Kategoritë: Ballkan

Sinkronizimi i Ballkanit me qendrimet e BE

Edhe pse BE pret nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që t’i afrohen në qëndrimin ndaj Ukrainës, në Bruksel mendojnë se kriza e Ukrainës nuk do ketë ndikim në integrimin evropian dhe stabilitetin në rajon.Brukseli pret nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që në procesin e integrimit evropian të përshtaten gjithnjë e më shumë me BE, ndër të tjera edhe në fushat e politikës së jashtme dhe çështjeve ndërkombëtare. Për këtë qëllim me të gjitha vendet e rajonit janë krijuar kontakte bilaterale lidhur me situatën në Ukrainë dhe shpjegimin e qëndrimit evropian për këtë çështje.
“Bashkimi Evropian i bën thirrje vendeve të treta t’u bashkohen qëndrimeve të 28 shteteve anëtare. Kjo vlen të thuhet në kontekstin e situatës në Ukrainë dhe sanksioneve konkrete, që janë miratuar”, thotë për Deutsche Welle zëdhënësja e shefes së diplomacisë së BE, Maja Koçijançiç: “Kjo është veçanërisht e rëndësishme për vendet kandidate dhe kandidate tö mundshme për anëtarësim në BE. Vendimi është në dorën e tyre, por vendet që kanë marrëveshje stabilizimi dhe asociimi kanë detyrim të veprojnë në përputhje me pozicionet e politikës së jashtme të BE. Ambicia është që një harmonizim i tillë me qëndrimet europiane të rritet sa më shumë”, shton Kocijanciç.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor pozicioni i BE-së lidhur me situatën në Ukrainë është mbështetur nga Shqipëria dhe Mali i Zi. Maqedonia nuk është shprehur, ndërsa Beogradi “balancon” ndërmjet Brukselit dhe Moskës. Në Bosnjë-Hercegovinë as për këtë çështje nuk ka konsensus, ku presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, thotë se mbështet “shprehjen demokratike të vullnetit të popullit në Krime.”
Brukseli ndjek se si Ballkani Perëndimor mbështet vendimit e tij
Edhe pse në Bruksel theksojnë se vendet, që dëshirojnë të anëtarësohen në BE, nuk kanë formalisht detyrim të mbështesin vendime të tilla të vendeve anëtare, ata porositen që “t’i ndjekin me vemendje” detyrimet e marrëveshjes së stabilizim-asociimit dhe se kjo do të ketë “efektet e veta” në raportet vjetore mbi progresin e secilit vend në procesin e integrimit evropian. Analistët evropianë megjithatë vlerësojnë se kriza e Ukrainës nuk do të sjellë ndryshime në raportin e BE ndaj integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Përshtatja e politikës së Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE është e dëshirueshme, por në këtë moment nuk është e nevojshme dhe as çështje vendimtare”, thotë për Deutsche Wellen drejtori i grupit të diplomatëve të pavarur Nicholas White.
Burimet diplomatike në Bruksel thonë se BE megjithatë pret që vendet, që pretendojnë për anëtarësim, t’i afrohen gjithnjë e më shumë në qëndrimin ndaj Ukrainës, duke shtuar se kuptohen edhe „vështirësitë e qëndrimit” për Serbinë apo Bosnjë-Hercegovinën. Nga njëra anë nga Bosnjë Hercegovina pritet që të „zgjidhë procedurat e saj të brendshme”, ndërsa nga Beogradi pritet „një qëndrim pak më i qartë” dhe mosfshehjes pas qeverisë së paformuar ende.
“Serbia, sipas mendimit tim, është me siguri kandidati i parë për anëtarësimin e ardhshëm të BE-së, përpara Malit të Zi dhe Shqipërisë. Në këtë moment unë nuk shoh asnjë ndryshim si rezultat i krizës në Ukrainë”, thotë për Deutsche Welle analisti i Qendrës për Studime të Politikave Evropiane në Bruksel, Michael Emersson.
S’ka asnjë lidhje mes situatës në Ukrainë dhe Republikës Srpska

