Prodhuesit e automjeteve kanë nxjerrë mësime nga përvoja e kompanive që prodhojnë celularë dhe po i pajisin makinat e reja me kapacitete të ndryshme që aktivizohen me një të prekur. Korrespondentja Tina Trinh ishte në panairin e automjeteve në Nju Jork dhe na dërgoi kronikën:
Sot të gjithë ne shpenzojmë shumë kohë me celularë. Prodhuesit e automjeteve e kanë vënë re këtë prirje dhe po prodhojnë makina që kryejnë shumë funksione përmes komunikimit dixhital:
“Të gjithëve na pëlqejnë pajisjet elektronike që të ofrojnë çdo gjë me një të prekur. Nuk ke nevojë të shkosh nga një vend në tjetrin për t’i kryer të gjitha gjërat vetë,” thotë Jim Buczkowski, që punon në sistemin elektronik të kompanisë Ford.
Fordi prezantoi kohët e fundit platformën FordPass, që i jep mundësi shoferit të makinës të kryejë shërbime si pagesën për parkim, apo të kërkojë e të gjejë vend parkimi.
“…Këtu mësoj se sa kushton parkimi, kur e miratoj kërkesën më dërgojnë një kod me të cilin arrij të futem në vendin ku do të parkoj”.
Kompania Buick ofron aplikacionin OnStar RemoteLink, i cili i lidh përdoruesit me makinat e tyre, kudo që ndodhen.
“Këtë makinën që ndodhet në Detroit unë mund ta ndez që nga Nju Jorku. Ta zëmë unë kam çelësin e vetëm të makinës, por gruaja do të futet në makinë, më njofton mua dhe unë e hap derën që këtu,” thotë Stuart Fowle, Menaxher i sektorit të komunikimeve, Buick .
Këto mundësi të reja ofrohen përmes teknologjisë 4G LTE, me të cilën mund të lidhen deri në katër mjete elektronike në çdo moment.
“Duam që njerëzit në makinë të ndjehen sikur të jenë në shtëpinë e tyre. Shumë njerëz kërkojnë vetëm një përvojë sa më të mirë të ngarjes së makinës, por tani do të kenë edhe përvojën e lidhjes dixhitale,” thotë menaxheri i kompanisë Buick, Rob Peterson.
Lind pyetja, si ndikon kjo ndërlidhje tek privacia?
“Për këtë krijuar një përvojë sa më të përshtatshme me kërkesat e individit, duhet të fusësh të dhëna personale, këtë e vendos vetë konsumatori,” thotë Jim Buczkowski i kompanisë Ford.
Për disa konsumatorë, privacia nuk përbën problem:
“Konsumatorët e rinj në moshë janë shumë më të gatshëm të ofrojnë të dhëna personale se sa ata në moshë më të madhe, kjo prirje do të vërehet edhe në reagimin e tyre ndaj teknologjisë në makinë,” thotë analistja e tregut të automjeteve Stephanie Brinley.
Me të gjitha kapacitetet e reja që janë pajisur makinat sot, shpesh do të bëhet e paqartë se kush është vërtetë drejtuesi i automjetit.