Ligji i të drejtës për të vdekur

ligji per te vdekurKalifornia u bë të ejten (9 qershor) shteti i pestë amerikan që i lejon mjekët t’u japin ilaçe pacientëve në gjendje të rëndë për t’i dhënë fund jetës, kur ata vuajnë nga sëmundje të pashërueshme. Ligji i ri mori shkas nga historia e një 29-vjeçareje nga Kalifronia, Brittany Maynard, e cila vuante nga kanceri, së cilës ju desh të shkonte në shtetin Oregon, për t’u dhënë fund vuajtjeve.

Veterani i ushtrisë amerikane, tani në pension, Matt Fairchild, është bërë ekspert për të mposhtur dhimbjen. Ai vuan nga një tip i avancuar i melanomës, që është përhapur me tumore në tru. Ai është veteran i Luftës së Dytë të Gjirit Persik. Tani përdor rreth 20 ilaçe në ditë për dhimbjet.

Fairchild thotë:

“Nuk mund të përdoret më rrezatimi për tumoret, sepse kam bërë më parë rreze dhe ato u rritën përsëri.”

Ai e ka të qartë se jeta e tij është vetëm çështje kohe, muajsh, apo ndoshta vitesh. Kjo pasiguri po ja shton traumën emocionale familjes së tij.

“Sa mund të rëndohet gjendja ime? Mund të kem goditje në tru, apo kushedi çfarë. Kjo është e frikshme.”

Gruaja e tij, Ginger Fairchild, mendon si ai:

“Nuk mund ta lësh njeriun që e do të vuajë. E kam parë deri tani të vuajë shumë.”

Terry Petrovich është një tjetër paciente, e cila përpiqet ta shijojë jetën deri në fund. Ajo pa nënën e saj që vuajti për një kohë të gjatë nga kanceri në vezore:

“Arriti që nuk çohej dot më nga krevati, as për nevojat e saj. Më tha një ditë me dhimbje në shpirt: Po të mund të ngrihesha nga krevati, do të gjeja një armë për të vrarë veten.”

Tani edhe Terry Petrovich është me kancer. Ajo ka limfoma të fazës së katërt që i është përhapur në palcën e kurrizit. Ka merak se edhe e bija do të kalojë të njëjtën gjendje të dhimbshme që ajo përjetoi me të jëmën.

Ashtu sikurse Matt Fairchild, Terry Petrovich është e kënaqur që Kalifornia miratoi vitin e kaluar ligjin e të drejtës për të vdekur. Më 9 qershor ligji hyri në fuqi dhe Kalifornia bëhet shteti i pestë që i lejon pacientët në gjendje të rëndë me sëmundje të pashërueshme t’i japin fund jetës së tyre me ilaçe me recetën e doktorit.

Dr. Lynette Cederquist është mjeke dhe profesore në Universitetin e San Diegos në Kaliforni. Ajo thotë se ligji i Kalifornisë shoqërohet me më shumë mbrojtje për pacientin se sa ligji i Oregonit. Pacientët me sëmundje vdekjeprurëse duhet të konsiderohen në gjendje mendore normale dhe duhet t’i kenë mbetur 6 muaj, ose më pak jetë, që të përfitojnë nga ky ligj.

Ata duhet të shkojnë tek dy mjekë të ndryshëm në një diferencë kohore prej dy javësh për të marrë recetën e ilaçit vdekjeprurës. Ata duhet të jenë të aftë ta marrin vetë ilaçin.

Ligji është mbi baza vullnetare për mjekët dhe farmacistët, të cilët mund të zgjedhin për të mos u bërë zbatues të tij. Por Dr. Cederquist mendon se ka disa pasiguri:

“Shumë mjekë nuk janë të sigurtë se çfarë u lejon ligji përsa u përket hapave që duhen ndjekur”.

Ende ka mendime shumë të ndryshme për këtë çështje. Marilyn Golden punon për Fondin e Edukimit për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Personave të Pamundur. Ajo thotë se falë këtij ligji mund të bëhen abuzime me pacientët që inkurajohen t’i japin fund jetës para kohe, sepse familjet kanë një ngarkesë së madhe, ose ngaqë kompanitë e sigurimeve përpiqen t’i mbajnë të ulëta faturat mjekësore.

“Në se sigurimet mjekësore mohojnë, ose vonojnë miratimin e një trajtimi ato mund mendohet se po e përshpejtojnë vdekjen. A do të bëjnë ato atë që duhet për të sëmurin, apo çfarë kushton më pak?- shtron pyetjen zonja Golden.

Por mbrojtësit e ligjit shpresojnë se një ditë të gjithë amerikanët do të kenë mundësi të vendosin vetë për t’i dhënë fund jetës, në se janë të sëmurë rëndë.

“Ashtu sikurse edhe për çështje të tjera, sapo Kalifornia të tregojë eksperienca pozitive, shembullin e saj do ta ndjekin edhe shtete të tjera. Aktualisht ka mbi 20 shtete të gatshme ta shqyrtojnë ligjin”, thotë Matt Whitaker i grupit “Mëshirë dhe Zgjedhje”.

Për veteranin Matt Fairchild, fakti që tashmë ai mund t’i japë fund vuajtjeve që po përjeton ai dhe familja, duket se po u jep një lloj qetësie atij dhe familjes. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>