Kategoritë: Ballkan

25 vjet pas Masakrës së Srebrenicës

SrebrenicaBosnja po shënon 25-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, masakra më e rendë në Evropë që në oërfundim të Luftës II Botërore. Në korrik 1995, ish-presidenti i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç dha urdhër për marrjen e Srebrenicës, qytetit të shpallur zonë e sigurtë nga Kombet e Bashkuara. Sulmi i forcave serbe rezultoi në Masakrën e Srebrenicës, gjakderdhja më e rëndë e Evropës, që pas përfundimit të Luftës II Botërore. Dhimbja dhe plagët e shkaktuara 25 vjet më parë ndjehen ende sot në Bosnje:

Bota u shtang kur mësoi në verën e vitit 1995 se në mes të korrikut të atij viti më shumë se 8 mijë burra e djem boshnjakë ishin masakruar në qytetin e Srebrenicës që ishte shpallur nga Kombet e Bashkuara si “zonë e sigurtë”.

Lufta kishte shpërthyer në Bosnje në prill 1992. Kur ushtria e serbëve të Bosnjes filloi të avanconte drejt lindjes në fillim të 1993, popullata myslimane e zonës u largua për t’i shpëtuar dhunës, duke u mbledhur në Srebrenicë. Ky qytet me 36 mijë banorë, shumica myslimanë, së shpejti kishte thuajse dy herë më shumë njerëz.

https://www.zeriamerikes.com/a/5497965.html

Në prill 1993, Kombet e Bashkuara veçuan tre qytete, ndër to edhe Srebrenicën si zona të sigurta dhe vendosën forca paqësore për të mos lejuar ndërhyrje.

Në atë kohë presidenti i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dha urdhër që Srebrenica dhe Zhepa të vendoseshin nën rrethim të fortë për të mos lejuar futjen e ndihmave ndërkombëtare.

Më 9 korrik 1995 Radovan Karaxhiçi urdhëroi forcat të merrnin Srebrenicën. Trupat serbe rrethuan qytetin dhe filluan të sulmonin pikat e kontrollit të paqeruajtësve holandezë, duke marrë rreth 30 ushtarë peng. Të nesërmen, më 10 korrik forcat serbe filluan bombardimin e Srebrenicës, megjithë paralajmërimet e holandezëve se NATO do të sulmonte nëse ata nuk tërhiqeshin.

Një ditë më pas avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe, ndërkohë që njësitë serbe kërcënuan se do të vrisnin pengjet holandeze. Sulmet NATO-s u ndalën në mbrëmjen e 11 korrikut dhe komandanti i serbëve të Bosnjes, Ratko Mladiç hyri në Srebrenicë.

Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u përpoqën të largohen për të shpëtuar duke u mbledhur pranë bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të Srebrenicës.

Komandanti i serbëve të Bosnjes, Ratko Mladiç u përpoq t’i qetësonte duke u thënë refugjatëve të mos kishin frikë. Forcat serbe më pas i futën refugjatët në autobusë për t’i larguar nga zona. Një pjesë u sollën në Kladanj, pranë zonës nën kontrollin qeveritar. Të tjerët filluan të mbërrijnë vetë. Shumë shpejt zyrtarët e Kombeve të Bashkuara vërejtën me shqetësim se në radhët e të zhvendosurve që po mbërrinin mungonin burrat.

14 korrik 1995

SOREN JESSEN-PETERSEN, zëdhënësi i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët

“Ka rreth 2-3 mijë refugjatë të tjerë në Kladanj. Ka njerëz që vazhdojnë të mbërrijnë. Por problemi që vërejmë është se grupi i të zhvendosurve janë kryesisht gra, të moshuar dhe fëmijë. Kemi marrë njoftime se mijëra të tjerë janë në Bratunac, kemi kërkuar akses. Pa dyshim që fati i mijëra meshkujve mbetet shqetësim serioz për ne,” tha më 14 korrik zëdhënësi i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët.

Rreth 15 mijë meshkuj myslimanë kishin arritur t’i shpëtonin rrethimit serb dhe të fshiheshin në pyje, por shumë prej tyre u kapën nga trupa serbe që kishin zënë pritë, të veshur me uniformat e forcave paqeruajtëse të OKB-së.

