All posts by V.F.

Rama: Dëmshpërblim total për të përmbyturit

Kryeministri Edi Rama njoftoi se bankat e nivelit të dytë ranë dakord që të lehtësojnë fermerët kredimarrës të zonave të përmbytura. Në një takim përpara gazetarëve, Rama theksoi se moti në dy ditët e ardhshme nuk do të jetë aspak i favorshëm, ndaj po merren masa të reja për të parandaluar fatkeqësitë në njerëz dhe dëmet e tjera ekonomike.

“Qeveria nuk do t’i shmanget asnjë detyrimi për personat e prekur nga përmbytjet. Dëmshpërblimi do të jetë në masën 100 për qind. Sulmet politike ndaj Qeverisë duhet të marrin fund, pasi për këtë emergjencë u morën masat pa filluar moti i keq”, tha Rama.

Sipas Ramës, kërkesa për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme do të izolonte totalisht të gjithë qarkun. / Top Channel

Dy rrugët e autobusit në Republikën e pakicës

Qeverisjet neoliberale të pasluftës të orientuara në privatizim dhe asfalt po e bëjnë vendin tonë të pajetueshëm. Fundamentalistët e tregut të lirë e abortuan prodhimin vendor kurse bankat në Kosovë janë fajde me letra. Paratë e fondit të privatizimit, të fondit pensional si dhe depozitat bankare të bankave komerciale janë investuar jashtë vendit. Ekzodi i parasë patjetër që përcillet me ekzodin e njerëzve. Asfalti nuk hahet: 45% të varfër dhe 18% në varfëri të thellë nuk i kanë hall gropat nëpër rrugë, por ato në stomak. Modeli socialdemokrat, shteti zhvillimor i orientuar në prodhim dhe industrializimi i vendit janë zgjidhja. Pa fabrika nuk ka as ekonomi e as shoqëri.

Njerëzit e kanë humbur besimin në institucione e mandej edhe shpresën për ardhmëri më të mirë në Kosovë. Në vitet 2006 e 2007 nisi t’i dalë boja çlirimit, por mandej u shpall pavarësia. Tash që po i del boja pavarësisë nuk ka kurrfarë kompensimi. Korrupsioni e sidomos nepotizmi dhe krimi i organizuar përherë i pandëshkuar ua kanë errësuar perspektivën posaçërisht të varfërve dhe klasës së mesme. Arsimi u bë diplomë pa dije, shëndetësia spital për të vdekur, ndërkaq papunësia po rritet si sasi, si kohëzgjatje dhe si pabarazi: një pakicë mban nga disa vende pune kurse shumica dërrmuese nuk e ka asnjë të tillë.

Vëmendja institucionale dhe 35tike është shumë më tepër e përqendruar te çështjet si Gjykata Speciale për krimet e UÇK-së, ekstremizmi fetar, nevoja për dialog me Serbinë sesa te zhvillimi ekonomik i munguar dhe mjerimi social gjithandej i pranishëm. Qeveria është compradore ndërsa përfaqësimi institucional e 35tik është elitist. Shumë tregtarë importesh u bënë politikanë, edhe më shumë politikanë u bënë tregtarë importesh. Të pasurit shfaqen shpesh në televizor si individë dhe si personalitete. Të varfërit shfaqen rrallë në televizor si turma ose si numra statistikash.

Ikja e shqiptarëve të pakënaqur i leverdis edhe Qeverisë së Kosovës edhe Qeverisë së Serbisë ashtu sikurse edhe mafiozëve të ndryshëm që kontrabandës me naftë, cigare, drogë e barna po ia shtojnë edhe trafikimin me njerëz. Megjithatë ky emigrim që po merr përmasa të ekzodit nuk do të ishte i mundur pa korporatat në Evropën perëndimore që kanë nevojë për fuqi të lirë punëtore së cilës nuk i paguajnë sigurim social, shëndetësor e pensional. Për më tepër, qeveritë e djathta perëndimore, si zakonisht, u mundësojnë korporatave që t’i përdorin emigrantët shqiptarë që punojnë në të zezë si armë sulmi kundër sindikatave vendëse atje.

Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës ka shpresuar sinqerisht në një qeveri të VLAN-it që përbënte shumicën parlamentare.

