Një zyrtar i lartë amerikan tha se në Ballkan rreziku i përsëritjes së konfliktit është në rritje dhe forcat kundër demokracisë po shtohen.
Hoyt Brian Yee, Zëvendës ndihmës sekretar i shtetit tha se nëse nuk trajtohen, problemet do të acarohen dhe do të çojnë në konflikte, të cilat në mënyrë të paevitueshme mund të tërheqin brenda tyre edhe Shtetet e Bashkuara.
http://www.zeriamerikes.com/a/3860031.html
Komentet u bënë në një seancë dëgjimore në Kongresin amerikan, ku u diskutua mbi gjendjen në Ballkan, rolin e Shteteve të Bashkuara dhe përfshirjen e Rusisë.
Hoyt Brian Yee, i cili kohët e fundit bëri një vizitë të shpejtë në disa vende të Ballkanit, tha se qëndrueshmëria dhe demokracia në Balkan nuk duhen marrë si diçka e garantuar:
“Historia e kohëve të fundit na tregon në mënyrë të përsëritur se asgjë nuk mund ta zëvendësojë rolin udhëheqës aktiv të SHBA në Ballkan, në partneritet të fortë me Bashkimin Evropian. Puna jonë në Ballkan ndihmon për ta bërë Amerikën më të sigurtë”.
SHBA, tha zoti Yee, kanë partnerë të mirë në të gjithë Ballkanin. Ai solli si shëmbull bashkëpunimin mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës për të parandaluar një sulm terrorist kundër ndeshjes Shqipëri-Izrael në Shkodër, nëntorin e kaluar.
Shtetet e Bashkuara kanë investuar mjaft vitet e fundit tek lufta kundër korrupsionit dhe tek reformat në drejtësi në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas zotit Yee, këto përpjekje i bëjnë vendet më pak të ekspozuara ndaj trysnive të Rusisë, të cilën ai e cilësoi si rrezik:
“Rusia po punon gjithnjë e më shumë për të minuar progresin në Ballkan. Nga përpjekja e hapur për të minuar qeverinë në Podgoricë, e deri tek mbështetja më e mbuluar për retorikën separatiste në Bosnje dhe kundërshtimet ndaj integrimit të Kosovës në familjen e kombeve, Rusia kërkon të pengojë avancimin drejt anëtarësimit në NATO dhe BE kudo që të jetë e mundur. Moska përdor propagandën dhe lajmet e rreme për të mbjellë mosbesim dhe konfuzion dhe për të minuar pozitat e udhëheqësve politikë properëndimorë,” tha zoti Yee.
Por Dana Rohrabacher, i cili kryeson nënkomisionin për Europën dhe Euroazinë në Komisionin e Kongresit për Punët e Jashtme, e quajti frikën ndaj Rusisë një ekzagjerim:
“Nuk e di se kush, por dikush kërkon luftë me Rusinë. Kemi të bëjmë më shumë se me një frikë ndaj Rusisë… Unë kam shpenzuar një pjesë të madhe të jetës për të mposhtur Bashkimin Sovjetik. Thelbi këtu është: Ne nuk e duam një luftë të ftohtë. Populli amerikan nuk e do këtë. E megjithatë, ne po tregojmë një armiqësi të papërmbajtur, duke u ruajtur madje nga influenca ruse në rajon.”
Një argument të ngjashëm ngriti studiuesi Gordon Bardos, President i “South East European Research & Consulting”, i cili i quajti përshkrimet rreth ndërhyrjes së Rusisë në Ballkan si diçka të zmadhuar tej mase:
“E parë nga këndvështrimi ushtarak, diplomatik dhe ekonomik, vështirë se Rusia mund të shihet si një vend që përbën kërcënim të rrezikshëm për interesat perëndimore në Ballkan,” tha Bartos.
Lidhur me pyetjet e ngritura nga ligjvënësi Rohrabacher rreth ndikimit të miliarderit George Soros në Ballkan, Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit Yee u përgjigj:
“Historitë dhe akuzat e kohëve të fundit kundër Institutit Shoqëria e Hapur të zotit Soros për një rol të madh që ai luan në Ballkan, janë tepër të ekzagjeruara. Përpjekjet e SHBA apo të BE-së janë tonat dhe nuk ndikohen nga ato të zotit Soros apo të dikujt tjetër.”
Zoti Rohrabacher shtroi gjithashtu çështjen se a mos angazhimi i SHBA në Ballkan rrezikon të perceptohet si një imponim i pikëpamjeve amerikane ndaj qeverive të ndryshme në rajon.
Zoti Yee u përgjigj se SHBA absolutisht nuk imponojnë vullnetin apo preferencat për një parti apo një politikë të caktuar, ndonëse nuk ka dyshim që ato janë aktive në mbrojtjen e interesave të tyre.
Kongresmeni David Cicilline pyeti nëse shkurtimet e propozuara për Departamentin e Shtetit do të kenë ndonjë ndikim mbi rajonin. Nëse SHBA tërhiqen në masë të madhe nga Ballkani, a besoni se do të shohim një përhapje të ekstremizmit dhe shtim të terrorizmit? – pyeti ai.
Zoti Yee tha se rreziku ekziston:
“Nëse SHBA i kthejnë shpinën Ballkanit Perëndimor, atëhere këto vende do të kërkojnë alternativa të tjera, do t’i hedhin sytë tek Rusia ose tek Kina, apo tek fuqi të tjera që u sigurojnë atyre alternativa, ndaj Perëndimit.”
Kryetari i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joe Dioguardi foli me tone të ashpra ndaj sulmeve që, siç tha ai, po ndërmerren kundër shqiptarëve në Maqedoni. Ai kishte sjellë fotografi të Zijadin Selës, kryetarit të Lëvizjes për Reformë, i cili u plagos rëndë nga sulmi kundër deputetëve shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë. Zoti Dioguardi bëri thirrje që SHBA të përfshihen më shumë në Ballkan:
“Ka një korrupsion të madh politik në Shqipëri, në Maqedoni, në Kosovë, në Serbi. Të pasurit po pasurohen më shumë, të varërit po varfërohen më shumë. Njerëzve nuk po u shërbehet nga qeveritë. Nuk e di çdo të ndodhë pas zgjedhjeve në Kosovë dhe në Shqipëri. Askush nuk bie dakord për asgjë. Mendoj se ka ardhur koha që SHBA ta kuptojnë se duke braktisur Ballkanin e duke ia lënë atë Bashkimit Evropian, ne dështuam.”
Edhe Daniel Serwer, ekspert për Ballkanin, thotë se shikon rreziqe:
“Në 10 vitet e shkuara, përpjekja amerikane për t’ia kaluar stafetën e udhëheqjes Bashkimit Evropian, bëri që të krijohen probleme. Në Bosnje, Kosovë, Serbi dhe Maqedoni ekzistojnë tani rreziqe të mungesës së stabilitetit, që mund të çojnë në tronditje në të gjithë rajonin. Kjo do të reflektonte në mënyrë negative mbi rolin udhëheqës amerikan, do të zhbënte tre marrëveshje paqeje dhe do të na kushtonte shumë më tepër se sa parandalimi i konfliktit.”
Zoti Serwer paralajmëroi gjithashtu kundër ideve për ndryshimin e kufijve, për të cilën ai tha se do të ishte njëlloj si të luaje me shkrepse pranë një fuçie baruti. (voa)