Serbia zë vendin e dytë në botë për nga numri i armëve ilegale

serbiaNë botë vetëm shtetasit e SHBA kanë më shumë armë se qytetarët e Serbisë. Me dekada të tëra Serbia është e paaftë për ta zgjidhur këtë problem.

„Si mendon, prej nga më erdhi pistoleta në shtëpi? Ku di unë, ka ardhur disi, nga lufta. Babai ka qenë ushtar dhe ia kanë dhuruar. Nuk ka pasur leje, por në ato vite nuk ka pasur askush leje për armëmbajtje. Kohëra të vështira, është dashur të kesh diçka.” Për Mlladenin kjo është shumë e logjikshme – ishte luftë, babai ishte në luftë dhe është normale që të sjell diçka si kujtim. Dhe këtë armë e mban në banesën e tij në Beograd – një armë të “Zastavës” me yllin pesërrembësh dhe shkronjat „SFRJ” (ish-RSFJ). “Babai ma ka treguar si duket, por nuk ma ka dhënë në dorë. Megjithatë unë kam mësuar shpejt të hapë dollapin dhe kur kam qenë i vogël lavdërohesha para shokëve”, thotë Mlladeni (emrin e vërtetë e di redaksia), një njeri i moshës rreth 30 vjet.

Ndoshta na duhet…

Askush nuk e di sa ka armë ilegale në duart e qytetarëve të Serbisë. Autoritetet thonë se shifrat mund të jenë prej 200.000 – 900.000 pistoleta, pushkë, bomba, zolja… Ndërsa ekspertët vlerësojnë se në duart e qytetarëve janë rreth një milionë armë ilegale, sa ka edhe armë me leje. Ndërkohë që rreth një milionë armë ka policia dhe shërbimet private të sigurisë. Kjo do të thotë se çdo i dyti person i rritur në Serbi ka qasje tek armët e zjarrit. Revistat e huaja e vendosin Serbinë në vendin e dytë në botë, për nga numri i armëve në duart e qytetarëve, menjëherë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nuk ka dilemë që numri më i madh i armëve ka ardhur në Serbi gjatë kohës së luftërave ne vitet 90-të. Armët thjesht janë marrë nga kazermat e Armatës Popullore të Jugosllavisë apo nga njësitë paramilitare. Në kohërat e gjakderdhjeve, askush nuk është kujdesur për regjistrimin e armëve. Të gjitha këto armë mund të përdoren, thotë Predrag Petroviq, drejtor i Qendrës për Politikë të Sigurisë.

Por edhe pas luftës janë marrë armë nga magazinat e policisë dhe ushtrisë. Për shembull, gjatë protestave të opozitës me 5 tetor, kur është rrëzuar regjimi i Millosheviqit, nga një stacion i policisë në Stari Grad janë marrë 500 copë armë, të cilat kanë përfunuar në duart e klanit të Zemunit, i cili më pas është akuzuar për vrasjen e ish-kryeministrit Zoran Gjingjiq. Gjëra të tilla kanë ndodhur edhe më vonë, sepse në një kontroll të rregullt në nëntor në kazermën e ushtrisë në Ostruzhnicë është konstatuar se mungojnë 70 pistoleta, 5 pushkë dhe dy kontejnerë me municion.

Përveç kësaj, Ballkani konsiderohet si bazë e kontrabandimit të shumë gjërave, ku nuk përjashtohen as armët. Armët e shitura më së shumti shkojnë në drejtim të Evropës Perëndimore për shkak të çmimeve më të larta, thotë Petroviq. Këtu pistoleta mund të blehet në tregun ilegal për 100 – 150 euro, ndërsa në Perëndim shitet për më shumë se 1.000 euro, që do të thotë se përfitimi është shumë i madh. “Ka pasur edhe raste kur ata që punojnë në vendet tjera kanë marrë me vete nga 2-3 armë dhe kështu fitojnë disa mijëra euro.”

Armët e shitura ilegalisht përfundojnë zakonisht në duart e kriminelëve dhe madje terroristëve. Serbia në katër vitet e kaluara ka shitur armë të kalibrit kryesisht të vogël në Lindjen e Mesme në vlerë prej 194 milionë euro. Këto armë janë prezantuar edhe në lajmet e mediave botërore. Ato mund të shihen në fotografitë e xhihadistëve. Disa kallashnjikovë të prodhimit të vjetër në Zastavën e Kragujevcit janë përdorur edhe gjatë sulmeve terroriste në Paris, ku janë vrarë 130 persona. Këtu është gjetur edhe një pistoletë gjysmëautomatike “Zastava M92″, e cila para tre vitesh i është shitur firmës amerikaneCentury Arms.

Si në Teksas…

Gjatë bisedave fitohet përshtypja se ndaj armëve këtu ka një raport si në Teksas – më mirë ta kem, sepse kurrë nuk i dihet Rreth 70 % e qytetarëve ndjehen të sigurt në vendin etyre, por tmerruese është që ata nuk e ndjejnë veten të sigurt për shkak të mbrojtjes nga policia apo institucionet tjera, por për shkak të armës që posedojnë, për shkak të fuqisë së vet, ndihmës së fqinjve apo miqve… „Në këto hapsira ekziston kultura e mbajtjes dhe ruajtjes së armëve gjatë historisë – gjatë kryengrijteve dhe më pas”, thotë Petroviq. Një kulturë e tillë shihet edhe në festa, kur fillohet me të shtëna. Ky është një lloj simboli i statusit, sepse pistoleta dhe pushka tregojnë forcën!”

