Pengesat për anëtarësim në BE të Bosnjës

bosnjaBosnje-Herzegovina aplikoi këtë javë për të hyrë në Bashkimin Evropian – shteti më i ri i ish-Jugosllavisë që kërkon të ardhmen e tij në këtë bllok. Megjithëse kjo është mirëpritur në Sarajevë dhe Bruksel, përpara ka pengesa të shumta.

21 vjet pas përfundimit të luftës në Bosnje, udhëheqësit e vendit kanë premtuar të punojnë drejt një të ardhmeje në Bashkimin Evropian.

“Ky do të jetë viti i reformave të rëndësishme në Bosnje-Hercegovinë dhe ne besojmë se nuk do të ndalemi në këtë rrugë, sepse duam të arrijmë atë që kanë bërë fqinjët tanë”, thotë Dragan Çoviç, kryetari kroat i Presidencës së radhës.

Diplomatët e Brukselit e mirëpritën aplikimin e Bosnjes për anëtarësim.

“Duke pare energjinë dhe gatishmërinë e fqinjit tone për t’u bashkuar dhe punuar fort për të përshtatur shoqërinë, ekonominë, institucionet dhe sistemet me standartet evropiane, kjo na jep një ndjenjë përgjegjësie që edhe ne kemi për qytetarinë e  Bashkimit Evropian”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Të dyja palët e pranojnë se anëtarësimi i Bosnjes në BE është disa vite larg, thotë analisti James Ker-Lindsay.

“Ka patur përmirësim në disa zëra, por ka ende shumë gjëra që janë bërë gabim në atë vend. Mendoj se Bashkimi Evropian e sheh këtë si një mundësi të mire për të çuar përpara procesin e pajtimit.”

Në Sarajevë, lajmi i aplikimit të Bosnje-Hercegovinës u përshëndet me entuziazëm.

“Pa dyshim, mendoj se zgjidhja për të gjithë njerëzimin është bashkimi, jo ndarja. Për këtë arsye, mendoj se ky është një hap i madh për ne,”thotë Nexhla Sehiç, banore e Sarajevës.

Por ka edhe skeptikë.

“Me mentalitetin tonë dhe me politikanët tanë, nuk do t’a arrijmë ditën për t’u bashkuar me BE-në”, thotë Bajazit Sosiç, banor i Sarajevës.

Sipas marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, administrata e vendit u nda në Federatën e Bosnje-Hercegovinës me shumicë kroate dhe myslimanë boshnjakë, dhe Republikën Srpska, me shumicë serbe.

Ky sistem do të duhet të ndryshojë, nëse Bosnja dëshiron të bashkohet me BE-në, thotë analisti Ker-Lindsay.

“Ajo që po ndodh është se, përshembull, komuniteti boshnjak kërkon të centralizojë sa më shumë pushtetin. Atyre nuk u pëlqen që serbët e Bosnjes kanë entitetin e tyre. Ndërkohë serbët e Bosnjes ruajnë me xhelozi pushtetin që kanë dhe nuk duan ta lëshojnë edhe nëse është fjala për hyrje në BE.”

Më shumë se një milion boshnjakë u larguan nga vendi gjatë luftës. Ndërsa Evropa përballet me krizën e refugjatëve, diplomatët në Bruksel e shohin aplikimin e Bosnje-Hercegovinës si një afirmim të parimeve themelore të bllokut për paqe dhe ripajtim. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>