Tradhtia e Isa Mustafës që e braktisi marrëveshjen e 10 shtatorit 2014 për kurs të ri të shtetit duke përfunduar te marrëveshja e Rashkës së 9 dhjetorit 2014 me Thaçin dhe Jabllanoviqin i ka zhgënjyer pamasë qytetarët. Kur kësaj iu shtuan vota e Isa Mustafës për Kadri Veselin për kryeparlamentar, programi qeveritar pa shifra për dallim nga fushata elektorale me premtimet për 200.000 përkatësisht 120.000 vende të reja pune, e deri te buxheti 2015 i kopjuar nga viti paraprak, gjithçka u bë e padurueshme. Energjia e VLAN-it është edhe më tej në popull dhe kjo energji pashmangshëm po bëhet fuqi që i ka dy rrugë të ndryshme dhe të njëjtin mjet transporti: autobusat për te kufiri në Merdar apo autobusat për në sheshin Skënderbeu në Prishtinë. Mirupafshin në shesh – për Trepçën, për shokët tanë në burg dhe për gjithçka që nevojitet për ta bërë Kosovën Republikë të shumicës. (ALBIN KURTI)

Kërkojnë punë për t’i anuluar biletat e migrimit

Duke e parë sa alarmante është bërë muajt e fundit migrimi ilegal, institucionet e Kosovës në bashkëpunim edhe me vendet e Bashkimit Evropian po paralajmërojnë shtrëngim masash.Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vizituar të premten dy prej komunave më tepër të braktisura, Vushtrrinë dhe Ferizajn.

Jahjaga e shoqëruar nga kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, bashkëbiseduan me qytetarët, të cilët kishin shumë shqetësime e mesazhe për presidenten.

Ajo përpiqej të krijonte një atmosferë tjetër dhe me fjalimin e saj të sensibilizojë njerëzit që ikja nuk është zgjidhje.

Shtet-formimi ka shumë vështirësi, u thoshte atyre Jahjaga, duke i rikujtuar se gjendja sot, 15 vjet pas luftës, duhet të jetë më e mirë.

“Kosova nuk ka njerëz për të humbur. Javën e ardhshme i bëjmë 7 vjet që jemi bërë shtet i pavarur. Unë jam me juve. Të gjitha këto brenga dhe shqetësime, janë edhe shqetësimet e mia. Ju nuk duhet të ikni, por duhet të qëndroni së bashku me neve, sepse më së lehti është që të ikim dhe t’ia kthejmë shpinën Kosovës. Ma vështirë është të qëndrojmë këtu, por së bashku duhet të gjejmë zgjidhje”, deklaroi Jahjaga.

Interesimi për të biseduar me presidenten dhe kryetarin e komunës ishte evident.

Ende pa përfunduar njëri, ndërhynte tjetri qytetar, duke u munduar t’i tregojnë për hallet, për papunësinë, varfërinë e humbjen e shpresës dhe në fund si zgjidhje të përmend ikjen nga Kosova.

“A po e shihni në çfarë gjendje katastrofale është komuna e Vushtrrisë? Çfarë fukarallëku ka këtu? Të rinjtë shkuan. Çka na duhet neve jeta kur të rinjtë shkuan?! Propozonin (në fushatë zgjedhore) 200 mijë vende të punës. Ku janë tash ato 200 mijë vende të punës?”, shtronte pyetje dhe dilema një qytetar nga Vushtrria para presidentes.

Një hall të ngjashëm, kishte edhe një banor tjetër i kësaj komune i cili tregonte se tashmë kishte vendosur që do të marrë rrugën e migrimit.

“Jam detyruar ta lë punën dhe të marr rrugën e migrimit pas 53 vitesh. Çfarë gjendje është kjo? Ku na keni sjell. Ku është vota e jonë?”, fliste ky qytetar.

Disa kundër-argumente me fjalimet e qytetarëve, kishte kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, duke thënë se kohët e fundit, komuna ka subvencionuar bujqësinë, dhe ata që duan ta punojnë tokën, mund të ndërtojnë një jetë të mirë edhe në këtë komunë.

“E kemi një gjendje tepër brengosëse në komunën tonë, sikurse në të gjithë Kosovë, sepse kemi një fluks shumë të madh të migrimit në Perëndim dhe kjo është brengosëse. Megjithatë, ju ftoj të gjithëve që të qëndroni, sepse në rrethana shumë më të vështira kemi qëndruar në Kosovë edhe atëherë kur na kanë larguar me dhunë”, ka thënë Mulaku.

Por, ende pa përfunduar fjalën kryetari Mulaku, ndërhyn një qytetar tjetër i cili ka edhe pyetje për të, por edhe shumë halle për të treguar.

“A po më gjeni një punë, qe unë nuk po shkoj. Nesër do të nisem, por ja që nuk po shkoj. Gjemani një vend pune”, i drejtohet kryetarit Mulaku, një qytetar aty afër.