Me kalimin e ditëve, u bë e qartë se shumë prej burrave të zhdukur kishin pasur një fund makabër. Brenda pak ditësh pas rënies së Srebrenicës, forcat serbe masakruan 8000 burra e djem, shumë prej tyre të kapur rob. Të tjerët u vrarë kur po përpiqeshin të shpëtonin. Shumë prej të kapurve ishin futur në magazina, shkolla, stalla pranë Srebrenicës, ku u qëlluan për vdekje dhe më pas u groposën në varre masive.

Udhëheqësit e serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mladiç u akuzuan nga Gjykata e Hagës dhe më shumë se dy dekada pas luftës në Bosnje u shpallën fajtorë për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

25 vjet pas luftës në Bosnje, ende zbulohen varre të reja masive. Identifikimi i viktimave shpesh rezulton i pasuksesshëm, pasi trupat u dëmtuan pas vrasjes dhe u zhvendosën pas groposjes. Kjo mbetet një tjetër plagë e hapur për të mbijetuarit e masakrës më të rëndë të Evropës që pas Luftës II Botërore.

voa

Në Srebrenicë Evropa dështoi

SrebrenicaPara 25 vjetësh ndodhi në Srebrenicë krimi më i rëndë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore: njësi serbe vranë atje mbi 8.000 djem dhe burra muslimanë.

“Në Srebrenicë Evropa dështoi,” thotë në një intervistë për DW Gudrun Steinacker. Ish-diplomatja, e cila ishte së fundmi Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi dhe konsiderohet si një nga njohëset më të mira të Ballkanit në diplomacinë gjermane, është e sigurt se “pas katër vitesh lufte dhe spastrimi etnik me kampe përqendrimi, zhvendosje masive dhe përdhunime masive, mund të dihej se çfarë ishte e mundur “.

Detajet e kësaj drame të paimagjinueshme janë përpunuar në mënyrë të përpiktë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë. Sipas kësaj gjykate në fazën e fundit të luftës civile në Bosnje-Hercegovinë (1992-1995), serbët kishin nisur me planifikimin strategjik të masakrës në mars të  vitit 1995.

Në lindje të Bosnjë-Hercegovinës, në qytetin e vogël të Srebrenicës, ndodhi në korrik 1995 krimi më i rëndë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore: njësi serbe vranë  atje mbi 8,000 djem dhe burra muslimanë. Gjykatat ndërkombëtare e kanë klasifikuar vazhdimisht këtë masakër të paparë ndaj civilëve si gjenocid.

Mbrojtje e pamjaftueshme

Srebrenica qe shpallur dy vjet më parë nga Këshilli i Sigurimit i OKB si një nga gjashtë “zonat e sigurta”. Por rreth 400 ushtarë helmetëkaltër holandeze të OKB-së, ishin të armatosur në mënyrë të pamjaftueshme, për ta mbrojtur Srebrenicën, e cila qe kthyer në një strehë për rreth 25.000 refugjatë

Nga 13 deri në 17 korrik, njësitë serbe vranë në Srebrenicë mbi 8,000 burra dhe djem dhe i varrosën në varre masive. Tani janë identifikuar dhe janë varrosur në varrezat përkujtimore në Potoçari pothuajse 7,000.

Identifikimi i skeletëve ishte një punë mjaft e vështirë për ekipet ndërkombëtare të mjekëve ligjorë, sepse për të mbuluar gjurmët e krimeve të tyre serbët i hapën varret masive me buldozerë dhe shpërndanë pjesët e trupave pa jetë në të ashtuquajturat varreza dytësore ose tretësore. Për këtë arsye ekspertëve mjeko-ligjorë iu desh të mblidhnin mbetjet e trupave nga varre të ndryshme dhe t’i bashkonin përsëri ato.

Ende shumë kriminelë të padënuar

Komandanti i përgjithshëm i genocidit, udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç dhe shefi i tij ushtarak Ratko Mladić, u dënuan me burgim të përjetshëm nga gjykata e OKB në Hagë. Por deri sot numri më i madh i autorëve të këtij krimi vazhdojnë të jenë të lirë. Shumë prej tyre kanë ikur në Serbi dhe jetojnë atje pa pasur frikë nga drejtësia.

“Sidomos ushtarakët e nivelit të mesëm nuk kanë dalë para ligjit,” tha Murat Tahirović në Sarajevë për Deutsche Welle. Ai është president i “Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit” dhe thotë se “megjithëse organizata jonë ka paraqitur një dokumentim të gjerë për 24 shtabet me 227 anëtarë, nuk ka marrë asnjë përgjigje nga organet e zbatimit të ligjit”.

