Kategoritë: Ballkan

Bassuener: Dodik dhe Vuçiq garojnë “kush është serb më i madh”

Dodik VucicPresidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ai i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, prej kohësh garojnë me temën “kush është serb më i madh”, por pas të ashtuquajturit “Kuvendit gjithëserb”, ata ndiejnë se kanë nevojë për njëri-tjetrin.

 

Kështu ka thënë Kurt Bassuener, nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit me seli në Berlin, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL).

Biseda me Bassuenerin u zhvillua dy ditë pasi që Asambleja Kombëtare e entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republikës Sërpska, miratoi Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmen e përbashkët të popullit serb, e cila fillimisht u miratua në të ashtuquajturin “Kuvendi gjithëserb”, më 8 qershor.

Ndër të tjera, Bassuener foli edhe për ndikimin që Deklarata do të ketë në të ardhmen e marrëdhënieve në rajon, idetë e reja secesioniste në Republikën Sërpska, cili do të jetë reagimi eventual i SHBA-së dhe BE-së, si dhe çfarë pret nga zgjedhjet lokale të këtij viti në Bosnje e Hercegovinë.

 

Radio Evropa e Lirë: Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska ka miratuar Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmen e përbashkët të popullit serb, e konfirmuar në “Kuvendin gjithëserb”. Cila është rëndësia e saj në afat të shkurtë dhe afat të gjatë, a është vetëm simbolike, apo rëndësia e saj është ngritur në një nivel më të lartë, duke pasur parasysh se në çdo gjë ka qenë i përfshirë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq?

Kurt Bassuener: Në afat të shkurtër, e rëndësishme është se është treguar qëllimi dhe siç është e zakonshme – si për Vuçiqin ashtu edhe për Dodikun – shikojnë se sa larg mund të shkojnë.

Gjithashtu, duke marrë parasysh atë që po ndodh në Shtetet e Bashkuara, nuk mendoj se janë neutralë as Dodik dhe as Vuçiq, kur bëhet fjalë për zgjedhjet amerikane.

Të dy shpresojnë që ish-presidenti [Donald] Trump të bëhet sërish president në janar dhe nëse kjo ndodh, ata kanë besim se mund të vazhdojnë me veprimtarinë e tillë.

Në thelb, me këtë i “hedhin dorëzën” në fytyrë bashkësisë ndërkombëtare dhe i bëjnë pyetje – çfarë do të bëni për të na ndaluar?

Pra, nuk mendoj se kjo është vetëm deklarative apo simbolike. Mund të mos jetë diçka për operim në muajin e ardhshëm, por sigurisht që do të vazhdojë të shkojë në atë drejtim, do të vazhdojë në të ardhmen me takime, shpallje të qëllimeve të përbashkëta e të tjera.

Deri më tani, do të thosha se kundërshtimi i vërtetë i Perëndimit ndaj këtyre lëvizjeve nuk është trajtuar me gjuhën dhe metodat e duhura.

 

Radio Evropa e Lirë: Në të njëjtën kohë, ligjvënësit në Republikën Sërpska planifikojnë të miratojnë Informacionin për rregullimin e marrëdhënieve midis dy entiteteve, që në thelb është një thirrje për shkëputje paqësore. E veçanta e këtij akti është se kjo “ndarje” nuk u përmend në Kuvendin e 8 qershorit.

A do të thotë se kjo është edhe një “e shtënë në ajër” e pushtetarëve të Republikës Sërpska, sepse nuk e kanë mbështetjen e Vuçiqit, por megjithatë e kanë të paktën mbështetjen implicite të tij? A mund të presim që Vuçiq, në të ardhmen, të “justifikojë” aspirata të tilla të autoriteteve të Republikës Sërpska?

Kurt Bassuener: Është e qartë se ka kohë që ekziston një garë mes Dodikut dhe -Vuçiqit në temën se kush është serb më i madh, kështu që nuk mendoj se ata i besojnë plotësisht njëri-tjetrit.

Megjithatë, ata tani janë në situatë ku, pas cirkut në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të ashtuquajturit “Kuvend gjithëserb” dhe miratimit të Deklaratës, ata ndiejnë se kanë nevojë për njëri-tjetrin, por asnjëri prej tyre nuk mund ta pushojë garën.

Besoj se Dodik mendon se, së paku, mund të vazhdojë të fitojë mbështetjen e Vuçiqit në sferën publike, dhe se ai mund të vihet në pozitën ku eventualisht do t’i duhet të përmbushë premtimet e tij.

E gjithë kjo po ndodh në një atmosferë ku duket se gjithçka lejohet.

Faktorë të shumtë në BE duan të shihen si dikush që paraprakisht e inicion statusin kandidat të Bosnje e Hercegovinës, në mënyrë që të fillojnë negociatat, dëshirojnë të jenë ata që kanë arritur progres, prandaj nuk duan t’i theksojnë këto probleme.

Kishte shumë njoftime dhe deklarata të ashpra amerikane, jam dakord me shumë prej tyre, por nuk ndodhi diçka që në Republikën Sërpska nuk do të mund ta injoronin, siç është rivendosja e faktorëve të parandalimit dhe frikësimit.

Pikëpamja ime është se duhet të dërgohet porosia – ju kurrë nuk do të ndaheni, sepse ne nuk do t’ju lejojmë. Mund të flisni çfarë të doni, por nuk mund të bëni asgjë, kështu që në të mirën tuaj është të ndryshoni temën.

Që nga viti 2009, unë dhe kolegët e mi nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit kemi kërkuar vendosjen e trupave në Bërçko, riparimin e brigadës EUFOR me mbështetjen e aleancës së NATO-s. Mendoj se kjo do të ishte kthesë.

Jo vetëm që do ta shkatërronte agjendën “gjithëserbe”, por edhe idenë e “Botës serbe”, e cila është si një ombrellë mbi agjendën gjithëserbe.

Megjithatë, më duket se nuk ekziston dëshira në të dyja anët e Atlantikut për t’u parë si dikush që do të përshkallëzojë situatën. Mendoj se një gjë e tillë është problem.

Kjo ua lehtëson Dodikut dhe Vuçiqit që të vazhdojnë me “garën” e tyre.

 

Radio Evropa e Lirë: Lidhur me shkëputjen janë deklaruar Ambasada amerikane dhe Zyra e BE-së në Bosnje e Hercegovinë. Të gjithë e dënuan këtë dhe thanë se ishte e pamundur në praktikë, kur u paralajmërua për herë të parë, më 23 maj. Për sa i përket Deklaratës, Ambasada amerikane ishte e vetmja që reagoi mënyrë specifike.

Ndërkohë, SHBA-ja ka vendosur një sërë sanksionesh që mund të dhembin shumë – të drejtuara kundër kompanive të afërta me familjen e Dodikut. Jake Sullivan, një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, njoftoi gjithashtu masa të reja të mundshme. A prisni sanksione të reja amerikane dhe kundër kujt?

Kurt Bassuener: Kjo që e thoni se është diçka e pamundur, më nuk është e rëndësishme.

E nevojshme është që të vërtetosh se diçka është fizikisht e pamundur, t’u tregosh të gjithëve, jo vetëm lidershipit por edhe qytetarëve, se nuk mund të bëhet.

Kjo përfundimisht do të përjashtonte faktorin e frikës.

Për sa u përket sanksioneve, nuk e di se kë do të kishin cak, por e di se çfarë lloj njerëzish do të ishin cak.

E dimë se veprimi i bankave, të cilat mbyllën llogaritë e personave dhe kompanive nën sanksione, i lëndoi vërtet. Kjo është pozitive dhe tregon forcë.

Mendoj se në atë rast, më e mundshme është zgjerimi i rrethit të personave të sanksionuar.

Gjithashtu, unë mendoj se do të piketohen edhe ata njerëz, të cilët, për shembull, i obligojnë të tjerët të blejnë letra me vlerë të Qeverisë ose entitetet e mëdha që i kanë blerë ato.

Autoritetet e Republikës Sërpska kanë problem, për sa i përket parave, me të cilat i paguajnë rrjetet e tyre të patronazhit dhe punonjësit në sektorin publik.

Nëse ka presione të reja, me siguri do të synojnë këtë.

Cilat janë caqet e Vuçiqit dhe Andrija Mandiqit? 

Radio Evropa e Lirë: Çfarë roli luan Vuçiq në të gjitha veprimet e Republikës Sërpska dhe Millorad Dodikut. A “bekon” ai gjithçka nga prapavija, apo nuk ka aq shumë ndikim te presidenti i Republikës Sërpska?

A është e mundur që ai po përpiqet – siç u spekulua më parë – që me aktivizimin dhe “qetësimin” e Dodikut kur i duhet, të arrijë një pozicion më të favorshëm për Serbinë në lidhje me Kosovën?

Kurt Bassuener: Mendoj se ata e shfrytëzojnë njëri-tjetrin. Asnjëherë nuk kam krijuar përshtypjen se Dodiku është “lodra” e dikujt. Natyrisht, ai është në një pozicion vartës.

Sidomos, sepse ai është i cenueshëm kur bëhet fjalë për financimin, ndërkaq (kryeministri i Hungarisë, Viktor) Orban dhe Vuçiq e ndihmuan atë në këtë drejtim. Dhe, përfundimisht mendoj se Vuçiqi po e shfrytëzon këtë për qëllimet e tij më të gjera, përfshirë veriun e Kosovës dhe kjo është pjesë e konceptit të tij të “Botës serbe”.

 

Kjo është ajo që ka marrë vëmendjen më të madhe në hapësirën publike. Mund të debatohet edhe për atë se ka marrë mjaft vëmendje të madhe në Mal të Zi, përmes [kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Andrija] Mandiqit.

Ai (Vuçiq) u përball me probleme të reja në veri të Kosovës, veçanërisht pas Banjskës, dhe nëse e shikoni këtë në dritën e “performancës” në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe të gjithë historisë dhe parullës “ne nuk jemi popull gjenocidal”, unë mendojnë se po përdorin njëri-tjetrin.

Mendoj se kjo është e dobishme për Vuçiqin, për arsyet që përmendët, për qëllime më të gjera dhe për të krijuar një imazh të vetes si partner, sepse Dodik nuk e paraqet veten si aleat të kujtdo nga Perëndimi.

 

Vuçiq, natyrisht, po kryen arbitrazh gjeopolitik dhe po drejtpeshon. Dhe ai dëshiron të shihet si një partner pak a shumë i pranueshëm për SHBA-në, BE-në dhe Britaninë e Madhe.

Mendoj se te britanikët kjo “shitet” më shumë, sesa tek amerikanët dhe evropianët.

Natyrisht, duke përfshirë kinezët, rusët, turqit, arabët nga rrethi i Gjirit Persik, etj. Mendoj se përshtatet në atë ekuacion.

Dodik ndoshta nuk i tërheqë të gjitha fijet, por nuk mendoj se ai po bën gjithçka që Vuçiq kërkon prej tij.

 

Radio Evropa e Lirë: Në të njëjtën kohë, u shfaq edhe Andrija Mandiq, lider pro-serb nga Mali i Zi, i cili bëri thirrje për mbajtjen e një Kuvendi të ri gjithëserb në Mal të Zi. Çfarë roli mund të luajë ai dhe të tjerët të mbledhur rreth tij në narracionin për “Botën serbe”, që u materializua pjesërisht përmes Deklaratës?

Kurt Bassuener: Natyrisht, ai do të dëshironte që të jetë leva e tretë.

