Lundrim virtual

lundrim virtualRyan Abrahamsen, founder of Terrain 360, a virtual river mapping company, on the Patuxent River in Maryland, with passenger.

Rreth 400 vjet më parë, eksploruesi anglez, Kapiteni John Smith lundroi nëpër gjirin e Çesapikut në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara, që njihet si pellgu më i madh ujor i vendit ku uji i ëmbël nga lumenjtë dhe rrjedhat përzihet me ujin e kripur të oqeanit. Ai përpiloi hartat e gjirit dhe lumejve që derdheshin në të. Tani vizitorët mund të realizojnë një udhëtim virtual në 11 nga këta lumenj. Korrespondentja Deborah Block lundroi nëpër lumin Patuxent me një barkë të vogël të pajisur me aparate fotografike dhe kompiuter për të parë si realizohet projekti i realitetit virtual:

Në lumin Patuxent në Meriland, një ndër lumenjtë që derdhen në Çesapik, kjo barkë është projektuar dhe ndërtuar nga Ryan Abrahamsen ((Abra-HAM-sen)), themelues i kompanisë “Terrain 360”. I frymëzuar nga programi “Google Street View” që ofron pamje reale të rrugëve në qytete, Abrahamsen ka krijuar një tur virtual të lumenjve siç shihen gjatë udhëtimit me barkë. Procesi është mjaft i komplikuar:

“Kemi montuar gjashtë aparate fotografike, një ndjesor për dritën dhe një mjet orientimi fizik GPS. Në pjesën e poshtme kemi një kompiuter me ekran të ndritshëm që kontrollohet me prekje të ekranit. Aparatet fotografike komandohen nga kompiuteri, i cili gjithashtu regjistron të dhënat dhe pamjet, GPS-s merr koordinatat, regjistrohet presioni atmosferik, lagështia dhe temperatura”.

Gjatë lundrimit, lentet me rreze të gjerë fotografojnë çdo 12 metra. Për të krijuar pamjet me rezolucion të lartë që ofrojnë imazhin panoramik të lundrimit, duhen qindra mijëra fotografi.

Sot, Abrahamsen i shton hartës së lumit Patuxent 200 mijë fotografi të reja nga një liman ku ai ka kapur shumë detaje të ndryshme

Udhëtimi virtual në 11 lumejtë e gjirit të Çesapikut financohet nga shoqata ambjentaliste “Chesapeake Conservancy” dhe mund të shihet në faqen e tyre elektronike chesapeakeconservancy.org:

“Donim të ofronim për publikun informacion dhe frymëzim që të dalin e t’i vizitojnë lumenjtë, të eksplorojnë gjirin e Çesapikut që pastaj të duan ta mbrojnë atë,” thotë presidenti i shoqatës, Joel Dunn.

Abrahamsen thotë se vizitat virtuale tregojnë bukurinë e lumenjve, por shpalosin edhe problemet mjedisore.

“Brigjet janë dëmtuar nga erozioni, ka ndotje, shihen derdhjet e ujit nga qytetet, shihen goma makinash. Publiku sheh gjëra që duhet të pastrohen, sheh nevojën për t’u kujdesur për mjedisin ku jetojmë, për ekosistemin e lumenjve”.

Lumenj si Patuxent dhe të tjerë që derdhen në gjirin e Çesapikut ndodhen fare pranë qyteteve të mëdha si Uashingtoni dhe Baltimore dhe janë një mundësi për banorët e këtyre qyteteve që të shijojnë këtë bukuri të natyrës.

“Njerëzve mund t’u shërbejë udhëtimi virtual nga shtëpia apo zyra për të planifikuar një udhëtim real. Por mund ta vizitojnë faqen edhe kur janë duke lundruar apo kudo tjetër,” thotë presidenti i shoqatës “Chesapeake Conservancy”.

Këta lumenj janë pjesë e turneut “Harta Historike e Kapitenit John Smith,” i pari tur historik në Shtetet e Bashkuara që zhvillohet plotësisht në rrugë ujore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>