Petroviq shton se problemi është “mungesa e stabilitetit konstant” dhe konfliktet e shumta në hapsirat e ish-Jugosllavisë në 25 vitet e fundit. „Tani kemi edhe kërcënimet e reja me rrjedhën e migrantëve. Ndërsa mediat dhe autoritetet pohojnë se  jemi të cenuar, se mund të ketë grusht shtet, se Serbia mund të destabilizohet. Kjo i frikëson njerëzit.” Në media shkruhet kryesisht për gjëra të këqija dhe përdorimin e armëve për sulm apo vetëmbrojtje.

Qendra për Hulumtimet e Politikës Publike ka analizuar vitin e kaluar 400 rastet e përdorimit të armëve në Serbi. Në 120 raste janë përdorur armë ilegale, ndërsa vetëm në 22 raste armë legale. Në 258 rastet e tjera nuk dihet prejardhja. “Këto të dhëna nuk janë të plota, por sinjalizojnë shumë qartë se në situata konfliktuoze shumë më shpesh përdoren armët e paregjistruara”, thonë përfaqësuesit e Qendrës. Gjysma e 35 vrasjeve të femrave në familje gjatë vitit të kaluar është kryer me armë zjarri – kryesisht të paregjistruara.

Petroviq mendon se nuk mjafton vetëm legalizimi i këtyre armëve. “Nuk është problemi i posedimit të armëve, por përdorimit të tyre. Ndërkohë që një problem shumë i madh është edhe përdorimi i armëve të ftohta, që dëshmojnë edhe raportet e shumta në media. Nëse dikush do të bëjë keq, atëherë mund të pëdorë çka t’i bie në dorë. Pra nuk mjafton vetëm legalizimi i armëve por kërkohet edhe vetëdijësimi i shoqërisë për heqje dorë nga dhuna.”

Aksionet e dobëta për legalizimin

Po si qëndron puna me legalizimet e famshme? Këtu më shumë bëhet fjalë për marrëveshjet që shteti u ofron personave që kanë armë ilegale. Gjatë procesit të legalizimit, që parimisht zgjasin disa muaj, të gjithë mund të dorëzojnë armët dhe kurrë nuk ndiqen penalisht për posedim armësh. Mund të kërkohet edhe regjistrimi sipas procedurës së rregullt, ku bëjnë pjesë orët e përdorimit të armëve, kontrolli i sigurisë, pagesat e taksave…

Ministria e Brendshme i përgjigjet Deutsche Welles se në shtatë aksionet e legalizimit nga viti 1992 deri më sot, janë legalizuar 100.000 copë armë. Aksioni më i suksesshëm ka qenë „Sablja” (“Shpata” – aksioni pas vrasjes së Gjingjiqit), kur qytetarët kanë dorëzuar 47.852 copë armë. Ndërsa 34.917 persona kanër kërkuar legalizimin e armëve. Janë kthyer edhe rreth dy milionë fishekë. Aksionet që janë zhvilluar më vonë, kanë qenë më të dobëta. Në vitin 2007 janë dorëzuar vetëm 8.445 armë. Ndërsa në tetë vitet e ardhshme shteti nuk ka bërë asgjë për mbledhjen e armëve. Vitin e kaluar janë mbledhur 7.545 armë, ndërsa këtë vit në procesin e legalizimit janë vetëm 1.410 armë. “Opinioni ka marrë vesh për aksionin vetëm nga një kumtuesë e policisë në media. Nuk ka pasur ndonjë organizim të mirë”, kritikon Qendra.

“Këto janë shifra modeste për 15 vite legalizimi. Duhet nisur një aksion të gjërë, ndoshta të përhershëm dhe duhet punuar në mënyrë intensive. Iniciativat duhe të jenë shumë të dukshme”, thotë Petroviq. Në disa vende të SHBA, personat janë paguar madje për të kthyer armët, por rezultatet kanë qenë modeste. “Personat të cilët mbajnë armë me qëllim që t’i përdorin ndonjëherë, ata nuk i dorëzojnë ato. Ndaj në radhë të parë duhet punuar që këto armë të mos futen në kanalet ilegale.”

Mlladeni nga Beogradi thotë se babai i tij e ka regjistruar ndërkohë armën. Ajo edhe më tej mbahet në shtëpi, por tani në mënyrë legale. “Këtë armë nuk e kemi përdorur kurrë, por na jep siguri. E di ti se në çfarë kohërash po jetojmë?! Njeherë kanë dashur të futen në shtëpi dhe të vjedhin. Kemi bërtitur: merre pistoletën, merre pistoletën… dhe ata kanë ikur.” Mlladeni mendon se pistoleta funksionon, por ate nuk e kanë provuar kurrë. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>