Serbia nuk e pranon masakrën

Edhe 25 vjet pas çmendurisë së Srebrenicës, Serbia zyrtare dhe shumica e popullatës serbe vazhdojnë të mos pranojnë ta konsiderojnë masakrën si gjenocid. Edhe rrugë, shkolla ​​dhe një konvikt studentor mbajnë emrat e kriminelëve të luftës Mladić dhe Karadžić. Një numër i atyre që janë qenë të përfshirë direkt ose indirekt në vrasjen masive të asaj kohë mbajnë ende poste si politikanë apo janë sipërmarrës e bisnesmenë.

Mladic Karaxhic

Në Serbi ende rrugë, shkolla ​​dhe një konvikt studentor mbajnë emrat e kriminelëve të luftës Mladić dhe Karadžić

“Shumëkush e kujton Srebrenicën në përvjetorë”, kritikon profesori i historisë Husnija Kamberović në Sarajevë në intervistë me Deutsche Wellen. “Ndoshta edhe bota e jashtme do të dëshironte të harronte Srebrenicën, sepse luajti edhe vetë një rol kaq të turpshëm.” Por “e vetëmja gjë që mund të ndihmojë është ndërtimi i një shoqërie jo-nacionaliste”.

Edhe të rinjtë në Ballkan i bëjnë thirrje opinionit botëror një çerek shekulli pas gjenocidit në Srebrenicë që të mos e harrojë atë që ndodhi. “Sepse nëse harrojmë këto gjëra, ato mund të ndodhin përsëri dhe një Srebrenica nuk duhet t’i ndodhë kurrë më askujt përsëri”, thotë aktivistja Lamia Bravo nga Bosnje-Hercegovina.

dw/Thomas Brey

25 vjet nga masakra e Srebrenicës

Srebrenica25 vjet më parë, rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës në masakrën më të madhe të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore. Më shumë se 1 mijë burra dhe djem boshnjakë që vdiqën gjatë rrethimit të vitit 1995 konsiderohen ende të zhdukur.

Më shumë se 8’000 burra dhe djem boshnjakë u vranë gjatë 10 ditëve masakrash, pasi Srebrenica u pushtua nga forcat serbe të Bosnjës më 11 korrik 1995.

Kombet e Bashkuara e kishin shpallur Srebrenicën një strehë të sigurt për civilët, por kjo nuk i pengoi ushtarët serbë të sulmonin qytetin që kishin rrethuar prej vitesh.

Ndërsa u afroheshin më 11 korrik 1995, shumica e popullsisë myslimane të qytetit nxituan drejt kompleksit të afërt të OKB-së, me shpresën se paqeruajtësit hollandezë do t’i mbronin.

Të dy udhëheqësit serbë të kohës së luftës Radovan Karaxhiç dhe komandanti ushtarak Ratko Mladiç, të cilët drejtuan forcat që kapën Srebrenicën më 11 korrik 1995, u dënuan më vonë me burgim të përjetshëm nga një gjykatë e OKB-së për krimet e luftës.

Në atë kohë, paqeruajtësit e paktë dhe me armatim të dobët shikonin pa mundur t’u vinin në ndihmë, ndërsa burrat dhe djemtë myslimanë u ndanë për tu ekzekutuar, kurse gratë dhe vajzat u dërguan në territorin e mbajtur nga qeveria boshnjake.

Rreth 15 mijë banorë u përpoqën të iknin nëpër pyll, por u kapën dhe gjithashtu u vranë.

Ata ose u qëlluan në vend, ose u dërguan në qendra kolektive ku u ekzekutuan dhe u hodhën në varreza masive.

Gjykatat ndërkombëtare e përcaktuan masakrën e më shumë se 8’000 njerëzve si një akt gjenocidi, i kryer me qëllimin për të shfarosur popullatën myslimane boshnjake në zonë.

Viktimat u varrosën në varreza masive, të cilat u rihapën nga autorët menjëherë pas luftës dhe u zhvendosën për të fshehur krimin.

Gjatë procesit, mbetjet gjysmë të dekompozuara u copëtuan nga buldozerët. Pjesët e trupave vazhdojnë të gjenden në më shumë se 100 varreza të ndryshme masive dhe janë duke u mbledhur dhe identifikuar përmes analizës së ADN-së.

