në diagnostikimin e pacientëve me demencë

demencaNë Mbretërinë e Bashkuar po testohet një analizë e re gjaku për të zbuluar shenjat e hershme të demencës. Shpresohet se kjo analizë mund të bëjë të mundur diagonsitikimin e shpejtë të sëmundjes, në mënyrë që pacientët të mund të përfitojnë nga ilaçet që ngadalësojnë përparimin e saj.

 

Stephanie Everill po përballet me probleme të kujtesës, fjalët nuk rrjedhin më si dikur.

“Nuk mbaj mend asgjë. Thjesht ka ikur memorja”, thotë ajo.

Zonja Everill është një nga pacientët e parë që merr pjesë në studimin shkencor “Sfida e Biomarkerit të Gjakut”, në të cilën përdoret një test gjaku për të diagnostikuar demencën.

“Nuk e di nëse do mund të merrja ndonjë ilaç. Nëse mund të marrë ndonjë ilaç që më ndihmon të ruaj kujtesën, të mbaj trurin në lëvizje dhe të vazhdoj të kujtoj,” thotë ajo.

Zonja Everill, 67 vjeç, u diagnostikua me humbje të kujtesës (MCI) rreth një vit më parë. Nëna e saj vuante me sëmundjen e Alzheimerit ndaj ajo donte të vepronte shpejt për të kuptuar gjendjen e saj. Skanimet spitalore tregojnë se gjendja e saj anon drejt Alzheimerit, por ende nuk e ka marrë diangozën përfundimtare nga ana e mjekëve.

Sipas Shoqatës së Alzheimerit vetëm dy për qind e pacientëve kanë qasje tek testet “e arta” si skanerat PET, që skanojnë funksionimin e organeve dhe të indeve në nivel molekular, apo marrjen e një analize në shtyllën kurrizore.

Mostrat e gjakut do të skanohen për një seri proteinash dhe treguesish të tjerë në gjak, të lidhura me demencën.

Studimi drejtohet nga profesoresha Vanessa Raymon, në Universitetin e Oksfordit.

Sipas saj, këto analiza do të ndihmojnë në identifikimin e pacientëve që mund t’i përgjigjen mirë trajtimit.

“Po zhvillohen shumë barna të tjera që ka të ngjarë të licencohen dhe potencialisht të gjenden në sistemin shëndetësor britanik në vitet e ardhshme. Tani ato barna janë të përshtatshme për ata njerëz që kanë nivele mjaft të hershme të dëmtimit të kujtesës. Kështu që duhet të marrim diagnozën e duhur për të parë nëse njerëzit kualifikohen dhe do të përfitojnë nga ato barna”, shprehet Vanessa Raymon nga Universiteti i Oksfordit.

Ilaçet e reja, Leqembi dhe Kisunla, mund të ngadalësojnë përkeqësimin e simptomave, por ato vlejnë vetëm në fazat më të hershme të Alzheimerit dhe vërtetimi në kohë se pacientët duhet të marrin këto barna, mund të jetë i vështirë.

Shpresohet se këto teste të reja gjaku mund të diagnostikojnë sëmundjen e Alzheimerit dhe shkaqe të tjera të demencës.

Profesoresha Fiona Carragher, drejtuese e politikave dhe kërkimeve në Shoqatën e Alzheimerit thotë se “sfida e matjes së treguesve në gjak ka të bëjë me revolucionarizimin e rrugës diagnostikuese. Dhe testi i gjakut është një pjesë kyçe e kësaj.”

“Demecia është shkaku kryesor i vdekjeve në Britani. Rreth një e treta e njerëzve në vend nuk diangostikohet. Testi i gjakut është kryesor për këtë”, thotë ajo.

Sipas Shoqatës së Alzheimerit demenca paraqet krizën më të madhe shëndetësore dhe të kujdesit social në Mbretërinë e Bashkuar.

Rreth një milion njerëz në Mbretërinë e Bashkuar vuanin nga një formë e demencës në vitin 2024, sipas raportit kësaj shoqate.

voa