Në rast se gjërat përkeqësohen në Mal të Zi, në qoftë se nuk do të ketë përparim, por edhe në rast se forcat reaksionare në Evropë, nga kjo anë e Atlantikut, fitojnë fuqi, mendoj se ai beson që një gjë e tillë mund të jetë e realizueshme.

Edhe pse Mali i Zi tash është pjesë e NATO-s dhe nga gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, gati se në përgjithësi shihet si vendi më i mundshëm për të përparuar në rrugën drejt anëtarësimit në [BE].

Kështu që unë mendoj se kjo edhe për të është një deklarim i qëllimit. Nuk besoj se ai mendon se mund ta bëjë këtë në një afat të shkurtër, por në të ardhmen e afërt, le të themi në vitin e ardhshëm, ai mendon se mundet, nëse ngjarje të caktuara përkojnë në mënyra të caktuara, në mënyrë që ai të mund ta ndjekë këtë në mënyrë më agresive. Kjo sigurisht i bën edhe më domethënëse përgjigjet perëndimore ndaj këtij plani në kohë reale.

 

Reagimet e Zyrës së përfaqësuesit të lartë (OHR) dhe Bashkimit Evropian 

Radio Evropa e Lirë: Lidhur me Deklaratën, ka reaguar edhe Christian Schmidt, përfaqësues i lartë në Bosnje e Hercegovinë, i cili i shkroi kryetarit të Asamblesë së Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq dhe e paralajmëroi se, ndër të tjera, ajo shkel Marrëveshjen e Dejtonit dhe detyrimet e Republikës Sërpska ndaj saj. Ai përmendi, madje, edhe Kompetencat e Bonit.

A prisni që ata t’i përdorin këto, në lidhje me këtë dokument dhe dokumentet e tjera të paralajmëruara? A mund të pritet edhe shkarkimi i politikanëve, gjë që pritej, por deri më tani nuk ka ndodhur gjatë mandatit të tij?

Kurt Bassuener: Po, mendoj se nuk ka pasur diçka të tillë.

Kam punuar për Paddy Ashdown [ish-përfaqësues i Lartë në Bosnje e Hercegovinë] dhe më pas, për një kohë të shkurtër për pasardhësin e tij. Dhe, sigurisht, më kujtohen shkarkimet e mëdha të njerëzve, në numër të madh, si dhe çfarë i parapriu kësaj.

Mendoj se zyrtari i fundit i lartë që u hoq nga detyra në Republikën Sërpska, ishte Nikolla Popllashen [president i Republikës Sërpska, në fund të viteve ‘90], por për një gjë të tillë ishin të nevojshme forca të shumta të SFOR-it. Nuk ishte vetëm në stilin – përfaqësuesi i Lartë e ka fuqinë të shkarkojë dikë nga detyra; kjo është e ligjshme dhe mbetet kompetencë e tij.

Por, për ta vënë në praktikë, nënkuptonte të vendosje mjete të blinduara përreth zyrës së Popllashenit, t’ia fikje dritat dhe ndalje ujin, duke pritur që ai të dilte, për aq sa më kujtohet.

Kështu që unë nuk e shoh këtë si opsion.

Mendoj se Dodiku e di që kjo nuk është diçka që ekziston si kërcënim.

Nëse dikush shkarkohet tani dhe ai urdhër nuk respektohet, kjo e gërmon një gropë më të thellë për OHR-në. Por, përsëri mendoj se Schmidt do të kishte të drejtë të bënte diçka të tillë, sepse ai është autoriteti përfundimtar për të përcaktuar se kush e shkel Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit. Nuk ka gjykatë apeli për këtë gjë, por mendoj se diçka e tillë kërkon mjete serioze dhe ai nuk i ka ato.

Kjo nuk është për fajin e Schmidt-it, por Schmidt duhet të ecë tutje duke pasur këtë në mendje. Prandaj, deklaratat e llojit “nuk mund të shkëputesh, nuk është e mundur, kjo nuk është e ligjshme”, nuk do ta ndryshojnë dinamikën.

 

Radio Evropa e Lirë: Ndërsa SHBA-ja ka filluar të zbatojë më seriozisht sanksionet në muajt e fundit dhe llogaritë e njerëzve dhe kompanive po mbyllen, BE-ja kryesisht kufizohet në njoftimet që shprehin zhgënjimin dhe tërheq vërejtjen se hapa të caktuar të autoriteteve të Republikës Sërpska janë në kundërshtim me integrimet evropiane.

A duhet që BE-ja ta marrë më seriozisht çështjen e Bosnje e Hercegovinës, duke pasur parasysh se ajo kufizohet drejtpërdrejt me këtë vend, dhe të paktën në mënyrë deklarative, dëshiron ta pranojë atë në bashkësinë e vet?

Kurt Bassuener: Anëtarët e BE-së, qysh në vitin 2011, shprehën qëndrimet në një dokument, dhe u përgatitën për skenarin që po ndodh tani.

Por nga viti 2022, vendimi duhet të merret me konsensus. Asokohe u miratua me shumicë të thjeshtë.

Viktor Orban e mbrojti Millorad Dodikun nga sanksionet e BE-së. Ai nuk është i vetmi. Mendoj se në një kohë edhe Kroacia dha mbështetjen e saj që kjo të bëhet me aklamacion dhe jo me shumicë të kualifikuar.

Kështu që, për fat të keq, sanksionet nuk do të ndodhin, për sa kohë që qëndrimi i Budapestit është të mbështesë Dodikun, dhe nuk shoh që kjo do të ndryshojë në të ardhmen e afërt.

Natyrisht, shtetet anëtare individuale mund të vendosin sanksione, megjithëse disa do të thonë se vetëm sanksionet evropiane mund të zbatohen.

Gjermania, për shembull, pezulloi financimin e shumë projekteve, gjë që mendoj se ishte e dobishme.

Por BE-ja ka një mandat për “parandalim”. Për gati 20 vjet, puna e tij ka qenë të ofrojë një mjedis të sigurt.

Unë do të thosha se gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjë Bashkimi Evropian është të tregojë se pavarësia nuk është e mundur, dhe jo vetëm të thotë “jo, kjo e ndalon rrugën e juaj evropiane”.

 

Problemi është se, në rastin e përdorimit të mjeteve më serioze, ato do të tregonin se zgjerimi nuk inkurajon përparimin. Kështu që ata në fakt do të pranonin se politika e tyre për 18 vjetët e fundit ka dështuar, që do të thosha se është e vërtetë, por ata nuk dua ta pranojnë.

Kështu që unë kam ndjenjën që BE-ja nuk do të përdorë kompetencat që ka dhe se nuk do t’i japë fund këtij cirku, i cili është i rrezikshëm, sepse nuk duan të duken keq. Unë mendoj se, fatkeqësisht, është kaq e thjeshtë. 

Sfidat e vitit zgjedhor në Bosnje e Hercegovinë 

Radio Evropa e Lirë: Ky vit është vit zgjedhor në Bosnje dhe Hercegovinë. Deri në fillimin zyrtar të fushatës, mund të presim një shtrëngim shtesë në marrëdhëniet politike dhe në retorikë, edhe pse zgjedhjet janë lokale dhe ofertat janë disi më të ulëta se zakonisht.

A prisni që ndoshta SHBA-ja apo BE-ja do të përfshihen drejtpërdrejt në fushatën zgjedhore, në kuptimin e sanksioneve ndaj partive politike, si dhe a mund të presim që partitë, që deri më tash fituan zgjedhjet në vija etnike dhe në narracione etnike, të dominojnë sërish?

Kurt Bassuener: Mendoj se qëndrimi ndërkombëtar do të jetë i ngjashëm me atë që ishte në zgjedhjet e mëparshme. Do të thotë, votuesve do t’u kërkojnë të votojnë për interesat e tyre, ndërkaq partive politike që të fokusohen në shqetësimet e votuesve për ekonominë, korrupsionin, drejtësinë dhe çështje praktike, si cilësia e ajrit dhe gjëra të tilla, të cilat të gjithë politikanët do t’i shpërfillin.

Në nivelin e popullit, ende nuk kam takuar asnjë qytetar të Bosnjës, të asnjë kombi, qoftë serb, boshnjak, kroat, që të jetë i kënaqur me politikën dhe liderët.

Në qoftë se do t’i pyesnit qytetarët se a duan të dërgojnë në Goli Otok gjithë elitën politike – klounët e mi, klounët e tyre, klounët tuaj, jam i sigurt se do të kishte 95 për qind të votave “për’, dhe një dalje e madhe në votim.

Gjëja e rëndësishme për zgjedhjet lokale, megjithatë, janë njerëzit që mund ta lidhin kryetarin e bashkisë, në veçanti, me atë që po ndodh në komunitetin e tyre lokal dhe e dinë se ku jeton ai ose ajo.

Pra, ka më shumë potencial për llogaridhënie të zyrtarëve të zgjedhur në nivel lokal se kudo tjetër mbi atë nivel. Në nivelin më të lartë, nuk ka fare llogaridhënie.

Kështu që, unë shpresoj se do të ketë një befasi, se ka disa liderë të mirëfilltë lokalë që zgjidhen, të cilët nuk janë pjesë e sistemeve partiake, ose të paktën nuk janë pjesë e sistemeve kryesore të partisë në pushtet, të cilët mundësisht janë të pavarur, të cilët në fakt zbatojnë agjenda lokale për qytetarët e tyre dhe kanë vullnet të madh të jenë të zëshëm në skenën kombëtare, në skenën më të gjerë për qytetarët e tyre, si dhe të kundërshtojnë nivelet më të larta të qeverisjes, qofshin ato të kantoneve apo të entiteteve, varësisht nga vendi ku jetoni, sepse është gjithmonë çështje resursesh.

Mendoj se ka mundësi për lëvizje më të vogla. A pres çfarëdo ndryshime drastike? Jo, sepse zgjedhjet lokale nuk funksionojnë ashtu, por shpresoj se, në qoftë se do të ketë mashtrime më të vogla zgjedhore, ndoshta do të shohim së paku zgjedhje më të pastra. Por, nuk kam pritje shumë të mëdha.

rel

 

Sfidat e politikës gjermane ndaj Ballkanit Perëndimor

sfidatPolitika gjermane ndaj Ballkanit Perëndimor po përballet me sfida të reja: përbërjen e re të parlamentit në Bruksel, rikthimin e mundshëm të Trump dhe situatën gjithnjë e më të paqëndrueshme në vetë rajon.

 

Njëzet vjet pas zgjerimit të fundit të madh të Bashkimit Evropian është një rast për të hedhur një vështrim ndaj politikës së jashtme gjermane gjatë kësaj periudhe, sidomos lidhur me marrëdhëniet me vendet e Evropës Juglindore, shumica e të cilave presin të anëtarësohen në BE.

Prandaj këtë javë në parlamentin gjerman u diskutua mjaft për këto tema e madje jo si zakonisht në komisione apo në seanca, por në forume speciale, që lidhen në një mënyrë apo në një tjetër me Evropën Juglindore.

Shoqata për Evropën Juglindore (SOG) organizoi dy tubime, njëri me rastin e 80-vjetorit të lindjes së ish-presidentit dhe nderit të SOG-së dhe politikanit, Gernot Erler, dhe tjetri me rastin e dhëbies së Çmimit të Solidaritetit të Gazetarëve të SOG-së, akorduar gazetarit Xhabir Memedi Deralla.