Njohësit e situatës në Ballkan në Bruksel mendojnë se nuk ekziston rrezik për destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor si pasojë e „skenarit të Krimesë”. Lidhur me deklaratën e Presidentit të Republikës së Serbisë Milorad Dodik, se në Republika Srpska “ndjekin mirë atë, që po ndodh në botë” dhe se “do të veprohet në shembullin e përvojave më të mira në botë, kur të vijë koha”, në qendrën për studime të politikave evropiane thonë se BE nuk duhet as të komentojë dhe as të bëjë ndonjë lidhje mes deklaratave të presidentit Dodik dhe situatës në Ukrainë: “Nuk mendoj se mesazhe të tilla nga Republika Srpska merren seriozisht nga BE, as nga Serbia, as nga Kroacia”, vlerëson Emerson për DW.
Argumentet për “vetëvendosje dhe referendum janë mundur të dëgjohen edhe më parë”, kujton Nicholas White dhe shton: “Republika Srpska nuk e ka ndryshuar statusin, as kur Mali i Zi u bë i pavarur, as kur Kosova shpalli pavarësinë, dhe as kur këtë e bëri Sudani i Jugut. Nëse tani diçka është bërë e qartë, ai është reagimi i BE-së, që ka treguar se ky lloj ndryshimi i kufijve nuk tolerohet në bashkësinë ndërkombëtare.”
White thotë se nga pjesë të ndryshme të Ballkanit ditët e fundit ke mundur të dëgjosh interpretime si “Rusia tani ka treguar se është në anën e tyre.” Eshtë “optimizëm i tepruar”, thotë White: “Kjo thjesht nuk është e vërtetë, sepse Rusia është vetëm në anën ruse dhe jo të kujt tjetër”, thotë White në bisedë me Deutsche Wellen. (dw)

Partia e Aleksandër Vuçiçit – fituese e zgjedhjeve në Serbi

Sipas rezultateve paraprake Partia Përparimtare serbë ka shënuar fitore të thellë në zgjedhjet e parakohshme të SerbisëRezultatet paraprake të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi nxorën fituese Partinë Përparimtare Serbe, që drejtohet nga Aleksandër Vuçiç. Sipas të dhënave kjo parti ka fituar 48.8 për qind të votave, përkatësisht 157 mandate, ndërsa pas saj radhitet Partia Socialiste e Serbisë me rreth 14 për qind të votave.

Rreth 53 për qind e 6.7 milion votuesve të regjistruar morën pjesë në zgjedhjet e parakohshme të së dielës të cilat u nxitën nga Partia Përparimtare e cila synon të shndërrojë në votë hapjen e negociatave për anëtarësim më Bashkimin Evropian.

Sipas rezultateve paraprake Aleksandar Vuçiç, mund të bëhet kryeministër i Serbisë dhe partia e tij fituesja më e madhe e zgjedhjeve. Aleksandër Vuçiç, dikur aleat i vijës së ashpër nacionaliste të ish presidentit jugosllav Slobodan Milosheviç, pas zgjedhjeve të vitit 2012 mori postin e zëvendëskryeministrit. Popullariteti i tij duket se ishte pasqyrim i fushatës kundër korrupsionit dhe orientimit drejt integrimeve evropiane.

Në janar të këtij viti, Serbia habi bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si shpërblim për përfshirjen e saj në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.

Edhe serbët e Kosovës votuan në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, meqë kjo u garantohet me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës. Votimet u zhvilluan nën përkujdesjen e Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë e cila drejtoi operacionin e quajtur grumbullimi i votave në të cilat morën pjesë rreth 34 për qind e votuesve të regjistruar.

Votimi kishte nxitur debate ndërmjet partive në pushtet në Kosovë që thonë se Serbia nuk është duke organizuar zgjedhje në Kosovë, por OSBE-ja ka grumbulluar vota ndërsa partitë opozitare thonë se mbajtja e zgjedhjeve është shkelje mbi sovranitetin e Kosovës.

Zgjedhjet e përgjithshme serbe ishin mbajtur edhe më parë në Kosovë. Në vitin 2012 Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë kishte hapur 90 vendvotime në 28 pjesë të ndryshme të Kosovës. Dallimi i vetëm këtë radhë është në numrin e vendvotimeve dhe emërimin e tyre që në vend të qendrave të votimit sivjet flitet për qendra grumbullimi.

Zgjedhjet parlamentare serbe u mbajtën edhe në luginën e Preshevës, por në to ishte përfshirë vetëm Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit, ndërsa ato u bojkotuan nga partitë tjera në tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Rezultatet paraprake tregojnë se zoti Halimi sërish mund të jetë deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin serb.

