Gjyqi kundër udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik u shty për çështje procedurale

DodicNjë proces gjyqësor që duhej të fillonte të mërkurën kundër udhëheqësit të serbëve të Bosnjës Milorad Dodik për kundërshtimin e vendimeve të të dërguarit ndërkombëtar për paqen, u shty deri më 17 janar, për çështje procedurale të ngritura nga ekipi i tij ligjor.

 

Presidenti i Republikës autonome Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, u akuzua në muajin gusht nga prokurorët e shtetit pasi nënshkroi ligjet me të cilat bëhen të pavlefshme vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në Republikën Serbe dhe parandalohet publikimi në Gazetën Zyrtare të këtij entiteti i vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.

Kjo ishte hera e dytë që shtyhet procesi gjyqësor, pasi avokatët e Milorad Dodikut kërkuan muajin e kaluar që ai të zhvendosej në një gjykatë në Banja Llukë, kryeqytetin e Republikës Serbe, duke përmendur trysninë e pretenduar politike mbi gjykatën shtetërore në Sarajevë.

Një gjykatës e hodhi poshtë kërkesën.

Të mërkurën, avokatët kërkuan që katër prokurorë të përjashtohen për shkak të “njëanshmërisë”, duke mos lënë askënd nga ekipi i prokurorit të lexojë aktakuzën.

Gjyqtari Mirsad Strika e shtyu gjykimin për më 17 janar.

Milorad Dodiku nuk pranoi të deklarohej në gjykatë dhe përdori fjalë të papërshtatshme kur gjykatësi Strika i kërkoi deklarimin.

“Ky gjyq do të kthehet në gjyq të prokurorëve dhe të Bosnjës e Hercegovinës”, u tha ai gazetarëve ndërsa po largohej nga gjykata, duke akuzuar prokurorët për njëanshmëri dhe paaftësi.

Sipas marrëveshjes së paqes që u arrit në Dayton të Shteteve të Bashkuara në vitin 1995, Bosnja u nda në dy rajone autonome, Republikën Serbe dhe një Federatë të dominuar nga kroatët dhe boshnjakët, të lidhur nga një qeveri e dobët qendrore, një plan që siguroi paqen, por e la Bosnjën jofunksionale si shtet.

Milorad Dodiku ka punuar për ta ndarë rajonin e tij të dominuar nga serbët nga Bosnja për një kohë të gjatë, por ka intensifikuar përpjekjet gjatë dy viteve të fundit dhe ka denoncuar vazhdimisht kundërshtarët e tij politikë dhe ambasadorët perëndimorë në Bosnje, ku rreth 100,000 njerëz vdiqën në luftë.

Serbët nuk e njohin zotin Christian Schmidt, si Përfaqësues të Lartë ndërkombëtar në Bosnje, duke thënë se emërimi i tij nuk është miratuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Zoti Schmidt ndryshoi kodin penal të Bosnjës në muajin korrik për të mundësuar ndjekjen penale të atyre që konsiderohet se sulmojnë institucionet shtetërore të Bosnjës.

Sipas ndryshimeve, çdo zyrtar në Bosnje që nuk zbaton një vendim të Përfaqësuesit të Lartë ose e pengon atë në çfarëdo mënyre, mund të dënohet me heqje lirie deri në pesë vjet.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>