Viktimat varrosen çdo vit në qendrën përkujtimore në rrugën përballë ish-bazës së OKB-së, ku shumica e tyre u panë për herë të fundit të gjallë.

varret Potocari SrebrenicaGjykata ka dënuar gjashtë persona për përfshirje në genocidin e Srebrenicës, përfshirë udhëheqësin serb të Bosnjës gjatë kohës së luftës Radovan Karaxhiç, i dënuar në vitin 2016 me 40 vjet burg. Ky dënim u rrit në dënim të përjetshëm në vitin 2019.

Megjithëse vrasjet masive janë quajtur gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, zyrtarët e Serbisë dhe serbët e Bosnjës nuk pranojnë ta përdorin termin.

Më shumë se 1’000 njerëz konsiderohen ende të zhdukur nga masakrat masive gjatë luftës civile në Bosnje.

Masakra e Srebrenicës është episodi i vetëm i luftës së viteve 1990 në Bosnje që përkufizohet si genocid nga dy gjykata të OKB-së.

voa

Kroaci: HDZ fiton votimet me maska

Andrej PlenkoviçKonservatorët fitojnë zgjedhjet e zhvilluara në mes të pandemisë së Coronës në Kroaci. Kabinetin e ri e presin detyra të vështira, sepse vendi varet shumë nga turizmi.

Sikurse parashikohej partia konservatore HDZ është fituese e zgjedhjeve parlamentare në Kroaci. Partia e kryeministrit Andrej Plenkoviç ka arritur të sigurojë shumicën e 151 mandateve në parlamentin e vendit. Aleanca opozitare e socialdemokratit Davor Bernardic ka fituar rreth 44 mandate. Partia e re nacionaliste e muzikantit Mirosllav Shkoro pritet të ketë 16 deputetë në parlamentin e ri. Në këtë mënyrë kjo parti pritet të luajë një rol të rëndësishëm në krijimin e qeverisë së re.

Zgjedhjet u zhvilluan në mes të pandemisë së Coronës. Në votime ishin ftuar të merrnin pjesë rreth 3.8 milionë qytetarë me të drejtë vote. ​​Për shkak të rrezikut nga infeksioni me Corona votuesit duhet të mbanin maska dhe të sillnin me vete lapsat e tyre për të votuar.

Anëtarë të komisioneve të votimeve shkuan gjithashtu në shtëpitë e votueseve për të mbledhur fletëvotimet e rreth 500 vetëve që nuk kishin mundësi të shkonin të votonin në qendrat e votimit. Rreth dhjetë përqind e tyre ishin në vetëizolim për shkak të pandemisë. Personat e infektuar me Corona e kishin të lejuat të lëshonin një autorizim për persona të tretë për të votuar për ta.

Pas dorëheqjes së një sërë ministrash të kabinetit Andrej Plenkoviç organizoi zgjedhje të parakohëshme duke shpresuar se elektorati do ta shpërblente me vota për shkak të rrjedhës relativisht pa probleme të pandemisë në Kroaci, edhe pse numri i infeksioneve me virusin Coronës kohët e fundit ishte rritur përsëri.

Mungesë turistësh

Kabinetin e ri e presin detyra të vështira. Kroacia varet shumë nga turizmi dhe po përballet me një recesion të rëndë për shkak të pandemisë së Coronës. Turizmi gjeneron “në kohë normale” deri në 20 përqind të produktit të brendshëm bruto. Por këtë vit industria e turizmit ka arritur të regjistrojë vetëm 30 përqind të numrit të fjeteve dhe 20 përqind të xhiros së saj krahasuar me vitin 2019, u shpreh Nedo Pinezic, koordinatori i shoqatës së biznesit Glass Poduzetnika (Zëri i Sipërmarrësve).

Ekspertët e ekonomisë kanë frikë se ekonomia e Kroacisë do të tkurret  këtë vit me nëntë deri në dymbëdhjetë përqind.

dw

Gjermania heq ndalimet e hyrjes për njëmbëdhjetë vende jo të BE

stop kontrolShtetas nga njëmbëdhjetë vende jo të BE mund të hyjnë në Gjermani nga nesër pa kufizime. Jo në listat gjermane: Serbia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e SHBA.

