Vendimi i gjykatës për Dodikun, më 26 shkurt

DodikVendimet e Gjykatës së shkallës së parë ndaj presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe ndaj ushtruesit të detyrës të drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë, Millosh Llukiq, do të shpallen më 26 shkurt.

 

Kështu njoftoi gjykatësja Sena Uzonoviq pasi Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës dhe mbrojtja mbajtën fjalët përfundimtare më 19 shkurt.

Vendimi do të mund të apelohet si nga Prokuroria, ashtu edhe nga mbrojtja.

Dodik dhe Llukiq akuzohen për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, dhe rrezikojnë të dënohen me burgim deri në pesë vjet dhe ndalim të veprimtarisë politike.

Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshëm dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, që më parë ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë. Llukiq akuzohet për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve, të cilat parashikojnë se vendimet e përfaqësuesit të Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës nuk do të zbatohen në atë entitet.

Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës, në seancën përfundimtare më 19 shkurt, kërkoi nga Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës që t’i shqiptojë një dënim me pesë vjet burgim presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe t’ia ndalojë atij veprimtarinë politike për dhjetë vjet.

Të njëjtin dënim maksimal prokurorët e kërkuan edhe për Millosh Llukiqin, ushtrues detyre i drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Sërpska.

Çfarë tha Dodiku para gjykatës?

Në deklaratat e tij përfundimtare, Millorad Dodik, tha se “ne duhet të luftojmë së bashku në mënyrë që Bosnje e Hercegovina të mos jetë më protektorat, por të rifitojë sovranitetin e saj”.

Ai vazhdimisht përsëriti se Schmidt është zgjedhur në mënyrë të paligjshme dhe se nuk ka asnjë vendim të ndonjë institucioni që thotë se ai është përfaqësues i Lartë, prandaj, Dodik argumentoi se Schmidt nuk ka legjitimitet që të ndryshojë ligje.

Ai vuri në pikëpyetje Fuqitë e Bonit, duke i quajtur “blofi të komunitetit ndërkombëtar”.

Dodik tha se Prokuroria dhe Gjykata e Bosnje e Hercegovinës nuk janë kategori kushtetuese dhe se ai është i vetmi në gjykatore, në cilësinë e presidentit të Republikës Sërpska, që është kategori kushtetuese.

Ai theksoi se Prokuroria duhet të padisë përfaqësuesin e Lartë të Bosnjës për shkelje të Kushtetutës së shtetit dhe të Kushtetutës të Republikës Sërpska, në vend se ta ndjekin atë penalisht për mosrespektimin e një vendimi, që ai e konsideroi të paligjshëm.

Dodik tha se asnjë nga procedurat e parapara me ligj për emërimin e Përfaqësuesit të Lartë nuk janë ndjekur.

Në fund, ai i tha gjykatëses se vendimi i saj do të jetë subjekt i një analize ligjore dhe se vendimi i saj do të tregojë nëse ajo do të mbrojë Kushtetutën dhe ligjet e Bosnjës apo do të mbrojë Schmidtin, apo “Përfaqësuesin e Lartë të paligjshëm”.

Më herët gjatë ditës, mbrojtja e Dodikut dhe Llukiqit në fjalën përfundimtare deklaruan se vepra penale, për të cilën janë akuzuar, “nuk ka pasoja ligjore apo çfarëdo pasoje tjetër”, pasi përfaqësuesi i Lartë i ka anuluar të dyja ligjet dhe se për këtë arsye “nuk ka as vepër penale”.

Ata kujtuan se Dodiku kishte nënshkruar dekretet për shpalljen e dy ligjeve, ndërsa Lukiq kishte urdhëruar publikimin e tyre, para se vendimet e përfaqësuesit të Lartë, me të cilat këto ligje u anuluan, të publikoheshin në Gazetën Zyrtare të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe të hynin në fuqi.

Mbrojtja argumentoi gjithashtu se, nëse Dodiku dhe Llukiqi do të kishin refuzuar të nënshkruanin dhe publikonin dekretet, ata do të kishin shkelur Kushtetutën dhe ligjet e Republikës Sërpska dhe në atë rast do të përballeshin me dënim me burgim deri në 12 vjet.

