Ndërtimi për linjën e interkoneksionit Elbasan-Manastir, parashikon dhe zgjatimin nga Elbasani në Fier. Gjiknuri: Përmbyllim lidhjen me vendet e rajonit
Qeveria shqiptare firmosi sot me qeverinë gjermane marrëveshjen për financimin e ndërtimit të linjës së interkoneksionit 400 kilovolt me Maqedoninë, (Elbasan-Manastir) e cila kap një total prej 50 milion eurosh. Përmes Bankës gjermane për Zhvillim, Kfë shuma prej 30 milion eurosh është e gatshme për t’u lëvruar, ndërsa për pjesën e mbetur prej 20 milion eurosh, e cila gjithashtu është miratuar nga pala gjermane, do të ketë një marrëveshje tjetër pas pushimeve verore. E gjithë kostoja e projektit në Shqipëri, shkon në afër 70 milion euro, ku 5 milion janë parashikuar si kontribut i palës shqiptare, dhe pjesa tjetër nga Bashkimi europian.
Në territorin shqiptar projekti përfshin ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 deri në kufi me Maqedoninë, rreth 56 km. Zgjerimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 2 me dy zbara dyfishe 400 kV, një dalje të re linje 400 kV dhe një shunt-reaktor 120 MVAr. Ndërkohë, e njejta linjë do të zgjatet edhe në drejtim të Fierit. Linja ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Fier, është rreth 70 km e gjatë dhe do të ketë dhe dy dalje linje 400 kV në nënstacionin Elbasan 2 dhe nënstacionin Fier. Gjithashtu, projekti parashikon zgjerimin e nënstacionit 220 kV Fier, 1×400 MVA dhe lidhjen me rrjetin e transmetimit.
Marrëveshja për palën shqiptare u nënshkrua nga ministri i Energjitikës Damian GJiknuri sipas të cilit “bëhet fjalë për një nga projektet jashtëzakonisht të rëndësishme të ndërlidhjes, një axhendë që tanimë siç dihet mbështetet edhe nga procesi i Berlinit. Janë siguruar të gjitha financimet e nevojshme dhe procesi po ecën në rrugë të mbarë”, theksoi ministri Gjiknuri duke sqaruar se përmes kësaj linje do të përmbyllet lidhja me vendet e rajonit. Pak javë më parë Shqipëria inauguroi mbylljen e punimeve të linjës së interkoneksionit me KOsovën, ndërkohë që ajo është tashmë e lidhur me Malin e Zi dhe Greqinë.
Ambasadorja gjermane Susanne Schütz, deklaroi se “përmes mbështetjes që japim duam të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik të vendit tuaj, ti japim shans brezit të ri që të ndërtojë jetën në vendin e vet por dhe të mund të ndalojmë emigracionin”, u shpreh zonja Schütz, ndërsa shtoi se bashkëpunimi ekonomik midis Gjermanisë dhe Shqipërisë, është shumë i rëndësishëm dhe se “që prej vitit 1988 Gjermania ka vënë në dispozicion rreth 810 milionë euro për bashkëpunimin teknik e financiar duke qenë edhe donatori më i madh në nivelin dypalësh”.
Projekti për ndërtimin e linjës së interkoneksionit 400 kilovolt me Maqedoninë parashikohet që të fillojë zbatimin në fillim të vitit 2017 ndërsa përfundon në fillim të vitit 2020. (dw)