Debatet rreth pjesëmarrjes apo jo në zgjedhje ishin përqendruar rreth pozitës së shqiptarëve në zonë dhe ndikimit që mund të kishin zgjedhjet për pushtetin qendror të Serbisë, që sipas partive të atjeshme politike nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për përmirësimin e gjendjes në Luginën e Preshevës. (voa)

Zgjedhjet shkaktojnë tërmet politik në Serbi

Partia e Progresit (SNS) fiton shumicë absolute në parlamentin serb.Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi kanë sjellë ndryshime të forta në mjedisin politik të vendit. Partia e Progresit (SNS) e drejtuar nga Aleksandar Vucic ka fituar sipas përllogaritjeve të grupit për hulumtime elektorale CESID në Beograd rreth 50 për qind të votave dhe në këtë mënyrë edhe një shumicë absolute.
“Ky është rezultati më i mirë në historinë e Parlamentit,” tha 44-vjeçari Vucic në mbrëmje në Beograd duke komentuar përfundimin e zgjedhjeve. Megjithëse partia e tij do të ketë në parlament 157 nga 250 deputetë që ka gjithësej parlamenti serb, ne do të bisedojmë me të gjitha forcat e tjera politike në vend për bashkëpunim, tha Vucic.

Në vendin e dytë renditen socialistët e kryeministrit Ivica Dacic. Partia Socialiste SPS arriti ta përmirësonte rezultatin e para dy viteve me 14 për qind të votave duke pasur në parlamentin e ardhëshëm 45 deputetë ( deri tani 44 ).
Evropa, korrupsioni, papunësia
“Serbia do të vazhdojë në rrugën e saj drejt Evropës,” tha Vucic duke përshkruar pas fitores programin e qeverisë së re.
Në qendër të punës së tij do të jetë edhe lufta kundër korrupsionit që është i përhapur kudo në vend, tha Vucic. Përveç kësaj ai synon krijimin e vendeve të punës, sepse përqindja zyrtare e papunësisë në Serbi është rreth 27 për qind.
Humbje për Partinë Demokratike
Rënie ka pësuar pas mosmarrëveshjeve dhe përplasjeve të brendshme Partia Demokratike (DS), e cila ka qenë deri tani partia e dytë më e fortë në vend.
Sipas përllogaritjeve paraprake ajo ka fituar vetëm rreth gjashtë për qind të votave , ndërkohë që dy vjet më parë kishte fituar deri në 25 për qind të tyre.
Të gjitha partitë e tjera janë në pritje të rezultateve përfundimtare për të parë nëse e kaluar pragun e pesë përqindshit. (dw)

Një shtet në prag të dështimit

Kur të shkojë sot në Bosnje-Hercegovinë e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton do të zhvillojë gjithashtu bisedime krize. Edhe në shtetin ballkanik ka protesta dhe shteti ndodhet përpara dështimit.Kjo nuk çon asgjëkundi, mendonte ministrja e Jashtme e SHBA-së Condoleezza Rice, kur në 2005 duhej të negocionte me udhëheqjen shtetëore të Bosnjes për një reformë kushtetuese të shtetit ballkanik. Në bisedimet në Ministrinë e Jashtme të SHBA nuk kishte ardhur vetëm një president, por tre: një kroat, një serb dhe një mysliman bosnjak. Sa herë që Rice merrte fjalën duhej t’u drejtohej me emër të treve dhe pastaj t’i jepte secilit kohë për një përgjigje, shkruan Rice në kujtimet e saj.
Përpjekjet e saj për një reduktim të strukturave të komplikuara dhe ineficiente të pushtetit mbetën pa sukses. Gjithsesi situata nuk ishte përkeqësuar, do të konstatonte Rice në 2009, me largimin nga Ministria e Jashtme. Ashtu si Rice kanë dështuar ndërkohë shumë politikanë, diplomatë dhe ekspertë.
Tre presidentë, 11 kryeministra
Sot shtetin ballkanik me rreth katër milionë banorë e qeverisin jo vetëm tre presidentë, por edhe 11 kryeministra dhe 11 qeveri me gjithsej më shumë se 100 ministra. Në krye qendron një qeveri e dobët qendrore, e cila duhet të mbajë bashkë republikën e serbëve “Republika Srpska” dhe Federatën boshnjake. Kjo e fundit përbëhet nga dhjetë kantone. Këto struktura duhet të reflektojnë larminë etnike dhe fetare të Bosnje-Hercegovinës ku jetojnë ortodoksë serbë, myslimanë boshnjakë dhe katolikë kroatë. Por mbi të gjithë qendron dhe Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën, aktualisht austriaku Valentin Inzko. Ai mund të shkarkojë titullarë, të krijojë autoritete të reja dhe të miratojë apo shfuqizojë ligje. Një rezolutë e OKB-së i jep atij mandatin për të gjitha këto. Paraardhësit e Inzkos i kanë përdorur këto kompetenca kush më shumë si britaniku Paddy Ashdown e kush më pak si gjermani Christian Schwarz-Schilling.

