Mijëra njerëz u mblodhën në Bosnjë për të përkujtuar masakrën e Srebrenicës të vitit 1995, gjenocidin e vetëm të njohur ndërkombëtarisht në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe për të varrosur 19 viktima që sapo janë identifikuar.
Ekzekutimi në korrik të vitit 1995 i më shumë se 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë, po përkujtohet në një seri ngjarjesh të dielën, pasuar nga rivarrosja e viktimave, eshtrat e të cilëve u gjetën në varre masive dhe u identifikuan kohët e fundit përmes analizave të ADN-së.
Ata do të prehen në një varrezë përkujtimore në hyrje të qytetit lindor, duke u bashkuar me mbi 6 mijë e 600 të tjerë tashmë të rivarrosur atje.
Viktimat e sapo-identifikuara varrosen çdo vit më 11 korrik, që është përvjetori i ditës së fillimit të vrasjeve në vitin 1995.
Shumica e viktimave të masakrës u ndoqën dhe u ekzekutuan ndërsa po përpiqeshin të iknin në një pyll aty pranë, pasi Srebrenica u pushtua nga forcat serbe të Bosnjës në 11 korrik 1995, në ditët e fundit të luftës së viteve 1992 – 1995 në Bosnje.
Trupat e tyre u hodhën në varre masive të hapura me nxitim dhe më pas u gërmuan me buldozerë dhe u shpërndanë në vende të tjera për të fshehur provat e krimit.
Më shumë se 100,000 njerëz u vranë përpara se një marrëveshje paqeje të ndërmjetësohej në vjeshtën e vitit 1995.
Reagime nga SHBA dhe BE
Në një mesazh me këtë rast, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u shpreh se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë “me familjet e atyre që kanë humbur të dashurit e tyre dhe me ata që kërkojnë në mënyrë të pandalshme drejtësi në emër të tyre”.
“Ngjarjet tragjike të së kaluarës na kujtojnë nevojën për të punuar së bashku për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët në një Bosnje dhe Hercegovinë të qëndrueshme dhe me mirëqenie”, shprehet sekretari Blinken.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe komisioneri për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, thanë një një deklaratë të përbashkët se “në Evropë nuk ka vend për të mohuar gjenocidin, për revizionizmin dhe për të madhëruar kriminelët e luftës. Këto janë në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane. Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme”.
Në deklaratë theksohet se gjykatat ndërkombëtare, ato vendase në Bosnje dhe Hercegovinë dhe vendet fqinje “duhet të vazhdojnë të ofrojnë drejtësi për të gjitha viktimat e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, si dhe për familjarët e tyre. Paqja mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësinë”.
“Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri – gjenocidi është gjenocid, qoftë i kryer në Srebrenicë apo gjetiu”, thuhet në deklaratën e përbashkët të zyrtarëve evropianë, në të cilën nënvizohet se “Evropa nuk e ka harruar përgjegjësinë e saj për dështimin në parandalimin e gjenocidit në Srebrenicë”.
Qyteti i Srebrenicës që ishte shpallur “zonë e mbrojtur” nga Kombet e Bashkuara, ruhej nga paqeruajtësit holandezë.
Javën e kaluar, parlamenti i Kosovës Parlamenti i Kosovës, miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës.
Pak më herët një rezolutë të ngjashme e miratoi edhe parlamenti i Malit të Zi, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit i cili i cilëson ngjarjet ne Srebrenisë si “krim të rëndë”, por mohon të ketë ndodhur gjenocid.
Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara në fillim të muajit të kaluar vendosën të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Akzuat ndaj tij përfshinin edhe masakrën e Srebrenicës.
Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, u dënua më burgim të përjetshëm në vitin 2019 për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve e zakoneve të luftës, lidhur me rolin e tij udhëheqës në fushatën e terrorit ndaj popullsisë civile, përfshirë masakrën e Srebrenicës, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
*Mbështetur edhe në raportimet e agjencisë Associated Press