All posts by V.F.

Ndahen çmimet Grammy

Dyshja franceze Daft Punkt rrëmbeu pesë trofe Grammy në Los Angeles. Me këtë çmim këtë rradhe u nderua edhe orkestra sinfonike gjermane NDR.Në ndarjet tradiconale të çmimeve Grammy në Los Angeles të SHBA-së, këngëtarja 17 vjeçare nga Zelanda e Re, Lorde mori trofeun për këngën më të mirë të vitit, “Royals”. Fituesit më të mëdhenj me katër trofe u nderua dyshja franceze pop Daft Punkt duke marrë pesë çmime, përfshirë edhe albumin e tyre më të mirë. Gjithashtu i suksesshëm ishte në këtë ceremoni edhe formacion amerikan rep Macklemore & Ryan Lewis që mori katër trofe duke përfshirë edhe kategorinë “Artisti i ri më i mirë”. Me çmimin Grammy u nderuan edhe këngëtari amerikan Justin Timberlake me tre trofe dhe muzikanti kanadez Michael Bublé. Gjithashtu orkestra sinfonike NDR së bashku me dirigjentin gjerman Christoph Eschenbach u nderuan me këtë çmim. Performanca më e mirë metal shkoi për Black Sabbath, ndërsa Led Zepelin fitoi çmimin e albumit më të mirë rock.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve Grammy në Los Angeles mbahet si më e madhja në fushën e muzikës në botë për 82 kategori. Ky çmim jepet qysh prej vitit 1959 nga shoqata e industrisë së muzikës. E veçanta në këtë ceremoni ishte edhe dueti i rapistit yll Jay-Z me të shoqen, Beyonce që hapën ceremonin e ndarjes së çmimeve . (dw)

50 vjetori i raportit mbi duhanin

Nëse ka një person puna e të cilit ka krijuar një efekt që po ndryshon botën, ai ishte Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Shëndetin Publik,. Lurther Perry. Pesëdhjetë vjet më parë këtë muaj, ai lëshoi një raport që e lidhte pirjen e duhanit me kancerin e mushkërive dhe sëmundjet e zemrës .Në një ditë të ftohtë me shi në Varrezat Kombëtare Arlington, njerëzit u mblodhën për të kujtuar dhe nderuar një njeri i cili kushtoi jetën e tij për përmirësimin e shëndetit të të tjerëve .

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Shëndetin Publik, Luther Terry, tani në varrezat e heronjve ushtarakë, lëshoi një raport në vitin 1964 se pirja e duhanit lidhet me kancerin.

“Presidenti Kennedy e caktoi atë kirurg të përgjithshëm të vendit. “

Zv/Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Shëndetin Publik, Admirali Boris Lushniak foli për arritjet e Dr Territ.

“Ajo që ndodhi 50 vjet më parë ndryshoi botën. Pesëdhjetë vjet më parë ishte një botë krejtësisht ndryshe kur është fjala për përdorimin e duhanit”

Pirja e duhanit pranohej kudo: në aeroplanë , në bare, restorante dhe në vendet e punës .

“Statistikisht , pothuajse gjysma e popullsisë së rritur amerikane pinte duhan në atë kohë”

Dhe gjysma tjetër, duke përfshirë edhe fëmijë , thithnin ajrin e mbushur me tym duhani. Kjo ishte pjesë e kulturës deri sa Dr Terry lëshoi raportin e përgatitur nga një grup shkencëtarësh.

“Dhe raporti thoshte në mënyrë të qartë: Mes përdoruesve të duhanit kanceri i mushkërive dhe sëmundjet e zemrës janë më të përhapura.” Ky lajm tronditi botën, sepse, në mënyrë të veçantë, kirurgi i përgjithshëm si përfaqësues i qeverisë amerikane , doli me një qëndrim të tillë të fortë.”

Politikat e SHBA ndryshuar gradualisht mbi këtë çështje, përfundimisht duhani ndalohet në vendet e punës dhe zona publike.

Fushatat edukative paralajmërojnë njerëzit për rreziqet e përdorimit të duhanit . Në 50 vitet e fundit, studime të shumta kanë zbuluar efekte negative shëndetësore të përdorimit të duhanit; se edhe ata që nuk pinë cigare, por marrin frymë mes tymit të duhanit të tjetrit, janë të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze për shëndetin.

Këto studime të pasqyruara edhe në raportet e Këshilltarëve të Shtëpisë së Bardhë për Shëndetin Publik kanë ndihmuar për të ulur pirjen e duhanit në SHBA nga 43 për qind në 18 për qind, sipas Dr Lushniakut . Por, pirja e duhanit është e vështirë për t’u lënë .

“Mos harroni , pirja e duhanit nuk është vetëm zakon, por edhe varësi. Pesëdhjetë vjet nga tani, shpresoj se nuk do të na duhet të lëshojmë një raport me rastin e100- vjetorit sepse problemi do të jetë zgjidhur.”

Por puna nuk ka mbaruar. Në botë 5.5 milionë njerëz (500 mijë vetëm në SHBA) vdesin çdo vit nga sëmundje të shkaktuara nga tymi i duhanit, dhe numri i tyre pritet të rritet .

Nga 1964 e më tej, Dr Terry përkushtoi jetën e tij për t’i dhënë fund epidemisë së duhanit. (voa)

Intervistë me Albin Kurtin: Shqiptarët jetojnë “nën” Maqedoni, e jo në Maqedoni

Shqiptarët e Maqedonisë do ta mbajnë mend vitin 2013 për zgjedhjet lokale dhe për përmendoren e car Dushanit. Shqiptarët e Shqipërisë këtë vit do ta mbajnë mend më së tepërmi me zgjedhjet parlamentare dhe armët kimike siriane.
Mirëpo ajo me çka do ta mbajnë mend vitin 2013 shqiptarët e Ballkanit dhe më gjerë, është fitorja historike e kandidatit të lëvizjes Vetëvendosje! në Prishtinë.
Lidhur me rëndësinë e kësaj fitore, për aktualitetin politik të shqiptarëve në Ballkan, me theks të veçantë të atij në Maqedoni, në numrin festiv të gazetës “Lajm” u sjellim një intervistë me liderin e lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti. Lajm: Viti 2013 përfundoi me një fitore historike të VV-së në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën. Çka do të thotë kjo fitore për funksionimin e mëtejshëm të VV-së?

Kurti: Ka shumë mundësi që ky moment është më i rëndësishëm për Lëvizjen tonë sesa ai i vitit 2010 kur vendosëm të hyjmë në institucione. Pra, 1 dhjetori i vitit 2013 me gjasë paraqet datë edhe më të rëndësishme sesa 12 qershori 2010 për VETËVENDOSJE!-n. Kalimi nga protestat e demonstratat, nga aksionet e tubimet edhe në Kuvendin e Republikës, tash shënon një avancim tjetër te subjekti ynë që përveç të gjitha këtyre edhe do të qeveris. Përgjegjësia jonë është shumë e madhe, por po aq e madhe është edhe ndjenja e përgjegjësisë te Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe qeverisja e VETËVENDOSJE!-s. Pengesat e vështirësitë do t’i shndërrojmë në sfida ku do të veprojmë me vullnet dhe sipas ligjit, me plan dhe përbrenda alternativës sonë. Organizata politike e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të jetë pranë Shpendit dhe me Shpendin në ballafaqimin me të këqijat e kryeqytetit përmes drejtësisë së qeverisjes sonë të re.

Lajm: Sa fitorja e VV-së në Prishtinë e avancon konceptin për bashkim kombëtar, që është koncepti dhe synimi kryesor i VV-së?