Një marrëvëshje paqeje që nuk bën për kushtetutë
Baza është marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995, që u negociua nën drejtimin e diplomatit amerikan Richard Holbrooke me palët në konflikt, të cilat ishin që prej vitit 1992 në një luftë që u kushtoi jetën më shumë se 100.000 vetëve. Si marrëveshje paqeje Dejtoni ishte i suksesshëm, por si kushtetutë shumë e komplikuar, deklaroi Inzko pak kohë më parë për gazetën austriake “Kurier”.
Armëpushimi mes boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve rezistoi. Bosnja mbeti një njësi i vetme territoriale. Por bashkësia ndërkombëtare e humbi nga sytë krizën e Ballkanit dhe një zhvillim i mëtejshëm i marrëveshjes së Dejtonit nuk pati rezultat. Rendi i paqes sipas marrëveshjes së Dejtonit nuk i përgjigjet dëshirave të vërteta të popullsisë. Serbët duan të shkëputen sa më shumë të jetë e mundur me Republikën e tyre Srpska. Edhe kroatët kërkojnë më shumë mëvetësi, ndërsa myslimanët synojnë më shumë centralizim. Elitat politike kanë zënë ndërkohë vend në strukturat e krijuara dhe kontrolluara nga jashtë.
Një monstër burokratike e papërballueshme financiarisht
Ajo që duhej të krijonte drejtësi mes bosnjakëve, kroatëve dhe serbëve, në fund nxiti nacionalizmin dhe krijoi një monstër burokratike, të cilën shteti thjesht nuk mund ta përballojë financiarish. Të paktën 40 për qind e boshnjakëve punojnë në sektorin shtetëror. Deputetët sipas të dhënave të agjencisë Reuters fitojnë 3500 euro në muaj, ose dhjetë herë më shumë se paga mesatare në vend.
Veç kësaj politikanët kujdesen që të favorizohen jo vetëm pjesëtarët e etnisë së tyre, por edhe miqtë dhe familjarët. Kështu sektori shtetëror përshkohet tej për tej nga korrupsioni dhe nepotizmi. Kush kërkon të bëjë tregti pa u shqetësuar duhet të paguajë ryshfet, shkruan eksperti për Ballkanin Dushan Reljic në faqen e internetit të Fondacionit për Shkencë dhe Politikë në Berlin. Privatizimi i ekonomisë degradoi në një aksion plaçkitjeje. Sistemi i drejtësisë është shumë i dobët për ta ndaluar këtë.

Front mes përfituesve dhe humbësve
Elita politike nuk pranon të heqë dorë nga këto struktura. Ajo gjithashtu identifikohet po aq pak sa edhe populli me shtetin e përbashkët. Bllokimi i reformave është ndërkohë aq i madh sa afrimi me BE-në dhe anëtarësimi i planifikuar po rrezikohen gjithnjë e më shumë. Vjeshtën e kaluar BE u detyrua të përgjysmonte mbështetjen financiare për 2013. Kështu elita në periudhë afatgjatë po i bën varrin bazës së vet. Investime në ekonomi nuk ka thuajse fare. Në vend të kësaj vazhdon deindustrializimi i vendit. Mungojnë vendet e punës dhe një terren pjellor për ngritjen e sipërmarrjeve.
Kështu u rrit frustrimi tek ata të cilët nuk përfitojnë si p.sh. veteranët e luftës nga shërbimet sociale dhe për shkak të mungesës së kontakteve nuk kanë asnjë shans për një vend pune në sektorin publik.
Në fillim të shkurtit u ndez shkëndija. Një protestë që vazhdonte prej kohësh kundër një pronari fabrike në Tuzla, u përhap në gjithë vendin dhe u transformua në dhunë. Në këtë rast frontet janë popullsia e penalizuar nga zhvillimet negative dhe elita politike. Por presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, i shfrytëzoi trazirat për të kërkuar shpërbërjen e federatës së shtetetve.