Brnabiq nuk mori pjesë në forume

Në pozicionin e tij si Sekretar Shteti në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në kabinetin e parë të Angela Merkelit, Gernot Erler e formësoi në një masë të konsiderueshme  drejtimin e politikës së jashtme gjermane edhe lidhur me Evropën Juglindore. Politikani social-demokrat ishte njëri nga ata që u angazhua fort për njohjen e Kosovës, gjë që siç tha politikani dhe panelisti kristian-demokrat Peter Beyer, nuk ishte e vetëkuptueshme në Berlinin politik.

Është interesant fakti se në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën kohë, që zhvillohej forumi kryetarja e re e Kuvendit të Serbisë dhe ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ishte për vizitë në ndërtesën e Bundestagut, por ajo nuk mori pjesë në aktivitetet e organizuara nga Shoqata për Evropën Juglindore (SOG). .

Përveç Peter Beyer dhe Manuel Sarrazin, kryetari i SOG-së dhe i ngarkkuar i posaçëm i qeverisë gjermane për çështjet e Evropës Juglindore, në forum ishte i pranishëm edhe Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.

Konflikte të reja të mundshme në Ballkan

I pyetur nga DW lidhur me ripërtëritjen e konflikteve të armatosura në Ballkan, Erler tha se ky opsion është i mundshëm nisur nga përkeqësimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Prishtinës së fundmi. “Ne gjithashtu duhet të mbajmë parasysh se është në interesin e Putinit të nxisë një konflikt të ri të armatosur në Evropë, i cili do të largonte vëmendjen nga lufta në Ukrainë dhe do të përfaqësonte skenarin më të keq të mundshëm për Perëndimin”, tha Erler.

Hoxhaj nuk mendon se mes Kosovës dhe Serbisë mund të ketë konflikte të reja si ai i fundit të viteve nëntëdhjetë. “Por në të njëjtën kohë duhet thënë se deri vonë askush nuk e besonte se kishte ende ushtarë që ishin gati të sulmonin ushtarët e NATO-s, siç ndodhi vitin e kaluar në veri të Kosovës”, paralajmëroi ish-ministri i Jashtëm. Ai tha se “Serbia është e gatshme të bëjë shumë për të aneksuar veriun e Kosovës”.

Në intervistën e tij për DW Erler shpreh disa herë habinë e tij për faktin se presidenti serb Aleksandar Vuçiq arrin ta shesë veten si mbështetës i madh i anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, ndërsa nga ana tjetër punon në favor të Rusisë. “Jam i befasuar që Brukseli tani ka vendosur të përfundojë negociatat me Gjeorgjinë për shkak të miratimit të ligjeve që favorizojnë Rusinë, kur në të njëjtën kohë Serbia bën lëshime shumë më të mëdha ndaj Kremlinit”, tha Erler.

Frikë nga Grenell dhe Trump

Gjatë forumit u përmend vazhdimisht çështja e ndryshimit të marrëdhënieve globale dhe ndikimi në Evropën Juglindore në rast të rifitores së Donald Trumpit. Përfaqësuesi i kristian-demokratëve dhe ish-raportuesi për Ballkanin Perëndimor i grupit parlamentar të Demokristianëve në Bundestag, Peter Beyer, i kushtoi vëmendje veçanërisht ish-ambasadorit të Trumpit në Berlin dhe të dërguarit të mëvonshëm special të Shtëpisë së Bardhë për negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell.

“Grenell ka qenë vazhdimisht në rajon dhe përsëri në vitet e fundit nën kush e di se çfarë justifikimi,” tha Beyer, i cili ka qenë koordinator për marrëdhëniet transatlantike në qeverinë e Angela Merkelit. Ai shprehu frikën se nëse Trump vjen sërish në pushtet, çështja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën BE dhe Gjermania e refuzojnë si një opsion jashtëzakonisht të rrezikshëm, mund të shtrohet sërish për diskutim.

“Trumpi është i bindur se nëse vjen në pushtet, do ta përfundojë luftën në Ukrainë brenda një dite dhe ndoshta mendon se do ta zgjidhë edhe problemin e Serbisë dhe Kosovës. Mendoj se duhet të përgatitemi për shumë gjëra. Dhe kjo nuk vlen vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për Bosnjë-Hercegovinën”, paralajmëroi Beyer.

Ballkani Perëndimor në plan të dytë edhe në Bruksel

Në forum u fol edhe për fokusin e BE-së në Ballkanin Perëndimor pas ndryshimeve në Bruksel, sepse përbërja e re e Parlamentit dhe Komisionit të BE-së mund ta kalojë Ballkanin Perëndimor në plan të dytë.

“Ekziston rreziku që asambleja e re e Parlamentit Evropian të fokusohet në komisione tërësisht tek problemi i Ukrainës dhe t’i kthejë shpinën Ballkanit Perëndimor. Kjo është e rrezikshme sepse edhe në këtë rajon ekziston rreziku i ndezjes së konflikteve të vjetra dhe krijimit të pikave të reja të nxehta”, tha një nga pjesëmarrëset e forumit, ish-zëvendëspresidentja e qeverisë bullgare, Meglena Pugaçieva.

Si një nga problemet që pengon vendet e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së përmendet vazhdimisht presioni ndaj mediave. Kjo u tha disa herë edhe në forumet e zhvilluara në Bundestag. Për problemet me të cilat përballen mediat foli Xhabir Memedi Deralla, gazetar dhe aktivist për të drejtat e njeriut nga Maqedonia e Veriut, fitues i sivjetshëm i Çmimit të Solidaritetit të Gazetarëve të Shoqatës për Evropën Juglindore (SOG).

dw

 

 

BE dhe SHBA, presion Serbisë: Marrëdhëniet me Rusinë “nuk janë normale”

Grushko DacicZëvendësministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Aleksandar Grushko dhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq në Beograd, 1 korrik 2024.

 

Bashkimi Evropian i bëri thirrje Serbisë që të vendosë sanksione kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, pasi Serbia priti zëvendësministrin e Jashtëm rus, Aleksandr Grushko.

Më 2 korrik, Grushko u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa gjatë qëndrimit në Beograd kishte takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë serbë.

“Bashkimi Evropian ka qenë i qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës”, tha një zëdhënësi i BE-së për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se Këshilli i BE-së është në dijeni për ndihmat humanitare dhe të tjera të Serbisë për Ukrainën, por se, gjithashtu, pret që Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, të përafrohet me politikën e jashtme evropiane dhe të sigurisë.

Departamenti amerikan i Shtetit tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara “nuk besojnë se ndonjë vend duhet t’i japë Rusisë platformë për të promovuar luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës”.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe e gjithë Evropa, kanë një interes të madh në rrjedhën e luftës ruse kundër Ukrainës, e cila kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, është e një rëndësie vendimtare të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku përballë agresionit të Rusisë”, tha Departamenti i Shtetit.

Ai vlerësoi, po ashtu, mbështetjen që Serbia i ka dhënë Ukrainës deri më tani.

Me kë u takua Grushko në Beograd?

Grushko kishte një “bisedë të mirë” me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur vetë Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram, më 2 korrik.

“I kemi shqyrtuar marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Federatës Ruse dhe i kemi vlerësuar si shumë të mira”, shkroi Vuçiq në postimin e tij.

Një ditë më parë, zëvendësi i ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u takua me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Policisë të Serbisë, Ivica Daçiq.

Ai zhvilloi takim edhe me zëvendëskryeministrin serb, Aleksandar Vulin, dhe ministrin Nenad Popoviq. Të dy ata janë në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me Kremlinin.

Në listën e zyrtarëve serbë me të cilët u takua Grushko, është edhe Marko Gjuriq, ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë.

Lidhja me Rusinë

Pushtimi rus i Ukrainës është në vitin e tretë dhe gjatë kësaj kohe Serbia nuk ka hequr dorë nga lidhjet e saj me Rusinë.

Zyrtarisht, Beogradi mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por refuzon të vendosë sanksione kundër Moskës.

Ai e arsyeton refuzimin e tij me lidhjet miqësore me Rusinë, por edhe me mbështetjen që merr prej saj në nivel ndërkombëtar.

Kjo nuk është vizita e parë e zëvendësit të Lavrovit në Serbi që nga fillimi i luftës.
Grushko ka qëndruar në Beograd edhe në tetor të vitit 2022, por, atëkohë, publiku serb ka mësuar për vizitën nga zyrtarët dhe mediat në Rusi.

Bëhet fjalë për një performancë pa thelb – kështu e vlerëson vizitën e zyrtarit rus për Radion Evropa e Lirë Darko Obradoviq, nga Qendra joqeveritare për Analiza Strategjike në Beograd.

“Bashkëpunimi mes Serbisë dhe Rusisë aktualisht është shndërruar në një aktivitet propagandistik mediatik, që, në fakt, nuk do të japë ndonjë rezultat thelbësor”, thotë Obradoviq.

Një vlerësim të tillë ai e mbështet në argumentet se “Rusia nuk ka më asgjë për t’i ofruar Serbisë në fushën e sigurisë”.

Vizita e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë në Serbi u zhvillua dy javë pasi Serbia mbështeti deklaratën në Samitin për Paqe në Ukrainë, i cili u mbajt në Zvicër, duke shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës.

Ajo është një prej disa deklaratave të Bashkimit Evropian dhe rezolutave të OKB-së që Serbia i ka mbështetur, e që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës.

Megjithatë, ajo nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, tek e cila mbështetet, para së gjithash, për çështjen e Kosovës.

Vizita e Grushkos kësaj radhe u pasqyrua në media

Ndryshe nga vizita e mëparshme e Grushkos në Beograd, e fundit është raportuar nga zyrtarët përmes komunikatave për media.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndarë një fotografi me Grushkon në llogarinë e tij në Instagram.

Kur ai është takuar me të në Beograd në tetor të vitit 2022, Ministria e Punëve të Jashtme ruse ka publikuar informacionin, por jo edhe Zyra e Presidentit të Serbisë.

Në serinë e kontakteve të Grushkos me zyrtarët serbë hyn edhe takimi me zëvendëskryeministrin Aleksandër Vulin në Moskë.

Ata u takuan në mes të qershorit, menjëherë pasi Vulin u emërua në një nga pozitat udhëheqëse në Qeverinë e re të Serbisë.

Mesazhet e Grushkos dhe Vulinit atëkohë kanë përçuar synimin për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Vulin, nga lista e zezë amerikane, ka diskutuar me zyrtarët rusë për “rezistencën e përbashkët ndaj Perëndimit”, kanë raportuar mediat ruse.

Si e raportuan mediat ruse vizitën e Grushkos?

“Nivel i jashtëzakonshëm i marrëdhënieve me Federatën Ruse” dhe “bashkëpunim i ngushtë” përmes Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Kështu u raportua për vizitën e Grushkos në Serbi më 1 dhe 2 korrik në mediat ruse.
Në raportet e tyre, agjencitë shtetërore ruse, TASS dhe Ria Novosti, iu referuan njoftimeve të Qeverisë së Serbisë dhe postimit të Vuçiqit në Instagram.

Ato raportuan edhe për deklaratat e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Vulin, për “miqësinë dhe respektin reciprok” të dy vendeve.

TASS njoftoi gjithashtu se Grushko, gjatë vizitës së tij në Beograd, vendosi kurora lulesh në Memorialin e Çlirimtarëve të Beogradit, te Flaka e Përjetshme dhe te Monumenti i Ushtrisë së Kuqe.

Darko Obradoviq, nga Qendra joqeveritare për Analiza Strategjike në Beograd, e sheh këtë si “një lojë që Rusia dhe Serbia e kanë pranuar”.