Autoritetet në Kosovë, nuk kanë shifra të sakta, por flasin për mijëra persona që kanë marrë rrugën e migrimit. Si pasojë, e migrimit, mbi 5 mijë fëmijë kanë braktisur shkollat. (rel)

Shtëpia në pazar: Veterani i UÇK-së synonin migrimin

Kur ishte rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998, 18-vjeçari Faik Zogaj nuk e kishte imagjinuar se do të vijë koha që vendin për të cilin luftoi për ta çliruar, do të kërkonte ta lëshonte në mënyrë vullnetare. Ja ku është tani ai, 16 vjet më vonë.Shtëpia e tij bashkë me truallin prej 30 ari është në pazar me një çmim shumë të ulët. E, paratë që ai pret t’i marrë nga një blerës potencial, e kanë një destinacion: financimin e rrugës së ikjes nga Kosova për të, gruan dhe gjashtë fëmijët.

“Kështu kam ardhur në përfundim: me shit këtu me ka krejt, qit shtëpinë njëkatëshe. Brenda është e rregulluar me ka krejt. Për 15 mijë euro e jap veç me dal”, thotë Zogaj.

Mijëra kosovarë ia kanë mësyrë migrimit, nëpërmjet Serbisë dhe Hungarisë duke shfrytëzuar rrugë ilegale në kërkim të një jete më të mirë. Ndërsa, për Faik Zogajn, e kaluara që ai e kujton me mburrje, ka mbetur vetëm në fotografitë që i ka ruajtur. Ai me nostalgji dhe me emocione ua tregon fotografitë e luftës fëmijëve të tyre.

Përlotet kur u rrëfen atyre për Adem Jasharin dhe u thotë se po të ishte gjallë ai, kosovarët nuk do të iknin nga vendi i tyre.

Arsyeje pse dëshiron të ika nga Kosova janë kushtet ekonomike.

“Veç puna e këtyre fëmijëve, send për tjetër jo. Punë kam lyp qe dy vjet, askund një vend pune nuk ma afrojnë. Nëse e ki dajë apo nip kryetarin, apo atë tjetrin, ta afrojnë vendin e punës përndryshe nuk ke vend pune. Nuk kam luftuar për një vend pune”, thotë ai për KALLXO.com.

Por, për t’i bërë të hollat, ai ka vendosur të shes çdo gjë që mund të shitet, duke filluar prej kompjuterit, serrës e deri të shtëpia. Por, dertin e ka te vajza më e vogël, 18-muajshe.

“Kjo me ka shti mos me dal deri sot, po sot e temas nuk kam qare pa ikë“, thotë ai. “Nëse mua më garanton kryetari i Komunës, një vend pune, 200 euro, pajtoj”.

Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, përmes telefonit tha se nuk është i njoftuar për rastin konkret, por premtoi se do të shkojë të takohet me Faik Zogajn për t’u përpjekur ta parandalojë ikjen e tij nga Kosova.

Begaj tha se nuk mundet t’i sigurojë vend pune Faik Zogajt, por do t’i shkojë mundësitë për ndihmë në sektorin e bujqësisë.

Për këtë situatë Begaj fajëson pushtetin qendror.

“Komuna nuk ka mundësi me i ba zgjidhje qytetareve, pasi e kanë pru gjendjen më keq se para luftës. Qeveria e Kosovës i ka fajet, pasi ka njerëz me tri-katër puna, me rroga 4-5 mijë euro, kurse qytetarët nuk kanë bukë më hëngër” tha kryetari i Malishevës.

Ismet Kryeziu, kryetar i fshatit Mleqan, thotë se migrimi është duke prekur çdo ditë e më shumë këtë fshat, pasi mbi tetë familje janë larguar deri më tani. /kallxo.com

NATO: Jo armë për Ukrainën

NATO nuk do të dërgojë hë për hë armë në Ukrainë, por vendosi zgjerimin e mëtejshëm të trupës së reagimit të shpejtë.Dëshirën e Presidentit të Ukrainës Poroshenko për armë për ushtrinë e tij të rrethuar në Ukrainë Lindore NATO-ja hë për hë nuk do ta plotësojë. “Për këtë nuk shoh të ketë shumicë ndër partnerët e NATO-s,” tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, pas takimit të NATO-s në Bruksel. Ajo vetë i refuzon prerë furnizimet me armë. “Edhe pse situata është mjaft shqetësuese, unë mendoj se dërgimi i armëve është mënyra e gabuar, sepse përmban një potencial për përshkallëzimin e dhunës, ngaqë mund t’i japin Rusisë një pretekst që të ndërhyjë haptazi në konflikt,” tha ministrja gjermane për gazetarët në Shtabin e NATO-s.