Gjermania lejon sërish hyrje të pakufizuar në vend për shtetas nga njëmbëdhjetë vende jo anëtare të Bashkimit Evropian. Sipas vendimit të kabinetit qeveritar, kjo vlen për udhëtarët nga Australia, Gjeorgjia, Kanada, Mali i Zi, Zelanda e Re, Tajlanda, Tunizia dhe Uruguaji. Për Shtetet e Bashkuara, kufizimet e hyrjes fillimisht do të vazhdojnë të zbatohen.

Për Japoninë, Korenë e Jugut dhe Kinën lejimi do të vlejë vetën nëse këto vende do t’i lejojnë nga ana e tyre gjermanët të hyjnë në ato shtete. Heqja e ndalimit të hyrjes do të hyjë në fuqi të enjten, njoftoi Ministria e Brendshme e Gjermanisë. Qeveria gjermane orientohet për këtë vendim në një vendim të vendeve anëtare të BE. Sipas tij, shtetas nga 14 shtete duhet të lejohen të hyjnë përsëri në BE. Lista do të rishikohet çdo dy javë.

Arsyeja e udhëtimit luan rol

Ekzistojnë gjithashtu mundësi të gjera hyrëse për njerëzit nga të gjitha vendet jashtë BE-së, të cilët kanë një arsye të rëndësishme për të udhëtuar. Këta mund të jenë gjermanë ose njerëz me të drejtë që të banojnë këtu, punëtorë sezonalë në bujqësi, detarë ose pasagjerë në kalim tranzit.

Në të ardhmen, vendimtar për lejimin e hyrjes në Gjermani do të jetë numri i infeksioneve të reja me Covid 19 në 14 ditët e fundit. Veç kësaj do të vërehet edhe tendenca në të njëjtën periudhë dhe mënyra se si e trajton pandeminë shteti përkatës. Për udhëtarët nga zonat me rrezik të lartë, është edhe më tej në fuqi detyrimi për karantinë 14 ditore, kur udhëtarët nuk kanë me vete një rezultat negativ të testit për virusin Corona.

Austria nuk rekomandon udhëtime pushimesh në Ballkan

Përballë ritjes së numrit të të infektuarve me Corona në vendet e Ballkanit Perëndimor, Austria ka nxjerrë një paralajmërim për të mos udhëtuar në gjashtë vende. Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg tha në Vjenë se do të aplikohet përsëri niveli më i lartë i paralajmërimit për të mos udhëtuar në këto shtete. Ministrja austriake e Integrimit, Susanne Raab tha se nuk duhet të ndërmerren në asnjë mënyrë udhëtime për pushime në Serbi, Kosovë, Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Maqedoni Veriore dhe Mal të Zi, duke pasur parasysh 530.000 vetë në Austri që kanë rrënjë familjare në ish-Jugosllavi. Por Austria nuk bën të njëjtin paralajmërim për të mos udhëtuar për shtetet e BE Kroaci e Slloveni.

Në Austri ka tashmë raste me Corona që lidhen me udhëtarët nga Ballkani Perëndimor, tha Schallenberg. Ministri i Brendshëm Karl Nehammer njoftoi kontrolle intensive në zonën kufitare. Hyrja është e mundur vetëm me një test negativ për virusin Corona ose me një karantinë 14-ditore.

aud (dlf, rtr)

Kufijtë e BE-së mbeten të mbyllura për vendet e Ballkanit, përveç Malit të Zi dhe Serbisë

kufiriBashkimi Evropian nuk do të hapë kufijtë e jashtëm për shtetasit e shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, pas 1 korrikut, pos për Malin e Zi dhe Serbinë.

Kjo supozohet në bazë të një liste, që si aneks i është bashkangjitur një rekomandimi të Këshillit të BE-së, për të cilin ambasadorët e vendeve anëtare, kanë diskutuar në Bruksel, të premten në mbrëmje, për më shumë së gjashtë orë.

Ata në fillim ka miratuar kriteret që duhet të merren parasysh për të hequr kufizimet për hyrjen e shtetasve të huaj në territorin e BE-së, pastaj në bazë të këtyre kritereve, është përpiluar edhe lista në të cilën janë vëtëm 15 shtete.

Kjo do të thotë se për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën kufizimet do të mbeten, edhe pas ditës së parë të korrikut.

Para më shumë se dy javësh Komisioni Evropian kishte propozuar që për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të hapen kufijtë e BE-së nga 1 korriku, duke marrë parasysh, se atëherë, situata epidemiologjike e koronavirusit ishte e ngjashme, apo edhe më e mirë sesa në vendet e Bashkimit Evropian.