“Në të ardhmen do të jemi dëshmitarë të aktiviteteve të tilla, por nuk do të ketë realizime thelbësore. Kjo është vetëm një mënyrë e lehtë për të mos thyer ‘vëllazërinë’ shekullore”, thotë Obradoviq.

Serbia dhe Rusia, përndryshe, kanë një bashkëpunim të zhvilluar ushtarako-teknik, ndërsa nga viti 2016, kur ka filluar modernizimin e ushtrisë, Serbia ka siguruar armë nga Rusia, pavarësisht kritikave nga Brukseli.

rel

Kostovicova: Rezoluta e OKB-së për Srebrenicën nuk e përmend përgjegjësinë kolektive të serbëve

SrebrenicaUdhëheqësia e Serbisë ka arritur që me sukses të përziejë përgjegjësinë kolektive me atë individuale sa u përket krimeve të luftës, ndonëse e dimë që drejtësia ndërkombëtare bazohet në idenë e përgjegjësisë individuale. Kështu thotë Denisa Kostovicova, profesoreshë e politikave globale në Shkollën e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike, në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

 

“Në fakt, nëse e lexoni tekstin e rezolutës, aty nuk përmendet përgjegjësia kolektive e asnjë grupi”, ka thënë ajo, duke iu referuar rezolutës së miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, që e njeh 11 Korrikun si Ditë Ndërkombëtare për Kujtim të Gjenocidit në Srebrenicë.

Sipas Kostovicovas, Serbia dhe udhëheqësia aktuale serbe e kanë ndërtuar legjitimitetin e tyre në narrativën historike që vë në pikëpyetje, minimizon dhe mohon rolin e tyre në luftërat dhe shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet ’90.

“Mohimi i gjenocidit ua mohon dinjitetin viktimave”

 

Radio Evropa e Lirë: Çfarë rëndësie ka miratimi i rezolutës për Srebrenicën nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, fillimisht për viktimat, më të dashurit e tyre, si dhe për të vërtetën dhe drejtësinë, pavarësisht faktit që në votim janë vërejtur dallime të thella?

Denisa Kostovicova: Mendoj që votimi është shumë i rëndësishëm. E shpall 11 Korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë. Ka rëndësi të madhe simbolike. Ka implikime praktike si në rajon, ashtu edhe në botë.

Siç e thatë, e vendos në qendër nevojën e të mbijetuarve dhe familjeve të viktimave për pranim të aktit. Ajo që ata kanë përjetuar, është krimi më i rëndë në tokën evropiane pas Luftës së Dytë Botërore, kur forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë. Në këtë drejtim, ne mund të themi se rezoluta është e orientuar në të kaluarën. E njeh të keqen e kryer në të kaluarën. Mirëpo, mendoj se janë edhe disa elementë të rëndësishëm. Rezoluta flet edhe për gjendjen aktuale të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës. Mohimi i gjenocidit ndikon në mohim të dinjitetit të viktimave, në fakt ua minimizon vuajtjet.

 

Në këtë pikë rezoluta e prek të tashmen, ndonëse është e orientuar edhe në të ardhmen. Duke bërë thirrje për parandalim të gjenocidit, vihet në pah edhe përgjegjësia e një shteti dhe roli i edukimit, si dhe programeve tjera, për parandalim të mohimit të gjenocidit në të ardhmen. Prandaj, në këtë kontekst, e shoh këtë rezolutë – qartazi të fokusuar në Srebrenicë – si mbështetëse të kulturës së memorializimit dhe që u ofron njerëzve në Srebrenicë një mundësi për të jetuar jetë më të mirë. Pra, viktimat e Srebenicës do të bëhen pjesë e kujtesës globale.

 

Por, mendoj që është e rëndësishme që ta vendosim rezolutën e 23 majit në kontekst më të gjerë global, sepse kjo rezolutë që ka të bëjë me Srebrenicën dhe krijimin e një Dite Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtimit, ndjek hapat e rezolutave tjera. Shembull është rezoluta që ka inauguruar Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit për gjenocidin në Ruandë.

Kjo rezolutë është shumë e ngjashme në themel, pasi bën thirrje për njohje të viktimave. Natyrisht, ekzistojnë edhe rezoluta të tjera të Kombeve të Bashkuara, shembull ato që përkujtojnë Nakban – zhvendosjen masive me forcë të palestinezëve më 1948. Para saj ka qenë rezoluta tjetër për Ditën Ndërkombëtare për Kujtim të Holokaustit. Po e them këtë, sepse ky hap e shpërfaq një normë globale të memorializimit dhe njohjes së viktimave në skenën globale.

Ndërkohë, është arritur edhe te politizimi i kësaj rezolute. Në Serbi dhe Bosnjën fqinje, sidomos në Republikën Sërpska, është thënë kinse kjo ngjarje i veçon në një mënyrë serbët, e që në fakt kur e shohim në kontekst global, nuk është ashtu.

 

“Serbia po largohet prej Evropës”

Radio Evropa e Lirë: Pse Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka qenë aq e ndarë si organizatë botërore? Ajo, në fakt, në ditët e sotme është e ndarë në shumë çështje të tjera të ngjashme. A do të thotë kjo se vendet anëtare janë më të interesuara në interesin e tyre gjeopolitik, sesa në të vërtetën dhe drejtësinë?

Denisa Kostovicova: Do të thosha se në situatën aktuale globale, në kontekst të rritjes së gjeopolitikës, mendoj se Asambleja e Përgjithshme, edhe kur ka të bëjë me çështjet e luftës dhe paqes e drejtësisë, i reflekton këto lloj riorganizimesh tektonike që po ndodhin sot në botë, dhe kjo ka ndodhur edhe në këtë rast. Fakti që ka qenë e ndarë, që nuk ka pasur një vendim unanim, nuk është befasi. Nuk është aspak befasi.

Mirëpo, nëse analizojmë më thellë dhe e vështrojmë këtë riorganizim dhe debatin për miratim të rezolutës së 23 majit, mendoj që Serbia është vënë në pozitë të vështirë, në aspektin politik dhe atë gjeopolitik, sepse Serbia pozicionohet si e distancuar prej normës dhe rregullit evropian, dhe si shtet që është duke e rritur varësinë ndaj Rusisë dhe Kinës. Diçka e tillë e shtyn Serbinë në një pozitë të paqëndrueshme, pasi në të njëjtën kohë është në anën e kundërt të rendit evropian, por, prapëseprapë, synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe varet aq shumë prej fondeve të bllokut evropian.

 

Koncepti “fantazmë” i serbëve si “komb gjenocidal”

Radio Evropa e Lirë: Ndonëse i pranojnë në përgjithësi mizoritë e tmerrshme që janë kryer në Srebrenicë, shumë në Serbi mohojnë se diçka e tillë përbën gjenocid. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe presidenti i entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik, e kanë quajtur nocionin e gjenocidit në Srebrenicë si të fabrikuar. Dy liderët thonë se rezoluta për gjenocid në Srebrenicë i kthen të gjithë serbët në gjenocidal, ndonëse në dokument nuk përmenden serbët si fajtorë. Pse është udhëheqësia serbe kaq e zemëruar dhe kundër?

Denisa Kostovicova: Janë disa aspekte me rëndësi, fillimisht për mënyrën se si Serbia, apo udhëheqësia serbe e kanë ndërtuar legjitimitetin për narrativën historike në veçanti, e cila e minimizon dhe mohon rolin e Serbisë në shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet ’90.

Kjo besoj që është rrënja e kësaj logjike etnocentrike që aplikohet në çështjet e viktimizimit, apo jo? Kur them etnocentrike, e nënkuptoj pozicionin në të cilin thuhet se serbët janë dhe kanë qenë viktimat më të mëdha të këtij konflikti, dhe kjo lidhet shumë me atë që kemi diskutuar dhe ka të bëjë me gjenocidin në Srebenicë.

Prandaj, mendoj që kjo është pjesë shumë e rëndësishme e mohimit të krimeve të kryera prej disa serbëve. Me fjalë të tjera, nuk është bërë asnjë shqyrtim kritik i rolit të serbëve në këto luftëra. Ajo që është problematike këtu është ndërtimi i disa tropeve që po përdoren, dhe ky koncepti që serbët janë komb gjenocidal është koncept fantazmë, që përdoret për të diskredituar gjithë procesin e llogaritjes së dëmeve në të kaluarën si dhe i hap derën politizimit të trashëgimisë së luftës.

Ajo çfarë e bën këtë çështje të komplikuar është që udhëheqësia ka arritur që me sukses të përziejë përgjegjësinë kolektive me atë individuale kur është fjala për krimet e luftës. Ne e dimë që premisa e drejtësisë ndërkombëtare penale ka të bëjë me përgjegjësi individuale. Dhe, në fakt, nëse lexohen tekstet e rezolutave, aty nuk përmendet përgjegjësia kolektive e asnjë grupi. Në këtë drejtim, e kam parë si të zgjuar propozimin e diplomatëve malazezë që kanë propozuar amendamentin që përcakton se fajësia është individuale dhe tregon se ky koncepti fantazmë është politik dhe instrumental, dhe mëton shmangie prej përgjegjësisë.

Ajo çfarë shoh si problematike këtu është që narrativa ekzistuese e bën shumë të vështirë sfidimin e kësaj logjike të përmbysur. Po flas këtu për njerëzit e zakonshëm. Krijohet klimë shumë sfiduese dhe demonstron sa e vështirë është që të adresohen këto çështje kur debatet e lira dhe të arsyeshme janë të mbyllura. E kemi parë që disa parti, përfshirë edhe organizata të shoqërisë civile, organizata për të drejta të njeriut, e kanë veçuar këtë pikë të përgjegjësisë kolektive dhe individuale. Megjithatë, aktualisht këta zëra janë duke u shtypur në Serbi.

 

“Mohimi i gjenocidit për të treguar që të gjithë kanë vuajtur”

Radio Evropa e Lirë: Pse ky dallim në mes të krimeve të luftës dhe gjenocidit ka rëndësi jo vetëm për shumë serbë, por edhe në rastet tjera? Shembull është Turqia kundër përshkrimit të mizorive kundër armenëve, një shekull më parë, si gjenocid, ndonëse pranohet që janë kryer krime të tmerrshme përgjatë Luftës së Dytë Botërore?

Denisa Kostovicova: Sepse një kategorizim i tillë i krimit flet për një lloj specifik të krimit dhe përgjegjësisë. Në atë kontekst, kur e analizojnë kontekstin në Ballkan, aty ekziston ideja e relativizimit të krimeve. Ekziston një vijë e hollë, pasi duke pranuar se një grup mund të ketë kryer ose ka kryer gjenocid, nuk nënkupton që anëtarët e atij grupi nuk ka qenë po ashtu viktima, apo jo?

Por, duke e mohuar gjenocidin tentohet të krijohet mendësia që të gjithë kanë vuajtur njëjtë. Mirëpo, të thuhet që të gjithë kanë vuajtur dhe kanë qenë viktima, të në të dyja anët, nuk nënkuptohet që kanë ekzistuar lloje të ndryshme të krimeve për grupe të ndryshme. Ka pasur shumë përpjekje për të dokumentuar dhe krijuar dokumente zyrtare të krimeve të luftës, që kanë dështuar në rajon. Disa prej tyre janë dokumentuar. Në disa prej tyre në krye të përpjekjeve ka qenë shoqëria civile.

Ajo që mund të nxirret në përfundim është se kjo lloj transparence do të parandalonte instrumentalizimin dhe politizimin e viktimave dhe shifrave të atyre që kanë vdekur në luftë.