I këtij mendimi është edhe Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe ministri amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel, i cili po largohet nga posti. “Nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake”, tha Hagel. Nga ana tjetër pasardhësi i tij, Ashton Carter, tha në një seancë para Senatit në Uashington, se nuk e përjashton dërgimin e armëve për mbrojtje. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili është në Kiev, njoftoi se Presidenti Barack Obama do të vendosë “së shpejti” në lidhje me dërgimin e armëve dhe të pajisjeve vdekjeprurëse.
Por meqë Shtëpia e Bardhë deri është kundër dërgimit të armëve në Ukrainë, diskutimi duket se një herë për një herë është shtyrë. Megjithatë disa vende të NATO-s janë duke menduar për mundësinë e furnizimit të Ukrainës me të ashtuquajtura armë dhe pajisje jo-vdekjeprurëse, si jelekë antiplumb dhe dylbi nate. NATO i ka vënë tashmë në dispozicion Ukrainës fonde për trajnime ushtarak, për sisteme kompjuterike dhe ndihma për të plagosurit.
“Jo zgjidhje ushtarake”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg e vlerësoi nismën e fundit të kancelares gjermane Angela Merkel dhe të presidentit francez Francois Hollande për të negociuar në Kiev dhe Moskë për një armëpushim dhe një plan paqeje. “Dialogu politik është e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza”, tha ministrja holandeze e Mbrojtjes Jeanine Hennis-Plasschaert pas takimit të 28 ministrave të NATO-s. Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen, përsëriti se apeli për të gjetur një zgjidhje paqësore u drejtohet si Rusisë e rebelëve prorusë edhe Ukrainës: “Vendimtarja është që të dyja palët të kuptojnë se ky konflikt nuk duhet të zgjidhet me mjete ushtarake.” – tha Ursula von der Leyen.
Planet për të ardhmen
Ministrat e Mbrojtjes vendosën zgjerimin e mëtejshëm të trupës së reagimit të shpejtë që përbëhet nga 5000-7000 vetë dhe e cila në rast krize mund të dislokohet brenda disa ditësh në kufijtë e territorit të Aleancës. Këtë vit për këtë koncept po stëviten trupa nga Gjermania, Holanda dhe Norvegjia. Në pranverën e vitit 2016, forca e re do të jetë gati për përdorim. Synimi i saj është që të shërbejë si garanci dhe si siguri për partnerët e Lindore të NATO-s, veçanërisht vendet baltike, në rast të ndonjë tentative nga Rusia. Në këtë kohë do të mbahet në kryeqytetin polak Varshavë samiti i ardhshëm i NATO-s. Gjashtë vendet të mëdha të NATO-s (Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Spanja, Italia dhe Polonia) do të vënë me radhë në dispozicion kontigjentin kryesor për trupën e reagimit të shpejtë.

Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s u siguruan Gjeorgjisë dhe Moldavisë, që aspirojnë anëtarësimin në BE dhe NATO, mbështetjen e tyre. Po ashtu ata i bënë thirrje Rusisë të tërhiqet nga rajonet separatiste të Gjeorgjisë, Abkhazia dhe Osetia e Jugut. (dw)

Përmbytjet, Presidenti Nishani: Situatë e rënduar

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një dalje para 35ve foli gjatë mbi situatën e përmbytjeve në jug të vendit. Zoti Nishani vlerësoi se “situata në terren është e rënduar” dhe se “institucionet shtetërore duhet të angazhohen për të ndihmuar njerëzit që kanë nevojë”. “E rëndësishme është të mbahen kontakte të vazhdueshme me strukturat e autoriteteve lokale. Më emergjente është sigurimi i ushqimit për bagëtinë”, theksoi Presidenti.

Bujar Nishani shprehu besimin e tij se kjo situatë do të kalohet falë punës së institucioneve: “Duke parë angazhimin e institucioneve, jam i bindur se kjo është një situatë e kalueshme.”

/ Top Channel

Subotica, vend-takimi i emigrantëve me kontrabanduesit

Në stacionin e autobusëve në Suboticë, qytet ky në veri të Vojvodinës, çdo ditë mbërrijnë rreth dhjetë autobus me qytetarë të Kosovës, qoftë përmes linjave të rregullta apo edhe jo të rregullta. Ky qytet shtrihet afër kufirit të Serbisë dhe Hungarisë, prej nga shtetas të Kosovës ia mësyjnë migrimit ilegal. Aty para stacionit të autobusëve në Suboticë, që ndodhet 20 kilometra nga kufiri me Hungarinë, qëndrojnë grupe njerëzish, burra, gra dhe fëmijë. Në duar, mbajnë valixhe, çanta të ndryshme që kanë marrë me vete gjatë rrugëtimit Prishtinë- Beograd deri në Suboticë.