Reformë apo shpërbërje
Përballë mungesës së vullnetit politik për reforma duket se po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje nëse struktura e papërfunduar e një shteti do të funksionojë ndonjëherë. Në pikëpyetje është kështu edhe nëse do të dalë llogaria e BE-së e cila pret që një pranim në një strukturë më të lartë si Unioni, të zbehë dallimet në interesa mes bosnjakëve, kroatëve dhe serbëve, ashtu si pati ndodhur me shtetin e ish-Jugosllavisë. Kështu shumë ministra të jashtëm të BE-së mbrojnë tezën se Bosnje-Hercegovinës i duhet dhënë një perspektivë më e shpejtë anëtarësimi në BE për të çuar përpara reformat përpara se në tetor zgjedhësit të votojnë për presidentët dhe parlamentet e reja. Ministri i Jashtëm britanik William Hague i quajti protestat e popullsisë një “thirrje për zgjim”.
Komisioneri i BE-së për zgjerimin Stefan Füle të martën bëri megjithatë të ditur se konsultimet e tij dyditore me politikanë të lartë nga Bosnje-Hercegovina kishin qenë “thellësisht zhgënjyese”. Për këtë arsye ai i kishte dhënë fund përpjekjeve të tij. Perspektivat për Bosnje-Hercegovinën duken të zymta. Ose do të bëhet e mundur me trysninë e popullit dhe një sforcim shumë të madh një reformë me themel e marrëveshjes së Dejtonit, ose kërcënon shpërbërja e Bosnje-Hercegovinës. Kjo do të ishte pikërisht ajo çka iniciatorët e marrëveshjesh përreth Richard Holbrooke u përpoqën të shmangnin në 1995. (dw)

Kriza e BE dhe vendet e Ballkanit Perëndimor

Kriza financiare dhe ekonomike në BE ka dëmtuar vendet e Ballkanit Perëndimor. Varësia e fortë nga BE dhe deficitet kombëtare lënë shumë pak hapësirë për përmirësimin e situatës.Para krizës ekonomike në BE bankat greke ishin një faktor i rëndësishëm financiar në Balkan. Në më shumë se 1900 degë punësoheshin rreth 23.000 punonjës dhe angazhoheshin me 70 miliard ë euro. Me 15% të kapitalit të të gjitha bankave në Ballkan krahas institucioneve financiare austriake dhe italiene ata ishin një pikë e rëndësishme e ekonomisë vendase. Në to mund të merrje kredi. Pesë vjet pas krizës financiare dhe ekonomike në Greqi, situata ka ndryshuar, vlerëson Franz-Lothar Altmann, profesor për studimet evropiane në universitetin e Bukureshtit. Bankat greke për shkak të mungesës së mjeteve financiare në Greqi, janë të detyruara të tërheqin gjithnjë kapitalin nga vendet fqinje. „Në këtë mënyrë rritet vështirësia me kreditë në vendet e Ballkanit.”
Ndërlidhje të ngushta BE-Ballkan Perëndimor
Por kjo nuk është e keqja e vetme për rajonin. Me të vërtetë Ballkani perëndimor po e ndjen të gjithë peshën e krizës ekonomike dhe financiare të BE. Shkak për këtë është gërshetimi i ngushtë ekonomik me BE. Dy të tretat e tregtisë së vendeve të Ballkanit perëndimor kryhet me shtetet e BE. Rënia e eksporteve, e investimeve të huaja dhe remitancave të emigrantëve, aq të rëndësishme, kanë çuar në një zhvillim negativ, ose fare të pakët. Pasojat për njerëzit janë katastrofale. Rreth një e treta e popullsisë në Ballkanin Perëndimor jeton në varfëri, papunësia ka arritur standardet greke, emigrimi po shtohet.
Pikërisht këtij fati deshi t’i shpëtonte ky rajon, kur u orientua drejt BE. Tani ai duhet të përjetojë, se është BE, ai që e ka bërë krizën e tij krizë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, vlerëson Milica Delevic, zëvendëssekretare e Përgjithshme e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Bruksel. Kjo deklaratë në një konferencë ndërkombëtare të Shoqatës së Europës Juglindore dhe fondacionit Friedrich-Ebert në Berlin mbeti e padiskutueshme.
Aprovim gjeti edhe përfundimi i zonjës Deleviç, se kriza do të ketë si rrjedhim që BE të fokusohet në përballimin e krizës së tij ekonomike dhe financiare. “Për aq kohë sa je shumë i zënë me një çështje të rëndësishme”, tha zonja Delevic, “ke pak kohë për të çuar përpara diçka tjetër.„ Këtë proces nuk mund ta influencojnë vendet e Ballkanit Perëndimor. Por ata mund të përpiqen, për ta shfrytëzuar situatën si shans për reforma strukturore. Pasojat e krizës së importuar janë shumë të rënda, sepse rajoni vazhdon të vuajë nga deficitet strukturore.

