Arrin në 14 numri i viktimave në spitalin e djegur në Tetovë

Prokuroria Publike në Maqedoninë e Veriut, tha të enjten se 14 veta kanë humbur jetën nga pasojat e zjarrit që përfshiu të mërkurën mbrëma spitalin në Tetovë, ku po trajtoheshin të sëmurë nga COVID-19.

Në një komunikatë të kësaj prokurorie thuhet se “prokurorët kanë lëshuar urdhra autopsie dhe kanë identifikuar trupat e 14 personave të vdekur nga zjarri, ndërsa po hetohet nëse ka viktima të tjera”.

Disa prej trupave, thuhet në njoftim, duhet t’u bëhen analizat e ADN-së për të përcaktuar identitetin e tyre.

Prokuroria tha se sipas të dhënave fillestare, nuk ka personel mjekësor në mesin e të vdekurve.

Edhe më tej është e paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin në atë spital ku po kuroheshin dhjetëra të sëmurë. Në kohën e shpërthimit të zjarrit në spital kishte edhe familjarë të pacientëve.

Të mërkurën mbrëma në Tetovë qëndroi edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe një pjesë e qeverisë së tij.

“Një tragjedi e madhe ka ndodhur në qendrën për COVID-19 në Tetovë. Një shpërthim shkaktoi një zjarr. Zjarri është shuar, por edhe shumë jetë janë shuar. Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe të afërmit e të ndjerëve it dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit”, shkroi në rrjetet sociale, kryeministri Zaev.

Komuna e Tetovës shpalli tre ditë zie në nderim të viktimave.

Maqedonia e Veriut është përballur me rritje të rasteve të viktimave dhe të të infektuarve nga COVID-19, që nga mesi i muajit gusht, duke bërë që autoritetet të vendosin masa shtrënguese për frenimin e zgjerimit të infektimeve.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>