Në fjalën përfundimtare, procesin ata e cilësuan sërish si “politik” dhe “nën ndikimin e të huajve”, ndërsa Christian Schmidtin e quajtën “përfaqësues të lartë jolegjitim”, duke përsëritur tezat e vjetra se ai nuk është konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ashtu siç janë konfirmuar përfaqësuesit e mëparshëm.

Përpara ndërtesës së Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës gjatë 19 shkurtit u vërejt një prani e shtuar e forcave policore të Ministrisë së Brendshme të Kantonit të Sarajevës. Aty janë mbledhur edhe përkrahësit e Dodikut.

Derisa po pritet përfundimi i një gjyqi njëvjeçar, presionet ndaj Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës po rriten.

Nga njëra anë, udhëheqësia e RS-së kërcënon me “vendime radikale” dhe braktisjen e të gjitha institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës nëse Dodiku dënohet.

Presion ushtrojnë edhe përfaqësuesit e autoriteteve të Serbisë fqinje, si dhe të Hungarisë.

Kështu, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Budapest më 17 shkurt se shpreson që “në Bosnje e Hercegovinë të mos merren vendime gjyqësore që mund të rrezikojnë stabilitetin”.

Dy ditë para seancës së fundit, edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, bëri thirrje për “ndalimin e ndëshkimit të Dodikut”, i cili, bashkë me të gjithë udhëheqësinë e RS-së, është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për korrupsion dhe minimin e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Çfarë çoi në këtë gjyq?

Në seancat e Asamblesë së RS-së në qershor të vitit 2023 u miratuan ligje jokushtetuese që parashikonin se aktet ligjore të përfaqësuesit të Lartë nuk do të publikoheshin në Gazetën Zyrtare të RS-së dhe se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës, të cilat sipas Kushtetutës së këtij shteti janë përfundimtare dhe detyruese, nuk do të zbatoheshin në territorin e këtij entiteti.

Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt, i anuloi këto dy ligje entiteti më 1 korrik 2023 përmes kompetencave të tij të Bonit dhe ndryshoi Kodin Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës, duke e bërë vepër penale moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë.

Më 7 korrik 2023, Dodik nënshkroi dekretet, me të cilat i shpalli këto ligje të vlefshme, dhe ato u botuan në Gazetën Zyrtare të RS-së. Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës ngriti aktakuzë ndaj Dodikut dhe Llukiqit më 11 gusht, dhe gjykata e konfirmoi atë më 11 shtator.

rel

 

Me çfarë kërcënon Dodiku pas një dënimi të mundshëm? 

Referendum për shkëputjen e Republikës Sërpska (RS), heqje të kompetencave të Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë dhe Hercegovinës në territorin e këtij entiteti dhe tërheqje nga institucionet shtetërore.

 

Këto janë opsionet me të cilat kërcënon Millorad Dodik, president i Republikës Sërpska, nëse Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës e dënon për mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë.

Përveç Dodikut, në gjyq është edhe Millosh Llukiq, ushtrues i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së.

Nëse shpallen fajtorë, ata përballen me dënime me burgim deri në pesë vjet, shkarkim nga detyra dhe ndalim të ushtrimit të funksionit.

Fjala përfundimtare në gjyqin ndaj Dodikut dhe Llukiqit u paraqitën më 19 shkurt dhe gjykatësja më pas njoftoi se vendimet për ta do të shpallen më 26 shkurt.

Dodik, bashkëpunëtorët e tij politikë dhe partnerët e koalicionit, në një takim në Banja Llukë më 17 shkurt në mbrëmje, vendosën se RS-ja është “e gatshme për marrjen e vendimeve radikale” nëse shqiptohet një vendim dënues.

Pas takimit, u bë e ditur se të gjithë përfaqësuesit e Republikës Sërpska në institucionet shtetërore të Bosnjë dhe Hercegovinës do ta ndërpresin punën në rast të një vendimi dënues.