 

“Nuk do të ketë pretendime për kompensim”

Radio Evropa e Lirë: Serbia dhe Republika Sërpska pretendojnë se rezoluta e miratuar në OKB për gjenocidin në Srebrenicë mund të çojë në përtëritjen e padisë së Bosnjës kundër Serbisë, përfshirë kërkesën për dëmshpërblim për dëme të luftës. Cilat janë gjasat?

Denisa Kostovicova: Nuk mendoj se ka gjasa. Kjo rezolutë nuk krijon fakte të reja ligjore. Kjo rezolutë shërben për përkujtim dhe ua njeh dinjitetin viktimave.

 

Radio Evropa e Lirë: Ndoshta Vuçiqi dhe politikanë tjerë serbë kanë tentuar që në këtë mënyrë të shmangin përgjegjësinë politike për luftën në vitet ’90, e cila ka rezultuar me shumë mizori, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë. Gjatë proceseve gjyqësore në Hagë, përgjegjësia për krime lufte është individualizuar. Por në ato procese, udhëheqësia serbe është konsideruar përgjegjëse për mosparandalim të gjenocidit në Srebrenicë. A do të mund të hapë diçka e tillë çështjen e përgjegjësisë për këtë gjenocid?

Denisa Kostovicova: Do të përgjigjem thuajse njëjtë. Miratimi i rezolutës nuk është proces ligjor që zbulon fakte të reja. Në fakt, edhe përgjatë debatit, rezoluta u referohet pothuajse të gjitha fakteve ekzistuese. Aktualisht, nuk ka një tribunal ndërkombëtar që do t’i analizonte këto çështje. Në fakt, prej mbylljes së Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, çështjet kanë kaluar në legjislaturat e brendshme.

 

“Mohimi i krimeve është burim destabilizimi”

Radio Evropa e Lirë: Ka pretendime në Serbi dhe Republikën Sërpska që diçka e tillë do të rrezikonte pozitën e entitetit boshnjak, përfshirë disa pretendime radikale për shfuqizimin e tij si vepër gjenocidale. Sa realiste janë?

Denisa Kostovicova: Këtu kemi të bëjmë me përmbysje strategjike të narrativave. Ekziston kjo narrativë prej mohuesve të krimeve të luftës që thonë se krimet e luftës krijojnë jostabilitet, dhe kjo është e drejtë, është situatë destabilizuese sepse ata po i mohojnë krimet e luftës. Të jetosh me një krim lufte, që ka trashëgimi kaq të rëndë, nuk është diçka e lehtë në aspektin politik. Prandaj është e rëndësishme që të adresohen, që të adresohen në një mënyrë që përbën rishqyrtim kritik të roleve të palëve të ndryshme në dhënie fund të konfliktit, në njohje të të gjitha viktimave, pavarësisht kush janë dhe prej cilës etni.

 

“Prodhimi i krizave për të ruajtur pushtetin”

Radio Evropa e Lirë: Millorad Dodik, president i Republikës Sërpska ka thënë se Qeveria e tij ka propozuar zyrtarisht ndarjen prej Bosnjës. Nëse tenton ta realizojë këtë, a do të rezultojë me gjakderdhje, jo vetëm në Bosnje, por edhe në rajonin e Ballkanit?

Denisa Kostovicova: Vështirë për t’u përgjigjur. Kjo deklaratë e bërë më 23 maj përputhet shumë me logjikën që dikush varet prej prodhimit të krizave për të ruajtur pushtetin. Pyetja e madhe është se deri në çfarë shkalle mund të prodhohet jostabilitet me shpresën që jostabiliteti nuk do ta çojë rajonin në tjetër drejtim që e rrezikon edhe vetë Dodikun?

Është vijë e hollë që kërkon balancë. Nuk mund të parashikoj çfarë mund të ndodhë, mirëpo e shoh që një lloj i atillë i krizave, dhe abuzimi me kriza, si stil i qeverisjes, është mjaft i dëmshëm.

Janë edhe disa çështje të rëndësishme në marrëdhëniet serbe, të cilat nuk janë adresuar kur janë bërë këto kërcënime dhe hapa radikalë. Nëse Republika Sërpska do të ndahet, a do t’i bashkohet Serbisë? Nëse i bashkohet Serbisë, a do t’i nënshtrohet Republika Sërpska regjimit të Beogradit? Këto tensione potenciale vendosin më pas në dyshim këto lloj kërcënimesh dhe se sa realiste mund të jenë ato.

 

Nacionalizimi si instrument për të larguar vëmendjen prej problemeve reale

Radio Evropa e Lirë: Pse mohimi i gjenocidit është intensifikuar në Serbi me kalimin e kohës, sidomos në 12 vjetët e fundit, prej ardhjes së Vuçiqit në pushtet? A ka të bëjë me kontrollin e narrativës për historinë, apo me politika ditore, sikurse përhapja e ndikimit të Serbisë në rajon, e ashtuquajtura Bota Serbe, pasi Serbia, siç e thatë në fillim të intervistës, insiston që serbët kanë qenë viktimat më të mëdha të rënies së Jugosllavisë?

Denisa Kostovicova: Po, ke të drejtë. Mund të vërehet që sa më larg që shkohet në luftërat e së kaluarës, aq më të pranishme janë ato në të tashmen. Por, kjo ka të bëjë edhe me instrumentalizim, shfrytëzim dhe abuzim të viktimave, duke i njohur ata, në disa ditë edhe duke i përkujtuar në nivel lokal, por i duke harruar dëmshpërblimet për ta. Kjo, në njëfarë mënyre ka krijuar këtë trashëgimi nacionaliste ku e mban regjimi njërën dorë. Në anën tjetër, diçka kësisoj shërben si instrument për të shpërqendruar vëmendjen prej problemeve që ka Serbia në qeverisje, përparim ekonomik dhe integrime evropiane. Sa më shumë që kalohet kohë në këto çështje, aq më pak kohë mbetet për zgjidhje të problemeve reale, siç është korrupsioni.

 

Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë, Vuçiq e ka përmendur se mund të bashkësponsorojë një rezolutë për gjenocid kundër popullit sovjetik, derisa Qeveria e Malit të Zi është duke shqyrtuar mundësinë e propozimit të një rezolute për gjenocidin në Jasenovac gjatë Luftës së Dytë Botërore. A është një lloj gare që mund t’i bëjë të pavlera rastet e gjenocidit, në vend që të shërbejë për respektim të viktimave?

Denisa Kostovicova: Absolutisht. Është një lloj gare, që nuk do të jetë e rëndësishme askund përveç kontekstit mikrorajonal, në politikën e brendshme serbe, me logjikën e njëjtë të shpërqendrimit prej temave të rëndësishme.

 

Rezistenca e narrativave liberale në Serbi

Radio Evropa e Lirë: Si do të mund të ndikojë rezoluta e OKB-së në dinamikën e Ballkanit, në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë?

Denisa Kostovicova: Është pyetje e mirë dhe e vështirë. Në njërën anë i kemi parë të gjitha këto dinamika ku mohimi i krimeve të luftës krijon shumë përçarje. Por në anën tjetër, kemi edhe forca tjera në rajon që e kundërshtojnë këtë qasje. Është e rëndësishme të cekim se, pavarësisht kontrollit që ka regjimi serb mbi mediat, ai prapëseprapë nuk ka arritur ta bëjë këtë mohim si narrativë të përgjithshme.

Ekzistojnë grupe, grupe të shoqërisë civile, madje edhe parti që kundërshtojnë këto narrativa. Në parim ata po i formulojnë ato, apo jo? Ato flasin për një Serbi që do të marrë përgjegjësi, në aspektin e adoptimit të vlerave të Perëndimit. Është interesante të shohim cili do të jetë rezultati në të ardhmen. Një skenar i errët është që këta zëra alternativë të margjinalizohen plotësisht, mirëpo qëndrueshmëria e tyre është për lavdatë, madje edhe vetë ekzistenca e tyre.

Në lidhje me Srebrenicën, por edhe me shkeljet tjera të të drejtave të njeriut dhe me krimet tjera të luftës që janë kryer, qasja e Serbisë na jep një lloj shembulli për atë që po vëzhgojmë edhe në Ukrainë, në kontekstin aktual të luftës, por edhe në kontekstin e luftës në Gazë, që ndonëse ekziston një proces gjyqësor në gjykata penale, jetojmë në një kohë kur është shumë e lehtë që të kontestohen dhe diskreditohen faktet.

Dhe, kjo besoj që është sfida më e madhe. Kjo është ndër sfidat më të mëdha për pajtim, për përmirësim të marrëdhënieve që prishen aq shpejt dhe brutalisht prej luftërave.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Në OKB, sot votohet për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë

okbAsambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pritet të votojë sot në orën 16:00, sipas kohës sonë, për rezolutën e propozuar për shpalljen e 11 korrikut si “Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”.

 

Gjermania dhe Ruanda janë sponsorët e rezolutës.Këto dy shtet bashkërisht iniciuan dhe hartuan tekstin e rezolutës. Më pas, 36 shtete anëtare të OKB-së u bënë bashkë-sponsor, duke marrë përsipër detyrën e prezantimit të draftit në të 193 shtetet anëtare të OKB-së.

Për miratimin e rezolutës do të mjaftojë shumica e thjeshtë e anëtarëve të OKB-së që janë të pranishëm në seancë dhe votojnë.

Rezoluta e propozuar për gjenocidin në Srebrenicë, ndër të tjera, u bën thirrje vendeve anëtare që të përfshijnë gjenocidin në Srebrenicë në tekstet shkollore.

 

Rezoluta:

 

  1. Vendos të caktojë 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995, e cila do të festohet çdo vit;

 

  1. Dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si një ngjarje historike dhe u bën thirrje shteteve anëtare të ruajnë faktet e vërtetuara, duke përfshirë përmes sistemeve të tyre arsimore, duke zhvilluar programe të përshtatshme, gjithashtu në përkujtim, për të parandaluar mohimin dhe shtrembërimin e shfaqjes së gjenocid në të ardhmen;

 

  1. Ai gjithashtu dënon pa rezerva veprimet që lavdërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, duke përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë;

 

  1. Thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit në Srebrenicë dhe varrosjes dinjitoze të tyre, dhe bën thirrje për vazhdimin e ndjekjes penale të atyre autorëve të gjenocidit në Srebrenicë të cilët ende nuk janë sjellë para drejtësisë ;

 

  1. U bën thirrje të gjitha shteteve që të respektojnë plotësisht detyrimet e tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, sipas rastit, dhe të drejtën zakonore ndërkombëtare për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke respektuar vendimet përkatëse të Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë;

 

  1. I kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të krijojë një program informativ të titulluar “Gjenocidi në Srebrenicë dhe Kombet e Bashkuara”, duke filluar aktivitetet e tij me përgatitjet për përvjetorin e tridhjetë në vitin 2025, dhe gjithashtu i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të sjellë në vëmendje këtë rezolutë të gjitha shtetet anëtare, organizatat e njerëzve të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatat e shoqërisë civile për shënimin e duhur;

 

  1. U bën thirrje të gjitha shteteve anëtare, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara, organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale dhe shoqërisë civile, duke përfshirë organizatat joqeveritare, institucionet akademike dhe palët e tjera të interesuara, që të shënojnë Ditën Ndërkombëtare, duke përfshirë përkujtime dhe aktivitete të veçanta në kujtim dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë në 1995, si dhe aktivitetet e duhura arsimore dhe ndërgjegjësuese publike.

rtk

Mohimi i gjenocidit të Srebrenicës mban plagët të hapura për të mbijetuarat

SrebrenicaTë enjten, OKB do të votojë për miratimin e një rezolute përmes së cilës 11 korriku do të shpallet ditë për të përkujtuar gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjes. Teksti përfundimtar i rezolutës dënon mohimin e gjenocidit, një gjë që vazhdimisht bëhet nga zyrtarët serbë si në Bosnje ashtu edhe në Serbi.