BE duhet të vërë kushte më të rrepta
Rëndësi për zhvillimin ekonomik ka niveli i lartë arsimor. Pikërisht ky është i ulët në vendet e Ballkanit Perëndimor në krahasim me vendet evropianoperëndimore, thotë Gerald Knaus kryetar i Think Tank „European Stability Initiative”. Edhe numri i madh i universiteteve që nga kthesa politike nuk ka sjellë ndonjë dobi. E njëjta gjë mund të thuhet për trajnimin profesional. Shkollat profesionale në vendet e Ballkanit Perëndimor konsiderohen gati kudo si shkolla “të të dështuave”. Knaus konstaton, se arsimi dhe trajnimi profesional duhet të varen nga nevojat e ekonomisë, me qëllim që sipërmarrjet të jenë në gjendje, për të prodhuar produkte, që mund të eksportohen. Kjo presupozon, se elitat politike dhe arsimore të këtyre vendeve duhet ta kenë të qartë, se në cilat fusha do të lëvizë vendi i tyre në 10, 15 vitet e ardhshëm dhe në cilat do të mbetet në vend. Ky vizion mungon.
Në bisedat e tij të shumta në këtë rajon Gerald Knaus ka krijuar përshtypjen se jo vetem në mesin e elitës politike, por edhe në administratë ka një “qëndrim armiqësor ndaj sipërmarrjeve”. Një qëndrim i tillë nuk krijon besim për investorët për t’u angazhuar në Balkanin perëndimor. Kjo vlen të thuhet edhe për sipërmarrësit, që vijnë nga rajoni dhe që janë aktivë jashtë vendi. Ata druhen që t’i hyjnë rrezikut për të investuar në pylltari në Bosnje, në industrinë tekstile në Shqipëri, ose në industrinë ushqimore në Maqedoni. Një rol të rëndësishëm për të ndryshuar këtë koncept mund të luajë BE. Ai mendon Knaus, duhet të përcaktojë shumë më qartë se sa deri tani, se çfarë duhet të bëjë një administratë, që rregullon ekonominë në nivel evropian. Raportet e përvitshme të progresit për kandidatët për anëtarësim në BE duhet të jetë më konkretë dhe më kritikë në këtë drejtim. Kjo do t’i ndihmonte vendet e Ballkanit për të ndërtuar një ekonomi konkurruese të orientuar nga eksporti. (dw)

Unioni Ballkaniko-Perëndimor

Në muajin maj qeveria malazeze propozoi një koncept të ri bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku do të përfshihet Mali i Zi, Serbia, Kosova (në bazë të rezolutës 1244 të KS të OKB dhe sipas parimit të neutralitetit ndaj statusit), Shqipëria, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina. Të gjashtë vendet, duke iu referuar nismës së ministrit të jashtëm malazez, Igor Luksiç, do të ecnin me një hap drejt integrimit euro-atlantik. Inisiativa e Malit të Zi, që sipas shumë 35ve ballkanike të kujton një model të vjetër tashmë të shpërbërë, atë të ish-Jugosllavisë, do të diskutohet të enjten në Nju Jork, ku po zhvillohet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Inisiativa parashikon krijimin e një parlamenti me 10 përfaqësues nga çdo shtet dhe policie të përbashkët të gjashtë vendeve të Ballkanit. Kjo do të quhet “BalPol” dhe detyra e saj kryesore është lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm. Dokumenti, në formën e një “letre pune”, iu është dorëzuar qeverive të vendeve që parashikohen të jenë pjesë e kësaj inisiative. Diskutimi i vetëm zyrtar rreth saj, siç mësohet, është bërë më 16 korrik në Përzhno, ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Ministrive të Jashtme të Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnjes dhe Hercegovinës, Shqipërisë dhe Kosovës, në nivel drejtorësh politikë, të cilët kanë shprehur pëlqimin e tyre për nismën e Podgoricës.

