Ambasadori i ri amerikan në Shkup, Jess Baily ka vazhduar agjendën e tij dhe misionin diplomatik në mbështetje të tejkalimit të krizës politike në MaqedoniPas takimeve me liderin e VMRO-s, Nikolla Gruevski dhe liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, ai sot ka takuar liderin e BDI-së, Ali Ahmetin dhe zv.kryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferi.
Në këto takime është biseduar lidhur me krizën e krijuar politike dhe tensionimin e saj pas publikimit të afersë së përgjimeve nga ana e opozitës.
Diplomati amerikan ka theksuar se SHBA do të ndihmojnë Maqedonisë në rrugën drejtë prosperitetit, demokracisë së zhvilluar dhe shtetit ligjor.
Ambasadori Baily tha se SHBA gjithashtu mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE dhe se në realizimin e këtij synimi nevojitet edhe zbatimi i reformave të nevojshme.
Ndërkaq, lidhur me aferën masive të përgjimeve, Ahmeti ka theksuar nevojën e veprimit pa emocione dhe me racionalitet si dhe të përfshirjes sa më të shpejtë të komunitetit ndërkombëtar në lehtësimin e dialogut politik si dhe hetimin dhe procedimin e rastit të përgjimeve masive bashkë më autoritetet vendore.
“Ky shqetësim serioz ka vënë në sprovë institucionet e vendit dhe kapacitetin demokratik, por kjo çështje mund të tejkalohet me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar dhe angazhimin shumë serioz dhe të menjëhershëm të Brukselit, ka shtuar Ahmeti.
Zëvendëskryeministri Xhaferri e njohu ambasadorin Baily për dinamikën e implementimit të obligimeve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, duke theksuar se zbatimi i kësaj marrëveshje dhe integrimi në strukturat euro-atlantike, NATO dhe BE, mbetet prioritet i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. (INA)