 

Kronika në vijim sjell një rikujtim të asaj që ndodhi para rreth 29 vjetësh. Të mbijetuarat e gjenocidit thonë se plagët e vuajtjeve vazhdojnë të mbeten të hapura nga mohimi i vazhdueshëm i krimit më të madh që ka ndodhur në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Kada Hotiç e pa për herë të fundit djalin, burrin dhe vëllain e saj më 11 korrik të vitit 1995. Atë ditë forcat serbe të Bosnjës thyen “zonën e sigurisë” që ishte krijuar nga Kombet e Bashkuara përreth qytetit të Srebrenicës. Futja e forcave serbe në qytet detyroi mijëra boshnjakë të iknin.

Predhat shpërthenin përreth, ndërsa zonja Hotiç dhe familja e saj vraponin drejt një baze të OKB-së, duke kaluar pranë trupave të copëtuar gjatë rrugës. Ajo u nda nga djali i saj 29-vjeçar, Samiri, kur paqeruajtësit e OKB-së iu thanë mijëra burrave dhe djemve të rinj të shkonin në një nga pyjet aty pranë.

Komandanti i forcave serbe të Bosnjes, Ratko Mlladiq, para kamerave, me qetësi iu fliste boshnjakëve duke iu thënë se nëse nuk donin, nuk kishin pse të iknin, ashtu siç ju sugjeronin forcat e OKB-së.

“Ju lutemi, keni durim. Kushdo që dëshiron të qëndrojë, mund të qëndrojë. Kushdo që dëshiron të largohet nga ky territor, ne kemi siguruar autobusë dhe kamionë të mjaftueshëm për ju”, iu tha me qetësi komandanti i forcave serbe të Bosnjes banorëve të Srebrenicës.

Në ditët në vijim, boshnjakët do të bëheshin viktima të masakrës më të përgjakshme të luftës së Bosnjës, ku forcat serbe vranë rreth 8000 burra dhe djem.

Kujtimet e zonjës Hotiç u rishfaqën këtë javë ndërsa Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara diskuton rreth një plani për të votuar një rezolutë e cila kërkon që 11 korriku të shpallet ditë ndërkombëtare e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.

“Kemi luftuar nga viti 1996 që e vërteta të bëhet publike, që kriminelët të ndëshkohen, po kërkojmë për të zhdukurit, të gjejmë dhe t’i varrosim me dinjitet. Dua që bota ta dijë të vërtetën, ta gjykojë dhe ta kujtojë, që kjo e keqe të mos përsëritet kurrë më”, thotë zonja Hotiç.

Projekt-Rezoluta e OKB-së, e iniciuar nga Gjermania, Ruanda dhe Bosnja dhe e sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, dënon mohimin e gjenocidit. Votimi do të mbahet të enjten.

“Qëllimi i kësaj rezolute është që të përballemi me të kaluarën. Nëse mund të arrijmë diçka me këtë rezolutë, e bëjmë për një të ardhme më të mirë. Ky është një hap drejt asaj”, thotë Almasa Salihoviç, zëdhënëse e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës.

Një gjykatë e OKB-së për krimet e luftës dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kanë vendosur se masakrat e Srebrenicës përbëjnë gjenocid dhe shumë ish-udhëheqës ushtarakë serbë të Bosnjës janë mbajtur përgjegjës.

Por votimi në OKB është përballur me rezistencë të ashpër në pjesë të Ballkanit, ku ndarjet me bazë etnike vazhdojnë të jenë të forta që nga shpërbërja e Jugosllavisë më 1991.

Serbia dhe Republika Serbe e Bosnjës e kanë mohuar vazhdimisht se ajo që ndodhi në Srebrenicë ishte gjenocid.

“Rezoluta do të sjellë të mira së pari për njerëzit që kanë kryer krimet, dhe pastaj për ne viktimat, sepse ne po luftojmë për këtë për shkak të mohimit që ka vazhduar në dhjetë vitet e fundit. Ne duhet ta zgjidhim problemin përgjithmonë, për hir të brezave të ardhshëm”, thotë Sehida Abdurahmanoviç, e mbijetuar e masakrës së Srebenicës.

Udhëheqësi nacionalist serb i Bosnjës Milorad Dodik ka kërcënuar se Republika Serbe, ku ndodhet Srebrenica, do të shkëputet nga Bosnja nëse miratohet rezoluta.

“Unë besoj në idealin e Republikës Serbe të pavarur pasi është e pamundur të ndërtosh bashkjetesë me njerëzit që duan të shuajnë liritë dhe të shfuqizojnë republikën tonë”, tha Milorad Dodik, President i Republikës Serbe të Bosnjes me 25 tetor të vitit 2022 ndërsa festonte fitoren në zgjedhje.

Srebrenica ishte deklaruar “zonë e sigurt “ nga OKB në vitin 1993. Aty jetonin rreth 40,000 myslimanë boshnjakë që kishin ikur nga fushata serbe e spastrimit etnik. Më pas forcat serbe të Bosnjës hynë brenda, duke mposhtur paqeruajtësit.

“Dua që bota të dijë të vërtetën, ta gjykojë e kujtojë atë, që kjo e keqe të mos ndodhë më kurrë”, thotë Kada Hotiç, anëtare e shoqatës “Nënat e Srebrenicës”.

Përmasat e masakrës në Srebrenicës dolën në dritë gradualisht pasi mijëra burra, që fillimisht ishin konsideruar të humbur, u gjetën të vrarë.

Në tërësi, hetuesit zbuluan se rreth 8,000 burra dhe djem u vranë brutalisht gjatë mizorisë më të rëndë që Evropa ka përjetuar që nga Lufta e Dytë Botërore.

voa

Lojërat e Vuçiqit: As në Lindje, as në Perëndim

VucicLufta kundër pranimit të Kosovës në KiE dhe kundër Rezolutës për Srebrenicën, zotimi për rrugën evropiane, vizita e liderit kinez, afërsia me Rusinë… A është politika e jashtme e Serbisë “skizofrene” apo me strategji?

 

Pranverë diplomatike e stuhishme në Serbi: Vizita e presidentit kinez, lufta kundër rezolutës për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara, vizita e Olena Zelenski dhe ministrit të Jashtëm të Ukrainës, fushata kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, fjalimi i Vuçiqit në Rusi…

Ngjarjet e rëndësishme të politikës së jashtme janë rreshtuar. Disa do të thoshin, plot mospërputhje dhe çorientim i politikës së jashtme serbe, të cilën disa analistë e cilësojnë si “skizofrenike”.

Deklarativisht ende në rrugën evropiane, Serbia ose, më saktë, presidenti i saj Aleksandar Vuçiq, po përpiqet të gjejë aleatë nga të gjitha anët. Për vëzhguesit nga jashtë duket kjo si një ylber i politikës së jashtme, ku nuk mund të gjesh ndonjë sistem.

 

Propaganda e promovimit të regjimit

Dushko Lopandiq, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, thekson për DW, se politika e jashtme serbe “ka shumë ngjashmëri” me politikën e brendshme. Ashtu sikur Partia Përparimtare Serbe që është një parti e ashtuquajtur “catch-all” – si një parti që kërkon votat nga të gjithë – edhe politika e jashtme dhe diplomacia janë shtrirë në të gjitha drejtimet, beson Lopandiq.

“Kjo diplomaci e gjerë përdoret në radhë të parë për të promovuar regjimin dhe për propagandë të brendshme. Ne kemi një politikë të jashtme shumë të pasuksesshme, sa i përket integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal. Regjimi po zbaton një lloj politike të jashtme propagandistike”, vlerëson bashkëbiseduesi ynë.

Mirëpo, bashkëbiseduesi ynë i dytë mendon se në këtë politikë ka një sistem. “Fokusi tani është në dy boshte – me Amerikën dhe me Kinën”, thotë Igor Novakoviq nga Qendra për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri.

“Bashkimi Evropian është në vendin e tretë, ndërsa Rusia në vendin e katërt. Tani të gjitha letrat janë vendosur në njëfarë real-politikë, e cila bazohet në një lloj marrëdhënieje të caktuar transaksioni, që synon të mbajë në pushtet elitën ekzistuese. Meqenëse ata kontrollojnë të gjitha proceset në vend, ata mund të udhëheqin një politikë të jashtme të tillë të plotë”, beson Novakoviq.

Dushko Lopandiq, nga ana tjetër, flet për improvizime – për vizitën e rëndësishme të presidentit kinez Xi, e cila nuk është në pozita të barabarta, si dhe për vizitën e delegacionit ukrainas, e cila “në radhë të parë ka të bëjë me marrëdhëniet me Amerikën”.

“Një ditë kritikohet BE-ja, ndërsa të nesërmen thuhet se jemi në rrugën evropiane. Është një lloj loje që ngre pyetjen e çmimit të një politike të tillë, e ky çmim nuk është i vogël”, paralajmëron Lopandiq.

 

Serbia dhe Ukraina – raportet ilegale

Vizita në Serbi e bashkëshortes së presidentit ukrainas, Olena Zelenski dhe ministrit të Jashtëm, Dmitry Kuleba, është interesante për faktin se mediat e regjimit mezi raportuan për këtë vizitë.

gor Novakoviq vëren se “qeveria kontrollon në mënyrë të barabartë narrativën pro-ruse dhe pro-perëndimore në media. Kjo zvogëlon rëndësinë e Perëndimit dhe BE-së nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër parandalon disa manipulime më të thella nga pala ruse”.

Regjimi serb ka zhvilluar një fushatë antiperëndimore për një kohë të gjatë. Njëjohësisht ka bërë në masë të vogël një fushatë pro-ruse, thotë Dushko Lopandiq.

“Është vërtet interesante që kjo vizitë u regjistrua shumë pak, si shumë modeste, sepse aty nuk ishte vetëm gruaja e presidentit ukrainas, por edhe ministri i Jashtëm. Kjo është bërë edhe për faktin se opinioni publik ka një qëndrim kryesisht pro-rus. Në këtë kuptim, pranimi i krerëve të Ukrainës sigurisht që nuk është i popullarizuar për momentin”, thotë Lopandiq.

 

Mbështetja e Dodikut

Ditët në vijim sigurisht që do të shënohen me miratimin e paralajmëruar të Rezolutës për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara. Igor Novakoviq e vlerëson luftën e autoriteteve në Beograd kundër kësaj Rezolute si mbështetje për Milorad Dodikun.

“Paradoksalisht, kjo histori erdhi në momentin e duhur për Vuçiqin dhe Dodikun, të cilët kanë shumë probleme të brendshme. Kjo temë tani mund të përdoret për të mobilizuar njerëzit”, vlerëson Novakoviq.

Në këtë kontekst, liderët politikë të Serbisë dhe Republikës Srpska shpallin mbajtjen e një lloj “Sabori” të madh më 8 qershor në Beograd. Ai do të ndjekë seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të enjten (23 maj), ku do të diskutohet Rezoluta për Srebrenicën, si dhe zgjedhjet lokale në Serbi (2 qershor).

