Lugina e Silikonit, në shënjestër

facebookIndustria e teknologjisë e reklamon veten si një forcë e së mirës, duke e lidhur botën dhe duke ndihmuar rrjedhjen e lirë të informacionit. Por Lugina e Silikonit, siç quhet qendra e teknologjisë së lartë në Kaliforni, është vënë në shënjestër kohët e fundit, pas njoftimeve se disa persona në Rusi i kanë përdorur këto shërbime që ofron teknologjia për të vënë në shënjestër dhe për të ndikuar te opinioni publik në SHBA. Michelle Quinn e Zërit të Amerikës ishte në një konferencë të madhe për teknologjinë të mbajtur në San Francisko, për të parë se si kompanitë e ndryshme e shohin rolin e teknologjive të reja në shoqëri.

Në konferencën e quajtur TechCrunch Disrupt kanë ardhur themelues të kompanive të shumta për të reklamuar idetë e tyre tek investitorët dhe klientët. Debatet në Uashington për gjigandin Facebook dhe për përdorimin nga Rusia të medias sociale për të ndikuar mbi zgjedhjet amerikane duken të largëta.

Megjithatë, këta sipërmarrës shpesh pyesin veten se çfarë mund të kontrollojnë dhe çfarë jo, kur bëhet fjalë për teknologjinë që po krijojnë.

“Teknologjia i lejon njerëzit të kenë më shumë liri për të krijuar dhe për të komunikuar. Një mesazh keqdashës mund të ketë qenë i pabujshëm në të kaluarën, por sot krijon mjaft zhurmë.”

Kompania e zotit Lachlan Phillips ndihmon bizneset të bëjnë video reklama dhe t’i shpërndajnë ato në mediat sociale. Shqetësimet për përdorimin e Facebookut nga rusët për të përhapur mesazhe përçarëse në shoqërinë amerikane e bëjnë atë të mendohet thellë.

“Integriteti është absolutisht i rëndësishëm për mua dhe për kompaninë time. Unë nuk do të doja të shpërndaja informacione me të cilat personalisht nuk jam dakord në një farë mase. Dhe mendoj se është e rëndësishme që kompanitë ta bëjnë këtë. Sidomos në klimën e ndjeshme që është krijuar.”

Amy Chen krijoi kompaninë 99 Voices për të lejuar njerëzit të vlerësojnë politikanët dhe bizneset. Ajo ende përpiqet të gjejë mënyra teknike për ta bërë sistemin e saj të vlerësimit të padepërtueshëm nga ata që përpiqen ta hakerojnë atë.

“Nuk e di nëse teknologjia mund ta zgjidhë këtë çështje. Do të ishte mirë nëse kjo bëhet një platformë me të cilën të mund të shprehet me vërtetësi opinioni i publikut”.

Disa sipërmarrës thonë se ajo që ka rëndësi është objektivi i një kompanie, e jo mënyrat me të cilat një teknologji mund të përdoret ose të keqpërdoret.

“Mendoj se deri në njëfarë mase duhet të ketë një lloj kontrolli, por kjo mund të thuhet për çdo industri. Nëse shohim teknologjinë me të cilën unë merrem, hapësira e mesazheve të koduar, njerëzit thonë se në këtë fushë ekzistojnë mjaft mangësi, që mund të shfrytëzohen për gjëra negative. Por kjo mund të thuhet edhe për një kompani makinash apo avionësh. Nëse kompania ka qëllime të mira, kjo si fillim është gjë e mirë.”

Facebook njoftoi se do të shtojë masat për një mbikëqyrje njerëzore të procesit të automatizuar të reklamave. Qëllimi: fshirja e reklamave që rezultojnë të jenë kundër racave, etnive, feve apo grupeve të caktuara.

“Ne jemi ende një shoqëri njerëzore dhe kemi nevojë për elementin njerëzor në komunikimin me njëri-tjetrin”.

Edhe në këtë konferencë, ku e ardhmja shihet me mjaft entuziazëm, ekziston njëkohësisht ndjesia se kufijtë dhe fuqia që mund të arrijë teknologjia është herë-herë shqetësuese, gati e frikshme. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>