Ndërkohë që afati për arritjen e një marrëveshjeje mbi programin bërthamor të Iranit po afrohet, bisedimet po përqëndrohen rreth centrifugave, uraniumit të pasuruar, dhe reaktorëve me ujë të rëndë. Korrepondenti i Zërit të Amerikës Steve Baragona shpjegon rëndësinë e këtyre elementeve që janë temë kryesore e bisedimeve bërthamore të Perëndimit me Iranin.
Brenda një bombe bërthamore, atomet e uraniumit ose të plutoniumit ndahen.
“Ky proces lëshon energji e cila mbanë të bashkuar atomin. Është energjia që përbën forcën shpërthyese”.
Barry Blechman është bashkëthemelues i Qendrës Stimson në Uashington. Ai thotë se uraniumi pasurohet kur ai goditet nga një pjesëz e quajtur neutron. Uraniumi ka dy forma kryesore, apo izotope: U235 dhe U238, që është pak më e rëndë.
“Vetëm uraniumi U235 ka potencial shpërthyes. Uraniumi natyror, që nxirret nga toka, përmban më pak se 1 përqind U235″.
Pra uraniumi natyror duhet të pasurohet.
Në këtë proces hyjnë në lojë centrifugat, thotë ish-negociatori Robert Einhorn, i Institutit Brookings.
“Së pari, merret uraniumi në formën e gazit, i cili më pas vendoset në centrifuga të cilat rrotullohen me shpejtësi të lartë. Pastaj izotopet e uraniumit ndahen sipas peshës”.
Por ato ndahen vetëm pak. Pra uraniumi i pasuruar pak shkon në një tjetër centrifugë për t’u pasuruar më shumë. Ky proces përsëritet derisa të arrihet niveli i dëshirueshëm i pasurimit.
“Nëse pasurohet në nivelin 3 apo 4 përqind, ai mund të përdoret për të siguruar lëndë djegëse për një reaktor bërthamor. Por në qoftë se pasurohet në nivelin rreth 90 përqind, atëherë ai mund të përdoret për një bombë bërthamore”.
Irani ka ndërtuar edhe një reaktor bërthamor që mund të funksionojë me uranium natyror në vend të uraniumit të pasuruar.
Ekspertët shqetësohen se ky lloj centrali, që quhet reaktor me ujë të rëndë, mund ta kthejë uraniumin në plutonium, një material tjetër i prodhimit të bombës.
Ndryshe nga uraniumi U235, që pasurohet kur goditet nga neutroni, U238-a është një lloj uraniumi natyror i cili thith neutronin dhe kthehet në plutonium.
“Kur furnizon një reaktor me këtë lloj uraniumi natyror, ai prodhon një sasi të konsiderueshme plutoniumi nga materiali i shpenzuar. Është shqetësues fakti se ky lloji reaktori është përdorur nga një numër vendesh për të filluar programin e tyre të armëve bërthamore”.
Ky reaktor me ujë të rëndë mund të prodhojë lëndë kimike që përdoren për trajtimin e kancerit me rrezatim. Me pak ndryshime, ai ende mund t’i prodhojë këto kimikate, por me shumë më pak plutonium.
Negociatorët po përpiqen të gjejnë mënyra për t’i bërë këto ndryshime pjesë të një marrëveshje shumë më të madhe që do të ngadalësonte rrugën e Iranit drejt prodhimit të një bombe bërthamore. Marrëveshja, në qoftë se arrihet, do të vonojë aftësinë e Iranit për të ndërtuar një bombë me të paktën një vit. Kjo do t’i jepte kohë botës për të reaguar. Tre faktorë e mëdhenj janë:
“Largimi i rezervave të uraniumit të pasuruar pjesërisht, kufizimi i numrit të centrifugave dhe masat që ata të mos ndërtojnë centrifuga më të avancuara. Centrifugat që ata kanë përdorur deri tani janë të modelit të vjetër, dhe shumë të ngadalshme”.
Centrifugat më të shpejta do ta shkurtonin kohën e prodhimit të një bombe dhe do të rrisnin shqetësimin e botës rreth programit bërthamor të Teheranit. (voa)