Kurti: Nuk janë të paktë njerëzit që thoshin se këta të VETËVENDOSJE!-s kanë të drejtë, janë më të mirët, por nuk do të fitojnë askund asnjëherë sepse nuk do t’i lënë një mori faktorësh vendorë e ndërkombëtarë. Tash që qeverisim me kryeqytetin, qytetarët kanë nisur të ndryshojnë mendje dhe janë shumë më optimistë: ndryshimet e mëdha dhe të vërteta njëmend qenkan të mundura e të realizueshme! Kudo që jemi, çka do që themi dhe çfarëdo që bëjmë, ne përfaqësojmë frymën kombëtare dhe konceptin e bashkimit kombëtar që e kemi të përshkruar, shpjeguar e arsyetuar edhe në alternativën tonë qeverisëse, në të tri shtyllat e saj: shtetin e së drejtës, shtetin zhvillimor dhe shtetin social. Prandaj, sigurisht që me këtë fitore të këtij fundviti merr hov edhe afirmimi e avancimi i afrimit, integrimit e bashkimit të shqiptarëve.

Lajm: Ku gjenden shqiptarët e Maqedonisë në konceptin e VV-së për bashkim kombëtar?

Kurti: Shqiptarët në Maqedoni kontribuuan aq shumë edhe për pavarësinë e Shqipërisë para më shumë se një shekulli, edhe për çlirimin e Kosovës para më shumë se 14 vjetësh, edhe për pavarësinë e Kosovës para më shumë se gjashtë vjetësh. Mirëpo, ata e paguan çmimin më të lartë e më të rëndë sepse mbetën edhe jashtë Shqipërisë së pavarur edhe jashtë Kosovës së pavarur. Sot, shqiptarët në Maqedoni, ndonëse jetojnë në trojet e tyre autoktone, janë të shtypur politikisht e të shfrytëzuar ekonomikisht, mbase edhe më keq sesa në kohën e Jugosllavisë. Qeveria Gruevski jo që nuk i do shqiptarët por i urren ata – ajo është nacional-shoviniste. Shqiptarët në Maqedoni duhet të organizohen dhe ta thonë fjalën e tyre. Ata janë pjesë e pandashme e kombit shqiptar dhe e bashkimit kombëtar. Bashkimi kombëtar jo vetëm që është më i madh sesa Shqipëria dhe më i madh sesa Kosova, por është më i madh edhe sesa këto të dyja marrë së bashku.

Lajm: Si e komentoni pozitën aktuale të shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe pozitën e subjektit politik shqiptar në Qeveri? Çka duhet bërë shqiptarët e këtushëm për ndonjë ndryshim pozitiv të pozitës së tyre?

Kurti: Diskriminimi i shqiptarëve është dukuri e përditshme në Maqedoni si në politikë dhe kulturë, po ashtu edhe në socio-ekonomi. Shqiptarët e Maqedonisë nuk janë NË Maqedoni sa janë NËN Maqedoni. Për shqiptarët nuk ka as liri e as barazi, pra as drejtësi, sikurse për maqedonasit. Nëpër institucionet shtetërore dhe në ndërmarrjet publike shqiptarët janë të nënpërfaqësuar gjithandej. Edhe sipas regjistrimit të popullsisë që nuk ishte korrekt ndaj shqiptarëve, ata përbëjnë më shumë se çerekun e popullsisë, por vetëm çdo i dhjeti prej tyre është i inkuadruar në punë shteti. Ky kontrast është edhe më i theksuar te vendet udhëheqëse e pozitat drejtuese. Shqiptarët duhet të organizohen politikisht dhe institucionalisht për t’i mbrojtur të drejtat e tyre e për ta shprehur vullnetin e tyre. Ata duhet të jenë më aktivë dhe ta kritikojnë më shpesh e më zëshëm edhe Tiranën zyrtare edhe Prishtinën zyrtare për mbështetjen e munguar. Në anën tjetër, nuk po duket që me pjesëmarrjen e partisë politike shqiptare në Qeveri po ia vlen barra qiranë për shqiptarët. Legjitimiteti ndërkombëtar por edhe i brendshëm që po e fiton Qeveria Gruevski përmes pjesëmarrjes së partive shqiptare në qeverinë e tij, nuk po i shpaguhet popullit shqiptar. Përkundrazi.

Lajm: Shqiptarët e Maqedonisë deri tani në disa raste kanë kërkuar angazhim më të madh të Tiranës dhe Prishtinës për mbrojtjen e vlerave shqiptare këtu. Përveç gatishmërisë deklarative, deri tani duket se nuk ka pasur ndonjë angazhim konkret as nga Prishtina e as nga Tirana, në këtë drejtim. Pse ndodh kjo? Çka do të ndryshojë diçka në këtë drejtim pas fitores së VV-së në Prishtinë dhe fitores eventuale në zgjedhje parlamentare?

Kurti: Shqiptarët në Maqedoni duhet të ndihmohen e përkrahen nga Tirana dhe Prishtina zyrtare. Kjo nuk është thjesht çështje e së drejtës së Tiranës e Prishtinës zyrtare por e obligimit të tyre. Udhëheqësit politikë e zyrtarët e lartë shtetërorë në Tiranë e Prishtinë përgjithësisht nuk kanë qenë në nivel të detyrës. Shumë prej tyre kanë preokupime të tjera më të ngushta dhe shumë më pak fisnike. Lëvizja VETËVENDOSJE! është krejtësisht ndryshe. Koncepti e programi, në njërën anë, dhe përvoja e vullneti ynë, në anën tjetër, e dëshmojnë këtë. E kemi thënë edhe më herët që Prishtina ka qenë dhe është kryeqytet jo vetëm i Kosovës por i gjithë shqiptarëve që popullonin trojet e tyre stërgjyshore nën ish Jugosllavi. Kjo do të reflektohet në aspekte të ndryshme edhe me qeverisjen tonë në kryeqytet. Ndërkaq me fitoren e VETËVENDOSJE!-s, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare shqiptarët në Maqedoni do ta kenë adresën e vërtetë kombëtare në Republikën e Kosovës për nevojat dhe aspiratat e tyre.

Lajm: Me kë bashkëpunon VV në Maqedoni? Pse deri tani nuk është shënuar ndonjë bashkëpunim më I theksuar, si me sektorin civil poashtu edhe me ndonjë subjekt politik?

Kurti: Në Maqedoni nuk kemi një subjekt të veçantë me të cilin bashkëpunojmë, por kemi shumë aktivistë, politikanë, studiues e gazetarë shqiptarë me të cilët jemi në kontakte e komunikim të vazhdueshëm dhe bashkëpunojmë në aktivitete të ndryshme të përbashkëta në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Tetovë e gjetiu. Ndonëse shqiptarët që e duan bashkimin kombëtar në përgjithësi kanë gjithfarë pengesash në jetën e punën e tyre, pa dyshim që ka vend për më shumë punë e bashkërendim.

Lajm: Pse sipas jush nuk po paraqitet në Maqedoni një lëvizje e llojit të Vetëvendosjes, e cila do ti mobilizonte shqiptarët që në mënyrë më aktive të angazhohen për të drejtat e tyre? A mund të presim së shpejti formim degës së VV-së në Maqedoni?

Kurti: Nuk e di pse nuk kemi në Maqedoni një Lëvizje politike përtej partive ekzistuese që më parë e kanë përçarë popullin sesa që e kanë emancipuar atë, mirëpo e di që VETËVENDOSJE! nuk mund të eksportohet e as importohet. Ajo duhet të lind e rritet nga vetë populli kudo, në mënyrë autentike, autoktone dhe autonome.

Lajm: Dhe për fund, çka mund të presin shqiptarët në vitin 2014? Mendoni se do të jetë një vit me zhvillime pozitive, apo do të ketë stagnim ose regres në proceset që kanë rëndësi strategjike për të gjithë shqiptarët e Ballkanit?

Kurti: Shqiptarët mund të presin zhvillime të mira në vitin 2014, nëse nuk presin. Pra, nëse angazhohen e punojnë për interesin e përgjithshëm dhe idealin kombëtar. Shansi e mundësia janë. Duhet t’i përdorim e shfrytëzojmë ato, jo për inat të dikujt tjetër, por për hir të vetes tonë. Urime e gëzuar 2014!