Një punonjëse kujdestare në stacionin e autobusëve, Jellica Nikoliq rrëfen se përmes linjave të rregullta, çdo ditë nga Kosova mbërrijnë dhjetë autobus në këtë qytet, por sipas saj, mbërrijnë edhe autobus përmes linjave jo të rregullta.

“Ajo që ne evidentojmë nga hyrjet në stacionin tonë, janë edhe disa linja nga Bujanovci, Beogradi…, këto janë linja jo të rregullta. Në këso linjash jo të rregullta, përmes së cilave transportohen të ardhur nga Kosova ka rreth 6, 7 apo edhe 8 autobusë”, ka thënë Nikoliq për Shërbimin për Ballkanin të Radios Evropa e Lirë.

Sipas saj, autobusët e këtyre linjave jo të rregullta janë dy katësh dhe mund të transportojnë deri në 70 veta, kurse përmes linjave të rregullta nga 30 – 40 persona për një autobus.

Në fillim, rrëfen Nikoliq, kishte kryesisht të rinj që e merrnin rrugën e migrimit. Kurse kohët e fundit kjo ka ndryshuar.

“Në fillim kanë qenë të rinj, kryesisht rreth të tridhjetave. Por, në dhjetë ditët e fundit vijnë kryesisht familje me foshnja e fëmijë tre apo katër vjeç. Janë familje të tëra që vijnë”, rrëfen Jellica Nikoliq.

Tutje, në rrugën para stacionit janë të parkuar disa automjete. Aty shihen të rinj me çanta krahu që bisedojnë me shoferët. Madje, njëri prej vozitësve, i ofroi edhe ekipit të Radios Evropa e Lirë që t’i transportojë për 20 euro deri te një “destinacion tjetër”, duke menduar se janë emigrantë. Transporti i parë, përfshië shumën prej 20 – 30 euro, deri te një vend tjetër, ku më pas i presin grupe tjera që në shkëmbim të parave i orientojnë ata për në kufirin me Hungarinë.
“Të ofrojnë transport dhe as nuk të pyesin për ku, ngase e dinë. Transporti kushton 30 euro. Të lënë te një piceri. Aty të thonë se të presin të tjerët”, ka rrëfyer një qytetar nga Kosova.

Ky lokal, për të cilin flasin emigrantët, ndodhet në Paliq, një vend i njohur si destinacion turistik që ndodhet 10 kilometra larg Hungarisë. Por, ky nuk është vendi i vetëm ku dërgohen këta njerëz, pasi që ka edhe destinacione tjera që shpiejnë drejt Hungarisë.

Përgjatë rrugës kryesore në Paliq, shihen grupe njerëzish me valixhe në duar.

RFE: Prej nga po vini?

Qytetari: “Nga Kosova, Prishtina”.

RFE: Si keni ardhur këtu?

Qytetari: “Me autobus”.

RFE: E për ku jeni nisur?

Qytetari: “Tash po shkojmë diku të kalojmë natën, në hotel”.

RFE: Çfarë planesh keni?

Qytetari: “Nuk e di … sikurse edhe të tjerët. Dimë vetëm atë që kemi parë në televizor, s’dimë tjetër. Të shohim… ndoshta dikush do të na tregojë se në cilin drejtim të shkojmë”.

Një banor, tregon se grupe të tilla i sheh çdo ditë dhe se shumica prej tyre shkojnë drejt një shtëpie që ndodhet rreth 500 metra larg rrugës kryesore. Dhe ashtu ishte, për pak kohë, para asaj shtëpie shiheshin njerëz me valixhe duke pritur.

Ndonëse disa qytetarë të Kosovës, të cilët ekipi i Radios Evropa e Lirë i kishte takuar në Ashothalom të Hungarisë pendoheshin pse kishin marrë atë rrugë, të ardhurit e ri përmes Suboticës thonë se megjithatë shpresojnë se do ta kalojnë këtë aventurë të rrezikshme,”drejt një jete më të mirë”.

“Me 75 euro nuk jetohet. Kam tre fëmijë. Unë dhe gruaja fitojmë 75 euro. Dhe çka të bëjmë me to”, shtron pyetjen dhe dilemën njëri nga ata që kishte marrë këtë rrugë. Ndërkohë që ndërhyn edhe një qytetar tjetër, duke thënë se në Kosovë kanë një jetë shumë të rëndë.