Dushko Lopandiq e sheh këtë “Sabor” të përbashkët si pjesë të një “fushate populiste-nacionaliste”. “Është pjesë e ideologjisë së regjimit në pushtet, e cila buron nga rrënjët e tij radikale. Zhurma që bëhet për këtë Rezolutë lidhet me vetë rrënjët e Vuçiqit, sepse kujtojmë se Vuçiqi ka ngjitur dikur postera me emrin e Ratko Mlladiqit mbi emrin e Bulevardit Zoran Gjingjiq”, kujton Lopandiq.

 

Autogoli i Kosovës

Diplomacia serbe bëri përpjekje të mëdha për të penguar edhe hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, gjë që për momentin ia doli. Të premten (17 maj) Kosova nuk ishte në rend dite, sepse vendet e Kuintit këmbëngulën për fillimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë që Prishtina e refuzon.

Bashkëbiseduesit tanë nuk janë të sigurt se kjo është ndonjë fitore diplomatike e Serbisë, por më tepër flasin për hapat e gabuar që ka bërë Prishtina. “Këtë rezultat e solli mosbashkëpunimi që Kurti po tregon prej vitesh me faktorin ndërkombëtar dhe mohimi prej tij i një pjese të Marrëveshjes së Brukselit”, përfundon Dushko Lopandiq.

Edhe Igor Novakoviq ka mendim të ngjashëm: “Kosova ndoshta do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe çdo lëvizje që sugjeron se Asociacioni mund të jetë diçka më shumë se një organizatë e zakonshme joqeveritare mund të jetë e dëmshme për Kurtin”. Në këtë mënyrë, autoritetet e Kosovës po sillen shumë ngjashëm me autoritetet serbe, mjaft transaksionale dhe të palëkundura”.

dw

Hartohet teksti përfundimtar i projektrezolutës për gjenocidin në Srebrenicë

SrebrenicaNjë rezolutë për përkujtimin e gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë të Bosnjës, e hartuar nga Gjermania dhe Ruanda pritet të hidhet për votim me 23 maj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mes një fushate të fortë kundërshtimi nga presidenti i Serbisë dhe udhëheqësit e serbëve të Bosnjës, me mbështetjen e Rusisë.

Sipas tekstit përfundimtar të projektrezolutës 11 korriku përcaktohet “Ditë Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrencë”, në kujtim të vrasjes së mbi 8 mijë burrave dhe djemve boshnjak nga forcat serbe në masakrën që filloi me 11 korrik të vitit 1995.

Na atë ditë serbët e Bosnjës pushtuan Srebrenicën, që ishte shpallur zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.

 

Çfarë përmban projekt rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë?

 

Në tekstin e projektrezolutës, të cilin e ka parë Zëri i Amerikës, thuhet mes tjerash se duke vënë në dukje se viti 2025 do të shënojë tridhjetë vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, në të cilin humbën jetën të paktën 8,372 veta, mijëra u zhvendosën dhe familjet dhe komunitetet u shkatërruan, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së:

 

  1. Vendos të caktojë 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të viti 1995 në Srebrenicë, që do të festohet çdo vit;
  2. Dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës si një ngjarje historike dhe u kërkon shteteve anëtare të ruajnë faktet e vërtetuara edhe përmes sistemeve të tyre arsimore, duke zhvilluar programe të përshtatshme, gjithashtu në përkujtim (të ngjarjeve) dhe me synim të parandalimit të mohimit dhe shtrembërimit të tyre si dhe pengimin e gjenocideve në të ardhmen;
  3. Gjithashtu dënon pa rezerva veprimet që madhërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, duke përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë;
  4. Thekson rëndësinë e përmbylljes së procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit të Srebrenicës dhe varrimin e dinjitetshëm të tyre dhe bën thirrje për ndjekjen e vazhdueshme të atyre autorëve të gjenocidit në Srebrenicë, që ende nuk janë përballur me drejtësinë;
  5. I nxit të gjitha shtetet që t’u përmbahen plotësisht detyrimeve të tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, dhe të drejtën ndërkombëtare zakonore për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke pasur parasysh vendimet përkatëse të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë;
  6. Kërkon nga Sekretari i Përgjithshëm të themelojë një program informues të titulluar “Gjenocidi i Srebrenicës dhe Kombet e Bashkuara”, duke filluar përgatitjet për shënimin e përvjetorit të tridhjetë në vitin 2025, dhe gjithashtu i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të sjellë këtë rezolutë në vëmendjen e të gjitha shteteve anëtare, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të shoqërisë civile, në funksion të respektimit të duhur të saj;
  7. Fton të gjitha Shtetet Anëtare, organizatat e sistemit të Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale dhe shoqërinë civile, duke përfshirë organizatat joqeveritare, institucionet akademike dhe palët e tjera të interesuara për të respektuar Ditën Ndërkombëtare, duke përfshirë kremtime dhe veprimtari të veçanta në kujtim dhe nderim të viktimave të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, si dhe arsimimin e duhur dhe veprimtaritë e ndërgjegjësimit të publikut.

 

Në vitin 2007 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, tha se aktet e kryera në Srebrenicë paraqesin gjenocid. Ky ishte gjenocidi i parë në Evropë që nga Holokausti nazist në Luftën e Dytë Botërore, gjatë të cilit u vranë rreth 6 milionë hebrenj dhe pjesëtarë të pakicave të tjera.

Udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës gjatë kohës së luftës, Radovan Karaxhiç dhe komandanti i tij ushtarak, Ratko Mlladiç, u dënuan me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë nga Gjykata për Krime Lufte në ish Jugosllavi. Në përgjithësi, kjo gjykatë si dhe gjykatat në Ballkan kanë dënuar afër 50 zyrtarë serbë të Bosnjës të kohës së luftës me burgime të gjata lidhur me gjenocidin në Srebrenicë.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq si dhe udhëheqësit e serbëve të Bosnjës, kundërshtojnë me forcë miratimin e rezolutës, duke thënë se ajo i cilëson të gjithë serbët si një “komb gjenocidal”, ndonëse projektrezoluta nuk e përfshinë një pohim të tillë.

Presidenti Vuçiç dhe qeveria e tij kanë bërë fushatë si në OKB ashtu edhe në vendet në zhvillim për të fituar mbështetje në kundërshtim të rezolutës, miratimi i së cilës kërkon shumicën e thjeshtë.

Misioni i Përhershëm i Serbisë në OKB, bëri thirrje sërish për tërheqjen e projektrezolutës.

“Duke pasur parasysh pasojat e paparashikueshme të një projektrezolute të tillë në procesin e brishtë të pajtimit, duke hapur plagë të vjetra, u bëjmë thirrje edhe një herë bashkëhartuesve të tërheqin tekstin e rezolutës, në interes të të gjithëve, para së gjithash popullit të Bosnjës e Hercegovinës por edhe të gjithë anëtarëve të OKB-së…”, thuhet në një deklaratë të Misionit të Përhershëm të Serbisë në OKB.

Presidenti Vuçiç si dhe udhëheqësi i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik, kanë përmendur disa herë mundësinë e pagesës së dëmeve të luftës, nëse rezoluta miratohet.

Udhëheqësit serbë vazhdojnë të minimizojnë apo edhe mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, duke i cilësuar vrasjet si një krim të rëndë, gjë që ka ofenduar thellësisht të afërmit e viktimave të masakrës dhe të mbijetuarit.

ështja e rezolutës u përvijua edhe përgjatë një takimi të rregullt të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi zhvillimet politike dhe ekonomike në Bosnje, që u mbajt të mërkurën.

Zëvendës ambasadori amerikan në OKB, Robert Wood, tha se “veprimet e rrezikshme të (Milorad) Dodikut dhe retorika ndarëse e tij kërcënojnë paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon” dhe “mohimi i gjenocidit gjithashtu parandalon pajtimin”.

“Përkujtimi i të vërtetave historike dhe pranimi i fakteve është i rëndësishëm dhe e çon rajonin përpara në rrugën drejt pajtimit”, tha zoti Wood, duke nënvizuar se “nderimi i viktimave të gjenocidit përforcon vlerat e pasqyruara në Kartën e OKB-së”.

Por ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, vendi i të cilit ruan lidhje të forta me Serbinë dhe serbët e Bosnjës, tha se paraqitja e rezolutës pa pëlqimin e të gjitha palëve në Bosnjë, është shkelje e kushtetutës së vendit dhe marrëveshjes së paqes të Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës.

“Ne e shohim këtë tekst provokues si një kërcënim për paqen dhe sigurinë në vend dhe në gjithë rajonin”, tha ai, duke akuzuar Gjermaninë dhe Ruandën për nxitjen e protestave në vend të nxitjes së pajtimit.

Gjermania dhe Ruanda, thanë më herët gjatë javës se rezoluta synon bashkimin dhe jo përçarjen, ndërsa u bëhet thirrje të gjitha vendeve anëtare të OKB-së ta mbështesin atë “duke dërguar kështu një mesazh të fortë për kujtim dhe kundër mohimit të gjenocidit”.

voa

 

Jehu i Srebrenicës nxeh Vuçiqin e Dodikun

SrebrenicaQendra Përkujtimore Potoçari për viktimat e Srebrenicës.

 

Masakra e Srebrenicës – më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – mund të njihet si gjenocid nga Kombet e Bashkuara, gati 30 vjet pas.

Një propozim-rezolutë, e iniciuar nga Gjermania dhe Ruanda, kërkon që 11 korriku të njihet globalisht si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, dhe pritet të dalë në votim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në muajin maj.

Propozim-rezoluta, mes tjerash, bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.

 

 

Dokumenti – ndonëse nuk e përmend as entitetin serb të Bosnjës, Republika Sërpska, e as Serbinë – nxiti reagime të furishme në të dyja këto vende.

Udhëheqësit e tyre mohojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, pavarësisht faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka njohur si akt të tillë vrasjen e mbi 8.000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995.

Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi këtë muaj një raport që e mohon gjenocidin në Srebrenicë, ndërsa udhëheqësi i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, mblodhi mijëra ndjekës në Banjallukë për të kundërshtuar propozim-rezolutën e OKB-së.

“Ishte një krim në fund të luftës. Pas lodhjes, urrejtjes, vuajtjes, hakmarrjes… Por, nuk ishte gjenocid”, u tha Dodik mbështetësve.

Dodik tha, po ashtu, se nëse OKB-ja e miraton rezolutën për Srebrenicën, Bosnje e Hercegovina do të ndahet. Ai tha se do të ndërmarrë edhe disa “masa të posaçme”, por nuk specifikoi më shumë.

Reagimi i Shteteve të Bashkuara ishte i menjëhershëm. Ambasada amerikane në Sarajevë tha se nuk do të tolerojë asnjë përpjekje për shpërbërjen e Bosnjës.

“Millorad Dodik e ka gabim nëse mendon se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë mënjanë, derisa ai ndjek agjendën e tij secesioniste dhe e shtyn Bosnje e Hercegovinën drejt konfliktit. Republika Sërpska është entitet brenda shtetit të Bosnje e Hercegovinës”, shkroi Ambasada amerikane në Sarajevë në platformën X.

Kundër rezolutës për Srebrenicën u angazhua në mënyrë aktive edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas të cilit, miratimi i saj do të shkaktonte pasoja “në stabilitetin dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, në të drejtën publike ndërkombëtare, por edhe në vetë besueshmërinë e OKB-së si garantuese e paqes dhe rendit juridik në botë”.

Në përpjekje për ta parandaluar votimin pro, Vuçiq tha javën e kaluar se ka biseduar me zyrtarë të më shumë se 80 vendeve dhe se do ta vazhdojë “luftën e vështirë”.

