Qindra mijëra njerëz dolën të shtunën në një marshim për paqen në zemër të Barcelonës, si një formë e refuzimit publik të sulmeve ekstremiste që morën jetën e 15 personave.
Në krye të marshimit udhëhiqnin punonjësit e shërbimeve të emergjencës, shoferët e taksive, policë dhe qytetarë të zakonshëm, të cilët patën ardhur në ndihmë menjëherë pas sulmit të 17 gushtit në bulevardin Las Ramblas.
Ata mbanin banderola me moton “Unë nuk kam frikë”, të shkruar në gjuhën katalanase.
Autoritetet qendrore dhe lokale spanjolle përçuan një mesazh bashkimi duke qëndruar së toku pas punonjësve të shërbimeve të emergjencës. Autoritetet ishin kritikuar fillimisht se nuk kishin qarkulluar informacionin e duhur për autorët e sulmit.
Disa qytetarë shprehën pakënaqësinë e tyre me fishkëllima ndërsa kalonin pranë tyre zyrtarët, si dhe mbanin banderola ku kritikohej roli i Mbretit Felipe për nxitjen e eksporteve ushtarake për Arabinë Saudite.
Autorësinë e sulmit e mori përsipër Shtetit Islamik. 8 autorë të dyshuar u vranë, 2 gjenden në paraburgim, ndërsa 2 të tjerë u liruan nga gjykata, por vazhdojnë të jenë objekt i hetimeve. (voa)