Serbia të hënën tërhoqi diplomatët nga ambasada e saj në Maqdoni, në shenjë proteste ndaj “veprimeve ofenduese” që përkojnë me njoftimet se Shkupi është bashkuar me përpjekjet diplomatike për t’i siguruar Kosovës anëtarësimin në UNESCO.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, gati një dekadë pasi sulmet ajrore të Natos larguan forcat serbe dhe ndalën shtypjen e përgjakshme dy vjeçare të shqiptarëve.
Megjithëse Kosova është njohur nga 114 vende, përfshirë Maqedoninë dhe 23 vende të Bashkimit Evropian, aleatët e Serbisë, Rusia dhe Kina vazhdojnë ta bllokojnë anëtarësimin e saj në OKB.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha në Beograd se tërheqja e diplomatëve është bërë për shkak të aktiviteteve të kundërzbulimit ndaj institucioneve të Serbisë. “Tani ka shumë spekulime. Brenda dhjetë ditësh gjërat do të jenë më të qarta”, u shpreh presidenti serb.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç tha se synimet e Maqedonisë për të ndihmuar fushatën për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO mund të acarojnë edhe më tej marrëdhëniet mes Beogradit dhe Shkupit.
Qëndrimi i Maqedonisë për të ndjekur vendimin e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian në lidhje me votimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO do të “ketë ndikim në marrëdhëniet e mira fqinjësore”, tha zoti Daçiç për agjencinë serbe të lajmeve, ‘Tanjug’.
Vetë presidenti Vuçiç tha se Beogradi do të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie të mira me Maqedoninë, por “këto marrëdhënie do të duhet të bazohen në respekt reciprok”.
“Gjatë votimit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Maqedonia do të marrë në shqyrtim qëndrimin e shumicës së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”,thuhet në një deklaratë të qeverisë së Maqedonisë të lëshuar të hënën.
Marrëdhëniet e mira me fqinjët është një nga kushtet kryesore të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor përfshirë Kosovën, Maqedoninë dhe Serbinë, për të bërë përparim drejt realizimit të dëshirës së tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gati një e treta e popullsisë së Maqedonisë përbëhet nga shqiptarë.
Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Maqedonisë u acaruan pas njoftimit të medias se një agjent i shërbimit të sigurimit serb ishte parë në ndërtesën e parlamentit maqedonas, kur turma e protestuesve hyri me dhunë dhe rrezikoi jetët e deputetëve, duke lënduar fizikisht kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda drejtuesit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. (voa)