Por, prej atëherë situata është përkeqësuar dukshëm dhe janë shënuar raste të shumta të personave me koronavirus në këto shtete. Kjo ka bërë që ato të bien nga lista e vendeve për të cilat rekomandohet heqja e kufizimeve nga data 1 korrik.

Poashtu, me kusht të reciprocitetit, kufizimet nuk do të hiqen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por do të hiqen për Kinën. Kjo mund të zemëroj administratën amerikane, por në BE thonë se i kanë marrë parasysh vetëm kriteret reale që kanë të bëjnë me rrezikun nga pandemia, dhe jo ato politike.

Kriteri kryesor për heqjen e kufizimeve për hyrje në BE, ka qënë ai që të ketë pasur më pak se 16 raste për 100.000 banorë në dy javët e fundit.

Burimet e BE-së pohojnë se për një kategori të konsiderueshëm të qytetarëve nuk do të duhej të vlejnë kufizimet, Si shembull, përmenden udhëtimet në BE për punë sezonale në bujqësi, udhëtimet për studime, pastaj për diplomatët, punëtorët shëndetësorë dhe disa kategori tjera.

Po ashtu kufizimet nuk do të vlejnë për personat të cilët do të kalojnë tranzit.

Për personat që kanë vendbanim në shtetet e Bashkimit Evropian nga 1 korriku nuk do të duhej të vlejnë më kufizimet për hyrje në territorin e BE-së.

Lista nuk është përfundimtare dhe ajo mund të ndryshohet në bazë të zhvillimit të situatës epidemiologjike. Për këto rekomandime, deri të shtunën në mbrëmje, duhet të pajtohen qeveritë e vendeve anëtare, ose të mos dërgojnë vërejtje në mënyrë që rekomandimi të konsiderohet si i aprovuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

Por edhe kur ky rekomandim të bëhet zyrtar në emër të BE-së, u takon shteteve anëtare që të vendosin a do ti hapin, apo jo, kufijtë e tyre për këta shtetas të huaj.

rel

Koronavirusi, Ballkani/ Kufijtë e BE-së mund të mbeten të mbyllur

Kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian mund të mbeten të mbyllur për qytetarët e Kosovës dhe vendeve tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, edhe pas datës 1 korrik, pavarësisht rekomandimit të mëhershëm të Komisionit Evropian që ato të hapen në këtë datë.

KE-ja para dy javësh rekomandoi që kufijtë e brendshëm të bllokut të hapen jo më vonë se me datën 15 qershor, ndërsa ata të jashtëm gradualisht prej 1 korrikut. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioni kishte rekomanduar që kufijtë e jashtëm të hapen prej 1 korrikut duke e arsyetuar në atë kohë këtë rekomandim me gjendjen e mirë epidemiologjike.

Komisioni kishte konstatuar se kjo situatë në vendet e Ballkanit Perëndimor është “e ngjashme apo edhe më e mirë sesa në vendet e BE-së”. Por që prej atëherë gjendja në rajon është përkeqësuar, me rritjen e shpejt të numrit të të infektuarve me koronavirus. Kjo ka bërë që disa shtete të BE-së të marrin masa individuale dhe që në nivel të BE-së të vihet në pikëpyetje heqja e kufizimeve për hyrjen në BE të shtetasve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Zëdhënësi për çështje të migrimit në Komisionin Evropian, Adalbert Jahns, ka thënë se u takon vendeve anëtare të vendosin për heqjen apo jo të kufizimeve për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

“Rekomandimi për nuk ishte vetëm për shkak të situatës epidemiologjike por edhe për shkak të raporteve të BE-së me atë rajon. Sa i përket situatës, ne jemi duke e ndjekur me shumë kujdes. Diskutimet në Këshill janë në vazhdim e sipër dhe në ato diskutime merret parasysh edhe situata aktuale epidemiologjike”, tha zëdhënësi.

Edhe pse Komisioni Evropian mund të paraqesë rekomandime, vendimi për të hapur apo jo kufijtë u takon vendeve anëtare. Disa vende anëtare të BE-së tashmë janë duke i rritur masat për kufizimin e hyrjes së shtetasve nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Kështu ka vendosur Sllovenia, ndërsa Kroacia kërkon që personat që hyjnë në territorin e saj, e rrjedhimisht edhe në atë të BE-së, të dëshmojnë arsyen e domosdoshme për një udhëtim të tillë. Në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, ditët e fundit ka pasur një rritje të numrit të infektuarve me koronavirusin e ri.