Shërbimi sekret amerikan dhe informacionet nga „cookies”

Nga zbulimet e Snowden-it merret vesh se agjentët e NSA-së interesohen nëse mund të gjejnë diku „thërmija biskotash” virtuale nëpër hard disk.Deri tani kompanitë e shërbimeve online kanë përdorur një program të quajtur „cookies” (biskota) , përmes të cilit vëzhgonin të gjitha klikimet e përdoruesve të tyre në internet. Nga zbulimet e Snowden-it merret vesh se edhe spiunët e NSA-së kanë filluar të interesohen tani nëse mund të gjejnë diku „thërmija biskotash” virtuale nëpër hard disk.
Shërbimi sekret amerikan NSA me sa duket, ndjek hapat e industrisë së reklamave online për të mbledhur sa më shumë të dhëna rreth përdoruesve të internetit. NSA përdor informacionet e „cookies”, të cilat i identifikojnë përdoruesit online, njofton „Washington Post”. Mënyra se si ky shërbim sekret arrin t’i kapë këto të dhënë, mbetet akoma e paqartë në dokumentet e ish-punonjësit të këtij shërbimi Edward Snowden, shkruan gazeta.

NSA përdor metodat e reklamave
„Cookies” përdoren nga shërbimet e internetit, si dhe nga rrjetet e reklamave. Regjistrat e vegjël janë të njëjtë me fletëshënimet e ruajtura në kompjuterin e përdoruesit. Me ndihmën e tyre ndër të tjera, mund të bëhen regjistrimet e të gjitha faqeve të vizituara në internet nga përdoruesit.
Këto lloj informacionesh, vlerësohen shumë nga ndërmarrjet, sepse këto u ndihmojnë ta dinë se cilat reklama janë të përshtatshme për nevojat e përdoruesve të tyre. Megjithëse nuk regjistrohen emra dhe e-mail adresa, „cookies” janë kritikuar, sepse shumë nga përdoruesit nuk e dinë se cilat faqe mbledhin informacionet rreth tyre.
Identifikim i qartë i përdoruesve
NSA i përdor këto të dhëna në mënyrë që të zbulojë më shpejt vendndodhjen e personave të caktuar. Përveç kësaj, këto informacione përdoren për të vëzhguar sjelljen e personave që janë nën vëzhgim për t’i sulmuar ata që cilët shkaktojnë dëme.
Një „cookie” tjetër nga Google i quajtur “PREF” është njëri ndër më praktikët, shkruan gazeta. Mjafton të kërkohet vetëm një informacion nga kjo lloj “biskote” dhe kërkuesi e identifikon qartë përdoruesin.
Google e hodhi poshtë lajmin e publikuar nga gazeta “Washington Post”, mbi përdorimin e „cookies” të Google-it. Koncerni i internetit ka kërkuar në fillim të javës nga gjigandët e industrisë si Facebook, Microsoft dhe Apple, një reformë të re monitorimi në internet. (dw)

Kriza e BE dhe vendet e Ballkanit Perëndimor

Kriza financiare dhe ekonomike në BE ka dëmtuar vendet e Ballkanit Perëndimor. Varësia e fortë nga BE dhe deficitet kombëtare lënë shumë pak hapësirë për përmirësimin e situatës.Para krizës ekonomike në BE bankat greke ishin një faktor i rëndësishëm financiar në Balkan. Në më shumë se 1900 degë punësoheshin rreth 23.000 punonjës dhe angazhoheshin me 70 miliard ë euro. Me 15% të kapitalit të të gjitha bankave në Ballkan krahas institucioneve financiare austriake dhe italiene ata ishin një pikë e rëndësishme e ekonomisë vendase. Në to mund të merrje kredi. Pesë vjet pas krizës financiare dhe ekonomike në Greqi, situata ka ndryshuar, vlerëson Franz-Lothar Altmann, profesor për studimet evropiane në universitetin e Bukureshtit. Bankat greke për shkak të mungesës së mjeteve financiare në Greqi, janë të detyruara të tërheqin gjithnjë kapitalin nga vendet fqinje. „Në këtë mënyrë rritet vështirësia me kreditë në vendet e Ballkanit.”
Ndërlidhje të ngushta BE-Ballkan Perëndimor
Por kjo nuk është e keqja e vetme për rajonin. Me të vërtetë Ballkani perëndimor po e ndjen të gjithë peshën e krizës ekonomike dhe financiare të BE. Shkak për këtë është gërshetimi i ngushtë ekonomik me BE. Dy të tretat e tregtisë së vendeve të Ballkanit perëndimor kryhet me shtetet e BE. Rënia e eksporteve, e investimeve të huaja dhe remitancave të emigrantëve, aq të rëndësishme, kanë çuar në një zhvillim negativ, ose fare të pakët. Pasojat për njerëzit janë katastrofale. Rreth një e treta e popullsisë në Ballkanin Perëndimor jeton në varfëri, papunësia ka arritur standardet greke, emigrimi po shtohet.
Pikërisht këtij fati deshi t’i shpëtonte ky rajon, kur u orientua drejt BE. Tani ai duhet të përjetojë, se është BE, ai që e ka bërë krizën e tij krizë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, vlerëson Milica Delevic, zëvendëssekretare e Përgjithshme e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Bruksel. Kjo deklaratë në një konferencë ndërkombëtare të Shoqatës së Europës Juglindore dhe fondacionit Friedrich-Ebert në Berlin mbeti e padiskutueshme.
Aprovim gjeti edhe përfundimi i zonjës Deleviç, se kriza do të ketë si rrjedhim që BE të fokusohet në përballimin e krizës së tij ekonomike dhe financiare. “Për aq kohë sa je shumë i zënë me një çështje të rëndësishme”, tha zonja Delevic, “ke pak kohë për të çuar përpara diçka tjetër.„ Këtë proces nuk mund ta influencojnë vendet e Ballkanit Perëndimor. Por ata mund të përpiqen, për ta shfrytëzuar situatën si shans për reforma strukturore. Pasojat e krizës së importuar janë shumë të rënda, sepse rajoni vazhdon të vuajë nga deficitet strukturore.

BE duhet të vërë kushte më të rrepta
Rëndësi për zhvillimin ekonomik ka niveli i lartë arsimor. Pikërisht ky është i ulët në vendet e Ballkanit Perëndimor në krahasim me vendet evropianoperëndimore, thotë Gerald Knaus kryetar i Think Tank „European Stability Initiative”. Edhe numri i madh i universiteteve që nga kthesa politike nuk ka sjellë ndonjë dobi. E njëjta gjë mund të thuhet për trajnimin profesional. Shkollat profesionale në vendet e Ballkanit Perëndimor konsiderohen gati kudo si shkolla “të të dështuave”. Knaus konstaton, se arsimi dhe trajnimi profesional duhet të varen nga nevojat e ekonomisë, me qëllim që sipërmarrjet të jenë në gjendje, për të prodhuar produkte, që mund të eksportohen. Kjo presupozon, se elitat politike dhe arsimore të këtyre vendeve duhet ta kenë të qartë, se në cilat fusha do të lëvizë vendi i tyre në 10, 15 vitet e ardhshëm dhe në cilat do të mbetet në vend. Ky vizion mungon.
Në bisedat e tij të shumta në këtë rajon Gerald Knaus ka krijuar përshtypjen se jo vetem në mesin e elitës politike, por edhe në administratë ka një “qëndrim armiqësor ndaj sipërmarrjeve”. Një qëndrim i tillë nuk krijon besim për investorët për t’u angazhuar në Balkanin perëndimor. Kjo vlen të thuhet edhe për sipërmarrësit, që vijnë nga rajoni dhe që janë aktivë jashtë vendi. Ata druhen që t’i hyjnë rrezikut për të investuar në pylltari në Bosnje, në industrinë tekstile në Shqipëri, ose në industrinë ushqimore në Maqedoni. Një rol të rëndësishëm për të ndryshuar këtë koncept mund të luajë BE. Ai mendon Knaus, duhet të përcaktojë shumë më qartë se sa deri tani, se çfarë duhet të bëjë një administratë, që rregullon ekonominë në nivel evropian. Raportet e përvitshme të progresit për kandidatët për anëtarësim në BE duhet të jetë më konkretë dhe më kritikë në këtë drejtim. Kjo do t’i ndihmonte vendet e Ballkanit për të ndërtuar një ekonomi konkurruese të orientuar nga eksporti. (dw)

Sot përfundon fushata e partive politike

Pas një muaj fushatë elektorale, sot të gjitha partitë politike kanë ditën e fundit që do të mund t’i bindin qytetarët për t’i votuar, kurse nesër është heshtja parazgjedhore. Rregullsia e zgjedhjeve të 3 nëntorit vlerësohet e një rëndësie jetike, pasi vetëm si të tilla do ta ndihmojnë vazhdimin e përparimit të Kosovës drejt rrugës evropiane, megjithatë prokuroria deri tash ka filluar hetimin për 10 persona të cilët dyshohen se kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin për Zgjedhjet lokale.Këto zgjedhje për herë të parë në Kosovë mbahen edhe në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërkohë do të monitorohen nga një numër i madh i vëzhguesve vendor e ndërkombëtar. Përgatitjet për zgjedhjet i ka bërë edhe Policia e Kosovës, pjesëtarët e të cilës do të jenë nëpër të gjitha pikat e votimit.