Gjithashtu, u njoftua për një iniciativë që Kuvendi Popullor i RS-së të jetë në “seancë të përhershme, për shkak të situatës aktuale shoqërore dhe politike”.

Kushtetuta e RS-së tashmë përcakton që ky organ legjislativ të punojë në seancë të përhershme, ndërsa seancat e tij thirren nga kryetari i Parlamentit.

Në ditën e seancës përfundimtare, më 19 shkurt, Qeveria e RS-së do të takohet me të gjithë kryetarët e komunave dhe kryetarët e qyteteve të RS-së, pas së cilës do të mbajë një mbledhje.

Tërheqja nga institucionet shtetërore

Ndërprerja e punës në institucionet shtetërore është hapi i fundit konkret i shpallur nga autoritetet e Republikës Sërpska.

“Të gjithë përfaqësuesit e popullit serb dhe të Republikës Sërpska në nivelin e Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe të gjithë të punësuarit në institucionet e Bosnjë dhe Hercegovinës, do të tërhiqen nga institucionet dhe do ta ndërpresin punën”, u bë e ditur pas takimit të 17 shkurtit në Banja Llukë.

Koalicioni qeverisës në RS, i udhëhequr nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) e Dodikut, shpeshherë ka kërcënuar edhe më parë me tërheqjen nga institucionet e Bosnjë dhe Hercegovinës nëse vendimet në nivel shtetëror nuk janë në përputhje me interesat e tyre.

Për mospjesëmarrje në seancat e organeve shtetërore nuk parashikohen sanksione, dhe duke marrë parasysh mekanizmat e nevojës së shumicës etnike dhe të entiteteve, në këtë mënyrë mund të bllokohen të gjitha proceset në shtet.

Në korrik të vitit 2021, përfaqësuesit e RS-së u tërhoqën nga Parlamenti, Këshilli i Ministrave dhe Presidenca e Bosnjë dhe Hercegovinës, pasi përfaqësuesi i atëhershëm i Lartë, Valentin Inzko, imponoi ndryshime në Kodin Penal të shtetit, me të cilat ndalohej mohimi i gjenocidit dhe lavdërimi i kriminelëve të luftës.

Bllokada e pushtetit përfundoi pak më shumë se gjysmë viti më vonë, më 1 shkurt 2022, kur Parlamenti i entitetit miratoi një përfundim që u lejonte zyrtarëve të zgjedhur nga RS-ja të merrnin pjesë në seancat e institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës, por që në vendimmarrje të “respektonin qëndrimet dhe vendimet e institucioneve” të entitetit.

Herën e tjetër kur politikanët nga Republika Sërpska kërcënuan me tërheqje nga institucionet shtetërore ishte në shtator të vitit 2023, nëse, siç thanë atëherë, “do të vazhdonin provokimet e Christian Schmidt”.

Referendumi për shkëputje

Në fillim të janarit, Dodik deklaroi se në rast të një vendimi dënues do të mbahet një referendum për pavarësinë e Republikës Sërpska.

“Nëse jepet një vendim i tillë, çfarëdo që të thonë të tjerët, menjëherë do të keni një vendim të Parlamentit për ndarjen nga Bosnja dhe Hercegovina dhe do të keni një referendum për pavarësinë e Republikës Sërpska “, tha Dodik në një intervistë për Radio-Televizionin e RS.

Republika Sërpska e ka përfshirë referendumin në Kushtetutën e saj të entiteteve dhe në Ligjin për referendumin dhe nismën qytetare. Përveç komunave dhe qyteteve për çështje lokale, një referendum mund të organizohet në nivel entiteti “për çështje që janë në kompetencë të Kuvendit Popullor të RS-së”.

Republika Sërpska nuk mund të shpallë referendum për një çështje shtetërore, as sipas Kushtetutës së entitetit, as sipas asaj shtetërore. Pyetja e referendumit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Kushtetuta e Bosnjë dhe Hercegovinës, si dokumenti kryesor juridik i shtetit, nuk e parashikon fare këtë mënyrë të vendimmarrjes.

Gjithashtu, çdo përpjekje për shkëputje do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe Kushtetutës së Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila është pjesë e saj.