Top Channel

Zgjedhjet në Serbi, pjesëmarrje e ulët dhe zhgënjim; ODIHR kritika në raportin paraprak të misionit vëzhgues

zgjedhjet serbiBanorët e Beogradit reaguan të hënën ndaj rezultateve të zgjedhjeve pasi presidenti i Serbisë deklaroi një fitore të thellë për partinë e tij të djathtë në zgjedhjet parlamentare të mbajtura mes shqetësimeve për përhapjen e koronavirusit dhe një bojkot nga shumica e opozitës. Banorët shprehen se pjesëmarrja ishte e ulët dhe se ndjehen të zhgënjyer nga zgjedhjet.

Ndërkohë, edhe vëzhguesit ndërkombëtarë shprehën shqetësim për dominimin e zgjedhjeve nga partia në pushtet si dhe nga mungesa e diversitetit në media që kufizuan mundësitë e votuesve për të zgjedhur. Vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it bënë të ditura të hënën gjetjet e raportit të tyre paraprak ku thuhet gjithashtu se zgjedhjet ishin të organizuara në mënyrë efikase megjithë kushtet e vështira të pandemisë. Megjithatë, “…votuesit ishin të keqinformuar dhe të irrituar nga mungesa e qasjes në media të opozitës. Dominimi i partisë në pushtet rrezikon neutralitetin e institucioneve të vendit dhe kërkohet dialog për të tejkaluar ndasitë e thella politike dhe për të mbrojtur pluralizmin“, tha Urszula Gacek, kryetare e misionit të posaçëm të ODIHR-it për vlerësimin e zgjedhjeve.

Aleksandar Vucic u tha mbështetësve se Partia e tij Progresive Serbe fitoi mbi 60% të votave, ose rreth 190 vende në parlamentin serb me 250 vende.

Rezultatet fillestare jozyrtare tregojnë se Serbia do të ketë një asamble unike, me praktikisht asnjë kundër dhe vetëm tre ose katër parti nga 21 që kandidonin. Socialistët aleatë të zotit Vuçiç pritet të marrin 10% në vendin e dytë në votime.

Zgjedhjet nuk ishin me të vërtetë më të mirat. Pjesëmarrja në Beograd ishte e ulët, siç duket, sipas të dhënave që pashë këtë mëngjes. Në mbarë Serbinë ndoshta pjesëmarrja është më e lartë. Çfarë mund të them … Opozita është në një rrëmujë totale. Kështu që, kjo është gjithçka“, thotë Nemanja Kovaçeviç, banor i Beogradit.

Votimet e së dielës ishin zgjedhjet e para në rang kombëtar në Evropë që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit. Të planifikuara fillimisht për në prill, ato u shtynë për shkak të pandemisë. Serbia ende raporton dhjetëra raste të reja çdo ditë, pasi lehtësoi plotësisht rregullat e saj të rrepta të izolimit.

Pjesëmarrja nga 6.6 milion votuesit që kishin të drejtë të votonin për parlamentin 250-anëtarësh të Serbisë dhe të zgjedhurit lokalë ishte më e ulët se në zgjedhjet e mëparshme.

Megjithëse votuesit serbë nuk po zgjidhnin një president të dielën, zoti Vuçiç ka mbizotëruar fushatën përmes mediave kryesore që ai kontrollon, duke denoncuar dhe tallur kritikët e tij. Ai ka hedhur poshtë pretendimet e abuzimit me pushtetin e tij zyrtar ceremonial si president duke marrë një rol udhëheqës në fushatë.

Jam i zhgënjyer sepse, për mendimin tim, këto zgjedhje na u imponuan plotësisht. Kishte një presion të vazhdueshëm gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe fushatës elektorale, e cila nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet parlamentare pasi Vuçiç ishte i pranishëm gjatë gjithë kohës sikur këto të ishin zgjedhje presidenciale dhe jo ato parlamentare. Me fjalë të tjera, nuk ka SNS (Partia Progresive Serbe) – është vetëm ai“, thotë Goran Tomiç, banor i Beogradit.

Duke përmendur mungesën e kushteve të votimit të lirë dhe të drejtë dhe një rrezik për shëndetin publik, disa parti kryesore të opozitës bojkotuan votimin.