Në bazë të Ligjit për Zgjedhje Lokale, elektorati do të zgjedhë anëtarët e kuvendeve komunale dhe kryetarët e komunave në tërë komunat e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet, Kreu II, neni 7, pika 7.1, secila komunë do të jetë zonë zgjedhore e veçantë. Njëkohësisht, do të mbahet kuota gjinore prej 30% për deputetet e kuvendeve komunale.

Për këto zgjedhje, do të përdoren Listat e Hapura. Në zgjedhjet për Kuvende Komunale, votuesi voton për një (1) Subjekt Politik të certifikuar, dhe mund të votojë për një (1) kandidat nga lista e Kandidatëve të këtij subjekti politik. Nëse në fletëvotim janë shënuar më shumë se një (1) kandidat, vetëm vota për subjektin politik llogaritet.

Përveç tjerash, për zgjedhjet për kryetarë të komunave, mund të paraqitet nevoja për një raund të Dytë të zgjedhjeve, nëse një kandidat nuk fiton shumicën e votave gjatë raundit të parë, e që nënkupton, 50%+1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë, në pajtim me nenin 9.6 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës.

Votuesit që jetojnë jashtë Kosovës, kanë mundësi të votojnë përmes operacionit të votimit me Postë.

Lista Përfundimtare e Votuesve për vitin 2013, përmban 1. 779. 357 emra të votuesve të ndarë në tridhjetë e tetë (38) komuna, me një rritje prej 191 103 apo 11.72% në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Numri i Qendrave të Votimit (QV) është 798 (52 qendra të reja të votimit nga ato që kanë qenë në zgjedhjet e kaluara), ndërsa numri i vendvotimeve është 2366, me një rritje prej 86 vendvotimeve apo 3.77% nga zgjedhjet e kaluara.

Gjithashtu Lista e Votuesve jashtë Kosovës – 2013, përmban të gjithë votuesit të regjistruar suksesshëm. Numri i përgjithshëm i votuesve jashtë Kosovës është 8 383. Në krahasim me zgjedhjet e kaluara janë 6743 votues më shumë, që janë regjistruar për të votuar përmes postës. (rtk)

Unioni Ballkaniko-Perëndimor

Në muajin maj qeveria malazeze propozoi një koncept të ri bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku do të përfshihet Mali i Zi, Serbia, Kosova (në bazë të rezolutës 1244 të KS të OKB dhe sipas parimit të neutralitetit ndaj statusit), Shqipëria, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina. Të gjashtë vendet, duke iu referuar nismës së ministrit të jashtëm malazez, Igor Luksiç, do të ecnin me një hap drejt integrimit euro-atlantik. Inisiativa e Malit të Zi, që sipas shumë 35ve ballkanike të kujton një model të vjetër tashmë të shpërbërë, atë të ish-Jugosllavisë, do të diskutohet të enjten në Nju Jork, ku po zhvillohet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Inisiativa parashikon krijimin e një parlamenti me 10 përfaqësues nga çdo shtet dhe policie të përbashkët të gjashtë vendeve të Ballkanit. Kjo do të quhet “BalPol” dhe detyra e saj kryesore është lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm. Dokumenti, në formën e një “letre pune”, iu është dorëzuar qeverive të vendeve që parashikohen të jenë pjesë e kësaj inisiative. Diskutimi i vetëm zyrtar rreth saj, siç mësohet, është bërë më 16 korrik në Përzhno, ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Ministrive të Jashtme të Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnjes dhe Hercegovinës, Shqipërisë dhe Kosovës, në nivel drejtorësh politikë, të cilët kanë shprehur pëlqimin e tyre për nismën e Podgoricës.

Reagimet kanë qenë të shumta rreth kësaj dhe shumë analistë sugjerojnë fillimisht përmirësimin e bashkëpunimit në fusha si: ekonomia, kultura, energjitika dhe më pas zbatimin e këtyreve ideve. Mali i Zi, që është iniciator i nismës, argumenton se përmes unionit, vendet e Ballkanit Perëndimor do ta kenë më të lehtë rrugën drejt BE-së deri në anëtarësim të plotë.

Komentet kanë qenë të shumta, madje ka patur nga ata që e kanë cilësuar nostalgji për ish-Jugosllavinë e dikurshme, por për Podgoricën kjo është një tezë e gabuar sot në 2013-ën.

Bushati: Shqipëria, qasje të kujdesshme

“Nesër do të ketë një takim të posaçëm të ministrave të vendeve respektive për këtë çështje. Iniciativat rajonale shpesh duartrokiten nga partnerët ndërkombëtarë, por nga ana tjetër Shqipëria do të jetë një qasje të kujdesshme pasi të tilla iniciativa në rajon janë të shumta. Duhet të shohim efektivitetin e tyre në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, deklaroi ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në një lidhje telefonike me Top Channel.

Më tej, Bushati shtoi: “E rëndësishme për ne është që nisma të tilla të mos izolojnë vendet që nuk janë anëtare të BE-së. Në këtë kontekst do të jetë edhe përgjigja jonë për këtë nismë.” (tch)

5 vrasësit më të mirë të sheqerit në gjak nga eksperti i të ushqyerit Sven David Mueller

Nëse ju përdorni ushqime të gabuara, Ju shkaktoni një kaos me nivelin e sheqerit në gjakun tuaj.Mielli i bardhë, sheqeri dhe yndyrat e risin nivelin për disa sekonda. Por shumë shpejt pas kësaj, niveli i sheqerit në gjakun tuaj bie përsëri poshtë – lind përsëri dëshira për të ngrënë dhe ju nuk jeni më në gjendje që të ndaloni: Ju hani shumë, shumë ëmbël, shumë yndyrë. Pak më vonë përsëritet rrethi vicioz! Sven David Mueller ekspert për tu ushqyer dhe diabetin zbulon se si Ju, të keni nën kontroll, sheqerin në gjak dhe me këtë edhe peshën tuaj.

Relaksimi : Stresi rrit nivelet e kortizolit. Për të reduktuar hormonin e stresit, trupi lëshon një nivel të madh të insulinës. Sheqeri në gjak bie me shpejtësi dhe rritet dëshira për tu ushqyer! Kush ka shumë stres, nuk është e pazakonshme që të ketë edhe mbipeshë. Prandaj në rutinën tuaj të përditshme, bëni ushtrime të rregullta për tu relaksuar. Duke përdorur teknikat e relaksimit, siç janë psh. autogeni- Training , ju mund të hiqni stresin dhe ti hiqni disa kilogram.

Kanella: Shumë studime vërtetojnë: Se kjo erëza tradicionale është pothuajse aq efektive sa edhe medikamentet për uljen e sheqerit në gjak! Pini kafen tuaj të mëngjesit me pak kanellë, hidhni pak kanellë në kosin e frutave si dhe përdorni si erëza në gjellë e në gatesa të tjera – si p.sh. Gulash – me kanellë.
Kanellë redukton insulinën, mbipeshën, sheqerin në gjak dhe nivelet e kolesterinës.
Hani çdo ditë të paktën një lugë çaji të erzës orientale.
Ju gjithashtu kanellën mund ta gjeni edhe në farmaci si kapsula.

