Në Rusi, një gjykatës dha urdhër për ta dërguar kritikun e Kremlinit Alexei Navalny në paraburgim për 30 ditë, pa përfillur thirrjet e vendeve perëndimore për të liruar menjëherë politikanin e opozitës.
Vendimi merret një ditë pasi policia e ndaloi atë në aeroport ndërsa ai kthehej në vendin e tij për herë të parë që kur u helmua me një agjent nervor ushtarak dhe mund të jetë hapi i parë që ai të burgoset për një periudhë të gjatë.
Gjyqtari tha se vendimi jepej pasi Navalny kishte shkelur kushtet e një dënimi të pezulluar me burg.
Shërbimet e burgjeve të Moskës kishin aplikuar për të kthyer në fuqi në fund të muajit dënimin e pezulluar prej 3.5 vjetësh, ku ai u gjet fajtor për përvetësim. Zoti Navalny thotë se akuzat ishin të manipuluara. Ai përballet edhe me tre çështje të tjera penale.
Kombet e Bashkuara dhe vendet e Perëndimit i bënë thirrje Moskës para marrjes së vendimit që ta linin të lirë zotin Navalny. Disa vende kanë bërë thirrje për sanksione të reja nga Bashkimi Evropian si reagim për helmimin e opozitarit Navalny. Moska u kundërpërgjigj duke thënë se ata nuk duhet të ndërhynin në punët e brendshme.
Përmes një video të postuar në Twitter pas marrjes së vendimit, zoti Navalny u bëri thirrje rusëve që të dalin në protesta.
“Mos u frikësoni, dilni në rrugë. Mos dilni për mua, por për veten tuaj, për të ardhmen tuaj,” shkruante zoti Navalny.
Ai e quajti trajtimin e tij të paligjshëm në bazë të ligjit rus ndërsa sulmoi Presidentin Vladimir Putin, duke e akuzuar atë për shkelje të kodit penal.
voa