Zharko Koraq, profesor në pension i Universitetit të Beogradit, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se Vuçiq e përjeton si “shuplakë” kundër tij rezolutën për Srebrenicën.

Ai thotë se regjimi i tij i ka normalizuar njerëzit e dënuar për krime lufte, të cilët, vazhdimisht, janë mysafirë nëpër studiot televizive.

“Pushteti në Serbi është i tronditur, sepse bota po tregon se nuk e ka harruar Srebrenicën dhe se sjellja e Serbisë është e turpshme. Me retorikën që po bën, Vuçiq mbron veten e tij dhe politikën ku ka bërë pjesë”, thotë Koraq.

Në vitet ’90, Vuçiq shërbeu një kohë si ministër i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, të cilin Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e akuzoi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Vuçiq ishte edhe pjesë e Partisë Radikale serbe, e cila shprehte hapur ambicie për një “Serbi të madhe”, me tokat e vendeve fqinje.

“Ju vrisni një serb dhe ne do t’i vrasim 100 myslimanë”, ishte thënia e tij famëkeqe, disa ditë pas masakrës së Srebrenicës.

Refik Hoxhiq, zëdhënës i dikurshëm i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, thotë për Exposenë se politika që ndjek Vuçiq sot, por edhe Dodik, është e njëjtë me atë të Millosheviqit dhe të Radovan Karaxhiqit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë.

“Normalisht [kjo politikë sot] nuk i ka dhëmbët e njëjtë. Sot nuk është viti ’92 dhe qëllimet nuk mund të arrihen përmes rrugëve ushtarake, siç kanë menduar Sllobodan Millosheviq dhe Radovan Karaxhiq. Por, në aspektin narrativ dhe ideologjik, bëhet fjalë për politika identike”, thotë Hoxhiq.

Ai thotë se nuk i merr seriozisht kërcënimet e Dodikut, i cili edhe më herët ka thënë se nuk është i pajtimit që Republika Sërpska të jetë pjesë e Bosnje e Hercegovinës.

Koraq, i cili ka shërbyer edhe si zëvendëskryeministër i Serbisë, thotë së Dodik po kërcënon tani në rrethana të tjera gjeopolitike, kur NATO-ja ka rritur praninë si në Bosnje e Hercegovinë, ashtu edhe në Kosovë.

“Po të isha në vendin e tij, do të mendoja mirë se si mund t’i përgjigjet bota provokimit të tij, në kohën kur ajo ka prioritete të tjera, si lufta në Ukrainë, konflikti në Lindje të Mesme, tensionet rreth Tajvanit, por, në të njëjtën kohë, vëzhgon edhe atë që ndodh në Bosnje e Hercegovinë”, thotë Koraq.

Koraq dhe Hoxhiq presin që rezoluta për Srebrenicën të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por nuk presin që të ketë ndonjë ndikim në marrëdhëniet mes vendeve në rajon.

Pa pranimin e së vërtetës nuk mund të ecët përpara, thotë Hoxhiq.

“Kjo është sikur të vendosësh një fashë të vogël mbi një plagë të madhe që ende rrjedh gjak. Nuk mund të ecët përpara, pa i pranuar këto krime. Por, kjo natyrisht nuk mund të pritet nga Aleksandar Vuçiq dhe Millorad Dodik”.

“Andaj, rezoluta nuk do të ndryshojë asgjë te ta, por do të shërbejë si një element në procesin e përballjes me të vërtetën për udhëheqësit e ardhshëm të Serbisë dhe të Republikës Sërpska. Nuk dyshoj se kjo do të ndodhë, herët a vonë”, thotë Hoxhiq.

Në Serbi, disa organizata për të drejtat e njeriut i bënë thirrje Qeverisë së tyre dhe Vuciqit që ta mbështesin rezolutën e OKB-së për përkujtimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut tha se do t’u dërgojë një letër Kombeve të Bashkuara, në shenjë mbështetjeje për miratimin e rezolutës.

Edhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, i bëri thirrje asaj që ajo e quajti “elitë intelektuale” që ta mbështesë rezolutën dhe “të mos jetë e painteresuar për të ardhmen e Serbisë”.

“Elita intelektuale në Serbi është arrogante dhe e painteresuar për të ardhmen e Serbisë. Po të mos ishte kështu, a nuk do t’i thoshte presidentit Vuçiq të mos turpërohet duke luftuar kundër rezolutës së OKB-së, që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë”, shkroi Kandiq në rrjetin X.

Por, disponimi midis disa qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Beograd është, po ashtu, ndryshe-ndryshe.

“Për mua është e pranueshme që për të gjitha viktimat të ketë një ditë përkujtimore – qofshin ato te ne apo kudo në botë”, thotë Mara.

“Rezoluta është e turpshme. Nuk duhet të miratohet. Unë nuk e arsyetoj krimin, por kush e karakterizon krimin ndaj serbëve?”, pyet Branisllav Kërsmanoviq.

“Mendoj se nuk ishte gjenocid. Nuk duhet shqyrtuar fare. Është politikë kundër Serbisë”, thotë Miqa Millovanoviq.

Kur e karakterizoi si gjenocid masakrën e Srebrenicës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.

Deri më tash, më shumë se 50 individë janë të dënuar me rreth 700 vjet burgim për rolet e tyre në gjenocidin e Srebrenicës.

Në vitin 2003, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë të ngjashme, e cila e shpalli 7 prillin si Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit mbi Gjenocidin në Ruandë.

Në këtë vend të Afrikës Qendrore, gjenocidi ndodhi në vitin 1994, gjatë një luftë civile. Për vetëm 100 ditë, ekstremistët Hutu vranë rreth 800 mijë njerëz, kryesisht anëtarë të pakicës Tutsi dhe kundërshtarë politikë.

Nëse e miraton edhe rezolutën për Srebrenicën, blloku demokratik perëndimor do të mbyllte një kapitull të errët të viteve ’90, kur ndodhën të dyja këto gjenocide të mëdha, pasojat e të cilave rëndojnë ende.

rel

“Vështirë për Serbinë” – shkaku edhe i Kosovës, edhe i Srebrenicës

VucicDo të jetë vështirë, më së vështiri deri më tani – kështu tha së voni presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, teksa paralajmëroi “ditë të vështira” për Serbinë.

 

Më pas, ai identifikoi si sfida vendimmarrjen në Këshillin e Evropës për pranimin e Kosovës dhe një propozim-rezolutë në Kombet e Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë.

Në një seancë të jashtëzakonshme të Qeverisë së Serbisë, më 4 prill, ai kërkoi formimin e ekipeve për “bashkëpunim të të gjitha forcave”, në të cilat duhet të bëjnë pjesë Qeveria, Parlamenti dhe Presidenti i Shtetit.

Vuçiq ishte i vetmi që foli në seancë, duke i paraqitur Qeverisë serbe një sërë kërkesash dhe sugjerimesh.

 

Kosova dhe Këshilli i Evropës

Të bëhen të gjitha përpjekjet që Kosova të mos anëtarësohet në Këshillin e Evropës, kërkoi Vuçiq në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të votojë për pranimin e Kosovës më 16 prill, ndërsa vendimi përfundimtar pritet në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 16 maj.

 

Përveç formimit të një ekipi që do të merret me këtë çështje, Vuçiq kërkoi nga Qeveria që të gjithëve t’u dërgojë një të ashtuquajtur non-paper.

Në këtë dokument diplomatik jozyrtar duhet të shprehet qëndrimi i Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, që është organizata kryesore në kontinent në fushën e të drejtave të njeriut.

Në vend që të këmbëngulë se “Kosova nuk është shtet”, Vuçiq sugjeroi ndryshimin e qasjes, duke theksuar se Kosova nuk e ka formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia u pajtuan me një marrëveshje në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por Kosova nuk e formoi atë.

 

Në Këshillin e Evropës janë 46 vende, përfshirë 27 anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit.

Shumica e shteteve anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet.

Në dy raste, Serbia votoi kundër kërkesës së Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës, të cilën Prishtina e dorëzoi qysh në maj të vitit 2022.

Por, me Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit u obligua që të mos e pengojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Këtë marrëveshje, dy vendet e arritën në shkurt të vitit 2023, ndërsa për aneksin e zbatimit të saj u pajtuan në mars të atij viti.

Megjithatë, zyrtarët në Beograd thonë vazhdimisht se nuk do t’i zbatojnë të gjitha dispozitat e marrëveshjes.

Kosova, po ashtu, nuk i zbatoi disa obligime të veta, përfshirë ato që kanë të bëjnë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 

Gjenocidi në Srebrenicë dhe rezoluta e OKB-së

Parandalimi i miratimit të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është detyra e dytë që Vuçiq ia ka vënë Qeverisë dhe vetes.

“Të përpiqemi të luftojmë sa më shumë, duke treguar gjithmonë respekt për viktimat që kanë pësuar”, tha ai.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e shpalli gjenocid krimin e kryer në Serbrenicë nga forcat serbe, në korrik të vitit 1999. Atëkohë, ato vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë brenda pak ditësh.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë miratoi, gjithashtu, disa vendime që konfirmonin gjenocidin në Srebrenicë.

 

Vuçiq paralajmëroi mundësinë që më 21 prill të shkojë në Nju Jork për të biseduar me sa më shumë përfaqësues të shteteve anëtare të OKB-së.

Ai tha se do që të bisedojë personalisht me presidentët e vendeve mike afrikane, si Egjipti, Algjeria, Kongoja, Namibia dhe Uganda.

Ai shtoi se nuk ka asnjë akt në OKB që thotë se Gjermania ka kryer gjenocid në Luftën e Dytë Botërore.

Përveç pretendimeve të Vuçiqit, tash për tash nuk ka asnjë informacion zyrtar për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, të cilën do ta nxirrte OKB-ja.

 

Duke folur për publikun më 29 mars, Vuçiq tha se Serbia ka marrë informacione nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së se një rezolutë e tillë do të jetë në rend dite më 27 prill, si propozim i Gjermanisë dhe Ruandës.

Ai vlerësoi se me miratimin e asaj rezolute, do të dilte edhe iniciativa për shfuqizimin e Republikës Sërpska, e më pas edhe kërkesa për dëmshpërblime të luftës nga Serbia.

Millorad Dodik, udhëheqës i Republikës Sërpska – entitet serb në Bosnje e Hercegovinë – tha më 2 prill se kundërshton propozim-rezolutën për gjenocidin.

“Ata përpiqen me këmbëngulje që të nxjerrin keq vetëm Republikën Sërpska dhe një komb”, tha Dodik.

Beogradi zyrtar, prej vitesh, kundërshton miratimin e rezolutave apo deklaratave që krimin në Srebrenicë e cilësojnë si gjenocid.

Zyrtarët serbë thonë se në Srebrenicë ka ndodhur një krim i tmerrshëm, por nuk pranojnë se ishte gjenocid.

Nëntë vjet më parë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia bllokoi miratimin e një rezolute që dënonte gjenocidin në Srebrenicë, e cila u propozua nga Britania e Madhe dhe u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Edhe atëherë Serbia loboi kundër miratimit të rezolutës.

Në mars të vitit 2010, në kohën e Qeverisë së atëhershme, Parlamenti i Serbisë miratoi Deklaratën për Dënimin e Krimeve në Srebrenicë.

Ai dokument e dënon krimin e kryer në mënyrën që ka përcaktuar vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por termi gjenocid nuk përmendet në deklaratë.

rel