Prej vitesh, Dodik ka paralajmëruar shkëputjen e Republikës Sërpska dhe ka punuar në mënyrë të njëanshme për të “rikthyer” kompetencat nga niveli shtetëror në atë të entiteteve.

Komuniteti i inteligjencës amerikane vitin e kaluar paralajmëroi se ai “po ndërmerr hapa provokues” për të “siguruar de facto shkëputjen e Republikës Sërpska”.

Në janar, Departamenti Amerikan i Thesarit e vendosi në listën e sanksioneve Sinisha Karan, ministrin e Punëve të Brendshme të RS-së, dhe Dallibor Paniqin, sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë së entitetit, sepse ata ishin anëtarë të një grupi pune që po punonte për shkëputjen e RS-së nga Bosnja dhe Hercegovina.

Dodik ka paralajmëruar gjithashtu referendume për çështje të caktuara.
Referendumi i vetëm që është mbajtur në RS ndodhi në shtator 2016, kur qytetarët vendosën nëse mbështesnin që 9 janari të vazhdonte të shënohej si Dita e RS-së, festë që Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës e ka shpallur tri herë si jokushtetuese.

Gati 100 për qind e qytetarëve votuan pro, por Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës e ndaloi mbajtjen e tij që në fillim, ndërsa më vonë, në dhjetor të atij viti, e anuloi edhe rezultatin e referendumit.

Heqja e kompetencave Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë dhe Hercegovinës

Një tjetër opsion i shpallur nga autoritetet e Republikës Sërpska është heqja e kompetencave Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë dhe Hercegovinës në territorin e RS-së, për të cilat autoritetet e këtij entiteti prej më shumë se 15 vjetësh pretendojnë se janë “jokushtetuese”.

Dodik e bëri këtë deklaratë në një intervistë për televizionin “Fejs” më 26 janar. Ligjet për Gjykatën dhe Prokurorinë e Bosnjë dhe Hercegovinës u miratuan në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës në vitet 2002 dhe 2003 me votat e deputetëve të pranishëm, përfshirë edhe ata nga RS-ja.

Megjithëse Kushtetuta e Bosnjë dhe Hercegovinës nuk e përcakton shprehimisht drejtësinë si një nga kompetencat shtetërore, ajo lejon që Bosnja dhe Hercegovina të marrë “kompetenca në ato çështje për të cilat arrihet marrëveshje mes entiteteve” dhe të krijojë institucione shtesë.
Ndër kompetencat kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës është edhe “zbatimi i dispozitave penale ndërkombëtare dhe ndër-entiteteve”.

Përpjekja e fundit e autoriteteve të RS-së për të hequr kompetencat e institucioneve shtetërore ndodhi në vitin 2023, kur Kuvendi Popullor i RS-së miratoi ligje për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe të përfaqësuesit të Lartë në territorin e entitetit.

Menjëherë pas kësaj, përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, i anuloi këto ligje dhe e shpalli mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë si vepër penale.

Pikërisht për këtë arsye, Dodik është në gjyq, pasi më vonë ai firmosi dekretin për shpalljen jokushtetuese të këtyre dy ligjeve.

Që në vitin 2009, Dodik, si kryeministër i RS-së dhe lider i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, post që e mban ende, kërkoi heqjen e Gjykatës dhe Prokurorisë shtetërore si kusht për diskutimet mbi ndryshimet kushtetuese.

Më pas, autoritetet e RS-së herë pas here kanë kërkuar heqjen e tyre ose të paktën kufizimin e kompetencave të tyre në territorin e këtij entiteti.

Në prill 2023, përfaqësuesit e partive në pushtet në Republikën Sërpska nënshkruan një plan që përcakton veprimet e përfaqësuesve të tyre në institucionet e Bosnjë dhe Hercegovinës, ku, ndër tjerash, thuhet se Parlamenti i entitetit do të “heqë kompetencat e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë dhe Hercegovinës në territorin e RS-së si organe jokushtetuese dhe të paligjshme të Bosnjë dhe Hercegovinës”, gjë që deri më tani nuk ka ndodhur.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>