Molla: Hani tre molla në ditë dhe me këtë figura juaj do të jetë në rregull!
Mollët përmbajnë pektinë, dhe këta fibra sigurojnë që sheqeri që përmban kjo pemë dalëngadalë të merret nga trupi juaj. Nëpërmjet të kësaj sheqeri në gjakun tuaj mbetet i qëndrueshëm. Nëse Ju nuk dëshironi të hani tre molla në ditë, Ju mund të merrni koncentrat të Pektinit në dyqanet për ushqime shëndetësor.

Zinku: Zinku është një nga vrasësit më të rëndësishëm të sheqerit në gjak. Shumë njerëz vuajnë pa e ditur se kanë mangësi të zinkut. Zinku është një përbërës i rëndësishëm i shumë enzimave. Prandaj nuk është për t’u habitur se mangësia e zinkut shkakton edhe shumë pengesa të ndryshme – duke përfshirë edhe prodhimin e insulinës. Në mënyrë që të jetoni shëndetshëm dhe për të mbajtur nivelin e insulinës konstant, ju duhet të merrni më shumë zink. Mënyra më e lehtë është me anë të kapsulave të zinkut nga farmacia.

Gjumi : Gjumi i mjaftueshëm gjithashtu ul nivelin e sheqerit në gjak dhe ka një efekt pozitiv në peshën tuaj! Studimet shkencore tregojnë se mungesa e gjumit rrit “hormonet e stresit” kortizolit dhe shkakton dëshirën për ushqim. Prandaj mjekët rekomandojnë që Ju rregullisht të flini shtatë deri në nëntë orë.

Danaj: Kufijtë e Shqipërisë janë nga Presheva në Prevezë, nga Durrësi në Shkup

Koço Danaj trondit Ballkanin: Maqedonia të shpërbëhet, Greqia, Serbia dhe Mali i Zi të lëshojnë trojet shqiptare të grabitura në 1913Politologu dhe ideatori i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, ka trazuar dhe provokuar edhe një herë Serbinë, Greqinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, shtete të cilat përvetësuan trojet shqiptare falë Konferencës famëkeqe të Ambasadorëve, mbajtur në Londër në vitin 1913. Gjatë një interviste, Koço Danaj ka deklaruar se e vetmja rrugë për paqen në rajon është shpërbërja e Maqedonisë dhe bashkimi i një pjesë të saj me Shqipërinë, siç ishte para vitit 1913. Danaj pohoi ndër të tjera se Konferenca e Londrës nuk është e ligjshme dhe nuk ekziston, ndërsa ka shtuar se gjatë një pasdite, u mblodhën 5 ambasadorë për të pirë çaj dhe copëtuan Shqipërinë. Ideatori i Listës për Shqipërinë Natyrale, ka pohuar se ka ardhur koha për rrëzimin e kësaj konference kriminale, e cila vendosi copëtimin e kombit shqiptar në pesë pjesë. Ai pohoi se pas 100 vitesh, kemi të bëjmë me dy shtete shqiptare, Shqipëri-Kosovë, kemi të bëjmë me gjysmë shteti shqiptar, në Maqedoni, me pakica shqiptare në Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi, kemi të bëjmë me një krahinë shqiptare, e cila u dëbua me gjenocid, e cila quhet Çamëri. Danaj shtoi se kufijtë e Shqipërisë janë nga Presheva në Prevezë, nga Durrësi në Shkup. Ndërkaq, Danaj ka nisur edhe mbledhjen e firmave për shfuqizimin e Konferencës së Londrës, nismë e cila ka tërbuar Serbinë dhe Greqinë, ndërsa ka ndezur edhe 35t e Evropës.

- Z. Danaj, sipas jush ku qëndron thelbi i bashkëqeverisjes Rama-Meta?

Në ndryshim nga bashkëqeverisja Berisha- Meta, ku Berisha ishte ai që vendoste për gjithçka, në bashkëqeverisjen PS-LSI, kemi të bëjmë me një qeveri të vetme dhe jo me një qeveri Rama-Meta. Thelbi i bashkëpunimit Rama- Meta është pikërisht, që qeveria do të veprojë si një e vetme. Duke e parë të tillë, unë gjykoj se kemi një kombinim të përvojave të ministrave të zgjedhur nga Rama me ata të zgjedhur nga Meta. Nuk kemi të drejtë të paragjykojmë që ky apo ai, meqë nuk kanë punuar në administratë, nuk mund ta kryejë dot detyrën e ministrit. Të mos harrojmë një gjë! Meta, kur u ngarkua të ishte kryeministër, ishte 31 vjeç. Ka qenë më i ri se këta ministra që ka zoti Rama. Unë që kam qenë këshilltar i Metës, mund t’ju them që kryeministri Meta e menaxhoi shkëlqyeshëm krizën maqedonase, aq sa partnerët e BE-së dhe të SHBA-së, e konsideruan Metën si një ndër interlokutorët më të mirë të tyre. Do të sjellë shumë ndryshime bashkëqeverisja PS-LSI. Koalicioni Berisha-Meta, ishte një koalicion i panatyrshëm, por që u diktua për hir të stabilitetit dhe integrimit të Shqipërisë. Ndërsa Rama-Meta është një koalicion i natyrshëm, sepse i përkasin së majtës. Vetë politikat që kanë të bëjnë me thelbin e së majtës, ky është ndryshimi i parë. Ndryshimi i dytë, do të jetë, që kemi të bëjmë me një harmonizim më të mirë të dy përvojave qeverisëse brenda së majtës. Kemi të bëjmë me harmonizimin e një përvoje 12 vjeçare të një ish-kryetari bashkie dhe me përvojën e një prej kryeministrave më të suksesshëm, siç ishte Meta 1999-2002. Për të tjerat, le t’ja lëmë kohës sa do të realizohet, sa do të kombinohet, sa do të shkrihen këto dy përvoja në një të vetme dhe sa do ta ndjejnë qytetarët në atë që quhet mirëqenie e tij, punësim i tij, në qetësinë e sigurinë që do ndjejnë, në atë që quhet paqe sociale, në integrimin e shqiptarëve.

-Ende pa u provuar, ka shumë kritika të ashpra ndaj Ramës për përzgjedhjen e këshilltarëve të tij. Këto kritika sa parimore mund t’i gjykoni?

Edhe unë, nëqoftëse do isha në postin e kryeministrit, do të veproja, siç vepron z. Rama, do ta zgjidhja nga ata që njoh. Rëndësi ka, që duke njohur ata, njeh edhe kontributet dhe aftësitë e tyre intelektuale. Për mua, problemi kryesor është janë apo nuk janë të njohurit e zotit Rama. Duhet të jenë të njohur, sepse kështu ke edhe besimin reciprok, të ndërsjelltë. Ndaj quhet stafi i ngushtë i kryeministrit. Jo rastësisht, kudo, stafi i kryeministrit ikën bashkë me kryeministrin. Në kohën që Meta, në 2002 dha dorëheqjen, erdhi një tjetër kryeministër socialist, Pandeli Majko. Por, i gjithë stafi i ngushtë i zotit Meta, i këshilltarëve të tij, dha dorëheqjen. Një nga ata që dhanë dorëheqjen, kam qenë edhe unë. Dhe z. Majko zgjodhi stafin e tij të këshilltarëve, megjithëse edhe ata që ikën ishin socialistë, edhe ata që erdhën, ishin socialistë.

-Cila është më e rëndësishme në përzgjedhjen e këshilltarëve të kryeministrit? Sa këta këshilltarë do të jenë këshilltarë të kryeministrit, apo do të bëhen porosimarrës. Por nga kjo bashkëqeverisje PS-LSI, a mund të krijohen tendenca konkurrence, meqë kanë të njëjtin elektorat?

