Koreja e Veriut mund të përballet me sanksione të reja ndërkombëtare pas pohimeve se ka rivënë në funksion reaktorët bërthamorë
Koreja e veriut duket se ka intensifikuar ndërtimin e raketave bërthamore e balistike, gjë që mund të çojë në sanksione të reja ndërkombëtare kundër regjimit të Kim Jong Un.
Media shtetërore e Koresë së veriut KCNA, tha të martën se kompleksi kryesor bërthamor në Yongbyon është duke punuar. Reaktori ishte fikur ne vitin 2007. Megjithatë, pas provave bërthamore të Koresë së Veriut në vitin 2013, Pyongyangu tha se do të rifillojë punën në kompleks.
Disa analistë ushtarakë, që kanë studiuar pamjet satelitore, thanë që në muajin janar se reaktori është sërish në funksion. Por deri tash nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar.
Administrata për zhvillimin e hapësirës ajrore të Koresë së Veriut la të kuptohet të hënën se po përgatitë lëshimin e një sateliti që ka të ngjarë të shfrytëzojë teknologjinë e raketave balistike.
“Bota do të shohë qartazi një sërë satelitësh të Koresë së Veriut duke fluturuar në qiell, në kohën dhe vendin e përcaktuar nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Koresë”, raportoi KCNA.
Analistët e huaj kanë spekuluar se Koreja e Veriut është duke planifikuar lëshimin e një rakete me rreze të gjatë veprimi, ndoshta në tetor, për të festuar 70 vjetorin e partisë në pushtet.
Koreja e Veriut pohon se lëshimet e tilla bëhen për qëllimore paqësore e jo ushtarake. Por, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj thonë se synimi i tyre është zhvillimi i teknologjisë së raketave me rreze të gjatë veprimi, që është e ndaluar me Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Shpallja e synimeve për pasurimin dhe zhvillimin e raketave pasoi incidentet kufitare të disa javëve me parë që rrezikuan një konflikt të gjerë konvencional ndërmjet dy Koreve.
Bisedimet emergjente të nivelit të lartë ndërmjet dy Koreve i dhanë zgjidhje situatës dhe të dyja palët u zotuan të organizojnë ribashkim të familjeve të ndara që kur lufta Koreane ndau gadishullin në vitin 1950 dhe për të vazhduar bisedimet për zbutjen e tensioneve rajonale. (voa)