Më shumë se një mijë njerëz janë vrarë në Siri si hakmarrje nga sunitët në pushtet kundër alevitëve, të cilëve u përket edhe Assadi. Kjo është vala më e madhe e dhunës që nga rënia e regjimit të tij.
Siria po përjeton përshkallëzimin më të madh të dhunës që kur Bashar al-Assad u largua në Rusinë fillim të dhjetorit të vitit të kaluar dhe islamistët sunitë morën pushtetin në këtë vend. Përplasjet filluan të enjten dhe, siç raporton Reuters, vazhduan gjatë gjithë natës nga e shtuna në të dielën në disa qytete dhe në rrugët drejt bregdetit ku jeton pakica fetare alevite.
Nën sundimin e Assadit, i cili është edhe vetë alevit, anëtarët e kësaj pakice zinin pozita udhëheqëse në ushtri dhe në shërbimet e sigurisë. Sundimtarët e rinj të Sirisë pretendojnë se u janë përgjigjur sulmeve nga trupat e mbetura të Assadit në javët e fundit, duke fajësuar për përshkallëzimin e dhunës “veprimet individuale”.
Rreth 1000 të vdekur
Mbikqyrësi Sirian për të Drejtat e Njeriut tha të shtunën se luftimet në rajonin bregdetar të Sirisë kishin marrë më shumë se 1000 jetë. Shumica e viktimave janë civilë që i përkasin pakicës fetare alevite të vendit.
Sipas tij, të vdekurit përfshijnë 745 civilë, shumica e të cilëve u vranë nga afër, si dhe 125 anëtarë të forcave qeveritare të sigurisë dhe 148 militantë të lidhur me Assadin. Vrasjet ndodhën në më shumë se 29 vende në zonat bregdetare të Latakisë, Tartus dhe Hama.
“Kjo është një nga masakrat më të mëdha në konfliktin sirian,” tha Rami Abdurahman për vrasjet e civilëve alevitë.
Dhuna shpërtheu të enjten, kur forcat qeveritare u përpoqën të arrestonin një person të kërkuar në Jableh, por atyre u zunë pritë besnikët e Assadit, tha Mbikqyrësi Sirian për të Drejtat e Njeriut. Kjo organizatë, me seli në Britaninë e Madhe, prezantohet si një organizatë e pavarur. Megjithatë, informacioni që publikon nuk mund të verifikohet nga burime të pavarura.
Banorët e vendbanimeve alevite raportojnë për mizori
Banorët e fshatrave dhe qyteteve alevite i thanë Associated Press se persona të armatosur vranë alevitët, kryesisht burra, në rrugë ose në shtëpitë e tyre. Mijëra njerëz ikën në malet aty pranë.
Trupat e 31 personave të vrarë të premten në fshatin Tuvem u varrosën në një varr masiv të shtunën në mëngjes, thanë vendasit. Mes të vrarëve ishin nëntë fëmijë dhe katër gra. Ata i dërguan AP fotot e trupave të mbuluar me çarçafë të bardhë teksa ishin vendosur në varr.
Banorët e Baniyas, një nga qytetet më të goditura nga dhuna, thanë se sulmuesit përfshinin luftëtarë të huaj, si dhe persona të armatosur nga fshatrat dhe qytetet fqinje. Ali Sheha, një 57-vjeçar, banor i Baniyas, tha se persona të armatosur u mblodhën më pak se 100 metra larg ndërtesës së tij, duke qëlluar mbi shtëpitë dhe banorët. Ai tha se në një lagje ku jetonin alevitët, të paktën 20 nga fqinjët dhe kolegët e tij u vranë – disa në dyqanet e tyre, disa në shtëpitë e tyre.
Në të paktën një rast që ai di, ata u kërkuan njerëzve kartat e tyre të identitetit për të verifikuar fenë dhe sektin e tyre përpara se t’i vrisnin. Ai tha gjithashtu se sulmuesit plaçkitën dhe dogjën shtëpi, vodhën makina dhe sende të tjera. Sheha u arratis me familjen dhe fqinjët e tij vetëm pak orë pas shpërthimit të dhunës.
Alevitët ikin në Liban dhe në bazën ruse
Deputeti libanez Haidar Nasser, një nga dy përfaqësuesit alavit në parlament, tha se njerëzit po ikin nga Siria në Liban për t’u mbrojtur, por ai nuk kishte të dhëna të sakta për numrin e refugjatëve.
Nasser deklaroi gjithashtu se shumë po strehohen në bazën ajrore ruse Hmeimim në Siri. Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të mbrojë alevitët që janë qytetarë sirianë besnikë ndaj vendit të tyre. Ai shtoi se që nga rënia e Asadit, shumë alevitë kanë humbur punën e tyre, ndërsa disa ish-ushtarë janë vrarë për shkak të përkatësisë së tyre.
Presidenti i përkohshëm: Këto janë “sfida të pritshme”
Presidenti i përkohshëm i Sirisë Ahmed Shaara bëri thirrje për paqe të dielën: “Ne duhet të ruajmë unitetin kombëtar dhe paqen e brendshme, ne mund të jetojmë së bashku. Jini të qetë për Sirinë, ky vend do të mbijetojë”.
Duke folur në një xhami në Damask, ai tha gjithashtu: “Ajo që po ndodh në Siri tani është pjesë e sfidave të pritshme.”
Shaara ishte udhëheqësi i rebelëve islamikë Hayat Tahrir al-Sham, i cili udhëhoqi përmbysjen e ish-qeverisë së Assadit. Me marrjen e detyrës, Al-Shaara premtoi të përfshijë të gjitha grupet shoqërore në procesin e rinovimit politik dhe të respektojë të drejtat e njeriut. Duke vepruar kështu, ai shpreson të heqë sanksionet perëndimore kundër Sirisë.
Burimet siriane të sigurisë thanë se të paktën 200 anëtarë të forcave të tyre u vranë në përleshjet me ish-personelin ushtarak besnik të Assadit, pas sulmeve të koordinuara dhe pritat që filluan të enjten. Sulmet u kthyen shpejt në vrasje hakmarrëse pasi mijëra mbështetës të armatosur të autoriteteve të reja siriane nga të gjitha pjesët e vendit shkuan në zonat bregdetare për të mbështetur forcat qeveritare.
Sipas raporteve të tjera, mbështetësit e armatosur sunitë të qeverisë kalimtare, të cilët dyshohet se refuzuan t’u binden urdhrave nga Damasku, janë përgjegjës për dhunën. Televizioni shtetëror sirian, megjithatë, raporton se persona të panjohur kanë veshur uniformat e forcave qeveritare dhe kanë kryer krime me qëllim të provokimit të luftës civile.
Franca dënon dhunën
Franca ka shprehur “shqetësim të thellë” për dhunën në Siri. Parisi “dënon në mënyrën më të ashpër krimet e kryera kundër civilëve për arsye fetare, si dhe kundër të burgosurve”, kumtoi Ministria e Jashtme franceze në një deklaratë të shtunën. Franca u bëri thirrje autoriteteve të përkohshme siriane që të sigurojnë hetime të pavarura për të “zbardhur në tërësi këto krime”.
Sipas burimeve turke, ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes, si dhe shefat e inteligjencës së Turqisë, Jordanisë, Sirisë dhe Irakut janë takuar të dielën në Aman për të diskutuar kërcënimet e sigurisë, luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Një nga temat kryesore ishte lufta kundër ekstremistëve të “Shtetit Islamik”.
dw