Nuk ka pse të krijohet e të ketë konkurrencë. Për mua, më shumë se konkurrencë, do të ketë frymë kohezioni dhe bashkëpunimi, pasi pesha e fitores është aq e madhe, aq e rëndë, sa nuk do ketë kohë për të menduar për konkurrencë. Është koha për të menduar për përgjegjësitë e peshës së madhe. 23 Qershori ishte fundi i tranzicionit dhe kalimi në normalitet.

- Sa vërtetësi mbartin kritikat e shumta për përzgjedhjen e Shkëlzen Maliqit nga kryeministri i ri, si këshilltari i tij për Rajonin?

Zgjedhja e këshilltarëve është atribut kryesor i kryeministrit. Maliqi është një nga intelektualët më të njohur të kombit shqiptar. Jam i prirur të mos merrem me biografinë, sepse te ne shqiptarët, kemi akoma një reminishencë të së kaluarës, ku më shumë shikojmë biografinë dhe jo aftësitë profesionale, intelektuale. Sot Thaçi takohet me kryeministrin serb Daçiç, shtrëngojnë duart, buzëqeshin, dhe askush nuk thotë pse Thaçi takon Daçiç. Sot Jahjaga takohet me presidentin serb, Nikoliç, ish-zv/kryeministër i Miliosheviçit, që bëri spastrimet më të mëdha në Kosovë. Askush nuk thotë, pse e takon atë presidentja e Kosovës. Thuhet se ne sot kemi nevojë të pajtohemi me të gjithë fqinjët, pavarësisht nga e kaluara konfliktuale, që kemi patur, pavarësisht nga krimet që ata kanë bërë mbi ne. Atëhere, përse të mos pajtohemi, përse të mos vlerësojmë ata shqiptarë, prindërit e të cilëve kanë patur funksione drejtuese në x e y vend?! Por këta në këto 20 vjet kanë treguar me shkrimet e tyre, psh, libri i Shkëlzen Maliqit, mbi shpërbërjen e Jugosllavisë, është një nga librat më realistë. Ndaj, emrin e Maliqit nuk e paragjykoj, por uroj që Maliqi aftësitë intelektuale që ka, t’i vërë më mirë në shërbim të çështjes kombëtare, sepse thelbi i politikës rajonale, është çështja shqiptare. Por, të mos harrojmë se babai i tij, ka qenë njeriu që ka persekutuar shumë kosovarë si ministër i Brendshëm i Miliosheviçit. Më lejoni t’ju them, që në grupin negociator që u bë në Vjenë, krahas Thaçit, e udhëheqësve të tjerë, të dalë nga UÇK-ja, ishte edhe Petro Sorroi, një nga intelektualët më të njohur të kombit shqiptar, por, po të hyjmë përsëri te biografia, është djali i ish ambasadorit të Jugosllavisë, Rexhai Sorroit. Dhe sot në Kosovë ka një çmim të cilët e marrin poetë e shkrimtarë të shquar, me emërin Rexhai Sorroi. Shqiptarët, kudo që janë, të mos merren me të kaluarën e tyre, por të shikojnë vlerat e secilit në interes të konsolidimit të tyre, të realizimit të aspiratave të tyre, veçanërisht, të aspiratës së bashkimit të kombit shqiptar.

- Cili është problemi kryesor i kryeministrit Rama, që të luajë rol aktiv në Ballkan?

Këshilltari mendoj që e ka për detyrë të ndihmojë e këshillojë kryeministrin për të zgjedhur rrugët më të mira.

-Përshembull?

Në çështjet rajonale, qeveria e re nuk duhet të ecë vetëm me një plan, e cila quhet plani A. Kam parasysh kur thonë: “Ne, të gjithë, do integrohemi në BE”. Kjo tashmë është tani një frazë stereotipe, që është përdorur aq shumë, sa është bërë shpesh herë edhe e bezdisur.

- Pse e thoni këtë?

Për faktin që pas pranimit të Kroacisë në BE, duket që BE-ja, minimumi 10 vjet, do stupojë anëtarësimin e vendeve të tjera në BE. Atëhere, në këto kushte, shtrohet çështja: Cili është plani B? E them këtë, sepse kemi të bëjmë me dy shtete shqiptare, Shqipëri, Kosovë, kemi të bëjmë me gjysmë shteti shqiptar, në Maqedoni, kemi të bëjmë me pakica shqiptare, në Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi, kemi të bëjmë me një krahinë shqiptare, e cila u dëbua me gjenocid, e cila quhet Çamëri dhe, e gjithë kjo, e vënë politikën shqiptare zyrtare të Tiranës, përballë një sfide të madhe. Që të hartojë planin B, si do veprojë në rastin e një situate, që mund të krijohet në Maqedoni, ku emri mund të përdoret si pretekst, por nuk është emri ai që pengon Maqedoninë, por është pretekst, që fsheh diçka tjetër. Pra, cili është plani B i qeverisë shqiptare? Cila është strategjia e këtij plani B për Maqedoninë? Cila është strategjia e planit B për Kosovën? Cila është strategjia e planit B për Çamërinë? Cila është strategjia e planit B, për Luginën e Preshevës? Cila është strategjia e planit B për shqiptarët e Malit të Zi? Sa kohë kemi dialog, kemi tavolinë bisedimesh. Sa kohë kemi tavolinë bisedimesh, nuk shkohet vetëm me një plan, siç ka vepruar politika jonë, deri tani, në shumë raste. Apo me deklarata nacionaliste, që hidhen sa herë që ka nevojë politika e shfrytëzohen për konsum elektoral. Tani ka ardhur koha, që politika shqiptare, sidomos e Tiranës, edhe në çështjet rajonale të piqet, brenda suazës së Kushtetutës, duke hartuar jo vetëm një strategji, por duke i patur 2, 3 ,4 strategji në tavolinë, për t’i përdorur nesër në tavolinë, në çdo rast, në çdo situatë që do krijojë. Të jemi parashikues, e parandalues të ngjarjeve.

- Cili duhet të jetë prioriteti i qeverisë Rama në Rajon?

Prioriteti i parë i qeverisjes Rama, duhet të jetë që kombi shqiptar nuk mund të jetë më zjarrfikës i Rajonit, i krizave rajonale, por është paqebërësi kryesor i tij. Kjo frazë kërkon një strategji të plotë për ta formuluar, për ta patur në sirtar, që nesër, kur të tjerët ta provokojnë një vatër krize, ne të mos gjendemi të përgatitur e të themi: “Të shkojmë ta shuajmë”. Përkundrazi, duhet të jemi paqebërës. E që të jesh paqebërës, duhet të kesh strategji.

-A është Shkëlzen Maliqi, personaliteti që gëzon mbështetjen dhe reputacionit tek shqiptarët e Rajonit, në mënyrë të tillë që të jetë katalizatorim ose ndërmjetësi i tyre me kryeministrin Rama?

Nuk ka asnjë shqiptar që të marrë 100 % të votave të gjithë shqiptarëve të Rajonit. Kemi pranuar pluralizmin politik. Sa kohë që pranojmë pluralizmin politik, kemi pranuar edhe mendimin ndryshe. Por kjo nuk do të thotë që, duke pranuar mendimin ndryshe, të mos harrojmë që, kur veprohet në emër të kryeministrit dhe kur përcjell vërtet mesazhe që duhen, atëherë, për mua është shumë e lehtë për ta luajtur këtë rol. Roli luhet jo se kë njeri çon, për të bërë muhabet, përkundrazi, roli kryhet, kur ti çfarë mesazhesh i ke përcjellë bashkëbiseduesit. Kur mesazhet janë të tilla që i shërbejnë çështjes shqiptare, dhe të jeni i sigurtë, që jo vetëm zoti Maliqi, por kushdo tjetër, do ta kryejë këtë detyrë.

-Ju, z. Danaj, si kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale, keni filluar të mblidhni nënshkrime nga shqiptarët që përkrahin idenë e bashkimit të «Shqipërisë Natyrale» dhe këtë listë do t’jua dorëzoni qeverive të shumta, përfshirë atë gjermane, britanike, austriake etj. Kjo iniciativa juaj politike, është bërë e njohur për politikën e dy shteteve shqiptare?