“Nuk kemi para për miell. vetëm të kem një vend pune. Çfarëdo pune, jo punë çfarë kanë në Gjermani e Evropë…Ne nuk jemi Evropë. Ne jemi të varfër”, ka thënë ky qytetar. (rel)

Luftë apo paqe

Angela Merkel dhe François Hollande po ndërmjetësojnë në Kiev dhe Moskë. Ky duket shansi i fundit për të ruajtur paqen në Evropë, mendon Bernd Johann.Nuk është rrugë lehtë kjo që kanë nisur tani Angela Merkel dhe François Hollande për t’i dhënë fund luftës në Ukrainën lindore. Të gjitha iniciativat diplomatike deri tani kanë dështuar. Dhe përfundimi i misionit të ri është i pasigurt. Por tani kancelarja gjermane dhe presidenti francez po venë në kandar peshën e tyre politike. Ata e dinë se kjo është me shumë rrezik. Sepse kjo luftë mund të bëhet edhe më keqe, në qoftë se nuk arrihet që më në fund të ndalet cikli i dhunës.
Jeta e mijëra njerëzve në Ukrainën lindore është aktualisht mjaft e kërcënuar. Banorët e qytetit të vogël Debaltseve janë në mes të fronteve. Mijëra civilë dhe mijëra ushtarë ukrainas mund të bllokohen nga separatistët. Kërcënon një gjakderdhje e madhe, si ajo që Evropa nuk e ka përjetuar që nga lufta e Bosnjës. Dhe pos kësaj është e qartë: nëse konflikti do të përshkallëzohet dhe përhapet në më shumë pjesë të Ukrainës, atëherë e gjithë Evropa mund t’i ndjejë pasojat në mënyrë dramatike.
Kërcënim për paqen në Evropë
Rendi i paqes në Evropë është në rrezik. Pikërisht 70 vjet pas Konferencës së Jaltës, ku u vendosën kufijtë e rinj dhe sferat e influencës në Evropë në fund të Luftës së Dytë Botërore, Moska po përpiqet që me politikën e saj imperialiste, të vendosë përsëri vija të reja ndarëse. Askush nuk mund ta dojë këtë në Evropë. Në bisedime konfidenciale dhe të veçanta me presidentët e Ukrainës dhe të Rusisë Merkel dhe Hollande u përpoqën të gjejnë një rrugëdalje. Kievi dhe Moska janë vetëm stacionet e para të këtij plani. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih këtë fundjavë si dhe gjatë vizitës së Merkelit tek presidenti amerikan Barak Obama, javën që vjen, do të vazhdojë lufta për paqen.

Por bisedimet e Merkel dhe Hollande në Kiev dhe Moskë mund të jenë ndoshta hapi i parë vendimtar për çtensionim. Ukraina gjendet në nevojë urgjente. Ajo nuk mund ta fitojë luftën ushtarakisht dhe për këtë arsye është e varur nga ndërmjetësimi diplomatik. Por ajo nuk mund të lejojë të bëhet shantazh, kur është fjala për sovranitetin e saj. Mbetet megjithatë të shihet nëse Putinit do t’i bërë përshtypje vizita. Udhëheqësi i Kremlinit sidoqoftë është i kënaqur që Merkel dhe Hollande po i drejtohen tani atij, pasi Perëndimi i ka ngrirë muajt e fundit pothuajse të gjitha kontaktet politike me të.
Me sa duket Merkel dhe Hollande kanë një plan paqeje, që nuk duhet bërë ende publik. Integriteti territorial dhe sovraniteti i Ukrainës duhet të respektohen, thonë ata. Fakti se një gjë e tillë duhet edhe një herë të jetë objekt negociatash në një Evropë të kombeve të lira të shekullit të 21-të, është skandali i vërtetë. Dhe suksesi që Putini e ka arritur tashmë.
Po në qoftë se misioni dështon?
Por gjithashtu është e sigurtë se nëse nisma e re për paqe dështon, Evropës do t’i duhet t’u përgjigjet pyetjeve të vështira. Në SHBA tashmë ka filluar debati për furnizimin me armë të Ukrainës. Pa mbështetje ushtarake, ukrainasit nuk mund ta ndalin ofensivën e separatistëve. Por shitjet e armëve do ta nxisnin më tej konfliktin. Dhe çfarë do të bënte Evropa në qoftë se separatistët hyjnë me ndihmën ruse deri në Kiev? Kjo ende duket larg. Lufta ende mund të ndalet. Por është mjaft e mundshme që iniciativa e Merkelit dhe Hollande është shansi i fundit për të parandaluar një luftë të hapur në Evropë. (dw)

KS i OKB-së diskuton sot për Kosovën

Në raportin tremujor të sekretarit të përgjigjëm të OKB-së, Ban Ki-moon zë vend të veçantë edhe migrimi i qytetarëve nga Kosova drejt vendeve të BE-sëKëshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara debaton të premten raportin e fundit të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon, mbi zhvillimet në Kosovë.

