Emigrantët kthehen mbrapsht në Greqi

refugjatet lumiNjë grup emigrantësh që u përpoqën të hyjnë në Maqedoni përmes një lumi, u kthyen sot paradite në kampin grek të Idomenit në Greqi. Autoritetet maqedonase thanë se bëhej fjalë për 600 persona që ishin ndaluar nga autoritetet.

Emigrantët, mes tyre gra dhe fëmijë, ecën përgjatë rrugëve plot baltë duke tërhequr pas sendet personale.

Kur arritën lumin, ata shtrinë një litar dhe formuan një zinxhir njerëzor për të kaluar, duke mbajtur fëmijët në krah dhe sendet në shpinë.

Një grua filloi të qante ndërsa emigrantët u ulën pranë zjarrit në brigjet e lumit për të tharë rrobat pas kthimit nga autoritetet.

Narmeen nga Damasku, tha se u detyrua t’i mbante fëmijët nën qese plastike gjatë natës.

“Na thanë të ecnim, të vazhdonim të ecnim dhe se do të na linin. Do të shpëtonim nga shiu dhe të ftohtit, por nuk na lanë të kalonim. Kur arritëm në kufi na thanë se ishin 1,500 vetë që kaluan por ne nuk dimë asgjë për ta. Dëgjuam gjithashtu se 4 vetë kishin vdekur dhe 50 të tjerë ishin kthyer në kamp. U frikësuam për fëmijët dhe ishte shumë ftohtë. Nuk kishim tenda dhe asgjë me vete”.

60-vjeçari Mohammad Kattan, kishte shpresë se do ta linin të kalonte për t’u bashkuar me familjen, por shpresa e tij u venit shpejt.

“Është rrugë e gjatë nga kampi në male, m’u desh të ecja 6 orë. Për moshën time është shumë e vështirë”.

Të kthyerit shkuan përsëri në kampin e Idomenit në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë nga ku qindra vetë u larguan të hënën dhe u ngjitën për orë të tëra në male në përpjekje për të kaluar kufirin dhe për të hyrë në Maqedoni.

Zëvendës ministri grek i mbrojtjes tha sot se nuk mund të konfirmonte e as të mohonte nëse emigrantët që u larguan nga kampi tranzit grek dhe kaluan në Maqedoni ishin kthyer mbrapsht në Greqi.

Dje, më shumë se 1,000 imigrantë u larguan nga kampi grek i Idomenit dhe sipas autoriteteve shumë u arrestuan. Pjesa tjetër kaloi një natë të ftohtë dhe me shi në kufi para se të ecnin mbrapsht përgjatë së njëjtës rrugë që morën një ditë më parë.

Autoritetet maqedonase thanë sot se 600 persona që ishin arrestuar u kthyen mbrapsht në Greqi.

Kalimi i kufirit e vë çështjen e imigrantëve përsëri në qendër të vëmendjes disa ditë para se udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe Turqisë të takohen përsëri për të nënshkruar një marrëveshje që do t’i mbante emigrantët në Turqi. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>