Po e nis nga fundi. Është bërë shumë e njohur për disa arsye. E para, që kur doli platforma e Shqipërisë Natyrale, në promovim morën pjesë mbi 40 deputetë nga të gjitha trojet shqiptare, që nga Presheva, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, kryetarë e drejtues të të gjitha partive politike. Tashmë dihet edhe nga politika e Tiranës, edhe nga politika e Prishtinës, edhe nga politika e Shkupit që ekziston Lista për Shqipërinë Natyrale dhe ekziston edhe Shqipëria Natyrale si nocion, që do të thotë: Shqipëria në kufijtë e saj natyralë. Që do të thotë akti juridik i Kuvendit të Vlorës më 28 Nëntor 1912, që përcaktoi kufijtë e Shqipërisë, nga Presheva në Prevezë, nga Durrësi në Shkup. Të gjithë politikanët e sotëm shqiptarë e njohin këtë akt juridik, derisa e festuan me madhështi 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë Natyrale.

-Cilat janë përpjekjet tuaja, si Lista për Shqipërinë Natyrale?

Kanë të bëjnë me atë që ne nuk kemi pse të rrimë duarkryq, kur të tjerët kërkojnë të drejtat e tyre. Ajo që do të përbënte shqetësim, është se përpjkjet tona janë rrugë paqësore. Domethënë, diplomacia e fuqive të mëdha, ka 2 vjet që është njohur me një material 25 faqesh, ku argumentohet pse duhet anulluar Konferenca e Londrës në 1913. Nga materialet që ne kemi në dispozicion, ajo konferencë nuk ka qenë. Ajo ka qenë një takim pasdite, që siç thotë Eduard Grej, në kujtimet e tij, mblidheshin, ai me pesë ambasadorë të tjerë të fuqive të mëdha të asaj kohe, nga ora 16-19, pinin çaj dhe vendosnin se cilat troje shqiptare do t’ia jepnin Greqisë, Malit të Zi e Serbisë, duke i trajtuar trojet shqiptare si plaçkë lufte. E, akoma më shumë, duke i trajtuar shqiptarët, si myslimanë, e trojet shqiptare, si troje myslimanësh, e, njëkohësisht, duke i trajtuar aleancën Serbi- Bullgari- Mali i Zi-Greqi si aleancë të krishterë. Dihet tashmë një gjë: Ajo që quhet Konferencë e Londrës, vetëm një vendim mori të saktë. Nuk mbajti asnjë proces-verbal. Që këtu shtrohet pyetja. E gjithë kjo literaturë që na është shkruar për Konferencën e Londrës, ku bazohet? Kur ata që i morën ato vendime, nuk kanë lënë asgjë të shkruar?! Ku i gjetën vendimet? Si u ndanë kufijtë e Shqipërisë? Kur vetë Eduard Grej në kujtimet e tij thotë: “Ne nuk u mblodhëm më, askush nuk na falënderoi, nuk bëmë asnjë foto lamtumire, nuk përcaktuam asnjë gjë, bile nuk përcaktuam as kufijtë e shtetit shqiptar”. Kur vetë Pol Kambon, ish ambasadori i Francës, në librin e tij thoshte: “Korrespodenca” vëllimi i tretë, lidhur me këtë çështje shkruan që “Ballkanikët tanë ikën, por mbeti pa u zgjidhur çështja më e rëndë, kufijtë e shtetit shqiptar”. Duke shtuar edhe faktin tjetër, që, pa thënë se janë anuluar, bashkësia e shteteve të mëdha sot, ka anuluar 2 konferenca më të mëdha se ajo e Londrës, Versajën dhe Jaltën. Thelbi i Jaltës ishte copëtimi i Gjermanisë, pas Luftës së Dytë Botërore. Gjermania u bashkua, pa u thënë se u anulua konferenca e Jaltës. Duke u bashkuar Gjermani, kjo de facto është anulim i Jaltës. Versaja i mori pavarësinë Malit të Zi, e cila krijoi mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene. U shpërbë Jugosllavia dhe u krijuan shtete të pavarura. Nuk u tha, që u anulua Konferenca e Versajës, por u anulua de facto.

-Cili është konkluzioni që del nga kjo praktikë ndërkombëtare e ditëve tona, për vetë kombin shqiptar?

A nuk kanë të drejtë edhe shqiptarët të thonë: Ne nuk kërkojmë anulimin e Konferencës së Londrës, sepse ka një keqkuptim. Ose një keqdashje. Edhe në rajon, por edhe në Tiranë, ka disa që thonë: Si do anulohet Konferenca e Londrës e 1913-s? Nuk kërkon njeri që të dalë Brukseli apo Uashingtoni e të bëjnë deklaratë se anulojnë Konferencën e Londrës së 1913-s. Anulim do të thotë: Lejo shqiptarët të bashkohen në një shtet, siç lejove gjermanët të bashkohen, siç lejove malazezët të bashkohen! Se përndryshe do kemi dy standarde të zbatimit të së drejtës ndërkombëtare të vetëvendosjes së popujve! Një për kombet e mëdhenj, e një tjetër për kombet e vegjël. Do kemi dy standarde. Një për kombet që kanë popullsi të krishterë, e një për kombet që kanë popullsi shumicë myslimane, siç është rasti i popullit shqiptar. Atëhere, flasim për demokraci, apo për racizëm fetar?

-Shqipëria Natyrale, ku ndryshon me termin “Shqipëria e Madhe”?

Shqipëria e Madhe, e para është një apelacion nazisto-fashist, që lindi pas marrëveshjes Çiano- Ribetrop të tetorit të 1941-it, pasi ishte pushtuar i tëri Ballkani. Sipas kësaj marrëveshjeje, u vendos që një pjesë e trojeve shqiptare, si Presheva, Bujanovski, Kumanova, Kaçaniku, t’i jepeshin Bullgarisë së Madhe. Veriu i Kosovës t’i jepej Serbisë. Pjesa tjetër u quajt Shqipëria e Madhe. E para, nuk është Shqipëria e Madhe në kufijtë e saj natyrorë. E dyta, wshtë një apelacion nazisto-fashist. Ndërsa Shqipëri Natyrale, do të thotë, qw Shqipëria të jetë në kufijtë e saj natyrorë, të cilën e shpallën zyrtarisht, me akt juridik ata 40 burra në Kuvendin e Vlorës, më 28 Nëntor 1912. Vetë përbërja e qeverisë së Vlorës, ku përfshiheshin gjithë përfaqësuesit e trojeve shqiptare, të Shqipërisë Natyrale, është domethënëse e shprehëse e aktit juridik të Pavarësisë së Shqipërisë së Madhe. Dhe këtë akti juridik të Nëntorit 1912 nuk është çështja që Fuqitë e Mëdha e diskutuan dhe e hodhën poshtë. Përkundrazi! Nuk e mori fare parasysh, nuk e injoroi. Ne kërkojmë një të drejtë, si çdo komb tjetër. Që hajdeni, të ulemi e ta diskutojmë. Nëse ky akt juridik, ju, bashkësia ndërkombëtare, nëse keni dokumente, le ta hidhni poshtë dhe ne le të pranojmë këtë Shqipëri artificiale që është sot. Por, nëse argumentet janë në favorin tonë, atëherë, do të na jepni ne, shqiptarëve të drejtë. Eduard Grej thotë në kujtimet e tij: “Ne i copëtuam kufijtë e Shqipërisë me të drejtën e forcës të së madhit, mbi të voglin”. Sot jemi në një kohë tjetër e flasim me forcën e së drejtës, forcën e argumenteve. Për forcën e fakteve. Ndaj bashkësia ndërkombëtare duhet ta lejojë Shqipërinë Natyrale, dhe ta ketë të qartë, që vetëm kjo Shqipëri Natyrale e qetëson dhe e stabilizon paqen në Ballkan.

-Shqipëria Natyrale, ku ndryshon nga nacionalizmi shqiptar?