Në raportin që përfshin zhvillimet në periudhën nga 16 tetori 2014 deri me 15 janar 2015, sekretari i përgjithshëm u bënë thirrje autoriteteve të Kosovës që sa më shpejt të themelojnë Gjykatën e posaçme për krime lufte, e cila do të trajtojë pretendimet për përfshirje në krime lufte të ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ngritura në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2010.

Në raport u bëhet thirrje Prishtinës dhe Beogradit për angazhim në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Një pjesë të veçantë në raportin e sekretarit të përgjithshëm zë edhe shqetësimi për shtimin e numrit të qytetarëve të Kosovës që po largohen nga vendi në rrugë të paligjshme.

Askush nuk i di numrat e saktë, por autoritetet thonë muajt e fundit është shtuar shumë numri i qytetarëve të Kosovës që po kërkojnë strehim në vendet e Bashkimit Evropian, duke shfrytëzuar rrugët nëpër territorin e Serbisë për të kaluar në Hungari dhe prej andej në ndonjërin nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa diskutuan këtë çështje me ambasadorët e vendeve të BE-së në Prishtinë. Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës kanë përgjegjësinë e tyre për të adresuar çështjet që kanë të bëjnë me qytetarët e vendit, me mirëqenien e tyre dhe me migrimin e tyre, por kjo çështje duhet të trajtohet bashkërisht edhe me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Ajo u tha ambasadorëve se “është shqetësues fakti se për shkak të marrëdhënieve aktuale me Serbinë, e cila ka hapur të gjitha portat për daljen e qytetarëve të Kosovës, institucionet e Kosovës nuk kanë qasje të drejtpërdrejt në zhvillimet në kufirin me Hungarinë”.

Në jë njoftim të zyrës së saj thuhet se presidentja Jahjaga, diskutoi edhe me kabinetin qeveritar mënyrat e zgjidhjes së çështjes së migrimit të paligjshëm ilegal, “përmes vetëdijesimit të qytetarëve të Kosovës për politikat e shteteve të BE-së ndaj azilkërkuesve, adresimit të shkaqeve të migrimit ilegal, forcimit të sundimit të ligjit dhe rendit që do të parandalonte edhe grupet kriminale që të përfitojnë në kurriz të qytetarëve të Kosovës dhe ndërmarrjes së hapave për zhvillimin ekonomik të vendit si dhe hapjen e vendeve të reja të punës”.

Qindra qytetarë të Kosovës përpiqen çdo natë të sigurojnë një vend në një nga autobusët që udhëtojnë për në Serbi, prej nga pastaj në rrugë të paligjshme synojnë një jete më të mirë në vende të Evropës Perëndimore. Lëvizjet e tilla për shumëkënd janë shenjë e pakënaqësive në rritje me udhëheqjen politike të shtetit më të ri e më të varfër të Evropës. (voa)

Maqedoni: Ndalohet publikimi i materialeve në rastin “Puçi”