Reagimet kanë qenë të shumta rreth kësaj dhe shumë analistë sugjerojnë fillimisht përmirësimin e bashkëpunimit në fusha si: ekonomia, kultura, energjitika dhe më pas zbatimin e këtyreve ideve. Mali i Zi, që është iniciator i nismës, argumenton se përmes unionit, vendet e Ballkanit Perëndimor do ta kenë më të lehtë rrugën drejt BE-së deri në anëtarësim të plotë.

Komentet kanë qenë të shumta, madje ka patur nga ata që e kanë cilësuar nostalgji për ish-Jugosllavinë e dikurshme, por për Podgoricën kjo është një tezë e gabuar sot në 2013-ën.

Bushati: Shqipëria, qasje të kujdesshme

“Nesër do të ketë një takim të posaçëm të ministrave të vendeve respektive për këtë çështje. Iniciativat rajonale shpesh duartrokiten nga partnerët ndërkombëtarë, por nga ana tjetër Shqipëria do të jetë një qasje të kujdesshme pasi të tilla iniciativa në rajon janë të shumta. Duhet të shohim efektivitetin e tyre në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, deklaroi ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në një lidhje telefonike me Top Channel.

Më tej, Bushati shtoi: “E rëndësishme për ne është që nisma të tilla të mos izolojnë vendet që nuk janë anëtare të BE-së. Në këtë kontekst do të jetë edhe përgjigja jonë për këtë nismë.” (tch)

RS: Momçillo Krajishniku pritet si hero

Në Republikën Serbe të Bosnjë Hercegovinës mijëra njerëz kanë dalur në rrugë për ta pritur ish-liderin kryesor politik të serbëve të Bosnjë Hercegovinës gjatë luftës, Momçillo Krajishnik, i cili ishte i dënaur për krime të luftës. Mbështetësit e tij e pritën atë me flamuj serbë dhe duke kënduar këngë nacionaliste serbe, derisa Krajishniku, 68 vjeçar, u kthye mbrëmë vonë në Pale, afër Sarajevës.

Ai ishte arrestuar në vitin 2000 dhe ishte dënuar nga Gjykata e Hagës për Krime të Luftës për ish-Jugosllavinë, për persekutimin dhe dëbimin me forcë të jo-serbëve dhe për krime kundër njerëzimit, gjatë luftës në periudhën 1992-95.

Krajishnik ishte dënuar me 27 vjet burg, por dënimi ishte reduktuar pas ankesës, kështu që atij i është garantuar lirimi nga një burg në Britani.

Momçillo Krajishnik ishte aleat i afërt i ish-liderit politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, i cili aktualisht është në Hagë, ku po vazhdon procesi kundër tij për akuza për gjenocid dhe krime të tjera. (rel)

Jutarnji List: Enver Hoxha planifikonte ta sulmonte Jugosllavinë

Udhëheqësi komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha planifikonte sulm ushtarak ndaj Jugosllavisë pas vdekjes së Josip Broz Titos, shkruan e përditshmja kroate, “Jutarnji List”.Sipas kësaj të përditshme, udhëheqësit komunistë të Shqipërisë, planifikonin, në takimet e tyre të fshehta në fund të viteve 70-të dhe në fillim të 80-tave, operacion ushtarak ndaj Ish SFRJ-së, të quajtur “Shpërthimi”.

Plani ishte, që pas vdekjes se Titos (që, sipas tyre, në Jugosllavi do të fillonin klanet e brendshme për pushtet), me aksion të shpejt të ushtrisë shqiptare ta merrnin Kosovën, por edhe pjesë te Maqedonisë dhe Malit të Zi ku shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë.

Kjo është bazuar në arkivat shqiptare dhe ruse, pastaj procesverbaleve te mbledhjeve të Politbiros së Partisë së Punës së Shqipërisë, si dhe dorëshkrimeve të ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Veli Lakaj, në tekstin me të ri i ka përmbledhur historiani rus, Artjom Ulunjan, analist për Lëvizje Komuniste te shekullit 20 në Ballkan.

