Në protestat e dhunshme në Maqedoninë e Veriut kundër propozimit francez ka pasur të shtëna me armë dhe sharje kundër shqiptarëve. Policisë i është dashur të ndërhyjë.
Kanë vijuar protestat kundër propozimit francez me përplasje mes protestuesve dhe policisë. Eskalimi i situatës ndodhi teksa protestuesit nga qeveria u drejtuan tek Ministria e Jashtme. Para sheshit Skëndërbeu janë dëgjuar thirrje antishqiptare sërish, ndërsa protestuesit janë përplasur me policinë që tentoi t’i pengonte ata për të hyrë në sheshin Skënderbeu. Këtu fillon edhe incidenti me hedhjen e gurëve ndaj objekteve dhe veturave në afërsi të sheshit ku ndodhet edhe një hotel pronari i të cilit ka shtënë me armë zjarri. Policia ka arrestuar pronarin e hotelit.
Mickoski: Duan të më likuidojnë
Kryetari i opozitës maqedonase Hristian Mickovski, i cili ka marrë pjesë në protestë, ka pretenduar se personi në fjalë ka dashur ta vrasë. “Ndodhi një montazh klasik politik. Vrasja e dikujt, e një nëne me fëmijë, vrasja ime, apo e një njeriu të pafajshëm. Ky duhej të dukej si një konflikt ndëretnik. Kam marrë informata joformale për eliminimin tim nga autoritetet. Pamë persona me armë, pati edhe të shtëna, policia iku. Kam një mesazh për shqiptarët: Ne duhet ta ndërtojmë bashkë ardhmërinë ashtu siç e kemi ndërtuar me shekuj. Një mesazh për maqedonasit, të qëndrojmë dinjitoz dhe të luftojmë”, ka deklaruar në një konferencë të jashtëzakonshme, Mickoski.
Policia mohon pohimet e Mickoskit
Policia i mohon plotësisht pohimet e kryetarit të opozitës, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, se policia nuk ka qenë e pranishme dhe nuk ka reaguar gjatë incidentit tek sheshi Skënderbeu. “Përkundrazi, policia ka qenë në vendngjarje, ka reaguar dhe ka ndalur dhunën dhe është ndaluar menjëherë një person, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri”, thonë nga MPB.
LSDM: VMRO-DPMNE dëshironë skenar të përgjakshëm
LSDM akuzon VMRO-DPMNE se ka dashur të inskenojë një skenar të përgjakshëm, së bashku me partnerët e tij të Majtë dhe Aleancën për Shqiptarët. Sipas tyre, Mickoski ka tentuar të luajë viktimën, duke inskenuar një sulm të rremë për të shkaktuar incidente ndëretnike për të mbajtur gjallë protestat e tij të rreme. “Mickoski nuk është viktimë, por regjisor i një skenari të përgjakshëm. Regjisor i një skenari që dështoi. Ai nuk ishte objektiv, por luajti rolin më të keq për qytetarët. Është e turpshme që opozita po tenton të shkaktojë tensione ndëretnike”, thonë nga LSDM.
BDI: Incident i inskenuar nga VMRO, Aleanca dhe e Majta
BDI ka dënuar ashpër incidentet e protestave antieuropiane të nxitura nga elementë prorusë përfshirë edhe skenarin në sheshin Skënderbeu në Shkup. “Protesta të dhunshme antieuropiane me elemente pro ruse nxitëse në çdo element organizativ të këtyre protestave. Këto protesta synimin e vetëm e kanë që ta ndalojnë ecurinë e këtij vendi drejt BE-së duke nxitur incidente ndëretnike. Dhe jo më larg se të mërkurën në mbrëmje kishte incidente në Shkup, dhe kush e shkaktoi incidentin? VMRO, E Majta dhe ASH. A mund të flasim për skenar, i cili ka për qëllim të destabilizoj vendin”, ka pyetur zëvëndëskryeministri nga rradhët e BDI-së Aretan Grubi. Aktet e dhunshme në sheshin Skënderbeu janë dënuar nga presidenti i MV Stevo Pendarovski dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer.
dw