Pas më shumë se tre vitesh luftime palët në konflikt ranë në ujdi më 21 nëntor 1995 në Dayton/Ohie për një Marrëveshje të Paqes për Bosnje-Hercegovinën, si edhe një kushtetutë që deri më sot e paralizon vendin.
Pas dështimit të të gjitha përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës që kishte shpërthyer që nga pranvera e vitit 1992 në ish-republikën jugosllave, Bosnje dhe Hercegovinë, qeveria e presidentit amerikan, Bill Clinton forcoi angazhimin e saj në Ballkan në fillim të vitit 1994. Në mars ajo arriti që popullsia boshnjake, kështu e quajnë veten myslimanët e Bosnjës nga viti 1993, si edhe kroatët të krijojnë një federatë. Modeli i federatës shërbeu nga ky moment për “Grupin e Kontaktit” (i përbërë nga diplomatë të SHBA, Britanisë së Madhe, Francës, Rusisë dhe Gjermanisë) si shtylla kryesore për negociatat e ardhshme. Ky grup propozoi që të pranohen si fakt “pastrimet etnike” të pjesëve të tëra të Bosnjës, të kryera nga serbët boshnjakë dhe t’u njihet atyre 49% e territorit. Në një kohë që sipas regjistrimit të popullsisë nga viti 1991, jetonin në Bosnje vetëm 31% serbë. Më vonë madje u pranua edhe zhvendosja e etnive të ndryshme, vetëm për të mbajtur larg njëri-tjetrit dy grupe “homogjene” – serbët nga njëra anë dhe boshnjakët e kroatët nga ana tjetër.
SHBA që për një kohë të gjatë kishin dalë kundër njohjes së pushtimeve serbe, në janar 1995 bënë kthesë dhe e miratuan ndarjen e Bosnjës në favor të palës serbe. Edhe Gjermania iu bashkua ndërrimit të paradigmës. Në fund “Marrëveshja e Dayton-it” vlerësoi agresorët, dhe ndëshkoi të sulmuarit. Nuk mund të flitet këtu për një marrëveshje të negociuar me drejtësi.
Kushtetuta e Dayton-it
Më 14 dhjetor 1995 u nënshkrua në Paris marrëveshja e negociuar nga 1 deri më 21 nëntor në Dayton si marrëveshje e paqes nga tre krerët e shteteve pjesëmarrëse në luftë, presidentit boshnjak, Alija Izetbegoviç, Franjo Tuxhmanit dhe presidentit serb, Sllobodan Millosheviç. Bosnja mori edhe një kushtetutë të re. Shteti boshnjak u ruajt, por u nda në dy “etnitete”: Federata e Bosnje-Hercegovinës me shumicë popullsi kroate dhe myslimane si edhe Republika Srpska, kryesisht me popullsi serbe. Kësaj iu shtua edhe një “zonë e administrimit të posaçëm” në qytetin Bërçko në lindje të vendit. Përtej kësaj u krijua edhe posti i “Përfaqësuesit të lartë” të Bashkësisë Ndërkombëtare që duhet të vëzhgonte zbatimin civil të marrëveshjes.
Të drejta të posaçme për popujt themelues
Për të mënjanuar tensione të mundshme të tre popujve themelues, pra boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve iu dha një e drejtë vetoje për mbrojtjen e “interesave kombëtare”. Kjo do të thotë, që anëtarët boshnjakë, kroatë dhe serbë të presidencës dhe të gjithë parlamentit boshnjak mund të bllokojnë çdo vendim, nëse e shohin të rrezikuar etninë e tyre. Pas katër vitesh lufte me më shumë se 100.000 viktima, më shumë se dy milionë refugjatë, përdhunime masive, kampe të burgosurish të luftës, gjenocidin e Srebrenicës, serbët boshnjakë morën gjysmën e Bosnjës. Krimet e luftës u trajtuan me shumë vështirësi. Marrëveshja e Dayton-it ishte në avantazh të aktorëve kryesorë të krimeve të luftës.
Më mirë se lufta
Megjithatë të gjithë morën frymë lirisht pas nënshkrimit të marrëveshjes. Bashkësia ndërkombëtare pas katër vitesh mblodhi rrënojat e dobësive të saj në luftën e Bosnjës, për fat të keq për shumë vetë shumë vonë. Qytetarët në Bosnje nuk duhet të kishin më frikë për jetën, Në të njëjtën kohë popullsia, pavarësisht nga etnia, duhej të riorientohej. Refugjatët kishin të drejtën të ktheheshin në vendlindje, pra në etnitetet e reja të krijuara, tek të cilat ata ishin tani pakicë. Shumë vetë pas disa vitesh përpjekjesh të pasuksesshme për t’u integruar aty u dorëzuan, i shitën pronat dhe shkuan diku tjetër. Vendi vazhdoi të ndahej dhe “pastrohej” përgjatë vijave etnike.
