Bashkimi Evropian ka ngritur parashikimin për rritjen ekonomike në të gjithë 19 vendet e eurozonës pavarësisht nga një opinion shumë i errët për Greqinë.
Në parashikimin e tij të pranverës, publikuar të martën, dega ekzekutive e BE-së tha se parashikon një rritje prej 1.5 për qind për eurozonë në vitin 2015, 0.2 pikë më lart nga parashikimi i mëparshëm në muajin shkurt. Për 2016, Komisioni ka mbajtur parashikimin e tij për një rritje prej 1.9 për qind për eurozonën. Pierre Moscovici është komisioner për ekonominë në BE.
“Në BE, rritja reale e PBB-së është parashikuar të rritet nga 1.4 për qind në 2014-ën në 1,8 për qind këtë vit duke u përshpejtuar më tej, në 2.1 për qind në vitin 2016. Në eurozonë tritja pritet të shkojë nga 0,9 për qind vitin e kaluar në 1,5 për qind këtë vit dhe 1.9 për qind në vitin 2016. “
Komisioni tha se eurozona, si një e tërë është duke përfituar nga një numër faktorësh, duke përfshirë çmimet më të ulëta të naftës, një parashikim i qëndrueshëm global, euroja e dobët, stimulimi monetar nga Banka Qendrore Evropiane dhe politikat më pak të rrepta buxhetore .
Një vend që me sa duket po shkon në drejtimin tjetër është Greqia, e cila po lufton për të zhbllokuar fondet e ndihmës nga kreditorët evropianë.
Pa 7,8 miliardë dollarë Greqia mund të përballet me falimentim dhe një dalje të mundshme nga eurozona.Komisioni Evropian tani parashikon një rritje prej 0.5 për qind këtë vit.
Kjo është 2 për qind më e ulët se parashikimi i bërë vetëm tre muaj më parë. Për 2016, Komisioni parashikon që Greqia të ketë një rritje prej 2.9 për qind.
Pierre Moskoviçi, komisioneri evropian për marrëdhënie ekonomike dhe financiare pranoi se parashikimi për Greqinë është subjekt i një “shkalle të lartë të pasigurisë” dhe bazohet në një përfundim të suksesshëm të bisedimeve aktuale midis qeverisë greke dhe kreditorëve. (voa)