Përmes kredive të bankave kineze Ballkani mund të bëhet gjithnjë e më i varur politikisht nga Pekini. Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” analizon ndikimin kinez në Ballkan.
Ballkani nuk ka emër të mirë tek evropianët e tjerë që e lidhin me konflikte etnike, korrupsion, varfëri dhe të gjitha llojet e të këqijave të tjera. Shpesh këto janë stereotipe që nuk u përgjigjen realiteteve të Evropës Juglindore. Megjithatë, jo çdo imazh negativ i Ballkanit është një karikaturë keqdashëse. Mungesa e pavarësisë së mediave në shumë vende të rajonit, pavarësisht se cila qeveri është në pushtet dhe manipulon opinionin publik, është, për shembull, jo një stereotip, por një dukuri e përditshme.
Një fakt tjetër që lidhet me Ballkanin janë shtetet e tij të vogla. Mali i Zi p.sh. nuk ka as një të pestën e banorëve të Berlinit. Por të vogla janë edhe Estonia, Luksemburgu apo Finlanda. Dhe problemi me shtetet e Ballkanit nuk është se janë të vogla, por se janë të dobëta ekonomikisht. Rëndësia e pakët politike dhe ekonomike si dhe pozicioni i tyre midis Rusisë, Turqisë dhe Evropës së pasur Veriperëndimore e bën rajonin të prekshëm ndaj përpjekjeve për manipulim. Shumë është shkruar tashmë për manovrat e Rusisë për të trazuar gjendjen aty, ose për rikthimin e Turqisë në Ballkan.
Ndikim në rritje i Kinës
Një studim i ri hedh dritë tani për një fakt tjetër që deri tani qe anashkaluar: jo fshehurazi, por pa zhurmë Kina është bërë një investitor i rëndësishëm në Evropën Juglindore. Ekonomisti gjerman Jens Bastian, i cili jeton në Athinë, analizoi për disa muaj i ngarkuar nga “Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim” angazhimin ekonomik të kompanive kineze në Ballkan. Dhe edhe pse ai paralajmëron që të mos bëhet panik, Bastian gjithashtu thekson ndikimin e shpejtë ekonomik të Kinës në rajon dhe shtron pyetjen për dimensionin politik të këtij ndikimi.
Ndër të tjera, ai paralajmëron që Ballkani mund të bëhet gjithnjë e më i varur politikisht nga Pekini përmes kredive të bankave kineze.
Investime në infrastrukturë
Për vite, Kina ka investuar në infrastrukturën e transportit, veçanërisht tek portet, rrugët dhe rrjetet hekurudhore, në vendet e Evropës Juglindore. Shembulli më i famshëm është porti i Pireut. Ky po përjeton një bum qëkurse sipërmarrja kineze “Cosco Pacific” siguroi në vitin 2009 koncesionin për kalatat e kontejnerëve për 35 vjet. Greqisë kjo i sjell vende të reja pune. Dhe në Greqi gjatë dhjetë vjetëve të fundit nuk ka pasur ndonjë investim tjetër që të ketë qenë më i rëndësishëm.
Porti i Pireut po përjeton një bum qëkurse i kaloi me koncesion në vitin 2009 sipërmarrjes kineze “Cosco Pacific”
Në Serbi me paratë kineze po ndërtohet një linjë hekurudhore mes Beogradit dhe Budapestit si dhe një autostradë. Zakonisht bankat kineze i miratojnë kreditë për projekte të mëdha ndërtimi, nëse kredimarrësi ngarkon me zbatimin e projektit një sipërmarrje kineze dhe punëson punëtorë kinezë. Kjo do të thotë që ekonomisht prej kredive përfiton kryesisht vetë Kina, si p.sh. në rastin e urës së Danubit në Beograd që përfundoi në vitin 2014. Serbia mori një kredi prej 260 milionë eurosh nga një bankë kineze, por ajo u ndërtua nga një sipërmarrje kineze.
Koloni kineze para portave të BE-së?
A po kërcënon kështu rreziku që rajoni të shndërrohet në një koloni kineze para portave të BE-së? Jo, kjo është e ekzagjeruar. Studimi i balancuar paralajmëron me të drejtë kundër alarmizmit. Aktualisht BE-ja dhe fqinjët e saj mbeten deri tani partneri më i rëndësishëm për Ballkanin. Investimet dhe kreditë kineze janë vetëm një shtesë e mirëpritur dhe shpesh e dobishme – si p.sh. Porti i Pireut. Por avancimi kinez në Ballkan gjithashtu tregon, se nëse BE-ja nuk është e interesuar për rajonin, atëhere këtë do ta bëjnë të tjerët. Nga ana tjetër nuk ka asnjë vend tjetër në botë ku BE-ja të merret kaq seriozisht sa në Sarajevë, Tiranë, Beograd apo Shkup. Nëse BE-ja ka ndikim diku jashtë vendit dhe mund të arrijë diçka, atëherë në Ballkan. BE-ja thjesht duhet ta dojë këtë.
Michael Martens/FAZ