Komb në vend të demokracisë
Përveç kësaj Marrëveshja e Daytonit u mori të gjithë jo-boshnjakëve, jo-kroatëve dhe jo-serbëve të drejta demokratike. Kështu për shembull anëtarët e pakicave, afër 4% e popullsisë, deri më sot nuk mund të kandidojnë për postet më të larta në shtet, sepse kjo e drejtë i është rezervuar popujve konstitues të shtetit.
Dayton e bëri Bosnjën të paqeverisëshme. Në kohën time si Përfaqësues i Lartë (2006-2007)jam marrë me marrëveshjen e paqes dhe kushtetutën që përmbante ajo. Në vitin 2006 u përpoqa ta ndryshoj kushtetutën por pa sukses.
Shpresa për reforma
Në vitin 1995 të gjithë pjesëmarrësit e Dayton-it e dinin, se si marrëveshja e paqes edhe kushtetuta ishin të komplikuara dhe të paplota. Por ata shpresonin, siç më ka thënë atëherë kryenegociatori, Richard Holbrooke, se marrëveshja me kalimin e viteve hap pas hapi do të reformohej në varësi të kërkesave të kohës. Por brenda 25 viteve askush nuk ia doli ta bëjë këtë: as bashkësia ndërkombëtare, as vetë boshnjakët. Duhej të ishte futur, siç tha edhe drejtuesi i atëhershëm i delegacionit gjerman në Dayton, Wolfgang Ischinger, një klauzolë revizionimi, pra që rishikimi i marrëveshjes të kryhej pas tre vitesh.
Gabimet e bashkësisë ndërkombëtare
Sot Bosnja është humbësja më e madhe e luftërave të Jugosllavisë, por sidomos është një vend i pastabilizuar. Shteti ligjor gati nuk ekziston, korrupsioni është në nivel të lartë, varfëria dhe pasiguria sociale rriten vazhdimisht, prej vitesh gjithnjë e më shumë të rinj largohen nga vendlindja. Marrëveshja e Dayton-it dhe kushtetuta që përmbante ajo janë në fuqi ende të pandryshuara, minojnë të drejtat demokratike dhe e largojnë gjithnjë e më shumë vendin nga BE.
Bashkësia ndërkombëtare nuk luan rol konstruktiv. Ajo është e ndarë, e painteresuar dhe bën prej vitesh të njëjtat gabime si në vitet 90-të: toleron retorikën agresive dhe nacionaliste të shumë politikanëve në Bosnje, madje edhe kur ajo pa u fshehur himnizon të dënuarit si kriminelë lufte. Me Marrëveshjen e Dayton-it u çimentua udha e forcave nacionaliste dhe ndarëse që përpiqen prej vitesh të shpërbëjnë shtetin boshnjak. Mundet që të thirrej në ndihmë Përfaqësuesi i Lartë, por kjo nuk bëhet.
Të mbahet përgjegjësi
Pikërisht sot duhet të apelohet tek bashkësia ndërkombëtare që të merret seriozisht me Bosnje-Hercegovinën për të gjetur një rrugëdalje nga status-quoja. Apo do ta lemë këtë vend të shpërbëhet? Para 25 vjetësh presidenti i atëhershëm i Bosnjës, Izetbegoviç tha pas nënshkrimit të marrëveshjes në Paris: “Dhe popullit tim unë i them: Kjo mund të mos jetë një paqe e drejtë, por është më e drejtë se sa vazhdimi i luftës. Në këtë situatë siç është, dhe në botën siç është nuk mund të arrihej një paqe më e mirë. Zoti është dëshmitari ynë, që ne kemi bërë gjithçka mundeshim me fuqinë tonë, që të zvogëlohej përmasa e padrejtësisë për vendin dhe popullin tonë.”
Por ne të gjithë e dimë, se pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të vazhdueshme. Ka ardhur koha që të ketë drejtësi për Bosnjën.
Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling ka qenë ministër federal i Postës dhe Telekomunikacionit nga viti 1982-1992, kur dorëzoi postin në shenjë proteste për qëndrimin e qeverisë gjermane në luftën e Bosnjës. Në vitin 2006-2007 ai qëndroi në postin e Përfaqësuesit të Lartë për Bosnje-Hercegovinën dhe si i ngarkuar i posaçëm i BE për BH.
dw