Një grup egjiptian që ka lidhje me Shtetin Islamik mori sot përgjegjësinë për ekzekutimin e një shtetasi kroat të rrëmbyer muajin e kaluar.
Organizata ekstremiste publikoi përmes një mesazhi elektronik një fotografi ku thotë se duket ekzekutimi me prerje koke.
Agjencia kroate e lajmeve HINA tha se nuk mund të konfirmonte nëse Tomislav Salopek, një 30-vjeçar i martuar, baba i dy fëmijëve, me punë në Egjipt, ishte ekzekutuar. Nëse konfirmohet, vrasja e tij dote shënonte rastin e parë të një pengu perëndimor të ekzekutuar nga grupi Provinca e Sinait, një organizatë që ka deklaruar besnikëri ndaj Shtetit Islamik.
Fotoja, e publikuar në llogarinë e kësaj organizate në Twitter, tregon kokën e një personi të shkëputur nga një trup pa jetë, një thikë të përgjakuar si dhe një flamur të Shtetit Islamik në sfond.
Mesazhi shoqërohej me diçiturën “ekzekutuar si rezultat i përfshirjes së vendit të tij në luftën kundër Shtetit Islamik, pas skadimit të afatit”. Organizata kishte kërkuar lirimin e grave myslimane nga burgjet egjiptiane, si kusht për lirimin e pengut kroat. (voa)