Me kërkesë të këshillit të shkollës, Komuna e Tetovës shkarkoi drejtoren e gjimnazit “Kirill Pejçinoviq”, Teuta Llallën, shkruan Alsat.
Vendimi për shkarkimin vjen pas revizionit të brendshëm, i cili ka konstatuar disa shkelje. Ndërkohë Komuna ka iniciuar edhe padi ndaj Teuta Llallës.
“Revizioni i brendshëm komunal ka konstatuar shkelje brenda institucionit, Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, andaj dhe të njëjtin e kemi dorëzuar si raport edhe tek këshilli i gjimnazit dhe në bazë të këtij raporti dhe shkeljeve që e kanë shqyrtuar, i kanë propozuar kryetarit të komunës shkarkimin e drejtoreshës së Gjimnazit”, u shpreh Nazmi Dauti, udhëheqës i sektorit për arsim në komunën e Tetovës.
Raporti të cilin e siguroi Alsat, vërteton shkelje në tetë pika: realizimi i disa punimeve ndërtimore pa pasur kontratë valide me firmën, pa formuar komision mbikëqyrës për realizimin e punëve ndërtimore dhe mungesë të dokumentacionit të duhur për realizimin e këtyre punimeve ndërtimore.
Drejtorja e shkarkuar Teuta Llalla e ka quajtur revizionin selektiv duke paralajmëruar edhe ankesë.
“…përfshin periudhën vetëm gjer sa unë jam drejtoreshë dhe një hapësirë e madhe kohore nuk është mbuluar nga revizioni dhe kam dyshimet e mia se ky është revizion selektiv. Pikërisht për këtë, unë në konsultim me ligjin, konstatoj se nga ana e kryetarit të komunës janë bërë veprime të përshpejtuara dhe unë do ndjek hapat ligjore kundrejt kësaj çështjeje”, tha Teuta Lllalla, drejtoreshë në largim e Gjimnazit të Tetovës.
Alsat mëson se revizioni i brendshëm komunal është duke vepruar edhe në disa shkolla të tjera fillore dhe të mesme.
alsat