Ulunjan, anëtar i Institutit për histori në Akademinë ruse të Shkencave, në numrin e janarit të revistës akademike “Slavjanovedenje”, ka botuar tekstin “Operacioni i fshehtë ‘Shpërthimi': Si bëhet gati Enver Hoxhaj për ‘kaosin pas Titos'”.

Edhe pse Ulunjan shkruan se edhe më herët, në mënyrë sporadike dhe jo të plotë (kryesisht në intervista të ish zyrtarëve komunist shqiptar) janë paraqitur informacione për operacion të fshehtë, tash nga burime arkivore është konfirmuar se Enver Hoxha ka qenë i fiksuar me atë se cfarë do të ndodh me Jugosllavinë pas Titos.

Ka qenë i bindur se atje do të ketë luftë të përgjakshme për pushtet ndermjet forcave proruse dhe atyre proamerikane.

Siç thuhet, Hoxha njëkohësisht ka qenë i brengosur për regjimin e tij, por ethshëm ka menduar se si nga tërë kjo situatë të nxjerrë aq sa mundet, sipas mundësive, ta rimarr Kosovën.

Enver Hoxha këtë plan ia kishte besuar udhëheqësve më të besuar të tij në fillim të dhjetorit të vitit 1977. Ky ishte fillimi i përgatitjeve serioze në rast të vdekjes së Titos. Ishin shqyrtuar të gjitha mundësitë për fqinjin e fuqishëm.

Ulunjan thotë se pikërisht Kosova është njëra nga arsyet e mundshme që Shqipëria ishte vendi i vetëm që nuk e nënshkroi aktinin e Samitit të Helsinkit në vitin 1975, me të cilin definoheshin kufijtë e Evropës së Re.

Ulunjan përmend raporton e ministrit shqiptar të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu nga nëntori i vitit 1977, në të cilin, “për herë të parë dhe të vetme” në një dokument të rëndësishëm të regjimit të Hoxhës përmendet “se Qeveria e Shqipërisë mbështetë bashkimin e të gjithë shqiptarëve”.

“Ne me të gjitha forcat mbështesim kosovarët. Dhe ne jemi për atë që ata të bashkohen me Shqipërinë, sepse kjo do të siguronte unitet kombëtar”, shkruante Hazbiu.

Hoxha theksonte se “nuk duhet kursyer mjetet për Kosovën, sepse herët apo vonë kjo do të shpaguhet në të ardhmen”. Pikërisht për këtë në vitin 1978 në strukturën e CKAPR themeloi Byronë e propagandës ndërkombëtare, të cilën e quajti Byroja për Kosovën.

Nikolliq: Faleminderit Bjellorusisë për Kosovën!

Bjellorusia mbështet “sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë” si dhe “arritjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për Kosovën”, ka thënë presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenka, pas takimit në Minsk me homologun serb, Tomisllav Nikolliq.Falënderoj Bjellorusinë për qëndrimin parimor ndaj Kosovës, ka thënë në anën tjetër Nikolliq, transmetojnë 35t serbe.

Nikolliq po ashtu ka thënë se vendi i tij “angazhohet në respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara”.

“Vërtet vlerësojmë mbështetjen e të gjithë miqve tanë. Falë kësaj mbështetjeje, ne mund të mbrojmë shtetësinë tonë dhe dinjitetin”, është shprehur Nikolliq.

Ai ka qëndruar sot në Minsk, ku me zyrtarët bjellorusë ka nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi.

Jeremiq nominohet për president të AP të OKB

Serbia ka nominuar zyrtarisht ministrin e saj të Jashtëm, Vuk Jeremiq, për postin e presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.Siç raportojnë 35t serbe, detyra e tij do të ishte “të planifikonte sesionin e Asamblesë së Përgjithshme, të përcaktonte rendin e ditës, të propozonte misionet paqeruajtëse, nismat ndërkombëtare e të tjera”, transmeton REL.

Kandidaturën për presidencën e radhës së këtij mekanizmi duhet ta përcaktojë rajoni i Evropës Lindore.

Funksionin e presidentit aktual të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e mban përfaqësuesi i Katarit, Nasir Abdulaziz al Nase. (rel)