Kryeministri hungarez Viktor Orban kërkon që Ukraina të hapë tubacionet për kalimin e gazit rus në Evropën Lindore, si kusht për të miratuar zgjatjen e planifikuar të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.
Hungaria vuri si kusht për miratimin e zgjatjes së sanksioneve të BE-së kundër Rusisë që Kievi të rihapë gazsjellësin që mbylli në fillim të vitit. Përmes këtij gazsjellësi dërgohej në vende të tjera të Evropës Qendrore pra dhe në Hungari, gaz natyror nga Rusia, tha kryeministri Viktor Orban në radion-televizionin shtetëror të Hungarisë.
Zgjatja e planifikuar e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë është të hënën (27.01.) në rendin e ditës në Bruksel, sepse, nëse nuk zgjaten, sanksionet aktuale të BE-së kundër Rusisë përfundojnë më 31 janar.
Orbani tha se lidhur me këtë çështje kishte “tërhequr frenën e dorës”, ngaqë tre vitet e fundit Hungaria ka humbur 19 miliardë euro për shkak të sanksioneve ekzistuese ndaj Rusisë.
Kritikave të ashpra të kryeministrit hungarez Orban për ndërprerjen e furnizimit me gaz natyror nga Rusia për shkak të mbylljes së gazsjellësit që kalon përmes territorit të Ukrainës u është bashkuar edhe homologu i tij sllovak Robert Fico.
Kushte shtesë ndaj Ukrainës
Orbani përmendi edhe dy kushte të tjera për të thënë “po” për zgjatjen e sanksioneve ndaj Rusisë: Ukraina duhet të ndalojë sulmet ushtarake ndaj rrugës alternative përmes së cilës Hungaria merr aktualisht gaz nga rus. Fjala është për gazsjellësin turk, i cili kalon nëpër Ballkan. Ndaj këtij gazsjellësi ka pasur sulme ukrainase në pikën kufitare në territorin rus.
Së treti ai kërkoi garanci që Ukraina nuk do ta ndalojë kalimin e naftës nga Rusia, e cila, ashtu si gazi, vjen në Hungari përmes naftësjellësit Druzhba tubacionet e të cilit kalojnë gjithashtu përmes territoriti të Ukrainës.
Hungaria i mbulon më shumë se 80 për qind të nevojave të saj për gaz dhe naftë nga Rusia.
Vendimi zyrtar për zgjatjen e sanksioneve të BE-së duhet të merret nga Këshilli i Bashkimit Evropian njëzëri. Deri tani samiti i BE-së e ka dhënë zakonisht mandatin për këtë zgjatje. Sipas rregullit aktual parashikohet që sanksionet duhet të rinovohen çdo gjashtë muaj.
dw