Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi të enjten Ligjin për regjistrimin e popullsisë.
Ligji u miratua me 62 vota, përfshirë edhe ato të opozitës shqiptare që ishin vendimtare për kalimin e tij.
Shumica parlamentare nuk i kishte numrat e nevojshëm, ndërsa opozita maqedonase e bojkotoi votimin.
Sipas Ligjit, regjistrimi i popullsisë do të realizohet në prill të këtij viti – 19 vjet nga regjistrimi i fundit, i realizuar në vitin 2002.
Miratimit të Ligjit i parapriu debat i ashpër mes partive në pushtet dhe partisë opozitare maqedonase VMRO DPMNE, e cila pretendon se regjistrimi nuk do të tregojë numrin real të popullsisë, në veçanti përqindjen e shqiptarëve në shtet.
Në bazë të regjistrimit të fundit, shqiptarët përbëjnë 25.17 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë dymilionëshe të Maqedonisë së Veriut.
VMRO-DPMNE-ja ka nisur me mbledhjen e nënshkrimeve për anulimin e Ligjit për regjistrim, duke paralajmëruar se nuk do t’i njohë rezultatet e tij.
Në Kushtetutë, shqiptarët definohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullatës.
Mbi bazë të kësaj përqindjeje janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, të përfaqësimit, të drejtat kulturore e kështu me radhë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha të mërkurën se regjistrimi i popullsisë nuk duhet të nxisë tensione, sepse, siç tha, “të drejtat e fituara civile të popujve pakicë mbeten dhe mund të zhvillohen më tej”.
Përpjekje për zbatimin e regjistrimit ka pasur në vitin 2011, por ky proces është ndërprerë disa ditë para përfundimit, për shkak të përplasjeve të ashpra mes partive që ishin në pushtet, VMRO DPMNE-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, pikërisht për mënyrën e regjistrimit të popullsisë, në veçanti të qytetarëve që jetojnë përkohësisht jashtë vendit.
Si atëherë, edhe tani, VMRO është kundër përfshirjes së tyre në numrin e përgjithshëm të popullsisë, meqë kjo, sipas kësaj partie, do t’i prishte shifrat reale të popullatës që jeton në Maqedoninë e Veriut. (I.K.)
Pasi që dyshimet për manipulime dhe mosbesimi tek Shteti Unitar është më se i arsyeshëm, me të drejtë kemi edhe reagime të arsyeshme ndaj regjistrimit që para disa viteve dështoi pa dhënë arsye të mirëfilltë para opinionit. Në lidhje me këtë, lexoni edhe një reagim të LDSH së:
LSHD mbi regjistrimin e paralajmëruar të popullsisë në RMV
Shqiptarët nuk kanë as dyshimin më të vogël se edhe ky regjistrim i paralajmëruar i popullsisë nga pushteti në duart e LSDM dhe sejmenëve të tyre shqiptarë, do të jetë ashtu si të tjerat deri tani, një proces kryekëput politik që do të shërbejë vetëm për të mirëmbajtur falsifikimin shumëvjeçar të të dhënave për strukturën reale të popullsisë në Maqedoninë e Veriut!
Regjistrimi i popullsisë si një operacion serioz dhe i besueshëm statistikor në Maqedoninë e Veriut, do të bëhej i mundur vetëm duke krijuar kushtet e domosdoshme për këtë, përmes ndryshimeve të pashmangshme kushtetuese, që do t’i paraprinin këtij procesi të rëndësishëm.
Lëvizja për shtet dhe Drejtësi, bën të ditur opinionit publik qëndrimin e saj të palëkundur se besimin e shqiptarëve në këtë regjistrim të paralajmëruar të popullsisë, nuk e ngjallin as buzëqeshja e stisur dhe premtimet boshe të kryeministrit Zaev, as përfaqësuesit e korruptuar shqiptarë në pushtet, me dosje penale në sirtarët e LSDM, e as pazarllëqet me partitë shqiptare që synojnë pjesë pushteti pa kushte në qeverinë e Zaev.
Por vetëm ndryshimet e pashmangshme kushtetuese që do të ridefinonin Maqedoninë Veriore si shtet i shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike shumicë, me sistemin qeverisës në përputhje me këtë, do t’u siguronin shqiptarëve për herë të parë në historinë e tyre në këtë shtet të imponuar atyre me dhunë, pushtetin real për të bërë një regjistrim të besueshëm. thuhet më tej në reagimin e Lëvizjes për Shtet dhe Drejtësi.
Edhe Eurostati, para një kohe tërhoqi vërejtjen se metodologjia për zbatimin e regjistrimit është e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara dhe nuk guxon të jetë lëndë e tregtimit politik dhe shtrembërimit të parimit dhe mënyrës së kryerjes, ndërsa me realizimin e çfarëdo qoftë qëllimeve të tjera që nuk kanë lidhje me një operacion klasik statistikor, nuk do të pranohet nga ana e Eurostatit.