Ndërsa zoti Vuçiç tani thotë se kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian për Serbinë, kritikët paralajmërojnë se liritë demokratike janë dëmtuar që kur partia e tij erdhi në pushtet në 2012.

Presidenti autokratik u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të votojnë në masë për të marrë një mandat të fortë për negociatat e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët me Kosovën.

Një samit Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara do të mbahet në Uashington në 27 qershor, ndërsa zyrtarët e BE-së kanë njoftuar planet për të rifilluar negociatat e ndërmjetësuara nga Brukseli.

Serbia nuk ka pranuar të njohë pavarësinë e Kosovës dhe ka mbështetjen e Rusisë dhe Kinës në këtë mosmarrëveshje.

voa

Serbët zgjodhën sot një parlament të ri

VucicAnketat kanë parashikuar një fitore të qartë për Partinë Konservatore Progresive Serbe (SNS) të udhëhequr nga Presidenti Aleksandar Vucic.

Të shoqëruar nga thirrjet e bojkotimit të opozitës, serbët zgjodhën të dielën një parlament të ri. Deri në drekë, votën e tyre e kishin dhënë pak më shumë se një e katërta e afro 6.5 milion votuesve. Pjesëmarrja në votim, në orën 5 të mbrëmjes, me tre orë të mbetura në votim ishte 37 përqind, 6.5 pikë më pak nga koha përkatëse në vitin 2016. Pastaj shifra përfundimtare arriti në 56 përqind.

Anketat kanë parashikuar një fitore të qartë për Partinë Konservatore Progresive Serbe (SNS) të udhëhequr nga Presidenti Aleksandar Vuçiç. Në orën 20.00 në Serbi sipas planit u mbyllën kutitë e votimit.

Disa parti opozitare i bojkotuan zgjedhjet. Ato e akuzojnë Vuçiçin për një stil qeverisës gjithnjë e më autokratik dhe pkufizime në lirinë e zgjedhjes. Vetë presidenti nuk kandidoi për parlamentin, por ai e mbizotëroi fushatën e partisë së tij. “Aleksandar Vucic – për fëmijët tanë”, shkruhej n posterët e zgjedhjeve.

Sondazhet paraprake kanë parashikuar për SNS-në e Vuçiçit, i cili qeveris që nga viti 2012, më shumë se 50 përqind të votave. Popullariteti i partisë në pushtet kohët e fundit ishte rritur ndjeshëm për shkak të nivelit të lartë të miratimit publik për masat Corona.

Kushtetuta e Serbisë parashikon vetëm detyra përfaqësuese për kreun e shtetit. Vuçiçi 50-vjeçar, i cili ka qenë kryeministër dy herë para se të zgjidhej President, në të vërtetë i ka të gjitha fijet e pushtetit në dorë në vendin e tij.

Të dielën u zgjodhën edhe parlamentet komunalë serbe. Zgjedhjet duhet të zhvilloheshin në prill, por u shtynë për shkak të kufizimeve të rrepta të daljes në pandeminë e Coronas.

aud (dpa, afp)

Mali i Zi mbyll kufirin, vë kushte për hyrjen e vizitorëve

covid19Prej të hënës banorët e Kosovës dhe të Shqipërisë mund të futen në Mal të Zi vetëm nëse paraprakisht testohen negativë për COVID-19. Qeveria e Malit të Zi të premten mbrëma ka prezantuar vendimet për hapjen e mëtejme të kufijve të këtij vendi.

Qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë për të hyrë në Mal të Zi duhet të kenë me vete rezultatin negativ të PCR testit për SARS-CoV-2, të laboratorëve të akredituar, thuhet në faqen zyrtare të Qeverisë së Malit të Zi.

“Shtetet, banorët e të cilave mund të hyjnë në Mal të Zi me rezultat negativ të PCR testit për SARS-CoV-2 të laboratorëve të akredituar, jo më të vjetër se 48 orë: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Turqia, Izraeli, Polonia, Rumania, Italia dhe Ukraina”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, lista e vendeve është formuluar në bazë të rasteve aktive dhe rasteve të reja me COVID-19 si dhe disa kritereve tjera të kësaj natyre. Lista e vendeve banorët e të cilave nuk kanë kufizime për të hyrë në Mal të Zi është shumë e gjatë.

Duke pas parasysh rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19, Trupi Kombëtar Koordinues i Malit të Zi mori vendimin për bartjen e obliguar të maskave mbrojtëse në të gjithë hapësirat publike.

voa