Ndryshon shumë, për të mos thënë, që është e kundërta. Shqipëri Natyrale do të thotë europeistë. Do të thotë mentalitet progresiv. Nacionalizmi është e kundërta e Shqipërisë Natyrale. Shqipëri Natyrale është e drejta e viktimës për të kërkuar të drejtën e tij, për të kërkuar thelbin e lirisë së tij që është vetëvendosje mbi trojet e tij. Ndërsa nacionalizmi ka të bëjë me dukuri, me fakte të cilat përbuzin fqinjët, të cilat urrejnë fqinjët, të cilat përçojnë fqinjët. Shqiptarët nuk kanë qenë kundër nacionalistë në dëm të fqinjëve.

-Pse Shqipëria Natyrale është kyçi i stabilitetit të paqes në Ballkan?

Kombi shqiptar nuk mund të jetë më zjarrfikës i vatrave që mund të krijohen në rajon, por është paqebërësi në rajon. Kur filloi lufta e UÇK-së, gjithë bashkësia ndërkombëtare erdhi në Tiranë duke sugjeruar që të merreshim vesh, që të mos e kalojmë cakun, etj. Ndodhi kryengritja e shqiptarëve në Maqedoni, përsëri Tirana zyrtare luajti një rol kryesor. Sa herë krijohen probleme në Preshevë e Mal të Zi, sërish ndërkombëtarët i drejtohen Tiranës. Pra, bashkësia ndërkombëtare na mban në rolin e zjarrfikësit. Në fakt, duhet të ndodhë e kundërta. Ne të jemi paqebërësit. Shqipëria Natyrale është kyçi i paqes në Ballkan, sepse është paqësore. E dyta, sepse kërkon dialogun. E treta, është se shumica e shqiptarëve beson se bashkësia ndërkombëtare e ka seriozisht që zgjidhjen e problemeve e ka nëpërmjet rrugës së paqes, e duke qenë kështu, realizimi me anën e paqes, më vonë do të vijë vetëm nëse shqiptarët jetojnë në kufijtë natyrorë të tyre, Ballkani u quajt “fuçi baruti” për faktin e boshtit famëkeq Beograd-Athinë. E ky bosht famëkeq, edhe në mënyrë figurative, thyhet kollaj. Pra, i krijon lehtë vatrat e krizës ballkanike. Ndërsa ne kërkojmë trekëndëshin Tiranë-Athinë-Beograd, e cila është shumë herë më solide, e cila mban shumë herë pesha më të rënda, sesa boshti Beograd-Athinë. Ballkani sa herë ka kriza, i përcjell këto në troje shqiptare. Greqia është në krizë, tendencat e diplomacisë e politikës grekë është që krizën ta përcjellë në Himarë, në Përmet, për të tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve nga kriza e Athinës. Boshti Tiranë-Athinë-Beograd, problemin e krizave nuk do ta zgjidhë nëpërmjet përcjelljes së krizave, jo mbi thënien e “dobiçit në derë”, por mbi bazën e dialogur e të reciprocitetit të fqinjësisë së mirë të popujve.

-Si e kanë pritur këtë iniciativën tuaj, PS, PD dhe partitë kryesore të Kosovës dhe partitë shqiptare në Maqedoni?

Zyrtarisht, nuk ka deklarata, dhe zyrtarisht ka folur vetëm Berisha për Shqipërinë etnike, por këto kanë qenë vetëm deklarata. Në heshtje, shumica e politikanëve shqiptarë, janë dakord. Zyrtarisht, akoma ka një stepje për ta pranuar. Ka, veçanërisht në Kosovë, një frymë më të madhe për ta pranuar, nga të gjitha partitë politike. Sa kohë që në Kushtetutën e Shqipërisë e drejta e bashkimit të kombit shqiptar konsiderohet e ligjshme, për aq kohë, të gjithë, edhe po të mos duan, janë të detyruar ta përkrahin. Për sa kohë që forma më e lartë e patriotizmit sot në botën demokratike konsiderohet patriotizmi kushtetues, atëherë, ne kemi të drejtë të kërkojmë bashkimin e trojeve shqiptare dhe të gjithë qeveritarët e kanë për detyrë ta mbështetin bashkimin e trojeve shqiptare. Përndryshe, duhet ta ndryshojnë Kushtetutën, përndryshe, duhet ta heqin nga Kushtetuta bashkimin e trojeve shqiptare. Ose, përndryshe, këta qeveritarë duhen akuzuar se shkelin patriotizmin kushtetues.

-Çfarë e pengon Maqedoninë të integrohet në BE, kur thoni se nuk është vetëm çështja e emrit të Republikës së saj?

Emri është pretekst. Po të ishte se seriozisht do të ishte çështja e emrit problemi, psh, me krizën katastrofike greke, do të ishte shumë e lehtë që kancelaria gjermane Merkel, vetëm me një telefonatë që do t’i bënte kryeministrit grek, e t’i kushtëzonte marrjen e ndihmesave të miliardave euro me pranimin e emrit të Republikës së Maqedonisë, të jeni të sigurtë që gjithë grekët do ta pranonin kokulur për 30 minuta Maqedoninë me emrin që ka. Por, zonja Merkel nuk e bën këtë. As SHBA-ja nuk e bën këtë. Duket që bashkësia ndërkombëtare nuk di se çdo bëjë me këtë shtet. Sepse në këtë Maqedoni ka vdekur ajo që e shpëtoi në 2001-in. Ka vdekur marrëveshja e Ohrit. Marrëveshja e Ohrit ishte kompromisi më i madh që bënë shqiptarët, edhe nën ndikimin e trysnisë së ndërkombëtarëve, për të shpëtuar Maqedoninë. Ndërkaq, shovinizmi maqedonas këtë marrëveshje e cilësoi të dyshimtë, e ka hedhur poshtë. Kjo Maqedoni nuk mund të ekzistojë dot më, kështu siç është. Qeveria e Gruevskit nuk pranon t’i konsiderojë shqiptarët të barabartë.

-Për shqiptarët, ka rrugë tjetër?

Po, ka një rrugë tjetër, shumë të drejtë e të garantuar. Shqiptarët e kanë trungun e tyre. Shqiptarët e kanë vendin e tyre. Shqiptarët nuk janë pjesë e Maqedonisë Perëndimore, shqiptarët janë pjesë e Shqipërisë Lindore. Bullgaria nuk i njeh Maqedonisë identitetin, Greqia nuk i njeh emrin, Serbia nuk i njeh Kishën. Përjashto Shqipërinë, e cila gjithmonë, me altruizëm politik, të neveritshëm, absurd, ia njohu të gjitha të drejtat Maqedonisë. Në këto kushte, ka vetëm një rrugë: Maqedonia stabilizohet, kur shqiptarët të shkëputen e të bashkohen me Shqipërinë. (sot)

RS: Momçillo Krajishniku pritet si hero

Në Republikën Serbe të Bosnjë Hercegovinës mijëra njerëz kanë dalur në rrugë për ta pritur ish-liderin kryesor politik të serbëve të Bosnjë Hercegovinës gjatë luftës, Momçillo Krajishnik, i cili ishte i dënaur për krime të luftës. Mbështetësit e tij e pritën atë me flamuj serbë dhe duke kënduar këngë nacionaliste serbe, derisa Krajishniku, 68 vjeçar, u kthye mbrëmë vonë në Pale, afër Sarajevës.

Ai ishte arrestuar në vitin 2000 dhe ishte dënuar nga Gjykata e Hagës për Krime të Luftës për ish-Jugosllavinë, për persekutimin dhe dëbimin me forcë të jo-serbëve dhe për krime kundër njerëzimit, gjatë luftës në periudhën 1992-95.

Krajishnik ishte dënuar me 27 vjet burg, por dënimi ishte reduktuar pas ankesës, kështu që atij i është garantuar lirimi nga një burg në Britani.

Momçillo Krajishnik ishte aleat i afërt i ish-liderit politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, i cili aktualisht është në Hagë, ku po vazhdon procesi kundër tij për akuza për gjenocid dhe krime të tjera. (rel)