Një raport i ri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se më shumë se 90 për qind e popullsisë së botës është e ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit, gjë që kontribuon në një numër problemesh shëndetësore. Të dhënat e reja të publikuara sot nga agjencia e OKB-së tregojnë se problemi është më i përhapur në qytetet e mëdha, por njerëzit mund të habiten pasi të mësojnë se sa e keqe është cilësia e ajrit edhe në zonat rurale.
Duke folur në Gjenevë sot, drejtorja e OBSH-së për shëndetin publik dhe mjedisin, Dr. Maria Neira, e cilëson situatën si një emergjencë e shëndetit publik global:
“Ndotja e ajrit shkakton 6,5 milionë vdekje çdo vit, dhe është një sfidë e madhe dhe ndoshta një nga problemet më të mëdha shëndetësore, dhe rreziku më i madh mjedisor për shëndetin. Për ne është shumë e rëndësishme t’i bëjmë të ditura këto të dhëna, për politikanët që të kuptojnë, për qytetarët që të jenë të vetëdijshëm, dhe për vendet që të bëjnë diçka dhe për të gjithë ne që të promovojmë nisma që do të shkaktojnë uljen e ndotjes së ajrit, dhe duke bërë kështu, mund të ulim numrin e 6,5 milionë vdekjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit çdo vit , të cilat janë të papranueshme” thotë Dr. Maria Neira.
OBSH-ja vlerëson se më shumë se 92 për qind e njerëzve preken nga ndotja e ajrit, dhe ajri i cilësisë së dobët kontribuon në më shumë se gjashtë milionë vdekje në vit. Pothuajse të gjithë këto vdekje – rreth 90 për qind – kanë ndodhur në vende me të ardhura të ulëta ose mesatare.
Të dhënat u mblodhën nga rreth 3.000 mjedise në të gjithë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë, nuk pranoi të thotë publikisht se cili shtet ka ndotjen më të madhe, por të dhënat tregojnë se vendet e Azisë jug-lindore dhe rajoni perëndimor i Paqësorit, duke përfshirë Kinën, Malajzinë dhe Vietnamin, kanë nivelet më të larta të ndotjes. (voa)