Opozita shqiptare mbështet referendumin, por ka kushte

flamuriOpozita shqiptare në Maqedonia do të mbështesë referendumin e 30 shtatorit për Marrëveshjen për emrin me Greqinë, por ka vendosur edhe disa kushte për rregullimin e raporteve shqiptaro-maqedonase, apo për zgjidhjen e statusit të gjuhës shqipe e cila në Kushtetutë përcaktohen si gjuhë që e flasin 20 për qind të popullatës së përgjithshme të Maqedonisë, por edhe çështje tjera si ajo e dokumenteve të udhëtimit, në të cilat me zbatimin e marrëveshjes shqiptarët do të shkruhen si maqedonas që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

“Pala maqedonase ka pasur të drejtë të flasë për gjuhën dhe identitetin e tyre, por edhe për rregullimin shtetëror. Ne i përshëndesim marrëveshjet që Qeveria i ka arritur me Bullgarinë, me vërejtjet që i kemi edhe me Greqinë, por Qeverisë i mungon edhe një marrëveshje shumë më e rëndësishme dhe kjo është marrëveshja e brendshme ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni, shqiptarëve dhe maqedonasve”.

“Në kuadër të frymës pro-evropiane, ftojmë aktorët politikë shqiptarë dhe maqedonas, që të ulemi dhe të sjellim edhe këtë marrëveshje. Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese, Aleanca për Shqiptarët do të intervenojë dhe do të insistojë fuqishëm, në mënyrë që të ketë barazi qytetare në Maqedoni, pa pasur njëra më shumë sovranitet, se tjetra me qëllim të ndërtimit të shtetit të së drejtës”, ka deklaruar kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela duke i dhënë mbështetje inkuadrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, si një nga prioritetet e qytetarëve të Maqedonisë, por duke kërkuar njëkohësisht edhe takim të liderëve të partive shqiptare për të biseduar mbi marrëveshjen e arritur mes tyre, të njohura si “Platforma e Tiranë”.

Sela ka thënë se tryeza e partive parlamentare shqiptare duhej të thirrej që para arritjes së marrëveshjes me Greqisë, por meqë nuk është bërë në atë kohë nga BDI-ja në pushtet, atëherë kjo do të thirret nga Aleanca për Shqiptarët në momentin kur do të nisë debati për ndryshimet kushtetuese.

“Është dashur që ta thërrasë zotëri Ahmeti dhe BDI-ja duke pasur parasysh që kanë qenë pjesë e bisedimeve me Greqinë, por nuk e kanë thirrur. Por, në kohën kur do të hapen ndryshimet kushtetuese ne do ta ftojmë të njëjtën në mënyrë që të ndërtojmë qëndrim unik të subjekteve politike rreth ndryshimeve kushtetuese, të cilat duhet bërë në vend. Në të njëjtën kohë, do t’i përgjigjemi thirrjes së çfarëdo subjekti politik parlamentar shqiptar, i cili do ta ftojë tryezën e njëjtë, kurdo që të jetë”, ka theksuar Sela pas mbledhjes së Kuvendit qendror të Aleancës për Shqiptarët.

Referendumi në Maqedoni për marrëveshjen me Greqi që parasheh ndryshimin e emrit në Maqedonia e Veriut do të mbahet më 30 shtator. Kalimi i referendumit dhe ndryshimet kushtetuese për zbatimin e pikave të kësaj marrëveshjeje, është vendimtare për procesin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>