Prokuroria e Maqedonisë ndaloi publikimin e materialeve lidhur me rastin “Puçi” apo të njohura si “bombat” e opozitës maqedonase.Prokuroria përmes një komunikate theksoi se do të dënohen me ligj të gjitha ata, me theks të veçantë 35t që publikojnë materiale që kanë të bëjnë me paralajmërimet e liderit të partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev për aferat koruptive të qeverisë Gruevski. Prokuroria Publike e Maqedonisë konstaton se publikimi i materialeve që mund të jenë subjekt i procedurave të mëtejshme penale është e ndaluar dhe e dënueshme me ligj.
Gazetarët: ndalimi i publikimit i papranueshëm
Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë i dënon ashpër kërcnimet për ndjekje penale të gazetarëve nga prokuroria nëse publikojnë material që mund të jenë objekt i procedurës penale. Këto kërcënime të prokurorisë janë të absurde, sepse në mënyrë të pashembullt kërkojnë të pezullojnë rolin e 35s si korektiv i pushtetit në një shoqëri demokratike. Kërcënimet e prokurorisë cënojnë të drejtat dhe liritë themelore të gazetarëve dhe të qytetarëve. Prokuroria mund të ftoj të mos publikohet material për ndonjë hetim që është në rrjedhë e sipër, mirëpo të kërkohet të mos botohen materiale që mund të jenë objekt i ndonjë procedure penale është absurde dhe paraqet keqpërdorim të rëndë të institucionit, thuhet ndër të tjera në reagimin e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM).
SHGM i inkurajon gazetarët të mos bien pre e këtyre kërcënimeve boshe që nuk kanë kurrëfarë baze ligjore dhe i fton ata të raportojnë në përpothje me kodin etik të gazetarëve. Nga sindikata e 35ve thonë se një vendim i tillë ndalimi është i papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me të gjitha aktet ndërkombëtare. Madje, nga sindikata tërheqin vërejtjen se 35t e kanë për detyrë të publikojnë çdo informacion që ka të bëjë për përfshirjen e zyrtarëve të veprimtari të rënda kriminale.“Ky është thelbi i parimeve fundamentale të 35ve, që të informojnë në interes të publikut si dhe të respektojnë të drejtën kushtetuese për informimin objektiv. Kurrfarë paralajmërimesh nga ana e prokurorisë nuk duhet të shërbejnë si arsyetime për zbrapsje nga parimet themelore të informimit të drejtë, pasi vetëm në këtë mënyrë opinioni mund të nxjerrë konstatime për atë që po ndodh në shtet”, thotë Tamara Çausidis nga sindikata e 35ve në Maqedoni.
Ekspertët vlersojnë se prokuroria vepron jashtë kompetencave
Vendimi i prokurorisë për të ndaluar publikimin e të gjitha materialeve që mund të shërbejnë si prova në hetimin e liderit të opozitës, vlerësohet si absurd nga ekspertët e çështjeve juridike. Jovan Trpenovski, ish-prokuror publik, thotë se nuk mund të besojë se prokuroria ka dalë me një komunikatë të tillë, pasi kjo bie në kundërshtim të plotë me kompetencat e saj. “Prokuroria publike është organ, i cili ndjek autorët e veprave penale, ndërsa paralajmërimi apo kërcënimet se do të ketë sanksione për çdo person që publikon dokumente, apo materiale që mund të jenë objekt i ndonjë procesi, është në kundërshtim të plotë me të gjitha kompentencat e prokurorisë publike”, thotë Trpenovski.
Analisti politik Naser Ziberi konsideron se në periudhën e ardhshme Maqedonia hyn në një spirale shumë të turbullt politike. “Mënyra se si po udhëhiqet i gjithë ky proces, është vetëm një kundërpërgjigje ndaj paralajmërimeve të kryetarit të opozitës, se do të shpalosë disa afera korruptive, të cilat do ta diskreditojnë qeverinë. Kryeministri tenton të ndërrojë rolin nga sulmues, në person të sulmuar, dhe kryetarin e opozitës e vendos në pozitë të defensivës. E gjithë kjo ka prapavijë politike, e cila mund të lerë njolla të zeza në këtë proces, si dhe do të ketë reflekse negative ndaj faktorit ndërkombëtar”, thekson Ziberi.
Socialdemokratët nuk heqin dorë nga publikimi i dëshmive
Ndërkohë në selinë e LSDM-së ka qëndruar zëvendësi i nënsekretarit shtetëror të Byrosë për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, Tomas Melia. Lideri socialdemokrat Zoran Zaev mësohet të ketë thënë se opozita do të publikojë të gjitha provat që ka dhe se materialet i janë dorëzuar nga njerëz që ato i kanë marrë nga shërbimet sekrete të Maqedonisë. “Ato na janë dorëzuar neve, sepse ata njerëz nuk besojnë në sistemin gjyqësor, i cili është nën kontroll të plotë të pushtetit. Nuk mund të jetë grusht shteti publikimi i provave dhe argumenteve për krimet e pushtetit. Edhe sipas Kushtetutës, edhe sipas ligjit, është detyrim i gjithsecilit t’i publikojë ato prova”, ka thënë Zaev. Duke iu referuar videos së publikuar nga takimi Gruevski-Zaev, kreu i LSDM-së tha se ky është argumenti më i fortë që tregon se lideri i opozitës ndiqet dhe xhirohet fshehurazi dhe se kjo madje bëhet me diktatin e vetë kryeministrit.

Përfaqësues të ndërkombëtarëve në Maqedoni kanë theksuar se po i ndjekin ngjarjet në Shkup me shumë kujdes. Ata kërkojnë hulumtim të pavarur dhe transparent për akuzat e opozitës ndaj pushtetit aktual. (dw)