Kryesia e LSDM-së do të vendos të premten në seancë të Këshillit Qendror për ditën e fillimit të publikimit të “bombave” të shumëpritura. Këtë e bëri të ditur sot zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov, duke thënë se pa vendim të Këshillit Qendror nuk do të fillojë publikimi i dokumenteve.Ndërkohë lideri i LSDM-së Zoran Zaev i cili ditëve të fundit ka intensifikuar takimet me ndërkombëtarët, ka pritur sot ndihmës sekretarin shtetëror në Byronë për demokraci dhe të drejtë të njeriut të SHBA-ve, Tomas Melia dhe ushtruesin e detyrës ambasador të SHBA-ve në Shkup, Bart Putnej. Para amerikanëve, ai ka përsëritur qëndrimin se materialet komprometuese për Qeverinë i ka marrë nga qytetarë të Maqedonisë që punojnë në shërbimet e vendit.
“Argumentet dhe faktet që i posedojmë janë marrë nga shërbimet në Maqedoni, nga patriotë të afërt me pushtetin aktual, të cilët e duan vendin e tyre. Na janë dhënë neve sepse nuk besojnë në sistemin gjyqësor, i cili është nën kontroll të pushtetit, ka thënë Zaev”, informon LSDM-ja.
Zyrtarëve amerikanë, Zaev u ka thënë gjithashtu se publikimi i dokumenteve që dëshmojnë veprimet kriminele të Qeverisë, nuk mund të kualifikohet si grusht shtet.
“Edhe me Kushtetutë edhe me ligj, është obligim për secilin që posedon dëshmi të tilla ti publikojë. Ne kemi obligim para qytetarëve të publikojmë gjithçka që kemi. Edhe do ta bëjmë”, ka thënë Zaev.
Kërkesa për Qeveri teknike, sipas liderit të LSDM-së, është thënë publikisht dhe nuk mund të bëhet fjalë për shantazh por për kërkesë legjitime të opozitës. Benjamin Arifi