Një grup makinash inteligjente të teknologjisë së lartë u reklamuan së fundmi në një panair të Londrës. Përmes panelit të aparaturave në makinë, shoferi mund të kontrollojë çdo gjë, që nga lista e këngëve të preferuara e deri tek termostatet në shtëpi. Por, ekspertët paralajmërojnë se me më shumë ndërlidhje të teknologjisë vjen edhe një kërcënim më i madh nga hakerat.
Modeli elegant S i kompanisë Tesla tërhoqi mjaft vëmendje në panairin e makinave të ndërlidhura në Londër, por kompania “EVE” thotë se brendësia është ajo që ka rëndësi.
Kompania kanadeze demonstroi eksperiencën më të fundit të ndërlidhjes në makina që lejon motoristët të kenë qasje të shpejtë ndaj aplikacioneve të ndryshme, përshi median sociale, imeilat, kalendarin, motin dhe kilometrazhin.
Teknologjia e re brenda makinës i lejon shoferët të lidhen me pajisjet që kontrollohen përmes internetit në shtëpitë e tyre si dritat, dyert dhe termostatet.
Kjo do të thotë se ata mund të personalizojnë automatizime të ndryshme, si mbylljen e dyerve të shtëpisë apo fikjen e dritave pa lëvizur nga makina.
“Shumë njerëz po fillojnë të vendosin pajisje inteligjente në shtëpitë e tyre si termostatët, çelësat e dritave, të garazheve dhe të dyerve. Ne mundësojmë lidhjen e këtyre pajisjeve nga makina në një mënyrë inteligjente ku mund të automatizosh për shembull një proçes, që kur largohesh nga shtëpia me makinë, të kyçet dera e shtëpisë, garazhi, dritat dhe të ulet termostati,” thotë Jason Taylor, i kompanisë “Evolved Vehicle Environments”.
Zoti Taylor thotë se synimi nuk është që njerëzit në timon të hutohen duke përdorur median sociale si Instagramin apo Twitterin, por e kundërta.
“Synimi është që kur je i bllokuar në trafik të kesh me se të merresh për të shfrytëzuar kohën pa patur nevojën të hapësh telefonin që të tërheq vëmendjen. Realiteti është se njerëzit i përdorin celularët gjithë kohën. Gati 70 përqind e njerëzve e pranojnë se përdorin telefonat kur ngasin makinën megjithëse është e jashtëligjshme“ thotë zoti Taylor.
Kompania “Ecotive” and “Frazer-Nash Research” po demonstron taksi elektrike të ndërtuara për të pakësuar ndotjen në rrugët e Londrës, duke mundësuar njëkohësish shpejtësi në shërbim.
“Është 100 përqind elektrike gjithë kohën”, thotë Noamaan Siddiqi, menaxher në kompaninë “Frazer-Nash Research”.
“Ka një bateri të vogël që furnizon rrotat e pasme dhe kur bateria mbaron, ka një motor me një litër benzinë, një motor me tre cilindra i lidhur gjithmonë me njëgjenerator, i cili furnizon baterinë sa herë ajo shkarkohet.“
Por jo vetëm kaq – taksia e zezë është gjithashtu e pajisur me teknologji inteligjente që ndërlidh argëtimin në shtëpi, komunikimin në zyrë, si dhe atë mes shoferit dhe pasagjerit.
Pasagjerët mund të luajnë video, të dërgojnë imeila, të kontrollojnë median sociale apo të luajnë lojra elektronike.
Por, ndërsa ndërlidhja në makina po shtohet, ekspertët thonë se bashkë me të rritet edhe rreziku i hakerëve.
Andy Davis është drejtor i kërkimeve me kompaninë e ekspertëve të sigurisë kibernetike, “NCC Group”:
“Lidhjet si me Wi-Fi apo Bluetooth, shtojnë mundësinë e hakerave për të hyrë brenda sistemit që ka makina.“
Zoti Davis thotë se prodhuesit e makinave po e mendojnë seriozisht rrezikun që sjell rritja e teknologjisë veçanërisht në panelin e aparaturave të makinës dhe se të gjithë po e kuptojnë rëndësinë që ka siguria kibernetike. (voa)